Austria kremtoi 26 Tetorin, Festën Kombëtare të saj.
Gjithë shqiptarët urojnë: Gëzuar 26 Tetori – Festën Kombëtare Austri!
Hazir MEHMETI, Vjenë
Historia
26 tetor 2023. Vjenë. Historia e popujve, me gjithë rezonimet e saj, tregon mbi ecjen shekujve të njerëzimit dhe progresin e tij. Njëra nga më të shquarat në kontinent, ishte historia e popullit austriak në veçanti dhe atij gjermano folës në përgjithësi. Nga kjo botë e thellë ngjarjesh e rezonimesh, pa dyshim, veçohet fuqishëm shekujve Dinastia Habsburge. Jo rastësisht, këtu personalitet të veçantë me rrënjë shqiptare e gjejnë vetën si pjesë brenda saj e njohur për drejtimin dhe sundimin e një pjese të madhe të Evropës. Pas Luftës së Parë Botërore në vitin 1918, Austria-Hungaria dhe aleatet e tyre e humbin luftën dhe kjo sjell shpërbërjen e Monarkisë duke qenë edhe fundi i sundimit të Dinastisë së Habsburgëve.
Republika e parë
Pas Luftës së Parë Botërore, dinastia Mbretërore e Habsburgëve e humbë pushtetin, por do mbetet akoma e fuqishme dhe shumë e vlerësuar nga masat qytetare në Austri. Në këto rrethana me 12 nëntor të vitit 1918 shpallet Austria shtet Republikë me Karl Renner- drejtues i qeverisës i saj. Emri zyrtar i Republikës së Austrisë u vendos të quhet Republika Gjermano-Austriake. Një vit më vonë aleatet fitues, me marrëveshje paqe, ia ndaluan Austrisë bashkimin me Gjermaninë dhe nga kjo detyrimisht rrjedh emri Republika e Austrisë. Që nga viti 1921, Austria ka nëntë Njësi Federale me Vjenën kryeqytet dhe vet Vjena një njësi federale (Bundesland). Republika e Austrisë pati disa kriza të mëdha ndër të cilat ajo e vitit 1929 ku papunësia dhe problemet sociale ishin të madha. Këtë krizë e shfrytëzuan forcat social kristiane të kancelarit austriak Egelbert Dollfuß në vitin 1933 i cili e shpërbën së funksionari Parlamentin duke vendosur regjim autoritar dhe duke marr kontrollin qeverisës pa zgjedhje parlamentare. Kështu gradualisht kriza thellohet dhe në vitin 1934 vjen deri te lufta qytetare mes regjimit i mbështetur nga policia e shtetit kurse ana tjetër Partia Socialdemokrate e përkrahur nga policia e saj, të cilën luftë e fiton regjimi me forcën e policisë dhe ushtrisë. Pas kësaj pason tentim puçi nga Nacional socialistët ku vritet Kancelari i Shtetit.
Në vitin 1938 Republika e Austrisë nën drejtimin e Kurt Schuschnigg do bëhet pjesë e Gjermanisë nacional-socialiste nën trusnin e Adof Hitlerit edhe pse ishte e ndaluar sipas marrëveshjes me aleatët fitues të Luftës së Parë Botërore. Pakënaqësia e popullsisë, zhgënjimi i saj ishte e madhe në këto rrethana ku papunësia, pasiguria dhe inflacioni ishin të mëdha. Kjo situatë shfrytëzohet nga Hitler i cili në mars urdhëron marshimin e ushtrisë së tij drejtë Austrisë. Kjo do të ketë për pasojë zhdukjen e grupeve etnike në mënyrë të organizuar dhe permanente: hebrenj, rom etj të cilët dërgohen në kampin famëkeq Mauthausen ku do mbyten rreth dyqind mijë njerëz barbarisht. Republika e Austrisë në këtë kohë nuk ekziston fare dhe vendi do njihet formalisht vetëm si Ostmark. Rreth 1,2 milion austriak ishin pjesë e armatës gjermane.
Republika e dytë
Fituesit e Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik vendosin që Austria të jetë një shtet në vete. Gradualisht u krijuan rrethanat për ndryshime dhe në prill të vitit 1945 Karl Renner zgjidhet kancelar i regjimit provizor deri në nëntor kur do mbahen zgjedhjet demokratike parlamentare në Republikën e Dytë të Austrisë. Deri në vitin 1955 fjalën e fundit për rrjedhat e përgjithshme në Austri e kanë aleatet fitues, kur përfundimisht edhe largohen nga vendi. Tani Austria përsëri është shtet i pavarur plotësisht. Në rindërtimin e vendit të shkatërruar rol vendimtar do të ketë SHBA me planin e njohur “Plani Marshal”, një mbështetje e fuqishme financiare, por krahas kësaj shumë ushtarë amerikan do ndihmojnë fuqishëm ndërtimin e vendit të shkatërruar dhe ndërtimin e kapaciteteve prodhuese. Në këto raporte lidhje me aleatet fitues rol me rëndësi luajtën kancelari i atëhershëm i Austrisë Juliuss Raab dhe Leopold Figl, ministër i punëve të jashtme.
Modernizimi
Vitet 1950-1970 karakterizohen me lëvizje të njerëzve në drejtim të qyteteve dhe ardhje të fuqisë punëtore nga jashtë. Vendi shënon ngritje të lartë të industrisë moderne falë reformave të gjithanshme të qeverisjes ku dallohet veçanërisht Kancelari i Austrisë Bruno Kreisky.
Në Austri vazhduan reformat gjithanshëm: në politikën e dëmshpërblimit, punësimit, pensionimit, lëvizjes, sigurimit, arsimimit, mbrojtjes. Pozita strategjike në mes të Europës dhe politika jashtë aleancave ushtarake Perëndim (NATO) dhe Lindje (Traktati i Varshavës), e bënë Austrinë një vend me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si anëtare e plotë e Bashkimit Europian, Austria bëhet në vitin 1995. Sot Austria me zhvillimin e saj, kualitetin e jetës së banorëve të saj, renditet në shtet më të pasura të botës. Ka vite që nuk njeh papunësie e inflacion fal reformave të vazhdueshme në qeverisjen e vendit. Çdo vit në Austri qarkullojnë rreth 270 miliard Euro. Si rezultat i lëvizjeve migruese në Austri sot jetojnë 1, 4 milion banorë me origjinë tjetër nga 8,5 milion banorë sa ka vendi. Prej tyre në Austri jetojnë rreth shtatëdhjetë mijë qytetar me origjinë shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare.
Shqiptarët
Raportet mes shqiptarëve dhe austriakëve janë shekullore ku veçohen shumë personalitete historike në ngritjen e bashkëpunimit anasjelltas deri në kuptimin e aleatëve. Nga austriakët me rrënjë shqiptare janë të njohur Gjergj Basta dhe Karl Gega. Në lëmine e kulturës dha artit është i njohur Aleksandër Mosiu (Alexander Moissi). Këto figura madhore cilësohen si ura lidhëse mes dy kombeve. Kjo lidhje pozitive u shpreh në udhëkryqet më të vështira të kombit shqiptar për jetë a zhdukje në kohën e Luftërave Ballkanik dhe pas tyre. Orekset gllabërues të fqinjëve armiq kërkonin vdekjen e shqiptarëve duke i pushtuar ata dhe vetëm falë mbështetjes që i dha Austo-Hungaria lëvizjes shqiptare të mbetur nga lufta kundër omanëve të mundur dhe fqinjëve armiq e tinëzarë, arriti të realizohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në një territor pëllëmbë dore nga ajo që realisht ishte nga trojet etnike respektivisht nga Pashallëqet Shqiptare nën sundimin osman.
Interesat strategjike në Gadishullin Ilirik, tani kërkonin faktorizimin e shqiptarëve krahas kombeve tjera. Nga raportet e tyre rrodhi historia e jetësimit të shtetit të ri shqiptar pas pesë shekujve, nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ky burrështetasi dhe luftëtar i pamposhtur, mbrojti civilizimin evropian nga gjysmëhëna e verdhë turke më shumë se gjithë kombet tjera në Europë. Nami i tij ishte brumosur si vlerë kombëtare shqiptare në vepra arti, kulture e historie të krijuesve më në zë në kontinent. Nuk janë të rastësishme vërtetësitë shkencore të historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve, arkeologëve austriak e gjerman rreth shqiptarëve dhe lashtësisë së tyre mileniumeve. Në universitet austriake ishin gjithmonë dyert e hapura për shqiptarët ku studiuan qindra student shqiptarë që në kohën e Monarkisë dhe Republikës së Parë të Austrisë, tani të njohur si figura historike kombëtare: Eçrem Çabej, Lasgush Poradeci, Asdreni, Aleks Buda, Hil Mosi, Gjergj Pekmezi, Jani Basho, Uran Butka, Hasan Ceka, Sokrat Dodbibaj, Krist Maloki, etj.
Figura politike austriake që mbështetën kombin shqiptarë në shekullin e Republikës së Austrisë pa dyshim janë: Bruno Kreisky, Alois Mock, Albert Rohan, Ulrike Lunacek. Ndihmat e gjithanshme të Austrisë për shqiptarët janë të shumta dhe shpeshherë përcaktuese në rrugëtimin drejtë lirisë dhe prosperitetit kombëtar. Austria me politikën e saj jashtë blloqeve ushtarake kishte një ndikim të madh në rrjedhjen e rrethanave politike në kuptimin pozitiv të zgjidhjes së konflikteve rajonale. Andaj nuk ishte i rastësishëm zgjedhja nga ky vend i Kurt Waldheim-it Sekretar i OKB-së prej vitit 1972 deri në vitin 1981. Bisedimeve të Vjenës mes kosovarëve dhe serbëve në vitin 2007 në të cilat nuk arrihet marrëveshje, por këto bisedime ishin përcaktuese e kursit drejtë pavarësisë së Kosovës së mbikëqyrur sipas planit të Martti Ahtisaarit. Këtu, pa dyshim, rol të rëndësishëm kishte diplomati austriak Albert Rohan si nënkryetar i Planit Ahtisari.
Aktualisht në Austri jetojnë rreth 80 mijë shqiptarë, shumica mërgatë e re. Janë të integruar mirë në jetën e vendit. Kanë shoqata e biznese të shumta dhe dallohen me sukseset e tyre. Në qendrat Universitare të Austrisë studiojnë student shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare. Vetëm në Vjenë, si qendër studentore e njohur në botë, studiojnë rreth dymijë student shqiptarë, kryesisht në studime të larta. Në Austri mësohet gjuha shqipe si gjuhë amtare krahas gjuhëve tjera, nëse prindërit janë të interesuar. Aktualisht mësojnë vetëm 1600 nxënës, prej tridhjetë mijë sa ka në shkollat austriake. Tani shqiptarët janë të kyçur edhe në organet administrative vendore dhe në jetën politike. Vjena është pjesërisht seli e Kombeve të Bashkuara ku edhe shqiptarët janë të përfaqësuar përmes shtetit amë, Shqipërisë.