• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Speciale – Aty fle, historia e paprekur shqiptare!

March 3, 2015 by dgreca

*Mrekullia e nëntokës shqiptare zbulon qytetërimin e hershëm ilir, dhe mashtrimin serb!/
*Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra të moçëm, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen./
*Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Shkruan: Idriz Morina/
Çfarë do të na dhurojë nëntoka shqiptare? Çfarë sekretesh arkeologjike fsheh, po a jemi të gatshëm të fillojmë ti nxjerrim ne ato? Këto dhe shumë dilema të tjera vazhdojnë të mbesin pa përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, në një prej qendrave që përherë është cilësuar si më e lashta në Kosovë, në Prizrenin e bukur, dikush po përpiqet të bëjë më shumë për ti dhënë përgjigje çështjeve që kemi shtruar më sipër.
Për më shumë se 100 vjet të shtetit shqiptar arkeologjia jonë është në fillime të saja, madje ende nuk e ka ndërtuar identitetin e vet, ajo ende hulumton sipas kornizave të përcaktuara nga arkeologjia progreke dhe proromake, dhe në interes të serbëve.
Në Kosovë ajo është në gjendje edhe më të keqe, ajo ishte ndërtuar në mbrojtje kryesisht të tezave sllave dhe ortodokse.
Por, në një pjesë të Kosovës, tek qyteti i konsideruar babai i atdhesisë, në Prizren, një prift shqiptar i ritit katolik, po përpiqet të bëjë të pamundurën, që të sigurojë fondet e nevojshme, për të dëshmuar vijimësinë e qytetërimit shqiptar, nga ilirët e deri më sot.
Ai ndjen se ka një mision brenda vetes, ta nxjerrë para botës të vërtetën e nëntokës shqiptare, ashtu siç bëri për shumë vite Atë Shtjefën Gjeqovi.
Dr.Don Shan Zefi, i doktoruar në teologji, dhe njohës i shkëlqyer i krishterimit, islamizimit të shqiptarëve dhe laramanisë, shpjegon shtresat e qytetërimit që vazhdojnë të zbulohen në katedralen katolike në Prizren, ku beson se ndodhet një qytet i tërë arkeologjik, sipas informacioneve dhe vlerësimeve të nxjerra nga ai nëpërmjet profesionistëve.

Fshehtësitë iliro-shqiptare nën themelet e katedrales

Dëshmia më e mirë, se populli shqiptar, ka një trashëgimi kulturore, nëpër shekuj – në vazhdimësi nga antikiteti i hershëm, duket të jetë zona ku ndodhet katedralja katolike e Prizrenit.
Ndërkohë, që një jehonë të veçantë në botën kristiane dhe në trashëgiminë tonë kulturore shqiptare e ka zbulimi i kishës paleokristiane e ndërtuar në shekullin 3-4, në Ulpianë, e zbuluar vitin që shkoi, e që dëshmon se shqiptarët kanë një trashëgimi kishtare të jashtëzakonshme, dhe se ajo serbe është vetëm një përvetësim i trashëgimisë shqiptare, dhe po ashtu se ajo serbe është tepër e vonë dhe e pakët.
Por, trashëgimia në Prizren duket krejt me një fat tjetër, por edhe me një vazhdimësi të jashtëzakonshme.
Kisha e zbuluar së fundi është e lidhur me dy kisha të hershme që janë zbuluar gjatë restaurimit të kryer të komplet të katedrales në vitin 2013, që kishte filluar në mars të vitit 2012.
Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Zbulimet na i prezanton me dashuri dhe patos, murgu hijerëndë, Don Shan Zefi, një burrë i përkushtuar po aq sa etërit e dikurshëm të kristianizmit shqiptar, nga Pal Engjëlli, bashkëluftëtar i Skënderbeut, Pjetër Bogdani, dijetari i jashtëzakonshëm evropian, e deri tek patër Gjergj Fishta dhe Atë Shtjefën Gjeqovi.
Një ekspeditë me arkeologë eminent
Me informacionet e arkeologëve, sikur një ciceron profesionist Don Shan Zefi, na i shpjegon një për një të gjitha zbulimet që duket se do të sjellin mrekulli për arkeologjinë dhe më tej trashëgiminë shqiptare.
Gjurmët arkeologjike të kishës së parë, muret, harku i aniatës laterale, muri i së cilës arrin në gjerësinë 2.5 m, ndërsa lartësia ende nuk është verifikuar, pasi nga 4 metra të gjurmuara nën tokë, ende nuk është arritur në dysheme dhe mendohet se po aq duhet të gërmohet që të arrihet në fund, thotë Don Zefi.
Verifikimi i supozimit të thellësisë, mbetet të zbulohet nga një ekspeditë më serioze arkeologjike, gjë që për këtë po bëhen përpjekje që me ekspert arkeologjik të bëhet skenimi nëntokësor, me sonda.
“Gjithashtu vlen të theksohet se jemi në formim të një ekspedite të arkeologëve vendës dhe të huaj, eminent, të lëmive përkatëse, të studimeve të atyre kohërave, ku pritet finalizimi apo përcaktimi zyrtar shkencor – i vjetërsisë së kishës së vjetër paleokristiane”, thotë Don Zefi.
Ndërsa, shëtisim më tej në brendësinë e katedrales, Don Zefi na shpjegon se në të njëjtën ombrellë, “katedrale” ruhet tek altari sakristia, gjithashtu kisha e dytë e një periudhe që mendohet të jetë e mëvonshme, e shekullit 8 apo 9, e njohur në histori si periudha bizantine.
Në muret e zbuluara deri më tani të kësaj kishe të dytë, ruhen gjurmët e afreskave si dhe guri i dyshemesë në nivelin minus dy metra, rrëfen Don Zefi, për ato fakte që kanë zbuluar arkeologët, gjithë shpresë e vullnet se zbulimet do të sjellin dëshmi të fuqishme dhe akoma më tej, do të krijojnë qëndrueshmëri për teoritë shqiptare kristiane dhe ato të trashëgimisë ilire.
Brenda në kishën e dytë shihen edhe eshtrat e paprekura, që gjenden në një thellësi prej gjysmë metre afërsisht, ku janë lënë të shihen aty deri në zbulimet përfundimtare, që do ti bëjnë arkeologët në funksion të vërtetësisë së zbulimeve, për të mos lejuar dyshime, për ti konkretizuar tezat në mënyrë që të mos ketë asnjë argument edhe nga dyshuesit më të mëdhenj.
Aty fle, historia e paprekur shqiptare.
Ndërsa, jashtë katedrales shihen qartë muret e dy kishave në fjalë, pjesë të trupit të të cilave shtrihen edhe në brendësi të katedrales, gjë që pritet të hulumtohen deri në nivelin e dyshemesë, dhe që lidhen edhe me murin rrethues, që kalon suazat e kompleksit hapësinor, oborrit të katedrales.

Artefaktet e gjetura

Don Zefi ka krijuar një muze të vogël në hapësirën përcjellëse të katedrales. Artefaktet e gjetura, me shumë skrupulozitet ruhen në ish rezidencën e arqipeshkvit të famshëm Lazër Mjedës vëllait të poetit të shquar lirik, Ndre Mjeda.
“Nga artefaktet vlen të përmendet një mori e madhe e eshtrave, të gjetura gjatë gërmimeve brenda dhe jashtë Katedrales. Pritet gjithashtu të vlerësohen nga pikëpamja e medicinës legale, ADN-së, kur dihet se historikisht deri në periudhën e sundimit të perandorisë osmane, më 1832, vendi i shenjtë brenda katedrales dhe oborrit të saj, ka qenë varrezë katolike, ku në të njëjtin vend ka patur edhe ekzekutime, të besimtarëve katolikë”, thotë Don Zefi.
Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen dhe të skanohen e të deshifrohen përmbajtjet e tyre.

A kishte katakombe ilire në Prizren?

Brenda shtyllave – mureve të katedrales, tek altari janë gjetur edhe pesë relikte të eshtrave të martirëve të hershme të krishterimit, që datojnë madje nga shekulli i parë, nga viti 62 e këndej, thotë Don Zefi.
Janë gjetur po ashtu në oborrin e Katedrales edhe 5-6 pllaka masive, gurë varresh, nga 1.8 – 2 metra, që dëshmojnë një mënyrë tjetër se si janë varrosur apo nderuar shqiptarët e hershëm.

Renovimi

Aktualisht është punuar edhe në restaurimin e tërësishëm të katedrales, i cili bëhet për herë të parë në historinë e saj. Është bërë nga përforcimi i shtyllave nëntokësore, e deri tek kulmet (që janë tre), kambanorja dhe për herë të parë i kthehet fizionomia e vërtetë një objekti sakral. Me përkushtim, admirim, profesionalizëm, falë njohurive historike, i ka udhëhequr ato z. Don Shan Zefi. Ndërsa, punimet i ka ekzekutuar një firmë e njohur nga Shqipëria, AdStar.
Punimet janë kryer me përkushtimin më të madh, pasi ishte i bindur se katedralja është ndërtuar mbi kishat paleokristiane dhe një kishe të vjetër.
Të gjitha punimet mund të përmbyllen këtë vit nga një ekip i arkeologëve ndërkombëtarë, të cilët pritet ti rregullojnë zbulimet e vjetra me xham, ku do të jenë edhe mbishkrimet për të gjeturat brenda katedrales, si pjesë monumentale.
“Shpresojmë më në fund, që të fillojmë me fazën e dytë të restaurimit, të funksionalizimit, të kishës deri tek restaurimi i pikturave të vlefshme, për të cilat kërkohen mjete të veçanta, gjatë periudhës së njëjtë të formimit të Lidhjes së Prizrenit”, thotë Don Zefi.
Ai thotë se brenda hapësirës së Kishës katolike do të jetë muzeu etnologjik, etnografik, arkivi dhe biblioteka. “Një muze multikompleks”, thotë ai teksa na kujton se po bëhen përpjekje të argumentohet se shqiptarët kishin shkolla më parë se hapja e shkollës shqipe në Korçë. “Po bëhen përpjekje që në shenjë të shkollës më të vjetër gjithë shqiptare, pas gjetjes së një guri me mbishkrim latin të vitit 1856, që është vit i restaurimit të shkollës, sepse dihet që më 1836 ka ekzistuar shkolla nëse jo edhe më parë, siç flasin relacionet me Romën, në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të”, thotë Don Shan Zefi, duke e çuar kështu të paktën edhe 51 vjet më parë datën e krijimit të shkollës shqipe, që historia e shënon si datë vitin 1887.
Të gjitha këto zbulime e bëjnë këtë zonë kompleks më vete arkeologjik, duke argumentuar se këtu gjendet një qytet arkeologjik më vete.
Në kompleksin e katedrales aktuale, mund të zbulohen shumë fshehtësi apo mistere të pazbuluara si katakombet ilire, kriptet.

Pagëzimorja

Para Kërshëndellave të vitit 2014, në Prizren janë gjetur shenjat edhe të një pagëzimoreje babtistere, ku sipas Don Shanit, që e njeh më së miri këtë lëmi (të krishterimit gjithëshqiptarë) ruhet një kishë tjetër me gjasë paleokristiane e shekullit 4 ku në thellësi të saj duhet të ruhen mozaiku dhe shtyllat e saj.
Ajo gjendet disa qindra metra poshtë Katedrales, dhe shumë afër kompleksit të Lidhjes së Prizrenit.
I pyetur se si do të veprohet për zbulimin e mëtutjeshëm të saj, pasi kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është i dominuar me vendbanime, dhe prek shumë çështje të ndërlikuara qoftë ndërtimesh, qoftë besimesh, urbanistike, ekonomike, biznesi etj, ai thotë se vendimi i takon autoriteteve dhe shoqërisë.
“Sa i përket gjurmimeve arkeologjike kompetente është ministria e kulturës, Instituti arkeologjik i Kosovës, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, dhe ai i Prizrenit”, thotë ai.
Si mund të arrihet tek gjurmimi, nxjerrja e dëshmive? Për këtë ai thotë se duke pasur përvojën arkeologjike me katedralen, janë në formim të një grupi ekspertësh dhe arkeologësh, “sugjeroj, që mund ti kryejë punimet, ndërsa kontributi im, nuk do të mungojë as për këtë vend, nëse është nevoja”.
Ai shton se ka edhe zona të tjera arkeologjike në Prizren, që duhet të zbulohen si edhe në gjithë Kosovën.
Duke folur për pagëzimoren, ai thotë se mendohet të jetë aty kisha paleokristiane, ku ritet liturgjike dhe mesha e shenjtë janë kremtuar deri më 1455, ndërsa një shekull më vonë, diku rreth vitit 1572 kanë filluar mbi themelet e saj, të ndërtohet një xhami e vogël, minareja e së cilës ruhet edhe sot, ashtu siç ishte paraparë edhe në planin urbanistik të viteve të ’60-ta të qytetit të Prizrenit.
“Është interesant se si këtu gërshetohen ndërtime të ndryshme mbi këtë vend të shenjtë, si monumenti më i madh i ideologjisë komuniste, ndërtesa, hoteli, banka ashtu që të mbulohet njëherë e përgjithmonë e kaluara e krishtere shqiptare, katolike”, thotë Don Shan Zefi, duke iu referuar përpjekjeve serbe për falsifikimin e historisë.

*Falenderojme autirin qe e dergoi artikullin edhe per lexuesit e Diellit. Faleminderit z. Morina!

Filed Under: Histori Tagged With: e paprekur shqiptare!, historia, Idriz Morina, Speciale - Aty fle

Kur nderohen heronjte,respektohet historia

September 12, 2013 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/ New York/

Kur nderohen heronjte respektohet historia.Kjo me vjen ne mendje sot ,kur eshtrat e trazuara prej plumbash te martirit te demokracise prehen ne Varre Deshmoresh. Akt dekorativ ky , qe shteti i detyrohet martireve te vet. Ne dite si kjo, qytetaret kujtohen se cdo veper ka nje shperblim ,por edhe kosto.Mos ndoshta kjo i ben me indiferent?! Subjektet politike trumpetojte se demokracite jane prurje e tyre, ndersa harrojne t’ju bien gabimeve ne shenje. Askush nuk eshte i pagabueshem ne nje realitet ku jo te gjithe jane te mencur, te ndershem. Azemi me kujton sot ”Azemet”, ato te pavrare, te neperkembur, te braktisur, te larguar, te zhgenjyer, viktima teksa sistemet nderrohen. Ne i nderojme viktimat, ju ndezim qiri atyre, ju thurim vargje e kenge ,i bejme protagoniste duke i bere te tjeret te perloten me fatkeqesine, i himnizojme. Eshte kjo menyra se si sillemi me heronjte, ndaj vargu i tyre shtohet e shtohet,por jo reflektimi yne mbi ta. Dikur (nentor 1998) i kushtova vargje Azemit, isha studente e atij Dhjetori dhe pakkush prej nesh i kujton me indiference ato momente ,permeteper sot kur kuptojme se Demokracia ishte domosdoshmeri dhe rrjedhoje e zhvillimeve rajonale te kohes. Ne vargun e gjate kushtuar atij, vetem dy detaje te rendesishme dua te sjell ne vemendje sot : 1. Salla dibrane e tejmbushur me demokrate qe fatkeqesia dhe dhimbja i beri BASHKE te ndiznin qirinj teksa vargjet recitoheshin aq bukur nga Irini Shehu dhe Sonjela Delishi Cani… 2. Vargu ”Sepse ne kemi kaq shume per te thene … sepse fjala e lire ,ndonese pikon gjak…” me jehon ende i gjalle,i ri, kumbues. Kur Azemi i printe pluralizmit ,,,dhjetra te tjere enderronin duke e nxitur dhe perkrahur , skeptiket i trembeshin, i iknin,,, e natyrshme kjo, pare nga sot ku politika leviz dhe bashke me te, kendveshtrimet per ngjarje e njerez qe koha i perjeteson si heronj. Per kontributoret e vertete ka gjithmone nje fron qe memorja historike e gdhend. Nderimi per ta eshte individual dhe jo kolektiv, ndersa njohja dhe pranimi i te vertetes eshte Detyrim. Kjo eshte historia jone, e tille do te jete persa kohe pluralizmin qe na e dhunoi diktatura e kemi patur thelle ne gen aq sa shperthimet e tij prej shtypjes se gjate ende dhembin, vrasin. Azemet e Demokracise ,shtatoret e pergjakur,zerat e paster per te gdhendur drejtesine,liria si rregull dhe jo si utopi,,,sot copeza te nje mozaiku qe diku ,tej , ne sfond ka tragjedine . Cfare i mungonte, mungon atij sfondi: Respekti Durimi Guximi Rasti i Azemit eshte ”kura ”me e mire e nje realiteti qe lengon, ku alternativat jane te shumta,por ne dem te njeri-tjetrit, ku shperndarja e pasurive natyrore dhe e mjedisit kercenon, ku luftrat dhe varferia rrezikojne ,ku subjektet politike ”gatuajne nga e njejta tenxhere” prej te ciles perfiton oreksmadhi,ku konflikti jo gjithmone eshte zgjidhja e problemeve,ku te drejtat dhe pergjegjesite jane ne nje grumbull te ngaterruar me/pa qellim… ”Azemet therrasin” se DEMOKRACIA eshte bashkejetesa ku permes rregullave bota mund te behet nje vend me i mire dhe misioni i saj eshte shmangia e tiranise! Azemet therrasin se e nesermja duhet jetuar sepse ”Endrra jote -qiri i ndezur” s’do te shuhet kurre me” . Keshtu iu drejtuan dibranet 40 dite pas vrasjes e ne vazhdimesi , heroit te demokracise : me qirinj te ndezur ne duar dhe me lutje ne shpirt!

  • 12 Shtator 2013, New York

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Azem hajdari, historia, kur nderohen heronjet, Marjana Zeneli Bulku

HISTORIA PELLAZGO-ILIRE DUHET PARË ME SY PROMOVIMI, JO PËRFITIMI

July 19, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ /

Në qytetin e Helenit kishte qetësi edhe pse fluksi i turistëve është më i madh gjatë verës. Si edhe mesdita e lodhur e 5 korrikut 2013 nga vapa. Përshëndeta një grup norvegjezësh që ndiqnin me vëmëndje një cicerone që u shpjegonte detajet e ndërtimit të Amfiteatrit të Butrintit përpara skenës që ishte shndërruar në pellg të me ujë të qelbët. Si nuk jut ha dora dikujt të vinte një pompë fill pas ditës me shi apo të bënin një drenazh?

U ndjeva keq që shihja këta të huaj që çuditeshin për këtë moskujdesje të autoriteteve shqiptare që e kanë nën mbikqyrje, sepse ne mburremi që e kemi Park Kombëtar me histori të lashtë pellazge sa edhe ardhja e mërgimtarëve me Helenin në krye, në periudhën dhjetëvjeçare të Luftës së Trojës.

Tek Amfiteatri, sheshi ose skena ishte mbushur me ujë të llumur nga erërat që hidhnin rërë më shumë nga ambjenti rreth e rreth. Aty më tej ishin hedhur pa sistemim një pirg dërrasash për të ngritur dysheme për një veprimtari që do fillonte këto ditë.

Edhe më tej, në themele dhomash kuadratike kishte ujë të pistë. Parë me syrin e një të huaji këto pamje linin mbresa jo të mira. Parë me syrin e një historiani të Antikitetit alarmi është ende në veprim. A dëgjon kush? Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Monumenteve, Albanologët, Presidenti, Qeveria, Bashkia e Sarandës a Ksamilit a kushdo që mund të kujtohet se Butrinti është vlerë kombëtare sa edhe botërore!

Ujë të pijshëm nuk kishte përveçse në një frigorifer brenda Parkut. Por nuk kishte ujë për tu freskuar në vendpushime që u ishin grisur rrjetat e maskimit që përdoreshin për hije mbi çati. Koshat e plehrave ishin prej druri, por të vjetër, e të dobët. Edhe shenjat e rrugëve në qytetin e Helenit nuk ishin të qarta, me shkëlqim, po me ca shigjeta të vogla në dërrasa druri. Dhomat e tualetit nuk funksiononin, sepse nuk kishte ujë edhe pse Liqeni i Butrintit akoma nuk ishte tharë.

Pyeta rojen e hyrjes dhe u ndjeva më keq kur më tha se e paguanin 150 dollarë në muaj edhe këto kish dy muaj pa i marrë! U bëftë më mirë,- i thashë! Si mund të ruash me qytetari një pasuri kombëtare dhe botërore kur nuk paguhesh në kohë?

Hajde zullum, hajde! Shteti, institucionet, tenderat për firma e sigurimiit të objektit etj…Turp! Dhe duket sheshit.

Ne shqiptarët kemi histori po i trëmbim të huajt me mënyrën se si kujdesemi për vendet me histori siç është edhe qyteti i Helenit! Heleni dhe Çezari bënë me shumë për këtë qytet-kështjellë aq sa gjurmët janë aty të përjetshme. Ky qytet është Troja e Parë e Shqipërisë! Është toka e atdhedashurisë. Këtu filloi mbretërimi i Ri i shënjtëruar me ritet e Dodonës që ishte kryeqendra fetare e vendasve në tokën e Mollosëve që e kishte zili edhe Athina!

Vërtet duhen para për ta mirëmbajtur Parkun Kombëtar të Butrintit, por edhe njerëzit që janë në administrim të tij duhet të kuptojnë se të kujdesesh për qytetin e Helenit është më shumë promovim i historisë pellazgo-ilire se sa biznes për ruajtje dhe mirëmbajtje. Duket se shqiptarët shohin paranë ose fitimin edhe para vlerave historike të antikitetit.

Po askush nuk e vret mendjen të sjellë më shumë veprimtari në Butrint. Të sjellë shëtitje me skaf në Liqenin e Butrintit. Po edhe një çift i ri mund të vijë e të bëjë një video a foto ditën e dasmës, ashtu sikundër pozonin Heleni dhe Andromaka. Pra, ka mundësi po duhen gjetur njerëzit që e kanë pasion historinë e antikitetit tonë.Të shfaqen filma të rinj tek Amfiteatri. Të sjellë ekspozita edhe nga jashtë! Të ketë një kafene brenda parkut. Të ketë gjithçka të mirë që të gjenerojë dhe kontribute financiare për ta mirëmbajtur e zbuluar më shumë se çfarë fsheh akoma ky qytet?

Akoma më shumë të ketë promovime edhe në botën akademike perëndimore apo edhe në auditorët e universiteteve më me zë për të promovuar këtë thesar të histories dhe kulturës sonë kombëtare.

Kujt nga shqiptarëve i ka rënë rasti të vejë në Bermuda mbetet pa mend! Vërtet! Dhe mendo Bermuda nuk i afrohet kurrë Butrintit për nga historia! Atje në atë territor ishujsh ka një kulturë perëndimore që të ngjit ta vizitosh edhe kalanë që nuk ka bërë luftë. Ka një Muze Kombëtar që është dinjitoz për nga paraqitja, por jo me aq pasuri muzeale sa ka Butrinti! Ka një terren të pastër e të mirëmbajtur, sepse në Bermuda ankorohen vetëm me dy anije të mëdha me mbi 7 mijë turistë për çdo javë. Plus mijërat që vijnë me pushime.

Duhet vërtet edhe njëfarë asistence teknike nëse u mungon shqiptarëve se si duhet të administrojnë vlera të tilla. Të shkëmbejnë edhe experience me botën, pse jo?

Të rritësh interesin për ta vizituar Butrintin duhet të mendosh se ke të bësh me një vlerë që do të rishfaqet përditë. Sepse është edhe vlerë botërore dhe për më shumë tregime të vërteta të historisë dhe kulturës që ne bartim sot në Shqipëri apo edhe krijojmë në vazhdimësi duke parë edhe aspektin e historisë së rrënjëve tona pellazge. Por, duke u treguar të zhvatur dhe indiferentë edhe bota akademike apo turistët e thjeshtë do të na lënë mënjanë.

Unë do të shkoj prapë në Butrint. Se jam shqiptar. Por ndihem keq, kur bota vende-vende, nuk ka më shumë thesare se ne për nga historia, por di si ti ruajë e mirëmbajë dhe tregojë me kulturë edhe atë pak histori që ka.

Një Park Kombëtar si Butrinti, i mirëmbajtur do të sjellë patjetër edhe një qytetërim më të mirë të zonës duke e pasuruar me shërbime cilësore. Pra, edhe jeta e banorëve do të jetë më e begatë. Po kujt t’ja rithuash këtë?

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: historia, pellazgo-ilire

SHQIPERIA ETNIKE- MONOGRAFI E PROF. AHMET GASHIT

November 17, 2012 by dgreca

“Shqipëria –etnike edhe verejtjet e shqiptarëve për Shqipërinë e robnueme”[1]/

Tiranë 1941/(Marrë nga Arkivi i Shtetit Tiranë)/

 Shqipëria etnike, shprehja më lakonike dhe më e bukur e idealit më të lartë të çdo shqiptari të denjë për këte emër fisnik, është Shqipëria e vërtetë me kufijtë  e saj të drejtë, e cila përmbledh në gjirin e saj të gjithë shqiptarët.

Brenda këtyre kufijve nuk duhet të gjënden të tjerë kufij. Anë e kënd kësaj toke çdo shqiptar duhet të jetojë i lirë e krenar.Shqipëria etnike shtrihet mbi një sipërfaqe prej 74 000 km2  e cila përmbledh shumicën e vendeve tona arbërore të kërkuara nga të parët tanë, të besatuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, prej Kongresit të Berlinit që të njiheshin që atëhere si pjesë e pandashme e Shqipërisë së vërtetë.

Që atëhere kanë kaluar mbi 65 vjet. Pas 65 vjetësh ne themi se Shqipëria e vërtetë përmbledh shumicën e jo të gjithë vendeve arbërore të rivendikuara nga Lidhja e Prizrenit, e cila atëhere emërohesh më se 90 000 km2  dmth një Shqipëri të pavarur që përmblidhte të katër vilajetet e Shkodrës, Shkupit, Janinës e Manastirit. E pra, Shqipëria e vërtetë është vetëm afër 74 000 km2  pothuaj tri herë më e madhe se ajo që u caktua në Londër më 1913 (17 000 km2 ) por gjithmonë më e vogël se ajo e vitit 1878.

Mjaftojnë vetëm këto fakte e këto shifra që të përgënjeshtrojnë thëniet e ndonjë të gabuari e t’i tregojnë atij se shqiptari nuk ka qnë jo kurrë imperialist, sepse s’e ka në shpirt këte ndjenjë dhe s’ka pasë se si e të jetë ashtu. Këte e tregon hapur çdo periudhë e historisë sonë kombëtare.Mjafton ky fakt që të provojë të kundërtën: stërgjyshërit tanë ilirë, maqedonë dhe epirotë, shtriheshin pothuaj në të gjithë Gadishullin e Ballkanit e deri te Alpet e Evropës Qendrore, kurse sot gjëndemi të rrudhur në këte skutë të Ballkanit.

Brenda këtyre viteve shumë vende u zhveshën nga banorët e tyre shqiptarë si psh krahina e madhe e Nishit, një pjesë e vilajetit të Manastirit dhe një pjesë e madhe e vilajetit të Janinës.

 

 

KUFIJTË E SHQIPËRISË ETNIKE.

 

Kufiri perëndimor

Në këte anë Shqipëria Etnike laget me detin Jon dhe atë Adriatik, që nga Preveza (38o  57 ‘ gjerësi veriore) deri të Sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) mbi gjiun e Spizzes (42°  8’ gjerësi veriore). Gjatësia e brigjeve në këte anë është 651 km.

 

  1. Kufiri veri-perëndimor

Ky kufi fillon te Sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) në bregun e Adriatikut dhe mbaron te maja e Jankovit (43o 20’ gjerësi veriore dhe 37o  56’ gjatësi lindore prej Ferro-s).[2]

Vija e këtij kufiri fillon, siç u tha, te sqepi i Luftës së Zezë dhe kalon nëpër majat e qafat e shënuara me numrat 157, 927, 646, 1183, 844, 1160 e 993, mbërrin te sqepi i Radushit, në bregun e liqenit të Shkodrës me një drejtim deri-diku J.P- V.L. Kjo vijë, nëpër liqenin e Shkodrës, drejtohet nga veriperëndimi prej sqepit të Radushit deri te goja e lumit të Moraçës, e len Vraninë brenda në Shqipëri. Prej gojës së atij lumi kjo vijë ndjek deri te katundi i Zhabiakut vijën e po atij lumi e pastaj i ngjitet kreshtës së maleve të Bobinjës (Bobonja Gore), shkon me këte, zbret nëpër qafat e atyre maleve dhe e këput rrugën Podgoricë-Cetinjë në kuotën 222; prej këtej shkon nëpër kuotat 439 e 375 (afër Buronjës) dhe, si bën një bërryl të mprehtë në majën 620 (mali i Busonikut), kthen  nga veri-perëndimi deri në katundin e Komonit, të cilin e merr brenda në Shqipëri. Prej këtu vija ngjitet nga veriu, i len jashtë katundet e Bandiçit, Melencit e Donjit, kthen nga veri-lindja duke marrë brenda katundet e Jestrebit e të Donje-Selës, mbërrin te maja 212 në perëndim të katundit të Gliziçe-s dhe shkon deri te kuota 905 në veri të katundit të Gostiljes. Prej këtej varet drejt jug-lindjes duke ndjekur kreshtat e malit të Piprit (Piperska), mbaron te maja 479 në veri të katundit të Shtijena-s, kthen pastaj kah lindja dhe , pranë katundeve të Petroviçit e të Blizna-s, të cilët i fut brenda kufirit, takon me lumin e Moraçës, të cilin e ndjek nga veriu deri në majën e Buljes (190) në jug të katundit të Dumaçina-s. Prej këtej vija e kufirit ndjek përroin e Sjevernica-s, kalon malet e Gradishtës deri në Ostrovicë (1167) dhe e këput më tutje lumin e Tara-s pranë kuotës 1025 për t’u zgjatur nga veri-lindja ndërmjet maleve të Bukovës e të Reçinës; pastaj shkon duke u ngjitur kreshtave të malit të Planinicës deri në Piolljan (1900), 10 km në lindje të Kolashinit, ngjitet kah veriu duke kaluar nëpër kuotat 1145, 1106 e Bjolavicë (2117) dhe mbërrin në Kryezi (Crna Glava). Prej këtej e deri te maja e Marinkova-s (1950), vija e kufirit ndjek një pjesë të kufirit të vjetër turko-malazez para 1912-s. Në Marinkovë dredhon pak nga veri-lindja, kalon nga lindja e katundeve të Rakitnica-s e të Noviçit, hyp në kuotën 581, bën një bëryl të mprehtë, shkon drejt veriut duke marrë katundet e Tripishica-s e të Nikolacit përbrenda e duke lënë përjashta qytetin e Bjelopoljes (Akova), ndjek gjithnjë lumin e Limit deri te katundi i Metanacit, të cilin e len jashtë dhe pastaj merr nga veri-lindja nëpër kreshtat e maleve të Gmiçevës, Duboçicës, Visoçkës e Treshnjevicës e mbërin në kuotën 950, mu te karakolli i Trebinjës në veri –perëndim të pllajës së Peshterit. Prej këtej vija merr nga lindja gjithnjë përmbi kreshtën e maleve të Trebinjës, deri te përroi i Jablanicës, kalon përmbi katundin e Rezhdeginjës (Rezh Jagiç), të cilin e fut brenda, drejtohet nga veri-lindja, duke ndjekë përroin e Kijevca-s dhe atë të Klisarës, që bashkohet me të parin, kalon përmbi Kakosniçin, mbërrin në katundin e Bërnjicës dhe pjek në kullën e Osman Pashës, me kufirin e vjetër turko-serb para 1912-s, të cilin e ndjek te maja e Jankovit (1931). Këtu mbaron kufiri veri-perëndimor i Shqipërisë Etnike.

Gjatësia e vijës së kufirit veri-perëndimor është 170 km në vijë ajrore dhe afër 220 km duke shkuar sipas vijave të shtrëmbëra të kufirit. Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare të humbura më 1878 , të Ulqinit , Tivarit, Podgoricës (Zetës), Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Piprit, Plavës, Gucisë, Beranës, Bistricës, Pejës, Rugovës, Rozhajës, Peshterit e Pomerenikut.

 

  1. Kufiri veri-lindor

Kjo pjesë e kufirit të Shqipërisë Etnike shtrihet prej majës së Jankovit deri në Gradnja (42o 42’ gjerësi veriore dhe 39o 32’ gjatësi lindore prej Ferro-s).

Në rast se nuk do të kërkohen tokat shqiptare të krahinave të Kurshumlisë, Prokupjes e të Leskovcit, të ish vilajetit të Nishit, që na i kanë marrë serbët më 1878, vija e kufirit ndjek rreth 230 km deri në Trstene (952) vijën e kufirit të vjetër turko-serb para Luftës Ballkanike të 1912-s. Kjo gjatësi e kufirit turko-serb nuk po shpjegohet këtu, pasi dihet prej të gjithëve. Kjo vijë përmbledh kufirin me Serbinë të prefekturave të Jenipazarit (Novipazarit) e të Prishtinës, ose të Dukagjinit (shih fjalorin e Bardhit shkruar më 1650) sipas ndarjes administrative të perandorisë otomane. Trstene, vendi ku ndahet vija e kufirit të Shqipërisë Etnike prej kufirit të vjetër turko-serb, ndodhet 46 km në lindje të Prishtinës në vijë ajrore ose 36 km në veri-lindjen të Gilanit. Tash vija e kufirit qysh prej Trstenës e deri në Gradnja (afër 10 km e gjatë) ndjek së pari drejtimin e lindjes deri te katundet e Vlasës e të Gradnjas, ku edhe mbaron. Kjo vijë e kufirit veri-lindor përmbledh tërë krahinën e ish -prefekturave të Jenipazarit e të Prishtinës të humbura më 1912 dhe një pjesë të kazasë së Vranjës të humbura më 1878, me qytetet e Jenipazarit e të Mitrovicës, Vuçiternës, Prishtinës, Podujevës, Ferizoviçit, Gilanit  etj.

Në rast se do kërkohen tokat shqiptare, të humbura më 1878, të krahinave të Kurshumlisë, të Prokupjes e të Leskovcit (sikundër po kërkohen krahinat e Tivarit, Ulqinit, Podgoricës, Vranjës   etj), atëhere kufiri veri-lindor ndërron trajtë. Kjo vijë kufiri për të tri krahinat e përmendura në tokë thjesht shqiptare deri më 1878, e shënuar në hartat e paraqitura me vija të këputura, ndahet prej vijës së kufirit veri-lindor në majën e Tumba-s (1471), në veri të katundit të Beloçica-s së Kopanikut, ndjek së pari përroin e Lukovska-s deri në Mercez, pastaj kalon nëpër Magovë e mbërrin deri në majën 1003. Prej këtej fillon ta ndajë lagjen e lumit Toplica prej lumenjve të tjerë të Serbisë, kalon nëpër kuotat 1225, 1124, 900, 712, 780, 888, nga karakolli i Turqisë (Karakol Turska) kuoatat 1191 e 1205, ndjek kreshtën e maleve të Sestrebacit të Madh nëpër kuotat 1400, 1566, 1564, 1255, 1111, 872 edhe kreshtën [3]e Jastrebacit të Vogël në kuoatat 727 e 1001, varet nga juglindja nëpër kuotën 846, pastaj ndjek përroin e Marosinskevëve dhe në këte drejtim shtyhet deri në Moravë edhe pjek në këte lumë pranë Batushnicës. Prej këtu, vija e kufirit ecën gjatë Moravës afër 70 km deri në Manalje (42o  45’ gjerësi veriore). Prej këtej shkon nga lindja e katundeve të Kërzinkës, Zitoragjës, Alakincit, Surdulica-s, Romanovcës së Poshtëme, edhe në kuotën 1389 kalon malin e Verdenikut; pastaj kthen nga jugperëndimi nëpër Vërlostranje (1357), Borovik (1253), (1280), Prisedo (950), Klisurica (1162), 998, 810, Dajkina (820) dhe mbaron në Tibuzhde. Gjatësia e kësaj vije të kufirit është afër 216 km.[4]

Kjo vijë e kufirit përmbledh qytetet e Kurshumlisë, Prokupjes (Yrqyp), Leskovcit e të Vranjës, bashkë me katundet e kazave të tyre.

 

  1. Kufiri lindor

 

Kufiri lindor i Shqipërisë Etnike fillon nga Gradnja (42o 42’ gjerësi veriore dhe 39o 32’ gjatësi lindore prej Ferro-s) edhe mbaron në këndin ku bashkohet lumi i Venetiko-s me lumin e Vistricës (39o  11’ gjatësi lindore prej Ferro-s dhe 40o 3’ gjerësi veriore), me gjatësi afër 342 km. Kjo vijë e kufirit lindor fillon, siç e thamë, në Gradnje e shkon pranë katundeve të Ushevcës e të Sikirijes, të cilët i merr përbrenda, edhe nëpër majat 961, 1320 e 1226, pastaj vjen nga katundet e Obliçka- Sena-s, të Mostanicës e të Asaticës, që i merr në Shqipëri, kalon udhën e hekurt Beograd-Shkup, shkon nga lindja e banjave të Vranjas (Vranjska Banja) e të Digatuka-s, kthen nga jugperëndimi e shkon në kuotat 810 e 826 deri në Tribuzhdo, të cilën e len në Shqipëri. Prej këtu kalon nga veriu i Trebashinjës e shkon në Drovac, varet nga jugu nëpër majat 595, 1515, 520, 903 (në Jablanicë) dhe ndjek mandej lumin e Pçinjës deri në vendin ku bashkohet me këto përroi i Kratovës. Pas kësaj pike, kufiri shkon nga juglindja deri në majën 750 e prej këtej dredhon nga jugperëndimi deri në Badere (Bahader), ku piqet prapë me lumin e Pçinjës, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet ky me Vardarin ( nga e djathta) e shkon nëpër kodrinat e Hazotit ose Hasit, duke lënë Veleshin (Qypryly) përjashta, ecën ndo 4 km me përroin e Topolskës e pastaj zbret prap në Vardar, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet me këte përroi i  Babunës. Që këtu vija e kufirit tonë drejtohet kah jugu deri te maja e Klepa-s (1180), prej këtej kthen nga lindja në jug të Pustogradit dhe pjek me Ujin e Zi (Crne Voda-Karasu), të cilin e ndjek gjithnjë (afër 86 km) deri ku bashkohet me këte përroi i vogël i Stroshnicës.

Prej këtej vija bën një bërryl duke ndjekur kreshtën e malit të Sterkos, varet nga jugu, shkon kah lindja e Stera Popadija-s, kalon kuotën 1000, mbërrin në Poteli dhe ndjek deri në Sotir udhën e hekurt që lidh Selanikun me Manastirin, duke lënë në Shqipëri këto pjesë të udhës së hekurt si dhe Panteliun dhe Sotirin. Pas këtij vendi, shkon me përroin e Rudnikut, mbërrin me kalue përmes liqenit me këte emër (Rudnik), hyp pastaj nëpër majat 768, 1371, 1838, 1250, shkon kah lindja e Leshnicës dhe pjek me lumin e Bistricës në veri të Melzonicës. Me Bistricën ecën ndo 40 km deri në vendin ku bashkohet kjo me degën e vet të Venetiko-s.

Kjo vijë e kufirit lindor të Shqipërisë Etnike përmbledh krahinat lindore shqiptare të humbura pas Luftës Ballkanike më 1912. Këto krahina kanë këto qytete bashkë me kazatë e tyre: Gjakovën, Prizrenin, Kaçanikun, Vranjën (humbur më 1878), Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Dibrën, Kërçovën, Strugën, Ohrin, Krushevën, Prilepin, Resnën, Manastirin, Follorinën, Kosturin, Naseliçen dhe Grebenenë.

 

  1. Kufiri jug-lindor

 

Vija e kufirit juglindor nis që prej vendit ku bashkohet lumi i Bistricës me këmbën e vet të Venetiko-s dhe mbaron te goja e lumit të Artës (38o  42’ gjatësi lindore , 39o  1’ gjerësi veriore) me një gjatësi pothuajse 180 km. Kjo vijë e kufirit prej vendit që u përmend shkon me lumin e Venetiko-s deri në majën 549, pastaj duke shkuar drejt jugut sipas rrjedhës së një përroi që është degë e Venetiko-s, kalon kah lindja e Kipurjos e shkon gjithnjë kah jugu sipas atij përroi deri në Foinike (1288), ku pjek me kufirin e vjetër turko-grek para 1912, të cilin e ndjek deri te goja e lumit të Artës.

Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare juglindore të humbura më 1912. Këto krahina kanë për qendra qytetet e Konicës, Janinës e Meçovës.

 

  1. Kufiri jugor

 

Kjo pjesë e kufirit të Shqipërisë Etnike përbëhet prej brigjeve detare të Gjiut të Artës. Këto brigje të përthyeme tepër kanë një gjatësi pothuajse 93 km, që nga goja e lumit të Artës e deri te qyteti i Prevezës.

Kjo vijë përfshin krahinën e Pogonit e Voshtinës, si edhe krahinat e Sulit e të Çamërisë me qytetet e Filatit, Ajdonatit, Margëllëçit, Pargës, Lurosit, Filipiadhës dhe Prevezës.

 

Vendi gjeografik i Shqipërisë Etnike

 

Brenda kufijve që u përmendën përmblidhen tokat e Shqipërisë Etnike, të cilat shtrihen në anën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, mbi brigjet lindore të Detit Jon dhe Detit Adriatik, prej jugu në veri, ndërmjet shkallëve të gjerësisë veriore 38o  57’ (Prevezë) dhe 43o  20’ (Maja e jankovit në V.P. të Novipazarit) dhe prej perëndimit në lindje ndërmjet shkallëve të gjatësisë lindore prej Ferro-s 36o 40’ (Sqepi i Luftës së Zezë= Crnirat) mbi Spizzz-n dhe 39o  38’ (Kumarevo në lindje të Vranjës).

Për këte çeshtje flet edhe dijetari Georg von Hahn në veprën e tij “Albanesische Studien” Jena 1854). Në faqen e parë të kësaj vepre ai thotë: “Shqipëria shtrihet ndërmjet shkallëve të gjerësisë veriore 39o  43oqë dmth prej Prevezës deri në Novipazar”.

Në rast se do bëhet rivendikimi i plotë i vendeve të humbura në veri-lindje, më 1878, atëhere shënji verior shënon shkallën e gjerësisë 43o 24’ (në Krivirt 1205 afër Karakoll Turska-s) dhe shënji lindor shënon 39o 52’ në Romanovcin e Sipërm në lindje të Mesuricës. Të gjitha krahinat që përmblidhen me qytetet e Kurshumlisë, Prokupjes dhe Leskovcit, dmth e tërë lagjia e lumit të Toplicës, deri afër mbarimit të shek. XIX, kanë qenë të banuara me popullsi shqiptare. Këte e vërtetojnë të gjithë shkrimtarët e dijetarët e paanshëm që i kanë shetitur këto anë. Vërtetimin më të mirë të kësaj që thamë e bën konsulli i përgjithshëm i ish monarkisë Austro-hungareze, Lipich-i. Shkrimet e tij janë raportuar prej Karl Sox-it në studimin që ky bën në “Erleuterunq zu der ethnographische Karte der Evropaische Turkci” botuar në Mitteilungen der K.U.K.Geogr. Gesellscheft in Wien. Bd.XXI 1878 faqe 177-183.

Këto vende me të vërtetë nuk kanë sot një popullsi shqiptare ( përveç një pakice të vogël), sepse barbarizmi, shovinizmi i qeverive serbe i ka shfarosë sistematikisht dhe metodikisht, sikurse dihet edhe sotai është duke i zbatuar po ato masa për zhdukjen e racës shqiptare në viset e Kosovës e të Shqipërisë Lindore.

Gjënden edhe sot shumë pleq e plaka nga ato vise të humbura më 1878 që rrojnë si refugjatë në vise të ndryshme të Kosovës e që i mbajnë mënd vuajtjet që kanë hequr prej serbëve, vuajtje që ata ua kallëzojnë me mallëngjim nipërve e stërnipërve të vet.

 

Justifikimi i kufijve të Shqipërisë Etnike

 

Caqet e shënuara për vendin gjeografik të Shqipërisë Etnike dhe kufijtë e shënuar sipas përshkrimeve të bëra më lart, kallzojnë me përpikmëri fytyrën që ka pasur Shqipëria e vërtetë në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, dmth më 1878, kur të parët tanë të lidhur e të besatuar me besë shqiptare përballuan rrezikun që i kërcënohej atdheut arbëror për copëtim duke formuar Lidhjen e Prizrenit.

Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, ndonse ka qenë e madhe, nuk ka mundur me e shpëtue atdheun nga cungimi i trojeve pjesërisht, sepse ndeshi në kundërshtimin e fqinjëve lakmitarë por edhe të fuqive të mëdha të atëhershme me qytetrime fallso të pluto dhe pseudo-demokracive imperialiste, të cilat i përkrahën e i ndihmuan me të gjitha mënyrat, sikundër dihet tashmë, armiqtë tanë duke u falur atyre tokat thjesht shqiptare.

Vendet shiptare të shkëputura nga Shqipëria e Veriut iu dhuruan në Kongresin e Berlinit të 1878 dy fqinjëve tanë sllavë, Malit të Zi dhe Serbisë, sepse këto u përkrahën me këmbëngulje në atë kongres prej Rusisë së carëve që donte rritjen e fuqisë sllavë në Ballkan. Në këte mënyrë Mali i Zi na pat marrë në atë kohë këto vende: Tivarin, Ulqinin dhe Podgoricën bashkë me katundet e tyre; edhe Serbia na pat marrë gjithashtu kazatë e Nishit e Kurshumlisë, të Prokupjes, Leskovcit e Vranjës, ku ka pasur popullsi thjesht shqiptare. Një pjesë e kësaj popullsie u shfaros barabarisht prej pushtuesve ndërsa një pjesë tjetër e sulmuar dhe e shtypur u shtrëngua të shpërngulet prej atyre viseve duke i lënë atje votrat, trojet dhe vorret e stërgjyshërve. Këta sot ndodhen të shpërndarë në ish vilajetin e Shkodrës dhe në atë të Kosovës, madje edhe në Turqi.

Pas 34 vjetësh Shqipërisë i ra edhe një herë një copëtim i dytë dhe më i rreptë se i pari. Ky copëtim u bë në Luftën e Parë Ballkanike më 1912. Këte herë të tri fqinjët tanë, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, të përkrahur si përherë prej Rusisë Cariste, Anglisë dhe Francës, me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës më 1913, morën prap sa deshën toka shqiptare.

Mali i Zi këte herë mori tërë prefekturën e Pejës me Gjakovën, Plavën, Gucinë, Rugovën, Rozhajën dhe Beronën. Serbia mori pothuajse të dy ish vilajetet shqiptare të Kosovës dhe Manastirit me këto prefektura: Prizrenin, Prishtinën, Jenipazarin dhe Shkupin (nga ish vilajeti i Kosovës) edhe Dibrën e Manastirin  (nga ish vilajeti i Manastirit). Greqia mori edhe ajo një pjesë të prefekturës së Korçës dhe të Serfixhesë (nga ish vilajeti i Manastirit), një pjesë të prefekturës së Gjirokastrës dhe gjithë ish prefekturën e Janinës me Çamërinë. Qytetet e këtyre prefekturave janë përmendur më parë.

Përpjekjet e malazezve, serbëve (më vonë edhe të jugosllavëve), dhe të grekëve për të zhdukur gjurmët shqiptare në këto treva, kanë qenë fort të mëdhaja e të rrepta. Ata duke mos pasur asnjë ndrojë nga bota e atëhershme me qytetërim falls që e bënte veshin të shurdhët ndaj ankimeve dhe rënkimeve të shqiptarëve, janë munduar me çdo mënyrë që t’ia mbërrinin këtij qëllimi, kanë zbatuar çdo masë barbare për shfarosjen e elementit shqiptar në ato vise të pushtuara nga ata. Është e mundëshme dhe e natyrshme që në disa vende, gjithë ato masa të panjerëzishme të kenë bërë mjaft punë në dëm të elementit shqiptar. Elementi shqiptar u shtyp dhe u ndrysh fort në të gjithë Shqipërinë e robëruar, nuk u përfill asnjëherë si një element njerëzor, iu mohua çdo e drejtë gjallërie, duke mos u përfillë jo vetëm si shqiptar por edhe si njeri, u grabit, u gjobit me qëllime armiqësore, u zhvesh dhe u shua. Në shumë vende ai u shtrëngue e u dhunue që ta ndërrojë besimin, të kthehet në ordodoks, që kështu të gjejë rrugën e humbur e të bëhet malazias, serb, bullgar apo grek, sepse sipas mendësisë që krijuan në të mirë të vet, të ashtuquajturit shkrimtarë, politikanë e dijetarë serbë e grekë, elementin shqiptar muhamedan e quajshin “arnaut”, “arvanit” dhe e merrnin për serb ose grek të shqiptarizuar. I këtij mendimi është midis të tjerëve edhe Spiridon Gopçeviçi, i cili në librin e vet “Makedonien und Altserbien” shkruan pa turp gjëra të tilla të padrejta e komike. Shumë pseudo shkrimtarë të tjerë serbë e grekë, të shtyrë prej poltikanëve të Beogradit e të Athinës, shkruan artikuj e botuan libra gjithfarësh, në të cilat bënë gjykime me një mendësi të errët të fanatizmës fetare të Mesjetës, për elementin shqiptar. Një pjesë të këtij elementi ata e morën për serb, për bullgar ose grek sipas vendit. Kjo mendësi ndër ta ishte krijuar qysh afër mbarimit të shekullit XVIII e fillimit të XIX, të nxitur nga Rusia Cariste, që i kishte ndihmuar të fitonin disa të drejta në perandorinë otomane, si kishat e shkollat serbe, bullgare e greke, liri kjo që nuk u gëzua asnjëherë nga shqiptarët. Qysh atëhere, ata me ndihmën e popëve dhe priftërinjve që predikonin nëpër kisha , si dhe të uçiteljeve dhe dhaskalëve që jepnin mësim në shkolla, patën mundur ta vinin në zbatim këte mendësi në sheshet e trojet shqiptare që i patën gjetë të lira. Mjerë ai ortodoks shqiptar që guxonte ta quante veten shqiptar! Mjerë ai që kundërshtonte propagandat që bëheshin rreth e qark për ta ndërruar kombësinë, mjerë ai që i lente fëmijët e vet të flisnin shqip, jo vetëm në shkollë e në rrugë por edhe në gjirin e familjes, sepse dënohesh fetarisht duke u shkishëruar ose dënohej me vrasje nga fuqia ekzekutuese (komitaxhinjtë), ose dënohesh prej qeverisë turke. Priftërinjtë e mësuesit bashkë me konsujt serbë, bullgarë, zakbe, grekë e rusë caristë ishin në bashkëpunim më të fortë me autoritetet e Turqisë për t’i përndjekur, për t’i spiunuar atdhetarët shqiptarë. Kush e din se sa mijëra e miëra shqiptarë atdhetarë u morën në qafë, u masakruan, u internuan e u kalbën në burgjet e largëta të Fezanit, Jemenit, Mosulit etj për të vetmin faj se duke qenë shqiptarë ata nuk bindeshin me e mohuar kombësinë e të bëheshin serbë, bullgarë apo grekë. Me këto plane djallëzore e të poshtra, fqinjët tanë shovinistë kanë shkelur dhe kanë verbuar ndërgjegjën kombëtare të ortodoksëve shqiptarë në të tri skajet e Shqipërisë etnike. Vetëm kështu shpjegohet puna pse të mos gjënden sot shqiptarë ortodoksë në skajet veriore ( në Kosovë e në Malin e Zi), në skajet lindore ( në Maqedoninë Perëndimore) dhe në skajet jugore (në pjesët e robëruara prej grekëve). Sikur të mos ndodhte Rilindja Shqiptare më 1878 dhe sikur të mos kryqëzoheshin interesat e fuqive të mëdha në Shqipërinë politike të sotme, padyshim edhe ortodoksët e Shqipërisë së sotme do të ishin shkombëtarizuar krejt në sajë të kishave e të shkollave serbe e greke, përpara se të shpallej pavarësia më 1912.

Përse ortodoksët shqiptarë të Kosovës e të Malit të Zi duke qenë me fizionomi të tipit shqiptar, duke ditur shqip, duke veshur deri më 1912 kostumin shqiptar, duke i pasur të gjitha zakonet shqiptare, duke ditur secili fisin shqiptar që i përket, duke folur një serbishte ëalamane me të folme të shqipes (gjë kjo që na ka qëlluar shpesh ta vërtetojmë edhe vetë), e quajshin veten serb?! Sepse kujtimi i emrit të fesë ortodokse ndër ta ishte rrënjosur sikur ata synonin kombësinë serbe e jo tjetër.

Përse në shumë katunde të Shqipërisë etnike lindore ( Maqedoni Perëndimore) sikundër kam mundur ta vërtetoj edhe vetë, vetëm pleqtë e plakat e flasin pa ndrojë shqipen me një të folme të kulluar e të kthjellët, kur merrnin vesh që bashkëbiseduesi nuk është serb, bullgar apo tjetër por shqiptar, kurse djemtë e vajzat, nipat e mbesat e tyre, duke mos ditur veçse pak fjalë shqip flisnin vetëm bullgarisht? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjen gjithkush duke bërë krahasimin me shpjegimet e para. Vetëm puna, pse ata pleq e plaka e flisnin pa ndrojë, me dëshirë dhe të përlotur shqipen, gjen shpjegimin se këta ndruheshin nga spiunët e komitaxhinjtë bullgarë, të cilët si fuqi ekzekutuese të propagandës së shkombëtarizimit të shqiptarëve, sapo merrnin vesh këte punë i gjobisnin rëndë shqiptarët dhe i masakronin pa mëshirë ata në shtëpi natën. Sot bullgarët e tillë në Maqedoninë Perëndimore, me shtypjen jugosllave kanë filluar të serbizohen.

Po kjo gjendje e vajtueshme e shkombëtarizimit të elementit shqiptar ortodoks ka marrë hov e ka vazhduar me të madhe edhe në krahinat tona të skajeve jugore të Shqipërisë Etnike. Në shumë katunde të jugut me fizionomi thjesht shqiptare të greqizuar që në shekullin XIX, sot flitet një greqishte e shkatërruar si përkthim i shqipes e me të folmen e saj. Në disa anë, ende në dasma këngët e vjetra të katragjyshërve këndohen shqip, po ashtu në rast vdekjesh, vajtimi bëhet shqip. Në katundet e greqizuar tash vonë, pas 1912, vetëm pleqtë e plakat e flasin shqipen, kurse të rinjtë e të rejat, bijtë e bijat e tyre flasin greqisht.

Me këto baza të shtrembëra e me këto përgatitje propagandistike të tmerrshme u mbështetën fqinjët tanë shovinistë të pangopur për t’i grabitur e përvetësuar trojet tona arbërore. Qeveritarët serbë, për t’i shërbyer qëllimeve të veta politike për kohët e mëvonëshme shpikën e trilluan emërin e paqenë “Stara Serbia” dmth “Serbia e Vjetër:”. Ky trillim i emrit “Stara Serbia” për herë të parë është parë më 1846 në “Carte de la principaute de Serbie” prej Jean Bugarsky-t, e përpara asaj kohe as nuk është dëgjuar as është parë kurkund. Në të gjitha gjeografitë e shtypura në gjuhën serbe para atij viti nuk haset aspak ky emër i çuditshëm.

Qeveritarët bullgarë të atëhershëm, duke shkuar sipas shembullit të serbëve, që më 1876, menjëherë pas lidhjes së Traktatait të Shën Stefanit ndërmjet Rusisë e Turqisë, ringjallën termin gjeografik  të vjetër të “Maqedonisë”, që u bë më vonë një term tërheqës e magjik për bullgarët që lakmonin edhe tokat e huaja përjashta Bullgarisë.

Këto dy sheshe të trilluar e të krijuar prej qeverive shoviniste serbe e bullgare, dmth “Stara Serbia” dhe “Maqedonia”shumë kohë nuk kanë pasur ndonjë vijë kufiri të shquar ndërmjet tyre, sepse të dy lakmuesit i zgjëronin kufijtë e shesheve të propagandës së tyre sipas dëshirës duke i kapërcyer caqet e njërës mbi tjetrën.

Po kështu, edhe qeveritarët shovinistë grekë, për të ngjallur një shpirt lakmie në popullin e tyre, Shqipërinë e Jugut nisën ta quajnë “Epir”. Me këte emër historik ata kanë dashur dhe duan gjithnjë të mbulojnë fytyrën e tashme të vërtetë të kësaj ane të Shqipërisë e me këto dokrra janë përpjekur t’i hedhin hi syve të  botës, që ajo të mos mundë të shohë e të gjykojë për të vërtetën gjeografike të Shqipërisë Jugore.

Përsa i përket elementit shqiptar muhamedan, që përbën shumicën kudo në tokat shqiptare të pushtuara e të robëruara, në krahasim me lementët e tjerë, fqinjët tanë, përveç mendësisë së treguar më lart, kishin edhe këte mendësi të çuditshme: shqiptarët muhamedanë i merrnin për turq, sepse feja e re e importuar prej Turqisë gjatë shekujve XIII, XIV, XV në Gadishullin Ballkanik, u quajt atëhere , madje quhet ende sot, feja e turqve, dhe të kthyerit në këte fe, përgjithësisht thirreshin dhe thirren turq, megjithëse gjuhën dhe fizionominë nuk e kishin aspak si të turqeve. Në të gjitha anët e Ballkanit kjo mendësi mesjetare, që përzien emrin e fesë me atë të racës, që i gjykon njerëzit vetëm sipas fesë duke mos përfilluar aspak racën, së cilës i përkasin ata, ka sjellë shumë pengesa e ngatërresa në çeshtjen e zhvillimit të grumbujve të popujve (kombeve) sepse shumë antarë të një populli janë thithur në këte mënyrë prej një populli tjetër.

Armiqtë e shqiptarisë e dinin këte mendësi ballkanike e që herët nisën të veprojnë në të mirë të politikës së vet djallëzore. Shqiptarët muhamedanë i quajtën turq nergut dhe duke i përfillur si të tillë, i shtrënguan me çfarëëdo mënyre e masë barbare të shpërngulen prej votrave të veta e të shkojnë në Azinë e Vogël në Turqi.

Shumë të vetëquajtur shkrimtarë serbë e grekë botuan broshura e libra, shkruan artikuj nëpër fletoret e tyre e të huaja për këto qëllime shoviniste. Qeveritë e Beogradit e të Athinës shpenzuan miliona e miliona për hir të kësaj propagande të tmerrshme si brenda ashtu edhe jashtë shteteve të tyre duke blerë ndërgjegjen e shumë gazetarëve e publicistëve e mendjen e pseudoautorëve të shteteve plutokratike të imperialistëve.

Shovinistët serbë për realizimin e kësaj mendësie të shtrëmbët kanë qenë ndihmuar me kohë prej pseudodijetarëve rusë si Majoushef, Florianski, Hilferding etj, të cilët si shërbëtorë të politikës cariste imperialiste që kishte për qëllim zgjërimin e sllavëve në Ballkan, botuan artikuj e libra gjithfarësh kundër shqiptarëve muhamedanë, të cilët i quajtën të huaj, turq të ardhur në vendet e Malit të Zi, në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore e gjetiu. Dhe i treguan mbarë botës nevojën që herët apo vonë këta të përzihen prej këtyre viseve e të çohen në Anadoll!

 

Aq shumë u rrënjos kjo mendësi tek serbët sa që, sikurse kujtojmë, në Skupshtinën (Parlamentin) e Beogradit, shpesh herë, ndodhte kur një deputet shqiptar guxonte të kërkonte ndonjë të drejtë për banorët shqiptarë të Jugosllavisë ose ankohej për shtypjet e mizoritë e zakonshme që bëheshin ndaj shqiptarëve nga autoritetet jugosllave, përgjigjeshin me gojë të shkumbëzuar duke gërthitë sa mundeshin e duke thënë: “Vendi juaj dhe i popullit që përfaqësoni nuk është këtu, ju dhe populli juaj jeni turq, shporruni në Anadoll, në Turqi!”

Qeveritë e ndryshme jugosllave kanë zbatuar gjithnjë mësimin e mjeshtrit të tyre të vjetër, Pashiçit, i cili si armiku më i madh i shqiptarëve ka shkruajtur, ka vepruar dhe ka këshilluar pasardhësit e tij se si të veprojnë në bazë të parimit: për t’i zhdukur shqiptarët me çdo mënyrë, ose duke i masakruar, ose duke i fikur ekonomikisht , ose duke i shtyrë e shtrënguar që të ikin në Turqi! Ai gjithmonë thosh se shqiptarët janë të rrezikshëm për racën sllave, duhet të pakësohet medoemos numri i tyre në viset jugosllave që kështu elementi serb të zërë vendin e tyre.

Në të vërtetë, ky mësim u zbatua gjithnjë prej çdo qeverie jugosllave në dëm të elementit shqiptar muhamedan, në viset arbërore të robëruara. Ikja e qindra mijëra shqiptarëve në Turqi gjatë 28 vjetëve të sundimit serb në Kosovë e në Maqedoni, janë frutet e këtyre përpjekjeve armiqësore. Për shumë vjet me radhë qeveria serbe ka bërë gjueti me shqiptarët duke i quajtur ata egërsira, duke i masakruar për t’i shfarosur , djegur e pjekur, torturuar me miëra metoda barbare. Më në fund, si u ngopën dhe shfrynë dufin e tyre barbar duke derdhur gjak shqiptari, ata u bindën se s’është e mundur të shfaroset një popull i tërë me këto metoda barbare në shekullin XX. E lanë këte veprimtari të poshtër për gjuajtjen e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë dhe nisën t’i shtyjnë shqiptarët që të emigrojnë në Turqi. Për këte qëllim sunduesit jugosllavë bënë çmos për të grabitur tokat më pjellore të shqiptarëve dhe ia dhanë këto kolonëve sllavë të sjellë prej Banatit, Likës e Malit të Zi, duke i vendosur këta në katundet shqiptare. U shumëfishuan taksat shqiptarëve, deri në atë shkallë që ata të mos munden kurrësesi të paguajnë, por të detyrohen t’i shesin tokat e të përzhiten me ç’kanë e ku kanë e të mbeten në varfëri të skajshme bashkë me fëmijët e vet.

Atyre që bindeshin të emigronin në Turqi u bënin lehtësira. Brenda 24 orëve ua kryenin të gjitha formalitetet e emigrimit (si pasaporta etj), ua lironin djemtë nga burgjet ose nga shërbimi ushtarak që ishin duke kryer eventualisht, u falnin taksat e u bënin lehtësira të tjera, vetëm e vetëm që këta stërnipër të ilirëve, banorë autoktonë të këtyre vendeve, duke shkuar në Turqi, t’i lenin të lira sheshet për zgjërimin e sllavëve e sllavizmit dhe kështu të zbatohesh pika kryesore e programit të qeveritarëve jugosllavë.

Ata atdhetarë shqiptarë që guxonin t’ua mbushnin mendjen familjebe shqiptare që të mos shpërnguleshin nga votrat  arbërore, ata përnjëherë i humbnin ose i zhduknin duke i masakruar me anë të njerëzve “të panjohur” ose i kalbnin nëpër burgje. Sot me miëra atdhëtarë, intelektualë shqiptarë, dergjen nëpër burgjet jugosllave vetëm për këto faje e vetëm sepse janë shqiptarë e kanë guxuar të mbrojnë shqiptarin.

Qeveritë e ndryshme jugosllave, në lëmin e kësaj veprimtarie, patën ndihmën edhe të qeveritarëve të Republikës së Turqisë. Këta të fundit, duke dashur ta dëndësojnë popullsisnë e rrallë të vendit të tyre me një element punëtor e dinamik si shqiptarët, favorizuan politikën jugosllave.  Gjithnjë janë dukur agjentë të Turqisë duke u endur ndër katundet shqiptare të Shqipërisë së robëruar. Këta agjentë të përbërë prej civilash e hoxhallarësh të paguar edhe prej qeverisë jugosllave, merreshin me shpërnguljen e familjeve shqiptare prej trojeve arbërore dhe dërgimin e tyre në Turqi.

Kohët e fundit kjo puna e shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi ka marrë një hov më të madh. Të dy qeveritë e interesuara, Jugosllavia dhe Turqia kanë bërë një marrëveshje për të shpërngulur rreth 250 000 vetë shqiptarë nga Jugosllavia në Turqi, por ky plan i tmerrshëm i tyre ka ndeshur në vështirësi financiare, prandaj lumturisht ende s’është zbatuar.

Edhe në tokën e Shqipërisë së Lirë ndodhen rreth 25 000 emigrantë shqiptarë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë së robëruar ndën Jugosllavinë. Një pjesë e këtyre, duke mos e duruar dot zgjedhën e rëndë të serbëve, kanë kaluar kufirin fshehurazi, me shpirt ndër dhëmbë, për ta shpëtuar jetën e tyre. Një pjesë kanë ardhë me pasaportë, por veç ata e dinë se sa kanë hequr për ta siguruar atë pasaportë. Kur e kanë kërkuar atë nga autoritetet jugosllave, kanë thënë se duan të dalin në “Albani”, autoritetet me një shikim të rëndë e të vranët, u janë përgjigjur se do të kishte qenë më mirë për ta që të shkonin në Turqi e jo në Albani. Por shqiptarët ngulnin këmbë se donin të shkonin në Albani, në Shqipërinë e Lirë, atëhere autoritetet u kërkonin atyre të paguanin të gjitha taksat ndaj shtetit e pastaj do t’ua jepnin lejen. Shqiptari i shkretë, të cilit i kishte ardhë shpirti në majë të hundës nga ajo robëri e zezë, detyrohej me shitë e me përzhitë  gjithçka që të paguante taksat e rënda që i ngarkoheshin atij nergut me trillime. Po kështu, për të paguar avokatin serb që kinse do t’i dilte atij zot për nxjerrjen e pasaportës, ata endeshin me vite, shkundnin xhepat e fikeshin kryekëput, e kur u mbushej mëndja autoriteteve  se me të vërtetë shqiptari i ka derdhur të gjitha paratë në Jugosllavi, ia jepnin lejen e kërkuar. Me këte gjendje të mjerueshme na kanë ardhë këta emigrantë këtu. Sa kontrast me punën e atyre që donin të shkonin në Turqi! Shkakun e kërkon kushdo qoftë që i njeh dashakeqësitë e smirën që ka pasë Jugosllavia shoviniste për këte çikë Shqipëri të cunguar, që na pat mbetë pa u marrë e pa u shkelë prej saj!

Një pjesë tjetër e emigrantëve shqiptarë të Jugosllavisë kanë ardhë në Shqipërinë e Lirë edhe nga Turqia. Këta të emigruar në fillim nga Jugosllavia në Turqi me mënyrat që u përmendën, sapo kanë shkuar në Turqi, menjëherë e kanë parë veten të humbur në dhera të largët, të përbuzur atje prej njerëzve të huaj me fjalët më cënuese e fyese për kombësinë shqiptare dhe të shpërndarë nëpër vende gjithfarësh sipas planit të autoriteteve turke që synonin dobinë e vendit të vet me anë të turqizimit të shqiptarëve të emigruar. E kanë parë pra veten pa asnjë shpresë që të qendrojnë edhe më si shqiptarë prandaj janë shtrënguar, siç na kanë thanë vetë, të bëhen emigrantë në katror e të vinë këtu, për të marrë frymë lirisht. Më ka rënë të shoh midis tyre disa pleq e plaka, që mbanin mbi kurriz emigrimin në fuqi të tretë, pasi këta të mjerë vendin e lindjes e kanë pasur dikur në fushat e luginës së Toplicës.

Në këte gjendje shpirtërore të mjeruar ndodhen me qindra e mijëra shqiptarë të emigruar në Turqi. Këta gjithnjë janë në pritje të agimit të ditës fatlume të drejtësisë, që do t’ua lirojë votrat e tyre nga robëria e rëndë, janë duke pritur që t’u zgjatet një dorë shpëtimtare, që do të mundë t’i sjellë ata përsëri në pragjet e shtëpive të tyre në Kosovë, ku edhe kanë lindur! Ky element i fortë, i pajisur me gjakun, doket, besën e virtutet e ilirëve, din të punojë më së miri sa të jetë jeta, është besnik dhe e bindur ndaj ligjeve të shtetit për të mirën e Nënës Shqipëri.

Gjendja e elementit shqiptar muhamedan në Greqi është njësoj si ajo e elementit muhamedan në Jugosllavi.

Qeveritë e Greqisë në lëmin e veprimtarisë barbare për shfarosjen e këtij elementi, kanë konkuruar me qeverinë e fqinjës së tyre veriore, Jugosllavisë. Taktika e tyre ka qenë gjithnjë njësoj, sikurse ajo e qeverive të Jugosllavisë. Në barbarizmat e të dy palëve nuk mund të gjëndet asnjë ndryshim, sepse të dy palët synojnë të njejtin qëllim: shfarosjen e elementit shqiptar muhamedan në trevat arbërore të pushtuara prej atyre si dhe shkombëtarizimin e elementit të krishterë shqiptar.

Për këte qëllim, qeveritarët grekë, me kohë, kanë hartuar plane të tmerrshme. Për zbatimin pikë për pikë të këtyre planeve ata kanë zgjedhë administratorët më të zottë dhe më të përshtatshëm të cilët i kanë emëruar në vendet shqiptare të pushtuara. Këta qeveritarë, në çdo anë të këtyre vendeve, me një zell fanatik fetar e politik e me një program të caktuar filluan t’i zbatojnë planet qeveritare. Ky program kishte për qëllim greqizimin e Shqipërisë jugore e të Epirit, siç e quanin ata vetë këte anë të Shqipërisë.Greqizimi i Epirit ishte siguruar deri diku duke i greqizuar shqiptarët ortodoksë gjatë shekullit XIX, sikundër e kemi thënë më parë, por duhej zhdukur edhe elementi shqiptar muhamedan. Zhdukja e këtij elementi nisi të kryhet që pas mbarimit të Luftës Ballkanike të 1912, kur grekët pushtuan Shqipërinë e Jugut. Ata nuk lanë gjë pa bërë për ta zhdukë elementin shqiptar muhamdean në këto anë; dogjën katunde të tëra, i zhbinë ato më 1914, sipas shembullit të vandalëve, vranë , prenë e dogjën sa mundën. Ata që arritën të shpëtojnë morën malet me fëmijë e katandi dhe u shpërndanë sa andej-këtej të ndjekur prej komitaxhinjëve të Gjiritit (Kretës)[5], nga andartët e Zografit e të Verdhës që ishin fuqia ekzekutuese e planeve të tmerrshme të shfarosjes së këtij elementi. Ata që i shpëtuan zjarrit, plumbit dhe shpatës mizore të këtyre, mezi mundën të marrin frymë lirisht në ullishtat e Vlorës, ku u dergjën e u firosën nga sëmundja e malarjes.

Vetëm në rrethet e prefekturave të Gjirokastrës, Korçës e Beratit u zhmbinë 400 katunde shqiptarësh muhamedanë. Po kjo vepër barbare u zbatua edhe më shumë në rrethinat e Janinës e të Çamërisë.

Sot pamja e shkretë, në trajtë gërmadhash e shumicës së katundeve të elementit shqiptar muhamedan, si këtej kufirit të Shqipërisë së 1913-s, ashtu edhe matanë atij kufiri, është dëshmia më e madhe e këtyre barbarive greke. Qindra mijëra shqiptarë të mbetur pa strehë e pa banesë u ligështuan nga të ftohtit, nga uria, nga mizoritë e emigrimit, humbën fëmijtë e njomë dhe pleqtë e plakat e tyre që nuk mund t’u bënin ballë këtyre vuajtjeve të tmerrshme. Aq shumë u firosën si numër shqiptarët e atyre anëve, sa kur u kthyen në gërmadhat e shtëpive të veta, ishin përgjysmuar; me miëra e miëra individë shqiptarë vdiqën të masakruar, të djegur e të rraskapitur prej këtyre barbarëve të shekullit XX.[6]

Plani i qeveritarëve grekë zbatohej më së miri prej autoriteteve në dëm të elementit shqiptar. Ankimet dhe rënkimet e shqiptarëve për këto të zeza nuk gjenin askund një shesh të mbarë dëgjimi, pse demokracitë e Perëndimit në shtypin e tyre judo-framasonik dhe tregtar u dilnin zot gjithnjë propagandave dhe përgënjeshtrimeve të fqinjëve tanë imperialistë, të cilët e ushqenin atë shtyp me buxhetin e vet të ndarë posaçërisht për këte qëllim.(Vijon)

 



[1] Këto shënime ndiqen pas hartës me shkallë 1/200 000 të K. U. Militargeographisches Institut, Ëien 1909

[2] Ndryshimi ndërmjet Grinuiçit dhe Ferro-s të merret 15o , dmth për të  marrë shënimet në gradë Grinuiç duhet të shtojmë 15 gradë.

Pozicioni i meridianit themelor për të përcaktuar gjatësinë gjeografike ka ndryshuar me kohë, sipas njohurive që rriteshin dhe sipas interesave kombëtare. Në fillim ky meridian ishte përcaktuar te kollonat e Herkulit në Ishullin e Fatit te pellgut të Kanarieve. Me përparimin e lundrimeve në Atllantik, u kuptua se nuk ka një kufi perëndimor, prandaj morën si meridian themelor psh Koperniku Frojdenburgun dhe Kepleri Uraniburgun. Mercatore parapëlqeu në fillim Ishullin e Forte Venturës në Canarie, e pastaj Ishullin e Ferro-s një shekull më vonë, kurse Riccioli ishullin e Palmës. Për të zgjidhur këte pacaktueshmëri, Luigji XIII më 1 korrik 1634 vendosi Ishullin e Ferro-s. Por  në shekullin që pasoi kombet detare përsëri caktuan referime të reja: anglezët u bazuan në Londrën, francezët në Parisin, hollandezët në Majën e  Tenerifës, që konsiderohej mali më i lartë i botës e , spanjollët në Azzorret te i njejti Tenerif.

Nga mesi i shekullit XVIII, pothuaj të gjitha vendet evropiane pranuan si meriadian për vëzhgimet astronomike kombëtare Grinuiçin (anglezët dhe shtetet nën ndikimin britanik) ndërsa shtetet italiane dhe Shtetet e Bashkuara meridianin e Parisit

Fundi i shekullit me rritjen e komunikimeve ndërkombëtare nxiti më tej përpjekjet për njesimin e gjatësisë gjeografike, derisa  më 1881, në kongresin  ndërkombëtar gjeografik u adoptua meridiani i Grinuiçit, por ende pati mëdyshje nga disa vende. Në Konferencën ndërkombëtare gjeodezike të Romës më 1883 Shtetet e Bashkuara vendosën të adoptojnë meridianin e Ferro-s, dhe Gjermania e pranoi, sepse ky përkonte me Evropën Qendrore, dmth 15o   djathtas Grinuiçit, pak më vonë edhe Italia e pranoi këte.

 Më 1884 në Kongresin Gjeografik ndërkombëtar të Uashingtonit, me mbështetjen e pothuaj të gjithë shteteve të përfaqësuar, u pranua përfundimisht meridiani i Grinuiçit.(Greenwich)

 

[3] Lugina dhe e tërë lagjja e lumit Toplica deri më 1878 ka qenë me katunde e qytete thjesht shqiptare. Në këte luginë ndodheshin atëhere tre qytete: Kurshumlia, Prokupja dhe Leskovci. Afër 100 000 banorë të këtyre anëve, të trajtuar egërsisht prej serbëve, ikën prej andej dhe u vendosën në vise të ndryshme të Kosovës, ku ndodhen e dhe sot. Pleqtë ende i kujtojnë vendet e veta me mallëngjim.

[4] Prej majës së Jankovit deri në Tumba është 96 km. Po t’i shtohet edhe kjo gjatësi atëhere kufiri verior i Shqipërisë Etnike bëhet 312 km i gjatë.

[5] Shiko hartën përkatëse dhe aneksin e saj nr 7 në “Question de koritza” të Demetre Kolovanit, Paris

[6] Shiko librin “Shqiptarët” të George Fred Williams, përkthyer nga Shaban Balla Tiranë 1934, faqe 50

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Gashi, historia, Shqiperia Etnike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT