• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia mbi fytyrën e Kosovës, Dhimbjet i ka vizatuar varg

December 27, 2017 by dgreca

Homazh nderimi……( kushtuar Shefki Dedinca dhe qindra e mijëra kosovarë që u vranë, u sakatuan dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit.)  /

Violeta M.JPG

Nga Violeta MIRAKAJ/Në festat e fundvitit është shumë bukur të shkënbehen dhurata, dhurime urimesh të ndërsjellta dhe gjithandej krijohet një atmosferë festive….pra  dhe une po ju uroj : Për shumë vjet Gëzuar!…. Por këtë urim doja ta plotësoja me një shkrim homazh kushtuar atyre qindra apo mijëra shqiptarë kosovarë që u vranë, u zhdukën…u sakatuan…Është një homazh që kurrë të mos harrohet e kaluara, po në emër të saj të përpiqemi  për një jetë më të bukur, më të paqtë për brezat, për sot edhe për të ardhmen.

Për njeriun shtëpia është kështjella e tij, dhe për kosovarin Kosova ështe shtëpia e tij, kështjella e tij  …  Gjithë përpjekja e tij ka qenë një kalvar i gjatë mundimesh, ku si është shprehur dhe Akademiku  R. Qosja   se, Shqiptarëve në Kosovë u kishte mbetur vetëm ajri.

Nën dritën tragjike të historisë njerëzit zhvisheshin nga misteri i tyre shqetësues ; e gjithë bota ndihej pezull  në këtë pritje universale.  Në jetën  të këtij populli gjithçka mbetej pa të nesërme… dhe se gjithë uji i lumenjve nuk do të lante dot dorën  e vrasësit  të këtij kombi…

Në qershor të vitit 2000, Kryqi i kuq raportoi për 3,368 civilë ( 2,500 shqiptarë, 400 serbë, dhe 100 romë) ende të humbur, afërsisht një vit pas konfliktit…. Tablonë tragjike dhe rrënqethëse e plotësojnë varret masive, ku më 2001-in, 800 trupa ende të paidentifikuar u gjetën  në gropa në një terren të policisë jashtë Beogradit dhe në lindje të Serbisë. Skenat makabre  nuk kanë të sosur, të paktën 700 trupa u zbuluan në një varr masiv i gjendur në një kompleks të një njësie policore speciale anti- terroriste në periferi  të Batajnicës, e cila pasohet nga 77 trupa të gjetura në qytetin lindor të Serbisë, Petrovoselo, dhe në qytetin perëndimor të Serbisë, Perucac u gjendën 50 trupa….. E gjithë kjo tablo është një klithmë që s’duhet të fashitet….se ka të bëj me fatin e një kombi sa të lashtë dhe heroik.  Lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte luftë e cila ia ktheu dinjitetin kombit shqiptar.

Nuk mund të harrohet operacioni më 27-të prill në 1999. Forcat serbe rrethuan “ Reken e keqe” e “Lugun e Carragojës”, në rrethinën e Gjakovës. U ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapur vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. E gjithë kjo offensive barbare  filloi në orët e hershme të mëngjesit; njëherazi u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës,  grumbulluan  meshkujt në grupe nga mosha 15 deri 60 vjeç … duke i ekzekutuar të gjithë. Skena si në kohërat barbare dhe ato të nazizmit hitlerian. Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët si hijena ju turrën me barbarizëm njerëzve të paarmatosur ..Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës.….

Sot, aty është Qendra Përkujtimore – 27 prill në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës, njëkohësisht dhe Dita e të pagjeturve në Kosovë që simbolizon po këtë datë të vitit 1999.  Ja si shprehet poetja R. Maleçka “ Ju o varre jeni si betimi/ në gjakun e të rënëve gjith’herët mbetë/ Pllakate varresh me gurë graniti,/do të gdhenden në këto troje përjetë….

Përvojë e hidhur për shqiptarët, për kosovarët që s’gëlltitet e s’gëlltitet;  thikat copëtonin shpirtrat e tyre, dhe ata ishin të mbërthyer nga zinxhirët e fatit. Dhe ky popull është me të vërtet i madh sepse vuajtjet, lodhja, padrejtësitë nuk e përulën. Dhimbjet janë vizatuar varg…këtu një varr, matanë një muranë, një varr e një muranë prapë, historia plagët e saj i ka lënë dhe  shprehur në fytyrën e Kosovës, si lulekuqet që lulojnë në arat me grurë.                                                                                              Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur e cila filloi në 28  Shkurt të vitit 1998 pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës deri në 11 Qershor 1999.  Në mesin e luftës  në 6 shkurt 1999, me Sekretarin e NATO-s arrihen negociatat e para midis palëve ndërluftuese, dhe në 18 mars 1999, delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk pranuan. Si gjithmonë në momente të vështira të fateve të kombit tone dhe këtë rradhë mbështetja e SHBA ishte jashtëzakonisht determinues, dhe ndihmës  deri sa erdhi momenti final i  kurorëzimit të kombit shqiptar, krijimi i shtetit të Kosovës.   R. M – “ Ta bëjmë Dardaninë/  si ka qenë qëmoti / Ta bëjmë Shqipërinë si në kohën e Kastriotit……

Në këtë luftë u dëbuan 800,000 shqiptarë, u ranë 15,000 persona nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerë civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.    Vite me rradhë janë shkruar, janë skalitur momente nga tragjeditë dhe plagët e saj…Ku si është shprehur dhe poeti A. Podrimja te poezia “Kulla”  Prej lashtësisë, thonë kanë ardhur/ nëpër mure të pëlcitura të Kullës kanë hyrë,/ Gurë e m’gur atje janë ngjitur/ në majë të botës kanë mbetur sot e atë ditë/…….  E një kulle është ngritur një mijë vjet/ mbi një asht, mbi një emër ajo flet/ për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.”…pra historia përsëritet , Kosova , kulla shqiptare i ka mbijetuar stuhive dhe hordhive  . Edhe si e thamë më lart jemi në prag festash, por në traditën tone shqiptare shpesh here trokasin në memorjen tone për të kujtuar të munguarit… na trokasin për të bërë homazh…. Dhe kjo është  një traditë e bukur që të mos harrojmë… Jeta, vazhdimësia e saj shkon në gjurmët e saj dhe evidenton se, “Virtityti shkëlqen në fatkeqësi”

Bashkëbisedimi me të birin e Shefki Dedincës, ( i cili është një nga të shumtët që u zhdukën në periudhën e luftës pa lënë gjurmë), Zeqir Dedinca dhe me familjen e tij në njerën  nga këto ditë ishte shumë prekëse. Duke marrë shkas nga teksti i këngës “Brezi me kapuç të bardhë” teksti A.Kalaja, Muzika: Ylli Kalaja të cilën e kënduan në festivalin e fëmijëve organizuar këtu në New York, dy vajzat e vogla Enesa dhe Joana Dedinca interpretuan me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit, për të mos harruar gjyshin dhe të gjithë  martirët e Kombit. Drama kosovare erdhi në këtë repertor si një histori, erdhi si një kujtim si një betim. “Me kapuç mbi kry’/ Përmbi maja e pamë gjyshin/  Është trim kosovar’/ Zemra e tij kishte dy krena/ FLAMURIN SHQIPTAR” Biseda në familje rrodhi shtruar , rrodhi ngadalë me drithërimë , me kujtime personale dhe meditim….

Shefki Dedinca ishte nga fshati Leskoshiq të komunës së Obiliqit. Vinte nga një familje e madhe, dhe punonte si udheheqës i pastrimit të shiritit në Rotorn 4 të kombinatit , Vështirësitë ishin të mëdha, me gjashtë fëmijë në shtëpi, sepse e shoqja i vdiq herët duke punuar si në shtëpi dhe jashtë saj por me dëshirën dhe dashurinë e madhe që fëmijët e tij të bëheshin të ndershëm , të arsimoheshin, dhe të kulturoheshin. Dhe këtë e shprehte shpesh se : – “Fati së pari ështe te mendja; shko në shkollë, të mësohesh  e të bëhesh i ditur. Libri është arma e të mençurit e nuk të lë kurrë të varfër… Ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhën pas vitit 1991 në Kosovë, vazhdon të rrëfej Zeqiri ishin shumë të rënda, ishte nje reprazalje e vërtetë për popullin. Filluan përjashtimi nga puna pothuaj i të gjithë shqiptarëve, u mbyll televizioni si dhe fakultetet ….kërkojnë të mos mësohet dhe të flitet gjuha shqipe, po ajo serbe. Në atë kohë ishte student në Fakultetin  Ekonomik, u veprua vetëm me dhunë e ushtruar nga policia, i larguan nga godina…por kurrë nuk mundën të shuajnë dëshirën për vazhdimin e leksioneve në ambjentet të tjera familjare. Një kurajo të madhe na jepte baba , i cili shprehej: “S’ka forcë dhe fuqi  që të bllokojë universitetin e Prishtinës, dhe se ju studentët jeni arma më e fortë e popullit Kosovar”. Në momente të vështira atë e kishim mbështetje me mençurinë , kurajon dhe guximin që u jepte deri sa një ditë …. 24 mars i vitit 1999, lëshojnë banesën si shumë e shumë banorë për tu strehuar atje ku këmba e serbit të mos shkelte, ku forcat ushtarake separatiste militariste të mos t’i gjenin. Që nga ajo ditë nuk u mor vesh kurrë se çfarë fati pati Shefki Dedinca….

Një nga dhimbjet më të mëdha të shqiptarëve, pra është ajo e lirisë, dhimbje që prodhoi akte heroike, humanizmi, dashurie për vendin dhe në emër të kombit me të cilën  po i thërret unitetit të botës së qytetëruar. Trevat shqiptare u bënë të njohura nga lufta, se ato u unifikuan me trimat e rënë për liri, dhe marrin funksionin e një “kumti” toponimik – historik, të cilat mbartin një epokë historike, realisht të nevojshme shqiptare. Këto treva mbartin në vetvete dhimbje, prelude, momentalitet dhe shqiptarizëm; të bëjnë krenar për vendin tënd , për njerëzit e tu, për viset e tua, për historinë dhe për atë që i duhet vendit dhe njerëzve të tu.

Te “Dhimbja Gjakovare” kombi lëngon… “…Kudo vajë, kudo piskamë,/ – Ku t’kam babe, o ku t’kam nanë!?/ – O ku je motër, o ku je vëlla!?/ Ma tmerrim, o për ne nuk ka!/ Disa trupa, o t’përgjysmuar,/ shumë pa k’am’ e shumë pa duer,/ Shumë u dogjën n’flakë e n’prush,/ s’ka shka ban, medet – kurkush!/ M’falni vëllazën, s’muj duroj ma!/ Këta shqiptarë në gjak janë la,/ asnjëherë për ne s’do t’vdesin,/ O n’zemra tona përjetë do t’mbesin!” Dhe sot e kësaj dite dëgjohen klithmat e përvuajtur të këtyre njerëzve. Skalpimi i historisë tregon se mbetet esenca e ngjarjeve, simboli i përsëritshëm i sfidës për të jetuar, një jetë më të drejtë, një jetë ku të mos lejuar kurrë të përsëritet e kaluara  dhe ky është një apel. Si shprehet dhe poetja R. Meleçka “ Liria dhe gjaku kanë lindur nga një nanë/ ushqyer e rritur nga njeri- tjetri mot pas moti,/rritur në djepat, në dru e lis mali,/ Rritur nga kënga, amaneti dhe loti.”

New York, 26 Dhjetor 2017

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: historia, mbi fytyrën e Kosovë, Violeta Mirakaj

Historia qe na mungon

November 24, 2017 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/ kklMuzeu në Skelë të Vlorës nuk e ka të shkruar gjithë atë histori, as të arkivuar .Dhe sdo të mundte dot ta bënte edhe pse një njeri pasionant si  drejtori I.Dobi po bënë shumë më tepër nga cka fondet apo mundësit. As të digjitalizua sigurisht që nuk është. Është e shkruar në muzeun e Kavajës. Behët fjalë për dy ditë përpara se të  shpalosej flamuri kombëtar dhe të shpallej pavarësia. Nëse se të gjitha fokusimet mbeten brenda një qyteti si është Vlora ,që realisht ka qenë kryeqendra e asaj dite të rëndësishme , por të mos i lëmë historisë asgjë mangut. Një dokumentacion, që mbartet nëpër qytete të tjera të vendit duhet të jetë edhe në atë që ne e quajmë muze kombëtar. Është rrugëtimi i grupit, që shkonte në Vlorës .Firmëtari Hajredin bej Cakrani sjell dokumente, që mund të tronditin historinë, për  ngjarjet që janë fshehur ose që nuk njihen.

Vetëm 4 vjet më parë nxora nga një gazetë “Flamuri” ,quhej tre fotografi historike për këtë rrugë përshkim të grupit, që shkonte në Vlorë. Në SHBA ka pasur gazeta shqiptarësh deri vitet e fundi, që kanë sjellur dokument historike e foto të ruajtur nga kjo  ngjarje historike, fotografi të cilat u marrën me vete nga mërgimtarët të cilat i botuan ose i arkivuan nëpër vendet që mërguan.

Ne kemi nevojë të njihemi dhe ti kemi të përhershme nëpër memuarë , arkiva të gjitha fotot apo dokumentet shqiptare, që kanë gjezdisur botën. Shqiptarët  e diasporës e shkruanin ndryshe historinë e kësaj dite pa retushe nëpër gazetat apo mediat që kishin ku hedhin lajmet e ndryshme. Dokumente të tjera gjenden nëpër arkiva të shqiptarëve të cilët i ruajnë si sytë  e ballit, por nuk ekspozojnë sepse askush nuk ua kërkon duke i lënë këto dokumente të mbeten të harruar të groposura dhe të paekspozuara . Shumë studiues dhe të tjerë të interesuar në këtë fushë shprehen se disponojnë ose kanë parë materiale, që gjenden  nëpër arkiv të ndryshme personale .

Këto dokumente mund të thithen nga institucionet të cilat kanë këtë mision dhe për të cilin shteti ynë i paguan. Nuk mund të presim dhe gjithë kohën të shpresojmë se një ditë këto do të bëhen dhe kurrë do të bëhen. Muzeu kombëtar i pavarësisë në Skelë nuk është vetëm godina origjinale e këtillë por edhe ajo  e restauruar  nuk duhet të mbetet, por janë edhe dokumentet që kanë arkivat e shqiptarëve nëpër botë. Duhet të mblidhen të gjurmohen dhe të bëhen publike  dhe të mos i  lëmë të varrosura në ndonjë qoshe apo arkiv të mbytur nga pluhuri. Kjo është historia jonë prandaj  kërkohet, që ajo të vendin e saj. Vetëm F.SH  në Vlorë ka të trashëguar një arkiv të madh me dokumente dhe gazeta, që do të mund të plotësonin dhjetëra hapësira boshe të këtij muzeu. Më e thjeshta këto dokumente të ruhen të fotokopjuara .

Krahas kësaj  këto dokumentet kërkohen të studiohen dhe të shikojnë dritëzën e botimit .Kush do ti sjell në media dhe si ,cili studiues apo punonjës shkencor  i institucionit e bënë këtë,  në ditët e sotme ?

 Ndër rrugët më të thjeshta është heshtja .Ndër rrugët më të vështira është të bësh këtë punë si gjeologu kërkon diademin e skërkave. Ditët e këtij muzgu ne i kemi parë herët.

Sepse jemi më të përvëluarit për arkivat ngase  ato ose i gjetëm të djegura ose të grisura, ose të zhdukura nëpër mjegulla historie. Nga të gjitha studimet flitet vetëm për ditën kryesore, pra 28 nëntorin. Kurse për ditët e mëvonshme ka fare pak dokumentacion. Kjo mund të jetë edhe për ditët e para 28 nëntorit. Kështu është rasti botimit të firmëtarërve të flamurit në Elbasanë.Apo si rasti i mposhtëm:Me 27 nëntor 1912, me porosi te Ismail Qemalit, atdhetaret Kavajas ngritën flamurin kuq e zi me shkaben dykrenare në ndërtesën trekatëshe ku më vonë ish vendosur komanda e xhandarmerisë, qe është djegur nga rrufeja ne vitin 1936. Po kështu atdhetari Mustafa Cara ngriti flamurin kombëtar edhe në shtëpinë e vet. Atdhetaret kavajas shoqërojnë Ismail Qemalin per ngritjen e flamurit ne Vlore. Patrioti kavajas, Qazim Merhori vuri ne dispozicion të I.Qemalit dhe shoqëruesve të tij kuajt e vet dhe i përcolli deri në Vlorë. Ky patriot ka deklaruar: “Une e kam çue I. Qemalin atë mot qe u ba Shqipnia, me tre kuajt e mi. Na ka përcjellë Bajram Xhani. Kur mbrritem ne Vlore Ai (I.Qemali) na pat dhanë nga një lire turke para rruge. Unë nuk kam pranue”… (muzeu Kavaje.

Ky material  përbënë një fakt pak të dokumentuar. Por shpreh të dhëna të cilat duhet të përmblidhen në një vijë të në udhë përshkimin e grupit në krye I.Qemali drejt ditëve qytetit të tij të lindjes  në fund nëntorit, për misionin e madh të Pavarësisë. Ndërkaq, më ka bërë përshtypje  imtësia dhe faktet, që ka hedhur Fieri në ëeb e tij. Këto fakte dhe dokumente duhen shkruar në gjithë atë histori. Kjo histori e vogël e dokumentuar është  pjesë e asaj historie të madhe. Ky është një tregues, që duhet të kenë të gjithë vendet nga ku kaloi grupi i pavarësisë, drejt qytetit të Flamurit. Kështu mund të bëhej udhë përshkrimi  i  plakut të Vlorës me detaje drejt qytetit të Vlorës. Janë të rëndësishme të dhënat sepse sintetizojnë historinë, çdo detaj është një fakt, më tepër në këtë mision  të rëndësishëm të vendit tonë. Rruga, që përshkoi plaku i Vlorës për në Vlorë ka nevojë të plotësohet me fakte të reja. Ka nevojë të detajohet. Ka nevojë të plotësohet dita kur u ngrit flamuri në Elbasan, Durrës dhe në qytete të tjera .

Vitet e fundit janë botuar mjaftë dokumente, që të grishin për këto datat,por ende nuk është një e tërë sepse ato ndodhen diku të botuara, në ndonjë speciale periodiku por ende nuk janë bashkë të gjitha të dhënat. Po i kësaj rëndese mbetet edhe dita e ngritjes së Flamurit. Një periodik e përcjell ndryshe , tjetri ndryshe dhe tek secili gjene fjalë të ndryshme të I.Qemalit. Pyetja, që shtreson gjithë këtë radhë  është : E vërteta e fjalëve të plakut të Vlorës ku është thënë e plotë?

 A, do të mund studiuesit të na sjellin një ndërtim të saktë me të gjitha këto dokumentet që janë zbuluar ,që janë publikuar deri në Amerikën e largët ? Sepse ende mbetet dossier periodikësh  shqiptar dhe jo studim i zërave të njohur të historiografisë shqiptare.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Llojdia, historia, qe na mungon

HISTORIA E SHKURTËR E NJË KARTOLINE TË VOGËL

July 17, 2017 by dgreca

1 dasmaNGA EUGJEN MERLIKA/

12 korrik 1942, 75 vjet më parë….. Në bashkinë e Barit kryhej ceremonia e martesës së një çifti të ri. Dhëndërri ishte 27 vjeçar e quhej Petrit Merlika, ingjinjer elektrik, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë. Nusja quhej Elena Gjika, 22 vjeçare, që prej një viti profesoreshë e letërsisë, gjuhëve klasike e filozofisë në liceun klasik të Barit. Dhëndërri ishte djali i parë i Kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa nusja ishte bija jetime e gazetarit atdhetar Sotir Gjika. 1 cifti

Dëshmitarët, nga ana e dhëndërrit, ishin ministrat Mark Gjomarkaj e Shuk Gurakuqi, ndërsa nga ana e nuses ish konsulli shqiptar në Bari e mik i vjetër i dy familjeve, Gjovalin Kamsi dhe ministri i ekonomisë i Qeverisë Kruja, Kostandin Kotte. Historia e lindjes së këtij çifti kishte të pazakontën e saj, për kohën dhe Vendin në të cilin jetonin dy përbërësit e tij. Nuk ishte një lidhje dashurie spontane, e lindur në sallat e studimit të universiteteve, apo në sheshet e qyteteve italiane, por një njohje e drejtuar nga prindërit e dy të rinjve, si pasojë e një përsiatje të gjatë të tyre në rrjedhë të viteve.1 Leter

Mustafa Kruja e Sotir Gjika ishin miq e bashkëpuntorë. Qe ndërhyrja e Sotir Gjikës, atëherë gazetar i së përditëshmes “Corriere delle Puglie”, në mjediset e Konsultës të vitit 1917, që bëri të mundur lirimin nga burgu e internimi që vuante Mustafa Kruja, si pasojë e një dënimi të dhënë nga Esat Pashë Toptani e, i kaluar për zbatim, autoriteteve italiane. Më pas Mustafai u bë kryeredaktori i gazetës “Kuvendi”, të cilën Sotir Gjika e drejtonte në Romë. Ky bashkëpunim vazhdoi deri në dhjetor 1918, kohë kur Mustafai u kthye në Shqipëri, për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit.

Atëherë u ndërpre dhe bashkëpunimi veprues mes atyre dy personazheve të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së fillimit të shekullit të 20. Sotiri vazhdoi veprimtarinë e tij publiçistike, ndërsa Mustafai atë politike. Me mbylljen e gazetës “Kuvendi”, Sotiri u shpërngul përfundimisht në Bari, aty ku ishte qëndra e së përditëshmes”Lajmëtari i Puljes”, në krahinën jugore përballë Shqipërisë, e cila ishte dhe ajo e origjinës së bashkëshortes së tij, Angela Lilly Quarta. Ndërsa Mustafai pati peripecitë e tij në vorbullën e politikës shqiptare, në parlamentin e parë e, më pas, në mërgim në Shumadinë jugoslave, mbas dështimit të kryengritjes së Elez Isufit e Zija Dibrës.

U takuan përsëri, tashmë së bashku me familjet, në Krishtlindjet 1924, kur Zogu u kthye në Shqipëri dhe politika kundër zogiste mori rrugën e mërgimit të gjatë, duke filluar me zbarkimin në Bari e Brindisi të Italisë. Aty në Bari lindi djali i katërt i Mustafait, Besimi, ndërsa Sotiri kishte një djalë e një vajzë, Aleksandrin dhe Elenën. Mustafai me familje nuk qëndroi gjatë në Pulje, u shpërngulën në Zara të Dalmacisë, atëherë territor italian. Gjatë një udhëtimi në Shqipëri, më 1923, i dërguar nga gazeta për të hetuar mbi vrasjen mizore të Gjeneral Telinit, Sotiri pësoi një ftohje të rëndë, e cila brënda katër vitesh i mori jetën, në moshën 38 vjeçare.

Vitet kalonin, por kontaktet mes dy familjeve ruheshin dhe sa herë që Mustafait i binte rruga të vinte në gadishull, ai nuk linte rast pa parë familjen e mikut të ndjerë. Gjatë këtyre vizitave ai vinte re dhe rritjen e fëmijëve, sidomos të vajzës së Sotirit, Elenës. Instikti prindëror për të patur një nuse të shkolluar e të fisme për djalin e tij, merrte konture gjithënjë e më të përcaktuara në mëndjen e tij.

Erdhi 1939, pushtimi i Shqipërisë, ikja e Zogut, dhe Mustafai u kthye me gjithë familjen në Shqipëri, duke lënë jashtë djemtë që vazhdonin studimet. I madhi, Petriti, ishte student i Universitetit të Grenoblit, në fakultetin e ingjinjerisë elektrike. Tani vizitat në shtëpinë e së vesë së Sotirit u bënë më të shpeshta, e Mustafai vuri re me kënaqësi se vajza e mikut të tij ishte bërë një zonjushe e bukur që vazhdonte Universitetin e Napolit. Atëherë shpresa e vakët që kishte përcjellë vitet e tij të mërgimit, ajo e një martese të djalit të tij me vajzën e Sotirit, mori shembëlltyrën e një projekti, të cilin ai u zotua plotësisht në vetvete t’a sendërtonte. Bisedoi me të venë e mikut në lidhje me të e gjeti mirëkuptimin e duhur. Atëherë projekti hyri në rrjedhën e tij të zakonëshme, me njohjen e pëlqimin e ndërsjelltë të të rinjvet.

Nga kjo njohje e deri në martesën e 12 korrikut 1942, koha kaloi shpejt. Martesa qe kurorëzimi i një ëndërre të re, të lindur në hapësirën e një ëndërre të vjetër. Sigurisht nga qielli pati bekimin e babait të larguar përgjithmonë, por që gëzohej sepse bija e tij po kthehej të ndërtonte çerdhen e saj në atdheun e tij, për të cilin ai punoi deri në çastet e fundit të jetës. Po të gjitha këto dëshira të lindjes së jetës së re do të përballeshin me një realitet të vrazhdë, deri në mizori, që ishte lufta e dytë botërore dhe fundi i saj me ardhjen e komunistëve në pushtetin e Shqipërisë.

Gjatë luftës çifti i ri  jetoi larg politikës aktive. Mustafai ishte aq shumë i zhgënjyer nga politika saqë i kishte ndaluar familjarëve të tij pjesëmarrjen në të, e ishte munduar të adresonte fatet e tyre në drejtimin e profesioneve. Kështu edhe Petriti, së bashku me dy shokë të tij të shkollës, Petrit Daklin dhe Ismail Topçiun, themeloi një ndërmarrje elektrike e, deri në fundin e luftës, pati veprimtarinë e tij private. Elena qëndronte në shtëpi, ku ndihmonte babain e saj të dytë të vazhdonte punën e tij të vyer me Fjalorin, e ku kujdesej edhe për djalin, Eugjenin, që lindi mbas më pak se dy vjet martese.

Me krijimin e Qeverisë komuniste ndërmarrja u mbyll dhe Petriti mbeti pa punë. Qenë pak muaj papunësie, gjatë të cilëve ai ndonjëherë vente e bisedonte me shokët e tij mbi gjendjen e Vendit. Ishte koha e pregatitjes së zgjedhjeve të reja ku, zyrtarisht, “mund” të paraqiteshin edhe parti të tjera veç F.N.Ҫ. Në një nga ato biseda u trajtua ky vështrim i gjëndjes politike dhe u fol mbi mundësinë e krijimit të një partie të ligjëshme të opozitës. Pak kohë mbas kësaj bisede, Petriti u thirr në Ministrinë e Punëve Botore, ku Ministri Spiro Koleka i njoftoi emërimin në një Degë të posaçme të saj, e cila merrej me llogaritë e ndërmarrjeve italiane që kishin investuar në Shqipëri para dhe gjatë luftës. Detyra ishte mjaft delikate, por Petriti e përballoi me mjaft sukses, duke u munduar t’i linte sa më pak detyrime Shtetit shqiptar kundrejt ndërmarrjeve italiane.

Por ndërsa ai vazhdonte punën e tij intensive në ministri, një ditë të marsit 1946 u arrestua nga Skënder Kosova, njëri prej kuadrove më mizorë të hetuesisë në kohën e tij. Arrestimi befasoi edhe vetë Ministrin Koleka, i cili ndërhyri personalisht tre herë për lirimin e tij, por pa dobi. Në akuzën me të cilën u përball, veç emrit të Mustafa Krujës, ishte biseda e zhvilluar muaj më parë me shokët e tij. Ajo i kushtoi gjyqin e dënimin me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Ajo kartolinë e vogël që nga një anë ka të pikturuar një peisazh dimri e nga tjetra një frazë drejtuar gruas së tij, është një relike e asaj periudhe të jetës së asaj familje.

Ajo kartolinë ka në vetvete dashuri, dhimbje, mall, por edhe shpresë, kjo e fundit mjeti më i mirë për të përballuar fatkeqësitë e për të mbijetuar edhe atëherë kur jeta normale përbën një mirazh të paarritshëm, edhe atëherë kur vdekja quhet si shpëtim nga e keqja. Ajo mbetet dëshmi e njërit prej miljona çasteve në të cilët kaluan mijëra vetë në Shqipërinë  e regjimit komunist, dëshmi e një drame të fuqishme që luhej në shpirtin e njërit prej tyre, të ndarë përdhunshëm nga dashuritë njerëzore pa i bërë askujt as të keqen më të vogël. Ajo shpreh edhe diçka tjetër veç dashurisë, vlerësimin e besimin tek gruaja shqiptare që, n’ata vite të tmerrshme, dha provën më madhore të gjithë historisë shqiptare, atë të qëndresës familjare e të virtutit vetiak që triumfoi edhe mbi fuqinë e verbër të diktaturës, duke ruajtur vlerat më të mira morale. Edhe Elena, marrësja e asaj kartoline, e flijoi jetën e saj në odisenë e gjatë të kampeve të përqëndrimit, pa çuar kurrë nëpër mend as vetëtimthi, se me një firmë mbi një dokument shkurorëzimi, mund të shpëtonte njëherë e përgjithmonë nga “skëterra shqiptare” e mund të kthehej në Vendin e saj të lindjes, ku kishte familjen e saj e perspektivën e një jetë krejtësisht të ndryshme.

Nuk e dij se si ajo minikartolinë ka dalë nga burgu në dhjetorin e vitit 1946 e se si është ruajtur për më shumë se gjysëm shekulli, në peripecitë e pafund të shpërnguljeve nga një kamp përqëndrimi në tjetrin. Mbas asaj kartoline, n’ato pak fjalë të ngrohta e të sinqerta, qëndron jeta e tre njerëzve. Prandaj ajo kthehet në një relike e mund të shërbejë si e tillë në një muzeum, duke i u folur, me heshtjen e saj, vizitorëve për një kohë plot tragjedi e drama të njohura e të panjohura, që u përplasën mbi kryet e dhjetra mijra njerëzve të pafajshëm, duke shkatërruar të gjithë jetën e tyre. Ajo kartolinë evokon një ndjenjë të madhe, dashurinë, që mbetet ndoshta arma më e fuqishme në përballimin e së keqes, të mizorisë së një pushteti e të një sistemi që ishte ngritur mbi bazën e urrejtjes e të largimit nga Perëndia dhe mësimet e saj.

Korrik 2017

Filed Under: Featured Tagged With: e nie karoline te vogel, Elena Gjika, Eugene Merlin, historia

Historia e Javës së Madhe të Pashkëve

April 10, 2017 by dgreca

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vèren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”.

Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej përqafimi e puthja e paqes. Kremtimi përfundonte  me të Dielën e Pashkëve.Kremtohej kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet që rrëfehen nga Ungjilli, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna.

Më pas u shtua edhe një ditë tjerë, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëne dhe e marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjèruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha të Pashkëve.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave të shenjta. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën e Javës së Madhe të Pashkëve, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën e Pashkëve, në Romë e në vise të tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.Ritet që kremtohen sott ë Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hyjnë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Sot është e Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Me të Dielën e Larit, që kremtuam dje, kemi hyrë në Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve të mundimeve, kryqëzimit me vdekje mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.Pra, dje, në rrëfimin e historisë së hyrjes së Jezusit në Jerusalem, për të plotësuar veprën e Tij shëlbimpruese, jehonin ende britmat e turmës e të fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin e shenjtë, pyesnin banorët e Jerusalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”.

Ai kishte sy të butë, që të hynin deri në zemër. Depërtonte vështrimi tij në thellësinë e shpirtrave, që prisnin zbulesën, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta, kahmot pa përgjigje.

Shikimi i tij depërtonte në ditët që do të vinin së shpejti, kur “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”. E u thoshte krerëve plot mllef të popullit, që s’mund t’i duronin më brohoritjet, se po t’i detyronin fëmijët të heshtnin, do të këlthisnin gurët e sokakëve!.

Po sot është një ditë e re. Jezusi e kaloi natën jashtë qytetit të Jerusalemit, drejt Betanisë, larg kurtheve. I mbështjellë me mantel, shtrirë poshtë një peme, kundron ndërmjet degëve hënën, që s’është ende e plotë.

Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit të shëlbimit? Edhe katër ditë e Qengji i Hyjit, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret, e pavetëdijshme e që dielli e ka përgatitur në vitet e amshuara. Pas pak, në një kopsht tjetër, do të derdhë lot e gjak, i pushtuar nga angështia e vdekjes, e mijëra sfilitjeve, e mëkateve të botës…

E tani ka një shpresë të vetme: “O Atë, largoma nga buza e gojës këtë kelk!”. Për Ty s’ka asgjë të pamundur!”. Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë e orientim tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë  me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdëve, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për Ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ ka gjë të pamundur! Ti mund ta fashitësh edhe zemrën  time. E kështu unë do të përsëris në amshim, i lëshuar megjithsejt në dorën tënde: “Atë. U bëftë vullneti yt, jo imi!”.

Po sot është një e re. Tekat e pranverës ngacmojnë erën, që fryn mbi shkretëtirë, duke e mbuluar qiellin me re të ulta, ngarkuar me shi. Njerëzit ikin me vrap nga udhët e strehohen në Tempull. Luten, bëjnë flijime (kurbane), sillen e përsillen në hapësirën vigane, duke shikuar me droje, por edhe me një ndjesi sigurie, krerët që ecin të krekosur e dyshimtarë. E pastaj, në turmë, dëgjohet një zë:

“Si ju duket ju? Një njeri kishte dy djem: duke iu drejtuar të parit, i tha: Bir-o, shko sot e puno në vresht. E ai u përgjigj: ‘Po, zotëri; por nuk shkoi.

Duke iu drejtuar të dytit, i tha të njëjtën gjë. E ai u përgjigj: ’S’po jam në terezi; por mbrapa, i penduar, shkoi.

Kush nga këta të dy e çoi në vend vullnetin e të atit?”.

I thanë: “Ky i fundit”.

E Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë po ju them: publikanët e gratë e përdala do të kalojnë para jush në mbretëri të Hyjit”.

Njerëzit dëgjojnë e shikojnë, të çakërdisur, si zbehen fytyrat e krerëve, ndërsa ndjejnë në shpirt shpërthimin e një ujërave të ylbertë me premtime, një paqe të panjohur, dhuratë e një lirie të re, e cila s’pyet për atë që është në krye, s’pyet për ligjin, nuk pyet cilit popull a tradite i përket, nuk pyet për fjalë, por për vepra shenjte. I jep vlerë të re pendimit, pranimit të përvujtë të gabimeve e dëshirës për të ndërruar rrugë. E kush nga ne nuk është sadopak publikan, njeri që flijon ndershmërinë për përfitime materiale, për para të rrëmbyera; që shkel drejtësinë, i shtyrë nga etja për pasuri e s’pyet fare për urinë e shumicës, pa shpresë për të nesërmen? Kush nuk e shiti sadopak, si gratë e përdala, dinjitetin e vet për favore, për privilegje, për vlerësime, për pushtet?

Turma është gjithnjë aty; e heshtur, e fyer, e penduar, por edhe plot me shpresa: nuk arrin dot ta dallojë fundin e kësaj ndeshjeje misterioze e pa mëshirë. Por zëri vijon e thotë: “Guri i lënë mbanësh nga ndërtuesit, u kthye në gurë themeli”.

Tani e dinë të gjithë: krerët e popullit tashmë e kanë dënuar. Ai nuk ka më vend në këtë ndërtesë e duhet lënë mbanësh, duhet flakur jashtë me turp. Duan ta kapin, por druhen. I ngrenë kurthe. E pyesin, prandaj: “A lejohet, a jo, t’i paguhen të dhjetat Qesarit? Pushtuesit të kombit tonë, zotërisë së botës? Ne duhet t’i japim, apo jo?”. Sa dëshirë do të kishin të përgjigjej ‘jo’, për ta paditur pastaj tek romakët! Por sa dëshironin edhe të thoshte ‘po’, që  njerëzit të mos i besonin më, të mos e ndiqnin më, të mos e mbronin më! Por ai diti t’i ndajë përgjegjësitë e qiellit nga ato të tokës. E shikoi, i lirë, duke pritur orën në të cilën, në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor, do të ngadhënjejë mbi furinë e terrinave!

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas.….(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: e Javës së Madhe, historia, të Pashkëve

HISTORIA-Familja Mrnaçaj, mes Kelmendit dhe Amerikës

January 4, 2017 by dgreca

3-proklamata

HISTORI E RRALLË SHQIPTARO-AMERIKANE: FAMILJA KELMENDASE, MES DIKTATURËS SHQIPTARE DHE DEMOKRACISË AMERIKANE/

4-mrija

*  Familja Mrnaçaj, mes Kelmendit dhe Amerikës, përballja me Diktaturën komuniste…/

1-ok-marashi

* Arrestimi i Nikollë Mrnaçaj,arratisja e familjes Mrnaçaj në ish Jugosllavi me dy pleqtë 90 vjeçarë, dy fëmijët 9 muajësh e 3 vjeç, me bagëti e mushka./

8-i-gezuar-mes-nipave-e-mbesave

* Historia e Nënë Mrikës, që mori shtetësinë amerikanë në moshën 111 vjeçare dhe arrestimi i dytë i Nikollë Mrnaçajt në Savër të Lushnjës./

6-marash-i-egzuar

* Vdekja e Nikollës me 20 Janar 1989 pas 20 vjetë burg, e 20 vjetë internim, protestat në Amerikë, vdekja misterioze me 22 Janar 1990 e Nik Mrnaçajt, nderimi i përvitshëm i Heroit në Ditën e Lirisë Shqiptare në Nju Jork./

5-dalipi-interviste

NGA DALIP GRECA/

2-happy-birthday

90 VJETORI I LINDJES SE MARASH MRNAÇAJ, SI SHKAS/

Të Dielën, me 18 Dhjetor 2016, tek shtrohej me bujari “Sofra e Kelmendit” në Eastwood Manor, në Bronks,NY, organizatorët kelmendas kishin përgatitë një surprizë për të parin e familjes Mrnaçaj, Marashin: Një Tortë për 90 vjetorin e Lindjes. U emocionua Marashi, Mrija, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat, dhe e gjithë familja e madhe Mrnaçaj,që si çdo vit ishin pjesë e Sofrës kelmendase, plotë këngë epike e valle të traditës. Të Mërkurën e 21 dhjetorit, në Zuppa Restaurant në Yonkers, u mblodh familja e madhe dhe miqtë, të gjithë së bashku e festuan 90 vjetorin e lindjes së tij….

…Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)… Kur, më mirë se tani që përjeton 90 vjetorin e lindjes, më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….

…Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka  të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….

Trokas në memorien e  këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e  jetës së tij…

Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….

– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…

Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e  ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…

Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e  forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.

–   Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur  forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.

Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë….

13-pjetri-marku

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:

– Kam një fjalë me ty, Nikollë!

Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?

– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….

– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.

Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…

…Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.

– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.

– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

12-aleksi

“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.

Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.

Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.

Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!

Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.

Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati  90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!

Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi.

Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…

E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….

Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.

-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…

Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim.  Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.

Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.

UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.

– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë  grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua  biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?

-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.

-Sa larg e ke kufirin?

– Një orë,- i është përgjigj Marashi.

– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…

– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….

Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…

Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…

Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.

HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS

Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg  prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.

Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.

DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ

Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkëudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.

Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.

Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…

Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.

Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha  i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….

 

Filed Under: Featured Tagged With: -Familja Mrnaçaj, dalip greca, dhe Amerikës, historia, mes Kelmendit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT