• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISTAQ TURTULLI SJELL”ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE” NE SOFREN E DIELLIT

November 23, 2014 by dgreca

Poemë nga Kristaq Turtulli/
I-
Orë të pagjuma janë vëlla, orët e zemrave të emigrantëve,
me shtigje të panjohura mbijetese.
Shpërndarë kudo në hapësirë, në skaje të ndryshme ku ka filiza jete;
Pranë cepave të holluara prej konsumimit të përditshëm, të lektisur të yjeve,
Në përleshjet e harruara me dema, pa spektatore,
me dritë hije të mekura të toreadorëve.
Në bishtat e përflakura prej sarkazmave artistike të kometave,
Në mesin e monopateve, ku mezi dallohen gjurmët e përrenjve,
si shpirtra të humbura xhunglave,
Ku zogjtë dhe kafshët janë hibride të eksperimenteve.
Rruginat e ngushta gjarpërojnë nëpër shpatet dhe skërkat e maleve,
Shqiponjat ikën, nuk kanë më fole, ngaqë ka shumë zvarranikë.
Në kthinat e pista dergjet etja, dehja, orgjia dhe kurvëria është mizantropie,
Në rrudhat e thella me mbarsje paradoksale të autostradave,
Në krahët e ndehur të lodhura të ëndrrave të purpurte fëmijëve,
Të gjoksit seksual të qiellit të dytë.
Me tik-take të pandërprera dhe të malluara,
Atje gjenden zemrat e vagëlluara të emigrantëve
Vëlla im i lodhur. Atje….
II
Vëlla, a nuk të ngjan sikur të mërguarit prej nevojës për një lot vese,
të vjetër dhe të rinj, thonë, nuk dinë ç’kërkojnë,
Le të flenë në krahët e një ure.
Le të ëndërrojnë mbi shtëllungën e një reje.
Mbasi shumë gjëra kanë ndryshuar, nuk janë si më parë.
Përsipër është hedhur pëlhura e ronitur e qetësisë.
Telat me gjemba u prenë,
Të tjerë tela najloni, janë vënë në hisen e buzëqeshjes së parë.
Por ti mos beso, të gjitha të vërtetat janë të rreme,
Dhe gënjeshtrat shiten si salsiçe në kryqëzimin e një autostrade.
Vajzat gjoks dhe kërthizëzbuluar vallëzojnë dhe bëjnë paradë mode,
Dhe pleqtë ashikë shqyejnë sytë dhe hedhin dollarët në erë.
III
Janë holluar vëlla, bërë pesë ujë e një oriz dashuritë.
Të sinqertët çapiten ngadalë dhe mbajnë në shpinë një thes me halle.
Rrufetë grinden, kolliten herë pas here, kanë marrë të ftohtë.
Diku më tej përplasen orgji, kurvëri, mendësi, pasione.
Autostradat janë me shumë krosi, por që mblidhen në një dalje.
IV
Shalli i vjetër i ylberit është bërë garniturë,
Për mezenë e zakonshme së kohës së pathënë.
Ngjyrat e mrekullueshme
Iu shitën nën dorë qiellit të parë, me çerek çmimi, në tregun e zi.
Në muajt e vështira, të çmendura të pranverës së trishtë.
Fjala e dëlirë u mbars shpejt ngaqë ish e virgjër, por mbeti shtatanike.
E vendosën në tavolinën e parlamentit për ti bërë ekzaminime,
U krijuan të tjera parti, grupime, komisione dhe nënkomisione
Më në fund e futën me nxitim në mesnatë, në kornizë të metaltë,
U përfol se nuk kish kohë, se ish dimër dhe se binte shumë dëborë.
V
Shamia e hallemadhes nënës tonë, si gjithnjë strehë e përhershme,
Mall ish për ne, ëndërr e ëmbël dhe qetësie,
Por shumë shpejt u përcëllua shamia,
u përzhit, u dogj prej flakëve të marrëzisë,
Lëmsheve të zjarrta,
Nga indiferenca e viteve dhe heshtja.
Zjarrfikësit ishin dehur dhe bënin gjumë të thellë…
VI
Përgjatë gërmuqes së grindur të fillimit të shekullit njëzet e një,
Qielli i dytë shkundte shpatullat me bezdi,
Ai nuk dëgjon rrahjet të dëshiruara,
Të orëve zemra të mërguarve.
Që drithërohen për një lule gjithë aromë pranvere mëmëdhe,
Fjalë të çiltër zemre, premtim të fortë bese malësie dhe miqësie.
Për ujë të freskët burimi të kulluar që rrjedh nga shpati,
Për një serenatë të ëmbël dashurie.
Për zërat melodioze të bilbilave, kanarinave në mes të një pylli,
Për erë të ngrohtë fushe dhe erë të freskët mali.
VII
U tha vëlla, u bë trokë fjala parë e fillimit të një poeme.
Nën peshën e krizave ekonomike dhe çmendurive,
Nën epshin e pangopur të politikave dhe prostitutave.
Nuk mund të shkundët lehtë impakti i shurdhërive.
Është ronitur rripi i lëkurtë i brezit prej stërmundimit dhe përçapjeve,
Shtrëngohet çdo ditë, shpohet nga një brimë, deri kur më…
Tendosur qëndron midis dy brigjeve ura lëvizëse,
Poshtë dergjen shkëmbinjtë e thikta të një gremine.
Nën meloditë e vjetra, të stërthëna të urës së Qabesë dhe të Moresë.
Sërish është e nevojshme të krijohet një këngë e re, një himn, një perlë!
Mos vallë poetët flenë gjumë?!
Apo nuk kanë bojë të shkruajnë, as letër dhe penë.
VIII
Vëlla i dëgjon, ngarejnë të paduruara naivitete dhe pasione të zvargura.
I sheh, në erë fluturojnë kartolina të zverdhëlluara dhe letra të pashkruara.
Ndërsa në humnerë, në ujërat e turbullta ku zbardhin eshtra dhe kokalla,
Bën tualetin e ballos së zakonshme shtriga.
IX
Vëlla, Orët e Zemrave të mërguarve.
Dita ditës, dalë ngadalë po tkurren prej largësive,
Po marrin të ftohur, po rrudhen, fishken prej lëmsheve kozmikë
Dhe prej vrapit të pandalshëm të viteve.
Qielli i parë që është diku matanë
Po i humbet forca magnetike.
Nuk ka kohë dhe dëshirë tu kushtohet të ikurve,
Rend pas mendimeve shkencore dhe problemeve të mëdha,
Si të qëndrojë në këmbë një vezë pate.
X
Vëlla, kometa flakëruese e ardhur nga larg, qëlloi si shigjetë
Mushkërinë e sëmurë të botës.
U drodh kozmosi prej klithmave dhe rënkimeve.
Ditët e mugëta shkrofëtijnë, mezi mbushen me frymë.
Plagët lëpijnë si kafshë prehistorike.
Në litarët e gjakut e të djersës ngjiten xhuxhmaxhuxhë.
Nuk shpërndajnë më lodra për fëmijë,
Por kakaroçë.
XI
Vesa mëngjesore nuk ka më reflekse
Ku të lindë një puthje virgjërie.
Është bërë bronztë.
Nëpër katakombet e nëndheshme bëhet kacafytje,
Janë shtuar gjarpërinjtë dhe minjtë.
XII
Pyjet e lashta flakën tutje me nënvleftësim kostumin e blertë.
Gjelbërimi është tashmë i dalë mode.
Prej dritave fosforeshente.
Degët pikojnë lëng limoni, portokalli dhe reze kançeroze.
XIII
U marros Ylli i mëngjesit pas vajzës koketë së Arushës,
Në çantën e shpinës ngjyrë portokalli, gjithë ngutje,
Vendosi në të linjtat e reja, iniciale, shpata, tehe, germa kineze
Dhe kozmetikën më të fundit plastike.
Dragonjtë kartonë aziatikë zgërdhihen prapa perdes.
Marrëzitë dhe dashuritë bajate janë pjesë e lojës…
XIV
U lodh hëna së kurdisuri me çelësin e vjetër fate, ngjarje
Dhe lindjen e mesme,
Është në grevën ekonomike të urisë,
Këmbëngul me kokëfortësi, s’do të dëgjojë të kurdisë orët e reja të zemrave,
Me lakuriqësi të zbehtë shket në errësirë.
Në heshtje Yjet kovaçë po farkëtojnë një hënë të re.
XV
Vëlla, Ditari i viteve të prapme,
Nisi të shkruhet prej një dore skelektike,
jo me pendë pate por me kërcell gjethe vjeshte.
Gjithashtu gdhendet me gishtërinj dëbore
Dhe u falet si lëmoshë të verbërve dhe të paditurve.
Orët zemra e të mërguarve.
Trokëllijnë pa ndërprerje
Me tik- take të malluara
Si tim- tamet në mes të zjarrit të indianëve.
Në gjoksin e qiellit të dytë,
Dielli me përtaci fshin sytë
Vesh benevrekët e irnosura dhe shkon të flejë…

XVI
Vëlla, shallet, fustanet e çngjyrosura të nënave
Nuk janë më krahë të rrëgjuara ndërmjetëse,
Shtigje shprese, malli, përdëllim e dritë.
Statuja të palëvizura heshtjeje,
Të vetmet nyje lidhëse midis dy qiejve.
Në pritje të një fjale dhe të një përshëndetjeje…
Frymët e ngrohta u ftohen prej erërave të rrugëve,
u bënë akull si dhe vizionet e papara të ëndrrave.
Por kandilat e zemër plagosurat Nëna po shuhen një nga një.
Po ashtu priten litarët e urave lidhëse…
XVII
O Zot vëlla, ka shumë erë, sa shumë!
Përplasen dyer dhe dritare.
Rrapet e vjetra po shemben përdhe.
Nuk kanë kohë nënat e gjora të lënë ndonjë shenjë të lotuar lamtumire.
Qielli është i rëndë dhe atyre u lanë mpirë gishtërinjtë, s’mund të shkruajnë.

Filed Under: Featured Tagged With: "ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE", KRISTAQ TURTULLI SJELL, ne sofren e Diellit

NE SOFREN E DIELLIT, NEKI LULAJ

November 12, 2014 by dgreca

Neki Lulaj/ Gjermani/
TITËRRIMË VARGJESH/
(Poetit Ali Podrimja)/
Si trill poetik na erdhe në kujtesën e mbrame/
Në amëshimin e dhimbjes ku stërkalat rrokullisen/
Vetëtimë e mbushur plot elipse si gjëmimet në Alpe/
Titërron rrokje në ditën që vjen me sinorë befasie/

Lajmi këput më dysh për ty frymëmarrjen në gjoks/
Jetën e fillove si uragan e arratinë more si meteor/
Si t’i lidh sonte litarët e ngërçet plot nyje që nyjojnë/
teksa pisha thërmohet e thyhet në Çabratin shekullor/

Zemra u plagos mbi Ulpanë, në Prishtinë e Dardani
Eshkë e ndezur Lumi në shtratin e Lumit si vërshim deti
Dremit në qetësi hyjnore ky erudit e perlë në poezi
Aliu ynë modern që zanoret e heshtja dhimbshëm i treti

E ai në Rilindje gjen qetësi ku qielli në Torzo fluturonte
Ashti dardan mishëruar në credo zemrat nuk gjetën qetësi
Në mes të fletëve të bardha ku zemra vullkan përlotej
Të ndrydhura në një gjoks atdhetar në sirtarin e ri

Lumi tri dekada rrodhi në vetmi e në pikëpjekjen e papritur
Me poetin e vargut modern bashkë u shua etja për jetë
U takuan me mallin e djegur në përjetësinë yjembushur
Dhe bënë një kullë të re kujtese , një monumet

ATJE

Kohë e ndrydhur nga pagjumësia
Mbi vekun e legjendave
Ninullë e vjetër në qoshe të odës
Rrotull sillen bandillat në kopshtia
E fjala thur qilimin e kohës

Degët gjysëm lakuriq
Luhatin zogjtë gushëkuq
Jo, nuk dinë t’i ndalin cicërrimat
Puthin buzët e tokës ku korret grurë
E eshtrave iu japin gjallëri
Teksa gërhet thellë në lëndinat

Në gjumin e parë të ditës
Era pehat në lugun e ngrohtë
Endërrat në shtratin e drurit
E mashtrojnë paq fund në kohën

Buzët e hënës puthin vetullën e lumit
Në shtratin e valës përkunden zanat
Mbi urën që i ndan dy brigje
Hingëllimat e kuajve dëgjohen nëpër shpat
Duke i varur stërkëmbthin kohës ditë dhe natë

GOZHDËT SHKULI

Mbi gozhdat e shekullit varen 100 vjet mëvehtësi
Tremijë vjet shtet heshtjes ia kreh kaçurrelat
Kombit merr shtëllunga mjegulle në qiell pa kaltërsi
Në male këputen dhe rilindin gjethet te dega

Nëpër shkretëtirat e kohës ecim mbi kalldremin e jetës
E plandosën Krishtin e gjakuan vunë në një kryq gjaku
Mbi trup kamzhik i skuqur gozhdat kurrë nuk u prekën
Vrushkujt rridhnin drurin që nuk e breu teja tek pragu

Lisat e zgjimit nuk digjen e të gjatë e pat durimin
Sa të thellë e kishte shikimin tek muret pjestonin heshtjen
Nga vringëllimat në mes të çarave të kohës vinte lëngimi
Shtetrrethim tremijëvjeçar armiqtë vinin në prag të një dere

GJUM I MËRGUAR

Tërë natën bëra sehir se dikush gjumin ma vodhi
Ajo që po gërhin në dhomën time tejmatanë murit jetim
Recepcionieri dremiste gjumëtrembur në një qoshe
Nata ishte zhytur në një oqean që nuk ia dije thellësinë

E shlodhja ditore rrinte si në një kënetë e përgjumur
Mbi shavarin e jetës më shihte mua mbi tavolinën e vjetër
Dy bërryla si qiri të ndezur në katër këndet e Atdheut
Shëtit shungullima e natës si shtrëngatë në moçalin e nxirë

Stuhi e papërgjumur prek livadhe dhe kroje kristalore
Sonte kujtoi pikëpjekjen e shfletoj kalendarin e vjetër
Ndrydh heshtjen e s’di ta pikturoj fytyrën engjëllore
Ta shkruaj emrin në një shkëmb e në kapakun e zemrës

Kanjusha ime e bardhë mos je lejlek zemre
Në cilën rrasë guri të gdhenda fytyra e bukur
Lotin mbi faqe prush dhe ëmbëlsi e njelmët
Plot margaritarë me vlerë si dielli rrezepurpur

Loti i kripur m’i shëroi plagët e shekullit barbar
Melhem për varr është e vellon do ta blejmë bashkë
Në Vlorë shtizon flamuri për dasmën e madhe
Do e stolisim nëntorin e kuq dhe të bardhë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren e Diellit, neki Lulaj, Titerrime vargjesh

I FTUAR NE SOFREN E DIELLIT-ROLAND GJOZA

August 25, 2014 by dgreca

Roland Gjoza/
NE VENDIN TIM NUK KA TE VARFER/
ne vendin tim nuk ka te varfer/
malli i ka marre shqiptaret per nje arne/
per nje fete buke me marmalate/
po s’ka/
te gjithe pijne uiski me akull/
xhin irlandez, rum xhamajke/
e kane lene rakine me shije katundare/
mishi piqet ne hell, peshku ne grille/
dhe buke s’hahet fare/
se eshte e turpshme te hash buke te zeze/
ne vila rrojne/
te gjithe vila kane/
makina te shtrenjta gjermane
dhe kafenete si atje si gjen ne asnje vend tjeter
rrojne te lumtur ne vendin tim
aq sa nje pendim me ze e me gerryen
pse ika dhe e lashe ne ditet e keqija
kur demokracia po pillte nje foshnje te vdekur
po foshnja u ngjall
u be i shendetshem
ka per te gjithe
per te gjithe ka!
s’ka te papune ne vendin tim
per papunesine i ka zene malli shqiptaret
duan te vine ne amerike
po ne shqiperi milioner behesh brenda dites
se aladini llampen magjike aty e humbi
e gjeten kusaret
deshira e pare ishte te kthehen
te ikurit si une
ne atdhe balta eshte me e embel se mjalta
keshtu kendon cajupi
dhe ka para me thase
do? merr! ka per te gjithe!
s’di c’te besh me pare me parate
kane vendosur te ndihmojne ameriken
ne vendin tim nuk vdes
e po kjo s’durohet
ne amerike vdesin perdite
ne amerike nuk rrohet!
kthehuni, o plangprishes
te madhe po e bejme zemren per ju
vec pa nje dru nuk do te shpetoni
na e keni prure ne maje te hundes
se mos na e beni shqiperine si ameriken
mjere ju
po i patet keto mend
ne hu do t’ju ngulim, ne hu!
dhe prej baltes si mjalte s’do t’ju japim te ngjeroni as nje pike
kthehuni o plangprishes, skllever te amerikes
te fitoni lirine!
NE NJU JORK NUK SHOH SHUME SI TY
ne nju jork nuk shoh shume si ty
por rralle, shume rralle, has ashtu humbshem
floket e tu te shkurter bionde
me krela ala merilin monro
te vihem pas
si ne vitet e hershem
po rruga eshte e shkurter, oh, sa e shkurter
nga starbaksi te makina jote ngjyre krem

ajo te pret fillikat te gejsi
dhe ti je fillikat
nje fanepsje si nje reklame
galaxy tete
po
ne nje reklame je shnderruar
shkelqen bujshem mbi nju jork
ngre koken
dhe te shoh
ah, sa me trondit e me dhemb pamja jote
s’je vetem imja, po e te gjitheve je
imja ishe, vetem imja, ne ato kohe

per here te pare me ty behem kaq xheloz
s’te kam me
ne nje skute intime te ruajta me shume mall
tani duhet te te nxjerr
mallkimi rente mbi galaxy tete

me shume te dua
dhe keshtu te humbur
sa budalla qe jam
i kendoj nje vajze tetembedhjetevjecare
ndersa kane kaluar dyzete e pese vjet.
OQEANI ATLANTIK ESHTE NE MUAJIN E DASHURISE
oqeani atlantik eshte ne muajin e dashurise
dhe hena ka nje purpur prej turpit
rri ne breg dhe veshtroj kopjen e yjeve ne uje
tmerresisht i vetmuar
ti s’erdhe te shikonim meduzat
kur bashkohen dhe bejne seks ne muzg
kam mbetur me hijen time
lexoj volterin ironikun e madh
po dashuria do dashuri
nje vere vallezoi me mua biondinka ruse
kercimin e kish epsh trulloses
po dhe finese e kish
volter, ti me ngushellon me perbuzjen per femrat
po une jam poet dhe femren e dua
jam gati t’i puth gjurmen e kembes
dhe ne gjurme t’i derdh vere te kuqe
aty te gjunjezohem dhe te ve buzet
s’ka gje se me la per nje tjeter
qofte fati i tij
per mua nje tjeter biondinke ruse
do te hape qepallat te me fuse brenda
bashke me volterin qe do te na qeshe
po ku i dihet, mund dhe te ktheje mendje
pastaj gjoksin do ta cjerre
te me nxjerre dy gjinjte e medhenj
gojen do te ma hape plot epsh
qe une brenda te fuse gjuhen
me vargjet mjalte te eseninit
shagane, shpirti im, shagane
me bekofte perendia, i bekofte dhe femrat ruse
packa se do te na talle volteri

TANI DHE QIRINJTE
tani dhe qirinjte s’me bejne pune
dhe vera s’me deh si me pare
llafazan dhe qesharak s’me ben si dikur
kur isha i bukur
jam forma e fundit e rolandit
shoh maskat qe mbeten udheve
i lashe pas
forma e formave ende s’eshte shfaqur
kur lilaku blu te ngjyhet me muzg
dhe vajza e re te shterngoje gjinjte
dhe te flere me duart mes kofsheve
duke shternguar me dhembe kujtimin e saj
si luani kelyshin
do te ve dhe masken e fundit
formen e formave
qofsha buze oqeanit
te kapem pas bishtit te nje pulebardhe
dhe te jap frymen ne ajer
midis dy bluve

TE KAM DASHUR
te kam dashur dhe kur ishe semure
me nje luge caji te fusja ne goje ilacin e hidhur
dhe me nje tjeter mjaltin
te kam dashur dhe kur me mua u ftohe
ta beja qejfin me dhurata te cmuara qe s’mi cmoje
te desha dhe kur me le pas dore
pothuaj me harrove
vargjet e mia s’te benin me pershtypje
une vazhdoja te kisha instinktin e qenit
per te zotin
te kam dashur dhe kur s’te kisha
dhe ne endrra te kam dashur kur me tradhtoje
te kam dashur pa e kuptuar
se poetet vetem duan
dhe prej se bukures kurre s’mund te ftohen.

PERMBYS U SHTRIVE
permbys u shtrive dhe me s’u ndjeve
floket te kullonin uje ne fund te shpines
te shkonin poshte qe fundin te lepinin
floket e zinj me shume muzgje brenda
henen s’e linin te dilte
me shputa e mbaje detin te mos vinte
forma te perkryera si rrafshulta dhe kodrineza
vija nazike te dukshme dhe te fshehura
gjeometri e mishit me rrathe dhe trekendesha qe shperbeheshin te vrimat
kaq shume ngjitur e kaq shume fshehur pergjysme
shenja epshi qe ulerijne dhe mashkullin ne kembe e bejne te gjunjezohet
asgje nuk vlen me teper se nje permbysje
mbi ate permbysje qe pret se mbari te kthehet
te jape te gjitha hiret dhe gjeometria e mishit prej seksit serish te ribehet.
TI DEL PREJ FOTOGRAFIVE
ti del prej fotografive
kjo eshte e dhimbshme
te ngul nje thike ne zemer
ti del prej fotografive bardh e zi
dhe me zhyt ne kujtime
me te shtrenjtat gjera ishin nje bilete kinemaje
kur ndalohej hyrja nen 16 vjec
se filmi ishte me dashuri
dhe nje zup te flora
une me feshfeshe
ti me fustan terital me pala dhe nje fjongo qe te zgjidhej
po sa i tmerrshem qenka kujtimi bardh e zi
ne kete bote me ngjyra
virgjerine ta cvirgjerojne gratacielat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, ne sofren e Diellit, roland Gjoza

MOTRES ÇAME-Neki Lulaj NE SOFREN E DIELLIT

July 24, 2014 by dgreca

Motrës sime çame/
Neki LULAJ?
Larg, o larg, të kam o motër
Të prek zgjuar e në gjumë
Preka shtigje mbarë botës
Por si ti nuk gjeta kurrë.
Muza kurrë s’më le të qetë
Kur e shoh se si po vuan
Larg prej trojesh larg-o mbete
Larg prej vatrës së bekuar
Si ta prek malin dhe zjarri
Që më bëhet pus pa ujë
Fyti thahet si gur zalli
Përt ty motër, zemërprush
Ti më je zemër plagosur
Palcë guri e patharë
Mbi një shekull e brengosur
Për ty qielli derdhi lotët varg.
Do të puth në buzë e faqe
Të prek duart shqiptarisht
Do të mbjell ca manushaqe
Përmbi shpirtin tënd fisnik
E do mbyll dyert lakmie
në folenë që të ngre hasmi
nga një shkëmb me fluturime
Vjen për ty kjo fjalë stërralli
Do të lidhim besë të fortë
Fjalë pas fjale si vullkan
Çamërisë atje në Jon
Do t’i ndezim prapë zjarr.
Nëpër trojet me gërmadha
Në themele kaq të fortë
Shpresa jonë do marrë flatra
E flamuri do valojë.

Masakra e Paramithisë
Në Kllogjer ndjej sërish zgjim kllapie
Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë
Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat
Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis

Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve
E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve
thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje
Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.

Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore
Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie
Me mokër shpirtërash dënesnin kodra, male, hone
Një lot hëne binte mbi troje Çamërie

Valë e lot shkërmoq plisin dhe shkëmbin e rreptë
Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë
As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë
Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.

Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve
Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë
Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame
Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë

Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie
Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri
Atje do të shfletojnë palë të dhimbshme historie.
Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.

Malli

Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\
Trastat e tagjisë varen në gozhdën e vjetër
Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.
Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.

Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë
Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë
Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar
kam mall për plisin që mbillet në maj.

Mes zgalave të murit rri trasta e grisur
Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë
Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.
Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.

Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.
Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.
Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.
Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.

Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.
Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.
Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.
Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.

Kush bën mur

Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur
Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim
Struken nën ombrellën e trupit të njollosur
Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.

Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit
E hapen portat e kohës si bedena me zë briri
Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj
Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.

Stinica gjarpëron si gjaku në damarë
Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen
Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .
Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.

Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë
E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.
As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.
Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.

Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese
Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri në Prekaz.
Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje
Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e deri në Tivar.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Motres Came, ne sofren e Diellit, neki Lulaj

NE SOFREN E DIELLIT, QAZIM SHEHU

April 9, 2014 by dgreca

NGJYRAT

Nga Qazim Shehu

Konturet e kujtesës vijëzojnë me shkumës,

Errësirën që rri njenjës ,kurrë shumës,

Errësirën që vjedh ngjyrat e prapë na i jep,

E mëshirshme ndaj nesh, vjen koha i vjedh,

I kall në gji të saj ,sikur s`qenë,

Dhe ulemi ,për të thurim një poemë,

Ku grimcat e saj frushullojnë gjithë lakmi,

Të kapin ngjyrat e vjedhura me dredhi,

Të kuqen, të bardhën, vjollcën,

Duke na shpotitur për sa u lodhëm…

 

KËRKOJ NJË RRUGË

S`kërkoj të gjejnë rrugën tek unë,

Këtë rrugë e mbaj sekret,

Vetëm me veten kam punë,

Më duhet rrugë, për tu bërë shenjt.

Ca rrugë që më dalin përpara,

Në trarë besimi mbi një ndërtesë,

Ku rëndom strehohet fjala,

Varkë mes dallgës së pabesë.

Ca rrugë që mirë i shoh,

sa u afrohem, ngatërrohen,

Nga ngasjet që më lodhin,

Nga syri që verbohet,

Prej rrugëve të tjera me tepri,

Jashtë kodeve të stisura morale,

Të ec me ta e ndjej stuhinë,

Ndëshkimet fatale.

Jashtë tyre s`mund të ec,

I ndjej rrugët sekrete brenda vetes,

Si rrezja në tela ngec,

Në tymin e mpirë të brengës.

Xhevahiret që do nisja karvan,

Në këto rrugë të fshehta,

Brenda vetes po shpërndajnë,

Copra yjesh të vdekura…

SHOH

Shoh shpesh një qiell pa yje,

Që ia dha një qielli më lart,

Nëntë qiejt e parajsës mbi krye,

Qielli ynë i mban me inat.

Dhe i duhet yjet të mërgojë,

Të verbërve ua jep për sy,

Nëntë qiej të parajsës joshin

Ai i mban mbi shpinë me mërzi…

 

LULE E PAFAJSHME

një lule të pafajshme

larg aromës, flirtit,

mund ta shihje në formë të ngjashme,

në thatësi të shpirtit.

Ajo vetëm emrin e lules mba,

Asgjë tjetër me të s`përkon,

Gjersa shpirti të dënesë pa pra,

Të lëshojë mbi të shpresë për aromë..

 

KËSHTJELLË E DITËS

 

Dita hollohet, trashet shpesh,

Dita, kjo manovratore e madhe,

E thurur me zbrazëti midis nesh,

E mbushur dëng me përralla.

Nëpër shkallët e grafikut të saj,

Ngjitem të kap ndonjë marri,

Duke sulmuar kështjellën  fallso,

Ku asnjë kështjellar nuk rri.

 

SYRI MAGJIK

 

Ne mbyllim një portë dhe na duket

Se pas saj nuk ka njeri.

Syrin magjik ,ciklop fshehur në blind,

E vemë për siguri.

 

S`ka qenë kështu.Kështu u bë,

Ciklopin thirrëm nga lashtësia,

Gjersa të dalë nga blindi dhe të na shohë,

Për të na përzënë nga shtëpia…

 

PA LEJEN E LASGUSHIT

 

Pa lejen e Lasgushit mora mjaft aromë,

Nga vargjet e tij.Ai vetë ia mori tokës,

Liqenit dhe barit të njomë,

Trëndafilit të syrit të palodhur.

Toka të gjitha i dha për mua,

Lasgushi m`i mori i pari,

Tani e ndjek poetin e dënuar,

Të japë aroma me trill të marri.

YLLI I VETMIMIT

U pamë, u ndamë ,

Bënim të iknim, s`iknim.

Si ylli që s`fik një yll,

Diçka të fiknim kishim harruar,

Yllin që ndez vetmimin e dashuruar.

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren e Diellit, Ngjyrat, Qazim Shehu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT