Për më shumë se 90 minuta, ka zgjatur takimi midis Ministrit tw Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ambasadorit tw Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Edhe në këtë takim kokë më kokë, mësohet se një ndër pikat kryesore që është diskutuar është ajo e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilën qeveria shqiptare është duke hedhur hapat e fundit për ngritjen e saj. Por ndërkaq, po për këtë çështje, një ekspert i FBI-së prej disa kohësh gjendet në Tiranë. Burime bëjnë të ditur se Ambasada Amerikane ka treguar vendosmërinë për ta çuar para projektin e mazhorancës, që u bllokua me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në pranverën e këtij viti. Veç ambasadorit Lu dhe ministrit Tahiri, të pranishëm në takim ishin dhe ekspertë amerikanë, si edhe Drejtori për Krimin e Organizuar në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa. Por ajo çka mësohet nga burime pranë palëve, është fakti se drafti për Byronë, që do të hetojë korrupsionin është drejt finalizimit.