• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thirrjet e dëshpëruara të shqiptarëve që po shuhen në detin sllav

November 30, 2016 by dgreca

Para 70 e ca vjetësh Ernest Koliqi i madh, hapi shkollat shqipe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri. Fotografitë e kohës janë emocionuese: qindra nxënës shqiptarë me qeleshe në kokë e rroba të pastra kombëtare rrinë gatitu para flamurit kombëtar, ose mësojnë më përkushtim në klasat e tyre. Askush nuk ia ngriti një përmendore dhe nuk e kujtoi për këtë vepër madhore Koliqin, askush nuk e vazhdoi punën e tij…/gani-mehmetaj1-300x294Nga Gani MEHMETAJ/Avokatin Velija Muriq e takuam në qendër të qytetit të Rozhajës, ditën e manifestimit përkujtimor “Ora e maleve” më 26 nëntor 2016. Me kafen e drekës na rrëfeu historinë e përpjekjeve për të dëshmuar krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës me 18 prill 1999, kur ushtarët serbo-malazezë vranë mizorisht 22 civilë në katundin Husaj. Mbi dhjetë vjet avokati Muriq  mblodhi shënime, fakte, dëshmi, të cilat i paraqiti në gjyqet malazeze, por kriminelët nuk u dënuan, gjyqësia nuk e pranoi krimin, lënda u kthye në fillim. Avokati së bashku më të birin, që jeton në Vjenë, xhiroi edhe filmin dokumentar për këtë ngjarje tragjike me shpenzime të familjes. E dha edhe RTK-ja. Ndihma nga organet zyrtare të Kosovës nuk mori, nuk pati as mbështetje morale.
-Kur ishte Nekibe Kelmendi ministre e drejtësisë pati mirëkuptim, më vonë zyrtarët heshtën- rrëfen ai i dëshpëruar. Avokati Muriq, pinjoll i fisit të Kelmendit (gjaku nuk bëhet ujë, kjo ishte shtytje që të përballet më aq shumë peripeci, na tha), ende nuk heq dorë nga synimi që t’i nxjerrë para drejtësisë ushtarakët kriminelë. 
Në kujtim të shqiptarëve të vrarë, në Rozhajë, tetët vjet radhazi organizohet nga intelektuali Ali Daci takimi përkujtimor “Ora e maleve”, ku vijnë personalitete e shkrimtarë nga të gjitha territoret etnike. Ata e rifreskojnë kujtesën, sepse pjesa jo e vogël e kësaj popullate dikur puro shqiptare, kanë nis ta harrojnë gjuhën shqipe dhe të kaluarën. Rozhajasit me 1999, u ndihmuan refugjatëve të sistemohen, bashkëjetuan me vuajtjet e tyre, sepse ishin të një kombi, poetët e qytetit u kushtuan balada të dhimbshme që të emocionojnë kur i dëgjon. Atë mbrëmje u lexuan poezi, por u bënë edhe biseda për pozitën e shqiptarëve në territoret etnike. 
Pjesë e madhe e shqiptarëve nga presioni janë regjistruar boshnjak. Disa më vështirësi e flasin shqipen, ndërsa nuk harrojnë të ta thonë se babai e nëna e tyre dinin vetëm shqip. Të pikëlluar rrëfejnë se si fëmijët e tyre nuk dinë shqip. Sllavishtja është futur nëpër shtëpi, shkolla, çerdhe, zyre, treg, kafene. Shqip flasin vetëm kur u vinë mysafirë-të afërm nga Kosova e Shqipëria, shqip flasin vetëm më ndonjë të moshuar. 
Kur nisin të ta qajnë hallin heton se kohë të gjatë i lamë në harresë, nuk u morëm me ta, i braktisëm. Ata mbeten jetimë. I lamë të sllavizohen,nuk i mbështetem, nuk i ndihmuam të hapnim shkolla e çerdhe në gjuhën shqipe, nuk u dërguam libra, nuk ua afruam mundësinë e ndjekjes së televizioneve shqiptare. Bujaria e solidariteti kombëtar na mungoi tërësisht. Asnjëherë nuk u treguam të gatshëm t’i trajtojmë pjesë të trungut tonë të shkëputur. Asnjëherë nuk e bëmë një fond të veçantë që t’i shkëpusim nga ndikimi kulturor e gjuhësor sllavë. 
Zyrtarët e Kosovës e të Shqipërisë janë treguar shpërfillës deri në cinizëm. Nuk u dhembi koka për shqiptarët e Rozhajës, e të Malit të Zi, përgjithësisht, nuk u interesoi pozita e shqiptarëve në Peshterë e Pazarin e Ri që janë nën okupimin e Serbisë. Pa i vizituar banorët e këtyre territoreve nuk e ndjenë tragjedinë e shuarjes së shqiptarëve të okupuar. Peshterin e Pazarin e Ri e kam vizituar para tridhjetë vjetësh, kur dhuna ishte e madhe, po edhe rezistenca e të vjetërve të mos asimiloheshin nuk mungonte. Sot kjo rezistencë është në shuarje e sipër. “Me sllav nuk na lidh asgja, po bahemi si ata”, më fliste dikur i pikëlluar një malësorë nga Shkreli. Ai nuk pajtohej që vajza a djali i tij të martoheshin më boshnjakë, por e dinte që kjo gjë do të ndodhte. Shprishja e shkombëtarizimi ishte “e ardhmja” e tyre… 
Para 70 e ca vjetësh Ernest Koliqi i madh, hapi shkollat shqipe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri. Fotografitë e kohës janë emocionuese: qindra nxënës shqiptarë me qeleshe në kokë e rroba të pastra kombëtare rrinë gatitu para flamurit kombëtar, ose mësojnë më përkushtim në klasat e tyre. Askush nuk ia ngriti një përmendore dhe nuk e kujtoi për këtë vepër madhore, askush nuk e thotë se punën e tij nuk e vazhduan, përkundrazi e rrënuam. Brezi i vjetër i kujtonte më mall kur isha i ri shkollat e Koliqit, ashtu sikurse e kujtonin Shqipërinë Etnike. “Ma të forta ishin shkollat fillore të Shqipnisë Etnike së sa shkollat e mesme sot”, ta thoshte i sigurt secili që kishte mësuar në ato shkolla, këtë ma thoshte gati çdo ditë babai im. Vullnetarët e Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë e mbrojtën më gjak Shqipërinë Etnike e shkollat shqipe, duke iu kundërvënë forcave çetnike që bënë masakra të frikshme në këto zona. Rrëfimet e babait tim, vullnetar dukagjini, që sa nuk e la kokën në kufijtë e atdheut diku mbi Peshterë i kujtoj me emocione. Popullatën e pambrojtur e shpëtuan nga gjenocidi forcat nacionaliste-balliste, por kur u futën brigadat serbo-malazeze, të ndihmuara nga partizanët shqiptarë, mori fund Shqipëria Etnike, nisi gjenocidi. Ushtria serbo-malazeze vrau si kurrë më parë shqiptarë etnik, mbyllën të gjitha shkollat shqipe nga Rozhaja deri në Pazar të Ri, dëbuan më shumë së gjysmën e popullatës, ndërsa ata që mbetën i detyruan të regjistroheshin boshnjak. Heshtja e shqiptarëve të nëpërkëmbur vazhdoi mbi 60 vjet. 
Vjetëve të fundit, kur nisi të forcohet faktori shqiptarë në Gadishull, ata që dikur fshiheshin prapa zhguallit “boshnjakë” a “myslimanë” kanë nis ta thonë herë më gjysmë zëri, herë më mburrje se të parët e tyre janë shqiptarë, të fisit të Kelmendit. Ata duan t’u kthehen rrënjëve, duan që fëmijët e tyre të mos harrojnë çka ishin. Por kush do t’i ndihmojë? Ftesat e shqiptarëve të rizgjuar në territoret etnike janë gjithnjë e më të zëshme. Ndonjëherë shndërrohen në klithma. Nga Pazari i Ri vijnë thirrje të vazhdueshme për ndihmë, për mbështetje morale e materiale. Një thirrje të tillë për rrënjët ilire e bëri edhe hoxha Zukorliq, hoxha më i njohur e më kontraverz i Sanxhakut. Janë lodhur nga terrori, dhuna serbe, diskriminimi e përbuzja. Ata që nuk ikën kah sytë këmbët, nuk kanë shkolla fillore, nuk kanë shkolla të mesme në gjuhën shqipe. Ata po shuhen… 
Sikur të kishim institucione shtetërore për së mbari shqiptarëve në Rozhaje e rrethe, atyre në Peshterë e harkun e madh të Pazarit të Ri, do të duhej me urgjencë t’u ndihmojmë në hapjen e shkollave fillore e të mesme në gjuhën shqipe, të angazhohemi që të kenë fakultete private a shtetërore. Njëkohësisht duhet të bëjmë programe konkrete që t’u jepet mundësia të studiojnë në Prishtinë, të hapin qendra kulturore, çerdhe fëmijësh e vend takime. Ata janë aq të etshëm për gjëra të tilla. 
Shqiptarët e territoreve etnike në pesëmbëdhjetë vjeteshin e fundit kanë bërë thirrje të vazhdueshme, duke e vënë në pah se janë bijtë e kelmendasve të famshëm. Dhuna e madhe një herë nga turku i detyroi të ndërrojnë fe, pastaj okupuesi serbo-malazezë i detyroi të ndryshojnë gjuhë, duke ua ndaluar shqipen në rrugë e në vende publike. Në shtëpi e flisnin dhe e flasin më frikë. Përgjumja e tyre mund të shërohet, por përgjumja e tyre mund të kalojë në koma, kur s’ka kthim prapa dhe do t’i humbim mbi 40.0000 shqiptarë në Sanxhak me Pazarin e Ri epiqendër, Mijëra të tjerë janë nga Rozhaja në Berane. Në fakt Sanxhaku ishte i tëri shqiptarë më pak boshnjakë- muhaxhirë të ardhur nga Bosnja. 
Ndërkaq, në Malësi më popullatën shqiptarë katolike gjendja është më ndryshe, megjithëse atje është i madh presioni dhe shpërngulja në SHBA. Ulqinin e katundet e tjera po i godet krimbi i islamizimit agresiv, i financuar nga shtetet arabe e të mbështetura nga Podgorica. 
Në Rozhajë e Pazar të Ri fondet islamike me agresivitet po përpiqej t’i shkëpusin nga rizgjimi kombëtar, duke i bërë mish për top në luftërat e Sirisë e të Irakut. Ne po vonohemi, kurse islamikët po nxitojnë, ata kanë hapur shkolla, madje edh Fakultetin Islamik në Pazar të Ri, ndërkaq, sa herë na e kanë kërkuar qe ne të hapim fakultete laike. 
I rikujtoja këto fakte të dhimbshme, ndërsa e dëgjoja thirrjen e vajzës së re nga Pazari i Ri. Ajo e kërkonte Shqipërinë Etnike, atë të arsimimit e të barazisë së kohës së Ernest Koliqit, sepse sikurse e thanë edhe të tjerët vetëm atëherë do t’i realizonin të gjitha të drejtat e nëpërkëmbura 70 vjet. Thirrja emocionuese e vajzës nga Pazarit i Ri, i përloti shumicën. Ajo kërkonte t’u kthehej rrënjëve. Ajo vetëm sa s’qante, ndërsa zëri i dridhej. Emocionohej edhe më shumë, sepse emocionet e veta nuk dinte t’i thoshte shqip, i fliste sllavisht. 
“Athua do të binte prapë kjo thirrje në kadenca të klithjes në vesh të shurdhër?”, ia bëra vetës këtë pyetje, ndërsa të tjerët duartrokitnin të emocionuar vajzën atdhetare. E biseduam gjendjen kritike të shqiptarëve rrugës në të kthyer me mikun e kolegun, Shaban Arifaj, derisa ktheheshim nga tubimi përkujtimor vetë i katërti: Nuhi Vinca e Smajl Smakaj. Mjegulla e dendur e kthesat e forta të rrëpirës nga Dacajt deri në Rranzë të Burimit të Drinit nuk na shpërqendronin nga biseda.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, në detin sllav, që po shuhen, Thirrjet e dëshpëruara të shqiptarëve

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT