• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PLOJA E TIVARIT DHE DREJTËSIA E MUNGUAR E SHQIPËRISË

April 4, 2020 by dgreca

“Çdo krim i pandëshkuar pjell një familje”- Herbert Spenser (1827 – 1903), filozof e sociolog anglez/

Shkruan: Eugjen Merlika-Milano/

            “- Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë! Prej të gjithëve filloi të ndigjohej vetëm kjo fjalë qi kalonte…Kalonte në humnerë…Ato ushtojshin veshët tonë njisoj si ato krismat e nji çekani qi rreh gozhdat e  arkivolit në bregun e vorrit.

  • Prej kah vini ju?
  • Prej Kosove.
  • Tash nji javë dit ecim pa pushim, pa bukë! Kemi kalue gjithato male…male.

Këtu ishte vetëm nji vargan i gjatë, i gjatë, pa mbarim i atyne skeletësh të djelmoçave të rinj kosovarë, qi të rrethuem nga dhuna ecshin drejt kujt…? Ishim në mitologji apo  në realitet? 

Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh më vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vramë të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem më trego: ç’farë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”

Ky episod i marrë nga vepra monumentale e Atë Zef Pllumit “Rrno për me tregue” na fut në mjedisin tragjik të një ngjarjeje historike të llahtarshme, të zhvilluar plot 75 vite më parë në Tivarin shqiptar të ish Jugosllavisë. Është fjala për plojën e Tivarit, një nga bëmat më kriminale të ushtrisë jugosllave me miratimin, në dukje të heshtur, por me bashkëpunimin e hapur të qeverisë komuniste shqiptare. Studjuesi e historiani Uran Butka në veprën e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e Shtetit shqiptar” ka nxjerrë në dritë dokumentë që vërtetojnë plotësisht bashkëpunimin mes brigadave të V e të VI të komanduara nga Gjin Marku dhe Rrahman Parllaku me komisar të përgjithshëm Ramiz Alinë me shtabin e UNJ. Të gjithë të rekrutuarit e të dorëzuarit kosovarë në besën e këtyre reparteve shqiptare, u dorëzuan me një urdhër të prerë e me pak fjalë të Enver Hoxhës: “Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Sërbisë”. Madje ai sjell për vërtetim të tezës së tij mbi përgjegjësinë në krimin e kryer nga repartet malazeze e serbe të udhëheqësve shqiptarë edhe një dokument të ministrisë së Brëndëshme shqiptare, në të cilin shkruhet: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Në fakt dokumenti i shkruajtur më vonë, kur u dënua Koçi Xoxe, harron se n’atë kohë ploje të kosovarëve ministër ishte Haxhi Lleshi, një i njohur i vjetër i serbëve e që më vonë u bë kryetar i shtetit shqiptar, por pranon fatin e vrasjes në tokën shqiptare të 1000 djemve kosovarë.

Pyetja pa përgjigje e Atë Zef Pllumit vazhdon të godasë  si çekiç mbi ndërgjegjet e vrara të shqiptarëve për shtatëdhjetëepesë  vite me rradhë, në të cilat institucionet e krimit, mbasi kishin bërë theror çështjen kombëtare në altarin e internacionalizmit stalinist, do t’i mbanin të fshehura atyre të vërtetat mbi ndodhitë rrënqethëse n’atë trevë të lashtë të truallit shqiptar që ishte Kosova. Kosova, Dardania e lashtë, një nga krahinat më të zhvilluara e më liridashëse të Ilirisë, që kishte shkruar historinë e saj shumë qindvjetorë më parë, kur sllavët ishin ende fise endacake që vërtiteshin stepave pa fund të Eurazisë, u nda prej trungut të Arbërit nga shpata e të Mëdhenjve të Evropës më 1913.

Kosova e Haxhi Zekës dhe Ymer Prizrendit, e Nexhip Dragës dhe Isa Buletinit, e Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, e Hoxhë Kadriut dhe Sulejman Vokshit e sa e sa burrave të tjerë të mënçur, trima e të besës që flijuan në altarin e Kombit shqiptar gjithshka, dijet dhe aftësitë, mundin dhe pasurinë, ëndërrat, idealet e jetët, u gjend përsëri e tradhëtuar në aktin e fundit të tragjedisë së madhe evropjane, kësaj rradhe prej vetë shqiptarëve, a më mirë të themi, nga një pjesë e tyre.

Nëse më 1913 u flijuam si Komb me ndarjen dyshë nga vendime që ishin përmbi fuqitë tona, më 1945 u vetëflijuam n’emër të një ideologjie që provoi katërcipërisht se ishte antikombëtare, antipopullore, regresive, duke pranuar me vullnet të plotë diktatin serb. Kështu Kosova, e bashkuar me Shqipërinë, në pak vite të luftës, nga njerëz që çuditërisht ende sot etiketohen si “tradhëtarë”, ra përsëri nën thundrën serbe. Mijëra kosovarë vriteshin si bagëtitë nën etiketën e “kundërevolucionarëve”, në një kohë kur në Shqipëri deklarohej me pompozitet nga diktatori: ”Pa Jugosllavinë e marshallit Tito Shqipëria nuk mund të jetojë asnjë ditë.” Qindra mijra kosovarë shpërnguleshin me dhunë nga trojet e tyre, por “Dheu Amë” i mbyllur hermetikisht në një sprovë frymëmarrëse, ishte refraktar ndaj gjysmës tjetër të tij. Pa dyshim mund të themi se diktatura e Enver Hoxhës ishte bashkëpuntore në këtë rrënim të gjysmës tjetër të Kombit. Këtë e vërtetojnë, veç të tjerash, dënimet që gjyqet shqiptare jepnin për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me ndarjen e Kosovës, duke marrë nofkat “shovinist” e “shqiptaromadh”, së bashku me dënime të gjata privim lirije e pune të detyruar. Sikur të shkruhej një histori e veçantë e krimeve kontinentale të shekullit të shkuar, mjaft i pasur në të tillë, një kapitull të posaçëm do t’a meritonte krimi komunist në Shqipëri e Kosovë. 

Ne sot përkulemi me nderim para kujtimit të  viktimave të pafajshme të këtyre krimeve, në këtë 75 vjetor të masakrës së Tivarit. Ne sot përkujtojmë katër mijë djelmoça të Kosovës martire, të vrarë pabesisht në lule të moshës nga serbo-malazezët me miratimin e “udhëheqësve” të Shqipërisë së re, katër mijë shami të zeza mbi kryet e nënave kosovare e po aq plagë të hapura mbi trupin e Shqipërisë. Historia na kishte mësuar se plumbat duhej t’i prisnim vetëm nga “bajlozët “ e huaj, por kjo gjysëm qindvjete na tregoi se mund të na i jepnin edhe tonët, e ato ishin më të hidhur mbasi shtiheshin në emër të popullit e të lirisë së tij. Ç’kob për një popull që ishte edukuar të respektonte dhe armikun në shtëpinë e vet, që pabesinë nuk e përdorte as karshi tij. Ç’gjëmë e llahtarëshme për mijra nëna, motra, gra e të fejuara, për mijëra Ajkuna që nuk mundën as të vajtojnë mbi qivurët e bijve, vëllezërve, burrave që toka i mori në gjirin e saj të gjithë bashkë, të zhveshur e të uritur. Nga dolën këta shqiptarë që, pa ju dridhur qerpiku, urdhëruan kasaphana të tilla njerëzore? 

Sot, në sajë të atyre studjuesve të ndershëm që gërmojnë në arkivat ata kanë emrat e mbiemrat e tyre, e për një absurditet logjik e një ironi të hidhur të historisë sonë janë emra e mbiemra “herojsh” të kombit, “udhëheqësish” të tij për gati gjysmë shekulli, figurash që vazhdojnë ende të nderohen në Shqipërinë e shekullit 21. Ata nuk njohën dhënie llogarie për krimet e tyre, madje nuk patën kurrë brejtje ndërgjegjeje, nuk patën një gjyq ndërkombëtar si kriminelët e nazifashizmit, por jetuan edhe një shekull duke mbrojtur pa pushim bëmat e tyre kriminale, madje duke lënë edhe mbas vdekjes “veprat” e tyre të shkruara në historinë mjerane të këtij populli.

Toka Arbërore kishte ruajtur për qindvjetin e njëzetë, mbas Krishtit, të villte gjithë vrerin e grumbulluar në mijëvjeçarë e t’a trupëzonte në krijesa të pagëzuara prej Luciferrit, t’afta vetëm për të mbjellë zi, vdekje, shkatërrim. E kuqja e gjakut qe ngjyra e tyre e preferuar, sikurse drapëri simbol i emblemës së tyre. Një dyshe tjetër më e përsosur, për t’i përfaqësuar, nuk mund të gjindej. Drapëri, i huajtur nga Moska e largët, korrte si kallinjtë e grurit ëndrrat për jetën të shumicës së shqiptarëve e mijëra syresh ju shkurtonte dhe vetë jetën, duke lënë në pikëllim e helm një numur të pafund prindësh, grashë e fëmijësh, që do të rriteshin duke mbajtur në ballë etiketën e “armikut të klasës”.

Sot shpirtërat e atyre viktimave, ashtu si jetët e gjymtuara të familjarëve të tyre, në një kor të përbashkët na dërgojnë një mesazh të fuqishëm e të qartë: “Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të jetë normale nëse bart me vehte krimin e pandëshkuar, asnjëherë dhe askund nuk mund të vihen në të njëjtin rrafsh xhelati dhe viktima.”

“ Duke heshtur mbi vesin, duke e fshehur në trup që të mos duket, ne e mbjellim dhe në t’ardhmen ai do të mbijë i shumzuar për mijë. Duke mos ndëshkuar, duke mos qortuar as dhe të poshtrit, nuk mjaftohemi të mbrojmë pleqërinë e tyre shterpë por brezave të rinj ju heqim nga poshtë çdo themel drejtësie…Të rinjtë mësojnë se një veprim i poshtër nuk ndëshkohet kurrë mbi tokë, përkundrazi sjell gjithmonë mirëqënie.

“Nuk do të jetë mikpritës një vend i tillë, të tremb të jetosh në të.”

Me këto konsiderata të Aleksandër Sollzhenicinit, autorit të ndritur të veprave mbi kasaphanën sovjetike, e cila shërbeu si model imitimi për xhihadistët shqiptarë, që tingëllojnë aktuale edhe në Shqipërinë e sotme, për më tepër kur kujtohen ngjarjet e përbindëshme të tre çerek shekulli më parë besoj se është rasti të ndalemi në një minutë heshtjeje pikëllimi për jetët rinore të djemve kosovarë, të këputura në lulen e moshës, por edhe në dukurinë e kobshme të mungesës së drejtësisë, të pandëshkueshmërisë së çfardo krimi të vërtetë, një gjëndje e pazakontë që po na shoqëron prej  tre çerek shekulli. E ndoshta është rasti përsëri t’i bëjmë  vetes sot po të njëjtën pyetje që i drejtonte Perëndisë Atë Zef Pllumi kur mori lajmin e llahtarshëm të vrasjeve barbare të Tivarit: “O Zot po t’lutem më trego: çfarë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”                         2 Prill 2020               

Filed Under: Histori Tagged With: Ploja e masakres, Tivar

GJUHA SHQIPE, ZYRTARE NË PODGORICË, ULQIN, TIVAR, PLAVË, ROZHAJË DHE TUZ

March 29, 2017 by dgreca

Sipas autoriteteve malazeze gjuha shqipe përveç në Ulqin, Tuz dhe Plavë me ligjin e ri zyrtarizohet tani edhe në Rozhajë, Podgoricë dhe Tivar. Kjo përbën një hap pozitiv në drejtim të avansimit të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi./
Gjuha-shqipe-432x300

Ndryshimi i ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave në Mal të Zi, parashikon zyrtarizimin e gjuhës së pakicave në të gjitha komunat ku ato përbëjnë 5% të popullsisë, raporton Fakte.

Sipas autoriteteve malazeze gjuha shqipe përveç në Ulqin, Tuz dhe Plavë me ligjin e ri zyrtarizohet tani edhe në Rozhajë, Podgoricë dhe Tivar. Kjo përbën një hap të madh në drejtim të avansimit të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në Maqedoni, edhe pas një lufte çlirimtare, Marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese, 15 vite më pas gjuha shqipe nuk po implementohet pothuajse askund, kjo për shkak të paaftësisë dhe korrupcionit në radhët e funksionarëve shqiptarë të BDI-së.

Gjuha shqipe

Filed Under: Komente Tagged With: gjuha shqipe, ne Podgorice, Tivar, Ulqin, zyrtare

Ndërtimi i Katedrales në Tivar : Besimtarët shqiptarë mbledhin 245 mijë dollar në New York

February 14, 2014 by dgreca

Nga Beqir SINA/

BRONX NEW YORK : Edhe pse kaq largët gjeografikisht, besmitarët shqiptarë katolik, në Amerikë, kanë dhënë kontribute të mëdha financiare në ndërtimin e objekteve të tyre të kultit – Kishat dhe Katedralet në vend origjinën e tyre. Është, për t’u vënë në pah se sa të mëdha kan qenë, prej tyre, ndihmat prej se kur ata erdhën në kurbet. Ndihmat, që kan dhënë këta besimtar, të cilët dallohen si fetar dhe patriot, kan zënë një vend të rëndësishëm në blerjen e tokës, projektimin dhe ndërtimin e disa prej Kishave në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Kontributi i besimtarve katolik në Shtetet e Bashkuara në shumë të përgjithëshme është prej disa miliona dollarë. Një kontribut i këtillë, ishte ai që u mbajtë ditën e djelë nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, ku besmitarët e saj – mblodhën çerek milion dollarë – ndihma për të ndërtimit të Katedrales së Tivarit. Një ndihmë, kjo, si premtuan edhe besimtarët, ka për të vazhduar deri në përfundimin e plotë të kësaj Katedrale.

Darka për ngritjen e fondeve të Katerdales së Tivarit, u organizua me datën 9 Shkurt në ora 6:00 të mbrëmjes, në restorantin e njohur ku mblidhen përherë shqiptarët  Eastwood Manor, në Bronx – Nju Jork. Morën pjesë më shumë se 400 shqiptar, kryesisht të besimit katolik,por duhet theksuar se moren pjesë edhe shqiptar të besimeve te tjera fetare, për mbledhjen e fondeve për përfundimin e ndertimit të Katedrales së Tivarit. Edhe kësaj darke për grumbullimin e ndihmave financiare, inisiativa ishte nga Kisha “Zoja e Shkodërs”, me në krye mikëpritësin Dom Pjetër Popaj.

Në këtë darkë te ftuem special ishin argjipeshkvi i Tivarit Monsinjor Zef Gashi, dhe famullitari i kishës së Tuzit pater Pashko Gojçaj. Në këtë darkë ishin të prenishem rreth 400 musafir anëtar të fammullis Zoja e Shkodrës në Hartsdale – Nju Jork.

Përveç famullitarit Dom Pjeter Popaj dhe Dom Viktor Dedaj në këtë darkë ishin të pranishem mysafirët e nderuar nga vend origjina –  Kryeargjipeshkvi i Tivarit Monsinjor Zef Gashi,  famullitari i kishës së Tuzit, pater Pashko Gojçaj, famullitari i Kishës së Durrsit Dom Gjergj Meta, përfaqësuesi i Zonës Zgjedhore 80të në Asemblenë e shtetit të Nju Jorkut në Albany – z.Mark Gjonaj, Kryetarja e Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës” znj. Margarita Gazivoda Koçaj, Kryetari i Qendres “Nënë Tereza” z. Mark Shkreli, Drejtoria e qendrës ndërkombëtare të kultures “Arbnori” – Tiranë – Shqipëri, znj.Floriana Odhise Paskali dhe Art menaxheri I Qendrës ndërkombëtare të kulturës “Arbnori” Tiranë- Shqipëri z. Leonardo Voci.

Udheheqës i darkës ishte Kryetari i Komisionit pregaditor për ndërtimin e Katedrales z. Leonardo Berishaj

Në fillim të fjalës z. Berishaj – ka përshendetur mysafirët e nderuar të përndershmin Monsinjor Zef Gashi, patër Pashko Gojçaj – nikoqirin e kësaj darke Dom Pjeter Popaj, klerikët e nderuar, vëllezerit e motrat, besimtarë, të cilët erdhën për t’u bashkuar në darkën e ngritjes së fondeve për përfundimin e punës në katedralen Shën Pjetri në Tivar – një mbrëmje kjo që ështe e organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës.

“Fillimisht, tha zoti Berishaj në emër të Komisionit të katedrales së Shën Pjetrit dhe në emrin tim personal, përshëndes të gjithë të pranishmit. Përshëndetje dhe falenderim i veçantë për mysafiret tonë – Imzot Zef Gashin dhe patër Pashko Gojçajn. Është privilegj dhe kënaqësi t’ju kemi sonte në mesin tonë. Ju falenderojmë të gjithëve për praninë tuaj, të gjithë donatorët, si dhe sponzorët e kësaj mbrëmje.”

Pas intonimit të dy Hymnve Kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë, darkën e Bekoi ndimhës/famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Viktor Dedaj
Fjalën përshëndetëse, si organizator i kësaj mbrëmje, e mbajti mikëpritësi i darkës së ngritjes së fondeve Dom Pjeter Popaj. Kurse. në emër të Këshillit të Kishes “Zoja e Shkodrës” u është drejtuar Kryetarja e Këshillit znj. Margarita Gazivoda Koçaj. Poashtu të pranishmëve ju është drejtuar me përshëndetje rasti edhe zotëri Mark Shkreli – kryetari i Qendrës Nëna Tereze., asambleisti shqiptar Mark Gjonaj, Famullitari i Kishës se Tuzit Pater Pashko Gojcaj, dhe në fund Imzot Zef Gashi

Në emër të Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës ju drejtua të pranishmëve  Kryetarja e Këshillit znj. Margarita Kocaj.

Udhëheqësi i kësaj darke z Leonard Berishaj, duke prezantur në foltore të flasë në emër të Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës  Kryetaren e Këshillit znj. Margarita Kocaj theksoi se:  “Është kjo aktiviste e shquar e komunitetit tonë, dhe përkrahëse e madhe e Kishës dhe shoqatave humanitare të cilat gravitojnë në SHBA. Përkrahja e saj është e mirëseardhun dhe e çmuar për ne, meqenëse vjen nga një intelektuale e cila pergaditjen universitare e mori ne Pace University ne New York ” tha Berishaj.

Në darkën e organizuar më këtë rast u mblodhen 245 mijë dollar, tha Berishaj dhe ne mënduam të veçojmë disa nga ata që dhanë shuma të konsiderueshme dollaresh në këtë donacion:

-z. Ndoc Zef Simonlacaj $70,000.00

-z Paloke Nike Rudaj $50,000.00

-Familja e Noc Mati Gjonaj $10,000.00

-Leke dhe Pashko Gojcaj $5,000.00

-Rrok Pjeter Zadrima $5,000.00

-Dode Prec Curanaj $5,000.00

-Simon Zef Simonlacaj $5,000.00

 

Sponzoret te cilet kane siguruar çmimet për lotarinë që sonte organizojmë:

 

– Palokë Rudaj (55” TV),
– Luan Isufi (Punim Artistik),
– Ciao Restaurant pronar Zef Gjelaj ( darkë për 4 persona),
– LaChic pronare Leze Curanaj (çertifikate me vlerë $200.00),
– Gjuro Markolaj (1 box verë),
– LaVera Kuzina pronar Tony Raja ( darkë për 4 persona),
– Anton Boga (iPad),
– Lule Gjokaj (çertifikate me vlerë $200.00) dhe
– Tony Palushaj (kamere).

Në këtë darkë një vend të veçantë zunë edhe pjesët argëtuese artistët të cilët ishin në disponimin e Darkës për grumbullimin e fondeve për ndërtimin e Katedrales së Tivarit. Të angazhuar për argëtim ishin : Ansambli muzikor Ceka me këngëtarin Hajro Ceka dhe këngëtari Gëzim Nika. Ndërsa, me disa valle  argëtuan edhe vallëtarët e Grupit Razafati. Një natë më vonë për mysafiret e nderit biznesmeni i njohur i komunitetit shqiptar në New York Dedë Kol-Miri, shtroi një darkë nderi.

Në fund të kësaj darke për ngrtijen e fondeve për ndërtimin e Katedrales së Tivarit, udhëheqësi i Komisionit të fushate në Nju Jork, zoti Leonard Berishaj, i tha gazetës tonë se:” Darka përfundoi me shumë sukses, andaj dëshiroj që në emër të Komisionit organizativ ti falenderoj të gjithë donatorët dhe pjesëmarrësit  që me kontributin dhe angazhimin e tyre, bënë që rezultati të jetë i tillë ku të mblidhen 245 mijë dollarë. Ishte privilegj dhe kënaqësi të bashkëpunoj me te gjithë” u shpreh ai.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: mbledhin $245 mije, Ndertimi i katedrales, shqiptaret ne NY, Tivar

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT