• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi

May 26, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mirëprit sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, i cili vizitoi Kosovën.

Avancimi i agjendës së reformave evropiane, bashkëpunimi institucional në sundimin e ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe sigurisë energjetike, dhe integrimi rajonal ishin çështje me theks të veçantë në këtë takim.

Kryeministri Kurti e njoftoi komisionerin Várhelyi me rezultatet e qeverisjes, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe atë demokratik, arritje këto që në vazhdimësi po evidentohen nga raportet ndërkombëtare, siç bënë së fundmi ai i Bankës Evropian për Ndërtim dhe Zhvillim që parasheh se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitet 2022 dhe 2023, dhe raporti i Freedom House “Vendet në Tranzicion 2023”, në të cilin Kosova sivjet ka marrë vlerësimin më të lartë ndonjëherë për cilësinë e demokracisë.

Komisioneri Várhelyi u shpreh i impresionuar me rezultatet e arritura dhe theksoi se liberalizimi i vizave është si rezultat i luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkë, ata diskutuan për të gjeturat e Raportit të Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kurti ftoi komisionerin evropian edhe për më shumë bashkëpunim, sidomos në reformën në sistemin e drejtësisë, teksa u shpreh falënderues për ndihmën e vazhdueshme financiare të Bashkimit Evropian në shumë fusha, sidomos së fundmi në tejkalimin e krizës energjetike.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe atë të Italisë, Antonello De Riu lansuan Programin EU-Kosovo Home Affairs. Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë tre vjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Filed Under: Emigracion

SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

May 26, 2023 by s p

Xheladin Zeneli/

Foto: Bota Sot

Me 20 Maj 2023 u bë inaugurimi i presidentit të ri të Malit të Zi i dalur nga zgjedhjet e 2 Prillit 2023, ku fitoi kandidati i subjektit “ Evropa tani”, Jakov Millatoviq dhe humbi Millo Gjukanoviq, politikani me jetën më të gjatë politike jo vetëm në vendin e tij por edhe në rajon.Që nga ajo ditë (20 Maj 2023) M.Gjukanoviq për herë të parë në karrierën e tij 35 vjeçare politike, nuk do të mbajnë asnjë funksion politik apo shtetëror.

Lidhur me pushtetin e më shumë se tre dekadave të M.Gjukanoviq-it dhe partisë së tij dhe efektet e këtij pushteti në raport me shqiptarët në Mal të Zi, unë kam shkruar vazhdimisht, shkrime këto të cilat i kam përmbledhur në dy librat e mi autorial, me titull“ Diaspora dhe Vendlindja” (2011)dhe “Shqiptarët në Mal të Zi-Popull i rrezikuar”(2019).

Megjithate, me këtë rast do mundohem të bëj një përmbledhje të ngjarjeve dhe fakteve që dëshmojnë se pse pozita e shqiptarëve në Mal të Zi psoi një degradim të dukshëm gjatë kohës së pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij (PDS-së).

Protestat e Diasporës Shqiptare në Amerikë

Fillimisht ,dëshiroj të bëj një reflektim të shkurtë të së kaluarës ku përfshihen disa aktiviteteve të Diasporës Shqiptare në SHBA , përkatësisht të Diasporës me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi , e cila sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka shpenzuar kohë dhe energji të mëdha në protesta e demonstrata para përfaqësive diplomatike të Malit të Zi ,në Washington DC dhe në New York, ku ka ngritur zërin e saj sa herë që janë cenuar dhe mohuar të drejtat e bashkëkombasve tanë në Mal të Zi nga ana e pushtetit të Millo Gjukanoviqit dhe partisë së tij (PDS-së).

Në kuadër të këtyre altiviteteve, kemi marrë pjesë në seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe kemi lobuar për kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, duke përfshirë të drejtën e përdorimin e simboleve tona kombëtare, të drejtën e themelimit të komunës së Malësisë me qendër në Tuzi, të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në organet e administratës shtetërore, të drejtën e kthimit të pronave (Valdanosit në Ulqin,  Bjeshkëve të Nemuna  në Plavë etj.) Në ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare shqiptare në Mal të Zi, një rol të veçant dhe shumë të rëndësishëm ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish kongresistin me prejardhje  shqiptare, Joseph DioGuardi-n dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Poashtu, gjatë këtyre dy dekadave të fundit ka pasur reagime të shumta të shoqatave dhe organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të  Zi, kundër ligjeve diskriminuese  ndaj shqiptarëve të qeverisë malazeze, kundër politikës asimiluese e shpopuluese  ndaj shqiptarëve etj.

Këtu nuk mund të lihet pa u përmendur protestat e Diasporës Shqiptare të Malësisë në Michigan me rastin e arrestimit, dënimit dhe burgosjes së bashkëvendasëve të tyre në aksionin e njohur famëkeq ‘ Fluturimi i Shqiponjës’ në Malësi, në shtator të vitit 2006, disa muaj pasi që Mali i Zi u shpall shtet i pavarur.

Pra gjithë ky aktivitet me vite të tëra në shërbim të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, është bërë gjatë kohës kur Millo Gjukanoviq ushtronte detyrën e kryeminstrit apo të presidentit dhe kur partia e tij (PDS) udhëhiqte me pushtetin në Mal të Zi.

M. Gjukanoviq, përgjegjës për shpopullimin e trevave shqiptare   

Mendimi im është se Millo Gjukanoviqin duhet gjykuar në bazë të asaj se sa çfarë ka bërë në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi gjatë tre dekadave të fundit dhe jo në bazë të asaj se çfarë ka bërë ai për shtetin e tij në aspektin gjeo-strategjik . Argumentin që unë e kam ndigjuar vite me radhë nga përkrahësit shqiptarë të  Gjukanoviqit është se ai eshtë një ‘politikan pro-përendimor’ i cili ‘shpalli pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësoi vendin e tij në NATO’, etj.

Unë gjithnjë vazhdoj të mendoj se pavarësia e Mali Zi   në vitin 2006, si dhe më pas  anatarësimi i tij në NATO, ishin projekte amerikane , kurse politika e jashtme e këtij shteti në një masë të konsiderueshme vendoset në Washington dhe Bruksel.

Për këtë është i vetëdijshëm secili president apo kryeministër që vjen në pushtet në Mal të Zi.

Është për tu habitur fakti se si votuesit shqiptarë të Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, e kanë mohuar krejtësisht politikën e brendshme të tij, përkëtësisht politikën e tij në raport me pozitën e  shqiptarëve në këte shtet.Derisa M. Gjukanoviq, në njërën anë integroi shtetin e tij në strukturat euro-atlantike, ai në anën tjetër i dezintegroi shqiptarët dhe faktorin e tyre politik dhe është përgjegjësi kryesor  për zbrazjen dhe shpopullimin e vendbanimeve shqitare.

Duhet përmendur edhe ate se  një pjesë e përgjegjësisë për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve si dhe për mos realizimin e shumë kërkesave të tyre legjitime e mbajnë edhe disa parti politike shqiptare që kohë pas kohe për interesa personale, karrieriste apo partiake bënin kualicione qeverisëse, me PDS-në e Gjukanoviqit.

Gjatë më shumë se tre dekada të pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, viset shqiptare vazhduan të mbetën viset më të pazhvilluara ekonomike në Mal të Zi, në rend të parë si rezulltat i mos investimit të atij pushteti por njëherit edhe shkatërrimin e ndërmarrjeve egzistuese të këtyre vendbanimeve. Mu për këtë arsy edhe përqindja më e madhe e numrit të emigruarëve ka rrjedh nga trevat me popullsi shqiptare gjatë këtyre tre dekadave , pra gjatë kohës kur M. Gjukanoviq dhe partia e tij mbanin pushtetin.Emigrimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë dukuri edhe para viteve ‘90-ta, por gjatë tre dekadave të fundit ka arritur përmasa alarmante sa që sot rreth gjysmës së numrit të shqiptarëve në këtë vend, jetojnë  në botën e jashtme.

Nga ky prizëm dhe sipas kësaj vije logjike, këtu duhet të përmendet një paradoks i veçantë që ka të bëj me disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare, pra me ata të cilët vazhdojnë gjithnjë ta përkrahin M. Gjukanoviq-in. Kjo përkrahje u shfaq edhe në rastin e zgjedhjeve të fundit  presidenciale të 2 Prillit 2023 ku disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare bën  thirrje publike që të votohet M. Gjukanoviq në këto zgjedhje.

Paradoksi qëndron në ate se të njëjtit pjesëtarë të Diasporës janë detyruar të largohen nga vendlindja e tyre dhe të emigrojnë në botën e jashtme pas viteve “90-ta e, mu për shkak të politikës së diskriminimit ekonomik por edhe politik, për shkak të mos zhvillimit e mos investimit apo për shkak të papunësisë dhe të pa përspektivës që pushteti i M. Gjukanoviq-it dhe partia e tij (PDS) kanë udhëhequr vite me radhë ndaj vendbanimeve shqiptare.

Shqiptarët në Mal të Zi gjatë pushtetit të Gjukanoviqit, ishin lypsarë i të drejtave të tyre në vendin e vet 

Që nga viti 1990 e deri në vitin 2020, gjatë periudhës kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka udhëhequr me pushtetin në Mal të Zi ( bashkë në koalicion edhe me parti të tjera), shumica e kërkesave e shqiptarëve në Mal të Zi, pra kërkesat që kanë të bëjnë me statusin politik dhe shoqëror të tyre në këtë shtet, nuk kanë hasur asnjëherë në mirëkuptim nga ana e këtij pushteti. Në fakt, kërkesat e shqiptarëve nuk ishin gjë tjetër veçse të drejta legjitime të tyre të garantuara me kushtetutën e dhe me ligjet në fuqi në Mal të Zi. Shpeshëherë këto të drejta janë (keq)përdorur në mënyrë perfide nga Podgorica si karrem për të tërhequr shqiptarët që ata të jenë pjesë e pushtetit  dhe të qeverisjes qendrore.

Të marrim për shembull të drejtën e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në organet e administratës dhe qeverisjes shtetërore,si e drejtë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi,por që çdo herë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare bëhej objekt negocimi i PDS-së me subjekte të caktuara politike shqiptare që pretendonin të ishin pjesë e pushtetit. Pyetja që shtrohet është se pse bëhej marrëveshje për diçka që automatikisht duhet të jetë e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shqiptarëve?!.

Pra, gjatë kohës së qeverisjes së PDS-së, të drejtat legjitime të shqiptarëve kanë qenë gjithëmonë në mëshirën e pushtetit qendror,realizimi i të cilave mvarej nga vullneti politik i tij, duke i kthyer shqiptarët në lypsarë i të drejtave të tyre që iu takojnë.

Shembulli më tipik i kësaj ishte Komuna e Malësisë me ç’rast realizimi i rikthimit të statusit të plotë dhe me të drejta të barabarta të saj me komunat e tjera në Mal të Zi, u refuzua nga pushteti i M. Gjukanoviq-it për 27 vite me radhë, për llogaritjet politike të partisë së tij.

Të drejtat e një populli autokton i cili jeton në trojet e veta stërgjyshore, siç janë pra shqiptarët në Mal të Zi, nuk do të duheshin asnjëherë të jenë pjesë e diskursit politik  por të drejta të garantuara ligjore dhe kushtetuese.Përveç kësaj,Mali i Zi ka nënshkruar shumë marrëveshje e konventa ndërkombëtare të cilat garantojnë dhe sigurojnë të drejtat e popujvë pakicë ku bëjnë pjesë shqiptarët.

Millo Gjukanoviq, ishte personifikim i korrupcionit ekonomik dhe politik

Kur  përkrahet një politikan si M. Gjukanoviq, atëherë përkrahet një politikan mbi të cilin rëndojnë shumë akuza për korrupcion.Sipas burimeve të shumta të mediumeve të pavaruara dhe organizatave jo qeveritare ndërkombëtare që merren me aktivitetet e liderëve politik, kanë raportuar vazhdimisht për krimin e organizuar,për korrupcionin politik dhe ekonomik që e ka përcjellë dhe e ka karakterizuar Malin e Zi gjatë gjithë kohës që me pushtetin e tij ka udhëhequr M. Gjukanoviq.Në vitin 1915 M.Gjukanoviq u shpall “Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP(Orginized Crime and Corruption Reporting Project),një organizatë e njohur e cila merret me hetimin dhe zbulimin e korrupcionit të udhëheqësve qeveritar në vendet e ndryshme të botës.Revista britanike “Indepedent” e datës 19 Maj 2010 e vendosi Millo Gjukanoviq-in në një ndër 20 liderët më të pasur botëror, me vlerë prej 10 milion funta ku shfaq dyshime lidhur me prejardhjen e pasurisë së tij,duke pasur parasysh se si kryeministër qeverie,ai kishte pagën prej 1300- 1700 euro dhe ishte pushtetar i një ndër shteteve më të varfëra në rajon. Kurse sipas revistës “Forbes”,familja e Millo Gjukanoviq është një ndër familjet më të pasura në Mal të Zi me vlerë prej $167 milion dollarë ,por për pasurinë e vertetë të tij nuk egzistojnë të dhëna transparente. Një ndër mënyrat e pasurimit të Millo Gjukanoviq-it ka qenë edhe përmes shfrytëzimit të konfliktit të interesit, keqpërdorimit të pozitës (pozitave) të tia udhëheqëse shtetërore ,përmes korrupcionit, përmes pastrimit të parave etj.

Si përfundim,

Mali i Zi tani ka presidentin e ri dhe pas zgjedhjeve parlematare të muajit të ardhshëm do të këte edhe kryeministrin e ri.

Por pa marrë parasysh se kush është president si dhe kush do të jetë kryeministër i ri, aspiratat dhe sfidat e shqiptarëve në Mal të Zi për më shumë të drejta dhe për një status më të avancuar shoqëror dhe politik, do të vazhdojnë të jenë temë edhe në të ardhmen.

Është për keqardhje që në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 Qershor 2023 faktori politik shqiptar garon i ndarë, pjesa më e madhe e tyre dalin me dy lista zgjedhore, kurse një parti tjetër politike shqiptare garon në kualicion parazgjedhor me PDS-në. 

Derisa faktori dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdojnë të jenë të përçarë, 

derisa mungon një unitet, kohezion dhe angaxhim i përbashkët i tyre në shërbim të interesit të përgjithëshëm, e që është përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, shqetësohem dhe brengosem se ashtu si gjatë pushtetit 30-vjeçarë të M. Gjukanoviq-it ,ata do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë lypsarë  i të drejtave të tyre në vendin e vet.

Xheladin Zeneli

Maj 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: xheladin Zeneli

I fundit…

May 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shqipëria, si shtet, u krijua pas luftërave ballkanike. Më parë ishte shtruar për 5 shekuj. Deri, edhe sulltanë kishte pasur. Dihet, se për daljen nga diktatura komuniste, vendi ishte i fundit në Evropën lindore, si ai që nuk merr pjesë fare në garē. Por i fundit doli vendi edhe nga perandoria osmane, duke u qeverisur me “hoxhë, shehë” e pasardhës. Kjo tregon se me popullin luhet e manipulohet, ose mbahet në errësirë e propagandë. Më përpara kishte vetëm një kanal televiziv; sot ka shumë, por në një orkestër. Big Brother VIP dhe emisione të tjera janë “fshat pomjetkin”, mur fasade për të mbuluar të vërtetën. Nuk ka shpjegim tjetër.

Pas luftës ballkanike, Austro-Hungaria, në veçanti, ishte mbështetësi kryesor në krijimin e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj aktualë. Situata në terren kishte bërë që forcat serbe dhe malazeze të pushtonin pjesë të Ballkanit Perëndimor, duke marrë pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kjo përfshinte vijën bregdetare të Adriatikut dhe qytetin e rëndësishëm të Shkodrës. Traktati i Londrës vendosi kufijtë dhe Serbia u kërcënua të tërhiqej nga territoret e sapomarra.

Vendosmëria e Austro-Hungarisë ishte për të penguar Serbinë nga sigurimi i një daljeje në detin Adriatik. Nën sloganin (e shteteve të rajonit), “gadishulli ballkanik për popujt ballkanikë”, Austro-Hungaria gjeti një parim që mund të përdorej kundër kërkesave serbe. Ajo mbajti qëndrimin se shqiptarët janë një popull ballkanik krejtësisht i ndryshëm nga sllavët dhe grekët:

“Do të ishte po aq vetëvrasëse të vendosësh ndonjë nga shqiptarët nën sllavët, sa të ktheje ndonjë nga sllavët nën turqit. Shqipëria duhet të jetë një shtet autonom; që të mund të jetojë në paqe, duhet të ketë bregun e saj të paprekur”.

Ky pozicion u përkrah edhe nga Italia, e cila kishte interesa po aq të rëndësishme:

“Asnjë shtet nuk mund të lejojë që tjetri të zotërojë bregun lindor të Adriatikut; dhe të dy janë të vendosur që nuk do të bjerë në zotërimin e një fuqie tjetër ndoshta të fortë”.

Ky qëndrim astro-hungarez e italian ngjallën indinjatën e fortë të serbëve, ushtritë e të cilëve, në kundërshtim me ndalimet e shprehura të Austro-Hungarisë, kishin pushtuar Durrësin në Adriatik dhe Shqipërinë veriore.

Për të shprehur mendimin e saj se Shkodra duhet të jetë shqiptare, Austro-Hungaria ra dakord që qytetet shqiptare të Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës t’u shkonin serbëve. Luftanijet e të gjitha fuqive, përveç Rusisë (e cila nuk kishte asnjë në Mesdhe) u përfshinë në bllokadë. Më 15 prill, për shkak të presionit dhe marrëdhënieve të acaruara që kishin lindur midis Serbisë dhe Bullgarisë, trupat serbe u tërhoqën nga Durrësi. Malazezët këmbëngulën të vetëm dhe u tërhoqën nga Shkodra një javë më vonë, më 22 prill 1913. Pas Dy ditësh, qeveria austro-hungareze kërkoi që fuqitë të ndërmerrnin veprime për të vënë në zotërim të Shqipërisë së pavarur edhe Shkodrën. Reagimi më i madh mbizotëroi në të gjithë Rusinë. Në shumë qytete të mëdha u mbajtën demonstrata kundër politikës austro-hungareze. Austro-Hungaria filloi të mobilizohej, ashtu edhe Italia, dhe i dërguan një ultimatum Malit të Zi – “tërhiqu nga bregu ose pushtohu”. Mali i Zi u tërhoq dhe Shqipëria mori kufirin e saj të njohur nga traktati i Londrës, që u tregua ende shumë bujar ndaj Serbisë në baza etnike, por edhe shumë në favor të Shqipërisë për sa i përket fuqisë së saj ushtarake inekzistente.

Jo shumë kohë më parë, Italia ishte mundur nga Etiopianët. Siç u tregua në Luftën e Dytë Botërore, një Itali fashiste më e industrializuar dhe e gatshme për luftë mund të zmbrapsej edhe nga Ballkani. Por Italia ishte shumë e vendosur për të qenë një “fuqi e madhe” dhe shkuarja pas Astro-Hungarisë ishte rendi i ditës. Me fjalë të tjera, nëse Austro-Hungaria nuk do të kishte ndërhyrë, kishte shumë të ngjarë që pothuajse e gjithë Shqipëria do të ishte vënë nën sundimin serb për pjesën më të mirë të shekullit të 20-të, megjithëse jo shumë e sigurt për stabilitetin e këtij konstruki. Harta ishte shumë e përafërt me kufijtë shqiptarë në kufijtë etnikë të epokës osmane.

Duhet shtuar se në gazetat evropiane në atë kohë kishte shumë interes humanitar për fatin e myslimanëve në duart serbe. I gjithë ai interes u zbeh sapo Austria dhe Italia siguruan bregun strategjik.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

“Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”

May 26, 2023 by s p

Akademia e Studimeve Albanologjike/

Doli nga shtypi “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” e ribotuar. Ky edicion paraqitet me një dizajn tërësisht të ri dhe me lidhje të fortë. Kolana me katër vëllime është nga veprat më të rëndësishme që ka nxjerrë vitet e fundit Akademia e Studimeve Albanologjike dhe konkretisht Instituti i Historisë. Është kurorëzim i një pune gati 10-vjeçare dhe reflekton rezultatet e studimeve të reja shkencore që janë kryer tri dekadat e fundit. Aty pasqyrohen pikëpamjet alternative që ekzistojnë lidhur me shumë çështje historike të debatueshme. Synim kryesor ka qenë hulumtimi më në thellësi i arkivave shqiptare e të huaja për çështje të veçanta, për rishqyrtimin e shumë tezave historiografike ose thellimin e argumentimin e mëtejshëm të tyre.

Kjo kolanë sjell disa teza dhe pikëpamje historiografike konkurruese në raport me botimet e mëparshme, të cilat pasqyrojnë një përpjekje të autorëve për një rikonceptim shkencor të historisë së kësaj periudhe.

Filed Under: Kulture

Tri goditjet kundër arsimit në Kosovë

May 26, 2023 by s p

Bajram Mjeku/

Arsimi në Kosovë i ka patur rënie-ngritjet e tij, por tri goditjet e rënda që i ka pësuar në gjysmëshekullin e fundit, kërkojnë kohë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për t’i rikuperuar.

Goditjen e parë, arsimi në Kosovë e përjetoi menjëherë mbas demonstratave të pranverës së vitit 1981, kur mësimdhënësit shqiptarë përjetuan goditje në dy segmente; presionin politik të kohës nga regjimi serb dhe pagat e jodinjitetshme. Që nga kjo kohë, nuk ishte joshëse të ishe mësimdhënës, përkundër idealizmit të madh që mësimdhënësi shqiptar e përdori për mbijetesë edhe për disa vite tjera.

Goditjen e dytë, arsimi në Kosovë e përjetoi mbas rënies së autonomisë së Kosovës, kur regjimi serb mbylli me dhunë institucionet arsimore, si dhe të gjitha institucionet tjera. Mijëra nxënës e studentë shqiptarë u detyruan që procesin mësimor të ndjekin në shtëpitë-shkolla, më saktë në bodrumet e shtëpive private. Rreth njëzetedy mijë mësimdhënës shqiptarë mbetën nën mëshirën e fatit me të ashtuquajturat paga, të cilat në fakt nuk ishin as ndihma sociale. Nxënësit dhe studentët shqiptarë, përveç mungesës së hapësirave për mbarëvajtje normale të procesit mësimor, u përballën edhe me dhunën e regjimit policor serb, pastaj me shumë mungesa elementare të mjeteve për konkretizim, si dhe të shumë mungesave tjera, vargu i të cilave del të jetë i gjatë.

Goditjen e tretë, arsimi shqip në Kosovë e pësoi kur ndodhi licencimi pa asnjë kriter i dhjetëra të ashtuquajturve kolegje, si dhe “decentralizimi” i Universitetit të Prishtinës gjithandej Kosovës.

Përgjegjësit e arsimit në situatat më vendimtare, heshtën përballë presionit të madh të eksperimentimit të arsimit në Kosovë edhe nga faktori i huaj. Familjet shqiptare, të vetëdijshme se arsimi mbeti nën mëshirën e kohës, provuan t’i gjejnë dy rrugë; t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit për studime dhe kështu vepruan familjet që kishin mirëqenie ekonomike, derisa familjet tjera investuan në kolegjet private, duke “harruar” se si do të përfundonte kjo odiseadë.

Ishin përgjegjësit e arsimit që i vunë kazmën segmentit më të rëndësishëm, prandaj jemi këtu ku jemi, prandaj kemi marrë ikën për në Evropë. Nuk ka si të ndodh ndryshe, derisa një popull i paarsimuar veç punëtorëve të krahut, nuk ka çfarë të jap tjetër…

Foto: Enver Bylykbashi.

Filed Under: Komente Tagged With: Bajram Mjeku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1855
  • 1856
  • 1857
  • 1858
  • 1859
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT