• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIMBOLIZMI

February 8, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli  

Krijimi artistik mund të jetë i kapshëm vetëm nga rrethi i zgjedhur dhe elitar i njohësve, arti ndërkaq nuk mund t’i shërbejë asnjë qëllimi politik, shoqëror apo moral. Asgjë nuk është më e bukur se ajo që nuk ekziston.

(parnasistët)

Nocioni simbolizëm ka domethënie të shumëfishtë – filozofik, linguistik, artistik, letrar. Si shkollë dhe si drejtim letrar, simbolizmi paraqitet duke filluar nga viti 1880, ndonëse tendencat simboliste shfaqen që në romantizëm, madje edhe më herët. Si në teori, ashtu edhe në praktikë, simbolizmi paraqet kryesisht negacion të realizmit dhe të natyralizmit. Simptomat e para të rëndësishme “të revolucionit letrar” manifestohen në shkrimet teorike dhe në poezinë e të ashtuquajturve “dekadentë”. 

Fjalën “dekadent” e përdori i pari poeti dhe romancieri francez Teofil Gotje (Théophile Gautier, 1811-1872) lidhur me poezinë e poetit dhe kritikut francez Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867). Gotje ishte edhe tregimtar, kritik letrar, arti dhe muzike. Me përmbledhjen poetike “Smalt dhe gur të çmuar” (Émaux et Camées, 1852-72) dhe me shqyrtimet kritike të mëhershme u bë përfaqësues dhe teoricien i larpurpartizmit (l’art pour l’art – art për art). 

Por, për kundërshtarët e risisë në poezi, kjo fjalë u bë sinonim i negatives. Për ta përqeshur rrymën e re në letërsi, gazetari francez Zhorzh dë Labryer (George de Labruyère, 1856-1920), më 22 shtator 1885 botoi në gazetën “Le Figaro” epigramin: Dekadenti: “Bir i modernistit / Nip i idealistit / Djalë vëllai i parnasistëve / Në njëfarë mënyre, kopil i realistëve / Dhe djalë motre i brezit të dymbëdhjetë i romantikut plak”. 

Letërsia e re e cila shprehte “senzualitet shqetësues”, “pikëllim të thellë” u manifestua sidomos te grupi i tubuar rreth poetit francez me prejardhje greke Zhan Moreas (emri i vërtetë Ioannis Papadiamontopoulos, Athinë, 1856 – Saint-Mandé/Paris, 1910). Ky erdhi në Paris në vitin 1875 për të studiuar drejtësinë. I frekuentonte kafenetë dhe qarqet letrare të Lagjes Latine (Quartier Latin). Shpejt u imponua si një prej udhëheqësve të simbolistëve. Përpos Moreasit, në këtë grup bënin pjesë edhe poeti francez Rene Zhil (René François Ghilbert, i njohur si René Ghil, 1862-1925) i cili ishte bashkëpunëtor më i madh i lëvizjes simboliste në Francë dhe  nxënës i Stefan Malarmesë (Stéphane Mallarmé, 1842-1898); poeti dhe romancieri francez Anri dë Renjie (Henri François Joseph de Régnier, 1864-1936); poeti amerikan i cili shkruante në gjuhën frënge, e që i përkiste shkollës së simbolizmit – Stjuart Merill (Stuart Fitzrandolph Merrill, Hempstead/Nju-Jork, 1863 – Versajë/Francë, 1915) etj. 

Moreasi botoi dy manifeste: më 1885 në revistën “XIXe” dhe më 1886 në shtojcën letrare të gazetës “Le Figaro”. Në to i paraqiti parimet e estetikës të simbolizmit. Në vitin 1886 themeloi revistën “Le symboliste”.  

Shënim: në vitet ’20 të shekullit XX në grupin e simbolistëve bënin pjesë edhe poeti dhe eseisti francez Pol Valeri (Paul Ambroise Toussaint Valéry, 1871-1945), romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez, laureat i çmimit “Nobel” (1947) Andre Zhid (André Gide) etj.

Letërsia e re u manifestua edhe në revistën e gazetarit dhe shkrimtarit francez Anatol Bazhy (Adrien Joseph Bajut, i njohur si Anatole Baju, 1861-1903) “Dekadenti artistik dhe letrar” (Décadent artistique et littéraire). 

Në mënyrën e jetesës, në idetë për botën dhe artin të heroit De Esent të romancierit dhe kritikut francez Zhoris-Karl Hyismans (Joris-Karl Huysmans, 1848-1907) vërehet fryma dekadente e një kohe. Ky dhe bashkëmendimtarët shpirtërorë të tij shfaqnin edhe ide të filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) si dhe konceptet e kompozitorit, dirigjentit, teoricienit të muzikës dhe eseistit gjerman Rihard Vagner (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) mbi artin. 

Dekadentët krijuan një klimë shpirtërore të re dhe ia përgatitën rrugën simbolizmit. Por grupi i të ashtuquajturve poètes maudits (poetë të nëmur): poeti dhe kritiku francez Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), poeti dhe eseisti francez Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896), poeti francez Artyr Rembo (Arthur Jean Nicolas Rimaud, 1854-1891), poeti francez Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898), me pikëpamjet e tyre teorike-letrare, me manifeste dhe me poezi i paraqitën premisat thelbësore të simbolizmit: 

Bodleri – teorinë e sinestezisë, analogjisë universale, të ngërthyer në poezinë “Korespondenca” (Correspondances) në të cilën kërkon nga artisti që nëpërmjet vargjeve të zgjidhë enigmën e “pyllit të simboleve”, të zbulojë analogjitë e thella nëpërmjet cilave mund të shprehet më së miri thelbi i njerëzve dhe i sendeve. Autori i “Luleve të së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857) tregoi po ashtu se sa poezia i ka borxh muzikës dhe paralajmëroi “romanin vagnerian” në prozë.

Verleni me poezinë-manifest “Arti poetik” (L’Art poétique) tregoi sesi muzika dhe fjala bashkohen në tingull të ngjyrosur, por i cili ende shfaq një vezullim emocional të thellë, kuptimi i të cilit mund të ndjehet dhe logjikisht të perceptohet. 

Remboja shkoi më larg: ishte për alogjizëm, për “shfrenim të shqisave”, për “alkiminë e fjalëve” e cila do të krijojë “botë të reja dhe lule të reja”. Por, teorinë parashikuese të tij  (voyant) do ta anticipojë në radhë të parë surrealizmi. Për këtë arsye, shumë më vonë ajo do të lëvdohet, të vlerësohet dhe do të mbiçmohet shumë. 

Malarmeja, duke i kontrastuar figurat poetike sipas parimeve të kontrapunktit, u përpoq që fjalën ta shndërrojë në “figurë plastike, në shprehje të ndonjë mendimi, në dridhmë të ndonjë ndjenje dhe në simbol të ndonjë filozofie”. Malarmeja ngulte këmbë sidomos për rëndësinë e muzikës  si thelb i vërtetë i poezisë. “Poezia duhet ta marrë nga muzika të mirën e vet”, është parullë e njohur e tij. Të flasësh, të analizosh, të përshkruash – kjo nuk është më detyrë e poezisë moderne. Vargjet duhet të ndikojnë sikur emanacioni muzikor, jo me kuptimin por me sonoritetin (kumbimin), jo me domethënien por me vibracionet muzikore. 

Poezia bëhet lloj i partiturës muzikore. Simbolizmi i gjendje frymës (e shpirtit), si revolucion në poezi, në pikëpamje teorike së pari përmblidhet në manifestin e Zhan Moreasit. Manifesti u botua në revistën letrare “Figaro littéraire” më 18 shtator 1886. Autori i manifestit përpiqej të dëshmonte se simbolizmi është një dukuri artistike e domosdoshme, shprehje “e evolucionit ciklik me ndryshime të caktuara në mënyrë rigoroze”. Sipas Moreasit, paraardhës të vërtetë të kësaj lëvizjeje duhet konsideruar Bodlerin. Malarmeja simbolizmin e  ndau nga domethënia e misterit dhe e asaj që nuk mund të shprehet. Verleni u dha fund grindjeve të ashpra rreth vargjeve “që i kishin zbutur paraprakisht gishtërinjtë çudibërës të Teodor dë Banvilit”. 

*   *   *

Simbolizmi është novatorizëm në poezi që sjell me vete stil kompleks, fjalor të pazakonshëm, ritëm “që ndërrohet kohë pas kohe me ritmin e qetësimeve valëzore, të pleonazmave domethënëse, të elipseve misterioze, të anakoluteve të papërfunduara (mendime të palidhura) tejet guximshëm dhe shumë thjesht…”

Poeti dhe teoricieni i shquar francez i simbolizmit Rene Zhil (Ghil) insiston për rëndësinë e simbolit i cili duhet të jetë “i vërtetë dhe sugjestiv”. Poeti amerikan i cili shkroi në gjuhën frënge, Stjuart Meril flet për raportin midis fjalës dhe muzikës. Sipas tij, poezia që ka vlerë është vetëm poezia lirike. Ajo është bijë e “fjalës destruktive dhe e muzikës kreative”. 

Që nga Bodleri deri te Pol Valeri, drejtimi letrar i ri dëshiron të ndeshet me muzikën. “Ta bëjmë me fjalë atë që Vagneri e bëri me nota”. Te aluzioni dhe te sugjestioni simbolistët i kanë parë mundësitë më subtile, më të holla, më delikate që poezia të shndërrohet në muzikë, në formë të kulluar, e cila maksimalisht do t’i mundësojë poetit t’i shprehë mbresat që lindin nga vështrimi i vibracioneve më të thella të psikes njerëzore. Sipas filozofit dhe semiotikut amerikan Çarls Moris (Charles William Morris, 1901-1979), sugjestioni është gjuhë e korrespondencave dhe e lidhjeve ndërmjet shpirtit dhe natyrës. Ai e shpreh atë që nuk mund të shprehet dhe që nuk mund të sqarohet. Ai është tingull, jehonë e më intimes; vetëm ai e ka mundësinë që me disa vija të shprehë lëvizjen e amshueshme; Sugjestioni është mënyrë polifonike e të shprehurit me fjalë të melodive të shpirtit.

Gjuha e poezisë simbolike është sugjestive dhe e rëndë për ta kuptuar. 

Duke marrë parasysh ambiciet plotësisht të reja të simbolizmit, teoricienët e tij kujdes po aq të madh i kushtuan edhe çështjes së gjuhës. Poezia tradicionale franceze, qëkur e prangosur nga ritmi i fuqishëm i vargut aleksandrin*, nëpërmjet simbolizmit arrin cilësi të re, lirohet nga njëllojshmëria e ritmit. Vargu i lirë poezinë tradicionale e çliron nga ligjet e vjetra të versifikimit (të vargëzimit). Në të vërtetë, qysh poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo) i lëkundi themelet e vargut aleksandrin, por vetëm simbolistët dëshmuan se çfarë bukurish mund të pasqyrohen me vargun e lirë. Ky bëhet jo vetëm “formë grafike”, por në radhë të parë “raport i vetëdijshëm”. Në këtë drejtim, Rene Zhil (Ghil) shkoi edhe më larg. Në shqyrtimin e tij “Traktat për fjalën” (Traité du Verbe) Zhili u përpoq të krijojë një poezi instrumentale dinamike. Në këtë rast vargu duhej të ishte tejet fleksibil (i lakueshëm). E drejta e poetit për të shkruar një varg dhjetë me rrokje, ndërsa një tjetër me katër, për të ndërruar ritmet për arritjen e një muzikaliteti sa më të madh dhe për zbulimin e bukurive platonike, u konsiderua një fitore e madhe ndaj vargut aleksandrin “fitues” të vjetër. Sipas Rene Zhil-it (Ghil), poezia është liruar nga simetria dhe e ka pranuar rendin e gjallë të simfonisë. Duke u nisur nga tingëllima e njohur senzuale-ontologjike “Zanoret” (Voyelles) e Artyr Rembo-së në të cilën çdo shkronjë ka ngjyrë të caktuar, duke përpunuar parimin e korrespondencave ndërmjet ngjyrave, tingujve dhe aromave. Pastaj, duke i studiuar punimet e fizikanit dhe filozofit gjerman, Herman fon Helmholc* dhe muzikën e Rihard Vagner-it (Wagner), Rene Zhil-i (Ghil) e krijoi teorinë e vet “të poezisë instrumentale”, në të cilën fjalët do të ishin nota, në të cilën muzika do të ishte e dukshme, në të cilën zëri njerëzor do të mbetej “lloj instrumenti të lirë”, “pipëz me rezonator rezonancash të ndryshme”. Në këtë mënyrë, poeti i dikurshëm i fjalës do të bëhej poet muzikor, ndërsa krijimi i tij do të ishte “copë e muzikës sugjestive”, varg dinamik i figurave të ngjyrosura të cilat do të shprehnin ekzistimin e përhershëm të emocioneve, me një ritëm imanent për to.

Vargun e lirë e kanë interpretuar edhe shkrimtari francez Eduar Dyzharden (Édouard Dujardin, 1861-1949), poeti dhe kritiku francez i artit Gystav Kan (Kahn), Adolf Rete (Adolphe Retté), A. Mokeli dhe të tjerë.

*   *   *

Gjurmimi i gjuhës së re dhe ritmeve të reja, për t’u shprehur ajo që s’mund të thuhet, i vuri simbolistët në një situatë që poezia e tyre të bëhet e paqartë dhe hermetike. Por. duke qenë se poezia është mister dhe enigmë të cilën duhet zgjidhur, një dozë e paqartësisë që ngërthen kjo poezi, përkundrazi, ndihmon që ajo të jetë mistershëm tërheqës. “Në poezi      gjithmonë duhet  të ketë enigmë dhe pikërisht ky është qëllimi i letërsisë – s’ka qëllim tjetër, përpos ta evokojë objektin. Sidoqoftë, simbolistët ku duhet përfshirë edhe Edgar Alan Ponë (Poe) theksonin se nuk duhet ngatërruar terrin e shprehjes me shprehjen e territ”. 

*   *   *

Simbolizmi shpejt i përfshiu të gjitha degët e artit, që nga muzika deri te skulptura dhe teatri. Ai u bë, jo vetëm dukuri evropiane, por edhe tej evropiane. Në Belgjikë, në Rusi, në Amerikë mori forma të ndryshme. Po qe se teoria dhe praktika e simbolizmit francez, me të drejtë konsiderohen tejet të pasura, po kjo mund të thuhet edhe për simbolizmin rus në pikëpamjet dhe në poezinë e poetit dhe dramaturgut rus Aleksandër Aleksandroviç Blok (1880-1921), të poetit rus Valerij Jakovleviç Bërjusov (1873-1924), të poetit dhe prozatorit rus Andrej Bjeli (emri i vërtetë Boris Nikolaeviç Bugajev, i njohur si Andrej Belyj, 1880-1934), të poetit, prozatorit dhe kritikut rus Dmitrij Sergejeviç Merezhkovski (Dmitrij Sergeeviç Merežkovskij, 1865-1941) etj. 

Sipas Blokut, detyrë e artistit është “të tregojë dhe jo të dëshmojë”. Simbolizmi është kërkim dhe zbulim i botëve të reja, shmangie e asaj që është e sipërfaqshme e dhe vulgare, rrugë drejt ngritjes, vetëthellim apo “biseda të shenjta” me pafundësinë e qiellit dhe të hapësirës së gjithmbarshme. Por, pas vitit 1905 Bloku do të ketë mendime krejt të reja për shtigjet e poetit dhe të poezisë s re. Tani Bloku shkruan: “Poeti që shkon rrugës së simbolizmit është organ i pavetëdijshëm i kujtesës popullore. Rruga martirizuese e simbolizmit është lëshim në stuhinë e folklorizmit, ku poeti dhe e shenjta përsëri e gjejnë njëri-tjetrin”. Sipas Bërjusovit, simbolizmi në “fazën e artë” të vet krijoi edhe stil të ri edhe varg të ri që dalloheshin nga stili e vargu romantik dhe realist.

Andrej Bjeli duke u nisur nga të vërtetat shkencore të kohës së vet, i entuziazmuar nga biologjia, nga matematika dhe nga muzika thotë: “Muzika është gur këndi i konceptimit tonë, në muzikë kuptohet thelbi i lëvizjes…. muzika është skeleti i poezisë. Po qe se muzika është trung i përbashkët i krijimtarisë, atëherë poezia është kurora e tij e degëzuar”. 

Poeti kroat Tin Ujeviq thotë: “Simbolizmi bashkëpunoi me Evropën dhe në disa pika depërtoi mbi truallin e gjuhës frënge dhe jo si një ndikim i thjeshtë, por si një nevojë e kohës dhe e hapësirës”. Kështu për shembull, simbolizmi francez ndikoi fuqishëm te simbolistët gjermanë: liriku Stefan Georg, H.fon Hofmanstal, P. Geradi, Ludvig Klages etj. Simbolistët belgjianë – Rodenbah dhe Verharen e të tjerë, te simbolizmi francez gjetën si të thuash, natyrën e dytë të tyren. Teoria dhe praktika e simbolizmit francez ushtroi ndikim edhe te poetët spanjollë, Azorini, Unamuno, Maçad e të tjerë. Kostis Palmas është simbolist grek origjinal.

Me plejadën e përmendur të simbolistëve francezë deh evropianë nuk përfundon as teoria as praktika e kësaj lëvizjeje moderne. Në figurat e Fransis Zhamit (Jammes), A. de Renjiesë, Pol Valerisë, Klodelit (Claudel) tendencat simboliste marrin variante dhe interpretime të reja. 

Nëpërmjet teorisë dhe praktikës së poetit belg Moris Meterlink (Maeterlinck), në eksperimentet dhe në shkrimin e teatrit bashkëkohor ka lënë gjurmë edhe teatri simbolist. “Neosimbolistët” ose “simbolistët e pabesë” në radhë të parë vazhduan ta zhvillojnë dhe ta modifikojnë frytin e madh të simbolizmit vers libre (vargun e lirë). Doktrina për vargun e lirë që e kristalizoi në vitin 1897 G. Kan (Kahn), vazhdoi të jetë objekt interesimi të gjallë i atyre të cilët, siç thotë Alber Tibode (Thibaudet), kanë parë te simbolizmi një revolucion të ri të krejt poezisë moderne. Klodeli (Claudel) për shembull, thelbin e vargut modern e përfytyron si ritëm vital specifik, i ngjashëm me rrahjen e zemrës dhe me frymëmarrjen. Vargu i lirë është emanacion (shprehje) e pastër e unit tonë intern, kështu që ngjyra dhe tingujt e vargut i përgjigjen muzikës interne të qenies së poetit. Së këndejmi, poeti duke sugjeruar figura muzikore, nuk insiston për pamjen sipërfaqësore, por për domethënien e tyre. Njeriun si pjesë të universit, si qenie shpirtërore të tij, e kuptojmë vetëm atëherë kur arrijmë t’i njohim korrespondencat e thella të universit. Për dallim nga teoria e analogjisë universale e Bodlerit, vizioni Klodelit (Claudel) për raportet e thella të njeriut dhe të kozmosit përshkohet nga ndjenja katolike. Në parabolën e tij të njohur “Animus et anima”, Klodeli flet për frymën që “e ka ngulfatur shpirtin”. Poezia duhet t’i ndihmojë njeriut në konverzionin (kthimin) e tij kah mistika e krishterë. Simbolizmi ndikoi në mënyrë specifike te Fransis  Zham (Jammes), Pegi (Péguy), Valeri, Zhan Kokto (Cocteau), Zhak Prever dhe të tjerë. Valeri dallohet sidomos me interpretimin filozofik të simbolizmit dhe me poezinë e tij neosimboliste e cila u manifestua për herë të parë te “Parka e re” (La Jeune Parque, 1917). 

*   *   *

Simbolizmi është tendencë apo drejtim i veçantë në poezinë moderne që paraqitet së pari në Francë me “Manifestin” e botuar në vitin 1886 në gazetën Figaro të Parisit. Më 1890 lë gjurmë të dukshme në të gjitha letërsitë evropiane. Kultivon vlerën e madhe të fjalës si simbol. Nëpërmjet fjalëve, poeti krijon një realitet të ri poetik, që dallohet nga bota reale që na rrethon dhe që nuk varet prej saj. Thellohet në botën e fshehtë dhe simbolike të shprehjes poetike dhe qëndron larg realitetit të përditshëm, nevojave të drejtpërdrejta të tij. Çfarëdo lidhjeje praktike, racionale, jashtë-poetike e poezisë me shoqërinë e zbeh, e nënçmon dhe e dobëson forcën e fshehtë dhe vlerën e poezisë, të artit. Së këndejmi paraqitet nocioni poezi e kulluar si model dhe qëllim i shumë poetëve të kësaj periudhe.

Simbolizmi është kundër përshkrimit, mësimit dhe deklamimit dhe vendosmërisht ia mohon artit qëllimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me shoqërinë. Arti ndahet nga shoqëria, ndërsa poeti mbyllet në kullë të fildishtë, është në kundërshti me kohën dhe me kulturën e vet. Poetët e simbolizmit, si në asnjë periudhë tjetër, shkaktuan konflikte të ashpra me shoqërinë e vet dhe me konvencionet (mirësjelljet) shoqërore. 

Teorikisht për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë formulohet dukuria e tjetërsimit ose e alienimit të njeriut në shoqëri. Pas simbolistëve e deri në ditët tona, përfshi edhe ditët tona, çështja do të ndërlikohet akoma më shumë dhe do të jetë një nga çështjet më të rënda si për letërsinë ashtu edhe për shoqërinë. 

Poezia e kulluar (poésie pure) – Termin poezi e kulluar (poésie pure) e vuri në përdorim Stefan Malarme. Poezia e kulluar (e pastër) dëshiron të krijojë gjuhë artistike të spastruar në të cilën secila fjalë, e sidomos tërë poezia do të kishte forcë kryekëput figurative dhe emocionale. Për këtë arsye, simbolistët nuk u kushtojnë aq rëndësi mendimeve në poezi sa zbulimit të bukurisë muzikore dhe figurative të gjuhës; zbulojnë kënaqësi të reja në harmoninë e tingujve, në renditjen dhe në përputhjen e fjalëve, në pasurinë e rimës dhe në shumësinë e ritmeve të ndryshme. Poetët i jepen ndjenjës së vet muzikore dhe asociacioneve. Te fjalët, te lidhjet dhe ndërlidhjet e fjalëve zbulojnë kënaqësi të panjohura të cilat poetët e më përparshëm s’kanë mundur as t’i parandiejnë. Pol Verleni thoshte: “Në radhë të parë muzikë.” Poetët simbolistë, në lirikë dhe në shprehjen lirike e gjejnë atë fushë në të cilën sonorizmi (tingëllimi)  dhe figuracioni i gjuhës së pari do ta tregojë idealin e tyre të bukurisë, si dhe atë botë që është kundërpeshë e botës së egër reale. Edhe gjuha poetike e simbolistëve niset për një rruge të re. Gjuha e përditshme, njësoj si tematika këtu nuk do të kenë vend. Karakteristika kryesore të simbolizmit janë metaforat e guximshme, liritë e mëdha në ndërtimin dhe në renditjen e fjalisë, fjalori poetik i pazakonshëm. Forma kryesore të simbolizmit janë lirika dhe drama lirike.

Poezia e kulluar është poezi pa kurrfarë elementi “jopoetik” (narrativ, didaktik, politik). Nuk shpreh ndonjë ide të caktuar, por vepron si muzikë. Konceptin e poezisë së kulluar e zhvilluan Sharl Bodleri, Stefan Malarme, Pol Valeri të cilët e morën prej Edgar Alan Po. Përvoja dhe teoria e ndërlidhur me të e poezisë së kulluar janë shprehje e parë, historikisht e rëndësishme, e autonomisë së poezisë, ide e cila më vonë tejkalohet, por nuk braktiset.   

*   *   *

Zbulohet një rreth i ri i temave poetike të cilat më parë kanë qenë plotësisht të panjohura. Në simbolizëm do të mbizotërojnë motivet e vetmisë, e kënaqësive të natës, e qetësisë, e viseve të vetmuara, e peizazheve të vjeshtës, të gjitha të përshkuara nga një pikëllim i pashpjegueshëm. Lirika e simbolizmit merret me njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar i cili në botën e sendeve dhe në natyrë lëviz kryesisht vetë. 

Poetët e këtij drejtimi letrar janë shumë më të rëndësishëm me realizimet e veta artistike sesa me programin teorik. I zgjeruan dhe i thelluan mjetet e shprehjes të muzikalitetit: rimën, metrin dhe ritmin, sintaksën dhe pasurinë e fjalorit.

Me shumë koncepte teorike dhe me shumë tendenca krijuese, pararendës i simbolistëve ka qenë poeti amerikan Edgar Alan Po.

Përfaqësues kryesorë të simbolizmit në letërsinë franceze janë: Pol Verleni me përmbledhjet “Romanca pa fjalë” (Romances sans paroles, 1874) dhe “Urtësia” (Sagesse, 1880). Ai mbronte tezën se se arti duhet të pasqyrojë nuanca, frymën përreth sendeve, gjurmët e jetës së ikur; Stefan Malarme me antologjinë “Parnasi bashkëkohor” (Le Parnasse contemporain, 1866). Poezitë e përfshira aty kanë lindur nën ndikimin e Bodlerit nga i cili e ka marrë edhe temën e ikjes nga realiteti; me përmbledhjet poetike “Fletët e albumit”, “Disa sonete” dhe me poemën “Pasditja e një faune” (L’Apres-Midi d’un faune, 1876). Tendencat e simbolizmit Malarmeja i shprehu në mënyrë më të plotë në gjuhën e re poetike duke i zbuluar cilësitë e saj që më parë as që kanë mundur të paramendohen dhe duke caktuar synimin e poezisë së kulluar (poésie pure) e cila do të duhej të zbulonte realitetin absolut të çliruar nga ndryshueshmëria dhe vulgariteti i jetës së përditshme.

Në rrethin e ngushtë të simbolistëve ndodhen Sharl Bodleri (Baudelaire) dhe Artyr Rembo (Rimbaud).       

Në letërsinë gjermane u krijuan vepra simboliste të çmueshme. Me vëllimet “Himne” (Hymnen, 1890), “Pelegrinazhe” (Pilgerfahrten, 1891) dhe sidomos me vëllimin “Viti i shpirtit” (Das Jahr der Seele, 1897) Stefan George theksoi në tendencat simboliste estetizmin dhe aristokratizmin. Personazhet e tij janë të veçuar në vise të pazakonshme dhe në mjedis shoqëror të veçantë i cili nuk ka dhe nuk duhet të ketë çfarëdo lidhjeje me problemet reale të jetës. Poeti austriak Rainer Maria-Rilke, autor veprash në prozë, për këtë periudhë është i rëndësishëm me vëllimet poetike “Libër fotografish” (Buch der Bilder, 1902), “Poezi të reja” (Neu Gedichte, 1907-1908), “Libri i orëve” (Das Stundenbuch, 1905). Motivet kryesore i gjen në kujtimet nga fëmijëria dhe në jetën e fshehtë të natyrës dhe të sendeve të vdekura. Botën e re poetike e zbulon në psiken e njeriut, në botën misterioze të kafshëve, të dukurive të natyrës, të përmendoreve të vetmuara dhe të ngrehinave tërheqëse. Rilke e zgjeron teknikën dhe motivet e simbolizmit me mbresat personale të drejtpërdrejta dhe subjektive, duke lëvizur disi nëpër shtigjet dhe botën e  impresionizmit letrar. 

Përfaqësues të shquar në letërsinë ruse janë Valerij J. Bërjusov dhe Konstantin D. Balmont.  

*   *   *

Shënim: Vargu i lirë është rezultat i dëshirës dhe i nevojës poetike të brendshme që kërkimi i përjetimit të drejtpërdrejtë të varet sa më pak nga format e jashtme, tradicionale të vargut të lidhur të letërsive të hershme. Lindi si revoltë kundër formave metrike tradicionale me dëshirën dhe nevojën për t’i zbuluar mbresat e reja të ritmit te elementet gjuhësore të cilat më parë nuk janë përdorur në poezi. Këto synime paraqesin një ndihmesë të konsiderueshme për shkatërrimin e shumë normave në krijimtarinë poetike. Për të siguruar vendin e vet, vargu i lirë zhvilloi një luftë të gjatë kundër formave të vjetra dhe të ngurta. Përgatitje të çmuara për vënin e tij në përdorim hasim te vëllimi poetik “Fije bari” (Leaves of Grass, 1855) të poetit amerikan Uolt Uitman (Whitman). Prej tij e marrin simbolistët francezë. Vargun e lirë e kemi edhe te poezitë në prozë të Bodlerit. Vargu i lirë ndodhet edhe në madrigalin italian, në veprën “Fabula” (Fables, vëllimi i parë më 1668; i dyti më 1678-79) të La Fontenit (La Fontaine), në komeditë e Molierit (Molière) etj. Në letërsitë evropiane vargu i lirë i mirëfilltë shfaqet jo më parë se në shekullin XX. Në Itali e zbatojnë liriku Gabriele D’Anuncio (D’Annunzio, 1863-1938) dhe futuristët. Në Gjermani e aplikojnë ekspresionistët. Në Bashkimin Sovjetik futuristët, ndërsa me sukses më të madh Vladimir Majakovski.           

Shënim: Hermetizmi (sipas emrit të alkimistit egjiptian të shekullit III Hermes Trisegistos; mister; mbyllje) është tendencë në lirikën moderne, por shpeshherë edhe në format e tjera letrare që ndjenjat dhe përvojat e njeriut të komunikohen në formë të mbyllur, në kundërshti me format stilistike tradicionale dhe me mënyrat e kapshme të të kuptuarit. Përfaqësuesit e lirikës hermetike heqin dorë nga kategoritë sintaksore logjike dhe e përdorin të shprehurit e lirë e të palidhur që herë-herë bëhet në mënyrë kaotike dhe e vështirë për t’u  kuptuar. karakteristike është përpjekja që fjala poetike të bëhet ezoterike që të përkujton gongorizmin. Hermetistët përpiqen të gjejnë shtigje shprehëse të reja. Kur është fjala për formën e përkryer të krijimit artistik, poeti francez Pol Valeri vuri në plan të parë rendin e vetëdijshëm, forcën e vullnetit e të mendjes dhe mbi të gjitha intelektin. rrjedhimisht, poezitë e tij bëhen vështirë të kapshme, lexohen me vështirësi, ndërsa në aspektin e motivit dhe të temës i kanë karakteristikat e hermetizmit. Me fjalë të tjera, ato janë në rrethin e ndërlikuar dhe të mbyllur të motive poetike. Për shembull poema simboliste “Varreza pranë detit” (Le Cimetière marin). Poeti anglo-amerikan Tamëz Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot) shprehjen poetike të tij e ndërtoi mbi bazat e simbolizmit, duke e ruajtur karakteristikën themelore të tij – karakterin simbolik të shprehjes – në të gjitha veprat e veta. Por, zhvilloi edhe mbylljen e posaçme të figurave poetike të cilat në shikim të parë vështirë mund të lidhen dhe të përjetohen. Megjithëkëtë, ndërmjet tyre ekziston një lidhje më e thellë e ndërtuar në botën intelektuale të mbyllur të poetit. Për shembull poema në pesë pjesë, kryevepra “Vendi i shkretë” (The Waste Land, 1922).       

TË DHËNA THEMELORE PËR POETËT E SIPËRTHËNË

Azorini (emri i vërtetë Jose Martinez Ruiz, 1873-1967) romancier dhe eseist spanjoll;  

Bajron, Xhorxh Gordon (George Gordon Byron, 1788-1824) poet anglez i epokës së romantizmit; 

Balmont, Konstantin Dimitrijeviç (1867-1942) poet simbolist rus;  

Banvil, Teodor de (Theodor Faullain de Banville, 1823-1891) poet dhe romancier francez. Me veprën e vet ushtroi ndikim mbi lëvizjen simboliste të letërsisë franceze në shekullin XIX);

Bazhy, Anatol (Adrien Joseph Bajut, i quajtur Anatole Baju, 1861-1903) gazetar dhe shkrimtar francez;   

Bergson, Anri (Henri Louis Bergson, 1859-1941) filozof dhe shkrimtar francez; më 1927 mori çmimin “Nobel” për letërsi;    

Bërjusov, Valerij (Valerij Jakovleviç Brjusov, 1873-1924) poet, romancier, dramaturg, kritik rus; teoricien dhe përfaqësues i simbolizmit rus; përktheu Verlenin (Verlaine), Metrlinkun (Maeterlinck), D’Anuncion (D’Annunzio), Verharenin (Verhaeren), Uajlldin (Wilde), Bodlerin (Baudelaire) etj.;

Bjeli, Andrej (Andrej Belyj, emri i vërtetë Boris Nikolajeviç Bugajev. 1880-1934) poet, prozator, teoricien rus; njohës i kulturës gjermane; më 1903 kreu studimet e matematikës; më pas studioi filologjinë; hyri në rrethin e simbolistëve;

Blok, Aleksandar Aleksandroviç (1880-1921) lirik, dramaturg dhe eseist rus; përktheu Bajronin (Byron), Grilparcerin (Grillparzer), Hajnen (Heine), Hamsunin etj.    

Bodler, Sharl (Charles Baudelaire, 1821-1867) lirik francez, kritik letrar dhe kritik arti, figurë poetike më e rëndësishme e poezisë evropiane moderne; 

D’Anuncio, Gabriele (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) lirik, romancier dhe dramaturg italian; e ka quajtur Gjergj Fishtën (1871-1940) “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”;

Dyzharden, Eduar (Édouard Dujardin, 1861-1849) shkrimtar francez, nxënës i Stefan Malarmesë (Stéphane Mallarmé). Vepra më e njohur e tij është romani “Dafinat janë të prera” (Les lauriers sont coupés, 1887). Për të arritur subjektivizimin e skajshëm të prosedeut dhe të temës, Dyzhardeni e përdor në mënyrë konsekuente teknikën tregimtare të monologut të brendshëm, që është një prej prosedeve kryesore të modernizmit.   Me këtë vepër u rendit ndër paraardhësit e ripërkufizimit të zhanrit romanesk, që do të arrijë kulmin me romanet e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), të prozatorit dhe poetit irlandez Xheimz Xhois (James Joyce, 1882-1941) dhe të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941);   

Elliët, Tamëz Stërnz (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) poet, kritik dhe dramaturg anglo-amerikan, i shkolluar në Harvard, në Sorbënë dhe në Oksford; në vitin 1948 iu dha çmimi “Nobel”;

Fihte, Johan Gotlib (Johann Gotllieb Fichte, 1762-1814) është filozof gjerman, një prej themeluesve të idealizmit gjerman që u zhvillua prej shkrimeve teorike dhe etike të Emanuel Kantit;

Fishta, Gjergj (1871-1940) poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë; e kanë quajtur Homeri shqiptar; për lirikat e tij, e kanë quajtur Tirteu shqiptar; 

Georg, Stefan (Stefan George, 1868-1933) lirik gjerman; përfaqësues i estetizmit simbolist; 

Gotje, Teofil (Théophile Gautier, 1811-1872) poet dhe romancier francez, iu kundërvu klasicizmit;

Grilparcerm, Franc (Franz Grillparzer, 1791-1872) dramaturg, lirik, tregimtar, shkrimtar epigramesh; 

Hajne, Hajnrih (Heinrich Heine, 1797-1856) poet dhe eseist gjerman me prejardhje hebraike; 

Hamsun, Knut (mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952) shkrimtar norvegjez pa ndonjë arsimim formal të madh; dy herë qëndroi në ShBA;    

Helmholc, Herman fon (Hermann von Helmholtz, emri origjinal Hermann Ludwig Ferdinand Helmholtz, 1821-1894) shkencëtar dhe filozof gjerman; ishte nën ndikimin e filozofit gjerman Johan Gotlib Fihte; 

Hofmanstal, Hugo fon (Hugo von Hoffmannstal, 1874-1929) romancier, poet, dramaturg, eseist austriak;

Hygo, Viktor (Victor Marie Hugo, 1802-1885) poet, romancier dhe dramaturg francez, figurë tejet e shquar e romantizmit francez;

Hyismans, Zhoris-Karl (Joris-Karl Huysmans, emri i lindjes Charles Marie George Huysmans, 1848-1907) shkrimtar dhe kritik francez arti; 

Kan, Gystav (Gustav Kahn, 1859-1936) është poet francez i simbolizmit dhe kritik në lëmin e artit figurativ; 

Kant, Emanuel (Immanuel Kant, 1724-1804) filozof gjerman, një prej mendimtarëve qendrorë të iluminizmit. Me veprat e veta në epistemiologji, në metafizikë, në etikë dhe në estetikë u bë figurë me ndikim në filozofinë moderne të Perëndimit; 

Klages, Ludvig (Ludwig Klages, 1872-1956) filozof, psikolog dhe teoricien gjerman; 

Klodel, Pol (Paul Claudel, 1868-1955) poet dhe dramaturg francez; përfaqësues diplomatik në Japoni, në ShBA, në Belgjikë;

Kokto, Zhan (Jean Cocteau, 1889-1963) poet, dramaturg, romancier dhe autor filmash; 

La Fonten, Zhan dë (Jean de La Fontaine, 1621-1695) tregimtar dhe poet francez;  

Makad (Maçad) – poet spanjoll;

Merezhkovski, Dimitrij Sergejeviç (Dimitrij Sergeeviç Merežkovskij, 1865-1941) poet, prozator dhe kritik rus; në letërsinë ruse u paraqit në kohën e estetizmit; ishte i afërt me simbolistët rusë; 

Merill, Stjuart (Stuart Fitzrandolph Merill;  Hempstead, Nju-Jork, 1863 – Versajë, 1915) poet amerikan i cili shkroi në gjuhën frënge; i kontribuoi simbolizmit francez;

Meterlink, Moris (Maurice PolydoreMarie Bernard Maeterlinck, 1862-1949) dramaturg, poet simbolist dhe eseist belg i shprehjes gjuhësore franceze; më 1911 mori çmimin “Nobel”; 

Mokeli, A. – poet francez; 

Noli, Fan Stilian (1882-1965) poet, dramaturg, klerik, politikan, përkthyes veprash letrare, figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe politike shqiptare; 

Majakovski, Vladimir (1893-1930) poet sovjetik; me entuziazëm të madh e priti revolucionin e tetorit (1917); përfundoi me vetëvrasje;          

Malarme, Stefan (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) poet francez; punoi si mësues i gjuhës angleze;

Moris, Sharl (Charles William Morris, 1901-1979) filozof dhe semiotik amerikan; 

Molier, Zhan-Batist (Jean-Baptiste Molière, 1622-1673) komediograf francez;                     

Moreas, Zhan (Jean Moréas, Athinë, 1856 – Saint-Mandé, Paris, 1910). Moreasi ishte me prejardhje greke. Emrin e vërtetë e kishte Ioannis Papadiamantopoulos;

Palmas, Kostis (1859-1943) simbolist grek; në poezinë të privuar nga ndikimi grek, synonte të ringjallë thelbin e neohelenizmit, duke e lidhur Heladën me traditën popullore dhe erudite të letërsisë bizantine dhe greke të re; 

Pegi, Sharl (Charles Péguy, 1873-1914) poet dhe eseist francez;  

Po, Edgar Alan (Edgar Allan Poe, 1809-1849) lirik dhe tregimtar amerikan; ndikoi fuqishëm në poezinë evropiane të fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX; Poezinë “Korbi” (The Raven) dhe poezinë ”Anabel Li” (Annabel Lee) i përktheu në shqip Fan Noli (1882-1965).  

Prever, Zhak (Jacques Prévert, 1900-1977) poet francez dhe skenarist filmi; 

Rembo, Artyr (Jean Nicolas Arthur Rimbaud, 20.10.1854 – 10.11.1891) poet francez i njohur për ndikimin mbi letërsinë dhe artin modern, sidomos mbi surrealizmin; opusin poetik e realizoi në moshën 16 deri 20 vjeç; shpesh ikte nga shtëpia; njihej si njeri i shfrenuar dhe shpirt i trazuar. Lajmin për Komunën e Parisit e pret me entuziazëm. Shpesh brohoriste “Rendi u mund!” Në këtë periudhë bëhet anarkist, fillon të pijë, del i leckosur, me flokë të gjatë, sillet në mënyrë të pahijshme. 

Në shtator 1871, me ftesë të poetit simbolist eminent, Verlenit  prej Sharlvilit Remboja vjen në Paris. Qëndron ca kohë në shtëpinë e tij. Ndonëse i martuar, Verleni dashurohet tek i riu sykaltër. Lidhja romantike midis Rembosë dhe Verlenit ka zgjatur gati dy vjet. Bëjnë një jetë të çrregulluar, përdorin apsing dhe hashash. Në qarqet letrare të Parisit Rembonë e cilësojnë si enfant terrible (fëmijë që s’lë dy gurë bashkë; i pashtruar). Në shtator 1872 dy poetët nisen për në Londër. Verleni lë gruan dhe fëmijën. Raportet ndërmjet dy poetëve bëhen gjithnjë më të ashpra. Nga Londra, Verleni vjen në Bruksel. Më 10 korrik 1873, me ftesë të Verlenit Remboja vjen në Bruksel. Në një zënkë midis tyre, Verleni e qëllon me revole Rembonë në dorë. Për këtë akt dënohet me dy vjet burg. Prej Londre Rembo kthehet në Sharlvil (Charleville). E përfundon kryeveprën e vet “Qëndrimi në ferr” (Une Saison en Enfer) të shkruar në prozë lirike. Është një nga veprat e para që e manifeston frymën e letërsisë së re simboliste. Këtu e tregon në mënyrë metaforike lidhjen e tij të çuditshme (drôle de ménage) me Verlenin. Për herë të fundit Remboja dhe Verleni takohen në vitin 1875 në Shtutgart, pasi lëshohet nga burgu dhe bëhet katolik. Remboja jepet pas punëve dhe shëtit vende të ndryshme të botës. Sinovitisi që i shfaqet në gjurin e djathtë i shndërrohet në tumor kancerogjen. Më 9 maj 1891 kthehet në Francë. Shtrohet në spitalin e Marsejës ku më 27 maj 1891 i amputohet këmba. Muajt e fundit të jetës i kalon në Marsejë pranë së motrës Izabelë. Përjeton dhimbje të mëdha. Vdes më 10 nëntor 1891, në moshën 37-vjeçare.         

Renjie, Henri dë (Henri François Joseph Régnier, 1864-1936) poet dhe romancier francez, me prejardhje fisnike;   

Rete, Adolf (Adolphe Retté, 1863-1930) poet simbolist francez;  

Rilke, Rainer Maria (1875-1926) poet austriak;

Rodenbah, Zhorzh (Georges Raymond Constantin Rodenbach, 1855-1898) poet simbolist dhe romancier belg; 

Shopenhauer, Artur (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) filozof dhe eseist gjerman;

Tibode, Alber (Albert Thibaudet, 1874-1936) eseist dhe kritik letrar francez; historian i letërsisë; student i shkrimtarit dhe filozofit francez Anri Bergson (1859-1941). Alber Tibode është autor i veprës “Historia e letërsisë franceze: prej vitit 1789 deri në ditët tona”; (Histoire de la littérature française de 1789 à nos jours, 1936; i veprës “Mendime për letërsinë” (Réflexions sur la littérature, 1938;  

Uajlld, Oskar (Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde, Dublin,1854 – Paris, 1900) dramaturg, poet dhe prozator irlandez; studioi në Dublin dhe në Oksford; 

Uismans, Zhoris-Karl (1848-1907) romancier dhe kritik francez. Emri i vërtetë i tij ishte Georges Charles Huysmans. Nga vija e të atit është pasardhës i piktorëve të famshëm flamanë;

Uitman, Uolt (Walt Whitman, 1819-1892) poet amerikan;  

Ujeviq, Tin (August Josip Ujević “Tin”, 1891-1953) poet dhe prozator kroat; shkrimin e kishte profesion; përktheu në kroatisht poetë francezë, amerikanë dhe italianë;

Unamuno, Miguel de (1864-1936) tregimtar, eseist dhe poet spanjoll; profesor i gjuhës greke; për idetë e lira, në kohën e diktaturës së M. Prima de Rivera u përndoq dhe u vendos në Francë; 

Vagner, Rihard (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) kompozitor gjerman; 

Valeri, Pol (Paul Ambroise Toussaint Valery, 1871-19450 poet dhe eseist francez; një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm i hermetizmit* në poezinë evropiane; 

Verharen, Emil (Émile Verharen, 1855-1916) poet simbolist dhe dramaturg belg i shprehjes gjuhësore franceze; opusi i tij mban gjurmët e fin du siècle (fundit të shekullit);

Verlen, Pol (Paul Marie Verlaine, 1844-1896) poet dhe eseist francez; Më 1851 vjen në Paris ku u shkollua dhe u punësua; më 1871 u njoh me Artyr Rembonë dhe nisi një jetë plot shqetësime; midis tyre kishte një miqësi intime; në Bruksel, në gjendje të dehur, qëlloi me revole Rembonë; për këtë vuajti dy vjet burg në Mons; duke mos qenë i aftë për ta zgjidhur konfliktin intim midis senzualitetit të vet dhe dëshirës për jetë të qetë, më 1874 iu kthye katolicizmit;     

Zham, Fransis (Francis Jammes, 1868-1938) poet francez;  

Zheradi, P. (Geradi P.) poet francez;

Zhid, Andre (André Gide, 1869-1951) romancier dhe dramaturg francez, i njohur si intelektuar i guximshëm dhe i papërmbajtur, përplot mendime të lira dhe dilema për të cilat shkroi pa nguruar dhe pa rezerva; më 1949 mori çmimin “Nobel”;  

Zhil, Rene (Réne Ghil, mbiemri i vërtetë Ghilbert, 1862-1925) poet francez, teoricien i shquar i simbolizmit;

Xhelal Zejneli  

Filed Under: Opinion

DIBRANËT E AMERIKËS THONË: “YES DIBRA, NO SKAVICA”

February 8, 2022 by s p

Abdurahim Ashiku

Bisedë nga larg me Agron Damzin, flamurtar në mbrojtjen e Dibrës nga hurdha e Skavicës.

Pa llogaritur dëmet e Fushës së Katundit të Ri që krahasohet me Fushën e Myzeqesë për nga prodhimet, ajo pëson një shpërfytyrim të Natyrës, Faunës, dhe gjithçka mbulon, por ajo që na shqetëson më shumë është historia e të parëve tanë, luftërat që ata kanë zhvilluar për mbrojtjen e Dibrës dhe trojeve tona, dhe ajo që nuk “përtypet” fare janë mbytja e varreve të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë.

Është një komunitet dibranësh në anën tjetër të Atlantikut: Agron Damzi, Ferzileta Gjika, Jurgen Vladi, Marjana Bulku… që ngritën zërin në Manhatan të New Yorkut dhe thanë: “YES DIBRA! NO SKAVICA!”
Dhe jo vetëm atje por edhe në një udhëtim luginës së Drinit të Zi nga Gjorica në Reç.
Që vazhdojnë të ngrenë në këmbë opinionin publik për tu hedhë në betejë për të mbrojtur Dibrën nga vendimi ogurzi i qeverisë Rama e cila donë të mbysë Dibrën që të shpëtojë nga përmbytja Shkodra.
Do ti tërheqim të gjithë në bisedë…
E fillojmë me Agron Damzin…
Po kush është Agron Damzi?

… Fati e deshi që vendlindja ime të jetë Katundi i Ri i Luznisë. Edhe pse prindërit e mi jetonin e punonin në Peshkopi, unë linda në trojet stërgjyshore. Dëshira e gjyshit tim Ismail Damzi ishte që fëmija i parë i djalit të madh Kurtit (babai im) të linde në fshat.
Në Katund të Ri linda, në trojet e lashta të fisit Damzi, i njohur për kulturë e trimëri.
Kjo më bëri të isha shumë i lidhur me vendlindjen! Ditët e fundit të shkollës së atyre viteve, që ishte muaji qershor, mezi i prisja të mbaronin sepse e gjithë vera do kalonte në brigjet e Drinit, kacupat e Cekës (gurrëzat), Shenja e Drinit, Kullotat natën jashtë me kuaj, gjuetia e troftës, krapit, mustakut dhe ngjalës, mbledhja e kallëzave të grurit, lojërave të ndryshme rreth Drinit si mundje, shtregë, kala dibrançe, forca e krahut, shkop e cingël, dokërr, futboll e shumë të tjera që fatkeqësisht disa prej tyre janë drejtë zhdukjes..!
Diplomimi im në Fakultetin Histori Filologji në Tiranë, dega Gjeografi, më rizgjoi fëmijërinë duke përshtatur Luginën e Drinit me të cilin isha rritur me shkencën e Gjeografisë, Gjeomorfologjisë, Natyrën, Faunën e shumë të tjera rreth arkeologjisë në mënyrë profesionale. 

Çfarë humbet Katundi i Ri i Luznisë nga mbytja pasojë e ndërtimit HEC të Skavicës?

Pa llogaritur dëmet e Fushës së Katundit të Ri që krahasohet me Fushën e Myzeqesë për nga prodhimet, ajo pëson një shpërfytyrim të Natyrës, Faunës, dhe gjithçka mbulon, por ajo që na shqetëson më shumë është historia e të parëve tanë, luftërat që ata kanë zhvilluar për mbrojtjen e Dibrës dhe trojeve tona, dhe ajo që nuk “përtypet” fare janë mbytja e varreve të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Një zbërthim më të gjerë dhe profesional ka dhënë Emrie Skuka në librin e saj Honoret e Luznisë, profesor Adem Bunguri, Munir Hoxha, Vesel Hoxha e shumë historianë dhe gjeografë dibranë e më gjerë.

Ishit për disa ditë në Dibër. Si e pe organizimin e dibranëve për ti thënë JO Skavicës.

Lidhjen time me Dibrën luznakët dhe dibranët e dinë shumë mirë. Fëmijëria dhe adoleshenca ime ka qenë shumë aktive si në shoqëri ashtu edhe në komunitet. Ardhja ime në USA nuk më ka penguar të jem pranë tyre duke e bërë të mundur që të paktën dy herë në vit të vizitoj Dibrën duke parë dhe dëgjuar hallet dhe problemet nga afër.

Për sa i përket Skavicës, mbeta i mahnitur nga pritja dhe takimet që kisha, sepse protesta e diasporës para zyrave të OKB në Manhattan u kishte dhënë shumë zemër dhe në njëfarë mënyre i kishte zgjuar nga gjumi dhe ndrojtja që ingranazhe të ndryshme politike – qeveritare kishin ushtruar dhunë dhe presion për heshtjen e problemit. Takimet e mia në disa fshatra kryesore ishin mbresëlënëse dhe optimale sa që tregoi se në Dibër ka akoma djem e burra që i dalin zot. E bukura dhe e veçanta ishte se në çdo bisedë apo takim kryefjala dhe KAUZA jonë ishte mbrojtja e DRINIT! Kjo na e lehtësonte takimin me pjesëmarrësit sepse ishte apolitike dhe komunikimi ishte perfekt dhe pa ndikimin e asnjë force politike, pra kishim të majtë, të djathtë, të qendrës e të tjerë, gjë e cila na përqendronte në KAUZËN tonë PO Dibrës, JO Skavicës! Personalisht u jam shumë mirënjohës dhe optimist që të bashkuar do ia dalim deri në anulim të plotë.

Me bordin e dibranëve të diasporës kryesisht të New Yorkut, vendosëm që vizitat të ishin në dy etapa. Siç fola më lart vizita e parë ishte e imja, dhe në  etapën e dytë ishte Ferzileta Gjika, Jurgen Vladi dhe Stivi Vladi.

Vizitat filluan në Peshkopi, Maqellarë, Podgorc, Gjoricë, Shupenzë, Kastriot, Kishavec, dhe Dibër të Madhe, gjithmonë i shoqëruar nga kryetari i shoqatës së mbrojtjes së Drinit z. Nazmi Drizi, kryetari për mbrojtjen e historisë z. Haki Përnezha, anëtarë dhe vullnetarë si Mirjan Kaloshi, Destan Lleshi, Sulejman Bitri, Tofik Kurti, Eduart Shahu, Demir Colja, Ali Damzi, Shaban Beqa e të tjerë…

Për sa i përket grupit tjetër në etapën e dytë pas kthimit tim në USA,  di të them që kanë patur shumë takime pak a shumë me të njëjtët vullnetarë, por ajo që ishte më kryesorja ka qenë me presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, dhe protokollimi i peticionit në sekretarin e Ministrisë Infrastrukturës dhe Energjetikes znj. Belinda Balluku!

Cili është mendimi jot për mbrojtjen e Dibrës dhe sa i fortë do jetë zëri i dibrano – amerikanëve për ti dal zot asaj?

Avantazh është se për çdo hap që hedhim në mbrojtjen e Dibrës, mblidhemi dhe kuvendojmë pothuajse çdo javë ose dy herë në muaj, pa llogarit bisedat me telefon gjatë ditëve në vazhdim…Jemi shumë dibranë duke përfshirë dhe Dibrën e Madhe, e  kjo na jep zemër dhe na bën shumë optimistë për KAUZËN tonë. Zëri i Beqir Sinës, Marjana Zeneli Bulku, Ilir Bulku, Arif Mata, Ilir Spata, Dashamir Miftari, Belul Qoku, Blendi Bekteshi, Ardi Ruçi, Ismail Kazani, Arjan Kulejmani, Blerdi Hoxha, Ering Poliçi, Korab Stafa, Alfred Tollja, pa harruar presidentin e shoqatës Albania Roots ose Rrënjët Shqiptare z. Marko Kepi! Pas protestës në Manhattan dhe ajo e Peshkopisë, zërat shtohen dita – ditës. Kjo ndërthuret në bashkëpunim me shoqata ndërkombëtare këtu në USA, Kanada, Gjermani, Austri, Itali, në Europë e më gjerë që po i mbështeten Kauzës sonë! Këto ditë kemi hedhur peticionin në internet dhe në rrjetet sociale duke pretenduar se shumë shpejt të mbledhim firmat e nevojshme për ta dërguar sa më shpejt në Parlamentin dhe Qeverinë shqiptare për ta anuluar njëherë e mirë projektin e Skavicës, pa harruar protestat demokratike të banorëve atje nga Gjorica deri në Zall Dardhë. KAUZA jonë tashmë është rritur dhe çdo dibran pa asnjë ngjyrë politike e mbështet duke mbrojtur traditën dhe të drejtat e tyre!

Faleminderit!

Abdurahim Ashiku

Filed Under: ESSE

KRIMI SI TREGUES SINTETIK I KRIZËS MORALE TË SHOQËRISË SHQIPTARE

February 8, 2022 by s p

Fran Gjoka

Vitet e fundit, ngjarjet kriminale nё shoqёrinё tonё, kanё qёnё tё shumta. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shenjat në jetën tonë shoqërore janë të tilla, që tregojnë se në shumë aspekte shëndeti i shoqërisë është dëmtuar nga sasia dhe intensiteti në rritje i krimit. Madje ai po shfaq patologji të reja sociale, pikërisht nga ndikimi negativ dhe theksimi i nuancave të forta të krimit, intolerancës, dobësimit të solidaritetit social dhe komunikimit human. Kjo nga që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, krimi po dëmton keq “mekanizmat” socialitetit human, aftësinë për të jetuar në mënyrë normale me tjetrin në çdo situatë, dhe për pasojë ka pësuar rupture evidente edhe sociabiliteti, si kërkesë e njeriut të qytetëruar, për të qënë i integruar në mënyrë normale në jetën shoqërore. Krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe, që ka përfshirë të gjithë llojet e konflikteve personale e interpersonale në “luftën” për hapësira jetike e pronësi, që vijnë nga kolapsi urban apo varfëria, depresioni social në zgjerim. Bashkë me to është zgjeruar konfliktualiteti i politikës, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogut konstruktiv, që rrit tensionet dhe shfaqjet militanteske të shpërthimit alogjik të një lloj neurotizmi social, i cili gjithashtu shpesh herë është kthyer në faktor që gjeneron krime me natyrë politike apo elektorale. Padyshim, shumë nga fatkeqësitë e tjera që kemi kaluar në të kaluarën, i kemi shpjeguar herë në mënyrë thelbësore e herë në mënyrë të sipërfaqshme dhe justifikuese, kryesisht me ekzistencën e sistemit totalitar. Por si shpjegohet që në shoqërinë tonë, vazhdojnë çuditërisht shumë efekte sociale, edhe pse shkaku i tyre është larguar nga jeta jonë e përditshme. Paradoksalisht fjala vjen, krimi në shoqërinë shqiptare në vend që të “zbutej”, për fat të keq kohët e fundit përkundrazi po zgjerohet dhe agravohet. Ai gati ka marrë përmasat e një çmenduarie sociale, është shtuar jo vetëm në sasi, por është bërë akoma më i sofistikuar, barabar edhe si “cilësi”.

        Për pasojë, jemi në momente sociale, kur jeta urbane është turbulluar pikërisht nga shfaqja e krimit si patologji e zgjeruar e jetës. Situata kriminale në shoqërinë tonë është një realitet imediat, i prekshëm, gati i përditshëm, që po e bën jetën e shqiptarëve të vështirë, të parehatshme për ta jetuar atë si duhet. Krimi është kthyer në një “teh” të mprehtë, i fortë dhe kërcënues për jetën urbane. E keqja më e madhe është se sasia në rritje e tij, po shoqërohet me shfaqjen gjërësisht të ndjenjës së pesimizmit social, që ushqehet nga ideja disfatiste, se kjo e keqe e madhe sociale po bëhet e papërballueshme. Midis shumë arsyeve me natyrë objektive dhe të kuptueshme, krimi në shoqërinë tonë po zgjerohet, nga një tendencë negative e deformimit dhe reduktimit të mënyrave të komunikimit social, qytetar dhe të qytetëruar. Për fat të keq jemi në një situatë kur përditë shtohen dhe zgjerohen format e krimit, duke kapur formatin e trajtave më të përbindshme. Po qe se vlerësojmë shtrirjen, gjërësinë dhe intensitetin e krimit në shoqërinë tonë, besoj se treguesit sasiorë janë në nivel maksimal dhe të patolerueshëm. Nganjëherë të duket sikur kjo kohë na ka vënë në një situatë paradoksale, të vështirë për ta kuptuar ontologjinë e saj. Padyshim, statistikat në rritje të krimit në shoqërinë shqiptare, janë pasqyrë e një lloji krize të “moralit publik”. Sepse demokracia që solli lirinë për të gjithë, duket se solli edhe “çlirimin” e krimit dhe praninë e zgjeruar të njerëzve asocialë e kriminelë. Kjo ka bërë që shpesh herë të bëhet evaziv kufiri i ndarjes, midis sjelljes normale sociale dhe humane nga ajo patologjike, irracionale e kriminale. Sipas gjykimit tim, lufta me krimin nuk është betejë e lehtë, as e thjeshtë. Jo vetëm në aspektin e dominimit, si veprim fizik kriminal por mbi të gjitha në kuptimin metafizik e konceptual, si anomali me pasoja të zgjeruara sociale dhe efekte përkeqësuese të cilësisë në jetën tonë të përditshme. Madje ky “rrezik metafizik” i krimit në shoqëri është më ndikues dhe thelbësor, sepse përpjekja e errët, strategjia okulte e tij, synon ta kthejë dhunën, krimin dhe vrasjen në një “normë sociale”, që duhet konsideruar si “gjëndje normale” në jetën e shoqërisë tone. Kjo përpjekje retrograde e destruktive është ajo që unë mendoj se duhet kundërshtuar e para, radikalisht, në mënyrë të vendosur dhe vazhdimisht nga e gjithë shoqëria jonë. Sepse sulmet me natyrë konceptuale kanë “prapavijë morale”, dhe në një farë mënyre janë pjesë e strategjisë diabolike dhe me pasoja të rënda, afatshkurtra dhe afatgjata.

C:\Users\pc\Desktop\1.jpg

        Padyshim në këto momente krimi, dhuna dhe shumë të këqija sociale, jo vetëm që ekzistojnë (ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera), por tek ne krimi dhe e keqja sociale është masivizuar dhe banalizuar. Ndaj duhet të heqim dorë nga semplifikimi i sfondit social dhe peshës fizike e metafizike të shumë të këqijave sociale, sidomos të atyre që janë të lidhura dhe burojnë prej krimit. Sepse e vërteta është që kohët e fundit, krimi po bëhet një nga “karakteristikat e tmerrshme” të kohës sonë. Madje, në jetën e përditëshme po shfaqen shenja të thella të mungesës së stabilitetit social, pikërisht nga determinimi destabilizues i krimit, dhe për pasojë edhe nga shtimi njerëzve, që me sjelljen asociale e kriminale, tregojnë qartë se janë në pozitat e veprimit pa busullën personale të orientimit human. Një pjesë e njerëzve me prirje e sjellje kriminale, e përdorin krimin si mënyrë për të shfaqur “trimëri”, por gjithnjë e në çdo rast kjo “trimëri” përdoret vetëm për arsye të liga individuale. Prania e tyre në shoqëri është një ndër arsyet e shumta, që midis nesh janë shtuar “objektet e konflikteve”, subjektet e krimit që gjërat konfliktuale preferojnë t’i zgjidhin në rrugë kriminale, duke ngushtuar në këtë mënyrë hapësirat dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre me dialog, mirëkuptim qytetar, nëpërmjet rrugës “paqësore” dhe përdorimit të “instrumenteve” të bashkëekzistencës dialoguese. Është dukuri tejet shqetësuese, fakti që në shoqërinë tonë është duke lulëzuar një kundërkulturë sociale, që determinon shfaqjet e intolerancës, mungesën e “hapësirave dialoguese” të mirëkuptimit në raportet njerëzore interpersonale. Në të gjitha rastet, sjellja kriminale është rezultat I konfliktit të paarsyeshëm, në konfliktin e krijuar me “palën tjetër”. Krimi është rezultat edhe i faktit që janë zgjeruar disa difekte sociale në sjelljen e njerëzve tanë, sikurse janë shfaqjet e forta të egoizmit, shenjat evidente të “kokëfortësisë ballkanike”, të cilat në përgjithësi nxitin “kulturën e dhunës”, shfaqjen evidente të karakterit destruktiv të sjelljes njerëzore. Kultura e dhunës dhe agresiviteti janë shfaqjet nga më të shëmtuara, që pengon përpjekjen sociale që krimi në shoqëri të mund të frenohet. Të gjitha këto dukuri kanë marrë përmasa shqetësuese, pikërisht gjatë procesit tranzitiv të kalimit nga totalitarizmi në situatat sociale të një lloji “liberalizmi eksentrik”.

          Këto sjellje e veprime anormale e kriminale, të shoqëruara me dhunë, vrasje e sjellje sociale neurotike, janë faktorë, ndoshta nga më kryesorët, më të rëndësishmit që e kanë cënuar dhe dëmtuar “shëndetin social” të shoqërisë shqiptare. Ato e kanë prekur cilësinë e jetës së njerëzve, duke tentuar ta bëjnë shoqërinë tonë një ambient social të vështirë për të jetuar normalisht. Kjo është arsyeja pse pikërisht sasia e lartë e dhunës, numuri në rritje i krimit dhe vrasjes e kanë bërë të ulët “çmimin e jetës” së shqiptarëve, duke e konsideruar krimin si një gjë që mund të ndodh dhe të cilit nuk kemi çfarë t’i bëjmë, përveçse duhet të mësohemi me këtë kundërkulturë dhe të “mësohemi” që të bashkëjetojmë me të në mënyrë të “natyrshme”. Krimi dhe vrasjet njeriun normal, qytetarin e arsyeshëm, individin me sjellje rracionale, e kanë vënë përballë dilemës: A mund të jetohet normalisht në një “shoqëri të kriminalizuar”, në të cilën krimi është bërë gati si “buka e përditshme”? Ku duhet të jetojmë në një shoqëri që funksionon normalisht apo në një shoqëri që vazhdon të pësojë metamorfozë e të transformohet, sikur të jetë “kopësht zoologjik”? Pse familja është bërë kaq e dhunshme dhe me sasi të larta të krimit brenda saj? Familje apo çmendinë? Duhet të bëjmë jetë të qetë sociale, apo shoqëria po mbushet me të “çmendur” duke marrë trajtën dhe formën e një spitali psikiatrik? Pse kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë vriten, humbin jetën për motive banale dhe gjëra pa vlerë? Këto janë pyetjet që i lindin çdo qytetari që jeton në këtë shoqëri, përballë me dhunën dhe krimin e përhapur kudo, në familje, shkollë, ambiente sociale e vende publike, për të gjitha llojet e shkaqeve dhe motiveve personale apo sociale qofshin. Sasia e zgjeruar e vrasjeve dhe krimit në familje e jashtë saj, janë kaq të zgjeruara e intensive, saqë në mënyrë intuitive të duket sikur jemi në një shoqëri, në të cilën krimi dhe vdekja janë bërë “nevoja natyrale” e shoqërisë, shumë pak shqetësuese, duke harruar të vërtetën humane që në jetën e njeriut dhe shoqërisë biofile, normale, të humanizuar “vdekja biologjike në formë natyrale është nevoja e fundit e njeriut”. Analiza sociologjike e ontologjisë dhe fenomenologjisë së krimit në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, tregon për një prirje shumë delikate që ka lidhje me një lloj “strukturimi homogjen”, midis fenomenit antisocial të krimit dhe veprimit të kriminelëve, të cilët kanë tendencën e thellimit të sjelljes kriminale, duke u shfaqur si “qenie të degraduara”, të cilët nuk kanë kurfarë sensi human, nga që kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” dialogun, komunikimin, humanitetin apo tolerancën. Kjo është arsyeja pse duket qartë që në disa drejtime, shoqëria jonë ka marrë karakteristika të dhunshme, që shfaqet shpesh si krizë sociale me difekte serioze në mënyrat e komunikimit social dhe personal. Kjo e bashkuar me një proces të përshpejtuar të dehumanizimit dhe desolidarizimit të lidhjeve njerëzore, janë arsye të zgjerimit të konflikteve, dhunës, krimit. Në qëndrimin ndaj krimit dhe gjykimin e merituar ligjor të kriminelëve, shpesh herë ndeshemi me analiza sempliste të shkaqeve, shoqëruar me argumentime ngushëlluese e moralizuese të atyre që i kanë kryer ato, duke zbutur fajin dhe përgjegjësinë penale të kriminelëve, nën arsyetimin ngushëllues të “ekzistencës së përjetshme” të së keqes, krimit në shoqërinë njerëzore, faktit që vrasjet kanë qënë pjesë përbërëse e jetës. Këto qëndrime, qoftë edhe në trajtë latente janë tejet të rrezikshme, të papranueshme. Në se justifikojmë krimin dhe kriminelët me argumentin banal të “ekzitencës së përjetshme” të së keqes dhe vazhdimësisë së vrasjes në shoqëri, “…kështu vëmë veten në rrezik; dhe rrezikojmë në rradhë të parë njerëzoren te ne, e cila në thelb është pjesa jo kafshërore, aspekti etik i vetes”. (Z. Bauman, “Moderniteti dhe Holokausti”, f. 314. Besoj se krimi është një nga aktet më të shëmtuara, shoqërisht shumë i rrezikshëm. Nuk ka propagandë sado liberale qoftë që të mund ta justifikojë ekzistencën e tij, ta trajtojë atë si “zakon të ligjshëm” apo që veprim që mund të tolerohet. Koncepti për shoqërinë liberale, për kufirin moral, human dhe ligjor midis asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, është fare i qartë. Profesor Claudio Magris i Universitetit të Triestes sociologjikisht mendon me të drejtë, se “Një shoqëri liberale duhet t’i lejojë një individi thuajse çdo gjë – idetë, kënaqësitë, dëshirat, fiksimet e tij- dhe kategorikisht t’i ndalojë ato pak gjëra që mund ta shndërrojnë atë në një persekutues, të madh a të vogël, të individëve të tjerë; këto akte të dhunshme duhen bërë tabu, të ndërpriten përpara se të na paraqiten si opsione konkrete”. (C. Magris, “Panairi i Tolerancës”, f.36)

Filed Under: Komente

MUSINE KOKALARI, SHKRIMTARJA E PARË SHQIPTARE, DUART E ARTA EDHE NËN DHE – LIDHUR ME TELA  ME GJEMBA                  

February 7, 2022 by s p

Description: Musine-Kokalari-3
Musine Kokalari

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Kthim në kohë.

Ndërsa shfletojmë librat e letërsisë së dënuar, na dalin parasysh, si mirazh në shtegtimin e dhimbshëm, poetët e shkrimtarët e lirisë, Musine Kokalari, e munduar në burg  e internim, e harruar në vetmi deri në fund të jetës; poetët atdhetarë françeskanë, të masakruar mizorisht; poetët Namik Mehqemeja e Trifon Xhagjika, Vilson Bloshmi e Genc Leka, të pushkatuar pa mëshirë, Havzi Nela, i varur barbarisht në litar, të gjithë për poezitë  kushtuar lirisë  e dashurisë ndaj jetës, edhe shumë të tjerë; poetët, shkrimtarèt e gjuhëtarët Arshi Pipa, Martin Camaj, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferri e të tjerë, të ikur nga përndjekja drejt lirisë, por të përmalluar për atdheun deri në fund të jetës.

Në shtatë vitet e para, pas mbarimit të luftës, sidomos në shkollat e mesme pothuaj gjithë të rinjtë lexonin me ëndje librat jo vetëm të autorëve të huaj,  por edhe  të poetëve e shkrimtarëve tanë, të botuara para e gjatë luftës. Në mjediset e ngrohta e të pasura të librarive private ende të pambyllura, shumë vetë kërkonin librat, “Seç më thotë nënua plakë” e “Rreth Vatrës” të shkrimtares Musine Kokalari, “Vallja e Yjeve” të Lasgush Poradecit, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” të Mitrush Kutelit, “Nga Tirana në Stokholm” të Vedat Kokonës, romanet, “Afërdita” të Sterjo Spasses, “Gremina e Dashunisë“ të Mustafa Greblleshit etj. Mandej nisi dhuna, grabitja e librarive, mbartja me kamionë, shfarosja e shkatërrimi i librave të kulturës kombëtare. Një rrymë shkretane me kundërvlera letrare, me emrin realizëm socialist u shfaq, edhe në vendin tonë, me armë e mburrje,  me hymne e lavde për diktaurën, edhe kjo e shqyrtuar imtë nga lart. Letërsia e bukur e Rilindësve, e zhvilluar më tej nga pasardhësit e tyre, u ndërpre, heshti trishtueshëm.

Ardhja e shkrimtares në jetë e në atdhe

Musine Kokalari, lindur në 10 shkurt 1917 në Adana të Turqisë, kthehet më 1921 në atdhe, në Gjirokastër, me pjesëtarët e tjerë të familjes. Aty mori mësimet e para në shqip. Nëntë vjet më vonë, familja shpërngulet në Tiranë, ku më 1937, ajo mbaroi shkollën normale “Nëna Mbretëreshë”. Pas një viti vijoi studimet në Universitetin e Arteve të Bukura në Romë, La Sapienza. Gjatë viteve universitare Musineja, krahas studimeve, jetoi çaste të lumtura, duke u marrë, me krijime letrare me tema familjare, në shqip e italisht. Ndërkohë pati letërkëmbim të pasur me shkrimtarët e shquar, Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) e Alberto Moravia, të cilët i vlerësonin krijimet e saj në letërsi. Ende studente në Romë, përgatiti librin e parë me skica e tregime, “Seç më thotë nënua plakë”, botuar më 1941 në Tiranë, një libër ky i këndshëm për të gjitha moshat, kushtuar jetës në qytetin e saj, që u prit mirë nga lexuesi i gjerë. Dita e botimit të këtij libri shënon shfaqjen e shkrimtares së parë shqiptare në botën e letrave shqipe. Më 1941 mbrojti shkëlqyeshëm doktoratën me temën “ Shqipëria dhe Naim Frashëri”. E kthyer në atdhe, Musineja dëshironte të merrej vetëm me letërsi. Në një letër të vitit 1943, ajo shkruante: “Unë dua të shkruaj, të shkruaj, të shkruaj vetëm letërsi e të mos merrem me politikë.” Ata që kanë patur fatin ta njihnin nga afër, kanë treguar se ajo ishte e çiltër, e dashur, e butë, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, altruiste, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të fortë, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore. Si e tillë, ajo bashkëpunoi me dijetarët Sotir Kolea e Selman Riza, Namik Resuli e Aleksandër Xhuvani, me poetët Lasgush Poradeci e Arshi Pipa, me shkrimtarët Vedat Kokona e Sterjo Spasse. Pas një viti botoi librin e dytë “Rreth Vatrës”, me përrallat e bukura të gjyshes në mjedisin e këndshëm të jetës së përditëshme familjare. Pas disa muajsh nxori në dritë librin e tretë, “Sa u tund jeta”. Kritika letrare e vlerëson si një roman etnografik të arrirë, ku tregohet historia e një dasme në Gjirokastër me ritet e njohura të jugut e me këngë të mbledhura me kujdes vatër më vatër. Atje tregohet fati i një gruaje në familjen gjirokastrite, vihen re ngjyrime realiste të përshkrimit, njohja e jetës shpirtërore dhe e zakoneve, kujdesi i veçantë për gjuhën, shprehitë dhe ligjërimin e grave të qytetit. Me këto libra Musineja na kujton françeskanët At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, mbledhësit e palodhur të këngëve e rapsodive, përrallave e fjalëve të rralla në malet e veriut, të cilët jashtë çdo logjike, pas luftës u ndëshkuan, njëri humbi jetën në hetuesi, tjetri  u plak burgjeve.

Lufta e ndëshkimi i idealit kombëtar

Lufta e përhapur, edhe në Shqipëri, rrëmbeu më 1944, edhe shkrimtaren atdhetare. Si një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate, me punën e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor të po atij viti, nisi kalvari i përgjakur i mundimeve. Vëllezërit Muntas e Vesim Kokalari, botues të kryeveprave botërore, kushëriu Syrja Kokalari, u pushkatuan pa gjyq nga terroristët komunistë. Pas katër ditësh u arrestua edhe vetë Musineja. Rreth 17 ditë në burg, e torturuar me pyetje e kërcënime, ajo me përgjigjet e saj, i hutoi komisarët e armatosur. Më tej do të vijonte, pa u ndalur, goditja kundër tërë fisit të Kokalarëve.

Paslufta  e mundimeve   

Në dimrin e ftohtë 1945, vit i turbulluar nga dënimet mizore kundër atdhetarëve të pavarësisë, nga zhurma e shtypit dhe fjalimet për kinse votime të lira, demokraci e fjalën e lirë, Musine Kokalari, për ironi te fatit, u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Aso kohe mundi të botonte librin me 60 esse “Sikur të isha lule!”, por prapësitë e kohës  nuk iu ndanë. Në 11 Janar 1946, pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, sipari “Qeveria Demokratike”, rrëshqiti e ra dhe u shfaq dhunshëm Republika Popullore, me një parti. Pa kaluar as dymbëdhjetë ditë, Musineja u arrestua përsëri për qëndrimin e saj opozitar, në mbrotje të ideve atdhetare e lirive demokratike. Një lukuni hetuesish, prokurorësh e kryetarësh me dorën e hekurt të diktatorit, u sulën kundër asaj vajze të kulturuar. Pas torturash çnjerëzore, para trupit gjykues shkrimtarja demokrate u mbrojt vetë: “Unë nuk dëshiroj të jem komuniste për të dashur vendin tim, por unë e dua vendin tim. Edhe pse përherë mendoj se s’jam komuniste, e dua progresin në vendin tim. Ju mburreni se fituat dhe tani doni të asgjësoni ata, të cilët i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por vendin tim e dua. Ju më dënoni për shkak të idealit tim. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.” Në çastin, kur britma e porositur “Me vdekje në litar!” u dëgjua e fortë në sallë, kryetari i gjyqit e pyeti Musinenë: “E dëgjon çfarë kërkon populli?“ Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër ketë do të kërkojnë edhe për ju!” Asnjë avokat, as dëshmitar mbrojtës, nuk u pa pranë saj.  Edhe sot zëri i shkrimtares jehon: “S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, në burg nuk duhet të jem!” 

Në ato çaste të mbrojtjes së ligjëshme, si kryetari, edhe prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen!”.  Sipas vendimi të caktuar qysh më parë u dënua:20 vjet heqje lirie, me burgim të rëndë në Burrel. Ndër të tjera, ajo u ndalua të botonte libra dhe u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve. Libraria e saj u mbyll. Lexuesit e rinj prisnin më kot para portës së mbyllur. Edhe librat që kishte shkruar u shpallën të ndaluar dhe u mbartën me kamion në drejtim të panjohur. Të gjitha këto ngjarje u zhvilluan në nëntor 1946. 

Edhe pse burgimi i Musinesë u mbajt tepër sekret, papritur emri i shkrimtares shqiptare, u bë i njohur ndërmjet tridhjetë shkrimtarëve të burgosur në botë më 1960. Jehona për lirimin e saj u përhap edhe në vendin tonë. Diktatori dinak kërkoi largimin nga burgu e nga sytë e botës, duke e internuar në Rrëshen, më parë fshat, në 1949, më pas qendër e rrethit të Mirditës. Pra, shkrimtaren demokrate e fshehën në thellësi të maleve, ku dielli dukej e zhdukej, nga një kep në tjetrin dhe nata binte, përhapej e qetësonte shpirtrat e munduar në kampe minierash e internimesh. Me ata njerëz të varfër e të harruar nga bota, Mirdita e bukur e pishave, e lumenjve, e ajrit të pastër, për habi ngjante si burg. Vendasit e nderonin  në heshtje Musinenë e drobitur nga punët e rënda me krahë në bujqësi e ndërtim, në dimrin e ftohtë me borë e në vapën e verës. Ajo binte në sy menjëherë me pamjen fisnike, me veshjen e pastër e me të ecurit midis atij qyteti të varfër. Një mësues e poet nga kryeqyteti, i harruar edhe ai në fshatrat mbi Rrëshen, shënonte në kujtimet e veta, se teksa zbriste në atë qytet të vogël, udhës ishte hasur me Musinenë, madje e pati përshëndetur, kur në kohën e lirë ajo shkonte në bibliotekë, ulej, lexonte e shkruante. Ndëshkimi, përndjekja e çdo prapësi ndaj saj, vinin nga dora e fshehtë e diktatorit zilar E. Hoxha. Edhe pse ishte e sëmurë rëndë, askush nga zyrtarët s’donte t’ia dinte për të, askush nuk u kujdes për mjekimin e saj në spital. Kështu, Musineja u shua në vetmi më 1983. Siç tregojnë, në ditën, kur do të pushonte përgjithmonë në tokën që e deshi aq fort, u mbart me kamion zhavori dhe u mbulua vetëm nga varrmihësit. 

Nga dorëshkrimi “Mbi jetën time”

 Sado diktatori u rek më kot t’ia mbyllte gojën vajzës së hijshme shkrimtare prapa maleve me burgje e kampe, ajo foli dhe flet edhe sot e kësaj dite me dorëshkrimin e saj: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje? Unë s´jam fajtore.” Më tej shënimet vijojnë: “Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha qetësi në vitet e fundit të jetës sime! Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin. Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por duan të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër, veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhej të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë? Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej – këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasonin nga ai tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit.  Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet kjo punë dhe që të kultivohet punëtori i thjeshtë”. 

Vetëm nga këto pak rreshta kushdo mund të përfytyrojë, se cila qe e dënuara pa faj, demokratja e pahepur deri në fund me ëndërra për një jetë më të mirë në demokraci, shkrimtarja me shpirt bujar.

Dhimbje e nderim!

Në shkrimet kushtuar vajzës demokrate dalin në dritë  ngjarje të panjohura e rrënqethëse.  Nga kërkimet e juristit e historianit Mexhit Kokalari, bëhet e ditur një ndodhi tronditëse, kur u zbulua gropa, ku prehej Musineja pas vuajtjeve të shkaktuara nga diktatori i egër. Atje u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba!!! Tela të ndryshkur kufiri!!! Tela të përgjakur burgjesh e kampesh!!! Tela pushkatimesh!!! Veçse ai, që urdhëroi dhunimin e fundit, gabohej! Telat ishin këputur e tretur, ndërsa mbi tokë çelin lule, vepra jeton e shpirti i saj – yll ndër yje! 

    Musine Kokalari, megjithëse iku nga kjo botë dhe nuk e pa ditën e lirisë, mbeti e paharruar në zemrat e  mendjet e atyre që kanë lexuar veprat e saj. Nga ajo kohë, do të kalonin dhjetë vjet, kur pas ngadhnjimit të demokracisë, Presidenti i Republikës, aso kohe doktor Sali Berisha, e nderoi me medaljen ”Martir i   Demokracisë”, më pas me titullin “Nderi i Kombit”. Më 2009 u botua vëllimi i parë i veprave të saj. Antropologu Mauro Geraci botoi në Itali “La mia vita universitaria”, ditar ku Musine Kokalari rrëfen miqësitë e ngrohta të viteve universitare. Dr. Agata Fijalkovski në Universitetin e Drejtësisë në Lankaster shkruante: “Duke e përkujtuar herë pas here me nderim,  imazhi i Musinesë është një tregues kyç për të gjetur, se çfarë duhet kujtuar, dhe kush duhet  ndëshkuar.” .

Tashmë pasardhësit e Kokalarëve e përjetësojnë nëpër muze, me letrat e me dokumente. Çmime letrare, shkolla e rrugë, mbajnë sot emrin “Musine Kokalari”. Qindra vajza e gra, të rinj e të moshuar, shoqërojnë përherë me miratim çdo shkrim kushtuar kujtimit të shkrimtares pa tela me gjemba rreth duarve të arta, teksa dëgjon nga nënua plakë këngët e jetës pranë vatrës që t’i dëgjojë r gjithë bota. 

Shkruesi i këtyre radhëve të trishtuara, Agim Dëshnica,  në shenjë nderimi  i ka kushtuar Musiné Kokalarit këta vargje:

Për ty, që deshe të ishe lule! 

Motër e muzave, Musine,

të pret qyteti me legjenda,

te Mali i Gjerë, shtëpitë përpjetë,

me lule, gjethe sipër muresh,

teqe, selvi në qiell lartuar!

Qyteti i Bajos e i Çerçizit,

qyteti i dijes e i Çabejit,

tek sillen retë mbi kala,

mbi Argjironë ndër mendime,

në gji fëmijën me dridhërimë!

Ja, Palortoja po hap dritaret!

Ka mall, të pret mëhallë e bukur!

O motër moj, o Musine!

Me çantë visaresh, lehtë e lehtë,

e qeshur ngjitesh nëpër sokak!

Të pret krahëhapur portë e lartë,

shtëpi e gurtë, zemër e mirë,

oda e qetë, vatër e ngrohtë!

O motër moj, o Musiné!

Por çfarë të thoshte ty nënua plakë

atje rreth vatrës, urtë e butë?

Mos vallë kërkoje ndër shkëndi

për miturinë yjet e bukur,

shpresat si ëndrra për rininë,

o motër moj, o Musiné?

Në qiell shpirti të harrohej,

me fjalë të arta për Naimin,

për ditë me dritë nga perëndon,

kur qark fantazma endej në botë,

me gjak e tmerr sa tundej jeta!

Më kot një dorë me adhurim

e pafuqishme drejt teje nderej!

Më kot dhe grusht i rreptë i dhunës,

padrejtësisë nëpër zymti,

ngrihej mbi ty me kërcënim,

kur ne me mall kërkonim vjollca,

për ty, që deshe të ishe lule,

o motër vuajtjesh, o Musiné!

Filed Under: Analiza

Autori i himnit mbretëror shkohet në plumb

February 7, 2022 by s p

(Marrë nga libri më i ri i zotit Naun Kule “Unë dhe të tjerët”)

Bardhyl Selimi

Nëvruz Beqir Ҫela me të shoqen, Vera Juka, kanë qenë shokë të  mij të Fakultetit të Shkencave Natyrore, dega Matematikë, 1963=1967. Nëvruzi ndërroi jetë një vit më parë nga Covid-19 duke na pikëlluar të gjithëve. Dikur ai më pat treguar historinë tragjike të babait, Beqirit, pushkatuar nga pushteti komunist në vitin 1947 si “agjent amerikan”. Për këtë nuk e lanë të punonte si mësues pasi mbaroi studimet. Para disa vitesh, miku im Naun Kule, ish drejtori im, më pyeti për të. Ai po shkruante një libër ku ndër të tjera do përmendëte edhe Beqir Ҫelën, nga Karbunara e Lushnjes duke nxjerrë në pah disa anë të panjohura për të si poet dhe si autor i Himnit Mbretëror, që fitoi konkursin me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë. Unë e takova me Nëvruzin që i dha shumë informacion shtesë. Dhe ja, sot Nauni më telefonoi dhe më tha se do më sillte dy kopje të këtij libri, një për mua dhe një për vejushën Vera. E lexova me një frymë paragrafin ku flitet për Beqir Ҫelen dhe mendova ta ndaj me ju.

f. 200

Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami

(Rreth Flamurit të përbashkuar..!)

  1. Kur e pushkatuan mësuesin poet

Pas ditënetëve të skëterrëshme disa mujore, në mugun e errët të birucës, në çastin kur e futën në sallën e gjyqit, iu zmadhuan bebet e syve. U përball me dritën e diellit dhe u mbush me frymë, si të shuante etjen dhe ankthin e rikthimit në jetë. Sikur u ngop me gjallimin përqark, mbetur larg ndjesisë së tij, sikur endej në krahët e një ëndërre, prerë egër dhe vringthi në terrin e ftohtë të mesnatës së arrestit..

Përplasi vështrimin qosh më qosh të dhomës së gjykimit, përballur me ca njerëz syshqyer e veshngritur, që e vështronin habitshëm e urrejtshëm, si të ishte egërsirë…Madje i posanxjerrë nga kafazi..!? Uli sytë dhe pa prangat ndër duar. Edhe policët anash..Sërish kundroi sallën. Sa pak njerëz? Kërkoi e hetoi me sy..?Asnjë i njohur..! Po, nëna , babai..? Kujtoi sëmundjen e babait, rruga e gjatë, hallet..Po ajo..!? Eh, ç’kërkonte..! Akoma..!?

Edhe këta: s’janë të ardhur. Janë të sjellë..!?

Doemos..Përzgjedhur enkas të dëgjonin dhe shihnin syndërsy gjykimin dhe ndëshkimin shembullor të këtij armiku të rrezikshëm..Ja, pra, ballaz, syndërsy me një armik..!?

Kishte dashur të rrëzonte pushtetin popullor..Po, po! Sapo e dëgjuan akuzën e prokurorit..

“..I pandehur, Beqir Mustafa Ҫela, 34 vjeç, i lindur në Karbunarë të nënprefekturës së Lushnjës, në vitin 1913, është armik i rrezikshëm..

I rekrutuar që në bangot e shkollës së mesme në Tiranë, nga agjenti amerikan Harri Fulx, ish drejtor i asaj shkolle..”

..Tek dëgjonte prokurorin që lexonte akuzën tërë zell e pathos, ndërmendej e pyeste veten nese çka po dëgjonte, ishin për të, apo..? Përsëriste me vete, si në jerm, fjalët e prokurorit..

“..Armiku Beqir Ҫela, ky spiun i agjenturës amerikane në Shqipëri, si mësues, përkthyes a poet me ca bejte ta sajuara kundër atdheut e popullit të tij, nuk mbante as armë dhe as gjuante plumba. Por arma e tij ishte më e rrezikshme edhe se plumbat..

..Organet e hetuesisë e kanë kapur me presh në duar armikun Beqir Ҫela në takime kokë më kokë me ishdrejtorin e tij, spiunin amerikan, Harri Fulx. i pandehuri Beqir Ҫela, i zënë me shpatulla pas murit nga drejtësia jonë popullore, është detyruar t’i pranojë këto krime..”

  1. Sfidant i kohës..

I cilës kohë, i asaj që iku apo i asaj që vinte? I të dyjave..!?

Beqir Ҫela nga fshati Karbunarë i Lushnjes (sot emërtimin “Beqir Ҫela” e mban një shkollë e mesme në qytetin e Durrësit) ishte nga ata djem fatlumë, të cilët në Shqipërinë gjysmëanalfabete të dekadave të para të shekullit të njëzetë, të ishte konviktor në një shkollë të mesme amerikane “Harri Fulx” në Tiranë.

Djaloshi inteligjent i Karbunares (Lushnje), student i shkëlqyer, poeti, përkthyesi dhe mësuesi pasionant, Brqir Ҫela, vërtet pati një jetë të shkurtër, (34 vjeç), por mjaft të pasur.

Që në vegjëli dallonte për zell, inteligjencë dhe zgjuarsi.

Në këtë shkollë gjetën njëri tjetrin, shkolla dhe mësuesit- nxënësin e përkushtuar, ndërsa nxënësi Beqir Ҫela, mjedisin qytetar, intelektual e progresiv siç e kërkonte bota aq e pasur e djaloshit. Këtu u formua si qytetar i kohës e si atdhetar. Njohu letërsinë antike e bashkëkohore, idetë e mendimtarëve të huaj përparimtarë, të cilët nxitën dhe pasuruan krijhimtarinë poetike dhe përkthimet nga anglishtja.

I dalluar si i tillë dhe gjithnjë aktiv, në vitin 1930 Beqiri zgjidhet Kryetar i Kryqit të Kuq të rinisë së shkollës.

Gjatë gjithë viteve të studimit të shkollës, nxënësi Beqir Ҫela ishte bashkëpunëtori më i njohur i revistës “Laboremus” (Le të Punojmë), të cilën e botonte periodikisht kjo shkollë, ndërsa në vitin 1931, u caktua editorialisti i revistës “Laboremus”.

Në vitin 1933 nxënësi Beqir Ҫela zgjidhet kryetar i Grupit të Arteve, më pas sekretar i  “Kongresit të Studentëve” për shkollën.

Pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet, mësuesi i ri emërohet në shkollën e Krujës. Më 1938 transferohet si mësues në shkollat e qytetit të Durrësit, ku mori edhe vëllain, Rexhepin dhe motrën e vogël, Elizën. Këtu edhe u martua me kolegen e vet, Ervehenë, me të cilën sollën në jetë dy fëmijë: Mimikën dhe Nëvruzin.

Beqiri bashkëpunoi që në bangot e shkollës me shtypin e kohës si me gazetat “Arbëria”, “Drita”, “Shtypi”, “Demokratia” etj, në të cilat botoi edhe shumë përkthime dhe krijime poetike.

Në vitin 1937, Madhëria e tij, Zogu I, shpalli me pompozitet festimin e 25-vjetorit të Pavarësisq dhe krijimit të Shtetit Shqiptar. Shpalli dhe një konkurs për të krijuar Himnin e ri Kombëtar. Konkuruan 76 poetë e shkrimtarë, nga gjithë trojet shqiptare, të nivelit Gj. Fishta, L. Poradeci, M. Kuteli, A. Asllani etj.

Dhe, për çudinë e të gjithëve, çmimin e parë e mori poeti i ri nga Karbunara e Lushnjes, Beqir Ҫela, me poezinë “Dykrenar i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami” duke u bërë, kështu, që në moshën 25 vjeçare, autori i Himnit Kombëtar të Mbretërisë Shqiptare..! Që në vitin 1931, pra ende nxënës, poezinë “Flamuri Kombëtar’ ai ua kushton nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, që kaluan përmes Myzeqesë drejt Vlorës dhe ngritën flamurin kombëtar.

“ Dhe shiu që bie dhe balta harbon! Por shiu i lag, balta s’i ndalon..

………………………………………………………………………………………………………

..Kush ka gjak shqiptar dhe shpirt fisnik

T’i falet sot flamurit kuq e zi! Në gaz dhe helm, ta ndjeki si besnik..”

Poeti myzeqar i këndon edhe bukurisë njerëzore, vajzave shqiptare të bukura, të shkathta e të vlerta, sa, për nga bukuria, ia kalojnë edhe hënës: “Hënë e qiellit, pse u fshehe? Dil, pa dil e matu pak..!”

Vajza për poetin është burim i jetës, i dashurisë që na mban në këmbë: “Ҫil moj motra edhe nuse, hapja gjirin erës së malit!

Ҫil t’i qeshet buza çupës, t’i gëzohet zemra djalit..”

Ndërsa ishte ende nxënës në vitin 1932, Beqiri përktheu librin e Bekonit “Mbi fatin”, ku spikat talenti i tij si përkthyes, me njohje të admirueshme dhe të pazakontë për kohën dhe moshën, të shqipes letrare dhe të gjuhës angleze.

  1. Përmbi Shqipëriën, vetem…Perëndia!

..Ҫlirimi i Shqipërisë, Beqir Ҫelën e gjen në Durrës, si mësues, krijues, intelektual i kompletuar dhe i mirënjohur.

Me gëzimin e madh të shqiptarit atdhetar për lirinë e fituar, ditë më radhë organizoi në kinemanë e qytetit të Durrësit veprimtari artistike, duke e festuar çlirimin e atdheut.

Aktivitetet festive fillonin me një përshëndetje nga organizatori i këtyre festimeve, mësuesi Beqir Ҫela, ku theksonte detyrat e shqiptarëve për rindërtimin  e atdheut të shkatërruar nga lufta.

..Por pikëpamjet e mësuesit dhe krijuesit Beqir Ҫela për rrugën e re të Shqipërisë komuniste, u përballën me diktaturën shtetërore të pasçlirimit. Takimet fatale të mësuesit Beqir Ҫela me ishdrejtorin e tij, amerikanin Harri Fulx, që shpërndante në Shqipëri ndihmat e Kryqit të Kuq Amerikan e futën djaloshin në listat e agjentëve të Sigurimit.

..Në vitin 1946 mësuesin Beqir Ҫela e arrestojnë. E torturojnë për gati një vit dhe në shtator 1947, e pushkatojnë me grupin  armiqësot të deputetëve si Shefqet Beja, Sheh Karbunara etj.

..Ky ishte profili atdhetar i këtij mësuesi, poeti dhe intelektuali shqiptar, jeta e të cilit u ndërpre, kur sapo kishte marrë udhë.

Nga çka lënë të shkruar mësuesi poet, njohim pikëpamjet, talentin dhe vizionin e këtij intelektuali idealist, i flijuar për kombëtarizmën. Te poezia e tij “Himn për flamurin” me të cilën u nderua kombëtarisht që në moshën 25 vjeçare, ai shkruan:

“ Dykrenor i Kastriotit, përmbi kishë edhe xhami,

Ti na lidh përpara Zotit, besa a besë për Shqipëri!”

Por pikërisht ky përkushtim dhe idealizëm, për “Dykrenorin e Kastriotit”, e çoi jetën e djaloshit deri në përplasje fatale me regjimin e kohës. Kujtojmë se autorët e Himnit Kombëtar, bota i ngre në piedestal. Veprën dhe fytyrën e tyre ua përcjell brezave.

Kurse mësuesi dhe poeti ynë Beqir Ҫela, ky autor sfidant i Himnit të Flamurit tonë, çohet në plumb..!

Por vëreni në merakun dhe thirrjen kombëtare të autorit të Himnit tonë “..përmbi kishë edhe xhami..”

Ndonëse në moshë të re (24 vjeç) djaloshi Beqir Ҫela ishte krejt i çliruar nga prangat fetare, aq të forta dhe të pranishme për ato vite në një Shqipëri me dominancë myslimane.

Kuptohet se poeti dhe mësuesi Beqir Ҫela, i është bashkuar pjesës më progressive të brezit të vet. Ishte koha, kur Noli ynë, ky burrështetas dhe bashkëkohor i poetit tonë Ҫela, realizonte pavarësinë e Kishës  Ortodokse Shqiptare (KOASH), duke shkruar:

“Populli shqiptar e formoi kombin e vet mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, jo mbi fenë, si greku e serbi mbi ortodoksinë dhe italiani mbi katolicizmin..

Për shqiptarët, mbi të gjitha vlerat qendron Shqipëria..

Përmbi Shqipërinë, vetëm..Perëndia!

KOnspektoi Bardhyl Selimi, 4 shkurt 2022

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2600
  • 2601
  • 2602
  • 2603
  • 2604
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT