• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËN E MËSUESIT-7 MARSI

March 7, 2014 by dgreca

…dhe pak fjale per nje mesuese ne diaspore: Miradije Gashi/

Shkruan:Shaban Cakolli/

Dihet mirëfilli se roli i mësuesit është  një rëndësi  e veçantë  në çdo shoqëri,kohë apo vend.Shkollat tona shqipe  luajnë  një rol shumë të rëndësishëm në radhë të parë në stimulimin e atdhedashurisë,nxitëjen e ndjenjave dhe dëshirave për dije,emancipimin,identitetin,si eksperiencën në njohëjen e gjuhës,artit,kulturës e traditës.Mësuesi,familja dhe intelektualët e rrethit,për të fituar  diturinë janë faktorët kryesor.Dihet mirëfilli se shqiptarët të pushtuar ,pushtues pas pushtuesi,kanë  dhënë sakrifica të një pas njëshme në mbrojtëjen e shkollave shqipe.Fillet e arsimit shqip datojnë që moti,diku në shekullin e XVII,ndoshta edhe më herët.Nga këto kemi data shumë të rëndësishme të cilat nuk duhet harruar asnjëherë.Si mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë më 1887,në Kosovë më 1889 në Prizren,shkolla e parë shqipe për vajza më 1891,kur komiteti”Vëllazëria” e ngritën këtë shkollë të vajzave,ku mësueset e para ishin:Sevasti e Parashqevi Qiriazi,Katerina Cilka,Polikseni Dhespot Laurasi, e Fanka Efthim,që ishin mësueset e para shqiptare.Po më herët shkollat të cilat pregadisnin mësues,u hap në Bukuresht më 1892,kurse në Shqipëri  Normalja e Elbasanit më 1909.Pra populli ynë kishte shumë veprimtarë e intelektual të cilët bënë krejt çka ishte e mundur për dritën e kombit.Shpeshherë shkollat e tyre u mbyllën nga pushtuesit,u ballafaquan me presione të ndryshme,por nuk pati armik i cili do të mund të ua ndalonte dëshirat p137r të u arsimuar,pavarësisht sakrificave.Shkollat shqipe i drejtuan veprimtarë e dijetarë të shquar të kombit si:Luigj Gurakuqi,Aleksandër Xhuvani,Salih  Ceka,,Shuteriqi,Guranjaku,e shumë,shumë të tjerë.Për shkollat u punua shumë  atë botë u nxorën  Abetare,e tekste tjera  të gjuhës shqipe,filluar nga Kristoforidhi,Veqilharrxhi.Pashko Vasa,Koto  HOXHI;Gurakuqi,Parashqevi Qiriazi,Xhovani,Shuteriqi,etj…..Qëllimi ynë është që në  çdo 7 mars të shkruajmë për mësuesit,shkollat shqipe,sakrificat e shqiptarëve për  njohuri,të cilën duhet të e kuptojnë dhe mos të e harrojnë kurrë brezat pas nesh.Roli i shkollave shqipe,mësuesëve kanë sjell realitete bindëse për shqipen,nga ajo kohë deri në ditët tona një varg dijetarësh të shquar,historian,arkeolog,gjuhëtarë,kanë punuar dhe sakrifikuar për diturinë,duke e mbrojtur ate qoftë  me penë,qoftë me luftë.Shqiptarët nisën të shkolloheshin vonë,kjo ndodhi për shkak të pengimeve që ua sillte pushtuesi,por në ato periudha shqiptarët e etshëm për dituri i nxënë në hap edhe pushtuesit.Arsimimi i shqiptarëve në Kosovë ishte shumë më i vështirë:Pas vitit 1974,shqiptarët me hapa të mëdhenj ndoqën rrugën e arsimimit,thuajse brenda atyre viteve dolën mësues,historian e doktor,akademik,thuajse baraz me Sërbinë pushtuese,e cila na kishte ndaluar në këtë drejtim afro një shekull.Një gjë dihej:Armiku ynë ishte i vendosur të na zhdukte,e këtë e bënte sa me  zhdukjen fizike,aq me zhdukjen kulturore,që të dyja ishin  të njejta.Nga vitet e tetëdhjeta sllavo-sërbët u treguan krejt haptas se janë kundraj qenies dhe shkollimit tonë.Ata na e siprimuan atë pak autonomi që kishim,na vranë,burgosën e  përndoqën,na i helmuan nxënësit në shkolla,na i mbyllën shkollat,na përndoqën me dhunë nga vendlindjet,e qëllimi ishte i qartë për një zhdukje kolektive të shqiptarëve.Si rezultat i kësaj dhune shumë shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të strehohen në Europë.Ajo çka ishte më e keqja,ata duhej të marrin me vete edhe fëmijët e tyre,të cilët fatkeqësisht dhe pa fajin e tyre,hapërimet e tyre jashtë atdheut i nisën në tjetër rreth,tjetër kulturë,tjetër gjuhë,tjetër traditë.Eh,po këta fëmijët këta engjuj të pafajshëm janë të prirë qysh në fëmijëri për të përvetësuar të huajën qoftë edhe më të keqen.Roli i mësuesëve në diasporën shqiptare është i një rëndësie të veçantëAta kudo në diasporat shqiptare,veçmas në Gjermani,punuan shumë për hapëjen e shkollave shqipe kudo ku kishte shqiptarë,me mbështetëjen e prindërve dhe intelektualëve të rrethit,punuan shumë me fëmijët tanë,andaj kemi shpresa se këta mësues shmangen asimilimin e fëmijëve tanë.Dihet mirëfilli se në ngjarjet historike  femra jonë u gjend krah për krah me mashkullin,duke dhënë kontribut të  çmueshëm në çdo fushë kombëtare.Femrat tona mësuese në shkollat shqipe në diasporë,bënë shumë për të ruajtur shqiptarizmën tek fëmijët tanë të mërguar,duke ua ndezur fëmijëve tanë zjarrin e atdhedashurisë,duke u mësuar gjuhë,histori,gjeografi,art,traditë e kulturë shqiptare.Mësuese që pregaditën fëmijët tanë të mërguar,ka qindra  në diasporë,por ne sot do të bëjmë fjalë për një mësuese intelektuale dhe veprimtare e shquar e kombit,zonjën  Miradije  Gashi.Miradija është krenaria e botës femërore shqiptare e cila me tërë qenien  punoj për  kombin,arsimin,kulturën,ajo është veprimtare,mësuese dhe poete.

Miradije Gashi u lind në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmën (Akademinë Pedagogjike) si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, ku mori titullin: “Arsimtare e grupit klasor”.

Menjëherë pas diplomimit zuri punë në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Arllat.

Qëlloi që pikërisht në këtë kohë fryn e shfryn furtunat e pushtimit dhe ajo, bashkë me shumë kolegë të tjerë, u vu në shënjestër të sundimtarëve serbë, duke e larguar nga veprimtaria edukatovo-arsimore.

Ajo tashti filloi studimet në Degën e Pedagogjisë të Universitetit të Prishtinës, duke i përfunduar me sukses. Ndërkohë u bë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës.

Po atë vit Miradija u angazhua edhe në Kryesinë e Forumit të Intelektualëve të Kosovës.

Veprimtaria e saj atdhedashëse, në vitin 1991 u bë sërish shkak i pamundësisë për punë në arsim. Madje, disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga pushteti serb edhe pas lirimit nga burgu.

Duke mos e pushuar aktivitetin lidhur me shkollën shqipe, ajo ndalohet nga policia serbe në Komaran, i konfiskohet materiali arsimor dhe merret në pyetje e keqtrajtohet pamëshirë në polici.

Mu në këtë kohë ajo merr ftesën që sërish të paraqitet në organet e sigurimit në Mitrovicë.

Meqë torturat në organet e hetuesisë serbe ishin si të thuash racion dhe duke qenë nën vëzhgim e përcjellje të vazhdueshme, ajo, në janar të vitit 1994 u detyrua të emigronte në Gjermani.

Sigurisht që edhe në emigrim ajo do ta vazhdojë veprimtarinë e saj arsimore, fillimisht në qytetet e Schwarzwaldit, përkatësisht në “Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve” (VHS), në Villingen-Schwenningen. Atje ajo mbajti kurse dhe ligjëroi gjuhën shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe për të tjerët të cilët interesoheshin për gjuhën tonë.

Miradije Gashi, krahas veprimtarisë arsimore, u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare duke botuar poezi në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po njëkohësisht edhe duke trajtuar tema të ndryshme nga fushë e pedagogjisë. Më se një herë në paraqitjet e saj ajo kishte përdorur edhe pseudonimin “Fanesha”.

Miradija aktualisht jeton dhe vepron në Stuttgart, ku mban mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.

Është prezantuar me poezi në disa antologji, si: Busulla e shpirtit, Trinomi i Lirisë, Një shekull drite etj.

Ky është vëllimi i parë i saj me lirika si libër me vete.

Ka dhe një korpus krijimesh në dorëshkrim.Miradije Gashi është një veprimtare me plot energji,ajo kryan obligimet familjare,shkruan krijimtari,mëson fëmijët mërgimtarë në shkollat shqipe,duke u dhuruar njohuri nga atdheu,gjuha,letërsia,historia,gjeografia,krijimtari letrare, art figurativ,e lexim artistik.Ajo gjenë kohë me nxënësit e saj të mbajë edhe aktivitete të lira,të kremtoj festat kombëtare,të gjitha i ka organizuar në mënyrën  më të sukseshme,ku gjithnjë ka shkëlqyar me punën dhe organizimet e saja.Miradija me vite e vite dha një kontribut të pashoq,arsimoj e përcolli gjenerata,kontributi i saj ishte dhe mbetet shtyllë e fortë e shkollës shqipe në mërgatën shqiptare.Kuptohet këto punë nuk janë të lehta dhe nuk bëhen pa sakrifica,por dashuria e saj për punë me rininë tonë të mërguar,historia e lavdishme e popullit shqiptar,sakrificat nëpër cilat kaloj, i dhanë dashuri e përkushtim për punë me fëmijët,për abetaren shqipe,gjuhën,letërsinë,kulturën,historinë,traditën,të i shpëtoj fëmijët tanë nga asimilimi si dhe të i bëjnë ata të ndihen sa më afër atdheut.Andaj çka të themi:Mësueses  Miradije  Gashit,gjithë mësuesëve kudo që ndodhen në hapësirën shqiptare e në diasporë,urime   dita e juaj e mësuesëve  7 marsi.Ju ishit dhe do të mbeteni gjithmonë në kujtesën e popullit,atdheut,në kujtesën e shumë  gjeneratave,ishit të shkëlqyar,intelektual  me vyrtyte të larta njerëzore,që keni përhapur ,e po vazhdoni të  i përhapni  rrezet e diturisë gjithandej atdheut dhe diasporës.

Ne Foto: Miradije Gashi/Shtutgart-Gjermani

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: 7 Marsi, Miradije Gashi, Shaban Cakolli

Maria Tuci, Vasha me palmën e martires

March 7, 2014 by dgreca

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, stigmatinja Maria Tuci/

Rishtarja stigmatine Maria Tuci (Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928-Shkodër, 24. 09. 1950): u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e Martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme. Sot, dita e tretë e Kreshmëve, prag i 8 Marsit, kur gratë përgatiten për të kremtuar festën e tyre, duke kujtuar një mori luftëtaresh, nga të gjitha fushat e jetës, që bënë sa e më shumë se burrat, ne menduam të kujtojmë Vashën Martire, që përballoi një burrë mizor, në emër të një Zoti! Duke ardhur nga prova e madhe, mes nesh, e papërlyer.

Vasha me palmën e martires
Kush ka lexuar veprën Gjauri të Bajronit, nuk mund të mos e kujtojë fundin e tmerrshëm, që turku Hasan zgjodhi për gruan e vet të pabesë, Lejlanë. E ngujoi në një thes, me një maçok të egër. E, si ia mbylli mirë e mirë grykën, e flaku në det. Lexuesit të kohëve tona, ky fund romantik i duket ose ireal, ose një nga ato mizoritë e neveritshme, fryt i fantazisë tepër të begatë orientale, kur është fjala për të sajuar tortura të reja.
E gati-gati nuk e beson se ngjarja e përshkruar nga Bajroni, në sfondin e grykave të egra të Greqisë, do të përsëritej edhe më egërsisht në ndërtesën e degës së punëve të brendshme në Shkodër, ku dikur ishte Kolegja françeskane, e sot është streha e Klariseve të klauzurës. Jo pse oficerët e degës e kishin lexuar Bajronin. Ata, të zënë siç ishin me krijimin e njeriut të ri, nuk kishin nevojë për kurrfarë leximi. Kur vinte puna për të kryer krime të shëmtuara, bëheshin sakaq autorë kryeveprash krejtësisht origjinale. Duke arritur deri aty, sa të gatuanin nga njerëzit e zakonshëm zvaranikë. Ose shenjtorë!
Kur përmendim fjalën ‘shenjt’, jemi mësuar të përfytyrojmë një figure, një pikturë, një ikonë, një shtatore. A një njeri të jashtëzakonshëm, të paarritshëm, gati-gati qiellor! Ne, shqiptarët, që për 50 vjet prekëm fundin e ferrit, në një vend ku fjala shenjt ishte krim e shenjtërimi kalonte nëpër Udhën e Kryqit, na duket çudi kur mendojmë se shenjtorët ishin e janë mes nesh. Se shenjtorë pati e ka edhe në Shqipëri. Se komunizmi, në vend që t’i zhdukte aradhet e shenjtorëve, u shtoi edhe disa emra shqiptarësh. Një prej tyre është edhe Maria Markatuci, rishtarja stigmatine 18 vjeçare, që e pagoi me gjak përkushtimin ndaj Jezu Krishtit dhe hijeshinë e rrallë, dhanti e Dhëndrrit Hyjnor.
Maria ishte shtatgjatë, hollake, fytyrëmbël, me sy të kaltër, të mëdhenj, të mirë. Ballin e lartë, të bardhë, ia kurorëzonin flokët e dendur, të butë, të ndritshëm, që i derdhshin valë-valë mbi supe, deri në përmjetin e hollë, delikat.
Po ta kishte parë Mikelanxhelo, Leonardo ose Rafaeli, do ta kishin marrë si model për Madonat e tyre.
Po, për rrezik të saj, e pa kryesigurimsi i asokohshëm, emri i të cilit ishte sinonim i zvetënimit. E, natyrisht, duke shfrytëzuar faktin se vasha ishte probandë e filiz i ri i fisit të lashtë të Gjomarkajve (pra dy herë kriminele), e arrestoi. Jo pse i vinte për doresh piktura. Pashai i kuq kishte një prirje krejt tjetër: kur vashat shkodrane, që i zgjidhte për ‘haremin’ e tij nuk e kapëcenin vullnetarisht atë prag, e kapërcenin të ngarkuara me pranga. Ashtu si Maria! Vajza kundërshtoi. Premtimet nuk e joshën e torturat s’e thyen. Sa herë e morën në pyetje, pati guximin e jashtëzakonshëm, në atë mjedis bishash, të përgjigjej vetëm me Fjalët e Dhëndrit Hyjnor.
Kryesigurimsi, që dridhte Shkodrën, u drodh para probandës së vogël stigmatine. E e u betua se do ta dërmonte aq, sa të mos e njihte më as e ëma, që i kish bërë kokën. I sigurt se Vasha do të pranonte më mirë të shëmtonte shpirtin, sesa korpin. Në qelitë e sigurimit u vunë ballë për ballë krimineli- e Zoti.
Maria u bëri ballë torturave, deri sa u dërmua aq, sa nuk e njohën më as shoqet e qelisë. Ndërmjet tyre, probanda korçare, Gjorgjina Bulgareci, që do të dëshmonte, më pas, për atë që ndodhi në qelitë e sigurimit, ku sot luten e kundrojnë Klariset e klauzurës. Kryesigurimsi e mbajti fjalën. Por, duke mos u kënaqur me këtë vepër, sajoi, më tej, edhe kryeveprën e krimeve të tij. Ndonëse nuk ia kishte dëgjuar kurrë emrin Gjaurit, e as Bajronit.
Ishte viti 1947. Ngjarja ndodh në Qytetin e Shkodrës. Në Ballkan. Në Evropë. Në Kontinentin, që bënte sehir si kthehej, në një skutë të trojeve të tij, koha e Neronit, e amfiteatrove. Arena, tejet të përshtatshme për zbatimin e marksizmit në praktikë. E për fundin e Marisë. Vashën, kthyer në skelet, e mbyllën picak në një thes, së bashku me një maçok të egër. Si Lejlanë, në poemën ekzotike të Bajronit. Po nuk e hodhën në liqen. Tepër e lehtë, një vdekje e tillë. U dëfryen duke i rënë me shkop thesit, derisa u kthye në një masë gjaku të mpiksur.
Marjeta, Maria Goretti shqiptare, ishte vetëm 18 vjeçe kur u arrestua. 22 vjeçe, kur u shua, duke e falur me gjithë zemër atë, që i kishte dhuruar Palmën e Martires. E kaloi provën e madhe, për të na lënë trashëgim aromën e mrekullueshme të jetës së saj të papërlyer.
Jo shumë kohë pas saj, kryesigurimsi do ta mbyllte jetën me një fund misterioz, në një vend ku diktatori, ulur mbi fronin e Shqipërisë, i hante njëlloj ‘bij’ e ‘thjeshtër’.
Tani, kur kanë kaluar kaq vjet, kur Vasha është kandidate për nderimet e elterit, e kryesigurimasi është harruar, mund t’i vlerësojmë më mirë këto dy vdekje. E, duke vlerësuar vdekjet, vlerësojmë edhe jetët e dy krijesave. Maria ishte krijesë e Fesë në Krishtin. Një vajzë si ajo, do të kishte qëndruar si martirët e kohëve të para, edhe në amfiteatrot e perandorëve romakë, armiq të krishterimit. Po ndoshta jeta e të krishterëve të atyre kohëve tragjike ishte më e lehtë, sesa jeta e martirëve modernë, salvuar në koloseun e komunizmit shqiptar!(Radio Vatikani)

Filed Under: ESSE Tagged With: e martires, Maria Tuci, Vasha me palmën

NË KUVENDIM ME NËNËN

March 6, 2014 by dgreca

NGA DRITA LUSHI/

Per sa kohe s’jemi vetë prindër, s’e dimë, a ndoshta, s’e masim dot dashurinë e nënës, ndaj nesh.Edhe kur bëhemi prindër,e mbi të gjitha mama,mendojmë me vete:“S’ka mundësi të na dojë kaq shumë nëna, sa ç’duam ne fëmijen tonë!”

Kur nisim të mbajmë disa vite në numur, që numërojnë dekada, bëhemi befas më të ndjeshëm dhe kutojmë më shumë, duam më shumë dhe befas me çdo ind e qelizë tonën, kuptojmë, se është pikërisht nëna, ajo që na do pa kushte, siç duam tashmë fëmijën mbi çdo gjë në botë.Kuptojmë se jemi për nënën gjithçka, siç është fëmija, qëllimi i ekzistencës sonë.

Mund të kesh disa miqësi,më shumë se një fëmijë, mund të kesh më shumë se një jetë, mund të takosh më shumë se një dashuri…por NËNË, është veç NJË.

 NË KUVENDIM ME NËNËN.

Mirdita botë!
E nisa edhe sot kuvendimin me ty.
Me ty, e pak njerëz që më duan,
Ose bëjnë sikur,(s’e di!)

Nënokja ime p.sh, më do fort,
(e ndiej) kur me sy e fjalë më ledhaton.

Tani që u bëra dyzetekatër,
ose, ose më saktë,
dyzetekatër e një muaj,
filluar kam t’i puth duart imcake
e, shpesh e më shpesh, puthje i jap edhe në ballë,
pesëmbëdhjetë vjet, që jeton pa (të shtrenjtin!) tim’ atë.

Mos m’u zemëro që të thërras, nënoke!
Të ndiej më afër kështu,
të ndiej çdo rrudhë
në faqe e ballë.
Si kurorë t’i shoh të gjitha thinjat,
ah, ja dhe ndonjë flok të zi, në të rrallë!

Eh, e mira nënoke!
Edhe kur ankohesh
fajin pleqërisë ia hedh,
Paçka se akoma s’ke bëre shtatëdhjetë.

Po e di çfarë?
Të mos flasim për reumatizmën,
që të gërryen kyçet, apo pleqërinë,
Po për gjëra të gëzuara
P.sh, për time bijë.

“Mjaltë e mjaltës”- thuhet, ëëëëë…?
Po a të duket kështu ty ?
Tash’ që s’ke vetëm një,
Por (nip e mbesë),
u bënë … dy!

E di, e di nënoke!
Po ja, që bëj dhe ndonjë pyetje pa vënd,
Kur ata (nip e mbesë) të thërrasin”nëna”,
qesh e lumturohesh,
e di, kështu ta ka ënda;

Eh, nëna ime!
Ja kështu rridhka jeta.
Mbaj mend,
kur shkoje tek nëna jote e mplakur dikur,
e ktheheshe që andej, aq e trishtuar!

Ndoshta dhe nesër,
ime bijë do të kuvendojë me mua shtruar,
të më sjellë një gotë ujë,
a të më falë një ylber me fjalë!
Qenka qerthull kjo jetë nënoke!
Hajt pra:
“pa dale të të puth dhe njëherë në ballë”,
eee, ditë të mbarë!
…
“Muuaah” – Jetë të mbarë.

@ Drita Lushi.

Dedikuar nënës sime të shtrenjtë.Shkruar në qershor 2013.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Drita Lushi, NË KUVENDIM ME NËNËN

SHKOLLA SHQIPE QËNDRON MBI ESHTRAT E PATRIOTËVE TANË

March 5, 2014 by dgreca

*Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit/

*“Ata ishin njerëz me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilëve edhe Ferri i Dantes ishte një panair i bukur”-(NOLI)/

Nga Avzi Mustafa/

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.

Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”

Pa marrë parasysh vështirësitë dhe pengesat, ata dhanë basen e shqiptarit që fjalës ilirike t’ia japin shpirtin në hapësirën e Gjithësisë dhe nën mbikëqyrjen e shenjtorëve tanë: Koto Hoxhit, Hoxhë Tasinit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Sami e Naim Frashërit, Ismail Qemalit…, e pastaj të shkruhet një ABETARE, me të cilën do të përhapet drita për shqiptarët ku që janë.

Dhe, siç thotë Skender Luarasi, “Sami Frashëri me shokë i dha Fjalës Fytyrë, Abdyl Frashëri me shokë i dha Fjalës Fuqi, Naim Frashëri i dha Fjalës Frymë”. Natyrisht këtyre emrave duhet t’u shtohen edhe shumë e shumë emra, që Fjalës së shkruar shqipe ia dhanë Qëllimin dhe Shqiponjës dhe krahët për të fluturuar anembanë truallit arbëror, duke ringjallur shpresat edhe në errësirën më të dendur, për të mos humbur qëllimin edhe në mjerimin më të hidhur.

Gjatë historisë shumë herë u rrëzuam dhe u ngritëm më të fortë se më parë, se kemi durimin, dhe qëllimin. Dhe këtë porosi na e ka lënë Petro Nino Luarasi kur thotë “Edhe nëntëdhjetë herë të rrëzohemi e përsëri duhet të ngrihemi”.

Në truallin Arbërisë çdo pushtues mundohej të lë gjurmë në shpirtin e shqiptarit duke hapur shkolla turke, greke, latine, sllave, por asnjë shqipe. Banorët e Arbërisë quheshin arnaut, latin, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Shqiptarët kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht nga përçarja fetare, ata mbetën gjithmonë shqiptarë. Këtë e bënte gjuha e cila ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.

Abetarja shqipe është shkruar me gjak nga promethenjtë tanë dhe me kocat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura që sakrifikuan jetën për shkollën shqiptare. Si Naum Veqilharxhi që na fali Abetaren e pare dhe këtë e lau me kokë në burgun e Patrikanës greke më vitin 1866. Gjithashtu me kokë e pagoi veprimtarinë patriotike dhe humane mësuesi parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri, që u vra prej të vjehrrit të së shoqes me prejardhje greke.

Pse çeli shkollë shqipe në Negovan edhe pse predikonte çështjen shqiptare, xhandarët grek, të ndërsyer nga dhespoti i Kosturit, më 12 shkurt 1905 e vranë Papa Kristo Negovanin me të vëllain, Theudosin, dhe pesë patriotë negovanas përkrahës së shkollës shqipe, vetëm e vetëm për të futur frikë, që shqiptarët të mos mësonin në gjuhën amtare. Patriotit Koto Hoxhi – yllin e gjuhës shqipe, që edukoi jo vetëm me ndenja patriotike, por ua mësoi gjuhën shqipe shumë mësonjësve, po ashtu iu hakmorën mizorisht. Mitropolia e Manastirit me dinakëri e futi në dorë të kusarëve duke mbajtur rob Gjerasim Qiriazin, vetëm e vetëm që të heqë dorë nga shqipja e shqiptaria. Fanari grek, në bashkëpunim me hyqimetin osman, më 1911 e helmuan Petro Nino Luarasin, më 1884 nga tortura në burgun e Athinës e mbytën Anastas Kulloriotin, ndërsa Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësojtores së Korçës, e mbytën në internim.

Ndaj shkollës dhe Abetares shqipe qeveria osmane merrte masa të rrepta, duke torturuar, syrgjynosur e vrarë edhe në zandanët e Turqisë, si ishte rasti me Sadik Zajmin e Idriz Novokasin pse kishin hapur shkolla shqipe ne Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ata e internuan Hamdi Ohrin që hapi shkollë edhe në burgun e Manastirit, ndërsa Said Njadenin, mësuesin e Dibrës, e mbytën në moshën 39 vjeçare po ashtu pse hapi shkollë klandestinë në Dibër.

Tmerr të tërbuar kundër shkollës shqipe merrte pansllavizmi. Ai vrau At Shtjefan Gjeçovin, mbyti në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish-mësuesin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit më 1909.

Me këtë rast i përmendëm vetëm disa emra, ndonëse ka edhe shumë emra të tjerë që u sakrifikuan për gjuhën dhe shkrimin shqip. Megjithatë gjithë ky krim më barbar, që iu bë mësuesve e patriotëve shqiptarë, nuk i trembi, por i bashkoi shqiptarët, duke e realizuar amanetin e mësuesve e patriotëve shqiptarë të Rilindjes, të cilat na kanë porositur “Si do të jemi e ku do të jemi, edhe nëse na ndjek qeveria e s’ na le të hapin shkolla në gjuhën tonë, gjuha shqipe le të shkruhet edhe në kalldrëme dhe le të këndohet”. Ky amanet u realizua më 7 Mars të vitit 1887 kur u çel Shkolla e Parë në Korçë, në të cilën mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe me mësues shqiptarë dhe me program e libra në gjuhën shqipe. Ajo pati edhe misionin e vet kombëtar, sepse realizoi parimin e kombit mbi atë të fesë. Me këtë shkollë u hap rruga e forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Kjo shkollë mobilizojë të gjitha forcat për t’i bërë ballë terrorit e intrigave të sunduesve, duke shprehur vendosmërinë e popullit shqiptar për ta ruajtur e për ta shkruar gjuhën shqipe. Ashtu siç thoshte Sami Frashëri, “S’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja”.

Lufta për shkollën kombëtare shqipe ka vazhduar edhe pas copëtimit të tokave shqiptare nga ortodokset sllavo-grekë me bekimin e Konferencës së Londrës (1913). Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore arsimi shqip në Maqedoni dhe Kosovë u zhvillua në kushte shumë të ndërlikuara. Pas viteve 1981 është periudha më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit. Pushteti jugosllav në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur gjoja “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare, që ushtrohej nga organet partiake me direktivën e shtetit, filloi ta sulmojë arsimin shqiptar nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik që duhej të shkruhej në gjuhën e shtetit. Në vitin 1989 u sollën edhe dy amendamente, 43 dhe 57 ttë Kushtetutës së Maqedonisë, me çka gjuha shqipe u hoq plotësisht nga përdorimi, kurse në Kosove kjo mbeti në të dyja gjuhë.

Prej vitit 1986/87 filloi kryqëzata e vërtetë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist filluan të pushojnë nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave, u mbyllën shkollat e mesme dhe shkollat e larta etj.

Megjithatë shqiptarët asnjëherë nuk pranuan shkollën e përkthyer në gjuhën shqipe, por vetëm shkollë kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit tanë patriotë shqiptarë, që sot brezi ynë i kujton me admirim emrat e tyre. Po në këtë ditë të shënuar ua kemi borxh që ata t’i përshëndesim me përshëndetjen më humane të botës arsimore: Lavdi ndër shekuj mësuesve tanë patriotë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Avzi Mustafa, mbi eshtrat e patrioteve, qendron, Shkolla shqipe

SALIH MYFTIJA, KLERIKU I SHQUAR NACIONALIST

March 5, 2014 by dgreca

Imam Salih Myftija (1891-1978) veprimtarë i shquar për fe e atdhe/

Nga Leonora Laçi/

Të shkruash për teologun, atdhetarin, nacionalistin e intelektualin shkodranë Imam Salih Myftinë nuk është detyrë e lehtë kjo sepse veprimaria e tij i kalon kufijtë e Shqipërisë Natyrale dhe arrinë deri përtej Atlantiku të largët.      Veprimtaria e tij ka nevojë për studime të hollësishme prandaj nuk dua të pretendoj me pa të drejtë që i kam thënë të gjitha. Për figura të tilla ka gjithmonë diçka për të shtuar e plotësuar.                                                                                     

Kush ishte Salih Myftija ?!

I lindur në shekullin e trazirave e përpjekjeve për autonomi, në vitin e largët 1891, bashkëkohës i ngjarjeve më rëndësi kombëtare, siq ishte Pavarësia e Shqipërisë, që u skalitë me shkronja të arta në Historinë tonë, apo dhe ngjarjeve të dhimbshme për mbarë botën e qytetëruar siq ishin dy Luftrat Botërore.                Duke rrjedhur nga një familje Shkodrane që ka qënë dhe është përherë kontribuese në çështjet me karakter fetar apo kombëtar, që ka nxjerr lider të hershëm të komunitetit mysliman aty. Salihi mesimet e para do i merrte në një shkollë turke në Shkodër në vitet 1898-1904, por krahas mesimeve fetare do ketë zell dhe për çështjën kombëtare që po kristalizohej në fillim të shek XX, që në moshë të re do të jetë partizan që në shkollat shqipe të mesohej me germa  latine, ishte njohës i gjuhës turke të vjetër e arabishtes. Asnjëhere nuk do i humb shpresat që atdheun ta shihte të përparuar e zhvilluar,  kjo shihet në nismën për pavarsimin e xhamisë Shqiptare nga ajo turke, ku për këtë do mbahet Kongresi I Mysliman me 24 shkurt 1923 në Tiranë.Po ashtu dhe do jetë inisiator për përkthimin e Kur’anit në shqip për ta bërë lehtësisht të kuptueshem për shqiptarët mysliman. Salih Myftija përveç mesimeve fetare do nxiste dhe dashurinë për atdheun. Në vitin 1927 do caktohet myfti në Krujë, e më vonë Kryemyfti i prefekturës së Shkodrës e Kosovës me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit. Shërbimin e tij si kryemyfti do ta bëj mëse miri, kultura e diapazoni i tij i  gjërë do reflektohej tek besimtarët ku armë më të mirë kishte  “Tolerancën, besimin në Zot(Allah) e flamur”.

    Imam Salih Myftija asnjëherë nuk u pajtua me pushtuesin fashistë, për këtë ai do internohet në Gjirokastër për afro dy vite dhe duke u shkarkuar nga detyra e Kryemyftiut me dekret të Vittorio Emanuelit III.

Cili ishte qëndrimi i Imamit karshi pushtuesit e komunistëve?!

Pas kaptiullimit të Italisë në shtator të 1943 do vihet sërisht në rradhët e nacionalistëve e kryesisht si simpatizues i grupit të Legalitetit por sërisht si i pakompromis. Këtë e thotë i biri Dr. Fuad Myftija në kujtimet e tij : “ Babai ishte figurë në lëvizjen Kombëtare, ka qënë ndër të parët nacionalistë e asnjëherë nuk ka bërë kompromis, as me fashistët e as me nazistët. Ngritëm grupe ilegale dhe çetat kundër gjermanëve…”( shkëputur nga intervista marr nga Dalip Greca Dr.Fuad Myftis, shkurt 20,2007)Ajo që vihet re në këtë kohë delikate për Shqipërinë është se tashme armiku i nacionalistëve nuk ishte vetëm i jashtëm (gjermanët) por dhe i brëndshëm(komunisët).

Me gjithë përqarjet mes klerit katolik e atij mysliman, pra do ndikoi rreziku i përbashkët që i kërcenohej nga LNCL, e harruan këtë grindje dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë.( shkëputur nga kumtesa e Nexhmi Bushatit mbajtur në sesionin shkencor të X të Shoqatës Trojet e Arbërit, fq 545)Bashkëpunimi do të vij pas zhvillimeve të Mbledhjes së Mukjes ku përsonalitete si: Salih Myftija , Hafiz Ali Kraja, Mons.Thaçi, P.Anton Harapi, Sulço Begu etj vendosën që të krijonin frontin antikomunistë.Ku u krijuan varg disa besëlidhje krahinore sin ë Shkodër, Pukë, Lezhe etj. Të cilat kërkuan me ngulm zbarkimin e anglo amerikanëve.  Dr.Fuadi vazhdon me detaje të tjera të asaj kohe kur atdheu u pushtua nga nazistët, ku kishte marr malet sëbashku me të atin, ku Imami bashkëpunoi me Nik Sokolin nga Nikaj-Mertur që kishte krijuar Çetën e vet. Takimi u bë në Gruemirë, Nik Sokoli u shpreh i indinjuar ngaqë anglo –amerikanët po i ofronin ndihmë vetëm komunistëve.

Aty erdh dhe kapedan Xhemal Laçi i cili kishte udhëtuar me një grupë të madh zogistësh nga Puka, aty erdhën dhe nga Vlora Sadik Shaska me familjen e të tjerë, të gjithë qëndronin në kazerma. Çeta e Nik Sokolit dhe ajo e Jup Kazazit hasi në një autokolon gjermane dhe e qëlluan por nuk pati dëmë dhe Gjermanët vazhduan rrugën, megjithëse kjo mund të kishte përfundur me pasoja. Xhemali si ushtarak i propozoi atyre që të ndërronin vend sepse ndoshta gjermanët do kërkonin përforcime. Qëndrimi në Shqipëri po bëhëj gjithnjë e më i vështirë për nacionalistët, të cilët udhtonin nga jugu në veri për të gjetur rrugëdalje. Shtëpia e Imam Salih Myftisë ishte bërë pikëtakim për nacionalistët ku u takuan,u pritën e përcollën ngrohtësishtë nga i Zoti i shtëpisë, me urtinë që e karakterizonte.

Dr. Fuadi vazhdon “ Në këtë kohë kishte ardhur Mid’hat Frashëri me Baba Rexhepin e me Zef Palin. Të gjithë krerët ishin mbledhur në Shkodër.”  Imam Salih Myftia sëbashku me atdhetarët e tjerë, si: Fuad Myftin, Kolonel Xhemal Laçi Teki Xhindi,Hysen Prishtina e dhjetra të tjere, u larguan nga vendi drejt Tivarit.

Pikërishtë me 21 nantor 1944 (Gazeta “Atdheu” mars-prill 1988) por pas pengesave, që i solli policia malazeze, për faktin se ishin të armatosur, ata u detyruan të lundrojnë me një barkë të vjetër në drejtim të Detit Adriatik, duke mbërritur në qytetin bregdetar të Brindizit të Italisë. Ata më pas  u dorëzuan në komandën ushtarake të aleatëve, të cilët më vonë i vendosën në Kampet  e njohura të Italisë.

Në kampet e Grumos me robërit e luftës.                                                                    Siq shpreh Dr.Fuadi, ky vënd ishte i skuqur gjithandej me flamujt Rus e yll të kuq, drapër e çekan. Kampet ishin në gjëndje të mjeruar , Shqiptarët ishin të palarë, pis, e pse vinin nga malet. Rregullat e disiplina ishin të rrepta, përveç se trajtoheshin keq dhe hetoheshin.

Imami Salih Myftija shquhej për urtinë e tij madje shpesh herë shuante konfliktet mes zogistëve e ballistëve. Kushtet e këqija të kampit nuk e mposhtën dhe as e përkulën gjakëftohtësine e largpamësine e këtij njeriu paqëdashës ku me besimin në Zot ja dilte mbanë të kontrollonte qetësishtë shumë situata, që shqiptarët e tjerë e kishin humbur durimin. Salih Myftija ja ushqeu dashurinë për arsimin të birit që ishte njëherësh mik e bashkëudhëtar në rrugët e vështira të emigrimit të padëshiruar, pasi qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i mundur në një situatë të tillë të disfavorshme për nacionalistët, Fuadi do arsimohej e diplomohej në Itali.                    Konsiderat për Salihin kishte përveç Mbretit Zog ku e bëri dhe këshilltar të tij, si dhe  u zgjodh në krye të komisionit që udhëtoi drejtë Egjyptit për një takim me Mbretin e merguar, ku do mblidhen të gjitha grupet politike. Konsideratë për të patën dhe anglo-amerikanët pasi miqësinë Imami nuk e ndërtonte mbi pikëpamje politike apo bindje fetare, prandaj justifikohet pse ata e mbajtën afër.                                                                                  

Para ca vitesh është botuar një dokument që mban vitin 1945 dhe përmbanë:“Në Janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonse të internuar në një kamp transit në Bari, i mirënjohuni Mit’hat Frashëri që ishte kreu i Ballit Kombëtarë dhe një klerik nga Shkodra Salih Myftija, ky i dyti në emër të organizatës”Legaliteti” i kanë kërkuar Sekretarit Amerikanë të Shtetit në detryë , të mos ndërmerrej asnjë nismë për njohjën e qeverisë komuniste të krijuar para çlirimit të vendit.( ky dokument është bërë publikuar nga anglezët ne një website” Investigim” viti 2000).

Nga Egjipti Imami do udhëtoi në Siri e Liban e së fundmi do vendosët në ShBA në vitin 1965, ku si vend i parimeve të lirisë së shprehjes e besimit fetar  dhe  vend i demokracisë, ai vazhdoi pa problem aktivitetin e tij kombëtar e fetarë. Krijimi i Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane si vatër e ngrohtë e Shqiptarëve.Teologu, atdhetari, intelektuali ku Atdheun asnjëhere nuk e harroi por u mundua ti shërbej dhe pse nga largë Imami Salih Myftija kontriboi në ngritjen e qëndrës fetare, atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative e kulturore. Meritë për këtë kanë dhe bashkëpunimi i Imam Vehbi Ismaili e Imam Isa Hoxhës. Nevoja për një Qendër që të shërbej si vendtakimi mes shqiptarëve u rrit me rritjen e numrit të shqiptarëve myslimanë ne ShBA.Mbledhja e 16 majit 1966, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftisë të kësaj qëndre Islamike Shqiptaro-Amerikane ku arriti në përfundime që të themelohet një Xhami ku të shërbej për forcimin e moralit, si dhe të përhapjes së mesimeve fetare e dashurisë për atdheun mes besimtarëve. Me 12 nëntor 1972 Salih Myftija pas shumë përpjekjeve e punës së palodhur e përkushtuese do të pres shiritin e Xhamisë në Brooklyn të NY, ku u përshëndet nga mjaftë përsonalitete si dhe shtypi vëndas Amerikan e shtypi Shqiptarë i Amerikës.Vlen të përmendet dhe miqësia e ngushtë me Monsinjor Zef Oroshin(1912-1989) udhëheqësin e themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në  ShBA. U nda nga jeta me 19 maj 1978 në moshën 87 vjeçare, në ceremonin mortore morën pjesë përfaqësues nga tre besimet fetare, një figure e shquar si Salih Myftija e meritonte që lamtumira e fundit ti jepej në menyrë të denjë ashtu siq ishte dhe veprimtaria e tij e admirueshme  në rrafshin kombëtar e fetarë.

Dekorimet pas vdekjes

Imam Salih Myftija dekorohet pas vdekjes me motivacion: “ Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve Shqiptar në ShBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare”- dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Si dhe i është akorduar titulli “ Qytetar Nderi” pas vdekjes. Me 6 mars 2011.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kleriku i shquar, Leonora Laci, nacionalist, Salih Myftia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 621
  • 622
  • 623
  • 624
  • 625
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT