• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GURËT E RUBINIT ATDHETAR TË AZGAN HAKLAJT

February 2, 2014 by dgreca

Nga Sali MANDRI/

Personaliteti i Azgan Haklaj përbëhet nga tre gurë të ndritshëm Rubini.Guri i parë është guri politik, ku Haklaj me karizmën dhe qëndresën e pashembullt u bë një model i triumfit të lirisë dhe të drejtave njerëzore, qoftë edhe nga qelitë e neo-diktaturës ku e izoluan për shkak të hapsirave të lirisë që ai zotronte brenda shpirti të tij.

Guri i dytë është guri artistik. Artist i lindur, bir i ujrave të kristalta dhe i drurëve magjik shekullor. Haklaj e kishte dhe e ka “thembrën e Akilit” në këmbë, teksa në valle fluturon si shqiponjat e maleve të tij krenare.

Guri i tretë, jo më pak i ndritshëm, është ai publicistik, angazhimi i tij në vektorin e të drejtës shqiptare kundër devijimit dhe manipullimit historik, kundër dallkaukëve dhe puthadorëve, kundër jeniçerëve të së keqes dhe kurorëshkelësve të atdhetarisë.

Të tre këto gurë vezullues bashkohen e shkrihen me diamantin e madh të veprimtarit të përkushtuar të çështjes kombëtare, duke vazhduar devizën e të parëve të tij, që u bënë flakadanë lirie në qiellin e qëndresës shqiptare.

Nëse të parët e tij i kulmuan armët e lavdisë në betejat e trojeve etnike Azgan Haklaj, ky pinjoll i ri i derës historike kulmon mbresa, reflektimet, replikat, shpirtin polemik në qindra shkrime dhe opinione që synojnë të mbajnë ndezur pishtarin e të drejtës kombëtare.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin e vendlindjes, gurin e Shkëlzenit dhe e ka mbjellë me dashuri kudo ku ka shkelur:  në Tiranë, Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Gjilan,Artë e Filat, e ka mbjellë në Sarandë në thellësi të ujrave të Jonit, në malet e Sharrit, në grykat e Kaçanikut, në ugarët e Lushnjës e Ksamilit, në Shosh, Theth, Kelmend, Dibër, Lumë, Drenicë, bashkë me tingujt magjikë të Arif Vladit, Fatmira Breçanit, Gëzim Nikës, Shaban Zenelit, bashkë me trazimet poetike të Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Ismail  Kadaresë, Dritëro Agollit, Hamit Aliajt, në ujëvarën e hapave magjik të Besim Zekthit, Rexhep Çelikut e Liri Cingut duke qenë vetë një artist i përmasave europiane.

 

Si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, ka mbjellë në çdo cep të Shqipërisë jo vetëm këngën dhe vallen, vargun poetik dhe meloditë e etno-fisnikës sonë kolektive, por edhe shpirtin e tij të bardhë si bora e Korabit dhe Shkëlzenit.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin mitologjik të Sifizit dhe e ka ngjitur përpjetë kohës së tij me një kurajo dhe mundim sizifian, por ndyshe nga heroi mitik Haklaj e çon gurin gjer në majë dhe nuk e lë të rrokulliset poshtë.

Shqiptaria e Haklajt, shqiptaria e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Mjedës, Ali Ahmetit, Dedë Gjo Lulit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës, Ismail Kadaresë, Ramush Haradinajt, është Shqiptaria Reale, e cila tashmë nuk është një iluzion por një realitet në veprim.

Për nga shpirti polemist Haklaj mund të quhet një Konicë i ri. Por ai nuk e ka polemikën qëllim në vetëvete, por një mundësi për të shprehur opinion e tij të shëndetshëm dhe për të vënë piketa atdhetarie në kohën e tij.

Librat e Azgan Haklajt janë dëshmi e gjithë kësaj tabloje mbresëlënëse, të cilën ai e ka krijuar me një përkushtim të admirueshëm.

Librat e tij janë një tjetër Gur Rubini që i bashkohen vektorit të shpresës shqiptare për një komb natyral në Europë.

* Poet, publicist,   Dibër

 

Filed Under: ESSE Tagged With: atdhetar, Azgan haklaj, guret e rubinit, Sali mandri

Fan S. Noli dhe Koshienca Shqiptare *

January 31, 2014 by dgreca

Nga Atë Arthur Liolin*/

Fan Noli ishte njeri i të gjitha kohërave. Tërë jetën, talentin dhe aftësinë e tij të pashoqe ai i vuri në shërbim të popullit shqiptar.

          Në fe dhe letërsi, qeverisje dhe gazetari, studime skolastike dhe në muzikë, ai u përpoq t’i jepte popullit të vet – aq të vuajtur nën pushtimin shekullor – një bazë të shëndoshë për të rizbuluar identitetin kombëtar pas disa shekujsh shtypjeje dhe asimilimi kultoror.  Në këtë drejtim, ai e përqëndroi tërë energjinë e tij intelektuale e shpirtërore me një vullnet të paparë në lëmitë ku ai e pa të domosdoshme, sepse ai e kishte kuptuar mirë thënien biblike: “një popull pa vizion zhduket.”Çdo pjesë e punës që bëri ai gjatë jetës përbën një përpjekje të vetme për ndërtimin e kombit dhe ngritjen e koshiencës kombëtare. Po përdor fjalën koshiencë, me qëllim për ta dalluar këtë kategori shoqërore nga ksenofobia e ligë që po u kërcënohet shumë shteteve tani kur po kalojmë në shekullin tjetër.  Kjo përpjekje e Nolit në bërthamë çonte drejt bashkimit dhe afrimit dhe nuk ndante apo përjashtonte. Le të shohim disa aspekte.

          Shqiptarët orthodokse po ballafaqoheshin me pengesa të mëdha në përpjekjen e tyre për të krijuar një kishë kombëtare në gjuhën e tyre, përpjekje kjo plot martirizime e sakrifica.  Kështu, në fillim si prift në vitin 1908 dhe pastaj si peshkop, Noli vuri themelin e një kishe autoktone përmes përkthimeve dhe botimit të librave kryesorë të shërbimit fetar dhe duke frymëzuar Shpalljen e Autoqefalisë në vitin 1922.  Për këtë, ai u quajt, pas Shen Palit, apostulli i dytë i shqiptarëve. Bash për këtë arsye, mbështetja që ai pati prej popullatës muslimane, katolike, protestane, hebreje si dhe asaj kristiano-orthodokse dhe bile edhe të mosbesimtarëve ishte shprehje e një bashkëpunimi kulturor midis tyre, që më vonë u bë standard për shoqëritë multi kulturore.

          Në fillim të këtij shekulli, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria u gjend pa një arkivë kombëtare. Si një atë i urtë, Noli përktheu në shqip, në mënyre sistematike kryeveprat e autorëve dhe poetëve të mëdhenj botërorë, duke u shtuar atyre veprat e veta orgijinale, të cilat që atëherë vazhdojnë të jenë inspirim i intelektualëve tanë për të menduar, kompozuar, shkruar dhe krijuar në gjuhën e tyre të njësuar.  Dimensionet kozmopolite të të menduarit, entusiazmi patriotik, ironia ideologjike dhe rrëfimi i thjeshtë karakterizuan gjuhën e tij, ndërsa me individualitetin e tij të madh dhe respektimin e parimeve në veprat e tij, me forcën tronditëse të luftërave të tij personale, të dyshimeve dhe epifanive u jepte shkrimeve të tij një vërtetësi çliruese: vulen e një njeriu të ndershëm.

          Para më pak se një shekulli, vendet e banuara me mija vjet nga shqiptarët ishin ende pjesë te padefinuara të perandorive dhe konfiguracioneve gjeopolitike të huaja. Dihet nga të gjithë se gjysma e popullit shqiptar jeton tani jashtë kufijve të vërtetë të Shqipëris dhe se shumica është e privuar nga të drejtat më elementare humane dhe civile të mbledhjeve dhe të shprehjes së lirë.  Meqë Shqipëria qe shndërruar në një korridor për fiset endacake dhe për ushtritë invaduese, banorët e saj shpesh reflektonin divergjenca kulturore.  Por, megjithatë, ky popull antik mbeti kompakt dhe në thelb homogjen deri në ditët e sotme.

          Si themelues i Federatës Panshqiptare Vatra dhe editor i gazetës “Dielli”, Noli prej viteve 1909 deri 1919 udhëtoë nëpër vende të ndryshme ku banonin shqiptarët dhe ku ata kishin të drejtë organizimi – një gjë që ishte mohuar në vendin e tyre autokton.  Shtetet e Bashkuara ishin një nga këto vende që e mirëpriti Nolin. Këtu ai fitoi respektin e Presidentit amerikan Ëodroë Ëilson, më 1918, dhe përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë, më 1920, duke siguruar kështu futjen e saj në Lidhjen e Kombeve.  Duke fituar admirimin e shokëve dhe respektin e bashkatdhetarëve të rinj të ndërgjegjshëm, ai shërbeu si anëtar parlamenti, ministër i Punëve të Jashtme dhe Kryeministër: një karrierë diplomatike që do të kishte kërkuar një jetë të tërë për t’u përmbushur.

          Një provë tjetër për orientimin, durimin dhe ndërgjegjen e tij qe mërgimi i tij politik, në vitin 1925, kur ai ia kushtoi jetën kishës së tij, studimeve shkencore dhe zgjërimit të veprimtarisë letrare.  Muzika shqiptare, që kishte lindur nga temat antike të luajtura me instrumenta antike, ishte ende e lokalizuar dhe e kufizuar në ritualet e fshatrave.  Kështu Noli u regjisrua në Neë England Conservatory për të marrë mësime në një fushë krejt tjetër.  Duke kompozuar një Rapsodi Shqiptare dhe Uverturën Bizantine, ai u dha shqiptarëve shembullin  se atë që kishin bërë të tjerët mund ta bënin edhe ata vetë. Nëse ai mund ta bënte këtë, nuk ishte pse mos ta bënin edhe ata. Ishte ky një mësim për kurrajo. Për këtë ai është njëri nga modelet kryesore për vendin tonë.

          Në Shtetet e Bashkuara, ai pat studiuar historinë dhe shkencat politike në Harvard (1909-1912) dhe më vonë në Universitetin e Bostonit, gjithnjë duke u përpjekur për të bartur shpirtin e demokracisë dhe qytetërimit amerikan në tokën e të parëve të tij, duke arritur kulmin e përpjekjeve me reformën agrare që bëri qeveria e tij në vitin 1924. Në këtë kohë Shqipëria ballafaqohej me pengesa të mëdha që nuk lejonin ndryshime, si ekonomia e varfër, mentaliteti feudal, besnikëria ndaj klaneve primitive, numri i vogël i miqve dhe numri i madh i kundërshtarëve grykës. Kjo ishte një nismë e guximshme, që edhe sot na habit për nga trimëria dhe largpamësia.  Qeverija dhe përkrahësit e tij pasqyronin më së miri diversitetin krahinor dhe fetar, që nuk ishte gjë e zakonshme në atë kohë dhe dëshmonte për tolerancën dhe zemërgjerësinë e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të këtij zgjimi kombëtar të shqiptarëve. Gjatë tërë kohës Nolin, kuptohet për interesate e veta, shumë e shpallnin si të vetin, por kurrë nuk u bë vegël e ndonjërit.

          Nuk ka dyshim se kishte edhe kontradita të brendshme në këtë eksperimentim fillestar të lirisë dhe të një qeverisje iluministe. Realiteti politik i kohës, mungesa e një baze të përshtatshme arsimore, pavendosmëria e tij që menjëherë të formonte një bazë kushtetutare, mbështetja e tij vetëm në mjeshtërinë diplomatike dhe presionet e panumërta nga jashtë ishin gabime të trashëguara, që pengonin suksesin e menjëhershëm. Duhej kohë, dhe kohë ai nuk pati.

          Sidoqoftë, qeveria e vitit 1924 qe fillimi: një Pranverë e shkurtër por e ndritur që edhe sot frymëzon zemrat dhe mendjet e atyre që aspirojnë një Shqipëri të lirë, demokratike, të lulëzuar dhe të barabartë, me besim të plotë në vetevete, por gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me fqinjët e ndershëm në rajon, në kontinentin e saj dhe në tërë botën… Një Shqipëri që e respekton vendin stërgjyshor, por mbron edhe parimet universale të drejtësisë…Një Shqipëri e zellshme për të rritur potencialin e saj ekonomik, por dhe e vetëdijshme për grykësinë njerëzore, shfrytëzimin dhe mungesën e përgjegjësisë ekologjike….Një Shqipëri e udhëhequr nga prijës të aftë dhe të besuar, por që në të njëjtën kohë i japin llogari parlamentit dhe elektoratit të tyre…Një Shqipëri që respekton lirinë e besimit dhe diversitetin fetar, por që nuk lejon fanatizmin eksklusiv…Një Shqipëri që përkran talentin dhe ëndërrat e qytetarëve të saj plot vitalitet, por që edhe pranon parametrat e provuara nga koha të ligjit kushtetues dhe të konventave ndërkombëtare.

          Por ky synim i vlefshëm ka edhe çmimin e vet. Bashkë me lirinë vjen edhe detyra. Me krenarinë kombëtare duhet të vijë edhe përgjegjësia. Me dëshirën për tokën dhe pasurinë personale duhet të vijë edhe shpirtgjërësia dhe synimi personal duhet të përputhet me mirëqenien e përgjithshme.

          Në fund të fundit, këto janë çështje të ndershmërisë dhe të drejtësisë, të mëshirës, të trimërisë dhe të mikpritjes. Të koshiencës.  Këto janë çëeshtje të etikës dhe moralit që përbëjnë ndërgjegjen e një kombi dhe popullatës së tij. Të gjitha sistemet jetëgjata demokratike kanë këtë element të domosdoshëm për bazë.  Noli e dinte këtë dhe, mu për këtë, u mundua ta kultivonte në të gjitha fushat e lartepërmendura.

          Republika e Shqipërisë sot, me udhëheqësinë e saj ekzekutive dhe gjykatën, qytetarët dhe diasporen, klerikët dhe fermerët, minatorët dhe mësuesit, tregtarët dhe mjekët, ushtarakët dhe intelektualët, shumicën dhe pakicën e saj ka detyre para gjeneratave të ardhshme dhe vetvetes të shfrytëzoje shansin për ta mbushur jetën e tyre me liri, siguri dhe nder.

          Duhet të jemi të bindur se realiteti demokratik i Shqipërisë sot ende mbetet të përceptohet plotësisht, të absorbohet plotësisht dhe të zbatohet plotësisht. Është gjithashtu e qartë se ky proces filloi vetëm para ca vitesh dhe si i tillë nuk mund të mohohet. Janë të shumtë ata që përjetuan çnjerëzimin dhe manipulimin në mungesë të demokracisë. Pavarësisht nga provat dhe sfidat që duhet të përballojnë koshienca dhe vullneti i këtij vendi, ka shenja shpresëdhënëse se populli shqiptar po përpiqet t’i tejkalojë pengesat e mëdha dhe të sigurojë vendin e tij të merituar në këtë botë.

          Qeveria e Noit e vitit 1924 ishte faza e parë dhe do ta ruajë përherë vendin e saj si lajmëtar i idealit demokratik në Shqipëri. Prandaj, Fan Stilian Noli do të përkujtohet jo vetëm për veprimtarinë e tij voluminoze dhe përpjekjet e tij në emër të interesit kombëtar të atdheut. Noli përkujtohet sot sepse ai ndihmoi në hedhjen e themeleve të gjera të një qëllimi kombëtar të bazuar në kultivimin dhe vlerësimin e asaj që vlerësohet nga i gjithë njerëzimi.  Duke bërë këtë, ai nderoi veten, popullin e tij dhe Zotin e tj.

*“Kumtesë e mbajtur në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të Qeverisë Demokratike të vitit 1924 nga I Përndershimi Atë Arthur Liolin Tiranë, 15 Qershor 1994 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: At Liolin, Fan S Noli, koshienca shqiptare

AT GEGË LUMAJ I MALEVE TË DUKAGJINIT…

January 30, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë. Foto: At Gegë LUMAJ O.F.M./(15 Tetor 1904 – 18 Nandor 1990)/

 Nga Fritz RADOVANI/

            At Gegë Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndersa të naltat i ka perfundue në Romë…Vazhdoi Akademinë e Arteve per pikturë në Siena t’ Italisë, dhe u laurue atje.

            Shugurohet meshtar në vitin 1931. Filloi me sherbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur perfunduen dënimet nder kampe shfarosje…

Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar, që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944 – 1991… dhe e mbyllë até me 18 Nandor 1990, po në Plan të Dukagjinit…

Kohen ma të gjatë nder burgje e ka kalue në Burgun e Burrelit…  

Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i heshtun si Burrat e motit t’ atyne Bjeshkëve.

Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelet” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.

At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.

Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.

Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.

At Gega arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars të 1962.

***

E njoha në vitin 1966, kur pata hapë një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi më la dhe një pershtypje modeste të veten, mbas pak ditësh erdhi me pi një kafe urimi tek shtëpia. Ishte hera e parë që kam dëgjue një prift tue folë me detaje per artin… dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin perfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në permbytjen perfundimtare të Shkodres, që do të zbulonin fëtyren e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967…

Asht prap i Pari Klerik që u arrestue në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të atij viti…

At Gega ishte i bindun se do t’ arrestohet, po nuk iu tremb syni fare…

Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin 1967 në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesëve Ali Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimiter Shkodranit, si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore sot nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).

I pathyeshem deri diten e vdekjes!

            Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.

            Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.

***

At Gegë Lumaj, një Françeskan i vertetë, filloi i pari Golgoten Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 ishte vetem pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe polic…Bashkë me permbytjen në zjarrin e luftës civile në Shkoder, filloi dhe lufta kunder Klerit Katolik Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë merr percaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo anadollakët tanë.

            Në gjysen e dytë të Shekullit XX (1944 – 1991), komunizmi në Shqipni ishte urrejtja sllave shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, me anën e një grupi anadollak tradhëtarë e antishqiptarë të shitun tek ata!

  Melbourne, Shkurt 2014. 

           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: At gege Lumaj, Fritz radovani, i maleve te Dukagjinit

KADARE IKU, KADARE ERDHI

January 29, 2014 by dgreca

Nga Roland Gjoza/New York/

Nuk është viti 2013, as ndonjë vit tjetër, por pikërisht viti kur Kadarenë nuk e kemi më. Nuk është. Ka shkuar. Ka njështendosje. Çurçilli ka thënë se kur ikin shqiponjat, të çajnë veshin papagajtë. Nuk është i pranishëm Kadare. Shkoi me engjëjt. Natyrisht që nuk shkruan më. Nuk përdoret prej misterit karboni që e vizaton fizikisht, ai karbon, ajo bojë, apo ngjyrë që e spikati kaq shumë. Sepse nuk ekziston më fizikisht. Nuk e shohin në rrugë, në tv. Ç’ndodhi? Nuk e shajnë më ata që s’e donin. Nuk përmendet nëpër kafene. E harrojnë. Kështu duket njëfarësoj. E kanë harruar Kadarenë. Sepse i mundoi me famën e tij dhe tani duan të hakmerren. Për se të hakmerren, o Zot? E përmban geni ynë, ai çelësi kopil i hakmarrjes që hap dhe varret. E patë, shpërthen ndonjë prej levantinëve tanë, ku e keni, u harrua…

Ndërsa ata që e njohin kush qe Kadareja nuk dinë nga t’ia mbajnë, sepse në këtë vend, në vendin e shqiponjave nuk duan kokë mbi kokat, hije mbi të tjerët, thjesht nuk duan të dallohesh veçan me spikamë të madhe, sepse bëjnë gati hanxharin. Këtë e thotë në Testamentin e tij Mitrush Kuteli; në letërsi ka shumë zili, helm, të hanë gjarpërinjtë. Të ngresh kokën mbi të tjerët të quajnë mendjemadh, katil dhe ta këpusin, ta ulësh atë, të quajnë të paaftë, dështak dhe të marrin nëpër këmbë. Ç’do të thotë kjo, të bësh kokë mbi të tjerët, në rastin tonë, për Kadarenë? Të kesh talentin e tij gjenial, por që ai s’duhej ta shpallte për hir të modestisë ose të prishjes me shokët, sepse kështu bëhesh i padurueshëm. Erdhi liria, tani mund të shprehemi, të themi, për shembull, mjaft Kadare se nuk je vetëm ti. Sepse kontroversi në letërsi ekziston tek ai absurd që përgjithësisht një pjesë e madhe i binden zërit të vet egocentrist e narcist, jo gjykimit të vërtetë prej tjetrit, ndaj në këtë zeje kuçke gjen më fort përngjasime me Borges e Markes e me plot marrëzi të tilla. Iku Kadareja, ky patriark i letrave, ky përvetësues i të gjitha meritave letrare, ky sadist i shkrimtarëve të tjerë që ua mori frymën me spikamën e famës së vet. Iku ai dhe erdhi qetësia. Tjetër arome nuhatet në ajër, edhe ajo e shtëpisë tende, që ishte harruar, nuk e ndjen, iku kuçedra me shtatë kokë dhe u çlirua burimi. Le të pimë ujë të gjithë, jo vetëm ai; hej, iku, ejani të mbushim ujë te mali Elikon ku rrojnë Muzat. Po s’ka muza, burimi s’nxjerr më ujë. Ç’ka ndodhur? Iku Kadareja. Ajo violina e tij e Paganinit, që binte aq mjeshtërisht iku bashkë me Kadarenë. S’ka më Kadare.

Në kafenetë ku shkonte ditëve të fundit i mërzitur prej heshtjes e urrejtjes shqiptare, më fort pas shpalljes së Nobelit e ai prapë s’e fitonte, nuk do ta shikojnë më, jo, s’keni për ta parë më. Edhe në kafene s’e keni më, aty ndanë dritares duke parë vjeshtën, fërkoni duart. S’do ta pijë me atë kafen brazilianë me një filxhan italian midis miqsh të paktë shqiptarë, fërkoni duart. Nuk do të ngrihet dhe kokat s’do të kthehen më drejt tij dhe vajzat s’do të nguten ta ndalojnë për një autograf, fërkoni duart. Ç’mos bëni e ç’nuk bëni që librat e tij të mos shumohen dhe aq, të mos futen në tekstet shkollore aq bujshëm, të përhapet sindromi i armikut Kadare, në qoftë se dikush guxon dhe e risjell siç e meriton, zulmëmadh e emërkumbues përmbi kryeministra e presidentë të përkohshëm, që letërsinë e kanë konsideruar si një kuti me kruajtëse dhëmbësh në gostitë e tyre.

Dhe Kadare do të harrohet përderisa Shqipëria është mbushur me horra me kostume europiane, me shumë portofola, që kanë brenda para të nxjerra nga Gërdeci, Rruga e Kombit, nafta, kufiri detar, plehrat e Europës, vrasjet, krimi, trafiku i drogës, i vajzave, fëmijëve, organeve…përderisa kaosi quhet liri dhe demokraci dhe idioti, intelektual. Vetëm kur të bëhemi një komb normal, atëherë Kadare do të shfaqet përsëri dhe do të jetë e arsyeshme që ai të zërë vendin e më të madhit shkrimtar shqiptar dhe do ta qajnë, shumë vonë, por do ta qajnë dhe do të kuptojnë ç’kanë humbur, shumë vonë, por do t’ia mbulojnë monumentin në mes të Tiranës me lule dhe pelegrinazhi do të jetë i gjatë, shumë vonë dhe më e natyrshmja do të jetë se ju që e urryet dhe fërkuat duart s’do të jeni më, sepse do të jeni bërë pleh kungujsh pa nam e nishan. Pra, Kadare erdhi.

Në shekuj Kadare do të vijë, sepse s’pati vetëm një prerje shqiptare, por dhe një prerje botërore. Prandaj lus Zotin që Shqipëria të bëhet normale dhe në një ditë të kthehemi te vendi i Kadaresë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare, roland Gjoza

Kadare,78

January 28, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulshi/

“Diktatura dhe letërsia autentike janë të papajtueshme… Shkrimtari është armiku natyral i diktaturës.” Me 28 janar 1936 – në Gjirokastër lindi Ismail Kadare – fillimisht tërhoqi vëmendjen si poet, por ishin librat në prozë që e bënë të famshëm.

“Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gezim./Këtu ku kam arritur më ftohtë është, më vetmi./E dija këtë, por padurimi i vdekur/Më shtynte të shpejtoj të ky sinor i kotë.” (I.K.)

“Gjenerali i ushtrisë se vdekur” (1963), është romani i tij më i njohur, por edhe libri i tij i parë që arriti audiencën ndërkombëtare. Ndër romanet e tjera të Kadaresë që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë është “Kështjella” (1970), me ngjarje në shekullin e 15-të gjatë rezistencës së armatosur të popullit shqiptar kundër osmanëve. E njëjta temë e rezistencës, por në një kontekst politik, rishfaqet tek “Dimri i Madh” (1977), me ngjarjet që pasuan prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961.

“Ura me tri harqe” (1978) vendoset në Shqipërinë mesjetare. Veprat e mëvonshme të Kadaresë përfshijnë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981); “Dosja H.” (1990) dhe “Piramida” (1995). Libri “Tri këngë zie për Kosovën” (1999) përbëhet nga tre tregime për një betejë të shekullit të 14-të mes udhëheqësve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane (në Fushë Kosovë). “Lulet e ftohta të marsit” (2000), tregon historinë e një piktori në Shqipërinë pas-komuniste; “Pasardhësi” (2003) shqyrton fatin e një prej pasardhësve imagjinarë të Enver Hoxhës. “Darka e gabuar” (2008) ndjek jetën e dy mjekëve në një seri ngjarjesh të lidhura me hyrjen e trupave naziste në Gjirokastër në vitin 1943. “Romani Kronikë në gur” (1976), është një libër ku Kadare flet më shumë për fëmijërinë e tij, si dhe për qytetin e vet, Gjirokastër. Tek “Eskili, ky humbës i madh” (1988), autori shqyrton afërsitë mes kulturave shqiptare dhe greke nga antikiteti në kohët moderne. Ndërsa në librin “Nga një dhjetor në tjetrin” (1991) Kadare shpreh pikëpamjet e tij mbi politikën shqiptare nga viti 1944 1990. Prej vitesh kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Kadare, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, banon në Paris, me Tiranën si destinacion kryesor.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Kadre 78

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 629
  • 630
  • 631
  • 632
  • 633
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT