• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur Shkodra e shpallte ditë zie për tepelenasin e shquar Sali Nivicën

January 11, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ai vuri në dispozicion të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” gazetën e tij “Populli”.

Mik i ngushtë i At Gjergj Fishtës dhe Ismail Qemalit

10 Janari është 103 vjetori i vrasjes makabre të politikanit dhe mësuesit të elitës kombëtare Sali Nivicës nga armiqtë e Kombit.  Ai vdiq, kur ishte vetëm 30 vjeç, më 10 janar 1920 në Shkodër,

U lind më 15 maj 1890, në Rexhin të Kurveleshit të Sipërm të Tepelenës. Mbaroi gjimnazin Zosimea të Janinës (1907-1909) dhe u caktua me punë mësuesie në Durrës. Gjatë kësaj kohe u përfshi me Lëvizjen Kombëtare shqiptare.  Gjatë viteve 1911-1912 u përfshi me lëvizjet kryengritëse në Shqipërinë e Jugut, arsye për të cilën u arrestua dhe u burgos në Stamboll. U lirua me ndërhyrjen e Ismail Qemalit dhe ia doli të vendosej mësues i Gjuhës Shqipe në Robert College.

Sali Nivica ishte gazetar, politikan, shkrimtar, mësues i elitës kombëtare.

Ja c’shkruan At Gjergj Fishta, ky burrë i ndritur i Kombit: 

“Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund”.

Motoja e tij ishte: “Kombin e mban dhe difton komb nji atdhe homogjen, nji histori e kthjellët, nji besim i bashkët e nji gjuhë e livrueme”. 

Ai krijoi gazetën “Populli” e cila botohej kryesisht në dialektin gegërisht, por që lexuesi do të lexonte edhe në dialektin toskërisht. Nën drejtimin e Sali Nivicës, duke qëndruar në pararojë të mendimit atdhetar të kohës, ajo u bë shprehëse e programit politik të Komitetit dhe e interesave mbarëkombëtare, sipas të cilit “Duhet me i dalë zot vetsundimit e tanësisë toksore të Shqipnisë, me përdor çdo mjet me çlirue Kosovën dhe Dibrën, e çdo vend ku flitet shqip e me u bashkue nën sundim të Shqipërisë së lire”.

Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.  

Ai kërkonte të ngrihej një Akademi për studimin e një gjuhe të përbashkët dhe një fjalor të gjuhës shqipe.

Më pas veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Sali Nivicës përqendrohet në Shkodër.

Më 6 shkurt 1918 ftohet dhe bëhet anëtar i “Komisisë letrare”, të krijuar në Shkodër më 1916, ku dha një kontribut të veçantë për probleme të lëvrimit të gjuhës shqipe ilegale në Shkodër, asaj Vllaznia e Rozafa. Shtojmë këtu se Kongresi i Manastirit (1908) dhe Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918) janë sukses i jashtëzakonshëm në lëmin e kulturës, sepse Kongresi njësoi alfabetin, ndërsa Komisia kodifikoi për herë të parë drejtshkrimin e gjuhës letrare.  

Është ndër organizatorët e krijimit dhe zgjidhet anëtar i Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh, 7 nëntor 1918.

Aty bashkëpunoi me figura të ndritura kombëtare si At Gjergj Fishta, Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Ndre Mjeda, Vinçens Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” gazetën e tij “Populli”, zyra e së cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit.

Veprimtaria e tij atdhetare e publike ishte pengesë për planet aneksioniste serbo-sllave, italiane e greke.

Ndaj më 10 janar 1920, në prag të ngjarjes së madhe kombëtare, të mbledhjes së Kongresit të Lushnjës, u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku, njeri i vënë në shërbim të forcave pushtuese serbe e italiane, i paguar dhe i armatosur posaçërisht.

Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri Saliut të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie.

Ja si e vlerëson elita intelektuale e Kombit:

 “Saliu ishte intelektuali ma i aftë dhe ma konsenguent i kohës”  Luigj Gurakuqi

“Saliu kur fliste për çështjen Kombëtare dridhej i tëri si purtekë”  Skënder Petro Luarasi

“Ai hyll që perëndoi ishte personifikim i ç’quem i delikatesës dhe i pastërtisë së gjuhës sonë kombëtare. Këtë humbje nuk do ta verë në vend as një e katërta e shekullit”  Hoxha Kadri Prishtina

Djalëria e Lezhës: Sali, na ndrite për me na çue në rrugë të përparimit.

Intelektualët e Kosovës: Saliu deri sa të rrojë atdheu ynë bashkë më dëshirën kombëtare, do të rrojë në zemrat tona. Këtë humbje nga mezi i jonë e quajmë një mënxyrë kombëtare dhe e qajmë me lot plot gjak.

“S’të keshëm radhë si çdo radhë por shok me Ismail Qemal”  Këngë e ngritur nga populli

Në Muzeun e Shkodrës ndodhet fletorja, stilolapsi dhe çanta e tij.

Presidenca e dekoroi me urdhërin “Nderi i Kombit”.

Cfare frymezimi me jep kur lexoj per historine atdhetare te Sali Nivices, respektin qe I beri Shkodra ketij biri të Tepelenës heroike!  

Burrat e ndritur na mësojnë se: Kombi është një dhe ne jemi bijtë e tij!

10 Janar, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Histori

Sali Nivica

January 10, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Ne kete vend idealistet jane te ralle, por aq te pakte sa jane, shkelqejne me personalitetin e tyre.

Sot eshte 103 vjetori i vrasjes barbare te Sali Nivices, mesues, patriot e gazetar qe ne Shkodren e viteve 20′ kishte themeluar gazeten “Populli”. Gazeta “Populli” ishte nje tribune e mendimit te lire e demokratik shqiptar dhe pasqyronte me pathos perpjekjet e kombit per te krijuar shtet modern.

Sali Nivica, i lindur ne Rexhin te Kurveleshit, i diplomuar ne Robert College ne Stamboll, i punesuar si arsimtar ne Durres, gazetar e anetar i Komitetit “Mbrojtja Kombetare e Kosoves” ne Shkoder, perfaqeson brezin e shkelqyer te studenteve idealiste shqiptare qe u mekuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak te vellezerve Topulli, publicistiken therrese te Konices,epiken e satiren e Fishtes. Sali Nivica ishte nje dishepull e tyre dhe vet me vepren e tij pasuroi dhe coi perpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar…

I paharruar 🇦🇱⚘

Filed Under: Histori

Islamizimi i shqiptarëve, gjatë periudhës së pushtimit osman

January 9, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Perandoria Osmane ishte një perandori kozmopolite, me një ekonomi dhe ushtri të fuqishme, sidomos gjatë shekujve 16-të dhe 17-të, me një influencë të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Perandoria Osmane u krijua në vitin 1299, në Veriperëndim të Azisë së Vogël, dhe kishte për qëllim pushtimin e tokave që kontrolloheshin nga Perandoria Bizantine. Madje, për të arritur qëllimin e tyre, osmanët patën hartuar planin për ekspansion më të gjerë drejt Perëndimit. Pas ardhjes së Sulltan Muratit të Parë në front, i cili kreu shumë fitore, u krijua menjëherë përshtypja se kjo perandori vështirë të ndalej në synimet e saj për të pushtuar Europën. Shqipëria ka qenë 500 vjet nën sundimin osman, në vitet 1384 dhe 1912, deri kur Perandoria Turke u dobësua për shkak të luftës me Rusinë, kur katër vilajetet shqiptare u bashkuan në gusht të 1912, dhe, më pas triumfoi akti i pavarësisë së trojeve shqiptare, nga babai i kombit, Ismail Qemali. 

                Osmanët kanë hyrë në tokat shqiptare, përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në një kohë kur princat shqiptarë, Topia dhe Balsha II, ishin në konflikt me njëri-tjetrin për të marrë nën administrim sa më shumë toka shqiptare. Balsha II ishte fuqizuar së tepërmi dhe kjo bëri që Karl Topia të xhelozojë, duke bërë një gabim të madh që Shqipëria të shndërrohej në vasalitetin e Perandorisë Osmane për 500 vjet. Pra, Karl Topia i thirri osmanët për t’iu kundërvënë Balshës II, në Betejën e Savrës në vitin 1384, e cila përfundoi me vdekjen e këtij të fundit, por, këtu nisi pushtimi i territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane. Osmanët shfrytëzuan mosmarrëveshjet e princave shqiptarë, për të pushtuar tokat shqiptare, dhe për t’u shtrirë më gjerë drejt Europës.

Islamizimi i shqiptarëve

                   Pushtimi osman në tokat shqiptare, zgjerimi i Perandorisë Osmane drejt Perëndimit, është një faqe shumë e gjerë e historisë, e cila nuk nisi brenda një dite. Për të folur për pushtimin osman në trojet shqiptare dhe më gjerë, janë bërë studime të shumta në, nga autorë të huaj modernë dhe të antikitetit, por do të ndalem në një pikë tjetër, në islamizimin e shqiptarëve gjatë periudhës së pushtimit osman. Shumë debate, diskutime, artikuj të ndryshëm janë hapur dhe shkruar sa i takon islamizimit të shqiptarëve, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. A janë islamizuar shqiptarët me dhunë apo me dëshirë? Përse Serbia dhe Greqia nuk janë konvertuar në fenë islame? Diskutimet janë nga më të ndryshmet, ku disa mbrojnë me fanatizëm tezën se osmanët kanë ushtruar dhunë te shqiptarët për të ndryshuar fenë e tyre; pjesa tjetër shprehen se në librat e historisë në shkolla është shkruar një gënjeshtër e madhe, pasi, jo vetëm që nuk kanë ushtruar dhunë, por as gjuhën shqipe nuk e ndaluan, pasi, në rast të kundërt, sot, askush nuk do të mundtte të fliste shqip. 

                Sipas njohësve të mirë të kësaj fushe, profesionistëve të osmanologjisë, konvertimi i shqiptarëve në fenë islame është kryer në një situatë komplekse, dhe nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare për të dyja proceset, me dhunë apo me dëshirë, ose mund të thuhet se janë aplikuar të dyja situatat. Sa i takon shqiptarëve që u islamizuan me dëshirë, kanë ndikuar shumë faktorë si ekonomikë, psikologjikë dhe politikë. Në bazë të të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, elita shqiptare ishte e para që pranoi islamin, për t’u integruar në Perandorinë Osmane dhe për të ruajtur tokat e tyre. Pra, ata shqiptarë që donin të bënin karrierë dhe të kishin privilegje, e pranuan islamin si fenë e tyre. 

                  Sipas të dhënave historike, shumë shqiptarë dhe kushërinj të Skëndërbeut u islamizuan; ata ishin pararoja e ushtrisë osmane kundër tij. Në defterët e Epopesë së Skëndërbeut, të Matit dhe të Dibrës, gjen shqiptarë të islamizuar, që kanë patur shumë privilegje. Ata kanë qenë spahi dhe kanë patur tokat më të mira që ua ka dhënë shteti. Te feja islame shikonin të gjenin sa më shumë privilegje, të mos paguanin taksa dhe të mos kishin probleme me Sulltanin. Por, sigurisht mund të themi se ka patur edhe vrasje përderisa kjo ishte një luftë fetare, në periudhën pas pushtimit. Siç është bërë e ditur, në një nga rastet e dhunës, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750, janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës. 

                 Serbët dhe grekët nuk u islamizuan, pasi ata kishin Kishën e tyre Autoqefale; nuk e ndërruan fenë, por u lanë dorë të lirë osmanëve në tokat e tyre. Popullsia e krishtere ishte e mbrotjur nga Sulltani, por me një kusht; ose do vinin të luftonin përkrah ushtrisë osmane, sa herë të kishte nevojë, ose do paguanin taksa. Vendi ishte vasal gjatë sundimit osman, pra, princat ruanin autoritetin e tyre administrativ, por në politikën e jashtme do t’i bindeshin Sulltanit. Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, që i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë. Në dokumentet arkivore nuk përmendet asnjë rast dhune në konvertimin e shqiptarëve në islamë. Madje, shqiptarë që kanë punuar në arkivat turke, e mohojnë rreptësisht se është ushtruar dhunë. 

                  Albanologu gjerman, Peter Bartl, thotë se vitet e pushtimit osman nuk mund të quhen kurrsesi si vitet më të errëta. Studiuesi i njohur ka theksuar se shqiptarët kanë bashkëjetuar me osmanët, pasi ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane, dhe ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Shumë shqiptarë kanë mbajtur detyra të larta drejtuese në administratën shtetërore të Portës së Lartë, si kryeministra, ministra, deputetë, etj. Një ndër ta ishte Ismail Qemali, i cili, gjithë përvojën e tij si funksionar i lartë në administratën turke, e përdori për të krijuar shtetin e parë shqiptar. 

                Osmanologu turk, Ilber Ortayli, në një prononcim që ka dhënë për një media, është shprehur se shqiptarët e kanë pranuar besimin islam pas pushimit osman. “Perandoria Osmane, që nga fillimi u zgjerua në vendet e Rumelisë, Perandorinë Romake, jo greke, sepse europianët emrin Rum e përkthejnë si Kisha Ortodokse Greke. Zgjerimi i Perandorisë, në bazë të administratës kozmopolite, natyrisht ka qenë myslimane, natyrisht gjuha ka qenë turke, por ka pasur edhe minotitete të tjera, dhe këto minoritete nëse kanë pasur gjuhë apo origjinë tjetër, kurdo që e pranuan islamin ata nuk patën probleme. E këtillë ka qenë edhe gjendja e shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë filluar të konvertohen në fenë islame pas pushtimit, dhe askujt nuk i ka interesuar etnia e tyre”, thotë ai. 

Toleranca e besimeve fetare

               Sipas të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, Perandoria Osmane kishte tolerancë në besimet e tjera. Duke u gjendur përballë fakteve të shumta, se Perandoria respektonte besimet e tjera, pjesëmarrja e shumë shqiptarëve në administratën dhe ushtrinë osmane, mendoj se ato vrasje ndaj të krishterëve mund të jenë kryer në fillim të pushtimit osman, ose në ato raste kur janë hasur në rezistencën e tyre për të ruajtur tokat dhe kulturën fetare. Megjithatë, pushtimi ishte i padëshiruar dhe nuk kishte asnjë reagim dhe interes nga Fuqitë e Mëdha, për të nxjerrë Shqipërinë nga një pushtim kaq i gjatë; arsyet gjithmonë janë për interesa politike ashtu siç veprohet edhe sot. Gjithmonë, sipas njohurive historike, Perandoria kishte marrë Kostandinopojën, e cila kishte një patriark që ishte shefi i krejt besimtarëve ortodoksë. Detyrat e patriarkut dhe të sulltanit ishin të ndara. Sulltani i kërkonte patriarkut jo rebelim ndaj besimit islam, dhe të mblidhte taksat. Defteri arvanit, i vitit 1431, thotë se në mesin e timarxhinjve kishte edhe të krishterë, pra Perandoria respektonte prakticizmin e riteve fetare.              

              Madje, një dokument turk thotë se shteti perandorak pati ndihmuar me 75.000 guru përfundimin e punimeve të Kishës në Shkodër. Ndërkohë, edhe osmanologu turk, thotë se ka patur tolerancë në besimet fetare dhe gjuha shqipe është folur, pra nuk është ndaluar. “I kanë rekrutuar fëmijët e krishterë, por normalisht shërbyesit civilë dhe madje anëtarët e ulemasë dhe tarikatit, të cilët kanë qenë shqiptarë, në ato lloje shërbime, natyrisht i kanë përdorur gjuhët shqipe dhe turke, si në Maqedoni, Tetovë, si edhe në Shqipëri. Psh, bektashinjtë janë shqiptarë, por e përdornin edhe turqishten, sepse ky ka qenë komuniteti i tyre, duhet të flsinin të dyja gjuhët. Prandaj, shtrirja e perandorisë, para së gjithash, bazohet në këto llojë kozmopolite turke. Ata i ulën taksat. Përfundoi eksploatimi. Para pushtimit”, shprehet osmanologu turk. 

Rekrutimi i shqiptarëve, në ushtrinë osmane

              Interesi i osmanëve ishte që të konvertoheshin sa më shumë shqiptarë në fenë myslimane, në mënyrë që në radhët e tyre të kishin njerëz sa më të besuar, duke fuqizuar sa më shumë ushtrinë turke. Kështu, kemi raste kur osmanët rekrutonin shqiptarë në ushtrinë osmane, duke i joshur me para. Nga gjendja jo e mirë ekonomiko-sociale, shumë prej tyre pranonin jo vetëm të hollat, por edhe islamin. I gjendur në këtë situatë, Skëndërbeu ndoqi një politikë të brendshme dhe të jashtme shumë aktive. Hapi i paë ishte tubimi në një Kuvend i të gjithë fisnikëve të vendit dhe zotëruesve të tokave. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ishte kjo një bashkësi e gjerë kombëtare, një bashkërenditje për t’i rezistuar synimeve osmane për pushtimin e tokave shqiptare.      

                Skëndërbeu, në burimet osmane, paraqitet si një personalitet shumë kompleks dhe i avancuar për kohën. Ai ishte luftëtar dhe komandant i jazhtëzakonshëm. Historia e njeh edhe si diplomat të shkathët. Sulltan Murati 2 dërgoi tre ekspedita ndëshkuese më 1455/1488 që të mposhtte Skëndërbeun, por që të tria u thyen keq nga heroi shqiptar, i cili po mahniste princër dhe mbretër të Europës për karakterin e tij të fortë dhe taktikat e luftës. 

Shkollat shqipe

                Të gjithë e dimë se shkolla e parë zyrtare shqipe është hapur më 7 Mars 1887 në Korçë, kur Naim Frashëri ia kërkoi Portës së Lartë. Por shkollat shqipe kanë ekzistuar akoma më herët, gjatë pushtimit osman. Këtu, misionarët katolikë kanë luajtur rol thelbësor në edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare. Shkollat kanë qenë në gjuhën shqipe, ndërsa programi ka qenë osman. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera.

             Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj. Gjendja e shqiptarëve në dy dekadat e fundit kur Perandoria u largua nga Ballkani, ishte e keqe dhe nuk kishin bërë asnjë investim. Thuhet se në vitet 1500-1600, infrastruktua, ekonomia, ishin shumë më lartë në Shqipëri, por kur filloi të dobësohej Perandoria, ra edhe niveli ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, popullsia shqiptare vuajti një pushtim akoma më të egër, copëtimin e trojeve dhe përjetoi varfërinë ekstreme, duke u futur në një tjetër kapitull historik pasmesjetar.

Filed Under: Histori Tagged With: Eneida Jacaj

ÁT JUSTIN RROTA DHE “MESHARI” I GJON BUZUKUT

January 6, 2023 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

“Korolewsky triumfalisht, m’a dorëzoi blenin e dëshruem. Sa s’qava prej gëzimiz. E mora ngrykë Buzukun e dashun, e putha me nderim edhe e vuna mbë tryesën e madhe të studjesavet. Edhe nisa t’a shfletsoj si i dëshruem me màll, njashtu sikurse shfletsohen letrat e shtrêjta të njëj miku të vjetër… sa më vje ndër mendë, njëri prej rojtarësh m’u afrue e më tha ndë vesh: “Ma kadalë! Këqyrni, mos t’a damtoni tue e shftetsue: âsht gjâ e vjetrë! … Mandej, jo me i vû duerët sypri!”

Me rastin e 468 vjetorit të botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut, sjellim një shkrim të Át Justin Rrotës për sjelljen e kopjeve të para të kësaj ksomblle – antikuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri. 

Një miku im shumë nderuar, tani i ndjerë, zoti Kolec Çefa, më kishte dhuruar kopjen e daktiloshkruar të këtij shkrimi të Át Justin Rrotës, me rastin e botimit anastatik të kollanës “Illyricum Sacrum” në Tiranë, shkrim të cilin Át Justini e kishte përgatiur për botim dhe e kishte botuar në revistën “Nëndori” nr. 3, 1955, Tiranë. Ne, me këtë rast, kemi ruajtur ortografin dhe çdo gjë tjetër që ka shkruar Át Justini, pa asnjë ndërhyrje. 

Është për të vënë re, modestinë e Át Justinit, thjeshtësinë, korrektësinë, saktësinë dhe anën përmabjtësore të të rrëfyerit me këtë rast solem, qoftë kur e ka prekur për herë të parë “Mesharin” e Buzukut, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, qoftë kur pas 26 vjetësh, shkruan kujtimet, përkatësisht na sjell nga afër tërë përjetimet e tija, emoncionet, ndjenat e shumta dhe dashurinë e respektin si për këtë vepër, të parin libër të shtypur /jo dorëshkrim-masnucriptum/ ashtu edhe për vendin e tij, atdheun e tij, Shqipërinë. 

Edhepse autoriteti më i thirrur për një punë të tillë, për të hulumtuar dhe për të sjellur fotografit e ksomblës së shytpur të “Mesharit” Át Justin Rrota është krejt modest duke mos shafqur fije egoizmi apo mendjemadhësie siq ndodhë sot me shumë të ashtuquajtur “albanolog, historianë, studiues…,” etj, shumica dërmuese e të cilëve nuk janë specialistë të fushës, nuk kanë asnjë lidhje me albanologjinë apo historinë, nuk njohin gjuhët përkatëse, nuk zotërojnë paleografinë apo diplomatikën, nuk kanë asnjë përgaditje profesionale për përperiudhat përkatëse, por që dinë të krekosen poshtë e lartë qoftë në rrejtët sociale apo ndonjë të përditshme që ju boton shkrimet e tyre pasi ata paguajnë hapsirat përkatëse. Disa nga këta “specialistë” janë nga profesionet më të ndryshme si: inxhiner makinash, inxhinier komunikacioni, pizzamen, pastrues apo rojtar bilbiotekash, mjek onkolog ose infemrier, tregtar bizhuterish, pastiqier, taksit, floktar, rojtar godinash… etj, të cilët jetojnë nëpër qytete në të katër anët e botës, që ikën me rastin e parë nga atdheu i tyre, që Át Justin Rrota aq shumë e respekton, nderon dhe dashuron dhe pa fije hezitimi; kthehet aty ku kishte lindur, për të vazhduar punën e tij, me dashurinë më të madhe për librin, për nxënësit, kolegët dhe të tjerët.

Rrëfimi i Át Justin Rrotës është një dëshmi e jashtëzakonshme e kohës, për albanologjinë e historinë, për thesaret e shumtë të gjuhës, kulturës, traditës dhe historisë së popullit tonë që ende presin duart e specialistëve të shohin dritën e botimit, të shkunden nga pluhuri i harresës shumë shekullore që i ka mbuluar; për t’u bërë udhërrëfyese të padiskutuara dhe shtylla të forta të mesjetën dhe periudhat tjera historike, qofshtë për shqiptarët në trojet etnike, qoftë për ata që të shtërnguar nga pushtues të egër u detyruan të largohen nga trojet e tyre.

Edhe pse kanë kaluar plot 68 vjet nga koha kur u shkrua ky shkrim nga Át Justin Rrota, ai ende është aktual dhe tepër i domethënës e përmbajtësor për temën që trajton.

*************

MA TË PARAT KOPJE TË FOTOGRAFUEME TË BUZUKUT NDË SHQIPËNI

(Nga “Kujtimet e mia”)

Át Justin Rrota

Kallënduer 1555 – Kallënduer 1955

Shkrim i përgaditur dhe i botuar në revistën “Nëndori” nr. 3, 1955, Tiranë

Endè i ri me moshë, sado i ligshtuem kahë shëndeti, unë aso pranvere -1929- jipshem gjithënjë mësim gjuhet ndër klasët e nalta të gjimnazit.

Lajmi i shpallun atëher prej fletoresh e revistash mbrenda e jashta Shqipëniet, se gjiindej ndër arkivat e Romës një kopje e librit ma të vjetër shqip (1555), qysh ndë fillim më kishte trandë e elektrizue.

Më dukej si çudë, nuk e kuptojshem dhe griheshen vetë me vete kahë mendojshem, si mund të rrishin indiferente sidomos masat intelektuale ndë një Shqipëni, Shtet ndë vete, ndaj visarin Buzukjan!

Kahë s’më linte e keqja e atij monumenti jetik, vorrue nd’errësin e libravet të huaja larg atdheut, nd’ate pakicën teme, gjithësa munda dhe gjithësi dijta, nxita e mërzita të madh e të vogël, t’a kapshim ma me zéll çashtjen e çimelit ndë fjalë.

U desh do kohë djeri që ata, të cilët kishin punë ndë dorë, t’a kuptojshin randësin e dokumentit dhe t’a shandroshin ndë realitet dëshirin e vullëndetmirëvet.

Sigurisht, jo porsi ma kompetenti, por … s’e dij; ndashti pse u dëftova aqë entuzijast, qeshë zgjedhë vetë për këtê misjon. D.m.th. të siellshem ndë tokën Shqipëtare, – mbassi s’ishte e mùndunë kopjen origjnale, që njihet e vetmja ndë botë, – ndemose librin e fotografuem; që të mundshim kështu studjuesët e pastudjesët me e kuadruem pasqyrën e Shqipes së fòlunë prej së parësh shekullin fill mbas deket së Skandërbeut.

U nisa. Por, shi ate ma të parën natë ndë të cilën mbërrita ndë qytetin e amëshuem, krejt etnutjast për misjonin tem, m’u prish. Kur më qiti rasa t’i a përmenshem dikuj qëllimin, për të cilin kishem /2/ ardhë, m’a priti trûq: Edhe unë mirrem me kësosh punësh, jam hulumtues dokumentash së vjetër, por, po kam keq të Ju thom fjalë: Kini ardhë ndë një kohë të keqe. Këso ditësh vapet bibljoteka, me të cilën kini punë Ju, âsht mbyllë; mbassi personeli gjindet i shpërndam ndër pushimet verore.

Ato fjalë më ranë si ujët valë. Me kaqë ideali dhe entuzjasmi, me të cilin ishem nisë për këtê udhtim të jashtëzakonshëm, automatikisht binte poshtë. Shto shpenzimet, dhe … ma zi marrja, se dami. Misjoni im, barra m’e zhvorrue Buzukun, erdh e m’u pështjellue aqë, sa, për ças u pendova pse i a kishem hŷ e me dalë pa taksë.

Ndë gjithatê demoralizim ku gjindeshem, m’u duk një ndërmjetës i aftë, për të më çelë shteg  nd’atë punën teme. Prandej unë, gjithkund bisht mbas si. A. Piktori kishte  aty ndër Muzejt e përmèndunë një zyrtàr, kolegë të vetin, bashkëvendas. Hapat e gjurmimit të parë i filluem te ky.

Para së gjithash na drejtoi te një rojtarësh së Bibliotekës, te një plak. Aty mormë vesht, se Arkivet ishin gjithënjë çelë; edhe pamë vizituesët, që hŷjshin e dilshin … M’erdhi fryma!

Bana si bana, e të nesërmen hyna edhe unë ndë Bibljotekë. Mirë se hyna; por, ku do t’u a niseshem kërkesavet, unë, që, përposë emnit t’auktorit dhe të titullit të trilluem të Mesharit, nuk kishem kurrnjë shenjim tjetër? … Duhet me u gjetë mrendë nd’atê pyllë të dendun librash e dokumentash, sikurse gjineshem unë atê ditë për ma të parën herë ndë jetën teme, për të pasun idén, çka âshtë ajo Bibljotekë.

Më drejtuenë te sekcjoni i ungjijvet të vjetër: Dorëshkrime artistike apor inkunabula, të lidhunë shumica me lëkurë apor edhe ndë pergamene; disa, të mëdhaj sa unë ndë kambë. E e sillshem prej fundi mbë krye katalogun e atyne punimeve të vjetra: Ungjij gjithënduerë gjuhësh, ritit e stilit. Por, ç’dobi? Shqip, kurrgjâm kurrkundi…

E vijova unë për do dit të mira ndër këto kërkesa të pafrytshme. Vijova djeri që një ditë, m’a bani njeni rojtarësh: D. Çiril /3/ Korolewsky, ai mirret me këso shkrimesh e botimesh së moçme liturgjike të kishëvet orjenatle. “- Edhe m’a dëftoi ku pnonte.

Po mjerisht aso ditësh, ndërsa unë ishem ndër grepa, tryeza e tij shihej gjithmonë thatë. Ku ishte D. Korolewsky? … Kishte shku – më thànë – diku ndër rrethet e qytetit për pushime verore. Por, më siguruenë, se, mbas fjalës së lanunë, nuk kishte vonesë.

Edhe unë, për ditë nade, punën ma të parën, sa shkojshem ndë bibljotekë, me pyetë derëtsarin, a kishte këthye D. Çirili!

Nuk kaluenë shumë dit njimend, edhe një rojtar m’a dha lajmin e gëzueshëm, se tek e mbrama i dëshruemi kishte mbërri natën para.

E prita. Për nji që më puno, m’a bani: “Po a Ju jini ai Frati nga Shqipënia, që më kërkoni tash  një javë? … Buzukun lypni: Qe; më falni sa t’i ap fund njëkësaj letre që kam ndë dorë, edhe Ju a pruna.”

Të më kishte thanë, se m’ishte ngjallë prej vorrit njëni robësh së mi të dekunë, nuk e dij se do t’ishem gëzu ma fort. Sa s’kjeshë tue i ra ndë gjûj përpara, me i puthun kambën. Kaq!

Tre minuta, nuk vonoi ma, për t’a krye atë shkresë; por mue m’atëherë, kur e kishem, si me thanë, Buzukun ndë grusht, ata minuta m’u duknë orë.

Dikur u çue, e la tavolinën; edhe, pa më thanë mue gjâ, shkoi e humbi mbas do raftesh së mëdhaj librash, sa … Nuk vonoi sa ndora, kur, si triumfalisht, m’a dorëzoi blenin e dëshruem.

Sa s’qava prej gëzimiz. E mora ngrykë Buzukun e dashun, e putha me nderim edhe e vuna mbë tryesën e madhe të studjesavet.

Edhe nisa t’a shfletsoj si i dëshruem me màll pomi, njashtu sikurse shfletsohen letrat e shtrêjta të njëj miku të vjetër… Kaqë i kishem këcye përsypri atij visari të çmueshëm, sa më vje ndër mendë, se njëri rojtarësh m’u afrue e tha ndë vesh: “Ma kadalë! Këqyrni, mos t’a damtoni tue e shfetsue: âsht gjâ e vjetrë! … Mandej, jo me i vû duerët sypri!”

Kishte arsy, e pashë, të m’i qitte ndër mendë rregullat ma elementaret e këtyne rasave; por, ç’ti bâjsh! … Unë atëherë kishem tretë faret, dhe s’dijshem ku ishem prej gëzimit e mallit.

Këndova mbë tê sa këndova, djeri që u bâ koha me i lirue salonat e leximit. 

/4/ Njashtu edhe nd’e nesret e nd’e mbasnesrit; s’kishem të ngim. Një herë së parit, rishtar i pamësuem me stilin dhe grafin Buzukjane, ngurojshem. Por, mejherë i a mora dorën leximit, dhe s’m’u bante ma me e lëshue.

Nuk e tora gjatë. Fill njaty të tretën a të katërtën ditë mbassi u kënaqa me tê, u informova për fotografistin e bibljotekës. Më paraqitnë një farë Samsaini-t. pashë modelet, i zgjodhmë, dhe ramë ndë godi për çmim. Venduemë me i a hý punës pa tjetër: me e fotografue krejt Mesharin, me m’a lidhë – dy kopje ndë lëkurë, njenën ndë rason. Për këto punime më kërkoi Stabilimenti nj’a tri javë afat.

Edhe unë ndë këtê ndërkohë e lashë Romën, e dola me kërkue ngjeti për dokumenta të Shqipes.

*********

Ndë krye të tri javëvet, t’u këthyemen ndë Romë, puna ma e para, m’u pjekë ndë fotografistin sypërmarrës. Stabilimenti Samsaini i kishte ndêjë përpikënisht kontratës. Kur m’i qiti me i pa blêjt e lidhunë, më qeshi buza, ma fort zemra.

Sadoqë për dukë t’a këndaqshin synin, tue i shfletsue vërtetova, se reprodukcjoni ndër të tria kopjet nuk ishte ashtu i pastër dhe i qartë, si e kishem dëshruem. M’u prish pak. E po, thashë, cila veprë njerëzore mund të dalë prej doret së mjeshtrit krejt pa kurrnjë të metë a njollë:

Por prap mendova, se njëni vend i mbyllët i kopjes a) mund të ndriçohej, me tekstin e kopjes b).

Më kishte marrë mendësh fotografist me të lidhunt aqë elegant, sidomos t’asaj me rason; e … s’i bana ma fjalë.

U gëzova sa s’ka; posaçe kahë menojshem, se me kaqë misjoni im kishte marrë një përfundim të mirë, e se tash mund t’u këthejshem ndë vend tem me ball hapër. Nuk kishem dalë, falemi nderës Zotit, – btatkçi a vagabond, sikurse patshë drashtë atê natën e parë, kur vuna kambë ndë Qytetin e amshuem! …

I dhashë drejtimin, të m’i binte kur rrishem: SS. Quarante. T’i marrem ndë dorëzim “Buzukët” e lidhunë, aty për aty i a pagova sypërmarrësit punën: përsa më bje ndë mendë, nga 1.200 lt. kopjen.

Tre blêjt ndën sqètullë, me atë fill ngava te libreria e famëshme “Desclés.” I porosita të m’i impakojshin sa ma mirë dhe të /5/ m’i sigurojshin me garansit ma të fortat të zyres postare.

Ndërkaq i hoqa edhe vetë spirancat prej qytetit s’amshuem, edhe mora drejtimin kahë vendi im. Çka ma tepër; edhe qe, se m’erdhi lajmi i zyres së postelegrafës, që më njohtonte, se Buzukat kishin mbërri ndë doganën e qytetit.

Sa i vogël unë! … Këndaqeshem tue i këqyrë ata tre blêj. Si të kishem bâ një punë të madhe!

(I ftuem të marr pjesë ndë numrin kujtimor të katëqindvjetorit të Buzukut; tue dashë mos të përsëris këtu çka, tash sa ditë paçë shkrue mbi tê, dhe nd’anën tjetër, për një studjim të ri koha e shkurtë – vetëm 5 dit afat – nuk mjaftonte, mendova të rreshtoj shenjimet e mia të Buzukut, kur kjeç dërgu sot 26 vjet, për me i sjellë ndë gji t’atdheut ma të parat kopje të fotografueme të Veteranit të Shqipes)

[Përgatiti për botim, sipas kopjes së daktiloshkruar, Prof. Dr. Musa Ahmeti]

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

PATER ANTON ARAPI ( 5 JANAR 1888- 20 shkurt 1946)

January 5, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Në muajin prill 2016, Papa Françesku firmosi dekretin për Lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, duke i vendosur ata në krah të figurave më të shquara të katolicizmit në botë.

Por lista e mirepritur kishte nje te munguar te madh….. Mungonte kolosi i kishes katolike shqiptare…. Pater Anton Arapi.

38 Martiret pa Pater Anton Arapin jane si Simfonia Pastorale pa Beethovenin.

Megjithese vepra e tij teresisht patriotike eshte botuar ne 25 vitet e fundit,ende figura e tij nuk eshte pastruar nga balta e hedhur per 45 vite me rradhe.

Pa Pater Anton Harapin nuk mund te kete histori te kishes katolike ne Shqiperi. Nqs nuk kujtohet ai, ne vazhdojme te perligjim dhunen bolshevike ndaj klerit katolik.

Gjithmone mbi te ka renduar “njolla” e pjesemarrjes ne Regjence gjate kohes se pushtimit gjerman…

Por ka qene vete intelektuali i madh i botes shqiptare te gjysmes se pare te shekullit te XX qe i ka paraprire keqkuptimeve qe do te vijonin…

Ja cfare ka thene ai më 13 janar 1944, kur u betua si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës:

“Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due ta thom fjalën teme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa per fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak? – Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejsh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq – kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. Ketë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën: Shka iu desht Patër Antonit me ia hy kësaj pune? Këtyne due t’iu përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin tem dhe të tyne. Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mire të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem. Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta ta shoh Shqipnín n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.

Maní… E po, si kujton Patër Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnín?! … Jo, zotní! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra?… Shqipnín do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për ta pakësue mjerimin dhe shemtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d. m. th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ketë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur të vogel për konsolidimin e çështjes shqiptare, do të jemi të lumtun. “- Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni t’a baj ketë hap: Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipní burra të zotët, qi të marrin pergjegjësi publike dhe të mos flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në ketë rasë – me e shikue hollëpër mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnísht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, ma parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin tem personal, se sa me rrezikue veten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija!”

Në gjyq Pater Anton Arapi i hodhi poshtë akuzat dhe theniet e trupit gjykues për dënim si tradhëtar jo nga populli, por nga armiqte e kombit. Theksoi burrerisht me fakte pafajsinë, duke mos pranuar me lypë falje.

U tha: ”Zoti pastë mëshirë për ju, qi nuk jeni tue dashtë me dijtë se çfarë krimesh po bani kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qinda të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, por për tragjedinë qi keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit!”

Fjalët e fundit e Harapit në gjyq përmbajnë një profetësi: ”Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqe e Drejtësi do të fitohet.”

Pater Anton Arapi u gjykua nga teneqexhiu Koçi Xoxe, si kryetar gjyqi dhe prokurori 150 cm Bedri Spahiu, të cilët u grine pas pak vitesh nga ingranazhi i makinës ngrenëse të komunizmit.

Kur po e conin per ta ekzekutuar , nën një rrebesh shiu mundohej me e ngritë veladonin mos me e stërkalë me baltë . Prokurori Misto Treska (me vjen shume keq qe perkthyesi i njohur i Hygoit, te ishte shoqeruesi i tij drejt vdekjes!!!!!) i drejtohet , ”Pse po ruhesh padre se mos bëhesh pis , në baltë ke për të shkuar?” Padre i përgjigjet , ”Atje ku të shkoj due me shkue si kam qenë tan jetën i papërlyem.”

Ishte Misto Treska qe i dha plumbin e 24-te figures me te madhe shqiptare katolike te shekullit XX…

Fatkeqsisht perkthyesi i njohur qe kishte bere te flisnin shqip Hugo, Maupassant, Stendhal, Moliere, Diderot, Alphonse Daudet, Louis Aragon etc . nuk e kishte per here te pare.

Misto Treska e kishte bere kete gje edhe me Maliq Bushatin dhe me Lef Nosin.

Besoj se ikona martire e kishes katolike shqiptare do te jete takuar ne jeten e pertejme me perkthyesin e madh prokuror….

Pater Harapi do ta kete falur, por Zhaver Treska do e kete vrare perseri pabesisht……

Kombi shqiptar mburret qe gjatë pushtimit nazist nuk u vra kurrë një hebre..

Ishte pikërisht Këshilli i Nalt i Regjencës me Patër Anton Harapin që i shpëtuan hebrejte dhe jo vetëm…

Në vitin 1956 është botuar në Gjermaninë Perendimore një libër me titull “Misioni i posacëm në Juglindje- Raport i një diplomati fluturues“. Autori i tij është Hermann Neubacher i cili ka kryer detyren si “I plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme për Juglindjen”.

Më përpara ai ka qënë edhe kryetar i bashkisë së Vienës.

Në librin ë përmendur më sipër ai i ka publikuar kujtimet e tij per vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë libër shumë interesant, i kushtohet një vend shumë i gjërë dhe Shqipërisë së asaj kohe.

Interesant është fakti se nëpërmjet Neubacher krijohet një mundësi krejt e vecantë për t’a parë Shqipërinë e atyre viteve me sytë e një të huaji, konkretisht të një diplomati të lartë nazist gjerman.

Me poshte eshte nje fragment ku permendet Patër Anton Arapi.

* * *

Shkodër 1943: ajër i rëndë, presione nate për para, vrasje në mes të rrugës, në shtëpitë e vogla, në kafene. Në mes të ditës! Në një rreth të vogël shqiptarësh e gjermanësh. Patër Anton Harapi tregon se si natën e kaluar tre burra të njohur të levizjes ilegale komuniste kishin shkuar tek ai në manastir për të zhvilluar një debat politik me të. Partia komuniste, thonin ata, nuk luftonte kundër kishës. Komunizmi është në një fazë të re zhvillimi, ai lufton për lirinë kombëtare dhe për një demokraci të vërtetë. Cfarë kërkon i pari i franceskanëve patër Antoni në një Këshilli Regjence, i cili bashkëpunon me okupatorët fashistë?

Një oficer gjerman policie, që ishte i pranishëm. e kapën ethet e gjuetisë:

„ Sa interesante Patër Antoni,! A do të mund të na thoni se kush ishin ata tre burra?”

Fytyra e tij prej asketi si e gdhendur në dru e me një hundë të madhe u nxi prej trazimit:

“Mos harroni se unë jam shqiptar!”

Të tre burrat, edhe pse të pa ftuar, ishin miq në shtëpinë e tij, pra ishin nën mbrojtjen e tij gjatë kësaj vizite.

Pas tërheqjes së trupave gjermane nga Shqipëria, Patër Antonin e kapën në një strehë tek një shtëpi miku, dhe ata tre burrat ka gjasë të kenë qënë midis gjykatësve ose spektatorëve kur ai u ekzekutua…

Pas nje muaji kemi 77 vjetorin e pushkatimit te Pater Anton Arapit…

A nuk ka ardhur koha e “lehtesimit” te akuzave ndaj tij?

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …
  • Lulash Nikë Palushaj – Gjuha dhe kujtesa e Malësisë së Madhe
  • KOSOVA, E VËRTETA DHE DREJTËSIA: NJË SFIDË QË KËRKON PËRGJIGJE INSTITUCIONALE
  • HAGA NUK ËSHTË MBI SOVRANITETIN E KOSOVËS!
  • PËRTEJ BASHKËJETESËS KULTURORE: A JANË SHQIPTARËT VËRTET TË BARABARTË NË MAL TË ZI?
  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT