• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KADARE: KERCENIMI I EUROPES NDAJ KOMBIT SHQIPTAR KA QENE I RREJSHEM

October 25, 2013 by dgreca

TIRANE-“Qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Sesa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. 
Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor. Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve… 

EPILOG ME ZOTIN 
…Që Shqipëria kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të, as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë. Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta, sa nuk mbetej vend për të rremet. Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na ka shoqëruar në këtë përsiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e tillë do të merrej. Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i papranueshëm prej të tjerëve. Ankesa, përveç që kishte diçka të padenjë, siç ndodhte shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë (platformë) që do të përligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër, po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit sprapsës e kryeneç shqiptar. 
Shqipëria nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë, po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt, për të mos thënë, llastim të saj. 
                            * * * 
…Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi. Shestimi kishte mbetur përgjysmë. Në zanafillë të tij ishte një hakmarrje e egër, nga ato për të cilat perandoritë ishin veçanërisht të afta. Nga gjithë popujt e gadishullit, shqiptarët, si dëmtuesit më të mëdhenj të vrullit osman te portat e Europës, do të merrnin edhe ndëshkimin më shembullor. Nga popujt e Ballkanit Perëndimor, ky ngjante si i krijuar enkas për shpagim të tillë. Ndryshe nga grekët dhe sllavët, që kishin mbrojtjen e tërthortë, të parët, të trashëgimisë bizantine, të dytët, të farefisnisë sllave, shqiptarët s’kishin askënd. Midis shpërfilljes dhe heshtjes, pa iu dhimbsur kujt dhe pa dëshmi, ata pësuan një prej zezonave më të mëdha që ka njohur bota: dergjën osmane. 
Midis sajesave të botës, ato që mund të pillnin një dergjë ishin ndër më të paparashikueshmet. Në rastin turko-shqiptar, ndodhi diçka që historia nuk e ka sqaruar ende plotësisht. Një lodhje nga ato që cilësohen në të gjithat gjuhët e botës si “lodhje vdekjeje”, por që në këtë rast merrte kuptimin e kryehershëm të saj? Një lodhje sunduesish e të sunduarish bashkë? Një stërvdekje a një mbimort? 
Prej shurdhimesh të tilla mund të pritej gjithçka. Nga shurdhimi osmano-shqiptar u sajua diçka e frikshme në befasinë e saj: prirja për t’u marrë vesh. Në vështrim të parë, thirrja e osmanëve “bëhuni turq” do të merrej si një kulm i shpagës e i poshtërimit. Me fjalë të tjera: ju na penguat te portat e Europës? Ne e morëm hakun: ju mundëm. Ua morëm dheun, shpirtin, gratë, foshnjat, gjithçka. Dhe prapë mos kujtoni se e shlyet fajin! Tani ju do të harroni kush ishit. Do të ulni kryet, jo më si shqiptarë, por si ish-shqiptarë, dhe ashtu, në gjunjë, do të kërkoni ndjesë. Në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë kështu. Thirrja për t’u kthyer në turq s’ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por tepër e tërthortë. Dhe asnjëherë me një kumbim hakmarrës, përkundrazi si një venom. Tingëllimi i vërtetë i saj do të ishte: u bë ç’u bë, le ta harrojmë. Në qoftë se doni të shijoni të mirat e perandorisë, bëhuni si ne. Thirrja e fundit ishte gjithashtu tepër e përkorë. Për të shmangur fjalën plagosëse “turk”, ishte gjetur myslimanizmi, një nga tri besimet kryesore të botës. Ishte çelësi i artë, kushti i vetëm për të hapur portën e mundësive të mëdha: karrierës, pasurisë, lavdisë. Ishte joshja që i bënte perandoria fitimtare popullit të mundur, hapësira e pafundme hapësirës së ngushtë, së fundmi favori befasues, që ngjante dyfish i tillë, ngaqë vinte në vend të ndëshkimit. 
Tundimi ishte tronditës. Lëkundja gjithashtu. Nuk ishte veç një hap, një zgjedhje, një lamtumirë. Madje dhe kjo e fundit s’ngjante aq dramatike siç mund të ishte dukur. Nën të njëjtin pullaz katolik mund të jetonte vëllai mysliman. Shkurt, prej të njëjtit qumësht nëne mund të rriteshin vëllezër të ndryshëm. Edhe më shkurt: brenda racës shqiptare, po gjëllonin vatrat familjare dybesimëshe. Ndërkohë, mosbesimi i të dy palëve ndaj njëra-tjetrës duhej të ketë qenë i pafund. Ishte e natyrshme që secila palë të dyshonte se tjetra ia kishte me dredhi: shqiptarët do të hiqeshin sikur ishin ndarë me kryqin, pa u ndarë, kurse osmanët s’do të mbanin asnjë premtim, si çdo sundues. Vitet kalonin, por rënia e maskave, aq shumë e pritur, nuk ndodhi asnjëherë. Po ndodhte e kundërta. Shqiptarët, të ndarë më dysh, me kryq e pa kryq, do të vazhdonin jetën e tyre. Ata të kryqit, do të mbartnin, siç thuhej, kryqin, e të tjerët do të gëzonin postet e premtuara. Shqipëria i ngjante një teatri, ku në të njëjtën skenë luhej herë drama e robërisë e herë ajo e lirisë, pa u qartësuar asnjëherë se cila ishte e vërteta dhe cila e rremja. 
Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar… 
Tiranë-Paris, 
Verë dhe dimër 2010-2012(Materiali u mor i gatshem nga Balkwnweb)

Filed Under: Kulture Tagged With: ishte i rrejshem, Kadare, kercenimi i Europes, ndaj kombit shqiptar

Filmi “The Superintendent” përzgjidhet tek Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Tiranë

October 25, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta/

New York – Filmi i regjizorit të talentuar Roland Uruçi me titull “The Superintendent” do shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë te premten, me datë 25 tetor 2013. Filmi me metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji të Roland Uruçit ka tre protagonistë kryesorë: Kate Mason, Brooke Volkert dhe John Noel. Kinematografi i filmit është Albert Elmazovski me producent asistent të xhirimit, Kastriot Uruçi.

“Ta kem filmin tim të parë si përzgjedhje e Festivalit të Filmit në Tiranë është si të marr aprovim nga familja ime shqiptare. Ndjehem tepër i gëzuar që filmi im gjeti vatrën e vet,” u shpreh regjizori dhe skenaristi i njohur Roland Uruçi.

Xhiruar në New York, Amerikë filmi bazohet në një histori të shkurtër shkruar nga Blerta Alikaj. Produksioni u mbarua në 2013-të dhe filmi zgjat 18 minuta.

Filmi i referohet një teme shumë interesante të kulturës shqiptare, burrneshat dhe rrëfen historinë se si një burrneshë, Shota, imigron në Amerikë dhe bëhet manaxhere roje pallati. Të gjithë mendojnë se Shota (luajtur bukur nga Brooke Volkert) është burrë sepse ka karakteristika mashkullore.

Filmi nxjerr në pah një histori shumë emocionuese dhe të fuqishme dhe tregon se çfarë ndodh kur e vërteta del në pah dhe pasojat që le pas. Shpeshherë në jetë ndodh që njerëzit kanë sypozimet e tyre për dikë, pa ditur sakrificat, sfidat dhe të vërtetën që kalon ai person. Shota detyrohet t’i rrëfejë sekretin e saj një të huaji dhe historia ndërthur shumë bukur konfliktet socio-kulturore dhe ato gjinore të shoqërisë.

Ky fenomen akoma praktikohet sot në Shqipërinë veriore, Kosovë, Montenegro dhe Bosnje, një traditë e vjetër lindur para 300 vitesh, përmendur që me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndërkohë kur vashat e reja ëndërrojnë të martohen, ndër shekuj burrneshat betohen për virgjëri para krerëve të fshatit për t’u bërë burrë për të dalë në luftë ose për të përballuar detyrat e familjes. Ky koncept kulturor është mjaft i huaj për kulturën amerikane dhe ndryshon nga termi “orientimi seksual” siç përdoret më shumë në Sh.B.A.

“Burrneshat kanë karakteristika shumë të veçanta dhe të papara për vendet e tjera të botës. Për shqiptarët ka të bëjë me identitetin dhe perceptimin e karakterit të fortë, vjen nga një kulturë e lashtë që pranohet si traditë nga shoqëria shqiptare. Ky koncept është i huaj për kulturën amerikane dhe bie në konflikt me pranimin e orientimit dhe identitetit. Kur u shfaq filmi në New York ka patur shumë komente pozitive dhe filmi u pëlqye shumë sepse është një film tepër unik,” tha regjizori i filmit ‘The Superintendent’, Roland Uruçi.

Regjizori Uruçi ndjehet krenar me projektin e tij të parë, që nxorri në pah një histori majft të veçantë për publikun amerikan dhe atë të huaj, duke i nxitur të mendojnë rreth temave të identitetit, kulturës dhe rolit gjinor në familje.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë në krijimin e një historie duke i shtuar aspekte të kulturës time shqiptare dhe duke e bërë të pranueshme për publikun amerikan. Falenderoj Blerta Alikën që më besoi mua me historinë që ajo shkruajti për ta zhvilluar në film, si dheAlbert Elmazovski (kinematograf i filmit The Superintendent, nga Dibra me origjinë) që e solli vizionin tim në kamera për të krijuar një histori reale dhe të bukur,” shtoi regjizori Roland Uruçi.

Trailer i filmit mund të shikohet këtu: http://vimeo.com/51704867. Momentalisht regjizori Roland Uruçi po merret me projektin e tij të ri “Paftuar” bazuar në ngjarje të vërteta përjetuar nga Julian Biba. Z. Uruçi shpreson ta xhirojë filmin ‘Paftura’ në Shqipëri në 2014 me aktorë shqiptarë. Për më shumë vizitoni www.rolanduruci.com.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira bamausta, perzgjidhet, Roland Uruci, tek Festivali dnerkombetar, The Superintendent, Tirane

Petrit Golemi –Një biznesmen i suksesshëm ne lëmin e arsimit

October 24, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia

1.

Emri i Petrit Golemit ka  katërmbëdhjetë vite ndërkaq në qytetin bregdetar njihet si një ndër bizemenët më të suksesshëm në fushën e arsimit shqiptar me gjimnazin “Perla” më të madh jo publik jo vetëm në rrethin e Vlorës madje në të gjithë vendin. Në sytë e Presidentit të këtij gjimnazi, Petrit Golemi është ende i pikëzuar dita e parë, kur u hapën dyert e dijes. Atë ditë,rrëfen Presidenti,në bankat e tij erdhën 45 nxënësit e parë,të ndarë në tre klasa ku jepnin mësim 11 mësues definitiv.

2.

Një emër thesaresh,Gjimnazi jo publik “Perla” është në një garë me kohën. Në librin e arsimit shqiptar,nxënësit e këtij gjimnazi jopublik do të meritojnë vëmendje të veçantë për njohurit e fituara në lëmin e dijes dhe të emrit të mirë,që i bënë arsimit shqiptar. Gjimnazi jopublik në një konceptim është një shkollë e mesme e përgjithshme me vendodhje në veri të qytetit bregdetar të Vlorës. Kohë-formimi ,është regjistruar ky shekull i dijes shqiptare,më saktësisht vitet ‘2000,rrugë-nisi veprimtarin mësimore edukative viti arsimor 2000-2001. Një kohë vjeshte, ka regjistruar shtatorin e parë të dyerve të hapura për gjimnazin jopublik “Perla”.

3.

Një vatër e etur dijesh,përpara qarkohet nga një mjedis gjelbërimi. Godina me ngjyrën e tullës së pjekur. Shtiza ku qëndron flamuri ynë kombëtar. Në një zbardhje dite,tingujt,kënga e nxënësve,refren i përditshëm. Por ca më larg në shkollat publike këta tinguj gjenden prej kohe në harresë. Mjediset të pastërta. Komode e bashkohore. Kjo shkollë përmban një numër rreth 17 klasa të cilat kanë një strukturë6-4-4-3. 4 laborator për mësim-shpërndarjen i përkasin lëndëve si:informatikë e lidhur me internetin,kimi,biologji,fizikë. Në mjediset e saj gjendet një bibliotekë me literaturë shkencore,letrare. Fondi i librave sivjet shkoi në 100.000 libra. Një palestër ku treguesit madhësi,gjatësi,lartësi kapin parametra optimal me një sipërfaqe 600 m2 shtruar, me parket gjerman,përmbush standarde për orët e fizkulturës. Gjimnazi jo publik në gjuhën e shifrave:1288m2 mjedis mësimor dhe 2500m2 mjedis shlodhës me gjelbërim, stola të këtij gjimnazi, që shtrihet në pjesën veriore të qytetit detar.

4.

Deviza e këtij gjimnazi është e lexuar në fytyrën e tij me shprehjen:”Cfarë zbuluam ne tek “Perla”:dije,kulturë,të ardhme,siguri,qetësi,argëtim,pikënisje e lumturisë, si dhe një vargëzimi poetik kushtuar dijes që jep kjo shkollë:”Mal me dije/det me perla”. Si ishte konceptuar zhvillimi i këtij gjimnazi. Që jeta të ndryshojë,ëndrrat të bëhen realitet dhe të përgatitemi për të përballuar sfidat e jetës. Disa tregues rritje:Në vitin 2000-2001- 45 nxënës.’2002-130 nxënës.2003-220 nxënës.2004-320 nxënës. 2005-414 nxënës në raportin: 153 vajza, 261 djem. Puna e kryer dhe arritjet, që sollën nxënësit e saj në olimpiada solli trefishimin e numrit të nxënësve. Brenda vitit të dytë të jetës së tij numri i nxënëse ariti në 130, të ndarë në 7 klasa. Treguesit e rritjes regjistrojnë shifra progresive ndërkohë që ky gjimnaz në vitin 2006 u frekuentua nga 394 nxënës të ndarë në 17 paralele me një staf mësimor prej 32 mësues. Çelësi, që ka hapur dyert e kësaj dije sipas drejtorit të saj, Jemi një shkollë e konsoliduar me një përvojë në trajtimin e nxënësve si partnerë në procesin mësimor dhe të edukimit. Që në krijimin e saj sipas drejtuesve,shkolla ka zbatuar paralelisht me 15 shkolla publike kurikulën e re të arsimit të përgjithshëm. Në këto vite konvergohet puna shkencore,mësimore,edukative për të rritur përgjegjësin përpara shtetit dhe komunitetit vlonjat. Një përzgjedhje specifike, që kryen stafi i kësaj shkolle është është hapja e dyerve të këtij gjimnazit,nxënësve që mbrijnë nga arsimi 9-vjeçar me një mesatare note mbi 8. Nga procesi mësimor cilësohet,asnjë orë mësimi e humbur. Mësimdhënie me rendiment të lartë. 100% e maturantëve vazhdojnë arsimin e lartë. 50% e nxënësve përcaktohen të nivelit mesatar dhe mbi mesatar. Stafi mësimor kryen një planifikim shkencor të lëndës,zhvillimin e saj me rendiment të lartë,duke sjellë shifra të admirueshme në mbyllje të cdo viti shkollor. Ky gjimnaz zhvillon një jetë të pasur gjithëvjetore me veprimtari kulturore,artistike,sportive, në vende historike, qendra të rëndësishme,por edhe jashtë vendit në trevat ku banojnë shqiptarët si Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni. Gjimnazi “Perla” nga 6 shkolla jopublike që funksionojnë në qytetin detar vlerësohet si shkolla kampione në olimpiada.

5.

Fitues në olimpiadat e zhvilluar në Vlorë. Në Shqipëri dhe në botë. Ersilio Tushaj fitues në olimpiadat matematike. Vendi i parë në Vlorë. Medalje bronxi në ballkaniadë në Qipro. Në fizikë,vendi i parë në Vlorë,vendi 2 në Shqipëri. Në biologji,informatikë vendi i parë në Vlorë.Fitues i vendit të 4 në botë në Singapor. Manushaqe Muco ka fituar vendin e parë në matematikë në Vlorë dhe Shqipëri .Vendi i parë në trevat shqiptare. Klevis Ymeri vendi i 1 në Vlorë,i treti në Shqipëri,I pesti në Ballkan.Julian Gjipali,vendi i parë në matematiakë në olimpiadën e Vlorës,i 4 në Shqipëri.Rinald Murati vend i parë në olimpiadën e matematikës.Niko Kaso,vend i dytë në trevat shqiptare në olimpiadën e matematikës.Jahela Jahaj dhe Vjola Konstandini vend i dytë dhe vend i parë ne olimpiadën e matematikës . Nxenesi Jurgen Fataj, ishte i vetmi ne qe  arriti te fitonte ne konkursin e Kolegjeve te Botes se Bashkuar, te drejtën e vazhdimit te studimeve me burse ne Kanada. Përvoja e pasur e këtij gjimnazi në grumbullimin dhe zbulimin,nxitjen e talenteve të rinj,në rezultatet që kanë aritur në shkallë qyteti,vendi dhe rang ndërkombëtar. Karakteri masiv i kësaj pune dallon në shtrirjen me pjesëmarrje :20% të nxënësve të këtij gjimnazi në olimpiada dhe shumë prej tyre shpallen fitues. Në qarkun e Vlorës,nxënësit e këtij gjimnazi fituan18 vende nderi nga 24 të mundshme në matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë. Në shkallë vendi nxënësit fituan 3 vende të para në matematikë, vendin e dytë në fizikë.5 nxënës fitues janë anëtarë të ekipeve kombëtare të matematikës. Për të gjithë këta tregues Bashkia e këtij qyteti detar në mbyllje të vitit arsimor i dorëzoi këtij gjimnazi certifikatën,stafit pedagogjik të shkollës jo publike”Perla” me këtë mbishkrim”Për përkushtimin e lartë dhe profesionalizmin në përgatitjen me cilësi të brezit të ri. Kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika”.Me treguesit e dhënë,gjimnazi “Perla”,është shkolla e të ardhmes ,që qytetit tonë me një histori të hershme në këtë fushë i kishte munguar prej kohësh. Emri i këtij gjimnazi jo publik do të ketë një vlerësim, ai do të përmendet në kontributin e tij si dikur shkolla tregtare e Vlorës,që nxori intelektualë e personalitete në vitet e një shekulli që mbylli sytë,traditën e saj e ka “rrëmbyer” sot ky gjimnaz jo publik me emër thesaresh dhe me det diturie.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: biznesmeni, Gezim Llojdia, petrit Golemi, shkolla

SIMPOZIUM PËR PETRO MARKON NË KRAJOVA TË RUMANISË

October 24, 2013 by dgreca

Shkruan: Mira Skënderi/Bukuresht/

100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Petro Marko ishte motivi i organizimit të simpoziumit “Petro Marko dhe letërsia bashkëkohore shqiptare”, në kryeqëndrën e krahinës së Oltenisë, në Krajova të Rumanisë. Simpoziumi iu kushtua jetës dhe veprës së autorit shqiptar, rast me të cilin u bë edhe promovimi i librit në prozë “Njerëz dhe ujqër„  të Petro Markos, i përkthyer në rumanisht nga përkthyesi i mirënjohur dhe njohësi i letërsisë shqipe, Marius Dobresku.

Midis të tjerash, Dobresku tha: “Shorti i këtij shkrimtari të talentuar ilustron më së miri karakterin vrasës të komunizmit shqiptar, të komunizmit në përgjithësi: gjithmonë dhe kudo, regjimi likuidoi në radhë të parë fëmijët e vet, ata idealistë që mendonin se ëndrra për një shoqëri më të mirë mund të bëhet realitet. Shqipëria është një shembull domethënës në këtë kuptim: duke filluar nga shokët e luftës antifashiste, e duke përfunduar me kryeministrin Mehmet Shehu, Enver Hoxha likuidoi një brez të çmuar pjesëmarrësish në luftën antifashiste, intelektualë, shkrimtarë etj. Petro Marko ishte një nga viktimat”.

Shkrimtari dhe përkthesi Marius Dobresku, gjithashtu, u foli të pranishmëve për peripecitë dhe dramën e shkrimtarit Petro Marko, për ngjitje-zbritjet, për sukseset e shënuara, por dhe dështimet e dhimbshme, duke lënë nga pas “veprën e tij jetëgjatë, që tejkaloi qartazi peizazhin letrar të kohës. Është një vepër e cila, me siguri, do të mbetet në vite, si dëshmi e talentit dhe forcës shprehëse të këtij krijuesi të denjë”.

Që në fillim të daljes në dritë, tregimet e Petro Markos gjetën vlerësimin e lexuesit rumun, ashtu sikundër edhe autorë të tjerë shqiptarë në zë, të përkthyer nga Marius Dobresku si Ramiz Gjini, Arber Ahmetaj, Fahri Balliu, Gjekë Marinaj, Ermir Nika etj. kanë zgjuar vazhdimisht interesin e këtij lexuesi.

Në kumtesën e tij, studiuesi i letërsisë, Dr. Luan Topçiu, u shpreh se: Duke qënë një nga pjesëmarrësit në Luftën Civile të Spanjës (1936-1939), duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me letërsitë dhe gjuhët perëndimore, Petro Marko ka qënë i markuar me frymën e kohës dhe nga disa modele kulturore europiane, që kanë pasur një short të ngjashëm. Ishte pikërisht kjo frymë perëndimore që nuk u tolerua nga komunizmi shqiptar, i cili, nuk  fali as veprën e tij, por as vetë shkrimtarin. Në një radhë tjetër idesh ai u shpre se: “Marko hapi ulli të reja në prozën shqiptare, prozë e asfiksuar nga metoda zyrtare e realizmit socialist, duke i thyer normat e kësaj metode, me fuqinë e fjalës, me lirizmin e tij, me frymëmarrjen e lirisë, që e bëjnë prozën e tij të pëlqyer dhe të lexueshëm dhe sot e gjithë ditën.”

Në këtë aktivitet, kushtuar kujtimit të Petro Markos, organizuar nën patronazhin e shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, morën pjesë deputetja Oana Manolescu si dhe një audiencë e interesuar e përbërë nga shkrimtarë, njërez të kulturës, gazetarë etj. Aktiviteti u ndoq me interes nga të pranishmit, që manifestuan interes për të mësuar sa më shumë detaje rreth letërsisë shqiptare, rreth krijimtarisë së Petro Markos dhe aspekte të tjera të kulturës shqiptare. Ngjarja u transmetua nga dy stacionet televizive lokale si dhe nga gazetat më të rëndësishme lokale.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bukuresht, Mira Skenderi, simpozium per Petro markon

Faik Konica, aristokrat edhe kur shau

October 23, 2013 by dgreca

Nga ARSHI PIPA/

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare,nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma. Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë,,, rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, perëndimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u ¬idhnue, talli ashpër, shau.Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Po pse mos me i thanë qysh tash të metat e tija njerzore? Ai nuk qe shembull mase e drejtsije. Pasjoni e verboi shum herë. Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Çka tjerët kishin veç e veç a mangut, aj pat të gjitha së bashkut e në mënyrë të plotë. Kurrgjë s’i mungoi, nga kultura e madhe shkencore te ndjesija e imtë artistike, nga magjija e rrallë e bisedimit te shëndeti e hijeshija fizike. I vetëdijshëm për epërsin e vet nuk duronte qi ndokush të mos ia njifte. Të kishte pasë rrufena, si Zeusi, do të kishte shigjetue ata qi nuk e adhurojshin. Por fjalën: nuk e kurseu me e përdorë, kur u inatos, si armë, ma keq se armë. Mos të ngutemi me thanë se bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz e me ç’koka pati punë. Ndërmjet “anadollakëvet” e “sharllatanëvet” ai ishte nji fenomen anakronik. Kuej me i folë për art, “anadollakut në mësallë”?Çdo njeri qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u idhnue e drodh kamxhikun e satirës..Pamje njimend e kureshtme ishte kjo me pa “gentleman-in” ma të përsosun tue i u-vërsulë me shamjet ma të ndyta kundërshtarit! Sed quod non facit indignalio? Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet e atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zili të tjerëve mallin për Shqipni! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje të dashun! Dhe qe kështu – ndonji herë i padrejtë, ashtu si mund të jetë ai qi ka zilin e dashunis.
Njeri ekstremesh! Njeri pasjonesh të mëdhaja. Këndej nuk “begendiste”, andej nuk falte. E kështu shkroi e foli mbi art me delikatesën më të madhe me ndijimin ma të thellë. Por kur shau u mori hua rrugacavet fjalorin e tyne.Nuk shkroi vepra të plota? A muejtë me i shkrue nji njeri me kto huje? Ai nuk qe nji shkrimtar i profesionit, i lidhun mbas tryeze; qe nji “shijues”. Kur shkroi, shkroi për endjen me shkrue. Estet. Aristokrat deri n’art. Ç’ishte për të me mbledhë ndër disa volume ato qi shkroi gjatë jetës së vet? JO, nuk e bani. Kjo nuk i ka hije zotnis së madh qi asht msue me hjedhë mendime e humor “par dessus le marche”! Të tjerë le t’i mbledhin, në dacin! Zotnija i madh shpenzon në të djathtë e në të majtë, falë e darovitë, nuk ep me fajde.Nji herë vetëm mori mundimin me botue nji libër. Dhe ky olibër qe nji përkëthim prrallash arabe nga “Njimij e nji netët”. Asht kjo mënyra e ndonji lordi anglez qi kujdeset për punë të votës dhe të vetat i len mbas dore.Ç’ndryshim midis tij e Nolit! Noli punoi, me vullnet hekuri, gjithë jetën. Noli qe demokrati i madh i letërsis sonë. Krahazoni Nolin qi bahet prift për t’u shërbye bashkatdhetarvet të vet, me Konicën qi bahet ministër tue e kalue kohën ndër “soirees” diplomatike dhe ndër andjet e holla t’artit e të muzikës. Nji aristokrat i tillë a mund të pajtohet me nji demokrat si Nolin? E shkurtë qe prandej miqsija e tyne.Pat thanë një herë Ëilde: “Kam vue të gjith gjenialitetin tim në jetën teme, por vetëm talentin tim në letërsin teme”. Kto fjalë i përshtaten mjaft Konicës. Larg nesh mendimi më e krahazua jetën e tij me atë të “dandi-t” Ëilde! Por kush mund të mohojë se luksi e fama atij nuk i pëlqejshin? Ata qi e njofton tregojnë se shijet e tija epikureane ishin fort të pasuna. Ishte nji burrë i pashëm, me nji shëndet për t’i pasë zili. I pëlqente pra “jeta”, kuptohet. I pëlqente edhe me u-veshë mirë. Ndonjiherë ngjeshte edhe fustanellat e delte ashtu nëpër kremte e gostina, ose edhe nëpër “Hyde Park”.Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptua se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosuna. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’ art, janë dhetë herë të vërteta të ata të rrallë qi, tue ndrrue mardhanien, e sjellin artin e tyne në jetë, tue e ba jetën e tyne poezi, tue e artistizue. Baudelaire! D’Annunzio! Konica u përngjet pak, për së largu.Portreti fizik i Konicës, ashtu si e shikojmë në fotografin e tij tipike të riprodhueme shum herë, asht pasqyrë shum e qartë e karakteristikavet të tija shpirtnore. Na duket Konica këtu në moshë të pjekun, medje të shtyme, njeri qi ka jetue dhe qi din ç’asht jeta. Fëtyra e tij e mbushun, plot shëndet e gjak, rrëfen nji shpirt të knaqun nga vehtja. Vijat janë të hajthëta, me lakime elegante të nji fëtyre fisnike. Dhe në kët fëtyrë dy gjana bijnë në pah me nji herë: sytë e goja. Sytë kanë nji shkëlqim të jashtëzakonshëm, nji shkëlqim të prehtë e të ftohtë, sy çeliku. Inteligjenca e madhe e Konicës vezullon çiltaz ndër kta sy. ‘Por kur zbresim ma poshtë ndeshim dy buzë “fine”, jo të trasha jo të holla, të lakueme në nji mënyrë qi nuk mundesh me dallue me shpejt a asht gaz i ambël apo ironi. Por në se ke lexue ndonji shtyllë nga “Dr. Gjilpëra”, ose nga “Gaspariano”, nuk ke ma dyshim: ajo buzëqeshje asht ironi. Gjithë ajo inteligjencë qi ndriçon nga sytë e Konicës vjen e del nëpër ato dy buzë të lakueme, natyrshëm; për tallje. Inteligjenca asht ba “humour”: ke njoftë njeriun.Inteligjenca asht cilsija e madhe e Konicës. Ndër tjera rrethana, ndër tjera kushte shpirtnore do të kishte muejtë t’ushtrohej me fryt të ndryshëm. Edukata frënge, me traditën e saj të satirës, nga D’Aubigne te Voltaire, trajtoi Faikun pamfletar. Anglija, atdheu i humorit, i zhvilloi edhe ma tepër sensin e ironis. N’Amerikë mandej ato gjetën trollin e përshtatshem për me u-ushtrue.Pamfleti shkatrron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? Ironija asht nji “forma mentis”, asht trajtë, asht stil. Kur nuk asht e shoqnueme me fantazi krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, “essai” a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak, herë këndej herë andej.Inteligjenca nuk krijon: ndritë, sqaron, e shum shum ndryshon: asht themelisht kritike. Konica pati të gjitha vetitë për me qenë nji “essayiste” i shquem: kulturën filologjike-estetike, shijen e artit, prehtësin e gjykimit. Ato prova qi kemi prej tij e dëshmojnë qartaz këtë. Por aj kishte ma tepër se kaq: kishte ironin. E përdorun me masë e me takt ironija, kjo dhuratë hyjnorësh, mund të krijojë vepra madhështore kur asht e drejtueme nga nji qëllim serioz, nga nji dëshirë universale. Ndonji herë Konica ja arrijti ktij ideali. Përshkrimet e tija te “Shqipërija si m’u duk” mbi ata “memurë” anadollakë e mbi ata tjerët, paljaço të qytetnimit europjan, “robotë” e “levantinë”, janë të nji humori të shëndoshtë: dhe kjo, pse Faiku frymëzohej jo ma nga marazet e ngusha vetjake por nga nji ideal kombtar. Por shpesh zotnuen te aj edhe inatet politike, pasionet e pezmatueme. Dhe ironija, u-ba atëherë sarkazëm, dhe sarkazëm vetjak.Por gjindej, te Konica, edhe nji mall i fortë për bukurin e pastër. Aj, shijues aq i hollë i muzikës dhe artit, përpara disa qneave natyrore ngashërehej. Ose kur vinte “dita e verës” dhe mendimi i fluturonte tek kohnat e bardha pagane, ose kur shkonte “anës liqenit”. Shpesh ishte malli i Atdheut. Herë tjera ishin kujtimi i kohnavet të fëminis kur i rrëfejshin përralla si “e bija e mbretit dhe trandafijë”, ose ato qi tregohen “në hijen e humave”. Ky tel minor i Faikut tingëlloi ma rrallë e “in sordina”. Zakonisht e mbyti tingulli i ashpër e larkjehues i satirës. Por kur tingëlloi qe plot magji. Piktura ma të përsosuna, ndjenja ma t’imta nuk ka përshkrue deri sot penda shqiptare. Qe nji shembull:“Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupat e epila të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqeje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona- shtihet, e i mpështjell. Mbasandej, pakë nga pakë, manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afrua. (“Albania” v.II. n.6, fq 92).Por Konica nuk u kujdes me i lanë të shkruese të gjitha përshtypjet e veta. Ndoshta prej përtacije! Shënojmë se veprën e tij të madhe, koleksionin dymëdhjetë vjeçar t’ “Albania-s” (1897-1909), e bani sa qe i ri, në hovin e atij entuziazmi djaloshar qi krijon zakonisht gjanat e reja, e ndonji herë të mëdhaja. Sigurisht i nji tjetër kalibri ishte vullneti i Nolit, qi punoi pa u-lodhë, vazhdimisht. Konica përkundrazi e ndali hovin mbas botimit t’”Albania-s”. Çka shkroi prej këndej deri sa vdiq, gjatë një periudhe gati tri herë ma të madhe se ajo e “Albania-s”, asht relativisht e paktë në krahazim me punën qi derdhi te revista. Ishte orvatë me ngul ndërmjet sa vështirsish për të mbajtun rivistën. Kur i erdhi fama e bashkë me atë edhe mirëqenja ekonomike e rehatija, u-duk shpirti i tij prej aristokrati qi e ban letërsin për qejf, kur nuk e ban për huj.Në të vërtetë kjo pat qenë ma vonë, kur Konica, mbas nji periudhe gjithaq të gjatë sa ajo e “Albania-s” (1909-1921), u vendos n’Amerikë për mos me luejtë ma, përveç nji vizite së shkurtë qi i bani Shqipnis në 1929. Kjo periudhë e dytë asht periudha politike e Konicës, sa e frytshme për rilindjen tonë kombëtare, aq e vorfën në prodhimin e tij letrar. Mbas këndej Konica qe i lirë e mueti me ba jetën qi deshi. I njohun si përfaqësuesi i gjithë shqiptarvet t’Amerikës, ma parë prej Qeveris së përkohëshme e më vonë prej Monarkis, aj kishte tash kohë e mundësi për me punue me nge në fushën e letravet. Gjatë kësaj kohe, dyfish ma të madhe se ajo e periudhavet të para (1921-1943), Konica, do të kishte muejtë të prodhonte shum ma tepër se shtyllat e “Dr. Gjilpërës”, reportazhin e “Shqipëria si m’u duk” dhe përkëthimin e prrallavet arabe.Shkaqet duhen kërkue jo aq te ambienti i rafinuem diplomatik ku shpirti prej natyre përtac i Konicës nuk gjeti nxitje për punë (ka pasë edhe tjerë diplomatë qi kan dijtë me përfitue nga rehatija e jetës diplomatike në dobi të poezis), se sa te vetë struktura etike e Konicës. Kjo strukturë ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Konica ishte nji estet, dhe cili estet nuk asht i lidhun ngusht me ego-n e vet? I munguen Faikut ato ideale qi e derdhin njerin në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në të hove dëshirash altruiste, zell apostulli. Konica rroi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’ e ndjeu afër tue qenë ariostokrat. Fen e injoroi. Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim. Por tue lanë mënjanë shërbimet diplomatike qi s’kan të bajnë me poezi, puna atdhetare e Faikut qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lavdimi i anës së mirë të shqiptarit. Vuni në dukje të metat pa cinue virtytet t’ ona. Dhe kjo, kujtojmë, rrodhi prej se Faiku u-shmang nga tradita. I dalun jashtë vendit qysh herët, e i edukuem me kulturë prendimore, aj qe i pari njeri modern i vërtetë ndër shqiptarë. Kjo mendësi moderne, qi i dha prehtësi e guxim me vue në satirë mbeturinat anadollake arnautishte, e lergoi Konicën nga kuptimi i atyne rrajëvet të forta e të shëndoshta qi qenë gjallnija e Shqiptarit gjatë shekujvet. Shembull domethanës në kët pikpamje: moskuptimi i tij rreth Naimit.Kto vlera etike, familja, tradita, humaniteti, feja, janë ato qi i japin ushqim poezis së madhe. Dhe kto Konica nuk i pat fort të zhvillueme. Por për me qenë poet mjafton shpesh herë me i besue Artit, tue ja dhurue jetën kultit të tij. Kështu arti fiton humanitet dhe, nga nji luks shndrrohet në nji nevojë, nga nji punë qejfi bahet vlerë etike e epërme. Konica nuk ja flijoi jetën e vet poezis. Aj bani të kundërtën: ja flijoi jetës poezin e vet. Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori seriozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur i u-tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letërsis sonë. Kurgja sa “Shqipëria si m’u duk” nuk përgjasohet me “Reisebilder”.Ky qe Konica dhe kjo vepra e tij. Rrallë herë shprehja e famshme: “Le sytle c’est l’homme”, gjen nji trupzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse ai qe i tani stil. Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tana gamat e satirës ai provoi, prej ironis ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshti.
Ndikimi i tij mib letrat shqipe qe i madh e i vijueshëm në kët vështrim. Proza toske i detyrohet Konicës. Të gjithë shkrimtarët toskë morën mësim prej tij. Prandej sot proza toske asht e njitrajtëshme, ndërsa gegnishtja nuk asht kristalizua ende pse nuk ka gjetë nji mjeshtër stili njësoj të madh sa Konicën.
E jo vetëm stilin e shkrimit mësoi Konica, por edhe vetë gjuhën. Kultura e tij filologjike, me baza të gjana shkencore, u-shoqnue me shijën e tij në të folun dhe të dyja bashkë përftuen at gjuhë të pastër qi sot rrjedh aq bukur ndër shkrimarët toskë ma të mirë.Stili n’art asht gjaja kryesore. Nuk ka letërsi të vërtetë pa stil. Me pasë mësue mjetin e mënyrat e shprehjes: ky është lavdi i pavdarshëm i Faik Konicës. Asht lehtë me kritikue tue gjetë të meta e gabime. Por cili, sa do i madh qoftë, nuk i ka? Të mdhajvet t’u harrojmë mungesat dhe t’u çmojmë virtytet. Të mos kërkojmë ndër ta ma tepër se ç’na kanë dhanë. Qenë prisa, qenë pionerë ndër shtigje të parrahura, ndër pyje të ngatrrueme. Sot na ecim pa vështirsi sheshit, harrojmë shpejt se ktë nuk e kemi nga mundi i tyne. Të falenderojmë pra shkrimtarin për sa na ka dhanë dhe të përkulemi me respekt përpara fëtyrës së ma të madhit stilist shqiptar, Faik Konicës.Na duket, ndërmjet atyne dy poleve të kombit qi janë gega e toska, sa i pari përban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica. Botuar më 1944

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arshi Pipa, Faik Konica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 400
  • 401
  • 402
  • 403
  • 404
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pedagoge Paola Rrapaj Kraja: “European Piano Academy” një mundësi për fëmijët shqiptarë që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë
  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT