• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME LIBËR E SNAJPER, KUNDËR KRYEMINISTRIT

April 1, 2017 by dgreca

 

2 Ben Blushi KMShkruan: Adil FETAHU*/

Në shtator të vitit 2020,  kishte shkuar një grup prej 60 ushtarësh shqiptarë në një mision paqëruajtës në qytetin Herat të Afganistanit, nën komandën e ushtrisë amerikane. Njëni prej ushtarëve shqiptar  ishte përzgjedhur për ta mësuar zanatin e snajperistit (në tekstin e mëtejshëm  do ta quajmë Snajperi, a.f.). Devizë mësimore e kursit të snajperëve ishte: “Armiku më i mirë është armiku që ke vrarë”. Kur e kishte kryer me sukses kursin e snajperit, komandanti i vet i kishte uruar, duke i thënë se në Shqipëri ka shumë nevojë për të vrarë dhe me siguri do të gjesh një punë të mirë. Duke marrë parasysh mundësinë e vrasjes me snajper deri në 2000 metra largësi,  në Shqipërinë e vogël zakonisht armiqtë janë shumë më afër, dhe mund të vritën më lehtë. Në grupin e ushtarëve shqiptarë ishte edhe ushtari me emrin Winston Harasani,  stërgjyshi i të cilit  dikur (1614) paska ardhur si mercenar në Shqipëri prej qytetit Harasan të Afganistanit, dhe  paska vu themelet e Tiranës, duke ndërtuar fillimisht midis fushës: një han për të bujtur, një furrë buke, një hamam për t’u larë, dhe një xhami për t’u falur. Atëherë ai vend  quhej Teheran, por shqiptarët më vonë ia  shkurtuan emrin dhe e quajnë Tiranë.  Winstoni  shoqërohej me dy djem me mjekrra, kishte pranuar islamin dhe ishte përfshirë në  një organizatë terroriste antiamerikane  që quhej: “Organizata Transbotërore e Zemërimit Inteligjent – OTZI”, e cila synonte të bënte luftë inteligjente kundër Amerikës, do të thotë ta shkatërrojë Amerikën pa luftë të armatosur, por duke bojkotuar  të gjitha prodhimet materiale, teknologjike, shkencore e kulturore të Amerikës. Bile, OTZI  kishte pretendime ta zëvendësojë OKB-në. Në grupin terrorist ishte edhe një vajzë liberale afgane, Anila,  e cila qeshte kur dëgjonte se në Shqipëri, si vend aleat i Amerikës në pushtimin e Afganistanit,  i kishim kthyer xhamitë në kinema, kurse imamët i kishim bërë rrobaqepës e berberë.  OTZI pretendonte se Amerika nuk është shtet i së drejtës, por është e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve tjera. Sipas ndarjes botërore të punës që ka bërë Amerika: gjermanët  prodhojnë makina; zvicëranët  prodhojnë ilaçe; holandezët prodhojnë birra; francezët prodhojnë verë; italianët prodhojnë makarona; rumunët prodhojnë grurë; belgët prodhojnë çokollata; argjentinasit prodhojnë mish; brazilianët prodhojnë sheqer;  kolumbianët prodhojnë kokainë; arabët prodhojnë naftë; japonezët prodhojnë kompjuterë; kinezët prodhojnë kinezë;  rusët prodhojnë konflikte; serbët prodhojnë luftë; ndërsa shqiptarët prodhojnë kanabis. Sipas OTZI-t, Amerika praktikisht është një fuqi koloniale, e cila ka nënshtruar popujt e vegjël, prandaj përmes solidaritetit  botëror të bojkotit inteligjent të gjithçkajes amerikane, atë duhet kthyer në shtëpi.  Pas pak kohe, OTZI u ngrit në një gradë më të lartë të nxehtësisë së urrejtjes  dhe mori emrin “Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik”, me akronime të njëjta,  ndërsa Winstoni kërkoi ta qanin me emrin Otzi. Grupi  i snajperëve, ditën e parë të punës praktike, kishte vrarë 9 bujqë afganistanezë, të cilët ishin duke punuar në arat e tyre, duke mbledhur hashash.  Për shkaqe humanitare, Snajperi shqiptar e kishte zgjedhur ta vrasë  atë më të vjetrin nga radhët e bujqëve. Pas disa ditëve, ishin vrarë katër ushtarë amerikanë ndërsa Otzi kishte dezertuar nga ushtria, e cila po e kërkonte gjithandej.

Me të kthyer në Shqipëri (2021),  për shkak të aftësive që kishte fituar, Snajperi ishte caktuar në Gardën e Republikës, në eskortën personale të Kryeministrit. Për sherr të tij, Otzi filloi të komunikonte me Snajperin përmes postës elektronike, së cilës sigurimi i shtetit i kishte rënë në gjurmë. Këshilltari i Kryeministrit, Kim Kurani, e kishte kontaktuar Snajperin dhe e kishte udhëzuar se si të vepronte, në mënyrë që të arrinin ta arrestonin Otzi-n, së fundi  edhe duke e ftuar në çaj, mirëpo plani iu dështoi. Në mesazhin e fundit që Otzi i kishte dërguar Snajperit, i kishte thënë: “Thuaju miqve tu se Otzi nuk e pi çajin e ftohtë”. Me qenë se në Shqipëri ishin afruar zgjedhjet, Kryeministri kishte sajuar një skenar sipas të cilit duhej të fitonte zgjedhjet edhe për mandatin e katërt. Këshilltari Kim Kurani e kishte ftuar Snajperin, të cilit i kishte bërë shantazh se mund të arrestohej nën akuzën si pjesëtar i një organizate terroriste antiamerikane. Dhe  për të shpëtuar nga burgu, i kishte lënë një zgjidhje të vetme, që “ta vriste” Kryeministrin. Snajperi që e çmonte shumë Kryeministrin, u trand nga sa dëgjoi, por shpejt u qetësua kur Këshilltari i kishte shpjeguar, se ky skenar është me kërkesën e vet Kryeministrit, dhe nuk kërkonte ta vriste, por si specialist që ishte duhej vetëm ta plagoste, pa rrezik për jetë. Kjo do ta kthente Kryeministrin  në viktimë-hero  të terrorizmit, dhe do bënte që nga mëshira populli ta votonte edhe për një mandat, gjë që do të ishte në interesin e përgjithshëm publik dhe në interesin privat të Kryeministrit. Pasi Kryeministri të plagoset dhe të fitojë zgjedhjet, ty askush nuk të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film elektoral, i destinuar për shijen e votuesve, në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen,  i kishte thënë Kim Kurani. Snajperit i dhanë  pushim dyjavor, për t’u qetësuar e përgatitur për të zbatuar planin. Pastaj  Kim Kurani e aranzhoi një takim të Snajperit me Kryeministrin ku u morën vesh për hollësitë e zbatimit të skenarit. Në kërkesën e Snajperit që Kryeministri të mos lejojë njeri t’i afrohej, që të mos ketë viktima anësore, ai i kishte thënë: “Kjo është e sigurtë, se tani njerëzit nuk më afrohen edhe kur unë dua”.Të nesërmën Kryeministri do të mbante një fjalim në oborrin e një shkolle në periferi të Tiranës, ndërsa Snajperin e kishin  vendosur në një objekt të përshtatshëm në afërsinë e nevojshme. Sipas marrëveshjes, kur Kryeministri  kishte ngadalësuar ligjërimin, Snajperi e shenjon në kraharor, duke ditur se aty ishte i veshur me antiplumb. Kryeministri rrëzohet, dhe krijohet panikë, ikje,  tollovi në oborr e rreth tij. Snajperi po mendonte se Kryeministri qëllimisht nuk po ngritej edhe për pak kohë, që efekti i atentatit të zgjatej si në film, por shpejtë vërenë se me autoambulancë po e dërgonin në spital. E kishte vrarë përnjëmend. E kishte goditur në qaftë. Natyrisht, njerëzit që e kishin sjellë Snajperin në vendin e caktuar, e arrestuan duke e grushtuar, me akuzën se ka vrarë Kryeministrin. Në hetuesi Snajperi pranoi vrasjen, duke u arsyetuar se e kishte pushuar nga puna dhe i kishte shkaktuar varfërimin e familjes. Në burg kishte kohë të mendohej për gjithë veprimin, dhe në aspektin moral i gjente vetes një justifikim që i jepte qetësi ndërgjegjës, se kishte vrarë njeriun të cilin gjysma e Shqipërisë do donte ta vriste, madje ai vet kishte kërkuar “ta vriste”. Vrasja e Kryeministrit nuk binte në asnjë nga tri kategoritë e vrasësve dhe  të vrasjeve, që ishin: 1) vrasje nga pasioni – hakmarrësit; 2) vrasje për para – profesionistët; dhe 3) vrasje për popullin – heronjët. Unë nuk isha asnjë prej tyre, arsyetohej Snajperi. Po, për konsideratën që kishte ndaj Kryeministrit, kurrë nuk e tregoi të vërtetën e asaj vrasje, sepse po ta tregonte, do ta vriste për herë të dytë, meqë shqiptarët do ta konsideronin KM si një makijavelist i cili sajon gjithçka për të fituar vota e për të mbajtur pushtetin.

Kjo është fabula e romanit më të ri të politikanit, deputetit e shkrimtarit Ben Blushi,  titulluar: “KM,Kryeministri”. Autori e vënë ngjarjen në kohën e ardhshme (vitet 2020/21), por duke krahasuar realitetin aktual midis Afganistanit e Shqipërisë, gjenë  shumë ngjajshmëri: Afganistani prodhon opium, Shqipëria prodhon kanabis, si prodhime kryesore agrare që  me prodhimet e tyre mbajnë fshatarët  në punë  të përkohshme, dhe të rinjët perëndimorë – në eufori të përhershme. Në Shqipëri të gjithë merren me kanabis. Fara vjen nga jashtë, tokën e punojnë fshatarët (të cilët fitojnë pak e rrezikojnë shumë, a.f.), transportin e bëjnë grumbulluesit, shitjen e bëjnë trafikantët, mbikëqyrjen e bënë policia, ndërsa fitimet më të mëdha i merr qeveria, dhe kjo është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura e për të mbajtur popullin në qetësi. Kështu, Shqipëria e ka fituar statusin e saj në Evropë si një arë kanabisi të cilësisë së lartë, thotë autori i romanit. Kur përshkruan vetitë e shqiptarëve, autori thotë se shqiptarët nuk janë të egër, por dukën të vrazhdë; nuk janë armiqësorë, por dukën dinakë;  nuk janë punëtorë, por dukën të fjetur;  nuk janë të çmendur por dukën të marrë; nuk janë perëndimorë por dukën lindorë; dhe në përgjithësi gjithmonë dukën sikur janë – ata që s’janë.

Ben Blushi si politikan dhe deputet, edhe në letërsi është i preokupuar me zgjedhjet në Shqipëri. Në romanin e tij paraprak “Kandidati”, zgjedhjet për kryebashkiak të Basenit (lexo:Elbasanit) i fiton kandidati  Kadim Sadini (lexo: Qazim Sejdini), i cili kishte vdekur dy ditë pasi kishte paraqitur kandidimin për t’u zgjedhur.  Ndërkaq, në romanin “KM Kryeministri”, për të fituar zgjedhjet për një mandat të ri, ndaj Kryeministrit duhet të bëhet atentat nga një organizatë terroriste, që pastaj populli do ta votojë nga mëshira, që siç e thotë autori në romanin “Kandidati”, Shqipëria mbetet një parajsë për  gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për  gjithë të gjallët që zgjedhin.

Sado që autori bënë akrobacione letrare, duke trilluar histori në paraqitjen e ngjarjeve në kohë të ndryshme, që herë i përgjigjet kohës kur kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha, e herë   kohës së Edi Ramës, askush nuk e beson se personazhi i Kryeministrit është vetëm fantazi e autorit, e jo aludim në personin konkret. Aq më tepër që autori ka një opsesion ndaj të dy kryeministrave të përmendur. Blushi ka zgjedhur mënyrën për të larë hesapet me kundërshtarët politik përmes librave, dhe nuk i ka dalë keq; është “hesapë, me hesapë”, se duke i shpotitur letrarisht ata, po fiton materialisht për vete, nga shitja e librave.  Bile, edhe unë me këtë vështrim, po e ndihmoj shitjen. Veçse e tepron me ironinë, cinizmin dhe karikimin e ngjarjeve e të personaliteteve në të cilat aludon. Sipas trajtimit që  i bënë popullit shqiptar,  si një turmë me vetitë më të këqija (fq.91-93) Blushi me partinë e tij të sapoformuar, nuk do të duhej të kalonte pragun zgjedhor për të hyrë në Parlament. Sado që në kontekst letrar, vet e ka thënë një të vërtetë: “Askush më shumë se unë nuk është tallur kaq keq me vendin e vet” (fq.73 e romanit “Kandidati”). Si romancier (sidomos me romanet “Kandidati” dhe “KM Kryeministri”, që janë të ngjajshëm),  ka krijuar profilin e vet, dhe sadoqë nuk është shumë bindës në krijimtarinë e tij, artistikisht dhe me fantazi nuk qëndron keq.

Pas botimit të romanit “KM Kryeministri”, ka pasur reagime gjithfarësh, pro e kontra, madje edhe batuta, por edhe fyerje. Në një emision televiziv, Edi Rama kishte ironizua Blushin, duke thënë: “Meqë iku nga partia, mund ta thyejë heshtjen, por Blushi ka patur dy kryetarë partie: Fatos Nanon dhe mua. Me Nanon u bë tre herë ministër, dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri tre libra. Tani që është akoma me mllefin ndaj PS, do t’i sugjeroja ta bëjë edhe një libër tjetër,  sepse kur ta bëjë partinë e tij,  s’do të bëjë më as punë as romane”. Në replikën e tij përmes profilit të vet në facebook, Blushi ishte  më i paskrupullt, kur kishte shkruar: “Paska folur Edi Rama për romanet e mia! Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat”!

Nivel i ulët i komunikimit, që s’i bënë nderë, as s’i ka hije askujt!

*Ben Blushi: KM/ KRYEMINISTRI (roman), botoi “MAPO”, 2016, fq.224

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ben Blushi, KM, romani

Alicja Maria Kuberska, Poloni

March 29, 2017 by dgreca

Përktheu nga Anglishtja: Jeton Kelmendi/1 Alicja

 Alicja Maria Kuberska– poeteshë polake, romancieri, gazetar, redaktor. Ajo ka lindur në vitin 1960, në Świebodzin, Poloni. Tani ajo jeton në Inowrocław të Polonisë. Në vitin 2011 ajo botoi vëllimin e saj të parë të poezive me titull: “Realiteti i xhamit”. vëllimi i saj i dytë “Analiza e ndjenjave”, u botua në vitin 2012. Vëllimi i tretë i përmbledhjes “Moments”, (Momente) u botua në gjuhën angleze në vitin 2014, në Poloni dhe në SHBA. Në vitin 2014 Kuberska botoi romanin – “trëndafila Virtuale” dhe vëllimin e poezive “në kufirin e ëndrrës”. Vitin e ardhshëm vëllimi i saj me titull “Vajza në Paqyrë” është botuar në Britaninë e Madhe dhe “Love me”, “(Më do) në SHBA. Në vitin 2015 ajo gjithashtu ka redaktuar antologjinë me titull “Ana tjetër të ekranit”.

Në vitin 2016 ajo pëgatiti dy vëllime: “Shija e Dashurisë ” (ShBA), “Thief of Dreams” (Hajni I ë ndë rrave), Poloni dhe antologjinë me titull “Dashuria është si ajri”

Poezitë e saj janë botuar në antologji të shumta dhe revista në Poloni, ShBA, Britania të Madhe, Belgjikë, Kili, Izrael, Kanada, India, Italia, Uzbekistani, Republikën Çeke, Korenë e Jugut dhe Australi. Përveç kësaj, Poezitë e saj janë lexuar në programe të ndryshme në radio në Poloni dhe Belgjikë. Ajo është paraqitur në New Mirage Journal (ShBA) në verën e vitit 2011. Poezia e saj “Train” (treni) u propozua për Çmimin Pushcart në 2011. Me 2014, poema e saj “Në papafingo” është përmendur në konkursin ndërkombëtar Nosside, ne Itali. Vitin tjetër poema e saj me titull “Hajni i ëndrrave” fitoi medalje në këtë konkurs në Itali ndërsa poezia e saj “Vallëzim në vesë” është nominuar për çmimin Pushcart. Ajo ishte paraqitur në revistën “Viti i poetit II” Në mars 2015 (ShBA).

Ajo shkroi edhe një tekst për teatër, një numër të intervistave për revistat polonisht dhe gazeta amerikane.

 

Alicja Kuberska është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve në Varshavë, Poloni.

 

 

Ditë – Pushimi

 

Me zgjo

Delikatishtë dhe kujdesshmëm.

Lëshoje ëndrrën larg

Çerpikëve të mi.

Atëherë do të shoh,

Si Aurora me gishtat rose

Shkurtimeve errësirës së natës

Dhe ndriçon qiellin blu.

 

Të gjithë zogjtë, më çojnë në fole,

Do të këndoj himnin për agimin.

E para, rrezet e ngrohta të diellit

Do tùa puth petalet e luleve fjetura.

Kjo është një mrekulli e ditës së re të krijuar.

 

Miremengjes.

 

 

 

Cdo dite

 

Do të doja të njoh çdo ditë,

ngjyrat dhe shijet e tyre,

Sikur të ishte dita ime e parë

Dhe e fundit, si ashtu pra.

 

Unë nuk dua të qëndroj

Në sferën e heshtjes.

Dua për të ndryshuar

Minutat në shënime.

Ditët janë të përbërë

Si simfonitë.

Netët luajnë Nokturno.

 

 

 

Treni

 

E mora trenin e jetës

Me asgjë,

Pa rroba,

Pa ndjenja.

Një fletë të bardhë letre.

Letër-njolle e thithur gjithçkaje.

 

Do të dal e ngarkuar me tufa

Kujtimesh dhe përshtypje.

 

I mbush ato me kujdes.

Disa prej tyre venitur, si

Ink nga letra të vjetra.

Të lidhur me shirita të gjitha ngjyrave.

Këta të bardha janë

fala ime jothelbësore

Dhe ato të zezat janë të rënda dhe traumatike.

 

Kam takuar shumë pasagjerë,

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë

Dhe shumë pa-lëkurë,

Të cilët u kapën

Në ndalesa të ndryshme.

 

Çdo takim,

Edhe ky tani, një i shkurtër,

Si një rreze e diellit ose

Vibrim e krahë future, duke u

Pasuruar e mbushur çantën time të përvojave.

 

 

 

 

Unë jam

 

Unë jam ajo që jam.

Bazuar në realitet si rezultat i ngjarjeve,

Duke marrë shanse dhe zgjedhje të informuara.

Unë nuk e di se sa ishte deri në unë,

Ose sa e trashë ishte në eshtra,

Kjo më shpie për të takuar njerëz

Dhe për të kuptuar qenien e vërtetë.

Ndonjëherë një fjali

Mund të ndryshojë botën,

Ashtu si një shkëndijë do të digjet realiteti i vjetër.

Unë jam e habitur gjithmonë.

 

 

Huazim

 

Unë nuk kam një fole këtu

Por unë kthehem, si një dallëndyshe,

Për vendet e fëmijërisë sime.

 

I desha gardhiqet me rërë,

Për të marrë pjesë në misterin e këngës shaka.

I organizoja buqetat

E luleve të egra dhe lule-thekrës –

Për tu rritur deri të retë.

 

Pemët e vjetra, të cilave ua kam besuar sekretet e mia,

Ende rriten, thekshëm, qershi të egra

Dhe Linden ëmbël-aromatike

Si dikur –

Bota hyjnore në pasqyrë të liqenit.

 

I dëgjoj valët dhe erërat.

Me sa duket asgjë nuk ka ndryshuar.

Vetëm brija e varrezave,

Si një ditar i jetës, është gjithnjë e më e qartë.

 

 

Qyteti i vogël

 

Eci përgjatë rrugëve të qytetit,

Që dikur e desha.

Sot, unë jam një e huaj indiferente.

Mezi e njoh atë.

 

Nuk ka më të vjetër, hallat mikpritëse.

Asnjë fqinjë me hundë të madhe fshehur prapa perdeve,

Apo burrat trima me historitë e luftës.

Ata janë zhdukur.

 

Koha ndryshoi gjithçka,

Jo vetëm njerëzit, shtëpitë, rrugët dhe pemët.

Mua më duket se ajo edhe

Hijen e qiellit e ka ringjyrosur.

 

 

 

Mbathje

 

Mbathje të mëdha,

Dragoj të trashë me bark të madh,

Përbijnë faqet e poezive të mia.

 

Letra të ruajtura pakujdesshëm,

Shënime, fije mendimeve, ëndrra, ndjenja

Për të cilën unë kam qenë muzë.

Fjalë të fërguara

Në atë që ju duhet dhe nuk duhet –

kërkuar nga bari,

Copa të vogla letre,

Qëndrojnë në gjumë.

 

Ndoshta një ditë

Do të hap sirtarin.

Nga fshikëza e faqeve

Do të çelin poezi, si ngjyra si pilivesa,

Apo si cicërima zogëzash,

Dhe ata do të fluturojnë, kush e di se ku,

Dhe pranë kujt.

 

 

Trishtimi

 

Une nuk e di,

Ku e gjeni kufirin e trishtim.

Ndoshta ajo përbëhet nga rrethet si ferrit të Dantes.

 

Unë jam tërhequr thellë e më thellë

Me rërë thithëse të zhgënjimit.

Qiejtë blu janë mbyllur mbi mua.

 

Buzëqeshja ime është më e përsosur se hëna.

Ajo gjithmonë duket si një gjysmë-hënë

dhe drejton turmat e vëzhguesve të humbur.

 

Vetëm humnera në sytë e mi po bëhet më e zezë dhe më e thellë.

Sytë nuk mund të gënjejë.

 

 

Bisedë

 

Trokita në mendjen tënde.

 

Më lejoni të hyj- pyeta

Unë ju kam sjellë diçka,

Mendimet e mia të çmendura dhe ëndrrat,

Punimet e mbledhura nga

Oqeanet e krijimtarisë.

Shikoni sa të bukura janë ato,

Madje edhe ajo më e vogla…

Më e vogël se kokrrizat e rërës.

 

Nuk dua ato – mu përgjigje

Bota ime është sterile,

E rregulluar dhe e njohur.

çdo poemë e juaj e shkruar

Mund të rrënoj qetësinë time,

E cila është ndërtuar gjatë viteve.

Njohja mund të jetë e dhimshëm

Për shkak të paturpësisë së saj dhe injorancës.

Pyetjet zgjojnë frikën e fjetur.

I preferoj të qëndrojnë në mënyrë të sigurtë brënda

Vetmisë së mirënjohur.

 

 

 

Varg në ajër

 

Kam qenë duke kënduar,

Si vargu në ajër,

Këngën e trishtuar për vetminë,

Zhgënjimet e hidhura,

Mungesën e dashurisë.

 

U varur diku,

Larg nga realiteti

Dhe ishte duke u kërkuar obsesiviteti për

Kuptimin dhe butësinë.

 

Nuk e di pse më këputët mua.

Shikoni çfarë ka ndodhur.

Ju thyen vargjet tensionimit.

Kur keni copa teli

Në dorën tuaj, por kjo është shumë pak, shumë vonë.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alicja Maria Kuberska, Jeton Kelmendi, Poloni

Kadare, laureat i Çmimit Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”

March 29, 2017 by dgreca

1 LetersiaKosovë-Ismail Kadare, laureat i Çmimit Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”/

PRISHTINË, 29 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, sot, në konsultim me Këshillin e Librit, ka vendosur që Çmimi Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare, për kontributin e madh dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore.

Ky çmim i veçantë, jepet për personalitet, të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Çmimin në fjalë ka vlerë monetare 10 mijë euro, dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Ky çmim, sipas Rregullores, jepet nga ministri, në bashkëpunim me Këshillin e Librit.

Ministri Kujtim Shala e vlerësoi se laureati Ismail Kadare, e vë këtë çmim në një standard të lartë ndërkombëtar. Ky çmim, si i tillë, do të jetë një ndihmesë për pranimin, njohjen dhe afirmimin e mëtejmë të letërsisë shqipe.Shala më tej shtoi se një çmim dhe vlerësim i tillë i ka munguar letërsisë shqiptare.Ceremonia e solemne do të zhvillohet në Prishtinë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kadare, laureat i Çmimit, Letersia shqipe

“Kodi i baltës së pjekur”

March 29, 2017 by dgreca

 Clirim Hoxha, SHKRIMTAR MODERN I KOHËS SË SOTME MODERNE/
1 Kodi Baltes se pjekur
Nga Pierre-Pandeli Simsia/ Nju Jork/Letërsia e Realizmit Socialist që u instalua për 50-të vite në sistemin komunist në Shqipëri, dëmtoi shumë jo vetëm Letërsinë Shqiptare, vetë shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi, duke i quajtur “Ndihmës të Partisë në Edukimin Komunist të Masave”, por edhe lexuesin e shumtë shqiptar, duke u edukuar me një letërsi të imponuar.
Shkrimtarët dhe artistët, ata ndihmës të partisë, veçanërisht më të zellshmit dhe të preferuarit e asaj klase politike shqiptare, për t’i shërbyer me devotshmëri, ku u këndohej njeriut të ri, “heronjve” të klasës punëtore heroike, njerëzve që, edhe pse me shikimin tërësisht të humbur “punonin”, duke tejkaluar normën në punë, invalidëve, atyre “heronjve socialistë” që “punonin” krah për krah shokëve të tjerë edhe pse të gjymtuar tërësisht… përralla qesharake, hynë në një maratonë të gjatë dhe të shpejtë, kush mund të shkruante sa më shumë dhe sa më shpejtë çmendurisë komuniste shqiptare, gënjeshtrat nga më të neveritshmet, duke shtrembëruar kështu realitetin e Shqipërisë dhe popullit të saj.
Ai dëmtim që iu bë Letërsisë Shqiptare në përgjithësi dhe nga ai vrap maratonomaku krijuesish, u “skalitën” edhe emrat e shkrimtarëve dhe poetëve të kohës si më të lexuarit dhe më të vlerësuarit.
Ishte ai dëmtim i madh që skaliti edhe në ndërgjegjen e lexuesit, i imponuar për të lexuar artin e realizmit socialist, të krijonte bindjen për X shkrimtar, X poet, duke u vënë edhe epitete si “Shkrimtarë, poetë të mëdhenj, i-e paarritshëm,…”
Është kjo mbeturinë e së kaluarës që, për fat të keq vazhdon edhe sot në ndërgjegjen e disa njerëzve për t’i qendruar strikt atij mendimi të vjetëruar në vlerësimin e shkrimtarëve dhe poetëve të vjetër të djeshëm që janë po të njëjtët ata shkrimtarë dhe poetë sot. (Për dinakërinë, paturpësinë… e tyre dhe neverinë e të tjerëve, vazhdojnë të shkruajnë edhe sot të kundërtën e atyre çfarë kanë shkruar në kohën e vdekur…)
Është kjo mbeturinë e së kaluarës për emra të tillë krijuesish edhe sot që i bën disa lexues të vrapojmë drejt librashitjeve për tërheqjen e librave kur shohin emrat e atyre krijuesve në vitrinat e dyqaneve edhe pse të tjerë krijues të tjerë e të rinj dalin sot me krijimet e tyre letrare po aq të suksesshëm, ndoshta edhe më shumë se ata, të vjetëruarit…
Një emër i suksesshëm sot i Letërsisë Shqiptare, madje që ka zënë vendin kryesor, është edhe emri i shkrimtarit Çlirim Hoxha nga Vlora, aktualisht Drejtor i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë.
Më është dhënë mundësia të lexoj disa nga librat e këtij autori si: “Ditari i një murgeshe”, “Bebi Skafisti” dhe së fundi, romani i tij voluminoz historik: “Kodi i baltës së pjekur”
Me romanin “Kodi i baltës së pjekur” shkrimtari Çlirim Hoxha, është ngjitur në majën më të lartë të krijimtarisë së tij letrare, madje edhe të Letërsisë Shqiptare, në përgjithësi.
Me inteligjiencën e tij, me fakte dhe dokumente historike dhe bindëse, me kulturën e lartë të të shkruarit, me imagjinatën e tij të përsosur krijuese letrare, duke i bërë një zbulim gjuhës sonë shqipe si ndër gjuhët më të vjetra, madje që edhe vetë Zoti ka folur Gjuhën Shqipe, shkrimtari Çlirim Hoxha, na paraqitet jo vetëm si shkrimtar i suksesshëm i një niveli të lartë, por, edhe si studjues, albanolog, akademik i suksesshëm, profesor doktor i shkencave, arkeolog, gjuhëtar, historian, antropolog, pavarësisht gradave shkencore nëse i ka apo jo.
Vlerësimin me këto grada të larta shkencore, ia jep “juria” lexuesi i vëmendshëm, fakti i pa diskutueshëm, ajo ç’ka autori ka shkruar në libër .
Këto ditët e fundit, shtypi amerikan, gazeta prestigjioze “The New York Times”, ka shkruar edhe për Gjuhën Shqipe, e cila radhitet në mesin e 3 gjuhëve më të vjetra të botës. Madje ai shkrim është mirëpritur dhe ka bërë jehonë të madhe edhe në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.
Në këtë studim, paraqiten fakte se gjuha shqipe është ndër gjuhet më të vjetra të botës, madje si gjuhë është praktikuar që në kohën e Greqisë së lashtë.
Ky vlerësim përforcon tezën e albanologëve shqiptarë, të cilët gjithnjë kanë argumentuar se gjuha shqipe ka gjetur përdorim që në kohën para lindjes së Krishtit, respektivisht para epokës së re.
Ja pra, këtë ka bërë edhe Çlirim Hoxha në romanin e tij, na ka argumentuar dhe spjeguar më së miri, burimin, lashtësinë e gjuhës sonë, duke marrë dhe shtjelluar si shembull një pllakë varri “Stela e Lemnos”, nga ishulli Lemnos në Greqi që ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Athinës, duke zbërrthyer njëkohësisht edhe kodet e vjetra që janë shkruar mbi atë pllakë varri.
Dhe, jo vetëm kaq, por duke e faktuar atë edhe në një konferencë shkencore, mbajtur në Paris, sipas asaj çka ka shkruar dhe mënyrën e shkëlqyer romancieri Hoxha.
Autori Çlirim Hoxha jeton dhe punon në Vlorë, romani i tij “Kodi i Baltës së Pjekur” ndodhet në pika të ndryshme shitjesh në Shqipëri, lexuesi i shumtë jeton dhe punon brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mos duhet vallë që ndonjë ditë të shkruajë edhe shtypi i huaj mbi këtë autor, mbi këtë roman dhe ne atëhere do dyndemi në pikat e shitjes për ta blerë librin, do krenohemi se kemi një shkrimtar të madh, të suksesshëm! Sepse ne jemi mësuar, pavarësisht se të bukurën, të suksesshmen e kemi midis nesh, në vendin tonë, por, krenohemi me to kur na i vlerësojnë dhe na i lavdërojnë të tjerët.
Shkrimtari i suksesshëm Çlirim Hoxha, nëpërmjet romanit të tij voluminoz prej 400 faqesh, me botimet e tij letrare, radhitet shkrimtar modern i kohës së sotme moderne, duke i dëshmuar mbarë botës, të vërtetën e shkrimit shqip nëpër analet e antikitetit pellazgo-ilir.
Ja pse duhet lexuar nga të gjithë ky libër.
Ja pse duhet vlerësuar shumë ky roman.
Ja pse ky libër duhet të studjohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nga Ministria e Arsimit, madje të studjohet edhe në shkollat shqiptare.
Ja pse, juria qendrore e Konkursit Kombëtar, me qendër në Tiranë, duhet ta ketë parasysh dhe ta marrë në konsideratë për ta vlerësuar si romani më i mirë i vitit.
Faleminderit shkrimtar i talentuar, i suksesshëm Çlirim Hoxha për këtë libër madhor, kaq shumë të rëndësishëm.
Faleminderit për kontributin tuaj me krijimtarinë tuaj letrare duke e pasuruar Letërsinë e sotme Moderne Shqipe.
KODI I BALTËS SË PJEKUR
Roman
Recensent: Irena Agaraj Goce
Redaktor: Bardhosh Gaçe, Mjeshtë i Madh
Ilustrimet: Kosta Raka
Piktor: Klevis Hoxha
Kopertina: Dhimitër Lati
Botimi i parë nga “Maluka”, Tiranë, Nëntor 2016
Copyright Autori
ISBN 978-9928-134-84-4

—

Filed Under: LETERSI Tagged With: Clirim Hoxha, I KOHËS SË SOTME, SHKRIMTAR MODERN

Alfons GRISHAJ-Tiara e Herës

March 24, 2017 by dgreca

Alfons GRISHAJ në Sofrën Poetike të Diellit /

2 Alfons-Grishaj1-250x300

Tiara e Herës*/

1 ok Tiara

Krahë çadër  Kerubini,/

Porsi tendë në shkretëtirë…/

Perri qelq  vesh si  rubini/

Shtamb plot nektar për të pirë./

Në prehrin  e Mirelës

Si në parajs më zë gjumi…

Fluturim i  pëllumbeshës,

Seç më zgjoi buzë një lumi!

 

Ja  ! Tridhjetë e dy ura…

Më e vjetra Pont Neuf,

Aty qau dhe e bukra Sura*

Për Seitin  trimin si Wolf!

 

Flauroi më e dashura mike,

Më e bukur vash’ s’ ka le,

Alda , kjo   nimfë magjike

Plot me rreze feks mbi dhe!

 

E kthej kryet larg në vite,

Copë në dhimbje Rrenatë,

Në qeli  paasnjë plas drite

Si balsam , herë  shtrëngatë.

 

Litar shelgjesh grua e bukur

Më lidhi këmbët si shtrigë

Desh’ Alden  për ta zhdukur,

Dhe  Mirelën copë e çikë.

 

Pont Neuf , lash rremat në sule,

Vara Tiaran në parmak.

Mbusha lumin plot me lule,

Theva vazon plot farmak !

 

U çliruan mijra  emra

Si petalet përmes  erës,

Erëmuan të bukurat femra

Për trofe Tiarën e Herës.

 

Disa me kunorë shparg*

Sytë me bisht si razaki,

Zbukuru në qafë varg

Lloj –lloj lulesh n’harmoni.

 

Asnjë buzëvarur , maraz.

Tok të gjithë si njëemrak,

Stolis kandshëm me topaz*

Xhent’s bastun , shik me  frak.

 

Mbusha kupën plot me verë…

E ngrita për at’ madhështi!

Ca trokitje derë me derë

Për t’ sëmurët në ligështi.

 

Me Mirelën në një amulet*

Mbush me  parfum’n e dashnisë,

Ca kujtime  në kulet,

Pal’ betimin  e rinisë.

 

Rrah krahët Kerubini

Tek kulmon në hapësirë,

Jasht prej llampe si flet  Xhini:

“ Ke me zgjedh veç një dëshirë!”

 

Por , seç ngryset në fytyrë

Tek përshkon tokën e tërë,

Dhe  më tregon për mynxyrë,

Si shkëmbinjt’ do bëhen rërë…

 

Prapa andjes se Parisit,

Vrik në  ethe seç u çova

Tek u gris hija  e mrizit

Më fanitet supernova !

 

Rrugës qiellit për tek Zoti,

Më kallzoi se çfarë  thot’ Hyu,

Hije e zezë , tmerr prej morti

Ka me ra rrrept  tek njeriu.

 

Se ata   janë aq shumë,

Sa as Zot’ s’ mund ti numëroj…!

Që notojnë në të pistin llumë

Si në Gamor do i shkatërroj.

 

Si Saturni tinguj tmerr,

Zjarr’ e llava do bëhen hi,

Porsi n’Mars  shpirt i bjerr

Ka me u tretet  në hon të zi !

 

Si Abrahami koh më parë,

Metani* për  disa shpirt’ra…

Hyu  mu  kthye : “ Heratiarë,

Ka shpëtu  frymët e dlirta.”

 

Zot’ në tokën kanistër ,

Gardianët do jenë qiellorë,

As tiranë  e as glistër ,*

Veç  njerëzit  e adorë.*

————————————

Shpjegim Fjalësh:

1-Tiara e Herës = Tiara  apo  diadema e Herës , e gjetur në  Crotone. Mendohet  se i përkiste  gruas së Zeusit , Hera . Tiara e Herës  është e artë  me ca gjethe  dhe gonxhe përreth … Kam patur fatin ta shoh nga afër  gjatë vizitës time(Crotone)tek bashkpuntorët e mi , Dr. Modesto dhe Xhino … Lart në foto, Tiara e Herës.

2-Kurt Seit  dhe Sura , tek Tele-drama Turke.

3-Shparg= Bimë zbukurimi me fije të imta të vogla e të dendura, që formojnë një

kuror të gjelbër e të bukur (Fjalori Shqip).

4-Topaz = Metal i çmuar , bëhen gurët e unazave , vathëve dhe gjerdanëve.

5-Amulet = Varëse qafe , stoli…

6- Glister= Krimb që rri në tokë në lagështirë , zakonisht në pleh.

7- Adorë = Dashuri , devocion…glori.

8-Metani= Bije në gjunjë në lutje para një shenjtori , Engjëlli apo Zotit…

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Tiara e Herës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • …
  • 304
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT