• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Cikël Pranveror në Sofrën Poetike të Diellit

March 20, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/
Brenda natës/
Brenda natës blu e kthjellët/
Një ëndërr e kuqe merr formën e shallit,/
Që mbulon gojën tënde në mëngjeset/
Me dimër stalaktidesh;/
E bardha e kornizave në dritare feks në të grinjtë/
Muret e gjelbër të një paqeje me qënie gruaje./
Në divanin e verdhë në formën e dorës sime/
Fle ti si një fetus rozmarine./
Në këmbët e tua kotet macja e qumësht,/
e bardhë./
Po i dashuri yt hapi dritaren për të parë një zjarr në natyrë,/
Përtej në një qytet ku njerëzit i ecin në këmbë mbrëmjes./

Triko e pranverës

Dy shtiza dhe një shportë me lëmshej ngjyrash.
Eshtë pranvera ime në trikon e re.
Më ke thënë se të pëlqen bluja,
Edhe bezha …
Ajo si gruri i pjekur.
Si pluhuri që të kujton një element të harrimit,
Të bukur por edhe të rremë.
Asgjë nuk harrohet,
Vetëm përsoset forma e harrimit.
I thashë sime mëje se,
Këto janë ngjyrat që më pëlqejnë,
Bluja dhe bezha.
Dhe ajo që s’e kuptoi gënjeshtrën time,
E thuri siç e doje ti.

Një shkurre

Një shkurre me trëndafila rozë, gjethe plot,
I avitet dita-ditës avllisë së rrugës sonë.
Dikur
Vura re se,
Sipër nuk ka më qiell,
Veç trëndafila; e roztë nata, e roztë dita.
Të bardha rrobat tona, këpucët, hapat.
Eja të vrapojmë zënë dorë për dorë.

Pjekësi

Në zjarrin e mbrëmjes
Një shpirt i paqtë burri
U jep misrave të verdhë pak timbër kafeje;
Ngadalë
I kthen, e i kthen
Me kaq delikatesë tymi për hatër të një vajze
Dhe një djali që i kanë ikur larg.
Nuk bërtet as nuk thërret
Përkundër debateve që kalimtarët kanë
Përkundër duarve të lidhura pas,
Në harmoni me mbrëmjen që bijtë e ëndrrojnë,
Në kullimin e trishtë të syve
Të veshëve pipëz për një thirrje celulari.
Pjek misra aq të shijshëm
Me duart mbushur gjithë verore
Për nipërit dhe mbesat
Që i mungojnë.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: cikel pranveror, dielli, Ilir Levonja

XH E L A T I

March 17, 2015 by dgreca

SILVINA OCAMPO (1903 – 1993) – shkrimtare argjentinase, që me burrin e saj, shkrimtarin e madh argjentinas Adolfo Bioy Kasares, me motrën e saj më të madhe, Viktoria Okampo, po ashtu shkrimtare e shquar, dhe me mikun e tyre të afërt, të madhin Horhe Luis Borhes, e ndonjë tjetër shkrimtar bashkëkohës, përbënin atë plejadë shkrimtarësh argjentinas që shkëlqeu jo vetëm në qiellin e madh të letërsisë hispanike të shekullit që lamë pas, por edhe më gjerë.
***
Si gjithmonë, bashkë me pranverën mbërriti edhe dita e festivaleve. Perandori, pasi hëngri e piu mirë, me fytyrën e stolisur gjithë njolla të kuqe, u drejtua sheshit që sot quhet Sheshi i Zuzarëve, i ndjekur nga nënshtetasit e tij, por edhe nga një teknik i shquar, i cili mbante me vete një sënduk prej druri, zbukuruar nga jashtë me fije ari.
– Çfarë ka në atë sënduk? – e pyeti një nga ministrat teknikun.
– Të burgosurit politikë. Më mirë të them tradhtarët.
– Pse ende nuk kanë vdekur ata, të gjithë? – pyeti ministri, i shqetësuar.
– Kanë vdekur të gjithë, por kjo nuk na pengon që, në një farë mënyre, të jenë në këtë sënduk, – mërmëriti tekniku, duke nxjerrë pas mustaqeve tejet të zeza ca dhëmbë të gjatë e të bardhë.
Në Sheshin e Zuzarëve, ku zakonisht bëheshin festat patriotike, midis pëllumbave, valëviteshin shamitë e njerëzve; ndërsa pëllumbat kishin të vizatuar në krahët e tyre fytyrën e Perandorit, ose u kishin varur në qafë një medaljon po me këtë fytyrë. Në qendër të këtij sheshi historik, rrethuar me palma, ndodhej një piedestal madhështor, pa statujë. Zonjat e ministrave dhe fëmijët e tyre qenë ulur në lozhat zyrtare. Që nga ballkonet, vajzat hidhnin lule. Për ta kremtuar sa më mirë këtë festë, dmth për ta gëzuar mé shumë popullin që kishte jetuar shumë vite i shtypur, Perandori kishte urdhëruar që atë ditë të dëgjoheshin britmat e tradhtarëve që kishin lëshuar gjatë torturave. Pasi përshëndeti shefat e lartë, duke shkelur një sy dhe duke ndukur një kruajtëse dhëmbësh, Perandori hyri në Shtëpinë e Verdhë, që kishte një dritare të lartë si dritaret e shtëpive të elefantëve të Kopshtit Zoologjik. Me veshje të ndryshme, ai u duk në disa ballkone, para se të dilte në ballkonin e vërtetë, prej nga zakonisht lëshonte fjalimet e tij. Perandori, edhe pse me një pamje të ashpër, ishte shakaxhi. Atë ditë i bëri të gjithë të qeshnin. Bile, pati njerëz që qeshën me lot. Perandori foli për gjuhët e opozitarëve: “Nuk ua premë – tha ai – që populli të dëgjojë klithmat e tyre gjatë torturave”. Zonjat që thithnin portokalle, i futën ato në çantat e dorës, për të dëgjuar më mirë; disa burra përmorën në mënyrë të pavullnetshme mbi stolat ku kishte gjela deti e pula të pjekura dhe ëmbëlsira; disa fëmijë, pa u vënë re nga nënat e tyre, u ngjitën nëpër palma. Perandori zbriti në shesh e pastaj hipi mbi piedestal. Tekniku i lartë mbërtheu syzet e errëta e ndoqi pas dhe, pasi ngjiti gjashtë a shtatë shkallë te këmbët e piedestalit, u ul në një karrige dhe u vu të hapte sëndukun. Në atë çast sundoi një heshtje e madhe, ashtu siç sundon në këmbët e një vargmali, kur sapo zbret muzgu. Gjithë njerëzia, deri edhe burrat më të gjatë, u ngritën në majë të gishtave e mbajtën vesh, për të dëgjuar atë që nuk e kishte dëgjuar njeri: britmat e tradhtarëve që kishin dhënë shpirt duke u torturuar. Tekniku e ngriti kapakun e sëndukut dhe lëvizi butonin e zërit, në mënyrë që zërat të dëgjoheshin sa më mirë dhe, si me magji, u dëgjua britma e parë. Zëri modulonte ca të qara të tmerrshme në mënyrë alternative; pastaj u dëgjuan zëra të tjerë më të turbullt, por pafundësisht më të fuqishëm; në fillim zëra burrash, pastaj grash, por edhe fëmijësh. Për një çast, klithmat e të torturuarve u mbytën nga duartrokitjet, të sharat dhe vërshëllimat e njerëzisë. Dhe, përmes këtij deti prej zërash të pakuptueshëm, doli në pah një zë i ndryshëm por i njohur. Perandori, që deri në atë çast kishte buzëqeshur, u rrëqeth. Tekniku rrotulloi butonin e zërit, duke përkulur kokën, si një pianist që i prek pianos akordin më të rëndësishëm. Gjithë njerëzia, njëkohësisht, njohën klithmën e Perandorit. Sa qartë dëgjohej ai zë! Ngrihej e ulej, kërcëllinte, fundosej e ngrihej përsëri. Perandori, i çuditur, po dëgjonte zërin e tij: nuk ishte klithmë e furishme apo emocionuese, as mallëngjyese apo zevzeke, që dilte për të dhënë tërbimin e tij; ishte një klithmë e mprehtë dhe e vrazhdë, që dukej sikur vinte nga një uzinë, nga një lokomotivë, apo nga një derr, të cilin po e mbytnin. Befas, diçka, ndonjë instrument i padukshëm, e pakësoi, e prishi. Pas çdo goditjeje, trupi i tij tkurrej e lëshonte britmën paralajmëruese për goditjen tjetër që do të merrte. Tekniku, i përhumbur, nuk mendoi se ndoshta, duke e ndërprerë transmetimin, mund ta shpëtonte Perandorin. Unë, si gjithë të tjerët, besoj se Tekniku duhet të ishte një armik i egër i Perandorit dhe që gjithë këtë e kishte kurdisur për ta qëruar Perandorin.
Perandori ra i vdekur në vend, me krahët dhe këmbët të varura në piedestal, pa dekorin që do të kishte dashur të kishte përpara njerëzve të tij. Askujt nuk i erdhi keq që xhelatët e padukshëm nuk ishin ndalur së torturuari. Njerëzit besimtarë thanë se nuk ishin shumë xhelatë të padukshëm, ishte vetëm një: brerja e ndërgjegjes.
– Pse ta brente ndërgjegjja?! – pyetën kundërshtarët.
– Nga që nuk ua kishte prerë gjuhën të dënuarve, – u përgjigjën besimtarët me trishtim(perktheu B Karabolli)

Filed Under: LETERSI Tagged With: B. Karabolli, SILVINA OCAMPO, Tregim, Xhelati

FJALIMI QË DO TË KISHTE SUKSES….Aspiroj të jem deputet

March 16, 2015 by dgreca

ROBERTO ARLT (Argjentinë, 1900 – 1942)/
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Perktheu nga Spanjishtja:BAJRAM KARABOLLI

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajram Karabolli, Fjalimi, Robert Alt, sukses

XHEVAHIR SPAHIUT NE 70 VJETORIN E LINDJES

March 2, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi*/
XHevahir Spahiut*/
Xhevahir Spahiu! Xhevahir SKRAPARI!/
Tek ti është Poeti; është dhe luftëtari./
Në një anë Poeti, në tjetrën Njeriu/
Me gërmë të madhe: Xhevahir Spahiu!/

I përbuze dredhat, mbroje veç të drejtën/
Në rrugën e sheshtë kërkoje “përpjetën”/
Ndaj u “rebelove” dhe shkove në Vlorë/
Nuk të trembi ndjekja: s’pyete për terror./

Kupolë e Mesjetës dërgoi “kapuçinjtë”
Mbi kurrizin tënd varda ranë shkopinjtë.
Të goditën, Xhevo, me grusht harbutërisht
Ty që ishe ëngjëll; je Budë e je Krisht!

Krisht për fjalë të lirë ( pa shtypje e dhunë)
Që të ndihemi mirë( si ti,edhe unë)
Farën e urrejtjes mbolle për pushtetin
Seç e le rehatin, se zgjodhe Poetin!

Dhe gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke.

* e botuar në librin tim “Regëtimat e dashurisë” f.185

Fier, 3 prill 1997

Lutje ZOTIT! *

( Miqësisht, Xhevahir Spahiut)

O ZOT! Të lutem, ktheja “Fjalën” Poetit!
Se Poetit i duhet fjala.
Fjalën hiqua atyre që Parlamentit
Na mbushën me përralla.

Përralla me mbret mu në mes të ditës
Kurse Poeti fjalën e ka me kursim
Atyre ua hiq,se janë pa kokrrën e kripës
Kurse Fjala e Poetit është krejt si rubin.

I duhet Fjala Poetit, o Perëndi
Se Poeti është tribun pa bërë fushatë
Në vargje Poeti mëkon dashuri
Dhe vret ne fjalën e tij njerëzit me shpirtin natë.

Emrin e ka Xhevahir… dhe është xhevahir
Në vargje i tillë: i tillë dhe me zemër
E presim të kthehet si djalë i përtërirë
Dhe ç’shkruaj, e ëdshiroj me zemër.

Nuk e dua vetëm unë, po janë me mijëra
Se të të duan me mijëra, nuk është pak
Mu në veshin tënd, Perëndi, kjo fjalë, imja
Që të vijë e të na flasë , Xhevua Fjalëmjaltë.

* me rastin e paralizës
Botuar tek libri im”Njerëz që dua” f.51

Florida, 27 prill 2009

Xhevos për 70-vjetorin e Ditëlindjes*

70-vjet për ty? A s’janë fare pak?
Ku të gjejmë një tjetër me vargun e mjaltë.
Kur të shoh të qeshur tek kafe “Evropa”
Më hipën një gaz, sa dua të marr “hopa”

Hopa si çunak, aq më hipën shendi
E, i bardhi fat! Sakaq më ik helmi
Helmi që dikur buzën seç na qepi
Por Zoti të pa, dhe t’u kthye shendi.

Rreziku i zi, iku pak nga pak
Kur të shohim Xhevo, sikur marrim flakë
Jo vetëm unë ( të gjithë sa të njohin)
Zënë e të qafojnë sikur zemrat ngrohin.

Ti vetëm buzëqesh… e ku ka më bukur?
Të shohim të qeshur dhe ndihemi të lumtur
Mbushe 70-vjet! Të mbushësh një shekull
Me Fjalë e me varg, gjuha pret hekur.

E, mor Xhevahir! Si emri dhe vargu
Kur të lexojmë, valë na bëhet gjaku
O Poet i bukur që sot ke DITËLINDJEN
100-vjet gëzim ( bashkë dhe me familjen)

* enkas për 70-vjetorin e lindjes

Tiranë, 1 mars 2015
* Poezitë e mia kushtuar Xhevahir Spahiut

Filed Under: LETERSI Tagged With: 70-vjetorin, e lindjes, perparim Hysi, XHEVAHIR SPAHIUT NE

PËRMENDORE NË VARGJE PËR POETIN TË PANDREQSHËM BOHEM TAHIR DESKU

February 28, 2015 by dgreca

LIBËR NGA SIRTARI/
Mëhill Velaj: “100 rrënjë të gjethit bohem” (Antologji poetike për Tahir Deskun), Stamford CT, 2012./
Nga Mikel GOJANI/
Mëhill Velaj, krijues letrar, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Stamford CT të këtij vendi. U lind në Gllogjan të Pejës, Lugu i Baranit, më 1957. Ka mbaruar studimet e larta, SHLP-në në Prizren, ndërsa Fakultetin Filologjik – degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për afër dy dekada ka punuar mësimdhënës në shkollën e vendlindjes. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amrikan, që prej themelimit të saj. Një kohë ishte edhe nënkryetar i kësaj shoqate. Po ashtu Velaj është edhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Internacional (International Artists and writers Association (IWA), me seli në Ohio, SHBA dhe anëtar i Shoqatës së Poetëve të Botës (World Poets Society), me qendër në Larisa, Greqi.
Në letërsinë shqipe njihet si i cili ka lëruar në shumë zhanre të letërsisë shqipe, në poezi (për të rritur dhe fëmijë), publicistikë, eseistikë etj. Deri më tash ka botuar afër njëzet libra në këto zhanre letrare. Librat e tij janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja, si në gjuhën angleze, frënge etj.
Kohë më parë ky krijues letrar ka botuar një libër, antologji poetike për Tahir Deskun, njërin nga poetët më të afirmuar dhe më kualitativë në Kosovë dhe letërsinë shqipe përgjithësisht.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një përzgjedhje krijimesh nga autorë të ndryshëm nga gjithë bota letrare e hapësirave shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi, si dhe nga diaspora në Europë dhe Amerikë, që i kushtohen poetit, publicistit, eseistit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku. Kjo përzgjedhje krijimesh nga autorë, si Mhill Velaj, Ali D. Jasiqi, Abdullah Zeneli, Agim Desku, Angjela Peza, Agim Gashi, Alma S. Zyberi, Adnan Mehmeti, Ardiana Desku, Andrea Danglli, Arbnore Z. Abazi, Agron Mirdita, Bardh Frangu, Doresa Rraci, Ardiana Desku, Dedë Elezaj, Dije Mengjiqi, Drilon Mulliqi, Ejup Ramadani, Fatmir Terziu, Faik Xhani, Fatime Kulli, Frrok Kristaj, Flamur Maloku, Gani Qarri, Gjon Neçaj, Hajdin Morina, Halil Haxhosaj, Haxhi Metaj, Ilir L. Spata, Izet Abdyli, Jehona gashi, Jessica Mulliqi, Jorgo S. Telo, Julia Gjika, Jusuf Lushaku, Kujtim Mateli, Keze K. Zylo, Kozeta Zavalani, Lulzim Logu, Mahir Morina, Lavdim Dushi, Musa Racaj, Marslinda Bajrami, Murat Gashi, Namik Selmani, Naim Kelmendi, Neki Lulaj, Përparim Hysi, Pal Ndrecaj, Raimonda Moisiu, Ruzhdi Berisha, Riza Lahi, Rita Salihu, Rrok Berisha, Sadri Kastrati, Sabit Rrustemi, Sefeme fetiqi, Shpresa salihu, Shaqir Krasniqi,Venka Capa, Xhemil Bytyqi, Vilson Culaj, Xheladin Mjeku, Xhemajl Rudi, Xhelal Tetaj, Zef Përgega etj.
Poezitë e mbërthyera brenda kopertinave të këtij libri janë të organizuara sipas një kriteri tematik. Nëse nënkuptojmë me temë konceptimin poetik ose motivin poetik, në strukturimin e të cilave ndihet dora e botuesit kompetent, i cili ka mënyrën dhe parimet e veta në evidentimin e vlerave të krijimtarisë që merr përsipër të prezantojë. Kështu ky vëllim poetik ndahet në 6 kapituj: Legjenda e re e Rozafës, Simfonia e qyqes për jetën, Pak gjurmë në dheun e Dardanisë, Në yjësinë e engjëjve të lirisë, Dallgët e Kronit të Mbretit dhe “Me zemër Shqipërie e lot Kosovë. Librit po ashtu i paraprin një prolog, përkatësisht një fjalë paraprake, edhe një parathënie informuese dhe mjaft të domosdoshme nga Hajrije Desku, e shoqja e T. Deskut dhe e krijuesit Mëhill Velajt, përzgjedhës i poezive për botim.
Libri i autorit Mëhill Velaj, “100 rrënjë të gjethit bohem”, hapet me poezinë e poetit Tahir Desku, të cilit edhe i kushtohet ky libër. Poezia titullohet: “Kam mundur të vdes”:
Sa e gjatë kjo pushkë,
Që po më bën hije mbi kokë
Te ky shkëmb, ku po e shkruaj
Këtë varg.
Kam mundur të vdes
Për shembull në Beverli Hills
Në Londër, Paris a në Barcelonë,
Bulevardeve të Evropës, të Amerikës,
Mes gjinjve të vashave,
Rimave dhe vrimave.
Kam mundur të vdes larg.
Bukur po vdes,
Tek ky shkëmb
Në këtë varg. (Fq. 5)
Në fjalën paraprake të këtij libri, Hajrije Deskut, pohon se kur Tahir Deskut i filloi prejardhja e dashurisë 20 vite më parë, duket që që atëherë paska filluar për mua prejardhja e kësaj dhembjeje, por nuk e paskam ditur. “Tani, pohon znj. Desku, pas kaq kohësh, e kuptoj mirë se kur miku im bohem hyri në botën e poezisë, qenka bërë sa e pashmangshme, po aq e patjetërsueshme kjo ndjenjë. Dhe, miku im nuk do lot, aq më pak kur ai i arrin kufijtë e përjetësisë, edhe si njeri, edhe si artist. Asnjë pritë nuk e vdes as njeriun, as artistin. Që me idenë e asaj prite, edhe njëri, edhe tjetri nisin një jetë tjetër, jetën e kujtimit. Prandaj, nuk thuhet kot se njeriu vdes dy herë, herën e dytë kur harrohet. Ajo do të ishte veçse një vdekje e bukur ose e domosdoshme për të qenë i pavdekshëm: Nuk është njësoj të vritesh në art si në pritë./ Mjer ai që nuk vritet të paktën një herë në ditë”.
Ndërkaq, autori Velaj, në fjalën e tij shprehet: “Ne shokët e Tahir Deskut, miq e poetë, u bëmë bashkë në këtë libër që bohemit tonë të pandreqshëm t’i ngremë përmendoren me simbolikën e Markquezit mbi simbolikën e vetë Deskut. Dhe, ne me 100 poezi po i vrasim vetminë edhe atij, edhe vetes sonë, duke ushqyer me aq rrënjë atë gjethin që vetë ai po e kërkonte të vdiste në të. Dhe, Tahir Desku u bë kështu i vetmi poet i botës që zgjodhi gjethin për shirat e vdekjes. Dhe, në këtë shtrat po përkundet një engjëll lirie. U përpoqëm të bëjmë të përkundet edhe në çdo shkronjë të vargjeve tona, duke u munduar ta portretizojmë sa jetën, po aq edhe pasjetën e tij. Sa poet, secili e kemi ndjerë edhe si luftëtar lirie dhe si reporter të luftës. Si në vargjet tona, po ashtu edhe në male po i qeshte lirisë. Po aq e kishte të fortë edhe frikën se nuk do ta jetonte atë. Fatkeqësisht, i doli ashtu. Dhe, i mbetën vargjet pa thënë: “Ja, e shihni se nuk vdiqa larg,/ Te Kroi i Mbretit gjeta gjethin,/ Pa e thënë edhe ndonjë varg…”
Siç vërehet nga prezantimi i këtyre poetëve (në mesin e tyre edhe emra të njohur në poezinë shqipe), duhet të besohet se libri,”100 rrënjë të gjethit bohem”, të përzgjedhësit Mëhill Velaj, duhet të besohet sa ka dalë një libër me vlera letrare, e cila mund t’i prezantohet lexuesit shqiptar. Krijuesi Velaj, ka bërë një përzgjedhje autoriale të mirë, mirëpo siç shprehet edhe përzgjedhësi Velaj, se është i vetëdijshëm se jashtë kopertinave i kanë ngelur edhe shumë poetë e krijues të merituar, të cilët për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë në këtë libër tematik.
Poezitë e prezantuara të këtyre autorëve në këtë vëllim poetik së pari sjellin autenticitetin e fjalës së tyre, dëshmojnë rrugën e evolimit të vargut të tyre, problematikën që marrin për shqyrtim, në këtë rast prezantimin si vegim drite të figurës së poetit me vlera dimensionale, Tahir Desku.
Kjo poezi reflekton mjaft nga tradita e poezisë shqipe në figuracion, me të cilën ngjizet bota motivore dhe artistike, por kujtimet e vetëdijshme përmes trazimeve të imazheve që ngërthen motive prekin thellësinë e esencës së tematikës.
Mbrëmë foleja e maleve rënkoi,
Vdiq fshatari fytyrëlavër nga rropatjet,
Toka hapi kraharorin e mortajës,
E përpiu atë trup të zhgarrnuar,
Të vajtuar me lot të vajtoreve.
Rrugët u dridhen prej fëmijëve të zverdhur,
Mbeten bimë të tubuara në harresë djerse e gjaku,
Në flokët e blertë të vocërrakëve u derdh malli
Në vatër dashurinë e mori peng.
(Ali D.Jasiqi, Poezia: Rënkim, fq. 62.
Poezitë të këtij vëllimi poetik, ndjehet natyra e fjalës së ngjeshur, si një mënyrë të krijuari dhe të shijuari të bukurisë së saj. Megjithatë, lakonizmi nuk mëton ngushtimin e këndvështrimeve, por gjetjen e thelbit të çastit poetik, të situatës emocionale, të karakterit, që skicohet kryesisht me anë të gjetjes dhe pranëvënies së skajeve të së njëjtit motiv.
Përveç këtyre autorët e pëlqejnë të përdorin figurat stilistike, sidomos metaforën, që i japin fuqi vargut. Në disa poezi ndihet përpjekja e autorëve për të dhënë thelbin filozofik të motivit që kanë marrë për shqyrtim, ata merren me qenien, kuptimin e ekzistencës së saj në mënyrat e tyre, duke i shtruara tezat filozofike, mirëpo edhe duke i dhënë kuptimin motivit, përkatësisht duke përçuar mesazhet shumë kuptimplote dhe të një rëndësie shumëdimensionale.
Libri “100 rrënjë të gjethit bohem”, i Mëhill Velajt, është një kontribut i përgjithshëm i sistematizuesit të tematikës në shqyrtim, një ndihmesë serioze dhe i domosdoshëm për të ardhmen, për gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë figurë të rëndësishme të letërsisë, T. Deskun. Ky angazhim i Velajt është fryt i punës së palodhur mirëfilli krijuese dhe intelektuale në shërbim të letërsisë shqipe, për një shkrimtar tepër të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqiptare, të cilit studiuesit me siguri se në të ardhmen do t’i rikthehen pa dyshim dhe figura e vepra e tij do të jenë objekt shqyrtimi dhe studimi, ndoshta edhe më shumë së ç’mendohet tani për tani.
Libri i Mëhill Velajt, “100 rrënjë të gjethit bohem”, është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më nga afër të vlerave letrare, publicistike, eseistike dhe zhurnalistike të Tahir Deskut, krejt këto vlera prezantohen përmes vargjeve që autorët e librit i kanë krijuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mhill velaj, Mikel Gojani, përmendore, tahir desku, TË PANDREQSHËM BOHEM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • 301
  • …
  • 303
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT