• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOSTRATA E DHUNESHME MUND TE SJELLE VIKTIMA, JO LARGIMIN E KRYEMINISTRIT NGA ZYRA

December 5, 2015 by dgreca

Opinion nga Thanas L. Gjika / Masaachusetts/ USA/
Në gazetën RD të ditës së djeshme lexova midis tjerash në replikën e z. Sali Berisha shprehjen: Dhe mos ik më 8 dhjetor, mos ia mbath më 8 dhjetor, por rri në zyrë”, drejtuar kyeministrit të sotëm z. Edi Rama.
Kjo shprehje zbulon mendimin se z. Berisha po nxit popullin për ta kthyer demostratën paqësore në demostratë të dhunshme, si atë që organizoi kundër ish kryeministrit Fatos Nano, kur ky u detyrua të braktiste zyrën për të mos derdhur gjakun e atyre që e sulmuan si banditë dhe hynë brenda në kryeminstri.
Z. Berisha paska harruar se në një vend anëtar të NATO-s institucionet shtetërore nuk mund të dhunohen, se ushtarët e Gardës së Republikës, ashtu si vranë me 21 janar 2011 katër demostrues që e kthyen demostratën në demostratë dhune, mund të vrasin edhe më 8 dhjetor 2015 çdo demostrues që do ta shkelë territorin e Kryeministrisë.
Z. Edi Rama nuk ka pse të largohet nga zyra, nuk ka pse t’ia mbathë pasnesër më 8 dhjetor. Atë do ta mbrojnë ushtarët e Gardës, por e këshillojmë z. Berisha të mos turret për të hyrë në kryeminisri, se mund të bjerë viktimë e shkeljes së rregullave të demostratës paqësore.
I lutemi z. Basha, kryetar i PD-së, të dalë në krye të demostruesve dhe të respektojë rregullat e demostratës paqësore. Për një demostratë banditeske nuk ka nevojë populli shqiptar. Populli ynë është lodhur prej dhunës dhe abuzimeve të kohës së diktaturës dhe të pasdiktaturës. Ai ka nevojë për veprimtari politike të kulturuara. Ata që e duan popullin shqiptar nuk duhet ta fusin në rrugën e dhunës, prej së cilës ai e ka pësuar gjithnjë duke bërë hapa mbrapa…

Filed Under: Opinion Tagged With: Demonstrata, dhuna, Thanas L Gjika, viktima

Koncepti i kombit

December 4, 2015 by dgreca

Plani i Ahtisaarit në mënyrë implicite formulon kombin kosovar/

Opinion nga Nexhmedin SPAHIU*/

Me rënien e komunizmit, shumë standarde janë njësuar me ato të Perëndimit. Për fat të keq në paraqitjet publike, në Shqipëri dhe në territoret e ish Jugosllavisë ende përdoret termi komb në vend të etnisë.Kur përkthimi nga gjuha angleze, ose nga cilado gjuhë tjetër perëndimore, shkakton huti apo moskuptim ndodh shpesh që fjala “komb” të përkthehet si “shtet”. Ky është një gabim i madh.Koncepti i kombit lidhet ngushtë edhe me shtetin, edhe me etninë edhe me religjionin, edhe me racën edhe me territorin. Mirëpo edhe pse kombi në disa raste mund të përputhet me njërin prej këtyre koncepteve ai megjithëkëtë është një koncept shumë më kompleks.

Përkufizimi i kombit

Që nga gjermani Johann Gotlieb Fichte (1762-1814) dhe francezi Ernest Renan (1823-1892),  të cilët mund te konsiderohen si etër të teorisë për kombin, me konceptin e kombit janë marrë shumë teoricienë e liderë politikë. Vlen të përmenden Emil Durkheim (1858-1917), V.I. Lenin (1870-1924), Johan Huizinga (1872–1945), Mustafa Kemal Ataturk (1881-1938), J.V. Stalin (1878-1953), Edvard Kardel (1910-1979), Karl Deutsch (1912-1992), Eric Hobsbawm (1917-2012), Ernest Gellner (1925-1995), Miroslav Hroch (1932-), Benedict Anderson (1936-), Anthony Smith (1939-), Urs Altermat (1942-), Hagen Schulze (1943 –2014), John Hutchinson (1949), Francis Fukuyama (1952-), Rogers Brubaker (1956-), Will Kymlicka (1962) dhe shumë të tjerë.Shumica e tyre kombin e kanë definuar sipas mënyrës së vet. Natyrisht, në shtetet ish komuniste ka qenë i njohur vetëm (apo kryesisht) definicioni i Stalinit, i cili kombin e lidh me etninë, kështu që te nxënësit dhe studentët në këto vende, është krijuar bindja që kombi në fakt është etnia, apo në rastin më të mirë “etnia në shkallë më të lartë të zhvillimit”.Thelbi i gjithë këtyre definicioneve për kombin është se kombi është një bashkësi e njerëzve që është e aftë të ndërtojë shtet. Kjo do të thotë se kombi është pronar i shtetit.

 Paraqitja e kombit

Ngjarja që e ndan Mesjetën dhe kohën moderne është pikërisht paraqitja e kombit.Në Mesjetë, pronarë të shteteve kanë qenë mbretërit, perandorët, sulltanët, khanët, shahët, raxhët etj., ndërsa në kohën moderne, pronarë të shteteve janë kombet. Përjashtim bënë shteti i Vatikanit, i cili nuk është anëtar i OKB, për shkak se pronar i këtij shteti është Papa dhe jo ndonjë komb.Kur është paraqitur kombi i parë, kjo është çështje debati mes teoricienëve. A janë suedezët me Gustav Vasa Eriksonin në vitin 1523, apo janë holandezët me republikën e tyre në vitin 1581- kjo është shumë kontestuese. Ndërsa më pak kontestuese është që anglezët bëhen komb në vitin 1649 me revolucionin e Oliver Kromuellit.Nuk është fare kontestuese që me revolucionin e vitit 1789 lindi kombi francez. Slogani “Liberte, fraternite, egalite” (Liri, vëllazëri, barazi) në të vërtetë paraqet formulën e kombit. Pjesëtarët e një kombi janë ata të cilët mes vete konsiderohen vëllezër, të lirë dhe të barabartë.Në njërin rast, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie dhe një religjioni në kuadër të një territori, siç është rasti me serbët, grekët, rumunët, bullgarët etj. Në rastin tjetër, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie në një territor të caktuar, pa marre parasysh religjionin siç është rasti me shqiptarët, hungarezët, gjermanët dhe shumë të tjerë.Në rastin e tretë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një religjioni në territorin e caktuar pa marrë parasysh përkatësinë etnike siç është rasti me turqit, belgët dhe të tjerë.Ne rastin e katërt, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e disa etnive e të disa religjioneve të caktuara siç është rasti me zviceranët etj.Ne rastin e pestë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e të gjitha etnive të religjioneve të caktuara të një race siç është rasti me amerikanët, kanadezët, australianët etj.

Natyra e një kombi është fluide

Natyra e një kombi mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Me zgjedhjen e Barak Obamës për President të SHBA-ve, kombi amerikan ka dëshmuar se nuk është më një komb mono-racor por është bërë një komb multi-racor. Zaten kalimi prej mono në multi është trend për shumë kombe.

Pas rënies së komunizmit, kombi shqiptar po tregon se po kalon nga një komb mono-etnik në një komb multi-etnik. Dëshmi për këtë është se prej pesë presidentëve dhe shtatë kryeministrave post-komunistë të Shqipërisë, 4 prej tyre nuk kanë qenë shqiptarë ne kuptimin etnik, edhe pse më shume se 90% apo 95% e banorëve te Shqipërisë janë etnikisht shqiptarë.

Gjermania-Austria, Serbia-Mali i Zi, Rumania-Moldavia, Bullgaria-Maqedonia!?

Shumë kombe nuk kane arritur të krijohen ashtu siç i kanë paramenduar ideologët e tyre. Vuk Karaxhiqi (1787-1864) ka insistuar qe kombin serb ta përbëjnë serbët e të gjitha religjioneve, mirëpo nuk pati sukses. Doli që serbet ortodoksë veten e konsideruan serbë të rendit të parë, ndërsa serbët katolikë si të rendit të dytë, kurse serbët myslimanë si serbë të rendit të tretë.Në shumë raste, krijimi i kombeve mbi bazën etnike nuk ka funksionuar ashtu siç është parapare nga ideologët e tyre. Rumunët ortodoksë kanë tentuar të zhvillojnë një komb të vetëm, por fati historik (invadimi nga BRSS i Moldavisë në vitin 1944) ka bërë që nga rumunët ortodoksë të bëhen dy kombe (rumunët dhe moldavët). Moldavët gjuhën e tyre e quajnë rumune dhe nuk e mohojnë etninë rumune.Rast i kundërt janë malazezët, të cilët, me të dalë në jetë si komb, pretendojnë që edhe etnia e tyre është e ndryshme nga ajo serbe, dhe gjuhën e tyre kanë filluar ta quajnë gjuhë malazeze, përkundër faktit që krye-heroi i tyre kombëtar, Njegoshi, e ka konsideruar veten e tij serb.Kjo ka ndodhur më herët edhe me bullgarët. Pasi Serbia, përmes luftërave ballkanike pushtoi Maqedoninë dhe procesi i serbizimit të bullgarëve të Maqedonisë dështoi, ngjarjet historike rezultuan me formimin e kombit maqedon. Ideologët e tyre, për të forcuar sa më shume identitetin kombëtar, shkuan aq larg sa edhe mohuan etninë e tyre bullgare. Gjuhën e tyre e quajnë maqedone edhe pse gjatë bisedave mes zyrtarëve maqedonë dhe bullgarë nuk ka nevojë për përkthyes. Sidoqoftë, është e drejtë e tyre politike që etninë e tyre ta konsiderojnë ashtu siç duan vetë, përkundër faktit se krye-heroi i tyre Goce Delçev vetën e ka konsideruar bullgar dhe që VMRO –ja ka synuar që territori i Maqedonisë t’i bashkëngjitet Bullgarisë.Ne botë ekzistojnë një mori rastesh ku disa kombe, që e pranojnë njëri – tjetrin, pajtohen me faktin që e ndajnë të njëjtën përkatësi etnike siç është rasti me gjermanët-austriakët, malaj(zian)ët-indonezianët, kombet arabe dhe shume të tjerë.

Kombi kosovar

Sintagma “Kombi Kosovar” për herë të parë është përmendur në vitin 1941 nga Mitrush Kuteli në një poezi kushtuar Kosovës. Si koncept politik kjo sintagmë për herë të parë është promovuar nga ana e autorit të këtyre rreshtave para njëzet viteve.Për elitën shqiptare në Tirane e Prishtinë etnia dhe kombi ishin sinonime. Akuzat për tradhti kombëtare, përçarje dhe prishje të unitetit të kombit shqiptar nuk pushuan për vite të tëra. Në vitin 2004, kur u promovua libri “Drejt Kombit Kosovar”, kopjet e librit iu morën me dhunë autorit dhe u dogjën para kamerave televizive.Kjo situatë ndryshoi pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, kur Toni Blair e Hilary Clinton, gjate vizitave të tyre në Kosovë, i dëshiruan “jetë të gjatë kombit të ri kosovar. Pas këtij urimi, përkrahësit e kombit Kosovar u shumuan aq shumë sa edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të KB, e pa të arsyeshme të argumentojë se kombi kosovar nuk ekziston .Kombi është konstrukt politik dhe është e natyrshme që për Presidentin e Serbisë nuk ekziston shteti i Kosovës, rrjedhimisht nuk ekziston as edhe kombi kosovar. Po të ekzistonte për Presidentin e Serbisë kombi kosovar atëherë ai do ta pranonte shtetin e Kosovës.Kombi kosovar nuk ekziston edhe për liderët politikë edhe të 84 shteteve tjera, por ky komb tashmë ekziston për 108 kombe anëtare të OKB.

Paradoksi qëndron në atë se gati të gjithë liderët politikë të Kosovës, dhe e ashtuquajtura elita kosovare pajtohen me Presidentin Tadiq që nuk ekziston kombi kosovar. Ky qëndrim i liderëve kosovarë, i bën të duken qesharakë e budallenj në sytë e kolegëve tyre nga Perëndimi. Edhe kërkojnë anëtarësim në OKB, edhe deklarojnë se nuk janë komb!Kombi kosovar nuk përmendet as në Kushtetutën e Kosovës. Por kombi kosovar përmendet shprehimisht ne Planin e Ahtisaarit në Nenin 1.7 ku shkruan se Kosova duhet të ketë simbolet e veta kombëtare, përfshi flamurin, emblemën dhe himnin kombëtar. Politikanët kosovar dhe shumica e medieve kosovare këto i quajnë simbole shtetërore, kurse simbole kombëtare i quajnë vetëm simbolet kombëtare shqiptare.Disa komentues kosovarë grinden me kolegët e tyre në Tiranë, “pse ata në Tiranë, reprezentacionin e Kosovës e quajnë ‘Kombëtarja e Kosovës’ ” pasi, sipas këtyre komentuesve, nuk ekziston kombi kosovar .

Plani i Ahtisaarit në mënyrë implicite formulon kombin kosovar

Me Planin e Ahtisaarit në mënyrë eksplicite definohen se kush janë minoritetet në Kosovë dhe të drejtat e tyre pozitivisht të diskriminuara. Kjo do të thotë që kombin në Kosovë e përbën komuniteti shqiptar, për vetë faktin se komunitetet e tjera janë të definuara si minoritete.Sipas Pakos së Ahtisaarit del se kombi kosovar është komb mono-etnik dhe bi-religjioz (mysliman-katolik). Me Planin e Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Kosovës, shqiptarët katolikë nuk kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës. Pse? Sepse Ahtisaari e ka konstatuar që ata janë pjesë integrale e kombit kosovar. Prej përfundimit të luftës dhe deri me sot, kishte deputetë dhe ministra katolikë përtej përqindjes që përbën ky komunitet në shoqërinë kosovare, pa kurrfarë nevoje për ndërhyrje ligjore a kushtetuese.Plani i Ahtisarit nuk është pengesë që kombi kosovar në të ardhmen të zhvillohet në një komb multi-etnik. Përkundrazi, Plani i Ahtisarit e synon pikërisht këtë perspektivë. Prej të gjitha komuniteteve në Kosovë, më së paku pritet që komuniteti serb të bëhet pjesë integrale e kombit kosovar.Sipas planit të Ahtisaarit, serbët mbeten pjesë integrale e kombit serb, sepse çdo serb i Kosovës mund ta mbajë shtetësinë serbe. Po ashtu ata janë njëkohësisht edhe minoritet në Kosovë, por, për dallim nga minoriteti boshnjak apo ai turk, që vijojnë mësimet në shkolla kosovare në gjuhën boshnjake përkatësisht turke, shkollat në gjuhën serbe në Kosovë janë praktikisht shkolla të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbët e Kosovës janë komuniteti i vetëm në Kosovë që ka bërë jetën e kombit për gati një shekull. Për këtë arsye rasti i Kosovës është Sui Generis. Serbët në Kosovë e kanë statusin e minoritetit, ashtu siç e kanë edhe serbët në Rumuni, por për dallim me serbët në Rumuni, të cilët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë pjesë integrale e kombit serb, serbët e Kosovës kanë qenë për afro një shekull dhe vazhdojnë të jenë pjesë integrale e kombit serb. Për Ahtisaarin ka qenë e panatyrshme që një komunitet, pas gati një shekull jete si komb, të mos vazhdojë të ketë këtë kualitet jetese.Se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen, mbetet për t’u parë. Por, sido që të përvijohen zhvillimet në dekadat e ardhshme, shembulli Kosovës do t’i kontribuojë zhvillimit të teorisë për kombin.

*Autori është profesor i shkencave politike në Universitetin AAB në Prishtinë. Më parë ka qenë profesor i Universitetit të Tiranës, Tetovës, Prishtinës dhe Universitetit të Hamburgut. Shkrimi u dergua per Diellin nga Profesor Bardhyl Selimi.

* Per Gazeten historike DIELLI, shqiptaret, kudo qe jetojne ne trojet e veta Etnike, i perkasin nje Kombi, atij shqiptar, flasin nje Gjuhe, kane nje Flamur Kombetar, Flamurin Kuq e Zi me Shqiponjen dy krereshe. Po t’i lexues, cfare mendon per kete parashtrim, qe nuk eshte vetem i Nexhmedin Spahiut, por edhe i disa opinionisteve e analisteve te tjere, shumica prej Kosove, qe po i bien daulles “Komb Shqiptar” e “Komb Kosovar”, Gjuhe shqipe e gjuhe kosovare….Komentoje shkrimin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koncepti i kombit, Nexhmedin Spahiu

APEL PUBLIK TË GJITHË DEPUTETEVE TE KUVENDIT TE SHQIPËRISË

December 3, 2015 by dgreca

Nga Loro Stajka- Fredericksburg,USA/
Zotëri deputetë,/
Quhem Loro Stajka. Jam nga Shiroka e Shkodres, por i deryruar nga represioni i diktaturës sllavokomuniste jam detyruar të arratisem dhe jetoj në SHBA qysh prej vitit 1957. Prej 23 vjetësh po përplasem me korrupsionin me pronat që të më kthehet prona që më grabiti diktatura, por nuk po ju drejtohem per pronën time, por për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar  dhe rruga me të cilën Kryeministri Edi Rama  po kërkon të sakrifikojë Shqipërinë, të  justifikojë këtë aferë antikombëtare  duke  kërkuar në Kuvend për ta miratuar si ligj , këtë djallëzi që ai e quan zgjidhje të problemit të pronave. Janë të shumtë artikujt e botuar në media por unë po i referohem artikullit te dated 30 Nendor botuar në gazeten “Telegraf” me titull”Projektligji i ri i Pronave i shërben vetëm oligarkisë Politike” që i drejtohet avokatit të Shtetit por ai shkrim zberthen plotësisht rrugën e gabuar të Qeverisë. Prej artikujve të shumtë të botuar në gazetën Shqip, i referohem shkrimit të botuar me datën 1 Dhjetor 2015 me titull “Argumenti i Qeverisë, Ska më ish-pronarë, vendosim një afat kohor për mbylljen e procesit” që I referohet justifikimeve demagogjike të Kryeministrit Edi Rama për projektligjin.  Ky draft është votuar nga 8 prej 11 deputetëve që nevoiten për të plotësuar kuorumin e  nevojshëm , është turp për drejtësinë pasi tenton të bëjë një përligjie e hajnisë, shumë më të keqe se shtetëzimi komunist I Enver Hoxhës. Ky ligj e nxjerr Shqipërinë ne treg,  jugun e Shqipëris  ja fal Greqisë dhe pjesën tjetër të vendit e zhyt në anarki dhe korrupsion. Dëshira e atyre që duan këtë ligj ta miratojnë si zgjidhje ngjan si dy pika uji me ato që po ndodhin në  Kosovë. Zotëri Deputetë, lidhur me këtë ligj , jeni të lutun ti referoheni veç të dhënave të tjera këtyre dy shkrimeve në Telegraf dhe Shqip  dhe nëse  ky projektligj kaq djallëzor nuk do të tërhiqet nga Qeveria por do të paraqitet para jush , që ta votoni atë,  ju baj kët APEL PUBLIK, që ta refuzoni kategorikisht pasi pavarësisht nga detyrimet partiake që keni apo interesa të tjera, në rradhë të parë jeni betuar se do zbatoni Kushtetutën dhe do ti shërbeni Atdheut. Nëse do votoni këtë draft, që shqiptarëve në vend të pronës së grabitur ti jepni  ca dollarë  ju do të  bëheni pjesë e tradhëtisë kombëtare. As të parët tuaj, fëmijët tuaj dhe as historia nuk do t’ju falin

Besoj në respektin dhe detyrimin tuaj për të zbatuar Kushtetutën

Me  respekt

Loro Stajka

Fredericksburg,USA

Filed Under: Opinion Tagged With: APEL PUBLIK, Loro Stajka, TË GJITHË DEPUTETEVE, TE KUVENDIT, te Shqiperise

Kosove- Tërheqje nga “marrëveshjet”- hapërim paravajtës

December 1, 2015 by dgreca

-Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, Deklaratë për Media/ Ish të burgosurit politikë të Kosovës, ashtu si edhe të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, po ndjekin me ankth e shqetësim të madh zhvillimet më të reja në Kosovë dhe rreth saj, që kanë shkaktuar paralizë institucionale, tensionim në përmasa serioze të raporteve politike dhe dëmtim të ndjeshëm të gjendjes së përgjithshme të sigurisë dhe procesit të përgjithshëm shoqëror dhe zhvillimor. Në mënyrë të veçantë, ata i shqetëson thellë prirja për shkallëzim të konfrontimit politik dhe represionit policor të shoqëruar me forma të luftës speciale, që jo vetëm zvogëlojnë dhe pamundësojnë gjasat për tejkalimin e situatës së krijuar, por dëmtojnë rëndë imazhin e Republikës së Kosovës dhe përpjekjet e saj për integrim ndërkombëtar dhe evroatlantik.

            Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, ka marrë këto ditë një sërë telefonatash, mesazhesh e postimesh, si reagim ndaj situatës më të re në Kosovë dhe dhunës së pajustifikueshme policore, pikërisht në Ditën e madhe të Flamurit, që kësaj here na erdhi edhe si festim, edhe si manifestim të ushtruar kundër oponentëve të marrëveshjes së dëmshme e të papranueshme për “Zajednicën” dhe “Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”, dhe posaçërisht kundër burgosjeve dhe keqtrajtimeve brutale të një numri të madh protestuesish e qytetarësh të pafajshëm. Midis dhjetëra të arrestuarish dhe të keqtrajtuarish, pos disa deputetësh, liderit të opozitës dhe ish të burgosurit politik të luftës çlirimtare, Albin Kurtit, janë të përfshirë edhe një numër i ish të burgosurish tjerë politikë, midis të cilëve, edhe anëtari i Kryesisë dhe njëri nga themeluesit e Shoqatës, ish Kryetari i Komunës së Malishevës dhe njëri nga drejtuesit e UÇK-së, baba dëshmori, Gani Krasniqi, si dhe Avokati i deritashëm i Popullit, ish i dënuari politik, Sami Kurteshi, si dhe dhjetëra qytetarë të tjerë, duke përfshirë njerëz të shtyrë në moshë dhe vajza e djem të mitur, në shumë raste, bija e bijë dëshmorësh e veprimtarësh të shquar atdhetarë…

            Shoqata e ish të Burgosurve Politikë nuk i përkrah format ekstreme në luftën e brendshme politike dhe e kundërshton dhunën kundër subjekteve opozitare si dhe aktivistëve dhe adeptëve të saj, ashtu edhe aktet e dhunës kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës, poashtu bija, bijë e qytetarë të Republikës së Kosovës. Duke qenë e angazhuar për zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura me dialog serioz e të përgjegjshëm, në rrugë demokratike dhe mbi bazë të vullnetit të qytetarëve dhe në përputhje me interesat e vendit, Shoqata shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion angazhimin dhe ndikimin e saj përafrues e normalizues, gjithnjë në funksion të tejkalimit të situatës, normalizimit të jetës dhe funksionimit të rregullt institucional, shoqëror dhe zhvillimor. Siç dihet, Shoqata është gjithëpërfshirëse dhe gjithëpartiake; ajo bashkon ish të burgosurit politikë, pa dallim, të të gjithë brezave atdhetarë, të të gjitha përkatësive partiake, të të gjitha bindjeve politike e ideologjike dhe të të gjitha besimeve fetare. Si e tillë ajo vë në plan të parë atë që bashkon dhe jo atë që ndan e përçan.

                        Pa opozitë nuk ka as pozitë

            Shoqata e ish të burgosurve politikë, kërkon eliminimin e shkaqeve të gjendjes së krijuar si kusht për eliminimin dhe parandalimin e pasojave. Shoqata fton Presidenten, Qeverinë, Kuvendin, Gjykatën Kushtetuese dhe faktorët tjerë institucionalë që pa humbur kohë, me parimësi, transparencë e intrasigjencë t’i kontribuojnë tërheqjes së domosdoshme, të koordinuar, të planifikuar dhe të menagjueshëm të “marrëveshjeve”, qartësisht të dëmshme, të gabueshme, kundërligjore e kundërkushtetuese, gjithnjë në pajtim me frymën dhe shkronjat e dispozitave përkatëse të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe me dispozitat përkatëse të Konventës së Vjenës për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Një hap tërheqjeje, në të vërtetë, do të jetë një hop i rëndësishëm drejtë normalizimit, konsolidimit dhe hapërimit paravajtës.

            Në mënyrë të veçantë Shoqata kundërshton harangën kundër selive, udhëheqjeve dhe përfaqësuesve të zgjedhur të subjekteve opozitare dhe kërkon lirimin e pashtyeshëm të të gjithë të burgosurve, të arrestuarve pa të drejtë dhe pa bazë ligjore, me shkelje të rënda procedurale ligjore e parlamentare dhe me motive të dukshme politike si dhe marrjen në përgjegjësi të bartësve të akteve të dënueshme dhe urdhërdhënieve të paligjshme dhe të pajustifikueshme.

            Edhe në vendet tjera ata që kanë shumicën e vendeve në Parlament, mund të marrin vendim për suspendimin e pakicës opozitare, por kjo nuk ndodh asnjëherë dhe askund. Dhe kjo ka arsye të fortë. Vetëm me opozitën përballë pozita mund të jetë normale dhe vërtetë pozitë. Pa pozitë e opozitë nuk ka demokraci. Edhe opozita, duke bërë luftë dinjitoze, të pjekur e fisnike, jep dëshmi se çfarë pozite synon të bëhet dhe si do ta trajtonte nesër opozitën përballë saj. Ndërkaq, kur pozita (edhe kur ka shumicë numrash) suspendon opozitën, nga pozita nuk mbetet asgjë, mbetet madje një shkronjë mangut. Pozitë minus opozitë bën zero, madje edhe më pak, bën minus një…

            Duke qenë edhe vetë dëshmitarë dhe objekt i represionit të egër politik, ish të burgosurit politikë kundërshtojnë, në mënyrë të veçantë, fushatën e gjerë e të egër të arrestimeve, burgosjeve, rrahjeve, kërcënimeve, shantazheve dhe formave të tjera të dhunës politike e të propagandës speciale, të cilat më shumë se gjithëkë dhe më shumë se gjithçka dëmtojnë imazhin dhe pozitën politike ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht, lehtësojnë luftën speciale antishqiptare që armiqtë e saj shekullorë po zhvillojnë me intensitet të shtuar kundër Kosovës dhe kauzës së saj.

            Shoqata angazhohet që në Kosovën e re demokratike e evropiane të mos lejohet rishfaqja dhe rilegjitimimi i fenomeneve të burgjeve, të burgosjeve e proceseve politike, të përndjekjeve politike dhe sidomos jo të formave famëkëqia të luftës speciale kundër oponentëve dhe mendimit të ndryshëm .

            Në pajtim me frymën përbashkuese të fundnëntorit përbashkues, Shoqata fton anëtarësinë e saj dhe të gjithë qytetarët pa dallim, për përmbajtje, reflektim, afrim e bashkim, në funksion të angazhimit të përbashkët për tejkalimin e grackave të rrezikshme dhe përballimin e sfidave serioze që kemi përpara. Duke u ndarë e konfrontuar rrezikohet jo vetëm ajo që është e mundshme , por edhe ajo që është tashmë e fituar, ndërkaq, duke qenë të koordinuar e të përbashkuar rreth Flamurit dhe rreth vlerave kombëtare e demokratike paravajtëse, bëhet e mundshme edhe ajo që duket e pamundshme dhe e parealizueshme; bëhet e mundshme që 28 nëntorët tjerë të jenë festë dhe vetëm festë.

 Kryesia e Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë,

01 Djetor 2015, Prishtinë.

(foto-Behlu Jashari)

Filed Under: Opinion Tagged With: deklarate, e ish të Burgosurve Politikë, e kosoves, shoqata

Kosova pjesë e Fondit Global për të ndihmuar parandalimin e ekstremizmit

December 1, 2015 by dgreca

Deklaratë e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga/Mirëpres vendimin e Bordit të “Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje” (GCERF), sot në Gjenevë, për ta përfshirë Kosovën në nismat e këtij fondi për të parandaluar dhe për t’u ballafaquar me ekstremizmin e dhunshëm përmes iniciativave vendore.Përfshirja e Kosovës, si njëra nga shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë dollarëve, është bërë me kërkesën time për t’iu dalë në ndihmë komuniteteve të rrezikuara nga ky fenomen brenda Kosovës. Qasja në këtë fond do të krijojë partneritete të reja dhe mundësi për iniciativa të ndryshme, që do të ndihmojnë fuqizimin e qytetarëve për të luajtur rol aktiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.Tashmë është e qartë që Kosova, si shumë vende të tjera në Evropë, është prekur nga ndikimi i rrjeteve terroriste, që promovojnë një agjendë të ekstremizmit të dhunshëm në vend dhe jashtë tij, në formë të pjesëmarrjes në luftëra të huaja dhe veprimtarive të tjera terroriste. Arrestimet e sotme, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet policisë së Kosovës dhe policisë italiane, janë dëshmia më e re për shtrirjen e këtij problemi dhe kërcënimin që ai paraqet për të gjithë neve.Ne e kemi dëshmuar deri më tani se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara që këto elemente dhe veprimtaritë e tyre të mos gjejnë vend në Kosovë, por përpjekja jonë për të çrrënjosur këtë sfidë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të aleatëve tanë do të varet nga një bashkëpunim i gjerë dhe gjithëpërfshirës, që adreson shkaktarët që e nxisin ekstremizmin e dhunshëm.Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneriteti publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bashkërenduar për së afërmi procesin e përfshirjes së Kosovës në këto nisma.Presidentja Jahjaga ka vizituar selinë e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje në Gjenevë në mars të këtij viti, si dhe ka takuar udhëheqësit e kësaj organizate në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fondi Global, kosova, Presidentja Jahjaga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 626
  • 627
  • 628
  • 629
  • 630
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT