• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE S’PËRPAROJNË SHOQËRITË SHQIPTARE ?

January 30, 2017 by dgreca

Nga Sotir GJIKA*/

 PSE  S’PËRPAROJNË  SHOQËRITË  SHQIPTARE ?- Nën këtë titull z. Faik Konitza, te N. 51 i DIELLIT, në kryeartikullin e javës thoshte :  “Që më 1896 e deri më 1910 kam parë disa dyzina Shoqërish Shqiptare të lindin, të vikasin, të rriten pakë dhe të vdesin. Shumë herë kam pyetur vetveten : vallë pse s’rrojnë – edhe kur rrojnë vallë pse s’përparojnë?”

“Pa dyshim një nga shkaqet e para është karakteri i shqiptarëvet, të cilët individualistë të mësuar të rrojnë e të veprojnë veç e veç, nuk janë të zotët të lidhen për një qëllim të përbashkët, të dëgjojnë dhe të pyesin njëri tjetrin. Shoqërimet janë të rralla në historinë tonë ; edhe kur kanë ngjarë, i ka bërë nevoja e çastit, e cila, posa shkoi ka zgjidhur edhe lidhjen. Merrni pak me mënd ku do t’ishim sot, sa do të kish përparuar Shqiptarësia, sikur Lidhja e Madhe e vitit 1879, e shkaktuar nga Kongresi i Berlinit (shihni DIELLIN N. 31, faqe 1) dhe e trajtuar nga Hodo beg Bushatllia me Kapidanin e Mirditës Prenk Pashën – të kish mbetur, qoftë fshehtazi, qoftë jashtë, të kish qënë e organizuar, të kish punuar dhe të rronte deri në ditë të sotme!”

Pasi zhvillon virtutërisht mos rritjen dhe mos rregullimin e shqiptarëve, në pikpamje Lidhje ose Shoqërie, hedh dritë mbi më të mëdhenjtë lajthime që bëjnë shqiptarët, duke i hapur dyert e Shoqërive çdo njeriu, të cilin pa e peshuar sa derhem vjen, i lëshojnë dhe vëndin e kryesisë!….. Dhe përfundon duke thënë :

“Dhe mos pakësoni me të pa drejtë vlerën e fjalëve aë them, duke besuar se janë mendime të lindura nga zemërimi i çastit. Jo. Këto fjalë i kam thënë disa herë te ALBANIA. Nuk mbahen Shoqëritë me demënte të turbullta në krye. S’godit njeri. Flas përgjithësisht. Heq një mësim. Blatoj një konkluzje për fitim të shqiptarëvet, të vetmit që mund të kenë dhimbje për Shqipërinë”.

Të pëlqyera sa edhe diturake janë këta mendimet, prandaj u erdhi koha sot që t’i përsërisim, duke marrë shkak nga bashkimi që po mundohemi të goditim ne, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara. Shpesh lindet një pyetje : pse nuk përfundoi bashkimi që prisnim më 24 të Shën Ndreut? Pseja është kjo : cilido shqiptar që gëzon shtetin e udhëheqjes, ose që ka ato pretenca, ka bërë një parti më vete të tij, për të mos i humbur titulli i shkretë! Gjithashtu dhe Shoqëritë kanë secila zyrtarët e tyre, të cilët dhe ata s’duan të humbasin titujt!!

Me këto sisteme ndarëse dhe të padobishme, duke vepruar shqiptarët, s’kanë mundur kurrë, me shërbimet e tyre të plota, të sjellin atë pemën e bukshime, sepse sëmundja e titujve i ka shtyrë gjithmonë të punojnë edhe kundra qëllimit të tyre ; fjala bie kur shohin që u rrezikohet shteti që përmëndëm. Historia e jetës sonë rrëfen pa masë të këtilla ngjarje, të cilat na kanë sjellë dëme të mëdha për popullin tonë. Prandaj duhet të kemi bindje se ndryshe e kemi pisk.

Le të flasim tani për bashkimin, shkaqet e të cilit që nuk u krye, janë pa dyshim fjalët që thashë më sipër, se përvumjet e igjetëvet shqiptarë në mbledhjen e madhe të Bostonit u rrëfyen fare të pa zemërta, të turbullta dhe etja për bashkim fare e shuar. Shoqëritë heshtën, një heshtje e thellë! Rrëfyen një ironi të madhështuar, përveç dy a treve të cilat u shfaqën për bashkim.

Nuk jemi të shumtë të themi që cilado Shoqëri dhe cilido udhëheqës me adhuronjësit e tyre që s’kanë edhe ata mendimet e tyre për   të mirën e atdheut, po mendimet, or zotërinj  të dashur, të secilit lipset të shpallen, të shfaqen në dritë, të vihen në bisedim tek të gjithë opozicionet, që kësisoj të zgjidhet një më i miri, i pëlqyer prej të gjithë partivet, se koha më s’na pret për të vepruar ndarësisht.

Kur shohim që, në gjithë këtë periudhë të gjatë pune, Shoqëritë tona lindin, vikasin rriten dhe vdesin, pse nuk bëjmë një të fortë e jetëgjatë ? Përgjigja e kësaj është e thjeshtë : s’duam, s’na le egoizmi, na mbyt nakari. Më 1910, kur grekët bënë kryengritjen në Gudi për veprën e përmirësimit dhiato anorthotikon ergon, që u vu në pushtet diplomati kretas z. Venizello, ana e opozitës, Theotakasit, Mavromihalasit, Balazit etj. i mbyti nakari dhe s’dinin se ç’të përdornin, sa i vunë dhe dinamit në hekurudhë, që t’a shuanin fare prej faqes së dheut burrin e shtetit, të vetmin diplomat të Greqisë. Për fat të zi këto sëmundje mushkëringrënëse i kemi parë dhe i shohim në rreth tonë!

Po, o udhëheqësit e Shqipërisë së mjerë, ju betojmë për emrin e shtrenjtë të Shqipërisë, flakini tej mëritë e veçanta personale që ushqeni për njëri tjetrin, përpara bashkimit shpëtimtar s’ka gjë më të fitimshme për juve. Populli tërë shpresat i ka hedhur mbi ju dhe po pret  me padurim lajmin gazmor të BASHKIMIT TË FORTË. Vëllezërit tanë, shqiptarët, në Shqipëri e gjetkë, i ka mbytur lumturia, që kur dëgjojnë për bashkimin e shqiptarëve t’Amerikës dhe armiqtë i zuri data e belaja. Mos u trembni, as mos jeni aspak në dyshim për titujt, se ju sigurojmë që populli u zgjua nga letargjia e gjatë dhe ata patriotë që meritojnë shtet të lartë i njeh, i nderon, i respekton dhe s’i largon kurrë nga tryeza.

*(U botua ne Dielli, 25 Janar 1912 me pseudonimin-SHKËMBI I MBLETËS)

Southbridge, Mass., 25 janar 1912

 

Filed Under: Politike Tagged With: PSE S’PËRPAROJNË, SHOQËRITË SHQIPTARE ?, Sotir Gjika

Ylli Manjani dhe Rilindja rumpalle alla Qosje!

January 30, 2017 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/Dita e parë e javës u hap me një lajm përmbyllës në fund të një odeseje akuzash e kundërakuzash në kampin e Rilindjes: Shkarkohet ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Akuza: Ka folur pa lejen e Endri Fugës, dmth të Padishahut, Sulltan Aladin Edi Rama! Ylli Manjanin e zevendëson Petrit Vasili. Kështu një mjek do ta shërojë drejtësinë e sëmurë, sepse juristi Manjani nuk ishte “i aftë” ta bënte këtë!!! Megjithatë u vu në krye të dikasterit të drejtësisë një kritik tjetër i spikatur i qeverisë Rama! Dhe nuk u shkarkua ai që tronditi në themel aleancën rilindase, ministri i Mjedisit, Lefter Koka! Ilir Meta priti në zyrë mëngjesin e sotëm kreun e ekzekutivit, zotin Rama, dhe pranoi ultimatumin e tij: “Ose shkarkohet Ylli Manjani, ose largohuni nga koalicioni”! Vënia para kësaj alternative e vështirësoi pozicionin e kreut të LSI-së, ndërkohë që ai dha sinjalet e një tërheqjeje që të shtunën, kur kërkoi të ulen tensionet retorike e të “bëhet me shumë punë”. Vetë i kishte nxitur vartësit e tij në qeveri të ngrinin tonet dhe ta telendisnin qeverisjen e zotit Rama dhe po vetë u tërhoq, përkohësisht ose jo, megjithhatë me “bisht nën shalë”. Ilir Meta në mënyrë të pazakontë u vu nën qizmen e Edi Ramës, madje për një ministër, të cilin e dërgoi aty pikërisht për kundërpeshë me aleatin e tij. U duk se debati i nisur para dy javësh do të përfundonte me një divorc të PS-së dhe LSI-së dhe vendi do të shkonte kështu në 45 ditë në zgjedhje të reja, ndoshta me një qeveri ekspertësh ose teknike. Në fakt epilogu i betejës kalorsiake midis dy kokave të qeverisjes përfundoi me prerjen e njërës prej tyre, “të kokës më të vogël”. Shumë njerëz kanë shtruar sot pyetjen se kush fitoi dhe kush humbi në këtë spektakël politik unikal në llojin e vet. Nga pikëpamja politike fitoi kryeministri Rama. Ai provokoi dhe e vuri nën gjunjë aleatin “e fuqishëm” në koalicion. Ju deshën vetëm 45 minuta të qëndronte në ring, jo më shumë. Pas 45 minutash ngriti flamurin e fitores. Humbi kreu i LSI-së, zoti Meta, qoftë dhe përkohësisht! Ndërsa çmimin më të madh nga të tilla lojëra politike duket se do ta paguajnë shqiptarët. Bazuar në deklaratën e ministrit të shkarkuar, zotit Manjani, shqiptarët do të paguajnë dhomat luksoze të hotelit të Balilit, ku ministrat e Ramës bëjnë orgji me paratë e shqiptarëve! Qytetarët e këtij vendi do të paguajnë, gjithnjë sipas zotit Manjani, korrupsionin që bëhet në tavolinën ovale të zbukuruar me flamurin kuq e zi e në sfond portretin e Ismail Qemalit të qeverisë shqiptare, ku votohen vendime korruptive, ku favorizohen bizneset e miqve të kryeministrit e kështu me radhë. Ndërsa fatura e korrupsionit nën tavolinë është shumëfish më e lartë. Ne do të paguajmë kufizimin pa limit të demokracisë, transparencës dhe fjalës së lirë, sepse gardiani i tyre do të vazhdojë të jetë kryeministri Rama dhe shefi i tij i kabinetit, Endri Fuga, I ngarkuar gjithashtu të vëzhgojë shpërndarjen e parave për NGO-të që i bëjnë fresk qeverisë në fushatë zgjedhore! Ne do të paguajmë në votime investimin që qeveria ka bërë dhe bën për përhapjen e kultivimit dhe trafikut të drogave! Ne do të paguajmë kështu rilindjen e diktaturës, të diskriminimit, të dhunës, të luftës për mbijetesë, atë rilindje, të cilën Rexhep Qosja ia kumtoi zotit Rama që kur ky i fundit ishte në opozitë, me qëllim që t’i nënshtronte, përdhunonte dhe poshtëronte shqiptarët! Po jo vetëm kaq. Zoti Manjani u tha shqiptarëve se qeveria Rama është një qeveri e kapur nga mafia dhe një qeveri mafioze është kostoja më e lartë e një kombi. Ai u shkarkua nga detyra menjëherë pasi kërkoi arrestimin e Balilit, që do të thotë se ministrat në këtë vend i emëron dhe shkarkon eskobari, kreu i mafies ballkanike e shqiptare, jo kryeministri i vendit, që do të thotë se ekzekutivin shqiptar e drejton mafia dhe jo politika, aq më pak një elitë politike e orientuar nga interesat e vendit e të kombit! Manjani tha se aleatët i kanë kërkuar zotit Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por kryeministri në vend të shkarkojë Tahirin, i cili akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve që marrin peng shtetin, shkarkon kritikët e panënshtruar nga mëkëmbësi i tij, Fuga! Kush tjetër, veç shqiptarëve, do ta paguajë gjithashtu këtë kosto të bashkëpunimit me krimin, trafikun, padrejtësinë, antiligjin, antishtetin?! Këto ishin mesazhet e paradites së sotme! Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në fakt ishte simbolikë, nuk është zgjidhja. Simbolika është e dukshme në dritë të diellit. Hashashi është aty edhe pa Ylli Manjanin. Po ashtu ministrat e Ramës në mos fjetshin tashmë në hotelin e Klemenet Balilit, do të flenë në hotelet e Balilajve të Vlorës ose të Shullazëve të Tiranës. Simbolika shkon edhe më tej: Pa lejen e kryeministrit nuk mund të marrin frymë jo vetëm ministrat, por askush në oborrin e tij, madje edhe ata që jetojnë në periferi të këtij oborri kryeministror! Kush guxon, përballet me “shpatën e mprehtë” të Zeusit shqiptar të shekullit të XXI. Në konferencën për shtyp zoti Manjani foli përsëri dhe duket se tani do të jetë “i lirë” nga Rama që t’i shprehë shumë të vërteta të hidhura të qeverisjes së Rilindjes. Gjithnjë nëse zoti Meta do ia japë lejen dhe lirinë e shprehjes. Por së paku Rama nuk ka në dorë ta pengojë më atë. Ka në dorë vetëm të urdhërojë mediat, që ta ndalojnë përhapjen e fjalës së tij. Megjithatë dhe për kaq sa ka folur zoti Manjani ka krijuar identitetin e tij të veçantë, i ka dhënë një dimension të caktuar frymës së lirisë në këtë vend. Por nuk mjafton. Ose duhet shkarkuar gjithashtu ministri Koka, ose duhen deklasifikuar motivet, arësyeja dhe shkaku i shkarkimit të zotit Manjani. Sepse Lefter Koka tha ndoshta diçka më shumë sesa Ylli Manjani. Ndërkaq duhet të shohim në javët në vazhdim nëse Petrit Vasili do të shfaqet si më parë “parimor e kritik”, apo do të struket nën tavolinën ovale të kabinetit me gojën mbyllur dhe dorën lart në miratim të aferave të reja të Rilindjes alla Qosja-Rama. Duhet të shohim edhe eksponentët e tjerë të LSI-së, nëse do të guxojnë pas këtij presioni e diversioni që bëri kryeministri të shprehen lirshëm me kritika për qeverisjen e Rilindjes. Shkarkimi I Ylli Manjanit ishte diversion politik e njëkohësisht test për Ilir Metën. Në finish Rama provoi se është i aftë t’i imponohet aleatit të tij, ndoshta deri në atë masë sa t’ia diktojë kushtet për vazhdimin e koalcicionit qeveritar të Rilindjes 2 pas 18 qershorit, nëse ky koalicion do të marrë votat e shqiptarëve. Modeli I Bashkisë së Durrësit është provuar si produktiv. Duket që zoti Rama do ta detyrojë zotin Meta që të bëjë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkaq opozita duhet të jetë më e fokusuar për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me aleatët e saj, të cilët i qëndruan asaj besnikë në këto vite shumë të vështira për të për shkak të arrogancës së shfrenuar të Rilindjes së dështuar të bëjë shtet demokratik, human, liberal dhe funksional. Opozita duhet të vijë në pushtet jo pse koalicioni qeverisës grindet dhe pa përfituar nga konflikti në gjirin e mazhorancës. Opozita ka mundësi, aftësi, resurse, energji, eksperiencë, dije dhe kapacitete të krijojë frymë anti-Rilindje me qëllim që t’u japë shqiptarëve shpresën për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e vendit. Opozita e Manjanit, Kokës, madje dhe e Ben Blushit e disa të tjerëve që shfaqen si antiRamë me porosi të Ramës nuk e kthen shpresën te shqiptarët. Eshtë opozita reale, e dhunuar, e etiketuar deri në ekstrem me fjalët më fyese nga kreu i mazhorancës, ajo që i bashkon shqiptarët dhe bën të mundur ndryshimin. Mjafton t’i bindë qytetarët e këtij vendi se ky ndryshim nuk do të sjellë zhgënjim.

Filed Under: Politike Tagged With: alla Qosje!, dhe Rilindja rumpalle, Enver Bytyci, Ylli Manjani

TË NDALOJMË PASKOHËN RAMA!

January 30, 2017 by dgreca

Nga Albina DEDA-Deputete PD/

 1-albina-deda

(Refleksione përtej politikës)/

 Ky fillim viti i gjen shqiptarët në trishtimin më të madh ekonomik e social të krahasuar vetëm me vitet e errëta të diktaturës. Kaluan afër 4 vite në përshkallëzim të llahtarshëm të varfërisë, e cila shtresën e mesme e degradoi në limitet e mbijetesës e shtresën vunerabël e ka degdisur rrugëve të Europës, ndërsa të pamundurit mbushin kronikat e zeza me vetvrasje. Katër vitet mavi u transformuan në vite të errëta skamjeje, korrupsioni, pseudoreformash. Droga po helmon vendin dhe Europën, ndërkohë që pushteti e policia janë gardjanët e saj dhe të trafikantëve.Ka kohë që nuk bëhet fjalë për realizim premtimesh apo pritshmëri. Vetëm një gjë progreson e ajo është propaganda. Pushtetet e tjerë demokratike të këtij vendi , krijuar me shumë mund, injorohen në rastin më të mire, por shantazhi e blerja, presioni e intimidimi janë program ditor i kordinuar i Edi Ramës dhe bandës së tij.

Vendi është nën varfëri, terror e arrogancë. Vetë deputetë, ministra e faktorë relevantë në mazhorancë denoncojnë e vetdenoncohen, por asgjë dhe asgjë veçse gangrenizimi i mëtejmë i ekonomisë dhe shoqërisë!

Diplomaci e çakorduar pa busull kombëtare, lojëra të rrezikshme të “liderit” kleptomitoman me ekuilibrat kombëtarë e rajonal.

Me pak fjalë e shqip: çmenduri qeverisëse që na ktheu në Paskohë.

Në Paskohën e baballarëve të atyre që na qeverisin.

Një Paskohë kriminale e oligarkike.

Koha e zezë e Edvin Ramës po tejkalon dhe Paskohën e etërve të tyre.Ata shtetëzonin, këta përvetësojnë. Ata dënonin kundërshtarët, këta i linçojnë, i heqin nga puna e i denigrojnë.

Një Paskohë që rikthen izolacionizmin duke u thirrur për integrim. Thikë në palcë te çdo shqiptar është përkufizimi i qeverisjes së klikës uzurpatore. Nuk bëhet më fjalë për progres por për mbijetesë.

Dhe paradoksalisht propaganda vazhdon në përmasat e marrëzisë së Rajhut të Tretë tek fliste për triumf në prill 1945 kur forcat aleate antinaziste ishin në portat e Berlinit!

Kjo çmenduri e Paskohës do të ndalet medoemos. Dhe në demokraci vota të ndalon. Por cilën votë presin shqiptarët? Votën e miellit të mbijetesës apo hashashit që blihen neveritshëm nga monstrat e Paskohës?! Do presim lirinë e votës nga Roshët apo Gjushët e Edi Ramës! Është marrëzi ta mendosh! Paskoha është dhunë, mashtrim e nënshtrim!

Opozita shqiptare, të cilës i prin PD, ka udhëtuar me guxim e me kauza që  jo vetëm të mos pushkatohet shpresa, por dhe të atrofizohet krimi shtetëror dhe oligarkia. Arritjet nuk janë pak, por nuk do të ketë ndalesë. Ky është mision. Ndoshta misioni me i domosdoshëm në këto dekada. Largimi I Edi Ramës dhe bandës së tij kleptosoriste! Ne jemi këtu të vendosur të përballemi pa kompromis me paskohën. Nuk ka rrugë tjetër. Ndryshe na ndëshkon besimi që shqiptarët na dhanë 26 vite më parë. Sot ne jemi front me shumicën e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve! Kemi me vete idealet e ndërkëmbura dhe shpresat e shembura. Nuk ka formulë sado e sofistikuar e kriminale qoftë, që të mund t’i shtojë jetën oligarkisë. Flladi Trump do përkthehet e materializohet shumë shpejt në Shqipëri.Paskoha është e alarmuar dhe e çorientuar. Ajo po kërkon skuta të errëta për tu strehuar.Revolucioni i shpirtit e krenarisë shqiptare tashmë ka filluar.!

Këto refleksione nuk janë politikë, por pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm, që unë dhe njerëzit e vendlindjes time përjetojmë çdo ditë në çdo cep të Mirditës. Ndaj apeli im sot nuk është thjesht politik, por human: Klika dhe Paskoha duhen përbuzur, refuzuar dhe rrëzuar! Qershori po afron. Le të tregojmë se kemi skelet krenarie. Ndryshe do damkosemi si butakë. E Paskoha adhuron butakët, se ata zvarriten!

Filed Under: Politike Tagged With: Albina Deda, ndal, paskoha e rames

Dështojnë bisedimet VMRO-BDI

January 29, 2017 by dgreca

1 ShkupKanë dështuar bisedimet mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.Pak para skadimit të afatit të mandatarit Nikolla Gruevski, të dielën në mesnatë, BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti ka njoftuar se nuk ka gjetur pika të përbashkëta për koalicion me VMRO-në, ndërsa nuk ka miratuar as ndonjë vendim tjerë lidhur me pesë pikat e saj, për koalicion me LSDM-në, për zgjedhje të parakohshme, qeveri të zgjeruar apo mbetjen e saj në opozitë.

“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për tu përcaktuar për njërin nga pesë opsionet të cilët i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pa dhënë detaje se çfarë është pranuar dhe çfarë jo nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit.

BDI-ja në bisedime me këtë parti ishte futur me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për të ishin të panegociueshme: zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë

“Për ne,ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptar, kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente. Vlerësojmë se sot nuk është shterur ai debat dhe nuk mund të sillnim një vendim. Vlerësoj se më me rëndësi është vendimi i duhur se sa vendimi në kohë”, ka theksuar Osmani

Edhe VMRO DPMNE-ja ka njoftuar për dështimin e bisedimeve ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRO-DPMNE konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare në plan të parë”, thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI-së.

Çdo zgjidhje tjetër, sipas VMRO-DPMNE-së “do të çojë drejt konfliktit të ri në shoqërinë edhe ashtu të ndarë dhe nuk do të jetë në funksion të qëndrueshmërisë dhe realizimit të qëllimeve programore. VMRO pretendon se “dikush dëshiron të anashkalojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe ta fusë Maqedoninë në një fazë të re pasigurie.”

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit mbetet dilema nëse Presidenti Gjorgje Ivanov do t’i jep mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re.

Ditëve të fundit ka pasur vlerësime të ndryshme që pretendojnë se Presidenti duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM-në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO-së.

Por, ekspertët juridikë edhe në rastin e parë kanë konstatuar shkelje nga ana e presidentit, pasi, sipas tyre, mandati iudha Gruevskit pa u siguruar paraprakisht nëse ai e kishte shumicën parlamentare ashtu siç kërkohet me Kushtetutë.

Filed Under: Politike Tagged With: bisedimet VMRO-BDI, dështojnë

Kosovë-Serbi, dialogu në Bruksel vazhdon me 1 Shkurt…

January 29, 2017 by dgreca

-Next meeting in the framework of the EU-facilitated Dialogue convened for 1 February/

-Takimi i ardhëshëm i dialogut në nivel të lartë në 1 shkurt në Bruksel. Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç/

Mustafa-Mogherini-Vucic-27janar2016-Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së kësaj jave në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Kryeministrin e Serbisë/

Mustafa-Vucic (1)

PRISHTINË, 29 Janar 2017-Behlul Jashari/ Në Bruksel, javën e ardhëshme, në 1 shkurt, Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, zhvillojnë raundin më të ri në nivel të lartë, ku janë ftuar kryeministrat, të dytin në 2017-tën, pas të parit  të martën e kësaj jave, në 24 janar, ku ishin edhe presidentët për herë të parë gjatë gjithë historisë së dialogut në nivel të lartë.Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, për një takim tjetër të dialogut të nivelit të lartë  në 1 shkurt 2017 me qëllim normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.Njoftimi nga zyra e Mogherinit thekson se, “ky takim është vazhdim i atij të 24 janarit, ku të dy palët u dakorduan të lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.Më tej shtohet se, Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënpresidentja Mogherini pret me padurim vazhdimin e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun.“Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Serbinë dhe Kosovën, përbrenda dialogut”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogerinit.

Takimi i 24 janarit 2017, ku në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve, u zhvillua ndërkohë që kishte kaluar një vit pa takime në nivel të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar. Raundi më i ri i dialogut, ku u ftuan edhe presidentët, u mbajt ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së kësaj jave në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika.Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.“U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka  bërë të ditur Thaçi.Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeminiistror është mbajtur në 19 tetor 2012.Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Deri tash janë zhvilluar 30 raunde kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Next meeting in the framework of the EU-facilitated Dialogue convened for 1 February/

EU facilitated dialogue for the normalisation of relations between Belgrade and Pristina/

Federica Mogherini, High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission, has invited Prime Minister Aleksandar Vučić and Prime Minister Isa Mustafa to Brussels for another round of the High Level Dialogue for normalisation of relations between Belgrade and Pristina on Wednesday, 1 February 2017.

This meeting follows the one held on 24 January where both sides agreed to leave the tensions behind and to focus on the work ahead within the EU-facilitated Dialogue. The High Representative/Vice President is looking forward to the continuation of the discussions, on outstanding issues and on the state of play of implementation of past agreements as well as on the way forward in the Dialogue. Progress on the EU path is linked for both, Serbia and Kosovo, with progress in the Dialogue.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, dialogu, Kosove-Serbi, në Bruksel vazhon…

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 583
  • 584
  • 585
  • 586
  • 587
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT