• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A po e nxit Beogradi shpalljen e Asociacionit apo autonomisë serbe në veri Kosovës?

January 16, 2017 by dgreca

Në ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, Beogradi ka paralajmëruar se do t’i inkurajojë përfaqësuesit serb të Kosovës, që të shpallin njëanshëm themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Akti i shpalljes, do të bëhej në Mitrovicën veriore, atje ku Beogradi provoi të instalojë edhe një linjë ilegale hekurudhore që do të lidhte Serbinë me këtë pjesë të Kosovës, pa lejen dhe aprovimin e institucioneve të Kosovës.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Këto veprime të Beogradit, në Prishtinë po shihen jo vetëm si provokime dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe si sinjal se pjesa veriore, e nxitur nga Beogradi, mund të ndërmarr hapa të njëanshëm për më shumë autonomi dhe thellimin e distancës në raport me institucionet qendrore në Prishtinë.

Duke iu referuar aktit të paralajmëruar të shpalljes së njënashme të Asociacionit, analisti politik, Imer Mushkolaj vlerëson se caktimi i datës 15 shkurt, nuk është i rastësishëm.

Ai përmend edhe zhvillime të ngjashme në Bosnjë e Hercegovinë ku serbët e atjeshëm, kanë ndërmarrë kohët e fundit vendime në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, duke provuar që të përafrohen sa më shumë me Serbinë.

Hapa përafërsisht të ngjashëm, ai thotë se po provojnë të ndërmarrin edhe serbët e Kosovës, sidomos ata në veri.

“Themelimi i njëanshëm i Asociacionit dhe jo themelimi i tij nga institucionet e Kosovës do të nënkuptonte që autonomia për serbët e Kosovës po realizohet dhe pastaj, fatkeqësisht, do të mund të presim edhe hapa tjerë që do të çonin në një ndarje faktike të kësaj pjese nga pjesa tjetër e Kosovës, respektivisht funksionim të pavarur të kësaj pjese në të gjitha segmentet”, tha Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti, Belul Beqaj, mendon se serbët e Kosovës në bashkëpunim me Beogradin patjetër që do të ndërmarrin veprime të njëanshme, sidomos në veri, pasi që qëllimi i Qeverisë së Serbisë, sipas tij, nuk është normalizimi i raporteve, por tensionimi sa më madh e gjendjes në Kosovë.

“Mund ta shpallin në mënyrë të njëanshme, sepse qëllimi është që të bëhet një shkas për konflikt. Ne tërë kohën po flasim se si po shkon procesi drejt konfliktit dhe jo drejt normalizimit”. 

“Prandaj, nëse e kemi kuptuar drejt procesin ai po tregon se orientimi nuk është për të zgjidhur problemet por për të shkaktuar aq elemente të rrezikimit të situatës e cila do të ngrit tendosjen në raportet e ndërsjella pavarësisht se çfarë qëllime ka bashkësia ndërkombëtare”, tha Beqaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, paralajmërimet e Beogradit për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm për shpalljen e Asociacionit pa mbështetjen e Prishtinës zyrtare, shihen si tendenca për rikthimin e institucioneve paralele.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj i tha Radios Evropa e Lirë se vet qëllimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka qenë shuarja dhe jo formimi i organeve të reja paralele.

“Çfarëdo veprimi i njëanshëm do të konsiderohet vetëm një organizim paralel. Ne kemi struktura paralele ende dhe qëllimi kryesor i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë dhe është që të shuhen strukturat paralele. Pra, Asociacioni mund të themelohet vetëm me dekret të Qeverisë së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit”, theksoi Gecaj.

Ndërkaq, analisti Ilir Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Serbia ka hyrë në një proces dialogu me Kosovën për normalizim të raporteve dhe se ndërmarrja e veprimeve të njëanshme, do të kundërshtohej nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Marrja e një hapi në Beograd për të themeluar një institucion brenda Kosovës nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky do të ishte një hap që do ta acaronte tutje Serbinë me Bashkimin Evropian. Ky besoj që është më tepër një lloj provokimi i Serbisë, sesa ndonjë gjë tjetër”, tha Ibrahimi.

Shuarja e organeve paralele që Serbia i ka ngritur në Kosovë dhe integrimi i serbëve në jetën institucionale në Kosovë, ishin ndër temat e para të ngritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, kohët e fundit, autoritetet në Prishtinë thonë se Beogradi ka ndërruar tërësisht kursin politik, duke u përpjekur që t’i minojë të arriturat në këtë dialog dhe të kthej sërish politikën e organizimit paralel, institucional të serbëve brenda territorit të Kosovës.

Para se eventualisht, në Mitrovicën veriore, të shpallet njëanshëm Asociacioni serb, atje është ngritur dhe një muri, që për autoritetet në Prishtinë u kuptua muri ndarës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës si dhe janë paralajmëruar zbatime të disa projekteve, pa miratimin dhe konsultimin me institucionet qendrore në Prishtinë.(Kortezi:Zijadin Gashi-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Beogradi, ne veri

Kosova digjet, Beogradi dhe Tirana krihen!

October 24, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Ajo që po ndodh në Prishtinë këto kohë është i njëjti skenar dhe e njëjta filozofi e zhvillimeve të vitit 2010 – 2011 në Shqipëri. Albin Kurti ka deklaruar se kërkon një “Republikë të tretë” në Kosovë, duke rikujtuar Francën e revolucioneve të dhunshme, por me metodat bolshevike e staliniste të veprimit e aksionit politik të partisë së tij. Në vitin 2010-2011 kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, inicoi të njëjtën frymë e filozofi. Qëllimi final i Ramës ishte ta merrte pushtetin me dhunë, duke dhunuar institucionet, përkatësisht institucionin e kryeministrit. Qëllimi i Albin Kurtit është që Kosova dhe institucionet e Kosovës të paralizohen, që njerëzit të lodhen nga paraliza dhe nga lodhja e stërzgjatur t’i japun opozitës një shans me votë të imponuar për qeverisjen e Kosovës.
Prej këtij momenti Kurti do të flasë për “Republikën e Tretë” të Kosovës, sepse për këtë lloj politikanësh historia fillon, kur ata vijnë në pushtet. Nisja nga pika zero ishte dhe ende vazhdon të jetë filozofi e Edi Ramës, nisja nga pika zero është filozofia e Albin Kurtit. Si njëri dhe tjetri janë anarkistë, nihilistë, të pandreqshëm dhe destruktivë jo vetëm në opozitë, por edhe kur e marrin pushtetin. Të dy palët mashtrojnë, gënjejnë derisa marrin pushtetin dhe më pas bëjnë të kundërtën e premtimeve që kanë dhënë.
Nuk ka tjetër arsyetim pse Albin Kurti të vetmin aleat në Tiranë ka Edi Ramën dhe pse Edi Rama punon për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës dhe mbështet aktet e Albin Kurtit. Nuk ka asnjë arësye tjetër pse qeveria shqiptare bën sehir ndaj asaj që ndodh në Prishtinë. Por interesant është fakti se edhe në Beograd shfaqet një lloj indiferentizmi ndaj ngjarjeve në Kosovë. Nuk flasin më politikanët e Beogradit për ekstremizëm të shqiptarëve dhe të vetëvendosjes, nuk shqetësohen nëse veprimet e Albin Kurtit trondisin interesat serbe në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë protestë, si ato që u bënë më 17 mars 2004, për gjoja rrezikimin e jetës dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, nuk kanë thënë asnjë fjalë sa i përket të ardhmes së asaj që Albini e quan Zajednicë. Heshtja e Beogradit dhe heshtja e Tiranës zyrtare nuk është e rastësishme, kur dihet tashmë se të dy kryeqytetet e vëllazërim-bashkimit demokratik kanë reaguar dhe reagojnë për çdo deklaratë të udhëheqësve të Kosovës, përjashtuar deklaratave dhe veprimeve destruktive të Albin Kurtit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.
A është kjo një rastësi?! Në politikë nuk ka kurrë rastësi. Gjithçka që ndodh është pjesë e një skenari të parapërgatitur e të studiuar në detaje. Sjellja e Edi Ramës dhe e Aleksandër Vuçiç me zemërgjerësi ndaj veprimeve të Albin Kurtit është e akorduar, e mirëmenduar dhe e administruar nga një staf ekspertësh, të cilët kanë në dorë të dhënat për atë çfarë përfaqëson Albin Kurti dhe ata që i shkojnë pas dhe çfarë paraqet aksioni i tij i dhunshëm kundër institucioneve dhe policisë së Kosovës.
Ndërkohë, më duket se për këtë skenar ka dijeni edhe Isa Mustafa, sepse nuk ka si shpjegohet stoicizmi i tij përballë një skene, e cila do ta bënte edhe një të çmendur në krye të qeverisë të jepte dorëheqjen. Nëse përgjegjësia e Albin Kurtit për të ardhmen e Kosovës është zero, përgjegjësia e Isa Mustafa Mustafës ka rënë aktualisht në minus zero, sepse ai është
kryeministër dhe duhet të llogarisë më shumë se Albini interesat e shtetit. Nëse Isa mendon se është interes i Kosovës imazhi i krijuar këto javët e fundit nga gazi lotsjellës në parlament, atëherë ai gabohet rëndë. Edhe sikur kryeministri të mos kishte asnjë përgjegjësi, në kushtet e krijuara duhet të japë dorëheqjen. Kosova vlen më shumë sesa karrikja e kryeministrit Mustafa.
Nëse Isa Mustafa jep dorëheqjen, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Zgjedhjet do t’i japin zgjidhjen krizës. Rezultatin i zgjedhjeve do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës. Nëse fitojnë partitë në pushtet, pra LDK dhe PDK, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, atëherë ka fituar opcioni i qeverisë. Nëse nuk fiton ky kolaicion, do të thotë se qytetarët janë kundër marrëveshjes së ashtuaquajtur Zajednica. Dhe qeveria e re le të gjejë formulën për modifikimin e kësaj marrëveshje, e cila për mua do të duhej modifikuar që prej disa javësh dhe më pas të vinte në parlament, sepse marrëveshja në fjalë ka vend për spekullim. Së paku do të duhej shtuar një pikë, sipas së cilës të gjitha dokumentet e asosacionit të komunave serbe të miratoheshin me dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës, që ato të merrnin legjitimitetin kushtetues për veprim.
Por askush nuk e lodh trurin për zgjidhje. As Albin Kurti, as Isa Mustafa. Dueli është beteja e të dy palëve, duel në të cilin u tërhoq më në fund edhe kreu i parlamentit, Kadri Veseli. Me duel nuk fiton asnjëra palë. Por më së shumti e pësojnë shqiptarët në Kosovë, e pëson vetë Kosova dhe përgjegjësinë për këtë në historinë e saj do ta kenë të dy palët. Po të mos kishim një duel të pakuptimtë, palët së paku do të kishin inicuar një diskutim publik me ekspertë për përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë. Nevoja për duel dhe luftës pa pakompromis midis palëve, dëshira për të treguar muskujt e forcës, i ka bërë palët që të mos i nënshtrohen një diskutimi publik konkret e real sa i përket vijës së demarkacionit me Malin e Zi, vijë e cila ka një hartë dhe që mund të ballafaqohet lehtësisht me vijën ekzistuese kufitare. Por qeveria e fsheh këtë hartë dhe opozita nuk që do ta publikojë. Mesa duket të dy palët e dinë se janë në batak dhe druhen të ballafaqohen me publikun në Kosovë.
Lufta bëhet për marrëveshjen dhe vijën e demarkacionit, të dy dokumentet mbahen në sirtarë dhe as pozita, as opozita nuk duan të dëgjojnë ekspertët se çfarë mendimi kanë për to. Kjo është më shumë se mungesë aftësie, përvoje dhe vullneti politik për transparencë dhe ballafaqim faktesh, idesh e vizionesh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beogradi, dhe Tirana krihen!, Enver Bytyci, Kosova digjet

Beogradit synim ka pasurinë dhe resurset e Trepçës dhe të Kosovës!!!

January 20, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN DIBRANI/
Propozimet e Qeveria e Serbisë që po insiston që për fatin dhe të ardhmen e “Trepçës” të vendoset në dialogun midis Prishtinës e Beogradiit, në Bruksel. Diçka absurde e pa logjikshme dhe e pa kompromis nga vet fakti dhe pozicioni gjeografik i këtyre resursevese ku gjenden në thellësitë e Kosovës.
Edhe zyrtarisht Vuçiq ka bërë të ditur se Qeveria e Serbisë do të insistojë që çështja e “Trepçës” të diskutohet në kuadrin e bisedimeve që pritet të vazhdojnë në Bruksel!? A thua çka te bisedohet për pasuritë tona kur ato janë dhe kanë qenë pronë autoktone e shqiptarëve e Ilirëve dhe e Pellazgëve edhe pa qene fare, fara sllave në Ballkan. Nëse ne duhet të bisedojmë për resurset e vlerave dhe pasurive ton duhet të flasim në Bruksel për ato pasuri qe u okupuan nga Serbia ne tokat tona që nga Novipazari , Nishi, Leskovci , Vranja dhe rajoni i Toplices si tërësi qe ishte shqiptare hiq ma larg së 1878!
Pamje nga pasuria nëntokësore nga miniera e Trepçës së Mitrovicës!!! Ja për çka lufton Beogradi që të zhvillohen bisedimet. Trepça ishte magjja e Beogradit me këto pasuri u rindërtua Serbia dhe ish Jugosllavia!!!???…
Vuqiqi ma tutje thekson “Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende duke pretenduar në Trepçë, në Brezoivicë, Liqenin e Gazivodes dhe resurse tjera duke pretenduar qe shqiptarët të mbesin shkuarave dhe maleve. Zoti Vuqiq duhet ta dijë se ka perënduar koha e krajleve të Serbisë qe deri ne vitin 1955 janë kolonizuar tokat tona me serb e malazez andaj harroje ketë ëndërr aq brutale dhe të rrezikshme. Pa marre parasysh lidershipin kosovar se a do te jete e afte që të mbroj tokat e veta në tavolinat e Evropës, populli i Kosovës nuk do të lejon ma pazarllëqe me tokat tona të shenjta dhe resurset tona me renome ndërkombëtare siç është Trepça. Parulla “Trepça puno Beogradi ndërto” ka perënduar zotërinj nga Beogradi dhe politikan kosovarë të pa vlerë që keni lejuar deri këtu të vije kjo situate aq e pa nder edhe nga ju lidershipi kosovar!
‪Cenohet territori i ynë me plane aq agresive dhe zyrtaret e Kosovës nuk reagojnë!‬
-Është për tu çuditur me zyrtarët e Kosovës dhe organet gjegjëse në Kosovë, përse nuk e alarmojnë ketë akt aq brutal dhe të pa presidence të Serbisë , kur cenohet territori i ynë me plane aq agresive!Ky akt i vrazhde tingëllon në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. -Kombinati dhe Miniera Trepça në Stantërg i përket qytetit të Mitrovicës. Mitrovica është pa dyshim ndër qytetet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë dhe për Kosovën, por edhe në gjithë Gadishullin Ballkanik e më gjerë, për nga pasuritë minerale.
Trepça është një minierë me një histori të lashtë, që atëherë, pasuritë e Kosovës shfrytëzoheshin nga paraardhësit tanë ilirët, më pas nga bizantinët, sasët, turqit dhe së fundi nga okupatori serb. Që në kohërat e lashta është ditur për vendburimet polimetalore të sulfureve të plumbit, zinkut,argjendit, kristaleve dhe mineraleve të ndryshme .
Kompleksin industrial dhe miniera e Trepçës së Mitrovicës kishte rreth 23.000 të punësuar deri në vitin 1989, para se ta pushtonin dhe uzurponin forcat serbe!
-Këtë e kanë vërtetuar zbulimet e shumë punimeve të vjetra minerale, galeri, puse, vegla të punës, që janë përdorur në kohëra të ndryshme gjatë shfrytëzimit të mineralizimeve të këtyre llojeve , si dhe mbetjet e gjurmëve nga shkrirja e tyre. Kompleksin industrial dhe miniera e Trepçës së Mitrovicës është një kompleks industrial, qe kishte rreth 23.000 të punësuar deri në vitin 1989, para se ta pushtonin dhe uzurponin forcat serbe.
Kompleksi i minierave të Trepçës është pjesa më e vlefshme e tokës në Ballkan dhe ka një vlerë prej së paku 5 miliardë dollarë amerikan . Ky gjigant dhe pasuri është “Zemra e Kosovës”. Trepça ka 17 miliardë tonë rezerva të thëngjillit qe konsiderohet një ndër kombinatet ma të mëdha në Evropë. Kapacitetet e rafinerive të plumbit dhe zinkut në Trepçë zënë vendet ndër të parat në botë.
Në këtë kombinat u nxorën dhe u përpunuan xehet kryesore siç ishte koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfati, akumulatorë, bateri nikelkadmiumi,municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte prej llamarinës, materiale elektrokontakti, vagoneta, elektrolokomotiva për xehtari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehetari e produktet të tjera. Aktualisht, Trepça nuk prodhon ma si pasojë e luftës me çka konsiderohet i doemosdoreshëm një regjenerim i pajisjeve të reja nga të cilat regjimi serb me të ikur i plaçkiti dhe i dëmtoj shumë. Kjo ndihet mjaft keq në prodhimin e përgjithshëm industrial të Kosovës dhe në eksport, sepse pjesa dërmuese e produkteve të Trepçës eksportohej në shtetet e Evropës dhe në botë, por fatkeqësisht e eksplatuar dhe e shfrytëzuar nga Beogradi edhe nga ish regjimin jugosllav. –Për riaktivizimin e Trepçës nevojitën investime të mëdha, të cilat duhet të sigurohen nga partnerët ekonomik i jashtëm dhe të brendshëm qe duhet sa ma shpejt te mobilizohemi në nivel kombëtar duke shfrytëzuar edhe potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe biznesmenëve shqiptare, kudo që janë për ta ringjallë këtë Kombinat me vlere të mëdha.
Trepça në ish Jugosllavi u llogaritur me një vlerë për 70 për qind te të gjithë pasurisë së minierave jugosllave sa i kishte ne atë kohë.
-Mos pajtimi dhe rezistenca e sotme serbe për mos humbjen e Mitrovicës lidhet sesa ishte nën okupimin e saj Kosova, prodhimi industrial i Kombinatit Trepça ishte ndër eksportuesit kryesorë të ish- Jugosllavisë. Sipas një studimi , në nëntokën e Kosovës , janë depozitat e mëdha të fshehura nga linjiti, plumb, zink, metale , ari, argjendi dhe të naftës , me nje kapacitet mbi 17 miliardë ton qymyr siç e cekem edhe ma lartë . Sipas dëshmive dhe të dhënave ,epet ky rezultat qe suksesi më i madh i kombinatit të Trepçës u arrit në vitin 1983, atëherë kur Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milion dollarë ,që pos rrogave të atyre punëtoreve të krahut, Kosova asgjë nuk ka përfituar as që ka shkuar në buxhetin e saj !Dihet botërisht se ari dhe xehet e Kosovës kalonin transit nga uzinat e saje drejt Beogradit me çka me kujtohet parulla e studentëve të ngjarjeve të vitit 1981 “Kosova puno,Beogradi ndërto” . Kapitali i Trepçës ishte si garant i shumë kontratave qe i lidhte ish Jugosllavia dhe Beogradi me shtetet tjera. Fatkeqësisht kjo minierë u shfrytëzua nga regjimi jugosllav dhe frytet e saj shumë pak u shijuan nga populli autokton i Kosovës.
-Para fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 ,qeveria jugosllave tentoj ta privatizojë Trepçën . Në vitin 1998 , pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare qe i kishte ajo u përpoq ,ta marre në shfrytëzim me një partneritet të një firme greke “Mytileneos Holdings SA metale grup”. Sipas shënimeve , Mytileneos ka nënshkruar disa kontrata me agjencinë serbe të tregtisë së jashtme, me shuma parash marramendëse, sikurse qe po tenton tash ta luaj një aktrim të njëjtë!
Këto manovrime të politikës serbe , siç shihet po hedhin paqartësi pran opinionit botëror , nga një neglizhencë e stafit politik të Kosovës . Qeveria e Kosovës është ma e udhës të debatoj në parlamentin e vet dhe në Kuvendin e Kosovës për një gjë shume serioze dhe shumë madhore se sa te debatojnë për tema shterpë edhe boshe të pa vlera !Qeveria e Kosovës nuk duhet me anashkaluar “Kombinatin Trepça” ajo është ardhmëria e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Beogradi, pasurite e Trepces, syonon

Beogradi shpërndan kuvendet e komunave serbe në veri

September 10, 2013 by dgreca

Nga Anton Konushevci/

Qeveria e Serbisë ka shpërndarë kuvendet paralele të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Në një njoftim të ekzekutivit serb thuhet se në këto komuna janë emëruar kryetarë dhe anëtarë të organeve të përkohshme.
Qeveria e Serbisë, po ashtu ka formuar një ekip menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Nënkryetari i bashkësisë së komunave dhe i vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se shpërndarja e katër komunave serbe në veri të Kosovës, paraqet një akt të vërtetë dhune mbi serbët e Kosovës.
“Ajo që më së paku mund të pres është që serbët e veriut të Kosovës të paraqesin kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, që ajo të japë mendimin e saj për një vendim joligjor dhe antikushtetues. Thirrja për të dalë serbët në zgjedhjet që i ka shpallur Atifete Jahjaga, pra në zgjedhje separatiste, është diçka që nuk i kontribuon procedurës demokratike dhe atmosferës në veri të Kosovës. Mund të them se kjo është goditje për demokracinë. Për mua, zgjedhjet lokale në katër komunat nuk janë të ligjshme”, ka deklaruar Jakshiq.
Nga ana tjetër, Oliver Ivanoviq, kandidati për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës theksoi për Radion Evropa e Lirë se një vendimi i tillë ka qenë i pritur, pasi që udhëheqësit e deritanishëm dhe këshilltarët komunalë kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të planifikuara të mbahen në fillim të nëntorit.
“Është një vendim i pritur. Në takimin e fundit që përfaqësuesit e komunave kanë pasur me presidentin e Republikës (së Serbisë) dhe kryeministrin, ka qenë e qartë se ata nuk do të ndryshojnë qëndrimin. Vendimin për shpërndarje e ka marrë qeveria, në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale. Pra, ekzistojnë edhe arsye formale. Por, prapavija është politike, sepse Qeveria e Serbisë nuk mund të zbatojë vendimet e saj nëse ka rezistencë aktive nga përfaqësuesit e komunave”, u shpreh Ivanoviq.
Serbët e veriut, megjithatë janë shprehur kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të Kosovës, të parapara për 3 nëntor.
Kurse, për shpërndarjen e kuvendeve paralele të katër komunave ne veri, ata kanë mendime të ndryshme.
“Nuk e kuptoj politikën, por konsideroj se vendimi i qeverisë nuk është i mirë. Dhe nuk besoj se serbët do të dalin në zgjedhje”, tha Zorica Jovanoviq.
Kurse, Petar Stojanoviq thotë se është i orientuar në atë se çka thotë qeveria e Serbisë, pasi që, siç thotë ai, beson në të.
“Të jem i sinqertë unë jam i orientuar nga Qeveria e Serbisë, çka sjell edhe bëhet. Më shumë nuk më intereson. Ne nuk mundemi të gjithë të jemi në qeveri. Një ekziston edhe ne e dëgjojmë atë”, tha Stojanoviq.
Kurse, Jovan Novakoviq u shpreh:“Lum si ne për qeverinë tonë dhe që e kemi. Nuk i dallon cila është më e keqe se tjetra. Unë jam refugjat dhe tërë pronësinë e kam humbur. Ku është qeveria? As njëra asgjë s’ka bërë për mua. Jam i zhgënjyer prej të gjithëve”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beogradi, Kosove, kuvendet e komunave, ne veri, shperndan

Beogradi i pakënaqur me pozitën e serbëve në Shqipëri

August 5, 2013 by dgreca

BEOGRAD- Në pesë vitet e fundit, pozita e 1,85 milionë serbëve në rajon, duke mos llogaritur Rumaninë dhe përmirësimin e vogël në Hungari, po bëhet gjithnjë e më e keqe, kanë tërhequr sot vërejtjen përfaqësues të Napredni klub-it duke prezantuar raportin e tyre pesëvjeçar për të drejtat e serbëve, njoftojnë media të Beogradi. 
Kryetari këtij klubi Çedomir Antic ka konstatuar se përkeqësimi i pozitës së serbëve në rajon është pasojë e përpjekjeve që të eleminohet Republika Sërpska, fakti se Mali i Zi është buzë falimentimit, se në krizë kushtuese ndodhet Maqedonia dhe se Kroacia ka hyrë në BE. Ai ka shtuar se serbët po nxiten që të marrin pjesë institucionet e Kosovës, ata nga viti i ardhshëm nga “Napredin Klub do të trajtohen edhe në “Kosovo-UNMIK”. 

Në raportin e këtij klubi theksohet se në Shqipëri ekziston vazhdimësia në mosrespektimin e të drejtave, siç thotë klubi, të 30 mijë serbëve në Shqipëri që nuk e kanë statusin e minoritetit nacional, madje ata janë edhe pa të drejtën që t’i dealbanizojnë emrat.(Balkanweb, 5 gusht 2013)

Filed Under: Kronike Tagged With: Beogradi, e serbeve en Shqiperi, i pa kenaqur, me gjendjen

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT