-Përmbush dy obligime të axhendës për integrime evropiane dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare/
PRISHTINË, 2 Shtator 2016-B.Jashari/Në mbështetje të vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në funksion të funksionalizimit të platformës së prokurimit elektronik nisi aplikimi i platformës së e-prokurimit për të gjitha autoritetet kontraktuese në nivelin qendror.Me këtë rast, sot u mbajt një takim informues me zyrtarët përgjegjës të prokurimit (menaxherët e prokurimit) dhe përfaqësuesit e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, të cilët u informuan për hapat që duhet të ndiqen në procedurat e prokurimit elektronik.
Në këtë takim Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se pas shumë angazhimeve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe ekspertëve të angazhuar në këtë project, me ndihmën e partnerëve zhvillimorë, është përfunduar platforma elektronike për e-prokurim.“Po fillojmë zbatimin e vendimit të qeverisë për aplikim të prokurimit elektronik. Kjo është reforma më e madhe në fushën më të ndjeshme të financave publike, që është prokurimi. Kjo reformë është në përputhje me objektivin kryesor të Ministrisë së Financave dhe të qeverisë, që është rritja e transparencës dhe efikasitetit në shpenzimet publike”, shtoi ministri Hoti.Sipas tij, prokurimi elektronik ka përparësi të pakrahasueshme, sepse siguron transparencë maksimale dhe objektivitet në përzgjedhjen e përfituesve të kontratave publike, siguron automatizim të procedurave dhe monitorim shumë më të mirë të kontratave, shkëputë kontaktet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomikë gjatë procesit të përzgjedhjes, mundëson që çdo aktivitet i zyrtarëve të prokurimit të jetë plotësisht i gjurmueshëm në sistem online dhe i qasshëm për të gjithë.
“Kjo mundëson auditim më të lehtë dhe kontroll më efikas të proceseve të prokurimit dhe e rrit përgjegjësinë e zyrtarëve të prokurimit, si dhe ofertat bëhen të lexueshme të gjitha njëkohësisht, sepse sistemi nuk lejon qasje selektive dhe asnjë lloj keqpërdorimi. Të gjitha këto rrisë konkurrencën dhe rrjedhimisht ulet kostoja për realizimin e investimeve publike”, tha ministri kosovar i Financave.
Me aplikimin e prokurimit elektronik, theksoi ministri Hoti, Kosova përmbush dy obligime karshi axhendës për integrime në Bashkësinë Evropiane dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare.
“Prokurimi elektronik është pjesë e Programit që ka qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përmes të cilit përfitojmë deri në 180 milionë euro kredi direkte buxhetore për financim të projekteve, si dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare. Përmbushja e kësaj pjese të Programit me FMN-në, dhe gjithashtu aplikimi i prokurimit elektronik na barazon me shumë shtete evropiane që e aplikojnë këtë formë të prokurimit, si dhe përmbushim kërkesat e Komisionit Evropian të parapara në Raportin e Progresit për Kosovën”, theksoi ministri Hoti.