• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koronavirusi- ShBA, mbi 3,700 raste të konfirmuara, 69 të vdekur

March 16, 2020 by dgreca

…amerikanët nuk duhet të mblidhen në grupe më të mëdha se me 10 vetë, studentët duhet të vazhdojnë të ndjekin studimet nga shtëpia dhe duhet të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme dhe vizitat tek njeri-tjetri./

Mbi 3 mijë e 700 është numri i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ndërsa 69 kanë vdekur.

ShBA vazhdon përpjekjet për të penguar përhapjen e epidemisë që ka arritur në 49 nga të 50 shtetet. Masat kanë çuar në mbylljen e shkollave e lokaleve si dhe anulimin e aktiviteteve publike në shumë vende.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe anëtarë tjerë të administratës po përpiqen të zbutin panikun, pasi raftet e dyqaneve në mbarë vendin po boshatisen nga frika e izolimit.

“Nuk keni pse bleni kaq shumë gjëra. Merreni me qetësi”, tha presidenti të dielën në një konferencë.

“Nuk kemi mungesë në furnizim, vetëm se njerëzit po blejnë tri deri në pesë herë më shumë sesa zakonisht”, tha ai.

Zoti Trump foli në konferencë me anëtarë të task forcës kundër koronavirusit por nuk pranoi pyetje.

Koronavirusi tha ai,“është diçka që e kemi nën kontroll”, përpara se nënpresidenti Mike Pence, drejtues i Task Forcës, të fliste një orë.

Disa zyrtarë u shprehën të kujdesshëm rreth rrugës që i pret ShBA.

“Më e keqja ende është para nesh” tha drejtuesi i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Dr. Anthony Fauci, ndërsa sekretari i shëndetit Alex Azar, paralajmëroi mundësinë që pandemia të mbingarkojë sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor.

Komentet bëhen ndërsa më shumë shtete po urdhërojnë masa që ndalojnë grumbullimet publike.

Guvernatori Gavin Newsom urdhëroi mbylljen e të gjithave bareve në shtetin më të populluar të ShBA, Kaliforni.

Ai gjithashtu deklaroi se personat 65 e më shumë vjeçarë duhet të qëndrojnë në izolim në shtëpi, pasi janë të rrezikuar nga COVID-19.

Vendimi i guvernatorit të shtetit të Ohajos, Mike DeWine, ndalon qytetarët të hanë brenda restoranteve. Mundësia e vetme është të marrin ushqimin me vete ose të porosisin nga shtëpia.

Masa të njëjta janë ndërmarrë edhe në Nju Jork dhe Los Anxhelos, dy qytetet më të mëdha në vend. Kjo pas rregullave të reja të prezantuara nga kryetarët e bashkive të dy qyteteve që të mbyllen të gjitha vendet e argëtimit si kinematë.

“Po marrim një seri veprimesh në kuadër të përpekje për të shpëtuar jetët e më të dashurve tanë dhe fqinjëve” tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Rekomandimet e Qendrës Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve sugjerojnë ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 50 njerëzve gjatë 8 javëve të ardhshme.

FAUCI: ÇDO MUNDËSI ËSHTË NË TRYEZË

I pyetur nëse duhet të ketë masa mbarëkombëtare siç bënë vendet tjera, zoti Fauci tha se çdo mundësi është në tryezë dhe se gjithçka do të bëhet për të mbrojtur popullin amerikan.

Zyrtarët në 35 nga 50 shtete ose kanë mbyllur shkollat ose kanë rekomanduar të mbyllen.

Radhë të gjatë dhe panik është vërejtur në aeroportet e vendit ndërsa autoritetet po punojnë me rregullat e reja që synojnë parandalimin e virusit.

Radhët e gjata janë të papranueshme, tha sekretari në detyrë i sigurisë kombëtare, Chat Wolf, ndërsa shpjegoi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se procesi është rregulluar dhe se pritjet kanë rënë për 30 minuta.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare ata me shtetësi amerikane dhe banorët që kthehen nga vendet me të cilat janë ndërprerë fluturimet, duhet të kryejnë teste mjekësore para se të kthehen.

Nëse nuk kërkohet trajtim mjekësor, këta qytetarë dërgohen në shtëpi ku kalojnë dy javë në vet-karantinë.

Të huajt që jetojnë në ShBA por që kanë udhëtuar në vendet e ndaluara, nuk do të lejohen të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha se ata duhet të udhëtojnë në një vend të tretë, që nuk është vend i ndaluar nga ShBA, ku duhe të presin për dy javë në vet-karantinë përpara se të nisen për Shtetet e Bashkuara.

ShBA ka më shumë se 3 mijë e 700 raste të konfirmuara me koronavirus, në 49 nga 50 shtete.Në mbarë vendin janë raportuar 67 vdekje.

PAKETË EMERGJENCE

Senati, që kontrollohet nga republikanët, të hënën shqyrton një paketë të emergjencës të cilën dhoma e përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët e ka miratuar.

Legjislacioni parasheh fonde për bizneset e vogla dhe të mesme të cilave u janë rritur shpenzimet nga lejet e sëmundjeve. Fondi ndihmon edhe individët që humbën pagën pasi u futën në karantinë ose nga aktiviteti i reduktuar ekonomik.

Në qendër të masave emergjente të presidentit është shtimi i testimeve për koronavirus.

Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për ritmin e futjes në përdorim të pajisjeve të testimit ndërsa zoti Trump kërkoi rritje të kapacitetit testues, që përfshin edhe pikat ku njerëzit shkojnë me makinë për t’u kontrolluar nëse kanë simptoma.

Shtëpia e Bardhë tha se 1.9 milion teste do të mundësohen këtë javë dhe një faqe online do të jetë e aksesueshme brenda pak ditësh, e cila do të jetë në shërbim të atyre që janë prioritet i testimit.

Rekomandimet për distancën shoqërore po i respektojnë edhe korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë të cilët nga e hëna janë më pak në numër. Secili reporter do të ketë ulësen e tij dhe një hapësirë boshe anash.

Rekomandimet që njerëzit të mos mblidhen në grupe solli vendimin e rrjetit të kafeneve të Starbucks që njerëzit mund të marrin kafe me vete por jo të ulen në mjediset e tyre.

***

Shqipëri: 51 qytetarë të prekur nga COVID-19

Ministria e shëndetësisë bëri sot të ditur se u ngjit në 51 raste numri i qytetarëve të prekur nga Covid-19, nga 42 që ishte dje.

Nga 31 teste tek persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, në 24 orët e fundit u konfirmuan kështu edhe 9 raste të reja me COVID-19. Rastet e reja u shtuan 8 në Tiranë dhe një në Fier.

Tirana ka sot 34 raste nga 26 që ishin dje, Fieri ka 6 raste nga 5 që ishin dje, Durrësi ka 5 raste, ndërsa Lushnja, Elbasani, Rrogozhina me nga 2 raste përkatësisht.

Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha sot se në Spitalin Infektiv janë shtruar 20 persona nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.

Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të qëndrueshme.

Janë testuar gjithsej deri tani 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 51 raste me COVID-19.

Zonja Rakacolli shtoi se nga testimi i personelit shëndetësor dolën pozitivë me COVID-19 edhe 4 punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, një mjek dhe 3 infermierë. Ata kanë qenë në kontakt me një pacient, i cili u vizitua nga një i afërm i tij, që vinte nga Italia, por nuk e deklaroi këtë fakt.

Pacienti i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili u infektua nga i afërmi dhe më pas ua kaloi virusin 4 punonjësve të shëndetësisë, tashmë është transferuar në Spitalin Infektiv.

Mjeku dhe 3 infermierët e Spitalit “Shefqet Ndroqi” që rezultuan pozitiv, janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.

Ministria e shëndetësisë u kërkoi qytetarëve të mos shkojnë nëpër spitale për vete apo për vizita tek të afërmit, të moshuarit të mos dalin nga banesat, ndërsa ata që testohen duhet të tregojnë saktë nëse kanë udhëtuar jashtë vendit ata ose familjarë të tyre, që të mos rrezikojnë personelin shëndetësor.

Qeveria miratoi një akt normativ me masa të posaçme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19. Masat që u zbatuan në Tiranë e Durrës këtë javë do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. 

Qeveria vendosi që të ndalojë edhe qarkullimin e këmbësorëve në gjithë vendin, duke nisur nga sot në orën 18 me orën lokale. Qytetarët jashtë këtij orari do të gjobiten.

Shqipëria ka bllokuar sot të gjithë pikat kufitare dhe udhëtimet me vendet fqinje, si dhe ka bllokuar gjatë fundjavës qarkullimin rrugor, baret, restorantet dhe ka mbyllur sistemin arsimor dhe të gjithë objektet, stadiume, kinema ku ka grumbullime masive të qytetarëve.

Kosovë: Shkon në 13 numri i të infektuarve me koronavirus

Në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus arriti në trembëdhjetë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkroi në mëngjesin e së hënës se “bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datën 13 mars. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, shkroi ai.

Shtëpia e Bardhë nxjerr udhëzime të reja për koronavirusin/

Shtëpia e Bardhë po u bën thirrje amerikanëve të moshuar të mos dalin nga shtëpia, gjithashtu po nxit të gjithë popullatën të shmangë vende publike me turma njerëzish, ndër to edhe restorantet.

Sugjerimet e reja janë pjesë e udhëzimeve të gjera që kanë bërë autoritetet për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Presidenti Donald Trump dhe grupi i punës që ai ka emëruar në përgjigje të koronavirusit nxorën udhëzimet e reja, në një kohë kur qeveria federale po punon për të shtuar ritmet e analizave për virusin dhe për të reduktuar dëmin nga paniku në tregjet financiare.

Ndër rekomandimet e reja: gjatë 15 ditëve të ardhshme amerikanët nuk duhet të mblidhen në grupe më të mëdha se me 10 vetë, studentët duhet të vazhdojnë të ndjekin studimet nga shtëpia dhe duhet të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme dhe vizitat tek njeri-tjetri.

Nëse një pjesëtar i familjes rezulton pozitiv për virusin, të gjithë pjesëtarët e tjerë duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Në komentet në sallën e konferencave për shtyp, Presidenti Trump tha: “Nëse të gjithë bëjnë modifikime të tilla dhe sakrifica në jetën e përditshme, do të arrijmë si komb ta mundim virusin dhe së bashku do të fesojmë”.

Për shumicën e popullatës, infektimi me koronavirus do të shkaktojnë probleme të vogla, simptoma të lehta si kollë dhe temperaturë. Për disa, sidomos për personat e moshuar dhe ata që kanë problem shëndeti, mund të sjellë komplikime, ndër të cilat pneumoni. 

Pjesa më e madhe e njerëzve të prekur do ta kalojnë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit me simptoma të lehta e kalojnë për dy javë, ndërsa ata që e kanë më të rendë duan tre deri në gjashtë javë ta marrin veten.(Kortezi- Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Koronavirusi, Kosove, shqiperi

KORONOVIRUSI- Qeveria shqiptare shpall “shtetrrethim”

March 12, 2020 by dgreca

Policia e Shtetit ka publikuar masat që do të aplikohen qysh nga dita e nesërme në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në kuadër të këtyre masave, policia bën me dije se nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:

1. Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.
2. Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.
3. Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresës së email: policiarrugore@asp.gov.al, listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.
4. Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.
5. Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.
6. Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.
7. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.

Kryeministri Rama: Do mbyllen qendrat tregtare, por jo furrat e bukës, ushqimoret dhe farmacitë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë shpjegime të reja për 3 ditët e shtetrrethimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Rama qetësoi të gjithë qytetarët se nuk do të mbyllen furrat e bukës, ushqimoret dhe farmacitë. Ndërsa shpjegoi se do të mbyllen qendrat tregtare që nuk ofrojnë shërbime ushqimi.

“Do të pezullohen aktivitetet brenda qendrave të mëdha tregtare që nuk janë të lidhur me shërbimin për ushqim apo farmaceutike. Dyqane rrobash, parfumesh do të mbyllën në mënyrë që të ruhen të gjithë. Ndërkohë që çdo shërbime për ushqime do të jetë hapur. Është dëmshme që të shkojmë të marrim me radhë furrat e bukës. Për blerjen e ushqimeve, medikamenteve do të jetë gjithmonë e mundur që të lëvizet. I gjithë zinxhiri ekonomik do të mbahet për këtë fazë këtu ku jemi. Nesër paradite ushqimoret, furrat e bukës, farmacitë do të jenë hapur”

Kush do të qarkullojë?

Qarkullimi do të jetë i hapur për ambulancat, makinat që kryejnë shërbim shëndetësor dhe social, për farmacitë, për personelin që furnizon me ushqime, me shërbime kateringu, shërbime postare, zjarrfikës, funeral dhe të gjithë personelin që është i lidhur me sistemet e furnizimit me energji apo ujësjellës kanalizime, plus personeli i policive private të ruajtjes së objekteve, gjithashtu personeli i shërbimeve të internetit“.

Rama sqaroi si duhet vepruar për tu akredituar për qarkullim

“Për të gjitha këto ka një metodë shumë të thjesht, në adresën policia rrugore asp.gov.al administratori i kompanisë duhet të dërgojë listën e personelit emër mbiemër, nr telefoni, nr e targës  se makinës. Është një mënyrë fare e thjeshtë për këtë shpejtësi dhe do të shohim si do të funksionojë. Do të ndiqet e njëjta mënyrë për mediat. Mediat duhet ti drejtojnë në adresën asp.gov.al kërkesën me të gjithë emrat me të njëjtin sistem. 

 Edhe qarkullimi i makinave të personave me sëmundje kronike, me dokumenton e nevojshëm për trajtimin e tyre është i hapur, siç është i hapur qarkullimi për persona që bëjnë kujdes sopcial për të moshuar”

Rama: Nëse numri rritet më shpejt sesa masat, do jemi në vështirësi

“Nëse numri do të na rritet më shpejt sesa masat atëherë do të jemi në një pozitë shumë të vështirë, por askush nuk i di të gjitha në këtë situatë. Këto që po ju them janë të konfirmuara nga burimet e ekspertizës. Kjo nuk është një shaka, ku secili mund të japë opinionet e veta “

Çfarë do të ndodhë pas të dielës?

“Para se të vija këtu po dëgjoja kryeministrin britanik i cili shpjegoi pse në Britania nuk do mbyllë shkollat dhe universitet. Është një qasje, por përsa na takon ne do ndjekim qasjen e përshkallëzimit strikt sipas planit për të ngadalësuar shpërndarjen e virusit”. 

Jo fluturime në Itali dhe SHBA, kompanive i kemi kërkuar garantimin e fluturimit ne një datë tjetër

“Patjetër nuk ka kufizim për fluturimet, përveç Italisë dhe Amerikës. Pra kush ka biletë për në Itali apo SHBA duhet të presë momentin kur do të rihapet fluturimi dhe rimbursimi apo më shumë sesa rimbursimi që s’ka për të ndodhur, kompanitë duhet të garantojnë fluturimin në një datë tjetër. Kjo është gjëja që i kemi kërkuar kompanive.

Të gjitha ata që kanë bileta për në Itali me air albania do të kenë të rezervuar vendin në momentin kur të hapen fluturimet.

Masat janë dinamike dhe progresive. Masat nuk ndalojnë ardhjen e virusit, por ta ngadalësojmë shpërndarjen.”

Filed Under: Politike Tagged With: Coronovirus, shqiperi, shtetrrethim

Në Shqipëri kudo ta lypin or zotëri

January 11, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që puna e këtij gjyqtarit nga Fieri është dominante në webet tona. Dhe shumë syresh ngrejnë supet, gajasen, i vënë gojës dorën përsipër etj. Sikur çfarë ka ndodhur. Çfarë ka bërë ai gjyqtari?! Mirëpo në Shqipëri kudo ta lypin or zotërinjë, zonja a shoqe. Nuk e di përse habiteni. Kudo…

Tek gjendja civile për një çertifikatë. Tek përmbarimi. Tek patentat, tek kouladimi i mjeteve. Tek lejet e çiftes. Tek vërtetimet në fakultete. Tek posta. Tek abonentë, kartat e identiteti, pasaportat. Kudo. Në korridoret e spitaleve nuk bëhet fjalë, të rjepin deri sa të dali grima e fundit e frymës. Ku nuk të rrjepin e nuk ta lypin në Shqipëri? Ku? Në dogana?

Mos e fol. Të gjallë të rjepin. O ta marrin atë ”kafenë” e përqindjes, o kurrë nuk të zhdoganohet malli. Ne kemi postulat në gojë faktin, njoh unë dikë aty. Kam një mik. Ta rreugulloj unë. Shkojmë bashkë. Le të jetë edhe institut për studimet bërthamore ne, do ta modifikojmë ligjin, do i modifikojmë shkresurinat, do ta punësojmë për hatër të mikut një kasap. Jemi unikal për këtë… miku të bën artist, miku të bën shkencëtar. Miku të paguan për gjithë jetën qyl. Miku dhe partia…

A e dini se si mu përgjigj një herë një zonjë boll e kualifikuar. Dhe me një bagazh dijesh. Kur e pyeta pse e papunë. Më tha, sepse jam pa parti, nuk kam para të tepërta të jap, tua fus nën dorë, nuk di të hap shalët. Ja tre arsye ku mund të vdesësh i papunë. 

Kjo është Shqipëria jonë vëllezër.

Megjithatë gajasemi me një gjyqtar që ta lyp. Që palos eurot në një lokal të zbrazët. I gjithi në dispozicion të tij. Të kujton ato pamjet e filmave me kapot e mafiozëve, kur uleshin dy koka e vulosnin. Përreth vetëm tavolina të zbrazta. 

Dhe ky është fundi. Ose rënia në batak e një shoqërie e cila po e ha të gjallë vetveten. 

A ka rrugë për ta ndalur këtë theqafje. Pa asnjë diskutim që ka. Duke filluar së pari nga shteti vet. Eshtë fare e kollajshme, çdo fund viti të verifikohen të ardhurat. Fare e kollajshme. E kemi përsëritur sa jemi bërë shkumaxhinj nga goja. Gjyqtar je zotrote? Po.. sa e ke pagën, sa ke marr për një vit. Dalin të gjitha. Kaq. Dhe çfarë janë teprica, kuptohet se nga vinë. Dhe me to merret ligji pastaj. Por ata nuk duan ta bëjnë këtë. Sepse, së pari u nxjerrin sytë vetvetes. Nuk duan ta bëjnë që nga qeveria. Shtetarët e ardhur me votë. Së dyti nuk duan ta bëjnë as opozitarët. Lëre çfarë kërkojnë vetingun e figurave politike. Eshtë një blof spektakolar. Asgjë tjetër. Por ajo që më habit dhe që është e treta në radhë…, është fakti po ne, ju, të gjithë, si shoqëri përse nuk kërkojmë një veting rrënjësor nga 1990-ta e këtej. Një zbythje totale e kastës që erdhi nga apartamentet një dhomë e guzhinë, nga sekretariatet e partisë së punës, katovica etj., dhe që sot janë sipërmarrës a investitorë dhe në masën 100% i kanë nipërit e mbesat me studime jashtë duke varrosur traditën dhe universitetet tona. Pra për një katarsis kombëtar. Dhe të gjitha këto me paratë e taksave, të rrjepjes, rryshfetit, lypjes, poshtërimit, burgosjes. Kjo më habit, neglizhenca jonë. Dhe dashuria e pafund karshi këtyre kryetarë a kryeministra, partish etj. Aq sa kam përshtypjen se vendi tashmë, është plotësisht i angazhuar, vend partiakësh, jo qytetarësh. 

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet kjo rënie, ky degradim, ky fund plot dimër thashethemesh e kamerash të fshehta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kudo ta lupin, shqiperi

Kush e mban në Shqipëri Mostafa Mohammadin?

August 10, 2018 by dgreca

Shkruan: Çerçiz Loloçi/

Prej një kohe të gjatë qëndron në Shqipëri Mostafa Mohammadi dhe bashkëshortja e tij me preteksin se do të takohet me vajzën e vet, Somayeh, “që mbahet me forcë nga grupi i rezistencës iraniane që jeton përkohësisht në Shqipëri”.

Madje Mostafai i është drejtuar me një letër publike si ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ashtu edhe ish deputetit socialist Namik Kopliku (bashkëkryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri- Rezistenca Iraniane) që t’i mundësojnë një takim me vajzën e tij në vendin tonë dhe që në përfundim ta ndihmojnë për ta kthyer në vendlindjen e saj. Lidhur me këto dy letra nuk ka kthyer përgjigje publike Fatmir Xhafaj, ndërsa Namik Kopliku ka bërë një ballafaqim të kërkesave të tij me dëshminë e vet vajzës.

Para kësaj dëshmie, në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazetën Shqiptare (http://www.gsh.al/2018/08/02/intervista-somayeh-mohammadi-jam-muxhahedinet-deshire-sjam-peng-ja-e-verteta-per-babain-tim/) Somayeh Mohammadi ka pohuar se pretendimi i Mostafait se “mbahem peng nga MEK” është një gënjeshtër qesharake… Unë jam në Shqipëri që është vend i lirë. Unë vendos për veten time. Jam 38 vjeç. Ky është vendimi im; nuk kam ndërmend të takohem me njeriun që është agjent i Ministrisë së Inteligjencës së një regjimi vrasës. Kam zgjedhur të luftoj për lirinë e popullit të vendit tim i cili është nën sundimin e një diktature mesjetare…”.

Zonja Mohammadi ka shkruar edhe një libër rreth kësaj, të titulluar “Fundi i një komploti”. Në këtë libër ajo shpjegon se si i ati, i cili është dërguar tani në Tiranë, ishte rekrutuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit dhe se si ai ishte bashkëpunëtor në vrasjet e anëtarëve të MEK në Irak.

Gjithashtu ajo shpjegon publikisht se në 1998, e ka lënë me vullnetin e saj banesën në Kanada dhe, si shumë iranianë të tjerë që e duan lirinë, u bë pjesë e PMOI dhe shkoi në Kampin Ashraf në Irak. Pas kësaj ka ardhur në Shqipëri me miqtë e mi të tjerë, pasi u larguan nga Iraku. “Kur ishim në Irak, thotë ajo, regjimi iranian mundi të keqpërdorte disa anëtarë të familjeve tona, përfshirë tim atë, kundër PMOI duke i kërcënuar apo joshur ata. Pas takimeve të tij me mua në Kampin Ashraf në Irak në vitet 2002, 2003 dhe 2004 dhe pasi u kthye në Kanada, ai deklaroi papritmas para shtypit dhe autoriteteve kanadeze se PMOI më kishte mbajtur me forcë në Kampin Ashraf kundër vullnetit tim. Ai krijoi blog-e propaganduese në emrin tim në internet, dhe, duke publikuar fotot e mia personale në këto blog-e, dhe duke aplikuar trysni të tjera, ai donte të më bënte të dorëzohesha dhe të bashkëpunoja me regjimin iranian. Bashkëpunimi i tij me shërbimin e inteligjencës së regjimit iranian (MOIS) si dhe shpifjet kundër meje dhe PMOI vazhduan deri në atë pikë saqë, në mënyrë që të bisedonin personalisht me mua dhe të më çonin në Kanada, një delegacion nga qeveria kanadeze erdhi disa herë në Kampin Ashraf në Irak. Çdo herë, në takimet e mia private me delegacionin e qeverisë kanadeze, u kam shpjeguar atyre se qëndroja me PMOI me vullnetin tim të sinqertë. Pasi nuk kisha më asnjë dyshim se Mostafa Mohammadi, pa asnjë dashuri familjare, po më keqpërdorte si një mjet për të fituar para dhe për të realizuar misionet e MOIS kundër PMOI, unë i ndërpreva të gjitha lidhjet dhe takimet me të përgjithmonë”.

Pak a shumë këto pohime 38-vjeçarja iraniane i ka dhënë edhe në videon ku ballafaqohen pretendimet e babait të saj, agjent i shërbimit sekret të regjimit iranian dhe të vërtetat e saj. Burime të besueshme e lidhin praninë e tij edhe me krimin e shëmtuar të regjimit Iranian ku u masakruan 141 persona në kampin e Ashrafit. (Dëshminë e plotë të zonjës Somayeh e ndiqni në linkun https://www.facebook.com/100010445585784/videos/pcb.665519517139562/665513257140188/?type=3&theater).

Në këto rrethana është e pakuptueshme se si ky person lejohet të qëndrojë ende në Shqipëri, teksa përbën rrezik jo vetëm për sigurinë e muxhahedinëve paqësorë, por edhe për atë në vendin tonë. Ka qenë vetë Departamenti Amerikan i Shtetit që ka njoftuar zyrtarisht vendet aleate dhe partnere që të bënin kujdes me diplomatët e rinj iranianë, të cilët ishin zëvendësuar me agjentë të shërbimit sekret të regjimit të Ruhanit.

Burime nga përfaqësues të rezistencës iraniane thanë për mediat se ata kanë bërë kallzim penal në polici dhe ende nuk shikojnë të bëhet asnjë veprim.

—————————————-

Post Scriptum: Kjo është deklarata e Mostafa Mohammadit në kampin e Ashrafit ku u vranë 141 persona: “Po i dhashë urdhër të sulmojnë natën; a e dini se asnjëri prej jush nuk do të mbetet gjallë? Mos përhapni fjalën se kanë ardhur një numër mercenarësh. Ne kemi ardhur këtu me dokumenta zyrtare. Dokumentat tona janë me udhëheqësit në Baghdad dhe me ushtrinë në Baghdad. Kjo e bërtitur që po bëj do t’ju kushtojë shtrenjtë një ditë, ditën që të lidh litarin rreth qafës së secilit prej jush dhe t’ju var. Rroftë Republika Islamike e Iranit”.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cerciz Loloci, Mustafa Mohammad, shqiperi

KUJTESË- VIZITA HISTORIKE E ATIT TE SHEJTË PAPA GJON PALI I DYTË NË SHQIPËRI

April 25, 2018 by dgreca

IMG_7760koliqiIMG_7762IMG_7757papa.tirane.25.04.93300px-Foto10

Nga Tonin Mirakaj/Nju Jork/

25 vjet më parë, me 25 Prill 1993, Shqipëria priti me shumë kënaqësi, gëzim dhe shpresë Atin e Shejtë Papën Gjon Pali i Dytë.Kjo ishte vizitë e parë e një Pape në Shqipëri, në historinë  2000 vjeҫare të Katoliҫizmit. Ishte një kohë tranzicioni nga një regjim diktatorial që sundoi vendin për ma se 45 vjet, një demokraci që ishte në agim të sajë, duke sjellë dritë mbas natës së errtë dhe të gjatë, dhe shpresë për një të ardhshme  më të mirë, në gjirin e  Europës që Shqipëria i takonte.Dihet se 554 vjet më parë,me 1464, Papa Piu i Dytë, Shejtëria e Tijë Enea Silvio Piccolomini ishte përgatitë të udhtonte në Shqipëri, por mjerisht ndërroj jetë para se të nisej.

Thuhet se qëllimi i Tij ishte të ngrinte në Kardinal, Imzot Paul Engjellin, që ishte në atë kohë kryeipeshkëv i Durrësit, dhe të kunorezonte Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, si komandant i forcave të krishtera anti otomane.

Rregjimi komunist kishte shkatërue krejtsisht Kishën katolike, ekzekutue dhe burgosë klerin, mbyllën të gjithë seminaret dhe shkollat fetare të të tri besimeve kryesore, dhe që nga viti 1967, Shqipëria ishte deklerue “shteti i parë atheist në Botë”!

Asnjë shtet tjeter, nuk e shoqëroi Shqiperinë ne këtë nismë të mbrapshtë anti fetare.Shqipëria ishte i vetmi shtet  në Botë,e ashtu mbeti deri sa i erdhi fundi komunizmit.

Që nga viti 1990,diktatura kishte marre fund,dhe kishte linde demokracia.Kisha, Xhami dhe qendra fetare, kishin fillue ringjallje, te drejtuara nga ata pak klerike qe kishin mbijetue ne burgje dhe kampe pune te detyrueshme te regjimit komunist.

Nje fukarallek i pergjithshem, ishte rrezultat i centralizimit te ekonomise, qe pushteti kishte vendose ne te gjith vendin.Zhvillimi i ngjarjeve ne Shqiperi, qe nga fillimi i vitit 1991 vazhdonte me nje shpejtesi qe tronditi themelet e sistemit diktatorial, qe sundoi vendin mizorisht qe nga viti 1945.Ishte e qarte se ndryshimet rrenjesore ishin te pa evitueshme.Zeri i popullit  shqiptar “liri-demokraci” ushtonte ne mbare vendin.Regjimet komuniste ne Europen Lindore kishin rene njeri mbas tjetrit, gje qe i trondiste udheqesit e vendit.Ndoshta vrasja e Ҫausheskut  i friksoi,dhe e kishin te qarte se u ishte afrue fundi. Me 22 shkurt, rrezohet shtatorja e Enver Hoxhes, qe qender te Tiranes. Me 5 Mars 1991, vendosen mardhenie diplomatike ne mes Shqiperise dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Me 20 Mars, nje delegacion nga Selia e Shejte (Vatikani) i kryesuar nga Nensekretari i shtetit  per marredhenie shtetnore, Imzot Celli viziton Shqiperine. Njoftohet lirimi nga burgjet i 258 te burgosurve politik. Mbahen zgjedhjet e para shume partiake, ku natyrisht se  fiton PPSH, por fitore e tyre nuk eshte e pranushme.Demostrata vazhdojne,nga se zgjedhjet ishin te manipuluara.

Me 18 Maj 1991, delegacioni i dyte i Selise se Shejte, i kryesuar nga Ipeshkvi Arberesh i Lungros,Imzot Erccole Lupinaci vjen ne Shqiperi. Gjat qendrimit prej dy muajsh,themeluen Veprimin Katolik dhe Karitasin Shqiptar. Me 22 Maj,vendosen mardhenie diplomatike me Britanine e Madhe.

U formue qeveri koalicioni me kryeminister Ylli Bufi, i krahut te moderuar te PPSH.Minister i ekonomise u emrue Gramoz Pashko qe ishte njeri nga udheheqsit e Partise Demoratike.Ngjarje te rendesishme vazhojne. Sekretari i Shtetit Amerikan James Baker viziton Shqiperine.Pritet nga nje turme prej  200 mije shqiptaresh ne sheshin “Skenderbej “ne Tirane. Zoti Baker premtoi ndihma, dhe keshillon masen te vazhdojne rrugen drejt demokracise.

Ne Tirane hapet Kisha e Zemres se Krishtit, dhe Kathedralja Orthodokse e Lajmerimit te Zojes. Kryeministri i Shqiperise Ylli Bufi pritet ne audience nga Ati i Shejte, Papa Gjon Pali i dyte.Italia pregatite nje program ndihmash te shpejta per Shqiperine.Ne kete kohe PD vazhdon pregatitjen, forcon poziten e saje politike,dhe Sali Berisha del ne skene si nje nga udheheqsit kryesor te levizjes demokratike.

Shqiperia dhe Selia e Shejte (Vatikani) vendosin marrredhenje diplomatike.Imzot Ivan Dias, Nunci Apostolik fillon riorganizimin e Kishes Katolike.Ai ne kete kohe sherbente si Ipeshkev per te gjithe Shqiperine.

Me 4 Dhetor 1991, kryeministri Ylli Bufi dekleron se Shqiperia ka grure vetem per 6 dite….. dhe dy dite me vone jep doreheqjen. Ne vend te tij emrohet Vilson Ahmeti.Gjendja vazhdon te keqesohet. Qeveria nuk mund te kontrolloje situaten nga se demostrata vazhdojne pa nderprerje shoqerue nga grabitje te pronave shteterore. Kerkohen dhe zhvillohen zgjedhje te parakoheshme. Fiton Partia Demokratike 61.7 %. Situata ndryshon, dhe njefare qetesie dhe shprese kthehet ne vend. Me 9 Prill, Parlamenti zgjedh Sali Berishen, President. Ramiz Alia jep doreheqjen. Formohet qeveri e re me kryeminister Aleksander Meksin.

Me 7 Maj 1992, Ati i Shejte prêt ne audience Presidentin e pare demokratik Dr.Sali Berishen.

Mbas te gjithe ketyre ngjarjeve dhe shume te tjera, Selia e Shejte njofton emerimin e kater Ipeshkvive, dhe se Ati i Shejte do vizitonte Shqiperine me daten 25 Prill 1993, dhe ne Kathedralen e Shkodres,do zhvillohej ceremonia e Shugurimt.Ky lajm jepet naten e Krishtlindjes me 24 Dhetor 1992, nga Nunci Apostolik Imzot Ivan Dias.Njeni prej ketyre ishte famullitari i Kishes Katolike Shqiptare te New Yorkut, Imzot Rrok Mirdita.Te tjeret: Imzot Frano Ilia,Imzot Zef Simoni dhe Imzot Robert Ashta.Me Shugurimin e tyre, formohej zyrtarisht Hierarkia e Kishes Katolike Shqiptare, qe nuk ekzistonte nga viti 1967. Lajmi se Ati i Shejte Papa Gjon Pali i Dyte do vizitonte Shqiperine, i gezoi te gjithe shqiptaret pa dallim besimi.

Pregatitjet protokollore filluan menjehere, nen drejtimin e Nuncit Apostolik Imzot Ivan Dias.Rindertimi i Kathedrales se Shkodres kishte fillue, dhe duhej te perfundohet  perpara dates 25 Prill.Ne pregatitje te nevojshme asiston edhe qeveria demokratike e vendit.Organizohet nje Kor kishtar i perbere nga tri grupe te ndryshme kengetaresh: Kori i Shkodres qe udhehiqej nga dirigjenti Gjon Kapidani, kori i Prishtines nen drejtimin e maestrit Gjergj Kaqinari dhe kori i Tiranes i udhehequr nga Ermelinda Paparisto. Kori i perbashket kendoi Meshen Gregoriane “De Angelis”nen drejtimin e dirigjentit Gjon Kapidani.

Ne ora 8.30 te mengjesit,me 25 Prill 1993, aeroplani i lindjes ajrore Al-Italia, me mikun e shtrejte te Shqiperise, Shejterine e Tije Papa Gjon Pali i Dyte, ulet ne aeroportin Internacional te Rinasit. Po sa zbret nga aeroplani, Ati i Shejte ulet ne gjunje dhe puth  token Shqiptare, ne sheje respekti per gjakun e Martirve, derdhur nder shekuj ne mbrojtje te fese dhe identitetit kombetar.

Per ta pritur kishin dale ne aeroport Presidenti i Republikes Dr. Sali Berisha me zonjen,Nena Tereze nobeliste e Paqes, Nunci Apostolik Imzot Ivan Dias, kryetari i parlamenti Shqiptar Pjeter Arbenori, kryepeshkopi i Kishes Orthodokse  Autoqefale Shqiptare, Hiresia Anastas,kryetari i Bashkesise Islame  Shqiptare Hafiz Myfti Sabri Koҫi,dhe shume te tjere personalitete te shquara te fese, kultures dhe politikes se vendit .Kishin dale gjithashtu pjestar te trupit diplomatit te akredituar ne Shqiperi.

Ne pershendetjen e rastit, Presidenti Berisha tha: “Shenjteria e Juaj: Eshte kenaqesi dhe nder i veҫante per mua qe ne emer te shqiptarve t’ju uroj, At i Shejte, mireseardhjen ne Shqiperi.Kjo vizite eshte nje gezim i madh per te gjith shqiptaret kudo qe jetojne,eshte nje nder i veҫante per Shqiperine, nje ngjarje e shenuar ne historine e saje.

Ju vini sot ne token e Skenderbeut, ne dheun e Nene Terezes si edhe te qindra e mijra martirve te krishterimit.Kjo vizite shpreh dashurine, respektin, dhemshurine dhe mbeshtetjen Tuaj te madhe per Shqiperine dhe shqiptaret ne ket periudhe te veshtire, por plot shpresa te historise se tyre.Ne vazhdim, Presidenti thote:Ju vini ne Shqiperi sot me misionin e Shen Pjetrit per t’u kujdesur per besimtaret dhe Kishen Katolike, te cilet u martirizuen ne Kalvarin qe lame pas.Dua t’ju falenderoj nga zemra per kete dhe t’ju siguroj se do te keni perkrahjen tone te plote.E perfundon fjalen e Tije me: At i Shejte! Edhe njehere Ju falenderoj dhe nga zemra Ju uroj mireseardhjen ne Shqiperi.Zoti e bekofte kete dite”.

Ne vazhdim, pjese nga fjala e Atit te Shejte:

 “Zoti President,

Te nderuar Perfaqesues te Parlamentit

Te nderuar vellezer Ipeshvij,

Antare  te shquar te Trupit Diplomatik

Vellezer e motra shqiptare fort te dashur: Mire se ju gjej!

Me gezim dhe mirenjohje ndaj Zotit vizitoj sot per here te pare ket toke te dashur shqiptare…

  Mbasi falenderon Kryetarin e shtetit, Ati  i Shejte vazhdon: Pershendes me dashuri Arqipeshkvin Anastas dhe besimtaret e Kishes Orthodokse, e lidhur me ne nga besimi ne Krishtin, e nga detyra per bashkepunim aktiv ne perhapjen e Ungjillit. I drejtoj nje pershendetje te perzemert  Kryemiftiut Sabri Koҫi, duke kujtuar takimin tone ne janarin e kaluar ne Assisi, per te kerkuar nga Zoti dhuraten e paqes ne Europe dhe Bote.

Ty, o popull shqiptar, ta drejtoj pershendetjen time te ngrohte dhe te dashur! I dime te gjithe ngjarjet e trishtueshme qe te eshte dashur te perballosh, veҫanerisht ne 25 vitet e fundit. Vite te nje mundimi te vertete,pasojat e te cilit, koha me veshtiresi do te arrije t’i fshije dhe Europa dhe gjith bota nuk duhet t’i harrojne……. Sot jam i gezuar qe mund te ndaj me ty, Vend i pasur me tradita kulturore dhe shpirterore, gezimin per lirine e rifituar”.

Mbas perfundimit te ceremonise ne Aeroport, autokolona me Atin e Shejte,grupin qe  shoqeronte dhe autoritete te vendit, niset drejt Shkodres,ku do zhvillohej ceremonia e Shugurimit te kater Ipeshkvive Shqiptar, qe zyrtarisht  formohej Hierarkia e  Kishes Katolike Shqiptare.

Shkodra ishte mbushe plot me shqiptar te ardhur nga e gjith Shqiperia, Kosova, Mali i zi, vende Europiane dhe Amerika.150 shqiptar nga Famullia “Zoja e Shkodres”ne New York dhe 50 nga Kishat e Detroitit kishin mberrijte ne Shkoder.Qyteti ishte zbukurue me parulla qe uronin mireseardhje Atit te Shejte,dhe flamur te Shqiperise, Vatikanit dhe Amerikes.Shkodra ishte ne feste!

Kathedralja ishte plot, me rreth 4000 persona dhe sheshi perpara me disa dhetra mijra.Ishte nje gezim qe nuk ishte pare ndonjehe me pare.

Hyrja ne Kathedrale e Nenes Tereze dhe e udheqesve te shtetit, nder te cilet Presidenti Sali Berisha me zonjen,Pjeter Arbenori, ministri Alfred Serreqi, u priten me duartrokitje qe vazhduen per disa minuta. Ne ora 11.40  hyn ne Kathedrale procesioni me Atin e Shejte, shoqerue nga 6 Kardinal,nder te cilet Eminenca e Tij John Kardinal O Connor, Argjipeshkev i New Yorkut, 150 Ipersshkvij dhe qindra priften, freten dhe gjakoj.Brohoritje, duartrokitje te shoqeruara me lot gezimi,

vazhduen pa nderprerje deri sa Ati i Shejte mbrrini ne krye te Altarit.

Simbas programit, Atin e Shejte e pershendeti Nunci Apostolik Imzot Ivan Dias, i cili ne mes te tjerash tha: “Me gezim te madh e gjith Shqiperia katolike, orthodokse dhe muslimane Ju presin sot.Shqiperia e njohur si toke e mikpritjes, e beses dhe burrerise i thote me gjithe zemer Shejterise Suej: Mire se vjen, kush vjen ne emer te Zotit.

Eshte Shqiperia e ungjillizuar nga Shen Pali, e cila njohi momente te lavdishme ne historine e saj te krishtere prej dy mije vjetesh dhe i dha Kombit njerez te shquar te fese, te shkences dhe kultures. Eshte shqiperia e heroit kombetar dhe patriotit te krishtere, Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i cili i dha popullit shqiptar sensin e unitetit dhe identitetit kombetar.Eshte Shqiperia, qe ne kohet tona i ka dhene botes Nene Terezen e Kalkutes, apostull i vertete i dashurise ne sherbim te pervuajtur per me te varferin e te varferve.

………Vizita e sotme e Shejterise Suej na mbush me gezim te madh. Le te jete vepra aterore qe kryeni sot me shugurimin e ipeshkvive te pare shqiptar pas ketij mundimi te gjate, lajmetare dhe fillim per kohe te reja per Kishen Katolike dhe per gjith popullin shqiptar”.

Ne ket kohe,Nunci Apostolik, i paraqet Atit te Shejte kandidatet per shugurim. Aj pergjigjet :”I prendoj me kenaqesi”.

Mbas ceremonies se shugurimit, vazhdon Eukaristia e dites, me celebrant Atin e Shejte, shoqerue nga kori i perbashket kishtar, nen drejtimin e dirigentit Gjon Kapidani.

Nga ballkoni i Argjipeshkvise Ati i Shejte pershendeti turmen e madhe perpara Kathedrales, dhe u paraqiti Argjipeshkvin e Arkidiocesit te Shkodres Imzot Frano Ilia  dhe ndihmesin e Tije Imzot Zef Simoni.Ne fund, tha keto fjale per Nene Terezen:

“Te dashur,Nuk mund te mos pershendes nje njeri fort te pervuejtur qe ndodhet ne mes nesh.Eshte Nene Tereza e Kalkutes.Te gjithe e dine nga vjen,cili eshte Atdheu i saje.Atdheu i saj eshte ketu.Edhe ne kohet e izolimit te plote te Shqiperise ishte kjo rregulltare e pervuajtur, kjo sherbyese e me te vorferve qe perҫonte ne tere boten emrin e Atdheut tuaj.Ne personin e Nenes Tereze Shqiperia eshte nderuar gjithmone……. Ju falenderoj sot ne emer te Kishes Universale, ju falenderoj te dashur shqiptare, per kete bije te tokes tuaj”.

Ne ora 5, Ati i Shejte u nis drejt kryeqytetit te Shqiperise Tirane. Aty, i beri nje vizite kortezie Presidentit te Republikes ne pallatin e Brigadave.Beri gjithashtu nje vizite te shkurte ne Nunciaturen Apostolike.Ne ora 7.30, Ati i Shejte arrijti ne sheshin Skenderbej, ku e prisnin disa qindra mijra shqiptare pa dallim besimi.

Ndersa Ati i Shejte bashke me Nenen Tereze, Presidentin e Republikes, Argjipeshkvin e ri te Durres Tiranes, Imzot Rrok Mirditen, Kardinalin e New Yorkut dhe te tjere shoqerues, zune vend ne tribune perpara Muzeumit Kombetar, nje grup kercimtaresh, te veshur me kostume kombetare, luante valle tradicionale qe dukej qarte se Ati i Shejte i pelqente.

Ne kete rast, u mbajeten fjalime nga Presidenti Sali Berisha, Ati i Shejte Papa Gjon Pali i Dyte dhe Argjipeshkvi Imzot Mirdita.Perkthyes i fjalimeve ishte Dom David Xhuxha,drejtor i seksionit shqiptar prane Radio Vatikanit.Brohoritje, duartrokitje dhe thirrje “Rrofte Papa” kjen te shpeshta gjate fjalimeve, te cilat shprehnin kenaqesine qe ndiente turma per viziten e Papes ne Shqiperi.

Me se 500 gazetar dhe reporter, nga e gjith bota shoqeronin Papen ne ket vizite historike ne Shqiperi. “Katholic New York” kishte dergue reporterin John Burger dhe fotografen Maria Bastone, te cilet hollesisht shkruen per ket vizite. “A NEW DAWN FOR ALBANIA” shkruan gazeta Catholic New York,ne edicionin e saje te dates May 6,1993, e cila boton 8 faqe reportazh dhe fotografi shoqeruese per viziten e Atit te Shejte ne Shqiperi.

Ne fjalimet e Tije, Papa Gjon Pali i Dyte, beri thirrje shqiptarve per vllazerim, bashkepunin dhe drejtesi per te gjithe, gjate ndertimit te demokracise dhe shetit ligjor.Thirrje disa here, te mos harrohet e kaluara, keshtu qe mos te perseritet me ne te ardhmen. Sa u praktikuen keshillat e Atit te Shejte, gjate 25 vjeteve, mbetet per tu gjykue nga historia, e shkrueme nga historian te vertete.

Burime per kete shkrim nga:

Papa ne Shqiperi, David Xhuxha

Catholik New York

Dielli,organ i Federates Vatra

Revista Kuvendi

Scarsdale,16/Prill/2018

  • Per me shume foto shihni ne facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: 25 Prill, shqiperi, Tonin Mirakaj, VIZITA E PAPËS

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT