• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një tregim i pabotuar i Andersenit

December 17, 2012 by dgreca

Nga Arjan Th Kallco/

 Autori i famshëm danez flet përsëri për veten. Kështu e kanë shkrimtarët e mëdhenj që gjithmonë nxjerrin nga një trill të fshehur diku në skutat e pafund të botës që të thonë se përsëri janë gjallë dhe mes njerëzve. I njëjti fat u ka buzëqeshur të gjithë atyre që me veprën e tyre jetojnë mes faqeve, disi të zverdhura të historisë së letërsisë, por që zor se perëndojnë, sado që koha të kryejë detyrën  e vet të largimit drejt destinacioneve të rinj të shoqërisë. Do të ketë edhe vendndodhje të tjera, sepse bota ka qënë dhe është në kërkim të modeleve të  përkryera për ekzistencën e vet që edhe kur nuk i gjen, përpiqet të krijojë ato më të mirat, sigurisht kur zgjuarsia është rrugëtarja e parë. Natyrisht vepra e tij më e re që e sjell në kronikat e sotme dhe që mban një titull shumë simbolik që përputhet me atmosferën festive të këtij fundviti dhe me festën tradicionale të Krishtlindjes, quhet Qiriri prej dhjami. Është historia e një qiriri të prodhuar ndoshta për të ndriçuar dhomat e errëta të shtëpisë dhe që në mënyrë krejt të papritur ai rigjen shkëlqimin e vet, me një mjet të imagjinatës së shkrimtarit të madh danez. Dorëshkrimi Qiriri prej dhjami iu nënshtrua shqyrtimit të ekspertëve të cilët janë të një mendje se është një vepër e hershme që i përket rinisë së autorit të përrallave, e shkruar rreth vitit 1820, kur ndiqte ende shkollën e mesme. Një e përditëshme daneze e botoi versionin e plotë të përkthyer në anglisht dhe njëri prej ekspertëve më në zë të tij, Askgaardi, e quajti një zbulim shumë sensacional dhe deklaroi se s’ka asnjë dyshim se vepra i përket atij, dhe është e shkruar me dorën e tij.

Zbuluesi i rastësishëm po kërkonte mes kutive të arkivit kombëtar të Funenit dhe krejt papritur e gjeti dorëshkrimin që përmabnte gjithësej 700 fjalë. Mbi të  dukej qartë edhe dedikimi i tij për Zonjën Bunkelfod me dashuri Anderseni.

Po sipas ekspertëve mund të bëhet fjalë për ndonjë grua të ve, tek shtëpia e së cilës ai shkonte që të lexonte dhe të merrte hua librat e bibliotekës së saj.

Një përrallë e shkurtër e fokusuar tek qiriri prej dhjami, yndyrë shtazore, fryt i një bashkëpunimi të deles dhe kazanit, ku yndyra ishte transformuar në një qiri të bardhë dhe shkëlqyes. Por kaq bardhësie i vihet përballë një jetë e vështirë me duar të ndotura që e prekin dhe e konsumojnë me vetëdije pa asnjë dhembshuri, derisa troket momenti i dhimbshëm i flakjes tutje, si një send i kotë dhe i padobishëm. Përralla vazhdon me monologun e qiririt që pyet veten, i mbytyr nga trishtimi, lidhur me kuptimin e jetës së vet. Por kthesa vjen menjëherë sapo takon një tinder box që e ndez qiririn, duke i dhënë kështu mundësinë e munguar, por të lumtur që të ndriçojë gjithçka përreth vetes në vite . Edhe pse sipas ekspertëve tregimi nuk ka finesën stilistike të veprave më të pjekura, në përrallë ka elementë tipikë të shkrimit andersenian, si p.sh tema e bukurisë së humbur dhe zakoni i autorit, në gjurmët e Ezopit dhe të La Fontenit, që ta përdorë prozopopenë, personazhe të veprave bëhen kafshë dhe sende me karakteristika, dilema dhe difekte tipike njerëzore.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Andersen, Arjan Kallco, i pabotuar, Tregim

TREGIM PËR GERI DEMIN DHE DJEMTË E TJERË SHQIPTAR TË ASTORIAS NE NEW YORK

December 15, 2012 by dgreca

NGA KRISTAQ PAPA-Astoria , NY /

Pasditen e katër nëndorit, Geri Demi, vendosi të mos dilte nga shtëpia -sidoqë s’do të ndodhi ndonjë gjë e madhe ,përsëri më mirë s’po dal, edhe i lodhur jam, justifikoi vendimin e tij dhe pa e zgjatur shumë u fut në dush. Televizorin e la hapur, kështu i qe bëre zakon ,bile në këtë rast e ngriti volumin e zërit më shumë , sikur donte të thyente monotoninë që krijonte mungesa e prindërve të tij dhe e motrës së vetme që e donte shumë .Rastisi që ata ta kishin pronotuar këtë fundjavë të gjatë që pa u publikuar  akoma koha kur do të arrinte në NY tornado” Sandy”. Si doli që andej ,mori një birrë në frigorifer dhe u rehatua në vendin e tij të zakonshëm përball televizorit. Jashtë vazhdonte një shi që mund ta quaje të zakonshëm ,po i shoqëruar me erë. Nuk bëri asnjë ndërrim kanalesh të T V, se ishte i bindur që në të gjithë trasmetohej e njëjta gjë, informacione nga pika të ndryshme të qyteteve të rrezikuara nga Tornadoja që pritej të vinte. I erdhi për të qeshur nga pozicionimi i reporterëve  në pellgje ujë, në rrugë apo pranë ndonjë dege lisi të rrëzuar nga era .Shkëmbeu një sms me motrën dhe ajo i tha se edhe atë natë do të flinin në Florida, në pritje të rregullimit të motit dhe të rihapjes së areoporteve të N Y. Vazhdonin njoftimet për mbylljen e të gjitha shkollave publike e private për ditën e nesërme,të gjithë stacionet e trenit qytetës e ndërqytetës të të gjitha linjave;  të autobuzeve dhe të të gjitha llojeve të transportit publik,bile arrinin deri atje sa të këshillonin edhe qytetarët që pa pasur një nevojë emergjente shumë të madhe të eleminonin të gjitha lëvizjet edhe me automjetet e tyre. Ndërkohë, era qe bërë shumë më e fuqishme ,aq sa edhe xhamat e dritareve, edhe pse të dubluar, dhe që ishin në pozicion jo shumë të ekspozuar në drejtim të  sajë , filluan të kërcisnin. Pa koshiencë, u afrua te dritarja e pasi shmangu perden, përqëndroi shikimin jashtë. Blirët e rrugës edhe pse të vegjël e me kurorë jo shumë të madhe ,forca e erës i detyronte të përkuleshin aq shumë, sa gjethet e mbetura,  puthnin tokën e trungu kryesor  ngelej për minuta të tëra i harkuar, e fortë shumë qenka, i doli me zë mendimi Gerit.

Zilja  e celularit doli mbi zërin e gazetarit në T V. Zilaj e telefonit tingelloi fort. Kapi telefonin dhe  qetësoi Xhaxhi Milin që e merrte nga Shqipëria, duke i thënë se në lagjen e tyre nuk po  ndodh asgjë, është një natë e zakonshme dimri dhe kaq. Në sekond  iu kujtua se atje tani ishte ora gati 3 e mëngjesit.Sa të ndjeshëm jemi ne shqiptarët!

Flini xhaxhi Mili ,flini se ne jemi shumë mirë ,të fala teta Liljanës ,Klodit e Eneas ,nesër do ju marr unë,  po rrini pa merak se ne jemi mirë!

-Ashtu qoftë – I tha xhaxhai- po këtej po thonë, që aty po bëhet nami; nejse natën e mirë, – e  mbylli telefonin xhaxhai. U përqëndrua përsëri në ekran. Kamerat në pozicione fikse jepnin atë pjesë rruge që mund të filmonin dhe komentatorët komentonin se ato tani ishin si një lum i rrëmbyshëm dhe kjo dukej.  Shtëpitë në buzë të oqeanit, të kredhura në errësirë të plotë, qenë mbushur  me ujë e muret e tyre dy  apo tre kate të lartë  mundoheshin të përballonin forcën e dallgëve dhjetrametra të larta.

Ndërroi stacionin dhe i parakaluan po të njëjtat pamje, pemë  e shtylla elektrike të  thyera , makina të zëna nga shtylla apo trungje pemësh,të tjera të  zhvendosura e të përplasura kokë më kokë me njëra tjetrën. Geri filloi të besonte se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe vazhdonte të ndodhte akoma  në ato momente.

Jepej njoftimi në tërë stacionet e TV-ve se tani tornado po prek tokën në pjesën jugore të Nju Xhersit . U bëhej thirrje banoreve, se edhe nëse nuk janë të lajmëruara familjet që janë me banim në zonat e ulëta, të afërta me bregun e oqeanit dhe që kanë mundësi që të lëviznin ,të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. U mundua të bënte dy tre telefonata me shokët në Nju Xheresi e në zonat e Kuinsit ,s’qe mundur. S’kishte sinjal. Pas disa orësh ,kur era pushoi e moti u qetësua, e ndau mendjen se më mirë do të ishte të shtrihej, mbase do ta zinte gjumi e nesër do të mësonte më shumë për atë që kish ndodhur e do të shikonte si ç’vendim do të merrte dhe si do të vepronte. Nuk e zgjati ,ora po afronte 12 ,fiku dritën dhe u shtri duke u kthyr në anën nga dritarja që e fuste gjithnjë në meditime. Gjendja gjysëm zgjuar e gjysëm në gjumë ja kthente shpesh xhamin e dritares me rrëkeza ujë, herë si ekran  tv ku rridhte një lumë e herë si një rrugë e gjatë.

 

PARALELE: DJEMTË E ASTORIAS DHE PERMBYTJET NË SHKODËR

 

… Nuk kishte gjum atë natë stuhijë. Ndërroi drejtim dhe vështronte tavanin ,po nuk i pëlqeu grija e errët e tij, që përftohej nga ndriçimi i rrugës dhe u rikthye përsëri nga dritarja .Atje vazhdonte të rridhte lumi i tejfryrë po me ujë të pastër. Gjë e mirë do t’i thosh  e ëma ,mos të jetë i trubull, do të theksonte ajo ,po i pastër mirë është, fat, mbarësi. Në këtë gjendje përgjumje iu  bë se ishte në Shkodër.Ishte mbi urën e Bunës së tejfryrë dhe qe kthyer nga e famshja Kala e Rozafës….dhe iu kujtua situata e dikurshme e përmbytjeve në Shkodër.

Qe mbërthyer para televizorit për të parë lajmet nga Shqipëria. Kronika e çoi në Velipojë, ku dikur kish bërë plazh ,në ekran portreti i  Luigjit ,buza e dridhur, duart e  rrshkura,  shikimi i tretur te stalla, që i dukej vetëm kulmi i çatisë e deklarata befasuese ….-S’kishim ca me ba ….s’patëm asnjë mundësi …ç’munt të bajsh për 10 minuta …..e pasi thith me gjithë forcën e gjoksit cigaren e ndezur ….-u tret në pakogjë kohë, mundi dhe djersa e  djemëve në mëgrim për shtatë vjet , e fundosi në ujë bashkë me 100 dosa ….po ..ani ..robt taman e kryt shëndosh…E pas tij një nënë me katër fëmijë të gjithë poshtë shtatë-tetë vjetësh –s’munda të shpëtoi asgjë nuk e prisnim ashtu si na erdh, krejt papritur –e duke hapur krahët e pushtuar fëmijët- veç këta  shpëtova- dhe gëzimi i zë vend në fytyrën e saj …

Kjo është dorë e zgjatur për ndihmë, i kujtova  vetes porosinë e profetit                                   Duhet të bëjmë diçka për këta njerëz ,të jemi pranë tyre, me zemër, me fjalë po dhe me ç ‘të mundemi, këta janë vëllezërit tanë në vështirësi që zgjasin dorën për ndihmë. Shkoi tek kompjuteri dhe shkroi me një frymë. Vërshimi i lumenjëve Drin dhe Bunë si rezultat i shirave e hapjes së portave  të digave për të mbrojtur   hidrocentralet ka përmbytur mijra familje në gjithë fushën e Shkodrës dhe të Lezhës. Ne duhet tu vijmë në ndihmë bashkëkombasve tanë me ç’të mundemi!

Ne, një grup djemësh shqipëtar të Astorias, do t’i dërgojmë ato në Shqipëri. Për ç’do informacion merrni në telefon nr…. ,dhe pa hezitim vuri numrin e telefonit të tij.Ne do të vijmë t’i marim matrialet e grumbulluara me mjetet tona, ose i dorëzoni ato  në adresën..dhe përsëri vendosi adresën e tij .Klikoi print dhe shumfishoi disa kopje.Boll janë këto, mendoi. Kështu e bëra mirë! Duhet t‘i japim fund diskutimeve për orë të tëra, për ato që bëjnë të tjerët e vetë të vegjetojmë. Duhet të bëjmë atë që mundemi ,duhet të fillojmë të bëjmë diçka e më parë se për këdo, këtë ja kemi borxh atdheut të të parëve tanë. Sapo arriti te lokali i zonës së tij, ku punonte  Kristaq Foto , vendosi kopjen e parë në derën e xhamtë, para se të porosiste kafen. E bëra fakt të kryer ,tani s’ka më hezitim e aq më pak kthim prapa. Me kafen në dorë  u ul në tavolinën  e fundit. Kafja dihesh që frkuentohej nga shumë djem të lagjes dhe ata nuk vonuan të vinin.E lexuan dhe u ulën në tavolinën e Gerit. Tani zgjidheni vetë kush do të vijë me mua të vendosim  njoftimet e tjera në Bronx,në Rixhvud  dhe qendrat e tjera ku jetojnë e mblidhen shqipëtarët.Dhe u nisën me një frymë .Jo një makinë, po dy Pa entusiazëm dhe solidaritet tek ata që takoi ,mori urime ,për atë që kishte nisë të bënte. Dhe punët rrodhën me një shpejtësi marramendëse . Të nesërmen telefonata nga pjesë të ndryshme të Nju Jorkut.  Befasia telefonata nga te gjitha anet. Dhe pyetja ime-po ju si e morët vesh? Përgjigja -nga TV “ Kultura Shqiptare” që dha me titra njoftimin e bëri thirrje për solidaritet.

-Nana,t’kam marrë në telefon për t’thanë se djëmtë po i bajnë gati e do t’i sjellin vetë tek ju mos t’mundohesh hiç me ardh’. Jemi shumë shqipëtarë këtu e ne jemi duke i lajmëruar të gjithë, se ju mbetet hatri.

– Po ti rrofsh more birë e tu baft dita njëmijë,-uroi nëna duke e mbyllur bisedën. Pas një jave u kuptua se duhej një ambient më i madh se shtëpia jonë dhe e gjeti Bujari;  Biznesmeni nga  që ishte nga viset shqiptare të Krajës, mbetur në kufijtë shtetror të Malit të Zi. Ai mori përsipër me shpenzimet e veta trasportin e gjithë ngarkesës për në Shqipëri.Të gjithë patën një kërkesë të vetme; ndihmat të shkojnë tek ata që kanë nevojë, tek më të varfërit, te më të prekurit.

Në Shqipëri  i pritën dhe i shpërndau Imami dhe personeli i xhamisë së Tabakëve. Dhe vërtet ato shkuan atje tek vëllezërit që kishin nevojë për ndihmë…….

DJEMTË SHQIPTARË TË ASTORIAS, NDIHMA PËR TË PËRMBYTURIT NGA “SAND-I”

 

….Duhet të fle, i foli vetes me zë Geri, nesër duhet të ngrihem e të shkoj në …..po dora pa urdhërin e tij e kish marrë pultin dhe e kish hapur tv … Geri s’u besonte syve. Iu duk se ekrani pat fokusuar një tabllo gjigande sureale … një rrugë makinash e mbuluar me rërë dhe mbi të kish mbirë një urë këmbësorësh druri me shkallë e në majë të sajë një makinë e kuqe, poshtë në këmbët e urës përplasur trarë,dërrasa,skafe të vegjël e të mëdhenj dhe makina të shumta,qe afruar edhe një cati e shkëputur nga shtëpia, që i kish shërbyer; në krah të djathtë, flakë që pasi kishin përpirë e kthyer në hi,   dhjetra shtëpi po fikeshin dalngadalë duke lënë pas vetes ndojë gjuhëz të vogël flake dhe tym,tym të zi …                                                                                                                                    U ul i dërrmuar në kolltuk dhe lexonte titrat, që jepnin lajme të kobshme dhe nuk donte ta besonte se tornadua e sapo kaluar kish marrë edhe shumë jetë njerëzish,kish ndarë fëmijën nga dora e prindit…kish paralizuar krenarinë e botës së qytetruar, simbolin e zhvillimit, Nju Jorkun. U çua dhe lëvizi  për nga dera. Pastaj i foli me zë asaj pjese të vetes që kish bërë këtë veprim prit ..prit është akoma herët për të dalë, tani po zbardh e për të shkuar atje ku do ti, duhet të jetë ditë dhe pale do të mund të shkosh. Iu bind gjithë qenja e tij këtij urdhëri, apo kësaj llogjike dhe u kthye përsëri. U afrua më shumë tv, bile iu duk se ai e kish fajin për ato që jepte,jo ato s’kishin ndodhur atje në realitet, ato ishin thjesht tabllo inegzistente të kësaj kutie të shëmtuar….

Filluan të trasmetohen pamjet e filmuar nga një kamer e vendosur me siguri në ndonjë helikopter..Mbetur vetëm muret rrethuse të shtëpive të djegura të vështruar nga sipër dukej si një varrezë e stërmadhe ..varrezë shtëpish…dhe në trup i shkuan morrnica ….U çua më i vendosur se kurrë e për të mos u kthyer më i tha  vetes me zëplotë, tani duhet të shkoj. Mori për siguri veç xhupit edhe mushamanë e gjatë –se të mbron nga shiu dhe era  ,mbathi çizmet e gjata të dëborës,fiku TV dhe doli nga dera …Ktheu kokën mbrapa edhe pa derën ku do ish e ëma po të ish kthyer dhe buzëqeshi me porosinë  që do t’i jepte, atë të përherëshmen.

-Hap sytë të keqen mami…nuk di pse instiktivisht u mbështoll më shumë në xhup edhe pse nuk dukej të ish shumë ftohtë. Mbase nga që e dinte që e ëma nuk ishte aty, por iu duke se edhe atje mijra km larg ku ishte ajo e shikonte dhe  me atë veprim, ja plotësoi porosinë që i dha.I hipi makinës dhe iku. Në atë mëngjes të sapo ardhur, ai eci në të gjitha rrugët deri sa i dilte trungu i parë i rrëzuar e ai s’mund të ecte më,në rrugën tjetër deri sa ta prisnin rrugën dunat e rërës së sjellë dhe dërrasat, që  e bënin të pakalueshme. U soll vërdallë, po të gjitha rrugët të bllokuara. I bëri telefon Indritit mos dinte ai ndonjë rrugë të dytë për në Bixh, s’mori informacion.Iu lut që të takoheshin tek Kiçua aty nga ora 10.

U kthye përsëri në shtëpi dhe hapi  TV.  Guvernator,Senatorë, Kongresmenë e kryetarë bashkish kishin filluar konf erencat e shtypit. Pa numërat e telefonave për informacion dhe për donacione, e ku kërkoheshin e vullnetarë. Ishte në fund të fundit shumë më e thjeshtë se Shkodra.

– Na duhen njerëz që të kenë makinat e tyre e me donacionet e tyre. Ne nuk keme asnjë strukturë të ngritur;  kemi nevojë për vullnetarë, kemi njerëz të bllokuar në shtëpia që jetojnë të vetmuar e që nuk mund të dalin. Dritat janë ndërprerë. Ujë i pishëm është bërë i papërdorshëm. Na duhet ujë, ushqime…

-Nesër,i thosh Gerit, zonja matan’ telefonit, nevojat e ngutëshme do të jenë për ujë, njerëz e mjete.

– Faleminderit …dhe u dëgjua sinjali i ndërprerjes së bisedës. Geri hodhi në letër numra telefoni, adresa rrugë të mundëshme për të kaluar dhe pa e pritur orën 10, ia mbathi tek Kiçua.Porositi kafen dhe mori pyetjen e Kiços.

– Erdhi Luli?

–  Jo- u përgjegj Geri,ishte i pamundur udhetimi, qëndruan në Florida .Mbase vijnë sonte. Për nja 4-5 ditë po –tha Kiçua gjithë Kompetencë,-janë mbyllur  aeroportet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit.  Fati i tyre le të bëjnë pushim ata, kështu qënka e thënë, ne vuajmë këtej ata bëjnë qejf andej,bëri shaka .

Me kafen’ në dorë, Geri shkoi në tavolinën e tij të zakonshme. Erdhën Indriti, Beni, Ergersi. Është më e thjeshtë se ç’e menduam, u tha Geri shokëve. Duan ushqime, ujë, njerëz dhe mjete. Kështu që ne e kemi të  lehtë. Nuk do bëjmë njoftim për të mbledhur të holla, do të mbetemi tek mundësitë tona dhe tek ata që i kemi shokë. Të tjerët le t’i njoftojmë që mund t’i blejnë dhe po të kenë dëshirë t’i shpien vetë. Kështu bëhemi më shumë dhe zgjerohet rrethi i kontribuesëve.

Kur ma tregonte ngjarjen, Geri Demit i shkelqenin syte :Të nesërmen në mëngjes mbushem me të hollat tona makinën  me ujë të pishëm dhe me dy makina u nisëm për në destinacion. Dhe ndihmuam sa mundëm. Ishim të tjerë kur u kthyem. Tek sytë e secilit prej shokëve të mi shikoje atë që ai kish parë, atë katastrofë të paimagjinushme që kish ndodhur,po shihje edhe atë forcë të jashtëzakonshme solidarizimi atë besim të madh ,se normaliteti do te kthehej shpejt …

I kishte mbetur në mendje një detaj:  Pasi i dorzoi ujin së moshuaës 90 e ca vjeçare, iu bind lutjes së saj, që tek shtylla e lartë, pranë derës së rrënuar tw shtëpisë, të vendoste flamurin Amerikan. Shenjë krenarie amerikane…

Nëntor,  Astoria  Nju Jork.

Filed Under: Reportazh Tagged With: djemte e Astorias, Kristaq papa, NY, per Geri Demin, Tregim

ATDHEU – MË I SHTRENJTË SE GJAKU

December 5, 2012 by dgreca

TREGIM NGA NAUM PRIFTI*/

 Sekretari trokiti në dhomën e vogël që Skënderbeu e përdorte si studio dhe e lajmëroi se nipi me gjithë familjen dhe me ata që e shoqëronin, kishin arritur te porta e Kështjellës dhe po prisnin.

-Futini brenda! – Vetëm kaq tha Skënderbeu dhe sërish u përkul mbi tryezë për të vazhduar punën që kishte nisur. Ai nuk doli vetë t’i priste dhe nuk shfaqi asnjë gëzim kur dëgjoi lajmin e ardhjes së nipit.Ftohtësia dukej qartë në zërin dhe në fytyrën e tij, gjë të cilën sekretari e vuri re.

Kur dera u mbyll, Skënderbeu deshi të vazhdonte punën dhe sërish mori pendën, mirëpo frazat s’po i dilnin të qarta dhe mendimet iu turbulluan. Penda gërvishte mbi letër dhe karakteri i shkrimit ndryshoi.Nervozizmi ndihej edhe në lëvizjen e dorës. Kur vuri re se disa fjalë i kishte shkruar nga dy herë dhe shkronjat kishin dalë të shtrembëra, e zhubrosi letrën, e bëri shuk dhe e hodhi në shportë. U ngrit në këmbëdhe shikoi nga dritarja.Jo më kot kishte zgjedhur si studio dhomën nga juglindja. Atë e rrihte dielli më gjatë, ishte më e ngrohtëdhe me më shumë dritë se të tjerat. Nga dritaret e saj shtrihej një panoramë e larmishme, që përmblidhte valëzimet e kodrave, fushën tej poshtë, kënetën dhe hapësirat e Adriatikut.Ndryshe nga ana lindore, që kufizohej nga faqja shkëmbore dhe e ashpër e malit, këtej syri tëçlodhej në madhështinë e mjegulltë të detit.

Deti atë ditë ishte i mbushur me avuj dhe një qiell gri e i ftohtë rëndonte mbi shpatullat e maleve. Vetëtimthi e ndjeu se asnjë peizazh tjetër, i ndezur nga ngjyrat e vjeshtës a i praruar nga rrezet e verës, nuk do t’ia shkartiste mendimet që i zienin në kokë. E dinte prej disa ditësh se Gjergj Balsha do të vinte, pasi kishte marrë një letër të shkurtër prej tij për fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Kështjella që zotëronte qe pushtuar nga turqit thuajse befasisht.Ndërsa Balsha dhe kapedanët e tjerë kishin dalë për gjah larg kështjellës, turqit kishin brofur papriturdhe kishin shtënë në dorëkështjellën. Të zotët e shtëpisë kishin ngelur përjashta, të huajt qenë futur brenda.

Pushtimi i kështjellës së Modricës e tronditi Gjergj Kastriotin, sepse, veç të tjerave, krijonte njëtëçarë në unazën e mbrojtjes.Prej andej turqit e kishin shumë më të lehtë të ndërmerrnin sulme drejt brendësisë së tokës arbërore.Skënderbeu kërciste dhëmbët nga inati, kur kujtonte sesi kishte rënë ajo kështjellë në duart e osmanllinjve. Për turp! Pa u shkrehur një top, pa u ndezur një fitil, pa flakëruar një shpatë, pa u hedhur një shigjetë, pa u thyer një shtizë. Të gjithë kapedanët e vjetër, të cilët prej më shumë se dymbëdhjetë  vitesh po luftonin kundër turqve, e kishin quajtur të gabuar emërimin thuajse general të një djaloshi të ri e të pa sprovuar, që deri në atëkohë nuk ishte dalluar për asgjë. Gjergj Katrioti kishte thënë se do të shihte zotësinë e gjithsecilit dhe sipas aftësive do t’u caktonte postet dhe detyrat. Mirëpo në dy raste kishte devijuar nga  ky parim. Rënia e kështjellës së Modricës u dha shkak feudalëve dhe princëve të kujtonin edhe njëherë thyerjen e ushtrisë arbërore para kështjellës së Beratit.Ndonse Skënderbeut nuk I kishin thënë gjë drejtpërsëdrejti, ai e ndiente qortimin nga vështrimet e oborrtarëve, të princëve dhe kapedanëve.Gjithsesi kunati axhami e kishte shlyer paaftësinë për humbjen e kështjellës së Beratit me jetën e vet, ndërsa nipi, djali I motrës kishte ardhur në kështjellën e Krujës me gjithë arsenalin e gjahut, me kuaj e pajisje njëlloj sikur të shkonte për verim.Ndërkohë komentet e oborrtarëve nëpër oda e korridore nuk shternin.

 

-Sikur të ishte dikush tjetër, Gjergji nuk kishte për ta pranuar.

-E ka nip. Nipi duhet më shumë se djali!

-Edhe sikur të dojë, s’ka çfarë t’i bëjë, se rrezikon prishjen e marrëdhënieve me të motrën.

-Gjergji i vogël nuk i afrohet as në thua daiut të vet.

-Në të ngrënë dhe në luks ia kalon.

-Edhe për të prishur para s’ia gjen shokun.

Skënderbeu nuk i dinte të gjitha sa thuheshin por i merrte me mend, aq më tepër se ato ditë një pjesë e mirë e princërve dhe e feudalëve ndodhej në kështjellën e Krujës. Skënderbeu i kishte thirrur për të biseduar për traktatin që propozonte Senati i Venedikut. Të ftuarit e fundit priteshin të vinin atë mëngjes dhe pasdite do të hapej kuvendi.Por derisa të hapej mbledhja, ai duhej të merrte një vendim për Gjergj Balshën.Ku mund ta çonte këtë komandant pa kështjellë?A mund t’i besonte ndonjë detyrë tjetër më pak të rëndësishme? Ta linte fare pa përgjegjësi? Mos kishte këtu ndonjë tradhti?Sa herë i afrohej ky dyshim, e largonte me ngulm.

-Nuk është e mundur! – bërtiti me zë të lartë. – Si mund të ma bëjë këtë gjë?

I kujtohej se kur ia kishte besuar kështjellën e Modricës dhe rrethinat e saj, kishte peshuar sinë kandar cilësitë e mira dhe dobësitë e Gjergjit të vogël, dhe peshorja nuk anonte në asnjë krah, sepse, për çudi, virtytet dhe veset plekseshin si një gërshet. Më së fundi Skënderbeu kishte arsyetuar se, sido që të vinte puna, Gjergji i Balshajve do t’i qëndronte besnik gjakut të vet. Tradhtia e Hamzait, djali të vëllait, kishte qenë e ushqyer si nga etja për pushtet, ashtu edhe nga nxitjet e pareshtura të turkeshës, nënës së tij.Ndërsa Gjergji i ri pikërisht për shkak të nënës nuk kishte për të tradhëtuar kurrë.

I kaloi edhe një herë nëpër mend ngjarjet që lidheshin me rënien e këshjellës së Modricës. Atë ditë komandanti i kështjellës kishte dalë për gjah. Gjer këtu s’kishte asgjë të jashtëzakonshme a të dyshimtë, sepse gjahu ishte një nga pasionet më të forta të feudalëve.Ai kishte marrë me vete gjithë garnizonin e tij.Po pse e kishte marrë tërë garnizonin pas?A nuk mund t’i linte një pjesë të ushtarëve në kështjellë? Dhe po atë ditë turqit vijnë papritur dhe hyjnë si krushq. Një palë ikin nga njëra anë e një palë vijnë nga ana tjetër.Pse kishte qenë e hapur porta kryesore e këshjellës?

Skënderbeu i njihte turqit dhe manevrat e tyre.Agjentë sekretë, të mbuluar me petkun diplomatik, ose tregtarë të huaj kryenin misione të ngarkuara nga turqit dhe merrnin shpërblime. Për turqit ishte krejt e natyrshme që atë gjë që s’mund ta fitonin me gjak ose me trimëri, ta blinin me para. Ata kishin dërguar një raguzian te Vrana Konti me propozimin e një shumë kolosale prej 300.000 dukatash, nëse dorëzonte kështjellën e Krujës. Vrana Konti e kishte hedhur poshtë me neveri atë propozim, por dikujt tjetër mund t’i ishte prishur mendja.

Skënderbeu doli nga dera e studios dhe, pasi përshkoi korridorin, hyri nësallën  e ngrënies. Ia mori mendja se aty do ta gjente nipin dhe nuk u gabua. Ai po u tregonte vajzave dhe grave që ishin aty disa anekdota të kohës dhe atopo shkriheshin së qeshuri. Sapo hyriSkënderbeu, Gjergj Balsha u mundua t’i jepte fytyrës një pamje të pikëlluar.Gratë e vajzat u shpërndanë.

-Ç’qe kjo që bëre? – e pyeti Skënderbeu, pa i dhënë as dorën.

-Një fatkeqësi, asgjë më shumë…

-Si del për gjah, kur turqit ishin aq pranë?

-Nuk kishim asnjë dijeni. Ata erdhën fare papritur.

-A nuk keni dyshim mos i ka lajmëruar njeri për daljen tuaj në gjueti?

Gjergj Balsha ngriti supet.Mundtë kishte ngjarëdhe ashtu por ai s’kishte dijeni.

-Pse e nxorre gjithë garnizonin jashtë kështjellës?

-Shkuam për të gjuajtur drerë dhe ju e dini mirë se kjo gjueti…

-Unëe di se kur është kohë lufte, nuk dilet për gjah, – i tha rreptë Skënderbeu.

-Dajo, po marr guximin t’ju them se, po të vazhdoni të më pyesni në këtë mënyrë, nuk do të pranoj të përgjigjem.

Skënderbeu nuk lëshoi pe.

-Unë mendoj se duhet të përgjigjesh dhe të përgjigjesh mirë. – Gjergj Kastrioti e nënvizoi fjalën “mirë” dhe ajo mori një nëntekst të fortë. – Jo vetëm para meje, po kundrejt gjithë atyre që do të pyesin. Mos të duket diçka e vogël pushtimi i një kështjelle? Përgjegjësia dhe nderi prej fisniku u detyrojnë më shumë nga sa pandehni.

-Unë s’kam asnjë faj! – bërtiti Balsha i ri i fyer, duke përpjekur dorën në tryezë. – Gjithçka ndodhi krejt rastësisht.

-Shumë rastësi kanë ngjarë brenda një dite…- tha me ironi Skënderbeu.- Ju dilni për gjah, turqit vijnë papritur. Ardhjen e tyre nuk e lajmëron kërkush, tymtarët flenë, britësit  nukndodhen në vendin e tyre, në kështjellënuk ka asnjë ushtar dhe turqit futen drejt nga porta e madhe.

Gjergj Balsha e pa se daja ishte shumë i zemëruar dhe biseda kishte nisur ters. Ktheu kokën nga dritarja, sikur donte t’i thoshte: “Mjaft më! Unë e ndiej gabimin vetë.”Fytyra e mbushur e Gjergj Balshësme nofullat katrore dhe sytë e vegjël e të shndritshëm tregonin qartë se ai kujdesej veçanërisht për sofrën.Jaka e bardhë e këmishës vinte në dukje ngjyrën e kuqe të lëkurës.

          -Kush urdhëroi të hapej porta? – e pyeti Skënderbeu.

          -Askush. Ishte e hapur.

          -Kur dolët për gjah, nuk porositët të mbyllej?

          -Habitem si u vete mendja të dyshoni, – tha Gjergj Balsha me duart drejt vetes së tij ndërsa sytëi vërtiste sa nga njëra anë te tjetra.

          -Hapja dhe mbyllja e portës bëhet vetëm me urdhër të komandantit të kështjellës dhe ti e di këtë qëkur ishefoshnjë. Atëherëkush urdhëroi të mos mbyllej porta, kur dolët jashtë? –gjënoi Skënderbeu.

-Unë! – thame inat Gjergj Balsha.

Skënderbeu me duart prapa filloi të bënte ecejake nëpër dhomë.Hyri një kështjellar dhe i kumtoi diçka.Skender i dha shenjë të mos largohej.

-Mos edhe kjo është rastësi? – epyeti Skënderbeu.

-Sigurisht! Pse, mos kisha dëshirë të mbetesha pa kështjellë dhe të vija këtu për të kërkuar strehë e bujtje?

Skënderbeu e mbërtheu në vend me një vështrim të rreptë.

-Gjergj Balsha, o njeri i dobët, ti ke rënë në marrëveshje me turqit, ti ke lënë hapur portën, ti e ke shitur kështjellën.

Kaq e papritur ishte kthesa dhe akuza, sa Gjergj Balsha brofi izverdhur dhe vuri dorën në brez.

-E shoh se qëndrimi im këtu qenka i tepërt dhe i padëshirueshëm, prandaj do largohemqë këtë çast, -tha duke u drejtuar nga dera.

-Nuk do tëlëvizësh pa u përgjigjur për tradhtinë, – gjëmoi Skënderbeu dhe pastaj, duke u kthyer nga ushtari, i dha urdhër.-Futeni në burgun e kështjellës dhe jepjani gjyqit!

Vendimi i Skënderbeut e mpiu Gjergj Balshën dhe ai nuk rezistoi kur e çarmatosën. Vetëm kur po e hiqnin nga salla, ktheu kokën dhe bërtiti:

-Nuk do t’jua harroj këtë poshtërim!

Lajmi i burgosjes së Gjergj Balshës dhe akuza për tradhëti u përhap menjëherë gjer në skutat më të thella të kështjellës.

Në derë u ndje trokitja e butë e gishtrinjve të së shoqes dhe ajo hyri menjëherë në dhomë.Dukej e tronditur dhe përmbahej me zor.

-Më ndjeni, zot, që ju ndërpreva.

Ajo qëndroi një çast duke fërkuar duart si për të gjetur aty fillin e bisedës e si për të kërkuar fjalët më të përshtatshme. Gjergji pyeti veten: “Ka ardhur vetë, apo e ka dërguar ime motër? Ka shumë të ngjarë ta ketë dërguar Jella, s’do të vijë vetë ose ngaqëështë zemëruar”.

-Në kështjellë nuk flitet për gjë tjetër, veçse për atëqë ndodhi … -Zëri i dridhej lehtë dhe në sytë e butë shihej një dëshpërim i sinqertë.

-Në kështjellë edhe më përpara flisnin për atë. – Ai u ngrit në këmbë dhe po përpiqej të mbërthente përpara pasqyrës tokëzën e togës.

– Por ç’do të thonë të tjerët për këtë veprim?

Ai nuk u përgjigj menjëherë dhe kjo vonesë nuk iu duk shenjë e mirë së shoqes.

-Unë bëra atë që duhej të bëntë çdokush në vendin tim.

-Gjergji është gjaku tuaj!

-Andronika! – ai nuk e thirri me emrin përkëdhelës “Donika”, siç e thërriste shpesh, dhe asaj iu ndrysh zemra. – A thua të ketë gjak ai njeri? – Dhe pas pak vazhdoi. – Edhe një pikë gjak arbëri të kishtë në trup, nuk do ta bënte atë që bëri.

Donika vuri re se i shoqi ishte tepër i prerë eipalëkundur.

-Pse je kaq i bindur në fajësië e tij? Gjithçka mund të ketë ndodhur rastësisht ose nga pakujdesia.

Skënderbeu u kthye nga Donika.

-Një dyshim i vogël akoma më vërtitet në kokë. Por qoftë tradhti a pakujdesi, faji mbetet faj.

-Ka të ngjarë të jetë pakujdesi! – i tërhoqi vëmendjen ajo.

-Po atëherë pse nuk bëri atë që do të bënte gjithkush në vendin e tij? Të përpiqej të fitonte me nder atë që humbi me turp? Pse nuk luftoi, kur u kthye?Kapidani i mirë e braktis i fundit anijen ose mbytet bashkë me të.

Biseda u mbyll dhe Donika, para se tëdilte i tha:

-Ende nuk është krejt e sigurt.

Skënderbeu e njihte mirë të nipin, ia njihte dobësitë dhe të metat, po kishte shpresuar se jeta, përpjekjet, detyra dhe përgjegjësia do ta burrëronin. Me sa duket, ai ishte si ato dardhat skallangure, që nuk piqen kurrë.Megjithatë ishte kureshtar tëdinte prapaskenën dhe arsyet qëi kishte hyrë asaj rruge. E dinte që kishte njerëz, të cilët do të thoshin se ishte detyruar ta dënonte nipin për tëmbyllur gojët e botës, por ajo nuk ishte arsyeja e vërtetë .

Që atë pasdite Gjergj Balsha pohoi para hetuesisë fajin. Dëfteu se kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me turqit dhe ua kishte dorëzuar kështjellën për 30.000 dukata. Për ta paraqitur si rastësi dhe pakujdesi, ishte organizuar gjahu dhe braktisja e këshjellës!

-Edhe tokës i vjen rëndë nga kjo fytyrë, që guxoi të shiste atdheun. Hiqeni prej këtej dhe niseni të shoqëruar për në Napoli!  Do t’i lutem mikut tim mbretit të Napolit, ta mbajë në burgjet e tij, meqëne këtu s’kemi burgje, – urdhëroi Skënderbeu.

* Botoi Dielli, numer special me rast e 100 vjetorit te Pavaresise, 28 Nentor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Atdheu, dielli, me i sjtrenjte, Naum Prifti, se gjaku, Tregim

BONATA PRANON PËRDHUNIMIN

November 2, 2012 by dgreca

Vullnet Mato/

 ( Tregim nga një ngjarje e vërtetë) /

       Zervistët lanë tre kufomat në dhomë dhe nxorën nusen e  re te dera. Oficeri mjekrosh që quhej Zafir, një dyzetvjeçar me dy  dhëmbët e parë të mbirë larg njëri-tjetrit,  drejtoi automatikun te  gjoksi i nuses dhe i tha asaj me sintaksën e tij të pistë:      – Do pranosh të të q… pa britma e klithma si mace e egër, apo të të vras një herë, pastaj të ta bëj atë punë?… E tronditur nga lemeria e vrasjes së burrit dhe dy prindërve të tij, ajo nuk arri të hapte gojën.      -Fol, se njësoj është për ty, unë  prapë do të të q… siç ua kam bërë dhe të tjerave, kur kanë qenë akoma të ngrohta!…      Bonatës i shkuan të dridhur a dhe vështroi me frikë  automatikun e tij. Por befas u mahnit aq shumë, sa nuk po u besonte  syve. Arma kishte të gdhendur te kondaku i drunjtë emrin e Izetit të  saj, i cili e kish dorëzuar në këshill që t’u tregonin grekëve besën, të mos bëhej luftë. Pasi kishin premtuar se qetësinë do ta ruante ushtria, të mos prekej njeri “as me një lule”. Por këta paskëshin marrë armët e  besës, për të vrarë pabesisht çamët… Papritmas ai automatik i të  shoqit të vrarë, sikur të kishte magnetin e shpirtit të tij, ia fshiu  frikën çuditërisht, aq sa të mos mendonte fare për turpërimin e saj.      – Fol, se nuk kam kohë të merrem me ty, do ta pranosh  pallën vetë, apo jo! – i briti fort oficer Zafiri, duke ia ngjeshur  tytën në mes të dy gjinjve.      – Po. – pranoi ajo ftohtë, me sytë te kondaku i automatikut.      – Endaksi, embros, shkojmë, ta bëj me nge poshtë në konak, që të mos i kem përpara syve këto kërmat këtu sipër.      Ata zbritën shkallët me nxitim dy e nga dy, teksa Zafiri shtrëngonte krahun e Bonatën vogëlushe, duke e tërhiqur pas vetes me  forcë.      Hynë nënvete, në konakun e zjarrit, ku në të dy anët e  oxhakut ishin shtruar dy shilte të pambukta. Oficeri e çoi nusen e re te shiltja e krahut të majtë, ku ishin mbështetur pas murit dy jastëkë me  thekë të qëndisur. Në shilten tjetër u ul këmbëkryq, me automatikun mes  këmbëve, zervisti i vjetër që i kish kaluar të pesëdhjetat. Kurse  zervisti i ri,  me utomatikun në dorë, priste radhën, mbi një baule të  madhe prej druri, përballë derës, pasi i kish vënë rezen prej hekuri.      – Ç’bel që paska, alvanisa e mutit, një të rrokur dore! – u habit djaloshi zervist, duke vështruar mesin e hollë që i dukej nuses nën bluzën e bardhë sipër tumaneve dhe e pyeti :      -Sa vjeç je ?      -Njëzetë. – shqiptoi ajo me dridhje buzë.      -Sa ditë ke martuar ?- e pyeti mjekrosh Zafiri me kureshtje.      -Pardje.-tha ajo me zë të mekur.      -Eh, ta shihte këtë gazelë Napolon Zerva ynë, do prishej që në këmbë e do i rrinte përsipër një javë të tërë, sa t’i uleshin nja tre kile dhjamë nga fuçia e barkut! – qeshi zervisti i ri, i ulur te  baulja.      – Do ia shpiem peshqesh, kur të mbarojmë punë vetë, – i  ktheu oficer Zafiri, – Ta pallojë dhe ai që kjo qumështore e bukur të  pjellë një Napolon të vogël, po nuk i zuri sot fara jonë.      -Po të më pyesin mua, këto çamet e bukura nuk duhet t’i  vrasim, po t’i lëmë me barrë, të na zbukurojnë racën greke.- tha  zervisti i ulur te baulja. –Ato nuset dhe vajzat që i mbyllën shokët  tanë në xhami, me kopenë e grave për t’i ndërzyer me radhë, kot u  ngjitën shkallëve, ku del hoxha të këndojë dhe u hodhën nga minarja sot  në mëngjes…       – Siç duket, deshën të imitojnë gratë suljote që u  hodhën nga shkëmbi në kohën Pashait, – shtoi zervisti i vjetër. Kjo nuse qenka e zgjuar që pranoi jetën, përpara  asaj plaçkës që ka në mes të  shalëve.      Oficer Zafiri, me një të tërhequr fort të dorës i shqeu Bonatës kopsat e gjoksit dhe ia nxori gjinjtë përjashta.       – Shikoni more, ç’sisë paska, tamam si dy shegë në degë me gjithë sumbullat e luleve…      Zervistët e tjerë shqyen sytë epshorë.      -Mbase ai gomari yt nuk arriti të të prishte, nga frika që krisën pushkët në fshat !- e pyeti  oficer Zafiri.      Bonata heshti sikur ta kishin futur në tabut.      – Fol !- klithi Zafiri, – Të ka prishur apo jo?      -Jo, – u gjegj kot ajo me gjysmë zëri.      – Do të prish unë tani! – tha oficer Zafiri me kënaqësi, duke zbërthyer menjëherë rripin dhe lëshoi përtokë pantallonat  ushtarake, teksa iu duk organi mashkullor që ia kishte ngritur këmishën  përpjetë.      Zervisti i ri te baulja qeshi fort, pa ia hequr sytë gjoksit të bardhë të nuses që ngjante si dy toptha hasude taze.      – Moooore, po ti, agapitemu, e paske sa një pallë  gomari!… – u habit zervisti i vjetër. – Kështu si ti duhet të jenë të  terë oficerët grekë, jo vetëm trima, po edhe pallosh për gratë e armiqve tanë. Pa hë shpejt, se dua të shoh si do e durojë kjo mëshqerra e njomë tërë atë hu gardhi!      Mjekrosh Zafiri gazmoi, duke vështruar një çast me  mburrje organin e tij dhe i tha, duke përplasur gjuhën në hapësirën mes  dy dhëmbëve të parë :      -Shikomë, se kur t’ia hipi, do kthej prapanicën nga ti,  të më shohësh edhe koqet, i kam në terezi, apo njërën më poshtë e  tjetrën më lart.      – Ashtu, more palikaris, ashtu do më ngrihet edhe mua, me këtë Greta Garbo nga të filmave…      Oficer Zafiri me organin në dorë si kobure të drejtuar nga Bonata, e urdhëroi me padurim:      – Shpejt, zgjidh ushkurin e tumaneve, se të tjerat t’i shqyej unë!       Bonata filloi të zgjidh ushkurin, teksa në një fragment  të sekondës, bishti i syrit i rrëshqiti padashur te automatiku i Izetit  varur në murin aty pranë, të cilin ia kish mësuar si i hiqej siguresa  dhe si shkrehej këmbëza, një ditë para se ta dorëzonte, kur u kthye nga  Gallatai, ku kishin dalë gjithë trimat të mbronin fshatin. Ajo menjëherë lëshoi tumanet te këmbët me patiqet e nusërisë dhe vetëtimthi, sa hap e mbyll sytë, rrëmbeu automatikun nga gozhda.      Një batare e tmerrshme dhe krejt e papritur nga asnjëri prej tyre, ushtoi shurdhueshëm në të gjithë konakun e zjarrit…      Pastaj për pak çaste ra shurdhëria e vdekjes. Kur tymi i barutit të dalë prej dhjetëra gëzhojave u ngrit në tavan, sytë e  Bonatës mundën të dallojnë organin mashkullor të Zafirit,  shqyer nga  plumbat, si një copë zorrë kau që pikonte gjak, mbi kofshët e trupit të  tij të plandosur. Dhe pak më tej dy zervistët e tjerë të rënë mbi njëri  tjetrin, pa arritur të ngrinin drejt saj tytat e armëve të tyre. Bonata ndjeu pështirosje nga gjithë ai gjak grek që kish  njomur dysheme dhe kishte spërkatur muret e shtëpisë çame. Asaj i erdhi  për të vjellë. Lidhi tumanet dhe shkoi me vrap, hapi baulen, ku kish ca  rroba të veta dhe mori aty cipunin e zi. U mbështoll me të bashkë me  automatikun e Izetit. Shkoi te dera dhe mbajti vesh… Rreth e qark  ushtonin armët nëpër shtëpi të tjera, ku zervistët e tërbuar po korrnin  pa mëshirë burra, gra të pabindura, fëmijë dhe pleq, për të boshatisur  fshatin.      Në një cep të gardhit ishte shtrirë i gjakosur qeni i  madh i shtëpisë, të cilin ata e kishin vrarë që në të lehurat e para,  kur sapo kishin ardhur. Bonata rrëshqiti me kujdes si hije në muzgun që  krijonte tenda e hardhisë sipër shkallëve dhe hyri në odë. Izeti kish  rënë përmbys sikur flinte mbi pellgun e gjakut. Kurse i ati dhe e ëma e  tij, të shtrirë mbi dyshemenë me dërrasa, mbaheshin ende me duart  shtrënguar te njëri-tjetri, sikur po i luteshin zotit për paqe  njerëzore.      Bonata e ktheu Izetin drejt dhe e puthi në buzët e ftohta duke i pëshpëritur:      -Xhani im, s’na lanë zagarët ta gëzonim zoinë bashkë, po hakën tënde ta mora unë!… – pastaj duke nxituar me lot në sy, mori  jorganët mbi sepete dhe i mbuloi të tre, sikur flinin.       Zbriti shkallët me kujdes, duke u dridhur nga frika, se  mos shfaqeshin zervistë të tjerë diku afër. Kapërceu gardhin e përkulur  deri afër tokës, me automatikun që i pengonte ecjen, derisa hyri në  kopshtin e mbjellë me misër dhe me fshesë. Më tej zbriti në përroin e  errësuar nga muzgu i pasdites. Nëpër pellgje aty këtu shquheshin kufoma  fshatarësh me kokë të prera. Fshati qënkish kthyer i gjithi në  kasaphanë.      Ajo mori rrugën e vetme, por e trimëruar nga automatiku i Izetit nën cibune. Kaloi nëpër rrethinat anash Mininës, Filatit, Koskës dhe natën vonë doli në Qafëbotë të Konispolit. Aty dëgjoi nga një bari, që shqeu sytë mbi automatikun dhe guximin e saj, se në atë vend kishin  kaluar gjatë ditës, disa qindra çamë të mërguar. U ndal një copë herë,  sa për t’u çlodhur dhe për të mbushur gjoksin me ajër Shqipërie.  

Filed Under: Kulture Tagged With: ngjarje e vertete, Tregim, Vullnet Mato

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT