• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Shqipëri kudo ta lypin or zotëri

January 11, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që puna e këtij gjyqtarit nga Fieri është dominante në webet tona. Dhe shumë syresh ngrejnë supet, gajasen, i vënë gojës dorën përsipër etj. Sikur çfarë ka ndodhur. Çfarë ka bërë ai gjyqtari?! Mirëpo në Shqipëri kudo ta lypin or zotërinjë, zonja a shoqe. Nuk e di përse habiteni. Kudo…

Tek gjendja civile për një çertifikatë. Tek përmbarimi. Tek patentat, tek kouladimi i mjeteve. Tek lejet e çiftes. Tek vërtetimet në fakultete. Tek posta. Tek abonentë, kartat e identiteti, pasaportat. Kudo. Në korridoret e spitaleve nuk bëhet fjalë, të rjepin deri sa të dali grima e fundit e frymës. Ku nuk të rrjepin e nuk ta lypin në Shqipëri? Ku? Në dogana?

Mos e fol. Të gjallë të rjepin. O ta marrin atë ”kafenë” e përqindjes, o kurrë nuk të zhdoganohet malli. Ne kemi postulat në gojë faktin, njoh unë dikë aty. Kam një mik. Ta rreugulloj unë. Shkojmë bashkë. Le të jetë edhe institut për studimet bërthamore ne, do ta modifikojmë ligjin, do i modifikojmë shkresurinat, do ta punësojmë për hatër të mikut një kasap. Jemi unikal për këtë… miku të bën artist, miku të bën shkencëtar. Miku të paguan për gjithë jetën qyl. Miku dhe partia…

A e dini se si mu përgjigj një herë një zonjë boll e kualifikuar. Dhe me një bagazh dijesh. Kur e pyeta pse e papunë. Më tha, sepse jam pa parti, nuk kam para të tepërta të jap, tua fus nën dorë, nuk di të hap shalët. Ja tre arsye ku mund të vdesësh i papunë. 

Kjo është Shqipëria jonë vëllezër.

Megjithatë gajasemi me një gjyqtar që ta lyp. Që palos eurot në një lokal të zbrazët. I gjithi në dispozicion të tij. Të kujton ato pamjet e filmave me kapot e mafiozëve, kur uleshin dy koka e vulosnin. Përreth vetëm tavolina të zbrazta. 

Dhe ky është fundi. Ose rënia në batak e një shoqërie e cila po e ha të gjallë vetveten. 

A ka rrugë për ta ndalur këtë theqafje. Pa asnjë diskutim që ka. Duke filluar së pari nga shteti vet. Eshtë fare e kollajshme, çdo fund viti të verifikohen të ardhurat. Fare e kollajshme. E kemi përsëritur sa jemi bërë shkumaxhinj nga goja. Gjyqtar je zotrote? Po.. sa e ke pagën, sa ke marr për një vit. Dalin të gjitha. Kaq. Dhe çfarë janë teprica, kuptohet se nga vinë. Dhe me to merret ligji pastaj. Por ata nuk duan ta bëjnë këtë. Sepse, së pari u nxjerrin sytë vetvetes. Nuk duan ta bëjnë që nga qeveria. Shtetarët e ardhur me votë. Së dyti nuk duan ta bëjnë as opozitarët. Lëre çfarë kërkojnë vetingun e figurave politike. Eshtë një blof spektakolar. Asgjë tjetër. Por ajo që më habit dhe që është e treta në radhë…, është fakti po ne, ju, të gjithë, si shoqëri përse nuk kërkojmë një veting rrënjësor nga 1990-ta e këtej. Një zbythje totale e kastës që erdhi nga apartamentet një dhomë e guzhinë, nga sekretariatet e partisë së punës, katovica etj., dhe që sot janë sipërmarrës a investitorë dhe në masën 100% i kanë nipërit e mbesat me studime jashtë duke varrosur traditën dhe universitetet tona. Pra për një katarsis kombëtar. Dhe të gjitha këto me paratë e taksave, të rrjepjes, rryshfetit, lypjes, poshtërimit, burgosjes. Kjo më habit, neglizhenca jonë. Dhe dashuria e pafund karshi këtyre kryetarë a kryeministra, partish etj. Aq sa kam përshtypjen se vendi tashmë, është plotësisht i angazhuar, vend partiakësh, jo qytetarësh. 

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet kjo rënie, ky degradim, ky fund plot dimër thashethemesh e kamerash të fshehta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kudo ta lupin, shqiperi

Shqipërinë po e zbrazin po me çfarë do ta mbushin?

January 11, 2019 by dgreca

1 eli8Nga Elida Buçpapaj/

“Kërkojnë 48 mijë shoferë në Kanada!”

“Kërkojnë punëtorë në Gjermani”, “Gjermania kërkon rreth 1.8 milionë punëtorë nga Ballkani!”

Këto janë lajmet që qarkullojnë nëpër mediat shqiptare!

Janë fakenews? Shqiptarët nuk presin as pyesin që të marrin vesh nëse janë të vërteta apo gënjeshtra! Po ia mbathin!

Nga ana tjetër janë me qindra mijëra ata që mbushin formularë për Green Card apo marrin ikën ku të mundin! Janë me diploma dhe bëjnë punë të rëndomta.

Janë inxhinierë dhe punojnë nëpër restaurante apo pastrojnë zyra.

Mjekët ndërkohë i kanë hyrë gjermanishtes dhe nuk do të kalojë shumë e spitalet në Shqipëri do të mbushen me mjekë me diploma fallco apo diploma të shitura!

Sipas statistikave jo të freskëta gjatë këtij tranzicioni gati 30 vjeçar Shqipërinë e kanë lënë 3 milionë shtetas që tashmë kanë formuar diasporën e pas diktaturës, ndërsa në vendin e shqiponjave kanë mbetur 2.7 milionë, një pjesë e mirë të moshuar dhe pensionistë.

Truri ka fluturuar jashtë vendit, aty kanë mbetur ata që kanë marrë mastera dhe doktoratura të plagjatuara. Fenomeni brain drain, Human capital flight – ose fluturim i kapitalit njerëzor është një fenomen që nuk ndalet në Shqipëri.

Edhe pse dihet se shpresa vdes e fundit, rezulton që në Shqipëri shpresa është arratisur nga vendi. Shqiptarët nuk besojnë tek asnjëra palë politike, e kanë humbur shpresën për të nesërmen dhe ndërmarrin aktin final, heroik duke lënë vendin e tyre, aty ku balta është më e ëmbël se mjalta!

Sepse të ikësh, të lësh shtëpinë, të ikësh nga qielli yt që ke mbi krye është sikur të presësh rrënjët dhe me rrënjët kraheve të endesh nëpër botën ku s’të njeh dhe s’të pret akush për të gjetur një tokë skërkë, për t’i mbjellë rrënjët e vijuar jetën! Ky është një akt dramatik, epik, heroik! Për patriotizëm nuk bëhet fjalë, sepse kur nuk ke minimumin e ekzistencës që të siguron një jete me dinjitet, kur nuk ke punë e siguri, patriotizimi është i fundit që të vjen ndërmend.

Diaspora 3 milionëshe është shumë më sensibël se ata që kanë mbetur aty! Tanimë e ngulitur në Perëndim, diaspora është pjesë e Perëndimit, por ata që ikën nuk janë më të rinj, ndërsa ata që lindën tashmë të rinj, pjesa më aktive, janë vendosur shumë mirë, integruar për të mos thënë asimiluar! Megjithatë diaspora mbetet një burim i fortë shprese!

Sot mediat dhe portalet shqiptare e kanë të sigurt klikueshmërinë kur japin lajme të tilla si “kërkojnë 48 mijë shoferë në Kanada” apo “Gjermania kërkon 1.8 milionë punëtorë nga Ballkani” e më the të thashë. Këto lajme konkurojnë lajmet më pikante të kronikës rozë apo fotografive e videove hard!

Mediat në Shqipëri janë pjesë e establishmentit hajn e majmur në lluks që për t’i ruajtur privilegjet e pamerituara e ka ssi strategji largimin e shqiptarëve nga atdheu. Që pastaj aty të mbetet llumi politik me enturazhin e vet, plus pensionistët me pensionet të pamjaftueshme as për të mbajtur frymën gjallë. Establishmenti hajn ka bodyguard mafien dhe militantët e administratave plus shërbëtorët e llumit, guzhinierët, shërbyesit që u pastrojnë vilat, që u punojnë kopështet, që ata të farmakosin bio, parukeritë, sallonet e bukurisë, botokseve, kirurgjisë plastike, mani pediküre-et, eskortave me dokoratura me buzë, gjoks’ e të pasme të fryra me silikon dhe hostelet për qentë e macet  e aristokracisë të llumit, krijuar këta 30 vjet, që për të siguruar ngulitjen e tyre ilegjitime i intereson çngulitja e shqiptarëve!

Por harrojnë se çngulitjet apo çrrënjosjet shoqërohen me kataklizma!

Vakuumet dhe zbrazjet mbushen!

E llogaritë nuk dalin gjithmonë!

A nuk do të ishte më mirë që të ndalet çrrënjosja e shqiptarëve dhe në vend të tyre le të çrrënjoset ky llum që natë e ditë përjarget në lluksin vanitoz por që e ka si objektiv të mbijetesës së tyre zbrazjen e Shqipërisë?!

A do të jetë rinia që do t’i ç’rrënjosë dhe zbrazë Shqipërinë nga ky llum?!

Le të shohim se çfarë do të na sjellë 2019!

Uroj më të mirën për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Zbrazja e Shqiperise

Paradokse të kohës

January 11, 2019 by dgreca

2-AstritLulushiNga Astrit Lulushi/
Kur i referohesh të kaluarës, asgjë nuk duket më e përparuar në shoqëri sesa tradita, apo gjërat që kanë mbetur pas. Tradita gjithmon ngre kokë, është e pavdekshme, herë tregohet e rreckosur, herë e veshur me tesha të reja shumëngjyrëshe të kohës – asnjëherë nuk del jashtë mode, nostalgjia për traditën nuk shuhet. Sistemet qeverisëse janë pak ndryshe, asnjëherë nuk janë në modë për shumë kohë. Demokracia, psh., konsideruar ndër sistemet më të mira, edhe gabon, kryen vetëvrasje, qeveria sa herë mbyllet a bllokohet, dobësohet, dënon veten, si nusje që tradhton burrin duke shkuar në shtrat me mullisin për inat të vjerrës, apo si ‘kaobojsi’ i hutuar, i cili padashje plagos veten në këmbë. Përfundimisht janë njerëzit e thjeshtë, populli, që e pëson e vuan – Demokracia bazohet në popull, ushqehet prej tij, por jo që ta shtypë atë. Duket se Demokracia si ide rrëmbehet për t’u përdorur për qëllime të mbrapshta. Po ashtu dhuna është prodhim kombëtar, fillimisht nxitet, si koka kola, pije freskuese, dikur popullore, por sot e pakëshillueshme për shëndetin. Të arrish këto përfundime do të thotë se diçka ke mësuar nga jeta dhe se përtej saj nuk ka gjë tjetër.
Jakob Philipp Fallmerayer njihet për shumë ide të cilat koha i ka hedhur poshtë, por që nuk mbetën pa ndikuar shumë shkencëtarë të politikës. Nuk duhet harruar se Fallmerayer veproi në gjysmën e parë të shekullit XIX. Një nga teoritë që ai paraqiti dhe mbrojti me forcë të madhe ishte se kapja e Stambollit nga Rusia ishte e pashmangshme dhe kjo do të çonte në gllabërimin nga perandoria ruse të të gjithë gadishullit ballkanik; dhe se kjo perandori e zgjeruar do të përbënte një kërcënim të vazhdueshëm për kombet perëndimore, veçanërisht gjermanët. Asnjë nga këto parashikime nuk dolën të vërteta, por nuk mund të thuhet se ato nuk ndikuan shkencëtarët. Bashkimi Sovjetik ndoqi të njëjtën strategji dhe atje ku nuk mundi të futej me armë, u përhap nëpërmjet ideologjisë.
Richard Wagner dhe Fallmerayer kanë qenë dy prej idhujve të Adolf Hitlerit, i cili ka ushqyer urrejtje deri patologjike për hebrenjtë, sllavët dhe grekët. Disa thonë se Hitleri, i njohur për krime e vrasje të shumta në Greqi, ishte mik i shqiptarëve – dhe ky është një tjetër paradoks. Të jesh grek, duhet të vritesh; të jesh shqiptar, po njësoj; të dy vriten në emër të njeri tjetrit. Hitleri i urrente grekët dhe nuk i shihte aspak si pasardhës të heronjëve homerikë. Këtë ide ai e kishte krijuar duke lexuar Fallmerayerin, i cili shkruante se grekët e sotëm janë shqiptarë që kishin populluar trojet e mbetura bosh. Dhe shtrohet pyetja: Nëse Greqia ishte populluar nga shqiptarët, atëherë cilët urrente Hitleri, grekët apo shqiptarêt, apo njëkohësisht të dy bashkë?

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Paradokset e Kohes

“Mustafa Kruja si njeri kulture”

January 11, 2019 by dgreca

NGA ERNEST KOLIQI/

1-Mustafa-Kruja-237x300

Mё qet puna shpesh tё kem tё pёrpjekun me djelmosha qi merren me kulturё shqiptare. E kam fjalё sidomos ke ata prej atyne qi dolen nga nji kurs epruer studimesh tё mesme e qi zotnojnё me njoftime tё veta nji shtrîmje bukur tё gjânё tё çâshtjeve kulturore t’ona. Flas edhe pёr tё rij qi kryen fakultete universitare. E shumta e tyne, mbasi qi kёto takime ndodhin nё mёrgim, janё djelm kosovarё, ase t’ikun prej Shqipnije nё Kosovё e mandej tё shpёrngulun nё Prendim ku vazhduen shkollimin ase Arbreshё tё dhânun mbas gjuhёs e letrave shqipe; shkurt: intelektualё moshe sё re. Mue, si arsimtar, shёndrrimi i mendimeve me pёrfaqёsuesa tё djelmёnís studjuese jo vetёm mё kёnaqё por mё vlen pёr mos m’u shkёputё nga pёrpushjet mendore tё botёs aktuale, d.m.th. me qindrue nё dijení e nё vlug tё frymёs sё kohёs. Jetojmё nё nji faqe nierit ku ndrrimet nё mendёsí, nё zakone, nё shije, nё parime gjikuese ndrrojnё pajadá, kapёrdihen, marrin drejtime tё paprituna, ecin para e kthejnё mbrapa me ritёm tё vrullshёm. Deri sa bân hije mbi kёt tokё, pёrditё dishka mёson njeriu. Me njomsín e  ndieshmёnís sё tyne, tё rijt na bâjnё, deshtas a padeshtas, tё prekim me dorё gjendjen ku shpirtnisht e qytetarisht arrîjti rodi i ynё. Tue krahasue pёrshtypje e opinione breznísh tё ndryshme, shofim patjetёr mâ qartas ku i dhemb e ku i djeg çâshtjes kulturore shqiptare.

Grumbulli i vlerave tё kombit d.m.th. pasunija kulturore e jonё ka nevojё pёr organicitet. Pyetjeve: kush jemi na Shqiptarёt? Cilat janё tiparet qi na dallojnё nga kombet e tjera? Ҫ’farё botёkuptimi trashiguem nga stёrgjyshat, a mâ mirё, ç’tharme njerzore kanё zakonet qi rregullojnё jetёn t’onё? Ҫ’pajisje tё mira e tё kёqija ndryen shpirti arbnuer? Si paraqitet toka ku banojmё, e ç’ndikim patёn mbi rodin t’onё karakteristikat e saj? Ҫ’kavija (shkaqe) e ç’pasoja (rrjedhime) kryesore spikasin nё zhvillim tё ngjarjeve historike kombtare? Ҫ’ideal jetese paraqet nё thalb tё vet letёrsija e jonё gojore e ajo ditunore?[1]

Nji njerí me mende e shqise tё zhvillueme dishron e don me pasё pёrgjegjen e kёtyne pyetjeve tё ngashёrueme. Lakmon nxehtёsisht tё két para vetes pámjen sa mâ tё zdritun tё dhânave qi i pёrkasin jetёs shqiptare nё kalesё e nё tё tashme pёr t’i a blé neshtrashёn ardhёmёnís.

Mungesё e pafajshme dijenije

                    E mbeta qi, – nё takime  me tё rij tё Shqipnís, tё Kosovёs e tё diasporёs, – mё bjen nё sý menjiherё âsht mungesa e lidhjeve ndёrmjet pjesve tё botёs shqiptare. Rrethânat e sotshme, shkaktue nga stuhít politike e luftarake tё kёtij qindvjeti, kanё shkaktue copёtim nё mes gjymtyrve tё trupit shqiptar. Sot pёr sot, duhet tё kapёrcehen shum vishtirsí pёr tё pasё nji idé gangullore tё vlerave sё njimendta t’ona. Pjesёt e ndryshme nё tё cilat copёtohet gjindja e jonё shkaktojnё nji krijim qarqesh tё veçueme kulturore aspak tё harmonizueme njâni me tjetrin. Mungon njisija  e nji tânёsije organike. Me kandar e me kút tё ndryshёm peshohen e maten vlerat, qi duhet tё njehen tё pёrbashkёta. Kuptohet qi larmija e mendimeve dhe e pleqnimeve begatё menden e njerzís dhe zgjânon horizontin kulturuer. Por, pjestarёt e nji kombi, nё disa pika thalbёsore, pёrkitazi me tё qênunit e tij, duhet tё jenё tё njâj mendimi po deshtёn, me mish e me shpirt, tё qindrojnё pjesё e pashkёputёshme e trunkut rracjal origjinar. Pёshtjellimi i vlersimeve dhe turbullimi i parimeve pleqnuese cёnojnё tânёsín shpirtnore dhe e çojnё nji komb nё humbnerё tё çoroditjes e tё shkombtarizimit.

Nuk mund tё paditet kurrkush, – dhe mâ pak se tjerakush djelmёnija, – pёr mungesё kriteresh tё pёrbashkёta nё vlersim tё dukunive, me tё cilat sot paraqitet bota shqiptare. Duhet tё punojmё pёr nji ndriçim. Duhet me gjoks tё pёrpiqemi me sqarue periudha historike, fytyra tё pikatuna tё kalesёs e tё tashmes, rrethâna e hollsina pёr tё rendue me paânёsí e drejtёsí vlerat kombtare, tё cilat sot nё vendrim (contemplation) i shofim tё koklavituna e tё ngatёrrueme. Fajin e kanё zhvillimet e historís s’onё mâ tepёr se njérzit.

Lypi ndjesё pёr kёt parathânie bukur tё gjatё qi e vonoi hŷmjen n’argument shёnue nё titull. E ka arsyen e vet. Ndër personalitete shqiptare, nji ndër mâ të përgojuemit e të shoshluemit âsht Mustafa Kruja. Nuk due të polemizoj me kurrkend: dishroj vetёm  t’a çveshi fytyrën e këtij Shqiptari në shêj nga moskuptimet, nga thashethanat e përcipta, nga paragjikimet verbuese.

Dikush, me arsye, do të më drejtojë vërejtjen tue qitë e thânë se mbi Mustafa Krujën u shkrue edhe mbas luftës dhe njerz të shquem vûnë në dukje meritat e tija. Po, âsht e vërtetë; por, takimet qi përmenda në krye të këtij artikulli, i pata mâ të shumtat tash vonë dhe të rijt me të cilët fola nuk dijshin gjâ mbi ato shkrime. Prandej e shof t’arsyeshme t’u a kujtoj atyne qi dishrojnë me pá qartë mbi të kaluemen e Shqipnís dhe të bijve të saj mâ të vlefshëm, êmnin dhe veprimtarín e Mustafës mbas afro pesëmdhetë vjetve të zhdukjes së tij.

Koha ka qetësue shpirtnat e gjakimet politike synojnë qoka tjera. Prandej mendojmë se fjalët sqaruese zânë vend tashmâ pa kundërshtime të ndezuna.

Tё rijt e zdritun nga kultura dhe tё mbrûjtun nё shakulluer shpartallues tё mbasluftёs sё dytё kuptojnё mirfilli se njerz e ngjarje tё botёs s’onё lёvdohen e pёrbuzen jo nё nji rrafsh racjonal, por n’atê pasjonal dhe duhet tё dijnё tё vёrtetёn, dhe i a vêjnё detyrё vetes me zhdaravitё mjegullinat, me pá qartё e me rendue pa mbajtё pajё n’asnji ânё vlerat e botёs shqiptare. Kush mundohet t’i gёnjejё tue shfytyrue (falsifier) ndodhína e vetje dâmton e njollosё gjân mâ shêjte qi kemi si Shqiptarё: menden e djelmёnís s’onё, d.m.th. tё birnís sё sejcilit prej nesh, e cila don t’eci kah ardhёmenija me pajёn e sё vёrtetёs nё xhep.Natyrisht këtu paraqesim Mustafa Krujën si njeri kulture.

Disa pika bibliografike

Shkruesi i kёtyne radhёve botoi nё Shêjzatnё Vjetin e I (1957), nr. 2 – 3, faqe 70 – 76, nji syzim me titull Shtatёdhjetёvjetori i lindjes sё Mustafa Krujёs.

Mё 1959, mbasi qi Ai ndrroi jetё nё Niagara Falls – N.Y., Shêjzat(Vjet’ i III, nr. 1 – 2, faqe 1 – 12) botuen artikuj tё Zef Valentinit, Tahir Kolgjinit dhe Ernest Koliqit. Nё fund t’atij vjeti (nr. 11 – 12, faqe 381 – 384) i paharrueshmi Dashamirё e Bashkpuntuer i ynё prof. Karl Gurakuqi pёrkujtoi Mustafёn me thekuní miqsore. Edhe nё veprёn e tij Nёpёr vullâjt e Shêjzave(Romё 1969, faqe 7 – 9) foli mbi shkrime tё Mustafёs botue nё tё pёrkohёshmen t’onё.

Mё ka qillue nё Shqipní me ndie gjithfarё fjalёsh mbi Mustafa Krujёn, prej tё cilave delte nё shesh nji gjâ: ai levdohej ase shahej si veprimtar politik, por pak’ e kush e pёrmendte e merrte parasýsh vlerёn e tij kulturore. Mun, shumica e kujtojshin njerí me shkollin tё pёrgjysёt.

Ky vlersim i gabuem apo s’paku i gjymtё nuk duhet tё çudisi. Mustafa mund tё quhet I mёrguemi i pёrherёshёm.Ajo Shqipní e lirë, qi n’akt të pamvarsís së vet përpilue në Vlonë me 28 Nanduer 1912 ka edhe nënshkrimin e tij, i a mohoi shpesh të drejtën me banue lirisht në tokë të saj.

Por tё rrjeshtojmё pikat mâ tё spikatёshme tё jetёs plot travajё e njiherit edhe plot punё.

U lind nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e kreu nё qytet tё lindjes dhe atê tё mesmen nё Janinё, e cila aso kohe, ishte e pёrfshime nё Perandorín osmane. Vazhdoi mёsimet n’Institutin epruer “Mulkije – i – Shahané” tё Stambollit prej kah mё 1910 doli “licencié en sciences politiques et sociales”.

Ҫ’prej moshёs mâ tё ré tregoi prirje shkrimtari e kёt cilsí i a kushtoi kryekёput mprojёs sё drejtave kombtare dhe naltёsimit menduer tё kombit. Nё shtypin liberal tё Stambollit botoi artikuj me pseudonimin Asim Djénankundra qёllimeve tiranike tё Zhoen Tyrqvet. Mё 1909 u dbue nga Instituti si protagonist i nji demostrate sё rrebёt nё favor tё minoriteteve kombtare tё Perandorís osmane e mujt m’u pranue rishtas mbas nji ndёrhymjeje energjike tё Deputatve shqiptarё nё Parlamentin turk.

Mustafa shquhej për karakter burrnuer, për idé të qarta e të préme së cilave u rrinte besnik pa marrë në dorë interesin vetiak. Urrente kompromiset. Shkurt: ishte njeri nji copet: pohen po e johen jo. I ndershem tejet, ishte i matun e i drejtë në pleqnime. U a njifte edhe kundërshtarvet zotsín e vlerën. Në karakter të tij synthetizoheshin lumnisht burrnija e fisit shqiptar me nji dituní organike. Vetít gojdhânore zdriteshin në njoftime të gjâna me të cilat e kishte pajisë mâ parë shkolla e ndjekun me cenë e mandej nji përpjekje e përditëshme kambëngulëse studimi sidomos në shkencat historike, politike, shoqnore e gjuhsore.

Kur erdhi me 1924 si Prefekt nё Shkodёr solli me vete biblioteken e vet tё pasun me botime nё frengjishte. Natёn e Kёshndellave t’atij vjeti, ngjarjet e dituna e shtrёnguen me lânё thekatueshёm Shkodrёn e Shqipnín. U mёrgue bashkё me Luigj Gurakuqin. Librat mbetёn tё shpёrdám do n’Arqipeshkёvní tё Shkodrёs, do ndёr Fretёn e Jezuitё. Mё 1930, si u ktheva unё n’atdhé prej nji mёrgimi pesё vjetsh, i ngarkuem prej tij, mblodha librat nё shtёpí t’ême: ishin me mija dhe nxejshin krejt faqet e murit t’odёs s’eme e tё nji pjese sё çardakut. Vёllime, e shumta, tё bléme ndёr “bouquinistes” tё bregut tё Seine-s nё Paris, nё periudhёn kur ndodhej me 1919 nё kryeqytet tё Francёs si pjestar i Dergatёs shqiptare nё Konferencёn e Paqit. Ai, me kursime (Emzot Bumçi e Luigj Gurakuqi miqasisht talleshin me tê e i thojshin: “Mustafё, mos i shpenzò tё gjitha paret ndёr libra: pёrfitò prej rasёs qi jé nё Paris me bâ pak qejf!”) kishte arrijtё tё grumbullojё nji numёr bukur tё madh veprash tue mendue t’i shfrytzojё nё punёn e tij kulturore, por fati i padrejtё e ndau nga biblioteka e dashun dhe, nё varg tё parreshtun mёrgimesh, punoi pa mujtё t’a pёrdori. Ndrroi jetё nё Niagara Falls tё Shteteve tё Bashkueme t’Amerikёs me 27 dhetuer 1958.

Shkrimet e Mustafёs janё tё shpёrdáme nё fletore e nё tё pёrkohёshme tё ndryshme. Shkroi artikuj nё Mbrojtja Kombёtare (Vlonё mё 1921 drejtue nga Dom Mark Vasa), nё Populli (Shkodёr 1921, drejtue nga Salih Nivica), nё Corriere delle Puglie (Bari), nё Kuvêndi(botue me 1919 – 20 nё Romё nga Sotir Gjika), nё Shqipёria e Ré (nё Kostancё tё Rumanís), n’Albanie Libre (botue nё Romё 1946 – 1956) dhe studime e syzime nё tё pёrkohёshmet Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shêjzat, Shpirti Shqiptar.

Vepra tjera tё botueme: pёrkthimi i veprёs politike tё Vladan Gjorgjevich Arbanasi i Velike Sile (Zara 1927), Abetari i tё Mёrguemit (Aleksandrí t’Egjyptit me 1952); tё pabotueme: pёrkthimi shqip i Illyrisch Forschungen tё Dr. Ludvig v. Thalloczy me bashkёpunimin e dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen.Nisi, por e la tё pakryeme nji Historí t’Aleksandrit tё Madh.

Pёrkthime e punime tё ndryshme, gjithёnji tё pabotueme: Burri (Pyrrhus i Madh), pёrkthye nga Plutarku me shёnime; Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens nga Hans Krahe shqipёrue nga gjermanishtja.

Rradhimi anasjelltas nё shqip-latinisht i “Dictionarium latino-epiroticum” tё Franco Bardhit (1635) me shёnime e shpalime tё denduna gjuhsore.

Mustafa si njeri

At Valentini, qi pat rasë t’a njofi themelisht Mustafën gjatë nji bashkëpunimi të dendun n’Institutin e Studimeve Shqiptare të Tiranës, pohon për sá i përket karakterit të tij se në çdo rrethanë “u tejshifte ase nëpërndritte ndershmenija e thellë dh’e leale e tij, pasjoni i tij për atê qi Ai njehte si ma i madhi visar kulturuer i atdheut, gjuha shqipe”.

Por qe, dishmija ma e çmueshme mbi Mustafën qi kemi nga Valentini, matunija e fjalve të cilit dihet se arrin në shkrupolozitetin mâ të shtrënguet dhe në drejtsin ma të ndërgjegjëshme: “Mundte njeriu mos me pranue përftimet ase methudhat e tija politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo vetëm me mohue, por edhe vetëm me dyshue se pasjoni suprem i tij, mun i vetmi pasjon rreth të cilit bashkërendoheshin ase radhiteshin të gjitha tjerat (pasjone) e të gjitha veprimtarít, ishte dashunija për Shqipnin”.[2]

Proverbjalet mbetet qindresa e tij në punë.

Karl Gurakuqi, njohës i mirë edhe ky i Mustafës, thotë për tê: “Ndonse i diplomuem në shkenca politike (n’Instambul në vjetin 1910), mori rrugën e mësuesís. Kishte nji shpirt arsimtari… Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në Prefekturën e Elbasanit. Këtu u tregue në naltësín e misjonit të rrokun, tue punue me ndergjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonë sa qe gjallë”.

Karli, ai vetë arsimtar i lém, i ka rá në tê përsa i përket prirjes natyrore të vërtetë të Mustafës. Ai, po të shqyrtohen hollë shfaqjet veprimtare të personalitet të tij, nuk vûni kurr pregatitjen e rrallë kulturore në shërbim të politikës qi ndiqte, por u rrek qi politikën e vet t’a vente në sherbim të kulturës. Kishte shpirt apostulli. Për tê problemi kryesuer ishte naltësimi shpirtnuer i gjindes shqiptare e këtë e pritte vetëm e vetëm nga përhapja e ditunís. Ai në nji njeri çmonte, bashkë me vetít tipike shqiptare, shkallën arsimore, pajisjen ditunore. Shfaqej ballhapët si anmik i çdo qindrimi hypokrit, nganjiherë edhe versulej me shprehje të vrazhda kundra mendelehtvet e spitullacavet trûshprazët, përkundrazi nderonte, si thámё, edhe kundërshtarin me vetína pozitive intelektuale. Urrente njerzit e cekët qi me nji lëmashk njoftimesh, si të ngjituna nё mende me pështymë, mtojshin me ndёrhŷ në çdo bisedim tue shitë mend e dije pa sjellë nji kontribut ndertues. Urtín paramune të njerzve të pashkollë por të pasun me njohunít e trashigueme dhe me atê vetjake fitue në tallazet e jetës e nderonte sa s’ka: e njehte krue të pashterrshëm të përvojës shekullore të kombit, t’asaj përvojë qi përmbledh ahtet e shamtinat, galduese e të trishta, të breznive të kalesës.

Palci i shkrimeve të Mustafës

Mustafa Kruja njifej si njeri i shprehjeve të rrëmbyeshme, akuzohej qi nuk duronte mendimin kundërshtar e qi përdorte fjalë mujshare në rrahje të çdo çâshtjeje qoftë politike qoftë gjinije tjetër. Ka gjasë qi kët qëndrim të papërkulshëm (intransigeant) ai e muer nganjiherë me ata, sidomos me t’ashtuquejtun intelektualë, për të cilët ushqente bindjen se flitshin me mende të mbrapësht, porse rëndom shtronte bisedë ndejshëm si mbas zakonit të maleve: si pleqt në kuvende të Kanûnit. N’asht se flitte e përgjigjte thertas aty ku dyshonte n’interlokutorin ndoj mbrapamendim, thartimi i përkitte trajtës jo përmbajtjes së mendimeve. Mendimet ishin të matuna e të përkuerme.

Si të gjithë njerzit e kulturuem të Rilindjes s’onë, para gjendjes qi u krijue mbas sundimit shekulluer t’Osmanllijvet, edhe Mustafa kërkoi idét ndërtuese me i a vû si gur themelit Shqipníssë ré. Rrethânat historike fatkeqësisht e kishin mbajtë popullin shqiptar në nji errësí mesjetare. Aradhja e intelektualvet, e vogël por shum aktive, e cilësueme nga nji larmí e teprueme paraqitjesh kulturore, lakmonte me ngulm nji përparim mâ tepër të dukshëm se sa substancjal për shtetin e ri. Mustafa bashkë me disá mâ mendendritunit personalitete të kohës, u bind se përkundrazi duhej shkue kadalë në shkëputjen prej Orientit dhe n’ecjen kah Oksidenti. Nevoja kryekrejet qindronte në ngujim të dokeve të shëndoshta gojdhânore, d.m.th. m’u përmbledhë sa mâ tepër në rreth të zakoneve mâ gjenuine shqiptare. Studimi i gjuhës për tê donte të thonte edhe depërtim në thalb të gjallë të shpirtit të kombit, thellim në pasunín stërgjyshore, fryma e së cilës duhej të lëvitte në psihe të përtrîme të Shqiptarit. Njoftja e gjuhës shqipe ndihmon me njoftë historín, ethnografin, psykologjín e fisit. Ata qi mtojshin të caktojnë vijat ndërtuese të jetës së ré shqiptare tue mos dijtë shqip, por tue folë gjuhë të hueja e tue u mbështetë vetëm në kulturna të hueja, Mustafa i njehte njerz abstrakt, vizatuesa të nji Shqipnije n’erë, pa rrajë në humusin autokton. Ai mendonte me vû në drejtpeshim përvojën e vjetër trashigue nga të Parët me shkencë, tue shartue n’urtí tё kalesës kulturën mâ të përshtatun moderne. Jo me u hapë dyer e dritore idéve tepër të shtyme: dronte se nuk i bár mendja e popullit, plandosë prej qindra vjetësh në nji rrënesë t’âmullt. Shkurt: mendimi i Mustafës, qi u pasqyrue si në shfaqje të jetës ashtu në shkrime të tija, qindron në kult të vlerave shqiptare, natyrisht të përtrîme e të spastrueme në frymën mâ të kulluet të qytetnimit. Ishte njeri i rendit dhe i dishiplinës, i ligjës e i kanûnit, urrente privilegjet, demagogjít, besonte ngultas se vetëm meritokracija mund të mbëkâmbte nji shtet e nji shoqní shqiptare të dênjë m’u rrjeshtue në radhë të shteteve të qytetnueme. Meritokracija âsht ai koncept qi cakton me i a lëshue rrugën njervze t’aftë, të pregatitun, të pajisun me cilsít e nevojshme për t’i shërbye nji bashkarije shoqnore. Ai nuk përbuzte kurrkend por, mbi të gjitha, në nji njerí çmonte cilsit morale e kulturore.

Gjuhtari e shkrimtari

Tё gjitha fuqít mâ tё zgjedhuna tё veta, gjatё mâ se pesёdhetё vjetve, i a kushtoi studimit tё gjuhёs shqipe. Njifte me themel leksikun dhe frazeologjín e gegnishtes dhe tё tosknishtes. Nё Zara, nё Sant’Ilario afёr Genovёs, nё Genève e kam pámun gjithmonё pёrkulё mbi tekste shqipe gjuhsije, libra e tefterё shёnimesh dhe memzi i a mbushёshe menden (i nxitun edhe prej Zojёs Caje, bashkёshortes sё tij fisnike) me dalё e me bâ ndoj shetí. Edhe tue shetitё shtjellonte çâshtje gjuhsije. Prej si kam pasё dobí shum: ai mё shtyni nё pёrdorim tё trajtave tё mesme (t’Elbasanit) nё shkrime tё mija, ai mё kёshilloi t’u a vê menden sinonimevet pёr t’a bâ mâ tё pёrpiktё stilin.

Mbi rezultatet e punёs sё tij me vullnet titanik kushtue gjuhёs shqipe, kanё dhânё lajme At Valentini e Karl Gurakuqi. I pari shkruen:

“Chiunque abbia avuto occasione di leggere anche uno solo dei suoi articoli di filologia, non può non aver constatato quale fosse la immensa quantità di materiale da lui raccolto, sistemato, continuamente presente alla sua memoria. Ma non è forse uscito da quaranta anni in qua un dizionario o un anche modesto glossario albanese che egli non abbia esaminato e commentato con migliaia di osservazioni, d’aggiunte, di rettifiche, tutte abbondantemente e sicuramente documentate. I suoi amici e quelli che gli furono colleghi nell’Istituto di Studi Albanesi di Tirana hanno potuto vedere e consultare i suoi 12 grossi volumi manoscritti in formato protocollo, che se non fossero rimasti inediti, certo avrebbero costituito il primo e vero grande dizionario della lingua albanese. Quante volte nella discussione d’un qualsiasi particolare filologico, in sede di commissione linguistica o di commissione letteraria, un florido gruppo di competenti veniva a trovarsi nell’incertezza, quasi altrettante volte il ricorso a quel dizionario che egli poneva a nostra disposizione, risolveva la questione nel modo più soddisfacente”[3]

“Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё landёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qenё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёsi me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjindej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.” (Pёrkthim i Eugjen Merlikёs)

I dyti thotё:

“Edhè atёhera kúr rrethanat e shtynё tё ndiqte rrugёn e politikёs vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhёs. I fali kёsaj studime tё matuna e tё frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton tё pёrmendim Fjalorin e madh tё shqipes, rreth tё cilit ka punue gadi krejt jetёn, pá u lodhё, tue mbledhё visarin gjuhёsuer tё malit e tё fushёs. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdime. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ka shpёtue nga rebeshi i kohёs”[4]

Dihet qi ai i Mustafёs âsht shembull stili parashtrues (ekspozitiv). Letrat e tija janё nji visar ku, veç pёrmbjtjes sё çmueshme pёr historín t’onё, shqipja shpalisё tё gjithё zotsín e vet shprehёse nё ton bisede, ku mendime e ndiesina e gjikime dalin tё çânёsueme me premí e qartёsí t’admirueshme. Ai, njerí realist e i prirun kah spjegimi logjik i ngjarjeve, kёrkonte thjeshtёsín nё shkrim. Dhe i a arriti nё stil tё vet, nji tejpasije (transparence) nёpёr tё cilёn drita e mendimit del e gjallё n’ind tё fjalve e tё fjalive.

Kur shkruente mbi ndoj argument qi i a prekte shpirtin, stili i tij ngjyrohej e pёrflakej por pa rrёshqitё nё llasё tё nji brydhёsije (tendresse) qi nuk pёrkonte me natyrёn burrnore tё tij. Shprehet me nji zbunim tё pёrmbajtun, skofiar (delikat) e tё ngrohёt por jo butlosh. Tё shifet nё shkrimin kushtue qytetit tё Krujёs si e âmbёlson mashkullisht fjalёn kur çekё sende qi ka pёr zêmёr.

Shkruesi i kёtyne rradhёve ka jetue me vjet pranё Tij, ka thithё frymёn e shёndoshtё shqiptare tё votrёs sё tij shtёpijake nё vende tё ndryshme mёrgimi ku atê e hodhёn stuhít politike, âsht ushqye me miqsín bujare e bujarsuese tё Tij, e ka pasё mjeshtёr gjuhe dhe, mbas vdekjes sё Luigj Gurakuqit, e ka njehё Udhёhjekёs tё vetin nё çdo nismё kombtare. Kjo lidhje e ngushtё e vên nё gjendje me folё pёr Tê me dijení tё plotё tё dhânash. Me gjithёkёtê, tue shkrue kёto rradhё âaht pёrpjekё me ruejtё paânёsín. Sidoqoftё, si do qi tё merren gjikimet t’ona, veprat e Mustafa Krujёs jesin dishmim i shkёlqyeshёm i kontributit moral e kulturuer tё botёs shqiptare.

Marrё nga broshura “Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhёtar”, SHÊJZAT 1973

[1]Djelmёnija studjuese sot don tё hŷjё nё thalb tё çâshtjeve. Ideologjít e ndryshme nё luftё me shoqishoqen e detyrojnё me zgjedhё. Nacjonalizёm a internacjonalizёm? Ndёrmjet kёtyne dý skâjeve kundrore (opposées) valavitet mendimi i sotshёm. Tue vlerёsue problemet nё lidhje me kombёsi, tё rijt duen tё hulumtojnё edhe zanafillёn e tyne, d.m.th. kalesёn e kombit prej kah burojnё kavít (les causes) e rrymbave tё ngjarjeve. Nё kёtё hulumtim gjêjnё pengoja: disá ngjarje nuk janё tё shkrueme e gjurma e tyne qindron nё kujtim tё njerzve tё motnuem, disá janё tё shkrueme por pёsojnё nga nji ânёsí e qartё interpretimi. Sidomos veprimtarija e personaliteteve qi u shfaqёn nё skenё tё historís si protagonista shpesh rrethohet me avullim shoshlimesh tё cekta a tymtajё pasjonesh. Tё rijt serjoza dishrojnё m’e kullue punёn, sidomos kur dyshojnё se nji mёní vazhduese orvatet me shfytyrue (falsifier, dénaturer) tё vёrtetёn. Ata kuptojnё se i erdhi koha nji paraqitjeje tё drejtё, pa shtrёmbnim, tё fytyrave mâ tё pikatuna kombtare. Nuk niset nji ecje e mbarё kah ardhёmёnija me paravûmje (premisses) idésh kallpembi kalesёn.

[2]Shif Shêjzat, Vjet’i 1959, 11 – 12

[3]Shif Shêjzat, Vjet’i III, 1959, nr. 1 – 2, faqe 4

[4]Shif Shêjzat, vjet’i 1959, nr. 11 – 12, faqe 382. Dymbёdhjetё tefterёt me fjalё tё mbledhuna e tё shpalisuna nga Mustafa kanё mbetё n’Institutin e Shkencave e mâ vonё n’Universitetin e Tiranёs e prandej ajo lândё leksikore gjendet sigurisht, e shfrytzohet, nё Fakultetin e Letrave t’atij Universiteti.

Filed Under: Politike Tagged With: Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Shejzat, si njeri kulture

PËR NJË STRATEGJI TË PËRBASHKËT MBARËKOMBËTARE

January 11, 2019 by dgreca

Libri “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një përmbledhje artiukujsh, vlerësime veprash, eseshë dhe monografishë kushtuar intelektualëve të pavarur shqiptarë, si dhe portrete, kujtime, diskutime dhe komente dhe letra të përzgjedhura nga autori, të botuara gjatë viteve të fundit në media të ndryshme shqiptare në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve të Kombit shqiptar.  Janë këto shkrime, në një frymë mbarë kombëtare, ashtu siç sugjeron edhe titulli/
1-Frank-shkreli-NGA FRANK SHKRELI/
 Para nja tri javësh më ra në dorë libri më i fundit i autorit Prof. Asc. Dr. Thanas Gjika, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”.  Para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1996, Profesor Gjika, ka punuar si redaktor dhe gazetar në Radio Tirana dhe si studiues në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.  Përveç librit të fundit “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” – subjekt i të cilit është edhe ky shënim modest — i posa botuar në Tiranë — Prof. Gjika është edhe autor i disa librave të tjera dhe i një numri veprash shkencore, mjaft të vlerësuara nga eskpertë dhe specialistë shqiptarë dhe të huaj.  Por, përveç këtyre veprave shkencore, ndoshta autori njihet nga lexuesi më së miri dhe më shumë për publicistikën e tij aktuale, për artikujt, portretet dhe kumtesat, me të cilat ai është i pranishëm rregullisht në medien e shkruar në Shqipëri, në Kosovë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Libri “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një përmbledhje artiukujsh, vlerësime veprash, eseshë dhe monografishë kushtuar intelektualëve të pavarur shqiptarë, si dhe portrete, kujtime, diskutime dhe komente dhe letra të përzgjedhura nga autori, të botuara gjatë viteve të fundit në media të ndryshme shqiptare në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve të Kombit shqiptar.  Janë këto shkrime, në një frymë mbarë kombëtare, ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit.  Ndërsa shkruan se, “populli shqiptar është një nga popujt më të abuzuar të kontinentit evropian”, Profesor Thanas Gjika bën thirrje për një “Shqipëri të Vërtetë”, me “Një strategji Mbarëkombëtare”, ku të përfshiheshin gjithë trojet që banohen në shumicë nga shqiptarët.  Profesor Gjika e përshkruan si të favorshme për veprim, gjëndjen aktuale politike të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor — me dy shtete të pavarura, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa faktorët e tjerë shqiptarë në Ballkan gëzojnë gjithashtu më shumë se përpara të drejta e liri, ndërkohë që shqiptarët kanë ende mbështetjen e aleatëve të fuqishëm perëndimorë, Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian.  Ai u bën thirrje, “Intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë kudo që ata jetojnë: që të punojnë intensivisht për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarëkombëtare: pra për një politikë, një letërsi dhe një kulturë kombëtare shqiptare.”  Krijimi i një politike të tillë mbarëkombëtare në fushën politike, kulturore dhe të letërsisë kombëtare do të çojë në një shtet kombëtar shqiptar, sipas tij, “Të Shqipërisë së vërtetë, ëndërra e rilindësve tanë, duke korrigjuar kështu padrejtësinë që kreu diplomacia eropiane në vitin 1913.”  Mjaft humbëm kohë, shprehet Profesor Gjika, duke thekësuar se të gjithë ata që nuk punojnë për një strategji të tillë mbarëkombëtare, janë në rrugë të gabuar, thekson autori.

Është e qartë dhe e natyrshme se në librin — në pjesën dërmuese të shkrimeve në librin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” — Profesor Gjika ka përzgjedhur artikujt dhe portretet me temat dhe subjektet që, kryesisht, përputhen me titullin e librit dhe me thirrjen e tij të pëgjithëshme për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarë kombëtare, si një hap i domosdoshëm për krjimin eventual të një shteti shqiptar, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone.  Autori e bën këtë thirrje, me një angazhim të plotë shpirtëror, “Për emancipimin e popullit të tij në frymën e demokracisë përendimore”, siç vlerëson edhe Profesor Dr. Sadri Fetiu në parathënien e librit të fundit të Profesor Thanas Gjikës.  Pasi jep një vlerësim mjaft interesant dhe të hollësishëm të një numri portretesh shqiptaro-amerikanësh dhe të tjerë përfaqsues me origjinë, pothuaj, nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe artikujsh dhe kujtimesh të përfshirë në librin e sipërpërmendur, Profesor Dr. Sadri Fetiu shkruan për librin e Profesorit Gjika duke u shprehur:  “Kjo vepër është rezultat i një pune këmbëngulëse në studimin e çështjeve të parashtruara dhe do të shërbejë për zgjërimin e dijeve tona në fushën e letërsisë, të historisë, të kulturës shqiptare dhe do të japë ndihmesën e veçantë për demokratizimin dhe përparimin e jetës së shqiptarëve, duke synuar unitetin e tyre të plotë drejt realizimit të ëndrrës së rilindësve tanë dhe atë atdhetarëve të denjë të të gjitha kohëve: Për një Shqipëri të vërtetë, të lirë e sovrane, paqëdashëse dhe demokratike në të gjitha viset e saj, brenda dhe jashtë Siujdhesës Ballkanike”, përfundon vlerësimin e tij,  veprës së Dr. Thanas Gjikës, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, Prof. Dr. Sadri Fetiu nga Prishtina.

Në librin “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” nuk mungojnë as temat aktuale që kanë të bëjnë me zhvillimet politike kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve.  Në shkrimin, “Për Diskutimin e Kufijve Kosovë-Serbi”, Dr. Thanasi shprehet se, “Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur ishte një zgjidhje e përkohëshme…” dhe sugjeron se, “Zgjidhje më e mirë dhe paqësjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar…zgjidhje të tjera janë afatshkurtëra”, shkruan Profesori i nderuar.   Ndërkaq, mbi një çështje tjetër aktuale, Profesor Thanas Gjika, në një letër të hapur drejtuar Hirësisë së tij Anastas Janullatos, udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri, i bën thirrje atij që të dënojë krimet, “që kreu ushtria e rregullt e shtetit grek kundër popullit shqiptar, si dhe përkujtimin e tyre me ceremoni meshësh të veçanta”, ka shkruar ai në letrën e hapur drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri.  Njëkohsisht, Profesor Gjika i drejtohet atij me kërkesën, që “për disa dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga shtëpitë dhe tokat e tyre atërore…të ngrihen memoriale në kujtim të viktimave shqiptare që shkaktuan ushtarët e shtetit grek.” Profesor Thanas Gjika përfundon letrën duke u shprehur se “Miqësia midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohet jo duke ndërtuar vorreza e memoriale në tokat shqiptare vetëm për disa ushtarë që ranë në luftën Italo-Greke jashtë kufirit të Greqisë më 1940, por duke ndërtuar edhe memoriale për viktimat që i shkaktoi popullit shqiptar ushtria greke, si ushtri e një qeverie shoviniste”.

Vepra përfundon me një vlerësim të librit të mëparshëm — të parafundit –të Profesor Thanasit, librit me titull: “Mosdënimi i Krimit është Krim i ri, nga Viktora Vllahu, ku citohet pedagogu Dr. Neli Naço të ketë thënë gjatë një promovimi në Korçë, se “Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: Mosdënimi i krimit është një krim i ri, ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë gjithmonë qëllimi kryesor i autorit.  Shpallja pra e një lloj humanizmi bashkohës që ai ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij.”

Kjo kredo mund të shpjegohet edhe si një shfaqje shprese e autorit, ndoshta edhe si mundësi e një përtëritjeje morale e shoqërore, sepse sipas vlerësimit të Dr, Naço-s, “Kjo kredo (e Dr. Thanas Gjikës) është një besim i palëkundur i autorit që ai e artikulon në shkrime të ndryshme, por ka bindje se kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvilohet dhe të përparojë  nepërmjet një procesi  pastrimi shoqëror dhe politik.  Fshehja e krimit, sipas Profesorit, quhet krim dhe mungesa e dënimit, mundëson që të çojë në përsëritjen e tij.  Kur lexon shkrimet e tija, është e qartë se kjo kredo është pjesë e pandarë e pikpamjeve filozofike të Profesor Thanas Gjikës, ashtu siç i shpreh ai me vendosmëri e bindje, në shkrimet dhe komentet e tija.

 

Libri i Prof. Dr. Thanas Gjikës me portretet e të cilëve dhe materiale të tjera që pasqyrohen në vëllimin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një punim me shumë vlerë, pasqyrues i jo vetëm mendimeve personale të autorëve dhe personaliteteve të përfshira aty, mbi çështje aktuale dhe historike të interesit kombëtar, por njëkohsisht paraqet edhe një pjesë të historisë  dhe të rrejdhave politike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve: për sfidat dhe problemet, për aktualitetin politik dhe ekonomik, për mënyrat e qeverisjes, për lirinë dhe zhvillimet demokratike, si dhe hollësi të tjera nga bota shqiptare në përgjithësi, përfshirë diasporën.  Ky është një libër prej një njeriu dhe intelektuali kompetent, ku përfshihet sado pak një pjesë e historisë sonë kombëtare, e pasqyruar në publicistikë dhe e përmbledhur me shumë kujdes në këtë vëllim të veçant nga Profesor Thanas Gjika.  Me këtë vepër, ai na jep një kontribut të vlefshëm ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare shqiptare, një parakusht asgjëmangut ky që sipas Profesor Gjikës, është i doemodoshëm për unitetin kombëtar të gjithë shqiptarëve.  Për këtë, do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Profesorit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje strategji e perbashket Kombetare, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1144
  • 1145
  • 1146
  • 1147
  • 1148
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT