• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ÇLIRIMI” QË PUSHKATOI KORIFEJTË E PAMVARSISË!

November 29, 2023 by s p

Sot mbushen 79 vite kur kombit tonë të dashur ju instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha e cila për 45 vite u bë diktatura më kriminale e pashembullt për gjysëm shekulli që pasoi. Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfar solli kjo ditë e zezë për shqiptarët, bilancin e krimit komunist, dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që muarën pushtetin me 29 nëndor 1944. Se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh. Bilanci që solli data 29 nëndor 1944  është e publikuar nga shteti shqiptar, ku mbi 6000 veta u pushkatuan dhe sot atyre ju jan zhdukur kufomat.

29 nëndor 1944, erdhi me reprezalje të pa imgjueshme për popullin shqiptar.  “Çlirimi”i 29,tës, pushkatoi korifenjtë e pamvarsisë 1. Bedri Pejanin 1946, 2.  Lef Nosi, 1946

U dënuan me burgim politikë 1. Qazim Kokoshi 1947.  2. Shefqet Daiu 1946 

3. Zihni Abas Kanina Hamzaraj. 1957.  4. Ferit Vokopola 1967.  Vdiqën jashtë Shqipërisë të degtisur nga diktatura e 29 nëndorit 1. Mithat Frashëri 1949,  2. Mustafa Kruja Merlika 1958, 3. Rexhep Mitrovica 1960, 4. Dhimitër Berati 1970.

Xhelatët komunistë vranë mbi 109 shqiptar në Tiranë ku në mes tyre ishin dhe 39 intelektualë të fushave të ndryshme që i shërbenin administrimit të shtetit shqiptar. Partizanët komunistë hodhën në erë varrin e pinjolles, fisnikes  së njohur Tiranase, Nënës Mbretëreshë Sadie Toptani. Përdhunimet e varreve kishin filluar që në Berat kur u instalue Qeveria e sadistit Enver Hoxha , kur partizanët komunistë nxorën eshtrat e Kryeministrit Vrioni dhe  i hodhën në lumin Osum. Vazhduan me hedhjen e eshtrave të Homerit Shqiptar At Gjergj Fishtës në lumin Drin. Vazhduan me pushkatimin e elitës së Kombit, ku etrit e pamvarsisë i pushkatuan dhe sot në 111 vjetorin e mëvetësisë së kombit tonë shumica e këtyre korifenjve që i dhanë pamvarsinë Shqipërisë ndodhen pa një varr në tokën e tyre. 29 nëndori 1944 pushkatoi 28 nëndorin e Skenderbeut , e të Ismail Qemalit . Vazhduan me pushkatimin e deputeteve që kishin bashkëpunuar me to në vitet e luftës së dytë botrore. Mbi  36  mijë shqiptarë u  burgosën politikishtë,  dhe u torturuan në mënyrë çnjerzore,  vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje u internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90 vjecare. Shkatrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri “ duke e xhveshur nga cdo lloj mentali moral e shoqëror.  Sot atdheu im Shqipëria mbas 79 vitesh ndodhet e ndarë, se nuk u dënua krimi i 29 nëndorit 1944 .

29 nëndor 2023,  mbas 79 vitesh në pushtet është një  mazhoranca politike që evokon  “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçaçke nën drejtimin e “komandantit legjendar” sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kuroruzohet me një shifër imagjinar të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historigrafinë 79  vjecare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi ti jap cdo km katror të truallit shqiptar një martir imagjinar të luftës për komunizëm.

Data 29 nëndor 1944 i bëri shqiptarët komunist vrasës të vëllezëve të tyre dhe spiun të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 79 viteve, u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizueme, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullor të ekzistencës së kombit tonë .
Sot pushteti politik i udhëhequr nga trashgimtarët e xhelatëve të komunizmit e quajnë këtë datë “nata e bardhë” e quajnë nderim dhe sakrificë luftën” imagjinare” të komunistëve.

Ne familjet antikomuniste, perulemi ndaj viktimave se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrotje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet, ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre.. por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësive guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë luftës së dytë botërore në vendin tonë , ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë pamvarsisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç  nderojme luftëtaret antifashistë Abas Kupin, Mujo Ulqinakun dëshmorin e pare antifashit në europë, Hamit Matjanin, Hysni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun,  Safet Butkën, e Llan Destan Ndregjoni. Homazhe në varreza që pushteti diktatorial i pat vendosur, dhe në atë varrezë nuk ke asnje dëshmorë që është vrarë kundra fashizmit nazizmit vetem se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë. Është ky kaos moral e shoqëror është kjo zbrazëti shpirtëror qe lejoi kaosin politik që kemi jetuar e jetojmë  për afër 33  vite tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partive politike në mbrotje të terrorit varfërisë , çnjerzore, që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshtë  e tij. Me pompozitetet dhe delirin e diktatorit Hoxha mazhoranca aktuale përpara atyre që i quan veteran, dhe janë pjesmarrës direk në vrasjet e kundërshtarve të komunizmit në 29 nëndor, etikoi tradhëtar mijëra shqiptar që i vrau kjo datë. Po ju trashgimtarë të xhelatëve të 29 nëndorit, a jeni tradhëtar të  sistemit ku jemi që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëndorë,. Nënat motrat, djemtë kërkojnë eshtrat të ju bëjnë një varr dhe at mundësi nuk e kan se ju heshtni ndaj të drejtës njerzore të tyre. Juve, nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë po mos të jetë data 29 nëndori i Enver Hoxhës.
Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin ra komunistët shqiptare dhe sot trashgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare. Cila mendje normale , cila ndërgjegje njerzore , cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin e marrzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kalueme komuniste, dhe me një far krenarie neveritse. Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushoi në gjumin e vdekjes pa ringjallje. Por , çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errsirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen sëbashku.

6000 familje presin eshtrat dhe një MUR  memorizimi të cilën kjo mazhorancë politike  sunduese hesht,  dhe nuk denjon ta japi. Pse kjo nostalgji këmgulse për diktaturën dhe mos denimin e një sistemi shkatrimtar të denuar nga e gjithë bota e qytetëruar ? Para një gjendje kaq dëshprurese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të dates 29 nëndor përsërisim , sëbashku me poetin:
“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë.
Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë” (Nellie Saks) 29 nëndori i 1944 është data e vendosjes së diktaturës komuniste, dhe ska asnjë lidhje me çlirimin e vendit.

Fatkeqësishtë Shqipëria u pushtuan në 1939 nga fashizmi, në 1943 nga Nazizmi, dhe në 1944 nga diktatura komuniste.
Ne, çdo datë 29 nëndor do të kujtojmë krimet që solli kjo datë diktatoriale. Dhe do ti kujtojmë Ata, e do të reflektojmë mbi krimet komuniste që mos ti rivrasim përsëri.               Ne , të mbijetuarit e diktaturës komuniste përfaqësojmë Paqen, pushteti politikë urrejtjen dhe krimin  që fillon me 29 nëndor.
Paqja jonë do të fitoi mbi urrejtjen, dhe urrejtsit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejten do të jetë triumfatore e lirisë dhe dashurisë njerzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve dhe trashgimtarve të tyre. Kjo është e vërteta e “Çlirimit” 29 nëndor 1944!

Çdo datë që ka sjell diktaturë, nuk është çlirim por pushtim.

Ne, na përket nderimi si detyrim, për mos i rivrarë si data 29 nëndor  korifenjtë e pamvarsisë shqiptare! 

Besim NDREGJONI

Filed Under: ESSE

NORMALJA E ELBASANIT – IKONA E ARSIMIT SHQIPTAR

November 29, 2023 by s p

Në ditën e 1 dhjetorit të vitit 1909, në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme, u çel si lule Shkolla Normale, e para  shkollë e mesme në  gjuhën shqipe,  e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.

Në fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte me një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e dritës mbi gjithë Shqipërinë.

Kongresi i Elbasanit që vendosi hapjen e Normales

Çeljes së Normales së Elbasanit i paraprinë dhe kontribuan shumë aktivitete të intelektualëve e atdhetarëve,  të  klubeve e shoqatave  shqiptare në Shqipëri dhe në emigracion. Puna e tyre u kurorëzua në Kongresin e Elbasanit (2-9 shtator 1909), në të cilin u morën disa vendime të rëndësishme për arsimin në trojet shqiptare. Ishin më se 15 vendime të ndryshme, por dy më kryesoret ishin: çelja e mësonjëtores (shkollës normale) në Elbasan, për përgatitjen e mësuesve, dhe formimi i shoqërisë qendrore ‘’Përparimi’, me seli në Korçë, e cila do të grumbullonte mjete dhe të kujdesej për mbajtjen e Normales e të shkollave tjera, dhe për botimin e teksteve mësimore për shkollat shqipe.  Në këtë kuptim, Kongresi ishte  ngjarja më e rëndësishme në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. 

Në Kongres morën pjesë 35 delegatë të 28 klubeve e shoqatave të ndryshme, kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, sepse nga veriu, nga Kosova e Shkodra, për shkak të kushteve e rrethanave të ndryshme, nuk kishte delegatë, por edhe këto i përfaqësonin delegatët nga viset tjera. Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur Dervish Biçakxhiu, ndërsa organizatori kryesor i Kongresit ishte Lef Nosi.  Në punimet e tij Kongresi u muar me të gjitha aspektet e arsimit në gjuhën shqipe, siç ishin hapja e shkollave në gjuhën shqipe; përdorimi i alfabetit latin siç ishte caktuar një vit më parë në Kongresin e Manastirit;  sigurimi i mësuesve dhe i teksteve mësimore; futja e gjuhës shqipe si lëndë në shkollat e huaja dhe ato fetare që funksionin në Shqipëri (turke, greke); financimi dhe mbarëvajtja e shkollave. Për mbarëvajtjen e punës së Normales, Kongresi formoi një Këshill  mbikëqyrës (pleqësi e shkollës) prej tetë (8) anëtarëve dhe drejtorit, i cili do të merrej me qeverisjen dhe do ishte përgjegjës për mbarëvajtjen dhe suksesin e Shkollës. Formoi edhe Komisionin për hartimin e Rregullores dhe planit mësimor për Shkollën Normale. Në Rregulloren dhe planin mësimor, që përmbante 5 pika kryesore, të shkoqitura në detaje, ishte paraparë se Shkolla Normale do të kishte 6 klasë, tri të parat do ishin përgatitore, ndërsa tri tjerat  për aftësimin për mësues. Në pikën e pestë të Rregullores ishte caktuar që programi shkollor i Normales të kishte këto lëndë mësimore: Matematikë (aritmetikë, algjebër, gjeometri, trigonometri, astronomi, mekanikë dhe materje tjera matematikore); Shkenca natyrore (anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji dhe mineralogji); Gjuhë shqipe (gramatikë, sintaksë, letërsi, retorikë, poezi); Gjuhë turke; Gjuhë frënge; Gjuhë angleze dhe Gjuhë greke (si dy lëndë fakultative); Filozofi; Psikologji; Logjikë; Pedagogji; Mësim feje (muhamedane, ortodokse dhe katolike); Gjeografi; Histori (botërore, të Turqisë dhe të Shqipërisë); Vizatim (me bukurshkrim); Muzikë (vokale dhe instrumentale): Gjimnastikë.

Çelja e  Normales në Elbasan

Vendimi kryesor, dhe që ishte pika e parë e punës së Kongresit, ishte çelja e Shkollës Normale në Elbasan, për të përgatitur mësues shqiptarë për shkollat shqipe. Ishte kjo shkolla e parë e mesme kombëtare, shqipe, në trojet shqiptare.. Në fjalimin inaugurues dhe shumë emocionues, drejtori i parë i Normales, Luigj Gurakuqi, duke theksuar rëndësinë e kësaj Shkolle, ndër të tjera shprehej: ‘’Me këtë shkollë të madhe për mësonjës, që ishte dëshiri dhe shpresa e të parëvet tanë prej vjetësh, fillesën e të cilës na jemi mbledhun sot ta kremtojmë bashkërisht, kombi shqyptar po mbjell farën e ditunisë, po hedh themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshëm që do të përhapin dritën ndër ato ma t’errtat vise, do të dalin ata burra njeridashës, të cilët si Orfeu e si Amfioni, me urtësiën e me ambëlsiënë e fjalëvet e të këshillave të veta, do të qytetërojnë e ofrojnë njerëzit e t’i bëjnë të duken e të ndihmohen si vëllau me vëllanë’’.

Normalja e Elbasanit e filloi punën me 40-50 nxënës, por deri në fund të vitit shkollor arriti me 140 – 150 nxënës, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare (gjyma e tyre ishin nga Kosova e  Çamëria).  Hasan Prishtina, me shpenzime të tij  personale kishte dërguar në Normale 21 nxënës nga Kosova. Shumë nxënës të shkollave turke e greke, i braktisën ato shkolla dhe shkuan e vijuan mësimet në Normale. Sipas të dhënave nga libri i prof..dr. Hysni Myzyrit: Shkolla Normale e Elbasanit (2004), vetëm nga shkolla idadije (gjimnazi turk) i Elbasanit, dolën 25 nxënës dhe u regjistruan në Normale, ndër të cilët kishte edhe asi të vitit të fundit. Tetë nxënës kishin ardhur nga shkolla idadije e Janinës. Kishte madje edhe asi që kishin lënë shkollat e mesme të Stambollit, për të vijuar Normalen e Elbasanit.  Numri i nxënësve sa vinte e shtohej. Në vitin e dytë kishte arritur deri 1000 nxënës.

Shkolla kishte internatin, në të cilin banonin dhe ushqeheshin gjysma e nxënësve; disa me pagesë, e disa (të varfër) pa pagesë. Në konvikt organizohej studimi i rregullt i obligueshëm. Në vitin 1923, u hap Ushtrimorja e Normales, në të cilën normalistët zhvillonin praktikën pedagogjike të përgatitjes për mësues. 

Prej themelimit (1909) e deri në vitin 1946, kur në Tiranë u hap Instituti dyvjeçar për mësues, Normalja ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.

Në periudhën 1941-1944, e më pastaj, qindra ish-normalistë të Elbasanit erdhën e punuen mësues në shkollat shqipe që u hapën në ‘’viset e lirueme’’: Kosovë,  Maqedoni, Sanxhak, Mali Zi. Kontributi i tyre ishte i madh. .  

Në Normalen e Elbasanit u përqendruan, punuan e kontribuan me zell e përkushtim intelektualët dhe kuadrot më të mira që pati Shqipëria e asaj kohe, siç ishin, në fillim: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja, Hafiz Ibrahim Dalliu, Dhimitër Paparisto, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Kristo Dako, Filip Leci, Kostaq  Cipo,  Kolë Prela, Mahir Domni, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjako, etj.etj. Ata jo vetëm që bartën barrën e punës mësimore, që jepnin mësim nga disa lëndë,  por në bashkëpunim me intelektualë e pedagogë tjerë, punuan në hartimin e programeve dhe teksteve mësimore për të gjitha shkollat shqipe.

Një diplomat austriak, në vitin 1910, duke e vlerësuar rëndësinë e Normales së Elbasanit, kishte shkruar: ‘’Unë e konsideroj Institutin Pedagogjik të Elbasanit si bërthamën që mund të zhvillohet në një pemë shumë të  madhe, nën hijen e së cilës populli shqiptar do të bëhet një popull i civilizuar’’. 

Gazeta ‘’Dielli’’ e Bostonit (dt.15 tetor 1909), duke përshëndetur vendimin e  Kongresit të Elbasanit për çeljen e Shkollës Normale, ndër të tjera shkruante: ’’Po një shkollë normale për mësonjës s’është mjaft për Shqipërinë, na duhet edhe një shkollë normale për mësonjëse (dhaskalica), se ajo sjell më shumë fryte për qytetrimin, duke pasur parasysh rolin që luan gruaja e arsimuar në përlindjen e një kombi’’, dhe në vazhdim përmend disa arsye bindëse në  mbështetje të një shkolle normale për femrat. 

Është vendi këtu të përmendim, se Kongresi kishte vendosur që drejtor i (parë)  i Normales të ishte dijetari i shquar Qamil Bala, nga Gjilani, i cili asokohe ishte profesor dhe drejtor i gjimnazit në Jerusalem. Me kërkesën dhe insistimin këmbëngulës të Kongresit të Elbasanit, organet kompetente  të Jerusalemit mezi e kishin lejuar Balën të shkonte në detyrën e zgjedhur, por kur arriti në Manastir, xhonturqit nuk e lejuan të shkonte në Elbasan, veçse e kthyen në Stamboll. Pasi u pa se Qamil Bala nuk do të mund të vinte për ta marrë detyrën e drejtorit të Normales, atëherë ai post iu besua Luigj Gurakuqit. 

Shkollën Normale (Pedagogjike) të Elbasanit, prej vitit 1909 deri sa u mbyll në vitin 1910, e kanë udhëhequr 22  drejtorë, personalitete të njohura nga fusha e arsimit, shkencës e kulturës: Luigj Gurakuqi, Fazlli Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Salih Ceka, Ahmet Gashi, Ali Hashrova, Ibrahim Babamusta, Carlo Parri (italian), Luigji Camsolo (italian, gjatë kohës së okupacionit (1940-1943), Fot Papajani, Kolë Prela, Mahir Domni, Vasil Kamami, Margarita Pogaçe, Ligor Mile, Grigor Kallajxhiu, Merrushe Shishmani, Stiliana Papajani, Stefan Bebi, Dritan Pajenga, Dhurata Valera dhe Fatos Bajraktari.

Për habi, askund nuk gjejmë një listë të plotë emërore të të gjithë mësimdhënësve të Normales së Elbasanit, për tërë periudhën e funksionimit të saj. Emrat e tyre i gjejmë në shkrime të ndryshme parciale. Në Monografinë Shkolla Normale ‘’Luigj Gurakuqi’’ në vitet e demokracisë 1990-2009, përgatitur nga Genci Trandafili e Dhurata Valera, monografi kjo kushtuar asaj Shkolle të periudhës 1990-2009, gjejmë një listë emërore të 17 mësuesve të cilët kanë shërbyer mbi 25 vjet në Shkollën Normale të Elbasanit prej themelimit e deri më 2009. Ata ishin: Genc Trandafili (35 vjet), Miriam Myftiu (33), Laura Shuteriqi (32), Grigor Kallajxhiu (30), Xhevat Domni (30), Nos Ndria (30), Elida Xhomo (28), Sotir Paparisto (28), Shyqyri Demiri (28), Simon Shuteriqi (27), Vasil Toli (27), Vasil Kamami (27), Shyqyri Latifi (27), Lumni Kotherja (26), Shefqet Peni (26), Bukurosh Sejdini (26) dhe Aleksandër Xhuvani (25). Në të njëjtën Monografi, janë edhe dy lista emërore, të mësuesve dhe nxënësve të Normales së Elbasanit, të cilët janë nderuar me titullin ‘’Mësues i popullit’’ (30 veta), respektivisht me titullin ‘Mësues i merituar’’ (72 veta; këtu nuk do e ngarkojmë këtë shkrim duke shënuar edhe më se 100 emra të tyre). 

***

Normalja e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme. Ajo disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit italian e gjerman.  Megjithatë, mbajti kontinuitetin e zhvillimit dhe avancimit. Periudhën më stabile e pat prej vitit 1921 deri më 1939.  Për tërë periudhën e ekzistimit, i dha arsimit shqiptar 15000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në frymën pedagogjike e patriotike, për të gjitha shkollat e viseve shqiptare. Normalistët e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e sa  prej tyre ranë dëshmorë.

Gradualisht, Normalja u rrit, u transformua  e avancua në status më të lartë: në Institut i Lartë Pedagogjik (1971)  dhe së fundi në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit (1991), që nuk mund të mohohet lidhja e këtij Universitet me Normalen, dhe të gjitha ato instanca ishin e janë në një kontinuitet të misionit: arsimimit dhe edukimit profesional, shkencor e patriotik.

Me Normalen e Elbasanit  identifikohej  edhe vetë qyteti i Elbasanit, ashtu që ishte e njëjtë  si të thuhej: Normalja e Elbasanit, apo Elbasani i Normales.  Elbasani  ‘e lindi’ dhe e rriti  Normalen, ndërsa Normalja e rinoi dhe e rriti Elbasanin. Normales i thurën këngë, vargjet e së cilës thoshin:

Përqark me kodra,

Kundrejt me male,

Anekënd prej valëve të Shkumbinit,

Të rrethon natyra

Shkolla Normale

Gurrë e paçmueshme e përparimit!

 Disa herë pati tentime për transferimin e Normales nga Elbasani në Shkodër, apo gjetkë,  bile edhe jashtë Shqipërisë, por populli dhe udhëheqësia e Elbasanit nuk lejuan. 

Pas 111 vjet të punës, Normalja u mbyll (1910) me vendim të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, u shndërrua në gjimnaz në të cilin do ta kryejnë praktikën pedagogjike studentët e Universitetit ’Aleksandër Xhuvani’.

Normales së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit’ (2014). Në shenj kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit, ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në bankënotën 100 lekësh, në njërën anë  foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër fotoportreti i drejtorit të  parë, Luigj Gurakuqi. 

Normalja e Elbasanit, dhe Normalja e Prishtinës, e cila punoi  sipas konceptit, frymës dhe traditës së Normales së Elbasanit,  në koshiencën dhe kujtesën e popullit do të mbahen mend e kujtohen, si dy institucionet më të rëndësishme të arsimit dhe edukimit të shqiptarëve andej e këndej Drinit.  Unë, si ish-normalist i Normales së Prishtinës, këto dy Normale i kam në zemër e në shpirt. Në shtator të vitit 2009, organizova një ekskurzion me 36 ish-normalistë të gjeneratës sime (të diplomuar në vitin 1961), të Normales së Prishtinës, e vizituam Normalen e Elbasanit, ku na pritën me shumë dashamirësi e respekt drejtoresha znj.Dhurata Valera dhe ‘Mësuesi i popullit’ Genci Trandafili, dhe në Muzeun e Shkollës na treguan eksponatet, dokumentet e fotografitë e shumta, që kishin mbledhur e sistemuar për kremtimin e 100-vjetorit të Normales. Ishte një vizitë e paharrueshme jona, për të cilën unë pata shkruar e botuar një shkrim-reportazh, që besoj se ka zënë një vend në Muzeun e Normales së Elbasani.                             

Adil FETAHU

Filed Under: Komente

New York City Hall echoed Albanian in an incredible celebration of 111th Anniversary of Albanian Independence

November 29, 2023 by s p

“Last night New York City Hall echoed 🇦🇱Albanian in an incredible celebration of 111th Anniversary of Albanian Independence. Congratulations to our clergy honorees, and a special thank you to NYC Councilman Robert Holden and other co-hosting members for making it possible” – Mark Gjonaj.

Filed Under: Opinion

28 Nëntori, një prej datave më të rëndësishme të historisë sonë

November 29, 2023 by s p

Nikollë Camaj*/

Ju sjelli përshëndetjet e ngrohëta e vëllazërore nga vendlindja juaj, dhe vendlindhja e të parëve tuaj! Të ju them që në fillim se ftesa për të marrë pjesë në këtë Festë më gëzoi pa masë, siç do të gëzonte çdo malësor, ajo më nderoi, siç do të nderonte çdo shqiptar!

Të nderuar bashkëvendës,

Jemi sonte këtu për të shënuar dhe festuar njërën prej datave më të rëndësishme të historisë sonë. Them njërën prej datave, pasi që krahas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët vendosin edhe 28 Nëntorin e vitit 1443, pastaj 6 Prillin e 1911-tës, si edhe 17 shkurtin e 2008-tës. Por në të njëjtën sofër me këto data, duhet ulur edhe një, atë të Kongesit të Lushnjës, 21 janar 1920.  

Prandaj mendoj se historianët tonë duhet ta bëjnë të qartë se pa Kryengritjen e Malësisë dhe pa Kongresin e Lushnjës s’di si do të bëhej Shqipëria. Sepse, pa të parën, zor se do të kishte Vlorë, e pa të dytën, drua se Vlora do të shkonte dam. 

Miq të dashur, 

Nga 28 nëntori i vitit 1443, kur i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbe, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, deri në prillin e vitit 1911, respektivisht, në nëntorin e vitit 1912, kaluan 5 shekuj, e deri në shkurtin e 2008-tës, për një pjesë të kombit, 6 shekuj robërie, për tokën e shkabës dykrenore, e cila gjithnjë fluturoi lartë, dhe nga atje u përkujdes për popullin e vet, por nuk harroi të zbresë në fole, kur i erdhi dita.

Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave etnike, e përgatitur në vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme, u pagua shtrenjtë, me gjakun e bijve dhe bijave, më të mirë. Njëjtë siç u pagua edhe pavarësia e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës.

Unë nuk jam historian, por, si njeri i letrave dhe i politikës, e njoh të kaluarën e popullit tim, e megjithatë sonte s’do t’ju mbaj orë historie, pasi që të dhënat për këtë date të lavdisë sonë i gjen kushdo e kudo, por nuk po mundem pa i cek vetëm disa fakte, e që lidhen me kontributin e patriotëve që i ka shënuar historia, por edhe shumë të tjerëve që kanë mbetur pa emër, e natyrisht edhe me kontributin e miqve tonë të përjetshëm, popullit amerikan. 

Kuvendi historik Kombëtar, me delegatë nga të gjitha trojet etnike, i mbajtur në Vlorën heroike, më 28 Nëntor tё vitit 1912, nxori Deklaratën e Pavarësisë dhe ngriti Flamurin Kombëtar të Kastriotëve, simbolin e lirisë, simbolin e ëndrrave tona shekullore, ëndrrave për një të ardhme më të mirë të kombit shqiptar, në gjirin e kombeve të përparuara të botës. 

Pra, pas pesë shekujsh shpresë e rezistencë, për të mbajtur gjallë indin kombëtar, për të ruajtur gjuhën e flamurin, ku kontribut të veçantë dhanë Rilindësit tonë, dhe pas kryengritjeve të kohëpaskohshme, sidomos pas Lidhjes së Prizrenit, për të kulmuar me Kryengritja e Malësisë, në prillin e vitit 1911, Shqipëria u shpall shtet në vet. 

Ismail Qemali, derisa po e shpaloste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera u shpreh: 

“Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, sepse shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtet. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”.

E ndava jo pa shka këtë pasus, pasi që është aktual edhe sot, pasi që fqinjët tonë grabitqarë, e të lidhur mes veti për të dëmtuar Shqipërinë, provuan që të ndikojnë në kancelaritë evropiane për ta copëtuar e ndarë mes veti tokën arbërore. Lufta e parë botërore ua rriti apetitet edhe më tepër, por aty ishte Willsoni i madh, që i ndaloi këto aspirata të sëmura, që nuk ndalojnë edhe sot e kësaj dite. 

Pra, ne kurrë nuk duhet harruar se fati i historisë sonë, i lirisë sonë, i zhvillimit tonë, lidhet ngushtë me këtë popull liridashës, e aleat të pashoq. Aso kohe Wudri Wilsoni, e në kohën e re Bill Klintoni e Gergo Bushi… e edhe sot e kësaj dite, kushdo, që i rri në krye këtij shteti mik, e kanë nën përkujdesje të veçantë popullin e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezes e Adem Jasharit, të Ded Gjon Lulit, Isë Boletinit e Isamil Qemalit…

Dua të nënvizoj faktin se çdo herë që dalim para opinionit, si dimension qendror na imponohet e kaluara, sepse mu atë pjesë, të tjerët dëshirojnë që ne ta harrojmë, kurse duke iu referuar asaj, ne jo vetëm se dëshmojmë ekzistencën tonë nëpër shekuj, por edhe ruhemi nga lakmia e së tashmes dhe nga rreziku për të humbur të ardhmen! 

Prandaj, çdoherë e çdoku, të shprehim respektin ndaj të gjithë atyre, emër e paemër, që u murosen në themelet e Shqipërisë, por edhe të gjithë atyre që në Fortifikatën tonë kombëtare, vendosën qoftë edhe një guralec për së mbari. 

Vëllezër e motra të nderuara,

Me lejoni që disa fjalë t’ua them edhe për ne, për shqiptarët e sotëm, për gjeneratën që ka rrolin e urës mes atyre që shkuan e atyre që do të vijnë pas.

Shqipëria dhe shqiptarët po shënojnë një zhvillim tejet të shpejtë, me gjasa që të bëhen lider ballkanik.

Kosova po fiton kornizat e shtetit modern e të sigurt për të jetuar në të. Kërcënimet nga fqinji verior nuk mungojnë, por lojërat e tij hileqare tashmë i ka kuptuar e tërë bota dhe nuk po i pinë më ujë. Këtë e dëshmon më së miri edhe Rezoluta e fundit e BE-së për Kosvën. Ndoshta mungon konsolidimi i brendshëm politik, por ndërtimi i demokracisë e merr pengun e vet. 

Ndoshta mungon kohezioni politk, por ai sot nuk guxon të mungojë. Shqiptarët kanë nevojë të veprojnë së bashku, si kurrë më parë, që vërtet të bëhemi lider i proceseve integruese, brendashqiptare dhe evropiane. 

Vetëm mungesa e bashkëpunimit dhe e vlerësimit vëllazëror mund të na dëmtoj. Si edh evlerësimi i gabuar i së kaluarës sonë. 

Ajo që gjithherë duhet ta kemi para sysh është se Kosova është djepi i patriotizmit tonë dhe kushdo t’i rrijë në krye duhet të vlerësojë rrugëtimin e përgjakshëm të gjeneratave të tëra për të ruajtur kombin. “Kosova është gjaku im që nuk falet”, shkruante i madhi Ali Podrimja. 

Kur është fjala për Shqiptarët e Maqedonisë si popull shtetformues, mund të themi se janë në rrugë të mbarë. 

Por nuk e ksihin të lehtë, as ata. Kyçja në qeveri me kundërshtarët nuk është aspak e lehtë. Por vizionarët këtë punë kanë, të marrin përsipër peshën dhe përgjegjsinë e hapave të guximshëm.

Luginën e kemi në hall e në gojë të ujkut. Mbetet përgjegjësi e Kosovës, që në procesin e zgjedhjes së statusit të serbëve brenda sajë, të zgjedhë edhe çështjen e Luginës, gjë që nuk dyshoj se do ta bëjë. 

Çamërinë, pothuaj e kemi qarë, e ajo pra dha themeltarët e Greqisë moderne. Ata burra me fustanella që i këndonte Bajroni, nuk ishin askush tjetër por shqiptarët autoktonë, që luftonin për liri. Artistja e famshme greke, Irena Papas, nuk mund të shkonte nga kjo botë pa e rrëfyer se ishte shqiptare. Të tillë janë miliona grekë!

E për ne në Malin e Zi, çfarë të ju them.   

Jo të bashkuar sa do të na donit ju, e as sa do të duhej, edhe pse ne në Malësi mund të jemi shembulli më i mirë për këtë. E shqiptarët e kanë mirë, vetëm kur veprojnë së bashku! Vetëm ashtu mund të jemi urë e fortë mbi të cilën mund të kalojë amaneti i të parëve te brezat që vijnë.

Por, të përçapur përjetësisht midis historisë, identitetit dhe integrimeve, nuk e kemi fare të lehtë. 

Historia në mëson se sa rëndësi ka të ruajmë identitetin, e identiteti ruhet vështirë në kushtet e integrimeve më se të nevojshme, prandaj duhet t’i menaxhojmë mirë këto tre komponente të të përditshmes sonë.

Sot, dy koalicionet shqiptare janë në qeveri, ku qeveria mbështetet edhe nga forca politike të serbeve, deri dje e paimagjinueshme. 

Ajo që dua të ju them sonte këtu, e që ju paralajmeroj se me të interesuarit mund ta vazhdojmë në formë diskutimi, neser mbas meshe, është se qeveria e re mbeshtetet në baza programore të diktuara nga ne, e të pranuar nga BE e SHBA, ku veçoj katër pikat kyçe: Eurointegrimet, bashkëpunimi kredibil me NATO-n, bashkëpunimi me shtete e pranuara nga Mali i Zi, kyçur këtu edhe Kosovën, politika e jashtme në harmoni me atë evropiane në raport me Rusinë, si edhe decentralizimi i pushtetit dhe akcioni afirmativ. 

Ju garantoj, se sikur këto të dyja të fundit, pra BE dhe SHBA, të kishin dashur që kjo qeveri të mos formohet, ajo as nuk do të formohej, ose do të formohej pa përkrahjen tonë. 

Në Këtë qeveri ne jemi të përfaqësuar denjësisht, njëjtë si edhe në Kuvend, dhe asnjëherë nuk do të bëjmë kompromise të kalbura në kurriz të çështjes kombëtare.   

*Fjala e deputetit shqiptar në Malin e Zi, z. Nikollë Camaj, mbajtur në Festën e Pavarësisë, në Michigan.

Filed Under: Kronike

111 VJETORI I PAVARËSISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 29, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 Nëntor 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA bashkoi patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës duke festuar me madhështi e hijeshi 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni festive që bashkoi veprimtarë të çështjes kombëtare, mësues, vatranë, përfaqësues nga shoqat shqiptare në New York, luftëtarë të UÇK, diplomatë e aktivistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, folësit falënderuan Vatrën për punën e shkëlqyer në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe e pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuqezi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe.

Darka gala e Vatrës në Bronx filloi me këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u ekzekutuan mjeshtërisht nga tenori Julian Gjojdeshi. Në nderim të heronjve të kombit dhe vatranit Ukë Gjonbalaj u mbajt një minutë heshtje.

Dom Nikolin Përgjini bekoi darkën e flamurit ndërsa kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shpalosi para të pranishmëve sukseset dhe arritjet e Vatrës në vitet e fundit duke rreshtuar vizat zyrtare, memorandumet institucionale, punët e jashtëzakonshme lobuese në Uashington në dobi të kombit e çështjes shqiptare. Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe deputeti Driton Selmanaj vlerësuan rëndësinë historike të Nëntorit si festë pavarësie, ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari, daljen zyrtare publike të UÇK dhe punën e madhe të Vatrës në mërgatën e Amerikës.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati dhe z.Ferit Hoxha në Kombet e Bashkuara uruan Festën e Pavarësisë, dhanë mesazhe bashkimi e bashkëpunimi në dobi të çështjes shqiptare në Amerikë ku Vatra ka pasur rol historik.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi z.Nikollë Camaj foli rreth rritjes dhe fuqizimit të peshës së shqiptarëve në Mal të Zi e kudo në viset shqiptare në Ballkan, ndërsa diplomati Fatmir Zajmi përshëndeti darkën e Vatrës në emër të Konsullatës së Kosovës në New York.

Veprimtari i komunitetit z.Mark Gjonaj tha i ekzaltuar se Vatra bashkon rreth vetes shqiptarët më të suksesshëm dhe festa e bashkimi i shqiptarëve për të gëzuar e festuar suksese të kombit tonë është diçka madhështore. Ambasadorja e Vatrës zonja Emina Çunmulaj emocionoi të gjithë të pranishmit me mesazhe atdhedashurie për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës autentike shqiptare.

Kryetari i komisionit organizativ të festës së Flamurit z.Ilir Cubi shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit dhe renditi rëndësinë që ka Vatra për shqiptarët në Amerikë. Festa e Flamurit u mbyll me dekorimin nga Vatra të mësuesit të shquar nga Kosova z.Demë Malota për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mësimit shqip në Kosovë, zhdukjen e analfabetizmit, qëndresën ndaj okupatorit serb dhe kultivimin e vlerave më të larta edukative e atdhetare ndër breza. Nga Kalifornia ish-nënkryetari i Vatrës Ahmet Xhafo dergoi nje urim te ngrohte per te gjithe patriotët. Nën tingujt e magjishëm të muzikës autentike shqiptare kënduar nga Greta Tafa, tenori Julian Gjojdeshi, Hermes dhe i madhi Bashkim Alibali, mbrëmja festive vazhdoi deri në orët e vona.

Në kalendarin historik të lavdisë së kombit tonë, Vatra ka meritë historike pasi e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, i priu mbrojtjes së shtetit shqiptar, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë nga copëtimi.

Vatra është nderi i kombit shqiptar. Vatra është historia, identiteti, krenaria dhe trashëgimia me e çmuar historike, shpirtërore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1473
  • 1474
  • 1475
  • 1476
  • 1477
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT