• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Refuzimi i Deklaratës dëshmi se serbët nuk janë për marrëveshje gjithëpërfshirëse

July 27, 2023 by s p

Nail Draga/

Para dy viteve me 19 korrik 2021, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua takimi i radhës i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënie, ku me këtë rast kryeministri i Kosovës A.Kurti, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, e cila u refuzua për tu nënshkruar nga presidenti i Serbisë A.Vuçiqi, që është dëshmi e mosgadishmërinë e Serbisë për një marrëveshje të tillë, ndërsa qendrimi indiferent i ndërmjetësuesve nga BE, dëshmon dobësinë e tyre për të ndikuar të pala serbe në nënshkrimin e saj, sepse një deklaratë e tillë, paraqet bazë të qendrueshme për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve!
Në takimet e tilla me ndërmjetësim ndërkombëtar arrihen marrëveshje në mes palëve, por ne rastin konkret ne mes Kosovës dhe Serbisë, një deklaratë e përgatitur nga pala kosovare të cilën në Bruksel e ka prezantuar kryeministri Albin Kurti paraqet bazën për paqe të qendrueshme dhe stabilitetin afatëgjatë, për të parandaluar çdo konflikt të ri ushtarak, dhe dhunë ne mes dy vendeve, që paraqet parakusht për një marrëveshje përfundimtare në favor të integrimit evropian, sipas standardëve ndërkombëtare. Me poshtë po japim të plotë tekstin e Deklaratës së propozuar në Bruksel dy vite ma parë:
“DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MOS-AGRESION, MOS-LUFTË DHE ZGJIDHJE PAQËSORE TË KONFLIKTEVE”

NENI I
Mos-agresion

Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri- tjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë.
Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen.
Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh.
NENI II
Respektimi i kufijve
Të dyja palët zotohen t’i respektojnë në mënyrë rigoroze kufijtë e njëra-tjetrës dhe nuk do të bëjnë asnjë përpjekje, as tani, as në të ardhmen, për të pushtuar, kapur, aneksuar ose kontrolluar territorin e njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.
Të dyja palët do të përmbahen nga çfarëdo mbështetjeje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për çfarëdo ndërhyrje të jashtme ose trazirë të brendshme kundër palës tjetër me qëllim të pushtimit, kapjes, aneksimit ose kontrollit të territorit të njëra-tjetrës, pjesërisht ose plotësisht.
Për të promovuar besimin e ndërsjellë dhe për të ndërtuar besim, palët do të përpiqen për nivelin më të lartë të transparencës në lidhje me çdo lëvizje ose operacion të personelit të tyre ushtarak dhe të sigurisë, veçanërisht në zonat ndërkufitare.
Pavarësisht qëndrimeve tona përkatëse për çështjen e njohjes reciproke, të dyja palët bien dakord të përdorin kanale zyrtare dhe jozyrtare të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të sigurisë drejtuar kundër tyre nga aktorët e jashtëm.

NENI III
Reciprociteti në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave
Palët do të punojnë së bashku për të krijuar sistemin më të përparuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave për komunitetin shqiptar në Serbi dhe komunitetin serb në Kosovë me qëllim të arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme midis vendeve tona duke respektuar plotësisht parimin e reciprocitetit dhe në përputhje me vlerat evropiane dhe aktet ndërkombëtare.
Palët zotohen të punojnë në frymën e bashkëpunimit për të zgjidhur çdo çështje që lidhet me komunitetet përkatëse pakicë me synimin për të arritur një akomodim të ekuilibruar në përputhje me parimin e reciprocitetit. Për të arritur nivelin më të lartë të akomodimit për komunitetet pakicë, palët do të udhëhiqen nga aktet e mëposhtme ndërkombëtare:
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948;
Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i vitit 1966;
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave që u Përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore, e miratuar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 47/135 e datës 18 dhjetor 1992;
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Protokollet e saj, e vitit 1959;
Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare e vitit 1992;
Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e vitit 1998;
Karta Evropiane e Këshillit të Evropës për Vetëqeverisjen Lokale e datës 15 tetor 1985;
Konventa Bazë e Këshillit të Evropës për Bashkëpunimin Ndërkufitar midis Komuniteteve ose Autoriteteve Territoriale e datës 21 maj 1980;
Raporti i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbi Trajtimin Preferencial të Pakicave Kombëtare nga ana e Shtetit të tyre të Origjinës (Venecia, 19-20 tetor 2001);
Rekomandimet e Bolzano/Bozen të OSBE-së mbi Pakicat Kombëtare në Marrëdhëniet Ndërshtetërore, të datës 2 tetor

Në marrëdhëniet midis tyre, të dyja palët do të përmbahen nga të thirrurit në komunitetet të tyre përkatëse pakicë si pretekst për përdorimin e forcës kundër njëra-tjetrës dhe do të hedhin poshtë në mënyrë solemne çdo rekurs drejt dhunës kundër komuniteteve të tyre përkatëse pakicë në mënyrë që të arrijnë ndonjë synim ose qëllim politik.
Çdo incident që përfshin anëtarët e komuniteteve përkatëse pakicë do të zgjidhet përmes angazhimit konstruktiv midis palëve dhe/ose ndërmjetësimit ndërkombëtar në përputhje me nenin
Asnjë konsideratë ose justifikim në lidhje me statusin e komuniteteve përkatëse pakicë nuk mund të shfrytëzohet si arsye për kërcënimin ose përdorimin e forcës në kundërshtim me nenin I.

NENI IV
Zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve
Palët zotohen t’i zgjidhin drejtpërdrejt të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre të ndërsjella me mirëbesim dhe në frymë bashkëpunimi, për të arritur një zgjidhje në kohë dhe të drejtë, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
Në rast të mosarritjes së një zgjidhjeje me anë të ndonjë prej mënyrave paqësore të lartpërmendura, palët, në secilin rast, në bazë të marrëveshjes reciproke, do të kërkojnë një zgjidhje me mënyra të tjera paqësore, përfshirë ndërmjetësimin, arbitrazhin ose lehtësimin nga organizatat ndërkombëtare ose palët e treta, dhe asnjëherë nuk do të përdorin forcë me qëllim të arritjes së një vendimi për mosmarrëveshje të tilla.

NENI V
Mbështetja e ndërsjellë e procesit të integrimit evropian
Pavarësisht nga qëndrimi përkatës i palëve sa i përket njohjes, ato ripohojnë angazhimin e tyre të përbashkët për të qenë anëtare të plota të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’i integrojnë shoqëritë dhe ekonomitë e tyre në komunitetet euro-atlantike pa asnjë vonesë.
Për këtë qëllim, palët do të përmbahen nga çfarëdo veprimi ose ndërhyrjeje, qoftë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individuale ose kolektive, me qëllim të pengimit të palës tjetër nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pavarësisht nga progresi i tyre individual në procesin e anëtarësimit në BE.
Pavarësisht nga marrëdhëniet mes tyre, palët në mënyrë reciproke zotohen të mos ndërmarrin asnjë veprim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që do ta pengonte anëtarësimin e palës tjetër në organizatat dhe iniciativat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.
NENI VI
Dispozitat përfundimtare
Kjo deklaratë e bërë në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe nënshkruhet në prani dhe dëshmi të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në rast të mospërputhjeve, teksti në gjuhën angleze mbizotëron.
***
Se një deklaratë e tillë është refuzuar pa u lexuar nga pala serbe nuk është befasi, por është për çdo kritikë qendrimi indiferent i ndërmjetësve ndërkombëtar, të cilët dëshmuan se janë të njëanshëm, duke favorizuar palën serbe, ne lidhje me veriun Kosovës. Ndërsa takimet e vazhduara pas vitit 2021, dëshmojnë se pala serbe nuk është e interesuar për zgjidhje të çështjes por deshiron të fitojë në kohë, duke paraqitur kërkesa qe janë kundër sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, ku situata aktuale e tensionuar në veriun e Kosovës nga vet serbët(prill-maj), e dëshmon ma së miri një konstatim të tillë. (Korrik 2023)

Filed Under: Rajon Tagged With: Nail Draga

“Connect Albania to the future”

July 27, 2023 by s p

Valer Pinderi/

Bizneset shqiptare të inovacionit dhe tregëtisë në internet i bëjnë thirrje diasporës të na bashkohet në një event të dedikuar për ndërlidhjen e bizneseve shqiptare me njëri-tjetrin por edhe me bizneset ndërkombëtare që duan të vijnë në Shqipëri. Kjo nevojë ka bërë bashkë shoqatën “Albanian E-Commerce Association” (AECA) së bashku me Innovation Nest Tirana dhe Tok Digital për të krijuar një platformë unike në Shqipëri, ku lidhja e partneriteteve dhe rritja e biznesit është fokusi kryesor. Kjo platformë do të prezantohet në formën e një eventi 3-ditor menjëherë pas pushimeve verore, me qëllim që biznesi të jetë i çlodhur dhe i hapur ndaj këtyre risive drastike; prandaj shihni se çfarë do të ndodhë në datat 8, 9, 10 Shtator në parkun Olimpik Tiranë.

Sot, më shumë se kurrë, çdo biznes në Shqipëri ka nevojë për t’u zhvilluar, dhe ky zhvillim vjen me partnerët e duhur, me klientët e duhur, me njohuritë e duhura dhe me strategjinë e duhur. Shoqatat tona të biznesit po krijojnë këtë event si për bizneset tona, sepse qëllimi i vetëm i këtij eventi është të sjellë rezultate pozitive në bizneset tona.

Innovation Nest në vitin e tretë të përsëritur të këtij aktiviteti në bashkëpunim këtë vit me AECA vjen me konceptin ‘Connect Albania’.

Ky koncept është i krijuar për të ndërlidhur bizneset me njëri tjetrin dhe me klientët idealë të tyre, me qëllimin e vetëm rritjen e shitjeve në ambjentin aktual, ku ndryshime e vazhdueshme nuk mungojnë.

Si do të realizohet kjo?

Përgjatë tre ditëve do të ketë aktivitete me aq vlerë për kompanitë dhe drejtuesit e tyre, sa do bëjë bashkë të gjithë ata që bashkëpunimin e shohin si rrugën e zhvillimit.

Tema e Ditës së Parë: ‘’Connect Albania to the World’’

Përgjatë kësaj dite fokusi do të jetë informacioni dhe network-u me partnerë, të cilët do ndihmojnë kompanitë shqiptare të ri-dimensionohen përtej realitetit shqiptar, por edhe të gjejnë mundësi për të zgjeruar tregun e tyre.

Do të kemi në sallë dhe në skenë përfaqësues të bizneseve të rajonit, të cilët pëfaqësojnë mbi 500 kompani të tregëtisë në internet dhe teknologjisë, nga Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Bullgaria. Rajoni është edhe ndalesa e parë e shqiptarëve në rrugëtimin për t’u lidhur me botën. Përfaqësues të këtyre tregjeve, përveç se do të jenë prezentë me stendë në event do të prezantojnë pasdite tregjet e tyre dhe mundësitë që ato sjellin për shqiptarët.

Më pas do të kemi folës ndërkombëtarë në skenë, të cilët tregojnë situatën dhe trendet ndërkombëtare të sjella në kontekstin Shqiptar dhe mundësitë që ato do të sjellin. Përfaqësues nga Ebay të cilët do të tregojnë se çfarë shitet nga Shqipëria dhe çfarë mund të shitet më tej online në marketplace më të njohur në botë.

Përgjatë çdo dite do të ketë workshop nga ekspertë vendas dhe të huaj për pjesmarrësit, por edhe për stafin e kompanive që do të jenë prezente në këtë event.

Tema e Ditës së Dytë: ‘’Connect Albania to Itself’’

Përveç se të lidhemi me botën, ne kemi nevojë të lidhemi edhe me njëri-tjetrin më mirë. Tregtia online por edhe vetë interneti sot, për të parën herë na japin një mundësi të jashtëzakonshme për ta realizuar këtë.

Përgjatë kësaj dite ne si organizues të eventit i bëjmë thirje të gjitha bizneseve të diasporës të na kontaktojnë për të pare mundësinë e krijimit të aktiviteteve të përbashkëta për tu ndërlidhur me njëri tjetrin.

Përgjatë kësaj dite kompanitë më të mira të tregtisë në internet do të jenë prezente në sallë me aktivitete dhe fjalime të ndryshme, gjithashtu pasditja do i dedikohet kompanive të Kosovës edhe diasporës të cilat janë pjesa jonë më e rëndësishme për t’u lidhur me veten dhe botën.

Përfaqësues nga kompania Zalando do të mbajnë një fjalim për kompanitë e modës, dhe do të zhvillojë një workshop eskluziv për stafin e kompanive prezente në event.

Tema e Ditës së Tretë: “Connect Albania to the future”

Përgjatë kësaj dite fokusi do jetë te trendet e reja në marketing, në teknologji dhe sigurisht në edukim.

Disa prej ekspertëve më të përgatitur vendas, do të na tregojnë se çfarë do i ndihmojë bizneset të rriten. Do të kemi një panel me disa prej kompanive të reja më novatore në vend për të treguar sfidat dhe drejtimin që ky sektor ka. Dhe sigurisht do të kemi disa prej trajnuesve më të mirë, për të trajnuar jo vetëm stafin tonë, por për të sjellë në event kandidatët më të mirë për t’u punësuar, që janë ata të cilët duan të zhvillohen.

Ju mirëpresim të gjithëve në event shumica e të cilit do të mund të aksesohet falas. Nëse jeni kompani që ofroni teknologj inovatore dhe risi në treg, duhet të na kontaktoni shpejt sepse hapësirat janë të limituara.

Të gjithë sipërmarrësit apo institucionet e diasporës të na kontaktojnë për të gjetur formën e ndërlidhjes në këtë aktivitet të rëndësishëm për ekosistemin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

#SiSot, më 27 korrik 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare

July 27, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Figura e Nolit pranë atdhetarëve të tij në Amerikë po fitonte rritje te menjëhershme duke i përfaqësuar ata si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston. Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop, mjaft duruam talljet e të tjerëve. Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Imzot Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Bashkëngjitur më poshtë, paraqitet Noli me veshje klerikale.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FanNoli

#Vatra

#Dielli

#TheAdriaticReview

#KishaOrtodokseShqiptare

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Politike

ÇFARË FSHIHET PAS VENDIMIT TË KOMISIONIT EUROPEAN PËR PEZULLIMIN E FONDEVE PËR BUJQËSINË NË SHQIPËRI?

July 27, 2023 by s p

Prof.Gjok Vuksani/

Në këtë vapë përvëluese ku temperatuat në Shqipëri kanë arritur në 44°C dhe kur bimët e arave po digjen natën për hanë si pasojë e mungesës së ujitjes në të paktën 55% të siperfaqes së tokës së punueshme. Në kushtet kur fondet e akorduara për këtë vit nga buxheti i shtetit për mbështetjen e fermerëve janë vetëm 3.3 miliardë lekë, ose 36 % më pak se fondi i dhënë gjatë vitit 2022, që kapte shifrën e 5.1 miliardë lekëve. Kur vaji i ullirit dergjet në shtëpitë e fermerve i pashitur dhe kur prodhimi i grurit të sivjetshëm i nxitur që të kultivohet nga qeveria ka mbushur rrugët e Myzeqesë një lajm përvëlues arriti në Tiranë.

Komisioni European pezulloi fondet paraaderuese për Shqiperinë si pasojë e parregullsive dhe mangësive serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri, dhe dështimit të AZHBR që të ushtrojë kontrollet e duhura e konstatuar nga investigimi 3 vjecar i OLAF (European Anti-Fraud Office). Ministrja e Bujqesisë znj.Krifca është munduar që të justifikojë pezullimin si një procedurë teknike duke deklaruar se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, puna vazhdon dhe programi vazhdon. Së pari duhet të sqarojmë se shkeljet e konstatuara në letrën e dërguar nga Drejtori i GD AGRI janë serioze dhe mjaft të rënda për gjithë strukturat e menaxhimit të fondeve të IPARD. “Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuara në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj.(Oligarkia.al). Së dyti në dokumentin zyrtar të dërguar nga DG AGRI (Drejtoria e Bujqësisë e KE) shprehet qartë se është pezulluar pagesa për për tre-mujorin e parë të 2023 por edhe pagesat në vazhdim bazuar në gjetjet paraprake të OLAF.Madje në formë paralajmëruese autoritett evropiane i kujtojnë Ministries së Bujqësise se nëse nuk merren masa të menjëhershme për zgjidhjen e të gjitha shkeljeve të rënda mund të plotësohen kushtet e Nenit.40 të marveshjes së përbashkët (Framework agreement) (1) Komisioni mund të pezullojë pagesat për Përfituesin IPA II, veçanërisht kur zbulohen gabime sistemike që vënë në dyshim besueshmërinë e sistemeve të kontrollit të brendshëm të subjektit në fjalë apo ligjshmërinë dhe rregullsinë e transaksioneve përkatëse. (3) Nëse Përfituesi IPA II nuk i ka marrë masat, Komisioni mund të vendosë të anulojë plotësisht ose pjesërisht kontributin IPA II të programit sipas nenit 43.

Pra situata nuk është aspak teknike mandje është shumë e rezikshmë aq sa mund të cojë në një bllokim total të mbështetjes së BE për bujqësinë shqiptare. Gjendja bëhet akoma më alarmate se nga 226 kontrata të lidhura në kuader të IPARD II nga shuma prej 96 milionë vetëm 58% e shumës totale ishte disbursuar (sipas deklarimit të Ministres së Bujqesisë në Komisonin e veprimtarisë prodhuese). Pra pothuasje gjysma e fermerëve akoma nuk kanë marrë financimet nga IPARD II edhe pse kanë harxhuar mijëra euro për projektet , dokumentacionin , plan biznesin , lejet e ndërtimit etj , etj. Gjithashtu duhet të bëhet e ditur për të gjithë shqiptarët se fondi jepet pasi është kryer financimi, pra fërmeret kanë marrë miljona euro kredi në bankë , kamë kryer investimin bazuar në një kontratë të lidhur me AZHBR dhe jo për fajin a tyre ato nuk mund të marrin mbrapsht financimin nga BE dhe qeveria shqiptare (75:25%). E zeza bëhet edhe më e zëzë n.q.s merret vendimi nga DG AGRI që edhe një pjesë e konsiderushme e investimeve të disbursuara të konsiderohen si “Investime të paligjshme” dhe të kthehen mbrapsht paratë e disbursuara nga shteti shqipëtar. Kur vjen e keqja hapi derën sepse në letrën zyrtare të DG AGRI eshtë theksuar që të gjitha proceduart për aplikimin , buxhetimin e IPARD III në nje shumë prej 146 milion euro do të bllokohen. Prandaj Ministrja e Bujqësisë nuk duhet të merrët me fjalë dhe as me inagurime të rrugëve në Farkë të Tiranës për arsye elektorale por duhet të punojë ngushtësisht me struktuat e KE për të rritur transparencen e kontrollit të investimeve , pastrimin e strukturave të bujqësisë nga të paaftët dhe patronazhistët (64% e punojnësve të AZHBR sipas FAO janë të punësuar jashtë profilit).

Duhet menjeherë të shpallen investime të paligjshmë të gjithë investimet që janë dhenë për inceneratorët dhe miqtë e qeverisë që të mos digjet i njomi për të thatin.Gjithashtu duhet të thëksohet fakti se në këtë rast nuk ka dështuar vetëm AZHBR si institucion zbatues por të gjitha strukturat që merren me administrimin e fondeve IPARD. Nuk ka funksionuar as Komiteti i Monitorimit të fondeve IPARD II që drejtohet nga Ministrja e Bujqësisë dhe ka në përbërjën e saj përfaqesues nga Ministria e Financës , Ministria e Mjedisit , Ministria e Transportit etj që është pëgjegjes për zbatimin me efektivitet dhe cilësi të zbatimit të Programit, në mënyrë që të arrihen objektivat specifike. Kanë dështuar të gjitha institucionet e varësisë “Trupat teknike” si AKU , AKVMB , Agjensia Kombetare e Mjedisit etj që kanë qënë përgjegjës për të vërifikuar përmbushjen e standarteve komabëtare dhe ato minimale të BE të investimeve të kryera. Kanë dështuar gjithashtu në zbatimin e detyrave funksionale Autoriteti i Menaxhimit , NAO (Zyrtari Kombëtar Autorizues), NIPAC(Koordinatorit Kombëtar për IPA),Fondi Nacional në Ministrinë e Financave etj , etj.

Pra situata është shumë komplekse dhe ka nevojë për një analizë të thëllë dhe profesionale për të nxjerrë bujqësinë nga kjo gjendje e vështirë. Ju që jeni përgjëgjës me veprimet dhe mosveprimet tuaja për pezullimin e fondeve të IPARD II +III mos u bëni përgjegjes edhe për anullimin e pjesshëm ose të plotë të fondeve aq të nevojshme për bujqësinë shqiptare.

Filed Under: Kronike Tagged With: GJOK VUKSANI

Gruaja që rilind pas çdo sfide…

July 27, 2023 by s p

Albert Gjoka*/

Realiteti e tejkalon shpeshherë fiksionin në një mjedis si ky i yni për dramën, tragjedinë apo komedinë, që ta përplas pa teklif në fytyrë, duke i lënë rrëfimtarët guhakë, gojëkyçur dhe mendjempirë: Ngjarjet dhe personazhet e sfidojnë rrëfimtarin, të cilit shpeshherë i humbet ndjeshmëria për t’i kapur ngjarjet në detaje, pa mundur të sjellin histori; njëherësh të veçanta dhe me vlera universale. Njërën prej tyre e ka fiksuar, fatmirësisht, Loreta Vaso, autorja e romanit biografik “U mbajta te parajsa”. Rrëfimtarja e ka kapërcyer me sukses praninë dhe rrëfimin e personazhit real, – i ka qendruar besnike historisë reale, ka treguar durim në ndjekjen e të gjitha ngjarjeve të dramës që na zbulon hap pas hapi, ku ka në qendër një personazh real, një grua që nuk është dosido.

Pasi përfundova së lexuari romanin, më erdhi ndërmend personazhi real i këtij fiction-i biografik, – gjinekologia e njohur Lindita Myzyri, të cilën e kam njohur personalisht në rrethana profesionale dhe familjare. Kur kisha lexuar edhe epilogun e romanit, u përballa me një paradoks të fortë sepse doktoreshën e kam njohur si një profesioniste që i shëron pacientët edhe me fuqinë e fjalës dhe buzëqeshjes dhe di t’i japë jetë shëndetit të nënës me zejen dhe aftësitë që ka. Por, përtej bardhësisë së bluzës dhe shpirtit të fisëm, fshiheshin drama dhe tragjedi të njëpasnjëshme, të cilat vijnë të rrëfyera thjeshtë, qartë dhe rrjedhshëm në këtë libër. Them paradoks sepse nuk do ta kuptoja dhe as do ta lexoja kurrë dramën e jetës reale të doktoreshë Linditës nëse nuk do të kisha lexuar me një frymë romanin “U mbajta te parajsa”.

Të njohësh edhe romanin, edhe personazhin që i kushtohet romani, është një gjendje e rrallë, e paprovuar për shumë lexues, ku në të shumtën e herëve e ke të vështirë që të gjesh rrënjë dhe degë; por këtu ndodhemi përballë një realiteti tjetër: Sigurisht, çdo lexues që nuk i njeh personazhet apo historitë e këtij libri, mund ta lexojë librin fare mirë si një fiction dramatik, por, për ata që e kanë jetuar dramën e doktoreshës, nuk mund të mos befasohesh me mjeshtrinë e rrëfimit, me mënyrën e sendërtimit të personazhit, me paralelet mes natyrës dhe personazheve; me eksplorimin e botës së brendshme të personazhit dhe në shpalosjen e tij në të gjitha përmasat dhe dimensionet; si mjeke, si nënë, si bashkëshorte, si motër, si mikeshë, etj.

Ky roman ka në qendër një grua dhe si i tillë, fare mirë mund të ishte edhe një vepër feministe, por nuk është mo-ta-mo i tillë; pra, nuk jemi përballë romanit klasik feminist, pasi nuk merr asnjë trajtë të të gjitha llojeve të feminizmit që ne njohim nga letërsia e përbotshme e këtij lloji; por ky roman sjell modelin e femrës së munguar, të femrës sesi duhet të jetë, të femrës që lufton çdo ditë për të shpalosur vetveten, sado e vështirë që të jetë rruga e saj. Pra, sjell një model tjetër feminizmi, – të atij feminizmi që ka nevojë shoqëria jonë në çdo kohë.

Pikërisht, për këtë arsye, unë e rekomandoj fort këtë roman, – tek të gjitha ato gra që duan të njohin një bashkëshorte që sakrifikon për dashurinë e saj; për të gjitha ato femra që janë kryqëzuar, kur kanë humbur njerëzit e dashur në jetët e tyre; tek të gjitha ato dhunuara që janë përballur me grushtin brutal të mashkullit apo kanë pasur brenda familjes së tyre vdekjen e ngadaltë prej duhmave të alkoolit; për të gjitha ato femra që janë dorëzuar nga sëmundja dhe vështirësitë; për të gjitha ato kryefamiljare që janë në kërkimin e modelit të nënës që jeton çdo çast me ëndrrat e fëmijëve të saj dhe që nuk rreshtin kurrë për t’ua ushqyer ato ëndrrat e tyre me përkushtimin, pasionin dhe sakrificën e përditshme; për të gjitha ato që janë në kërkim të gruas që ka një botë të madhe me ide dhe energji brenda vetes, pa make-up-in e stisur; për të gjitha ato zonja në karrierë që ende nuk e dijnë se çfarë do të thotë të sakrifikosh për tu bërë një profesioniste e zonja, e njëherësh të kesh zellin për dije dhe formim në njërën dorë dhe të mbash në dorën tjetër edhe familjen.

E rekomandoj fort këtë roman për të gjitha ato femra që janë në kërkim të mikes apo mikut të çmuar, i cili të gjendet në krah kur ti ke nevojë dhe që di të të dëgjojë apo të të këshillojë në ato momente kur bota të gremiset para këmbësh: E rekomandoj edhe për ato që lëkunden nga vështirësive të jetës teksa pengesat u bëhen plagë apo varr para sysh, sepse personazhi i këtij romani nuk bën kthim pas me vlerat, premtimet dhe vendimet që merr në jetë.

E rekomandoj sërish këtë libër sepse do të gjeni njeriun që i jep formë dhe ngjyrë realitetit, përkundër asaj që na ndodh shumicës prej nesh teksa koha lë vraga dhe gjurmë brenda qenies tonë, duke na bjerrur e zvetnuar forcën e individualitetit.

Së fundi, ky roman është edhe për të gjithë burrat sepse, pasi të përfundojnë faqen e fundit të këtij libri, do të mësojnë shumë sesi duhet dhe nuk duhet të sillen me gratë, nënat, vajzat, motrat, koleget apo mikeshat e tyre…

Një personazh të tillë si Linda është e vështirë ta takosh në një mjedis ku individi plazmohet apo dorëzohet, ku viktimizohet apo zhbëhet. Linda nuk është e tillë: Ajo është burimi i energjisë për çdo grua që do të sfidojë dhe modeli i gruas që çdo burrë do të donte ta njihte, ta kishte mike apo ta kishte në krah; Të gjitha këto përmasa të personazhit i sjell natyrshëm në të gjitha historitë njerëzore autorja e cila të duket sikur është edhe dëshmitare, edhe rrëfimtare edhe vetë gruaja, duke e bërë lexuesin që të përjetojë në çdo moment ankth, tension, frikë dhe të papritura, paçka se përballë ka një grua që nuk epet për asnjë çast.

Historia e secilit prej nesh mund të jetë e denjë për roman apo film në përditshmërinë që jetojmë por, historia e Lindës është ajo që i ka munguar letërsisë bashkëkohore, – i ka munguar zhanrit, i ka munguar modelit të gruas dhe humanitetit tonë. Duke i qendruar besnike historisë së personazhit, ajo i ka sjellë lexuesit një roman biografik të pazakontë, me vlera të shumëfishta.

“Doja shumë të shkruhej historia reale e jetës sime ‘lakuriqe’, për të përcjellë mesazhe tek ato nëna, gra, vajza që në jetë mund të kenë kaluar situata të vështira”, – thonë në fund vetë personazhi i romanit: Dhe realisht autorja e librit, Loreta Vaso ia ka arritur që të përcjellë “amanetin” e personazhit real, të sjellë personazhin e Lindës si gruaja që rilind pas çdo vështirësie, që mëson pas çdo pengese dhe që bëhet më e fortë pas çdo sfide.

*Përshtypje rreth romanit biografik “U mbajta te parajsa” të autores Loreta Vaso, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Toena.

May be an image of 2 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

77

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Gjoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1749
  • 1750
  • 1751
  • 1752
  • 1753
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT