• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

February 3, 2022 by s p

Don Lush GJERGJI /

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes. Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi. Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne.

NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
 

Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
 

Urrejtja është djallëzore, vdekje-sjellëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11). 
Jezusi thotë:“Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990? 

Gabimi i parë më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja. 

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët. 

Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve. 

Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe. 

Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë! 


Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.

 Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë…
Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…”
 (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).
 

Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës, vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tone edhe lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.
 

Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË! 

Prandaj para çdo veprimi pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria. 

Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT. 

Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.
 

Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja? 
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
 

S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.                                                                              

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve: 

  • Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. 
  • E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje. 
  • Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë. 
  •  Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin. 
  • Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit. 
  • Urrejtja, dëshira për hak apo gjak-marrje është diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë. Atë duhet ta flakim apo mposhtim ne, me ndihmën e Zotit, si dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit. Kush nuk është i aftë për të kërkuar falje dhe për të falur, nuk jeton, është për së gjalli “në varr”, sepse është i kushtëzuar dhe përcaktuar vetëm ndaj të keqes. Jeta e njerëzve të tillë është boshe, pa kuptim, qëllim, synim, sjell vetëm fatkeqësi për vete dhe për të tjerët.

     “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike. 

    “Koka” apo “Zemra” e Pajtimeve ishte Prof. Anton Çetta, veprimtar i shquar dhe i dalluar, Populli,   ata që kanë falur, “heronjtë e ditëve tona”, vetëdijesimi dhe përcaktimi ynë për jetë, për paqe, për liri, demokraci dhe pavarësi.

    Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve, ende nuk kemi asnjë studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar.  

    Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.  

                                                                                          Don Lush GJERGJI

Filed Under: Komunitet Tagged With: Don Lush Gjergjin

MBI LIBRIN E LEONORA LAÇIT “SKENDER IMER THAÇI MES SHQIPËRISË, KOSOVES DHE MALIT TË ZI”

February 3, 2022 by s p

Nga Fatbardha Mulleti Saraçi/


Duke lexuar librin me titull “Skender Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi”, pata mbresat nga ky libër që tregon për humanizëm, për heronj njerëzor. Në libër përshkruhen shumë ngjarje dhe shumë linja por unë do ndalem në disa prej tyre. Të bën përshtypje figura madhështore e nënë Bades, që mbeti e ve në një moshë të re, me dy binjakë, e cila provoi burgosjen së bashku me familjen.Kjo veçori e nënës Bade gjendet tek shumë nëna shqiptare, ato mbeten shembulli i përkryer i humanizmit njerëzor, sepse AJO mbetet baza e familjes që edukon e rrit fëmijët duke i dhuruar shumë dashuri. Dashuri e transmetuar tek gjenerata e re afirmon një të ardhme më të mirë.Të lindësh të rritësh njeriun është mrekullia më njerëzore sepse “Njeriu u krijua që të bëhet një fillim, siç ka thënë Shen Agustine, dmth nëna rrit breza të rinj, që janë e ardhmja…Një nënë stoike, sakrifikoi jetën e saj për shkollimin e edukimin e binjakëve të saj.. Formoi tek ata ç’është ndershmëria, u mësoi që vlerat më të mira arrihen vetëm me anë të punës, përcoi humanizmin dhe tregoi që me shembullin e saj si prindi duhet të punojë dhe sakrifikojë për fëmijët.Tjetër linjë është ajo e veprimtarisë humanitare të Skender Thaçit. Nuk kishte sesi të ishte ndryshe, rritur me dashuri për kombin për shqiptarinë. Ai si Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Shqipëri Austri ku puna dhe ideali i përbashkët e bashkoi me znj.Graf, të dy bashkë punuan pa u ndalur për zbutjen e dhimbjeve të popullit shqiptar. Për 29 vite kjo shoqatë do ishte shpresa, frymëzimi, besimi për shumë qytetar shqiptar, për një jetë më të mirë në Shqipëri e Kosovë. Duke lexuar këtë libër mbushesha me krenari se si punohet për të ndihmuar shtresat në nevojë.Linja tjetër, familja e tij e shendetshme. Skenderi i ka vendos qellime të qarta vetes dhe suksesi që ka pasur në jetë, familja e shëndosh, rrugët e drejta në të cilat ka orientuar fëmijët e vet e bëjnë atë një prind shembullor e të kujdesshme.Më ka bërë përshtypje kapitulli mbi takimet e Skender Thaçit për të rënë në gjurmët e të atit, Takimi me miqtë e babait të tij Imerit është një vepër madhështore. Është njohja me të kaluarën, me disa zotërinj që kishin provuar burgjet e kampet e punës së detyruar.Të kuptosh në biseda me ta se sa e rrezikshme ishte errësira dmth mosdija, mosnjohja e së vërtetës. Ballafaqimi me diktaturën totalitare dhe si duhet të punosh për reflektimin. Kjo për mua është kujtesa, të tregosh të vërtetat. Ata miq të babait të tij nuk i moren me vehte, dëshmuan, rrefyen perjetimet e veta.Prania ime këtu nuk është rastësore, jam këtu sepse autorja e librit është mike imja për pothujse një dekad, studiuesja Leonora Laçi autore e disa librave. Bashkëpuntorja e palodhur dhe e pandashme e imja. I mbetëm mirënjohëse për ndihmesën që ka dhënë në librat e mijë. Kam një kërkesë që ky botim të mos ngelet me kaq, kjo dëshmi e një pune kolosale të bamirësisë të vihet sa më në pah përmes artit e pikturës, por dhe kalvari i familjes të bëhet frymëzim për aktorë e regjisorë për ta realizuar në film për ta përjetsuar e ngrirë në kujtesat njerëzore përjetësisht.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fatbardha Saraci Mulleti

Lamtumirë Agron Isufi

February 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Ai i dha familjes së tij në Amerikë dhuratën më të bukur, ate të Lirise dhe mundësisë…

Këto ditë u nga nga jeta papritur nga një goditje në zemër në moshën 67 vjeçare, Agron Isufi me banim në Staten Island, lindur, më 31 Maj 1954, Kavajë.  Ishte një lajm shumë i dhimbshëm për familjen e tij të madhe dhe për gjithë shoqërinë që e njihnin prej vitesh. Nuk do t’i harrojmë bashkë me Qemalin lotët e fëmijëve, të vëllait Kujtimit, të afërmëve si dhe të motrës së tij Olimbise më të voglës në funeral home e cila na tha: “Ishte më i madhi i fëmijëve dhe na ka mbështetur shumë, i madhi vuan tërë jetën”.  

Të lesh Atdheun, familjen është goditja më e rëndë shpirtërore që mund të pësojë njeriu përmendte shpesh Agroni në bisedat tona të here pas hershme në mjediset e kolegjit BramsonORT në Brooklyn ku dhe u njohëm dhe prej atëhere vazhdoi me plot pasterti miqësia jonë me Agronin dhe familjen e tij.  Ai merrte pjesë gjithmone në aktivitetet që organizonim në kolegj dhe ndihej krenar. Agroni kishte ardhur vetëm në Amerikë pikërisht në ditën e rënies të kullave binjake, më 11 shtator 2001. Këte fakt e përmendte shpesh dhe thoshte sikur i sollëm me vehte dhimbjet, traumat këtu në këtë vend të bekuar.  Ai erdhi pas nje kohe të gjatë sakrificash nëpër Europë për 9 muaj rresht, dhe i është dashur të flerë jashtë në të ftohtë dhe në acar. E bija e tij Shpresa tregoi se një dië dimri babi me shokum e vet dhe djalin e tij Eltonin kanë qenë në Francë dhe i ka zënë një ngricë dimri jashtë, ata nuk kishin ku të flenin përveçse në rrugë.  I ftohti i madh nuk linte as çakmakun të ndizej, dhe djali i shokut të babit, Eltoni ishte gati duke ngrirë. Babi mori një kosh plehrash ku gjeti disa letra dhe veç brenda në kosh mundi të ndizte një zjarr që u ngrohën dhe për fat nuk vdiqen nga acari i dimrit atë natë.

Heroin tonë thonë vajzat nuk e ndalën acaret të vinte në Amerikë.  Ëndrra e tij e gjatë vazhdoi për të sjellë me përpjekje e luftë bashkëshorten e tij Medaijen dhe të pesë fëmijët.

Bashkimi me familjen ishte dita më e lumtur e Agronit.  Fati e bëri të mundohej përsëri, pasi bashkëshortja e tij Medaija vetëm në moshën 45 vjeçe u nga nga jeta duke lëne pas një tufë fëmijësh të vegjël si Eliona, Oltiana, Erjoni, Shpresa, dhe Vullneti.  Sa të vegjel ishin në atë kohe, ndërsa në ditën e përcjelljes së të Atit të tyre i shikoja të rritur.

Në eulogjinë përcjellëse e bija e tij Oltiana tha se: “Maturia e tij dhe dëshira për të bërë mirë ishin rritur shumë më herët se nga vetë ai. Duke qenë se Babi ishte fëmija i parë ai i vuri shpatullat punës, atje në Mokërr të Senishtës në Pogradec.  Që rreth moshës 12 vjeçare dhe më parë, në mënyrë që të lehtësonte barrën e rëndë të vuajtjeve që sistemi komunist kishte hedhur mbi familjen e tij. Ai tregonte se si shkonte në mal për të marrë dru jo njëherë por disa herë në ditë, si e kalonte ditën vetëm me një copë bukë të thatë me sheqer, që dhe atë e kishin me kursim, si nuk kishin as një shishe për te mbushur ujë dhe si shuante etjen me ujë shiu nëper lugje gurësh. Edhe pse këto histori mbanin shumë mundim Babi ndjehej krenar me vetëveten që i kishte kaluar ato sfida, sepse sakrifica e tij kishte ndihmuar që motrat dhe vëllezërit të kishin një jetë sadopak më të lehtë se ai. 

Ai shpesh herë na kujtonte se arsyeja e vetme pse e la vendlindjen e tij ishte vetëm për te ardhmen tonë, për të na dhënë mundësinë për të ecur përpara dhe për te arritur shumë ëndrra që atij veë ja kishte bërë të ndaluara deri me persekutim të familjarëve të tij sistemi komunist. 

Rruga e Babit drejt Amerikës ishte me shumë sfida, ai udhëtoi për gati nje vit nëpër shumë shtete si Spanje, Venezuele, dhe Francë për të arritur qëllimin e tij. Gjatë kësaj periudhe ai tregonte se shumë herë kishte fjetur neper stole ne rruge me nje cope kartoni si batanije, se shumë here nuk e dinte se ku do përfundonte, dhe se po aq shumë herë e vendoste se nuk do të kthehej kurrë mbrapsht dhe se do ti jepte familjes se tij dhuraten me të bukur, ate të Lirise dhe mundësisë! Babi gjithmonë i kujtonte me shumë respekt ata-ato që e kishin ndimuar përgjatë kësaj rruge dhe thoshte se në jetë ka me të vërtetë njerëz të mirë! 

Fjala baba ka qenë dhe do të jetë imazhi me të cilin do të jemi përjetë krenar. Fjala baba për ne ishte dhe fjala nënë, pas humbjes së nënës tonë të dashur Medaije. Fjala baba për ne ka qenë emri që kemi adhuruar dhe dora që na ka mbajtur të bashkuar. Ne ngelemi gjithmonë të përulur përpara emrit të babait tonë Agron Isufi, për dashurinë e fortë dhe të pafund që na fali. 

Babai ynë Agron Isufi sot po largohet vetëm me trupin e tij. Ai do të jetojë në zemrat tona dhe të fëmijëve tanë përjetë si një baba me zemër të madhe, dhe me një përkushtim të papërshkruar. Duke e falënderuar të madhin Zot që ishim fëmiëjt e një njeriu aq të nderuar, i lutemi atij që shpirti i babait tonë të dashur të prehet në paqe dhe të jetë bashkuar me nënën tonë. 

Agron Isufi iku nga kjo botë duke përmbushur ëndrrën e tij për të pesë fëmijët që i edukoi, i rriti me sakrifica dhe i integroi me kulturë në Amerikë, vend që i dha Lirinë dhe mundësinë për gjeneratat e ardhshme.

Dritë të pastë shpirti Agron Isufi!

Lamtumirë! 

2 Shkurt, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI

Mos e shit Portin e Durrësit zoti kryeministër!

February 3, 2022 by s p

 

Gezim Zilja/

Ç’janë këto fletë e zarfa derë më derë o Edvin Beu, alias kryeministri ynë? Po pyet popullit tonë të telendisur e varfëruar, për punëra të qeverisë, kur ky pret të mjel dhinë a delen të ushqejë fëmijët? Je bër si Fidel Kastrua qëmoti Edvin Bej me ato fjalimet “korr e mos lidh.” Tetë vjet në timon na ktheve te përsheshi me dhallë sa trahanaja na duket luks. Nuk e patëm kështu kur more bejllëkun. Tani do mendjen e fukarasë me demek do qeverisësh me popullin, që është ca sylesh me thënë të drejtën, po jo aq sa mendon ti. Me qënë se jemi te “këshillimi popullor” bej efendi, pse nuk u këshillove për Portin e Durrësit, që po ua jep falas Alabbar-ëve dhe  Emaar-ëve? Ka plot ekspertë në Shqipëri, që i dinë këto punë dhe u dhimbset Shqipëria, po ti je bërë jo bej e kryebej por edhe inxhinier, arkitekt, historian, albanolog, urbanist, ambientalist, doktor, profesor, romancier, infermier, financier, portier e refer. Me një fjalë e ke kthyer qeverinë në kotec pulash, ku këndon zotrote, si kaposhi i Përrallës së Plakës, që pillte vetëm flori. Ju po projektoni shndërrimin e Portit të Durrësit në një lloj Dubai të Evropës dhe ndërtimin e portit të mallrave në Porto Romano. Zhurma e demagogjia bëhet për kullat në portin e Durrësit, në qindra hektarë tokë të dhënë falas. Gjithë të tjerat janë në ajër ose në kokat e sëmura të qeverisë o Beu ynë sepse: 

1. Qeveria para së të japë leje për të shpërbërë Portin e Durrësit, duhet të marrë mendim nga agjencitë e specializuara: Kapiteneria e Portit, Agjencia Portuale Durrës, Universiteti dhe Akademia e Detit, përfaqësitë studimore, që merren me ndërtimin e porteve, përfaqësuesit e Bashkisë, Prefekturës, Komunitetit të Durrësit,  grupet e interesit në tërësi etj. Ky është ligj kushtetues. Pas kësaj mund të vazhdohet puna e qeverisë për dhënie lejeje, që Porti i Durrësit të kthehet në Dubai, e të ndërtohet  një tjetër mallrash në Porto Romano. Një rast i tillë po ndodh në Kroaci, ku porti ekzistues po kthehet në port turistik. Në Rijeka, Kompania vëndase ACI-Gitone në bashkëpunim me kompaninë gjermane LÜRSEN po përfundojnë dokumentacionin për ndërtimin e marinës në porto Baros në Rijeka dhe porti i konteinerëve po ndërtohet në Jug të portit ekzistues, në një thellësi uji prej 30m. Ky vendim është shoqëruar me konsultime publike me grupet e interesit, operatorët portualë, stivadorët, agjensitë detare dhe spedicionere, pilotët dhe shërbimet ndihmëse, si dhe me botën akademike. Në ndërtimin e portit turistik të Rijekës nuk janë planifikuar ndërtime banesash dhe kullash si në Durrës. Kostua e parashikuar e ndërtimit do të jetë 54,5 milion USD dhe do të jetë një koncension 30 vjeçar. Këto të dhëna mund t’i gjejë kushdo në internet.

2. Përse porti i jahteve dhe kullat o Beu ynë nuk ndërtohen në Porto Romano, duke  e kthyer atë copë tokë në  Dubain durrsak?  Nëse Alabbari ktheu shkretëtirën, ku piqet kulaçi në diell, në një  parajsë, çfarë e pengon atë, që një vend mesdhetar dhe të bekuar si Porto Romano, ta kthejë  në parajsë!? Përse ai kërkon me çdo kusht Portin e Durrësit, e ky pas tre mijë vjetësh të ngrejë leckat në krah e t’ia mbathë 6,5 km larg, në Porto Romano? 

3. Pse nuk bëhet me tender ky investim gjigand por i jepet të parit, që ofron projektin, preventin dhe paratë? Kjo është shkelje e ligjit shqiptar për tenderat. Le të bëjmë një llogari. Sipërfaqja e truallit të portit 80ha e llogaritur me 2000 ero/m2, sipas vlerës së tregut, arrin 1.6 deri në 1.8 miliard euro. Gjatësia e kalatës së portit është 2.200 metra dhe vlera e tij si port, së bashku me investimet e kryera aty, llogaritet rreth 1.3 miliardë euro. Porto Romano sipas projektit kushton 500 milionë euro dhe është investim i qeverisë shqiptare. Arabët do të investojnë 2 miliardë euro, pothuaj aq sa ia dhuron qeveria me truallin falas. Për të ndërtuar portin e ri shqiptarët do të shpenzojnë. (1.8+1,3 +0,5) = 3.6 miliardë euro. Shkurt edhe një idjot e kupton se çfarë po ndodh.  Përgjigju bej efendi se populli është i zemëruar dhe do të dijë se ç’bëhet me pronat e tij. 

4. Portet nuk ndërtohen me kërkesën e sheikëve dhe palaçove të qeverisë që shkojnë në Dubai e sillen si zorraxhinjë te Nustreti, por nga kërkesat e tregut, leverdia ekonomike dhe pozita gjeografike. Zhvillimet e sotme në transport dhe në logjistikë kushtëzojnë ndërtimin e anijeve, rrjedhimisht dhe të porteve. Tendenca e ndërtimit të porteve është të presë anijet e dhjetëvjeçarëve të fundit përfshirë dhe kontejnerët. Në Selanik ka një port modern, që është në gjendje të presë edhe anijet e kontejnerëve të tonazheve të mëdha. Në Rijeka po ndërtohet porti i kontejnerëv me një thellësi tridhjetë metra. Thellësia maximale e Portit të Durrësit është 11.5m kurse në Porto Romano për arsye gjeografike dhe teknike nuk mund të kalohet thellësia 7.5 metra dhe gjatësia e kalatave nuk mund të kalojë 200m. Ekspertët thonë se në Porto Romano nuk mund të ndërtohet dot një deep port ( Port i thellë) ku të ankorohen anijet kontejnere të tonazheve të larta. Atëherë si do të bëhet “ Porti më i madh në Ballkan dhe një shëmbull në Mesdhe mbi transportin modern detar në Porto Romano” sipas cicërimave të ministres Balluku?! Pyetja që shtrojnë specialistët është: nëse ka një deep port në Selanik, po ndërtohet një deep port në Rijeka, i aftë për të pritur anijet e gjeneratës së fundit të konteinerëve, atehere kujt do t’i shërbente ky port me thellësi 7.5 metra? Si ta quajmë këtë: padituri, babëzi apo tradhëti kombëtare? Veç kësaj një port nuk mund të imagjinohet pa lidhje me autostradë dhe hekurudhë të paktën me vendet e rajonit?! Kur do t’i bësh, e me çfarë parash të gjitha këto o beu ynë? Nëse  plani i qeverisë vihet në zbatim asnjë anije kontejnerësh e dhjetëvjeçarëve të fundit nuk mund të ankorohet në Porto Romano. Biznesmenëve tanë dhe vëllezërve kosovarë do t’u duhet të shkojnë në Selanik apo Rijeka dhe  atëherë asgjë nuk mund të korrigjohet. Për aq kohë, thonë ekspertët, ( jo gomerët) që Shqipëria nuk është në gjendje të ketë një Deep Port, Porti i Durresit mbetet e vetmja mundësi, që mos të pengohet lëvizja e panderprerë e mallrave. Dështimi i projekteve të tilla e çon në falimentim një shtet të vogël e me arkat bosh si Shqipëria. 

PS. Sipas burimeve të sigurta “Emaar Group” dhe qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe janë tërhequr nga ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka pranuar zyrtarisht se as kompania e njohur dhe as Emiratet nuk janë pjesë e projektit. Në vend të “Emaar Group”, në portin e Durrësit, Mohamed Alabbar ka sjellë një tjetër kompani të tij, të regjistruar në ishujt Cayman, si kompani offshore. Më hollësisht për këtë aferë do të shkruajmë herën tjetër. 

.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gezim Zilja

ANTIKUSHTETUTSHMËRIA E SHKATËRRIMIT TË PRONËS PRIVATE NË SHQIPËRI PREJ VETË SHTETIT

February 3, 2022 by s p

Editorial nga SOKOL PAJA/

Çështja e pronës private në Shqipëri dhe pronës në tërësi është një ndër problemet më madhore me të cilat është përballur qytetari, shteti, shoqëria dhe ekonomia shqiptare që pas shembjes së komunizmit. Pamjet e tmerrshme të dhunës policore ndaj qytetarëve që mbronin pronën nga shëmbja prej fadromave të shtetit, pushtuan median në Tiranë dhe hapsirën mbarë shqipfolëse. Pleq, plaka, gra shtatzëna, fëmijë, gra e burra tërhiqen zvarrë prej shtetit në mes të ftohtit të janarit. Mundi i qyetarëve ndër dekada shembet me goditjen brutale të një fadrome shtetërore. Nënë Liza Marku teksa u filmua kur policia e tërhiqte zvarrë tek “5 Maji”, në dëshminë e saj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tregoi barbarinë dhe makabritetin e ndërhyrjes shtetërore mbi pronën private të banorëve te “5 Maji” në Tiranë. Liza Marku nxori para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të shtetit përbindësh në Shqipëri. Investimi, mundi e djersa e secilës familje shqiptare nuk mund të shkatërrohet me një të rënë të lapsit, por duhet të mbrohet, konvertohet dhe shpërblehet me vlerën reale të tregut e për çdo transformim duhet të drejtësi ashtu si çdo familje e nderuar shqiptare e meriton. Shembjet selektive, hakmarrjet me anë të shtetit, devijimet e projekteve me anë të korrupsionit, dhuna, presioni, tërheqja zvarrrë, paniku, frika, tensioni nuk duhet të jenë mënyra qeveritare të zgjidhjes së halleve të qytetarëve, por dialogu, dëgjesa publike dhe prirja për zgjidhjen më të mirë të mundshme në dobi të interesit qytetar dhe ligjit, jo shtetit korruptiv  dhe oligarkëve të pallateve. Në emër të zhvillimit urban dhe rural, pas çdo pojekti shkatërrimesh të pronës private prej shtetit në Shqipëri, fshihet mafja e tenderave, mafja e betonit, përqindjet e oligarkëve etj. Çdo transformim për projektet zhvëllimore të qytetit duhet përkrahur kur këto projekte vijnë për të mirën e qytetarëve dhe të komunitetit, por kur nuk ka transparencë në marrëdhënien shtet-qytetar-plan-projekte zhvillimesh, përzier kjo me arrogancën dhe dhunën shtetërore, janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Nëse i referohemi ligjit, shkatërrimet e pronës si në rastin e “5 Majit” janë të kundraligjshme pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si ligji themeltar i shtetit shqiptar në Nenin 11 pika 1 thuhet: “Sistemi  ekonomik i Republikës së Shqipërisë  bazohet  në  pronën  private  e  publike,  si dhe  në  ekonominë  e  tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike”. Neni 11 në pikën 2 thuhet: “Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj”. Neni 37 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në pikën 1 thuhet: “ Paprekshmëria  e  banesës është e  garantuar”. Neni 41 i Kushtetutës në pikën 1 thuhet: “E drejta e pronës private është e  garantuar”. Neni 42 i Kushtetutës në pikën 1 thuhet: “ Liria,  prona  dhe  të  drejtat  e  njohura  me  Kushtetutë  dhe  me  ligj  nuk  mund  të  cenohen pa  një proces të rregullt ligjor”. Trajtimi mizerabël i qytetarëve prej institucioneve shtetërore duke filluar nga Bashkia e Tiranës e institucionet zinxhir, janë në kapje flagrante të paligjshmërisë. Jo më kot Ambasadorja Amerikane në Shqipëri Yuri Kim duke ditur kaosin me pronat në Shqipëri, i pat kërkuar drejtorit të Agjencisë Kadastrale Lame gjatë takimit më 8 Qershor 2021, ligje dhe rregullore të qarta, procese transparente dhe gjykata të pastra që të tërheqin investime më të mëdha dhe do të hapin mundësi më të mëdha ekonomike për më shumë njerëz dhe investitorë të huaj. Sjellja arrogante dhe brutale e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë ka rritur numrin e padive të pronësisë në Gjykatën e Strasburgut duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik. Kryeqyteti i shqipërisë Tirana është kthyer në një metropol supër e shtrenjtë dhe e pa aksesueshme për njerëzit normal të qytetit. Tirana, një qytet i ndërtuar në mënyrë të shëmtuar dhe të tmerrshme nga pikëpamja arkitekturore, urbanistike dhe infrastrukturore. Qeveria e zhytur dhe e kapur në korrupsionin e Inceneratorëve pasi që kontrollon mediat, opozitën e përçarë, shoqërinë civile, opinionin publik të kamufluar me propagandë qeverisëse, favorizon çdo akt të dhunshëm shtetëror dhe e zvogëlon pasojën dhe ndikimin e reagimin në sytë e publikut. Gjuha urryese, fyese e denigruese e kryetarit të Bashkisë Veliaj duke i quajtur qytetarët e tij si zaptues e shpellarë, përbëjnë një akt të paprecedentë në historinë e qeverisjes vendore, një akt jo njerëzor dhe jo human, mizori e rracizëm ndaj qyetarëve të tij. Tirana e zhytur në trafik, smog dhe helme, është shëndërruar në një qytet që të vret, pa ajër, pa hapsira rekreative, pa oksigjen. Në çdo cep të kryeqytetit shqiptar shfaqet tmerrshëm fytyra e pangopësisë, grykësisë dhe makutërisë së këtij sistemi oligarkik dhe korruptiv me prapavijë shtetërore. Përgjimet e tmerrshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj në tentativë për të zaptuar Federatën Shqiptare të Futbollit tregon kapjen e shtetit prej kryetarit të Bashkisë teksa në përgjime flet se Bashkiaku Veliaj ka në dorë SPAK-un, policinë, prokurorinë etj. Ndërsimin e institucioneve të Pavarura Ligjzbatuese Kushtetuese ndaj kundërshtarëve nuk e bën askush tjetër vetëm ai që e ka kapur shtetin kokë e këmbë. Beteja e Veliajt kundër FSHF në të vërtetë është betejë për fushat e sportit që ti kthejnë pallate korruptive për miqtë e tyre oligarkë. Fotografimi i Ministres Elisa Spiropali me biznesmenin Salillari që merr tenderat kryesore shtetërore tregon edhe një herë kapjen korruptive të shtetit prej oligarkëve të qeverisë. Shteti i së drejtës dhe shteti ligjor nuk mund të ngrihet mbi padrejtësitë që u bëhen qytetarëve të pambrojtur prej “fadromës” dhe arrogancës së shtetit që shkatërron të drejtën kushtetuese të pronësisë individuale. Akti i shëmtuar, i tmerrshëm, përbuzës dhe i neveritshëm i dhunës bashkiake, shtetërorë dhe policore mbi banorët e “5 Majit” duhet të ngrejë në protesta masive të gjithë qytetarët e Tiranës të cilët kërcënohen prej fadromave të Bashkiakut Veliaj ku në emër të zhvillimit, këto shkatërrime mbajnë erë korrupsion dhe oligarki që kap shtetin prej fyti çdo ditë e më fort, çdo ditë e më shumë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2608
  • 2609
  • 2610
  • 2611
  • 2612
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT