• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin

September 29, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Historia e Kosovës ka shumë emra. Ka shumë sakrifica. Ka shumë njerëz që dhanë diçka. Jakup Krasniqi dha një jetë. Ishte mësues. Ishte atdhetar. Ishte i burgosur politik. Ishte luftëtar. Ishte zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte diplomat në një nga momentet më vendimtare të historisë sonë. Ishte kryetar i Kuvendit. Ishte ushtrues detyre i Presidentit të Republikës.

Por Jakup Krasniqi nuk është vetëm ajo që ishte. Ai është pjesë e asaj që Kosova është sot. Në kuptimin historik dhe simbolik, ai është Kosova e rezistencës. Është Kosova e burgjeve politike. Është Kosova e shkollës shqipe. Është Kosova e luftës. Është Kosova që kërkoi lirinë dhe pastaj ndërtoi Republikën. Jakup Krasniqi lindi më 1 janar 1951 në Negrovc të Drenasit. Studioi histori në Universitetin e Prishtinës dhe punoi si mësimdhënës. Për të, shkolla nuk ishte vetëm profesion. Ishte pjesë e një ideje më të madhe: një popull që kërkonte të ruante gjuhën, kujtesën dhe identitetin e vet.

Pastaj erdhi burgu.

Për veprimtarinë e tij politike dhe kombëtare, Krasniqi kaloi më shumë se dhjetë vjet në burgjet jugosllave.

Dhjetë vjet.

Një pjesë e madhe e jetës së një njeriu.

Por burgu nuk e largoi nga Kosova.

Kur doli, u kthye në jetën politike dhe publike. U angazhua në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në rezistencën paqësore, në arsimin shqiptar dhe në përpjekjet për organizim politik nën pushtimin serb.

Ai provoi rrugën politike.

Provoi rezistencën paqësore.

Provoi ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të Kosovës nën pushtimin serb.

Por historia e Kosovës po hynte në një fazë tjetër.

Dhe Jakup Krasniqi hyri me të.

Në kujtesën historike të Kosovës, Jakup Krasniqi është UÇK.

Është një nga fytyrat e saj politike. Është një nga zërat me të cilët UÇK-ja iu drejtua Kosovës dhe botës. Është pjesë e asaj kohe kur fjala “liri” nuk ishte slogan. Kishte çmim. Kishte rrezik. Kishte jetë njerëzish pas saj.

Ishte aty kur UÇK-ja po luftonte për çlirimin e Kosovës. Ishte zëdhënësi i saj dhe një nga përfaqësuesit e saj politikë. Në një kohë kur Kosova kishte nevojë që bota ta dëgjonte, Jakup Krasniqi ishte një nga zërat e saj.

Pastaj erdhi Rambujeja.

Atje nuk mjaftonte pushka.

Duhej politikë.

Duhej diplomaci.

Duhej unitet.

Në Konferencën e Rambujesë, Jakup Krasniqi ishte pjesë e delegacionit të Kosovës dhe luajti rol në përfaqësimin politik të saj.

Sepse shtetet nuk ndërtohen vetëm duke luftuar.

Duhet të dish edhe kur të negociosh.

Duhet të dish çfarë mund të pranosh.

Duhet të dish çfarë nuk mund të dorëzosh.

Pas luftës erdhi një sfidë tjetër.

Ndërtimi i shtetit.

Krasniqi ishte ministër në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, deputet në disa legjislatura, ministër i Shërbimeve Publike, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ushtrues detyre i Presidentit të Republikës.

Prandaj ai nuk është vetëm pjesë e historisë së UÇK-së.

Në kuptimin e rrugëtimit të tij politik, është edhe Republika.

Sepse ishte në luftën për të.

Ishte në diplomacinë për të.

Ishte në institucionet që e ndërtuan.

Ishte në krye të Kuvendit të saj.

Dhe për një periudhë ushtroi edhe detyrën më të lartë shtetërore të Republikës.

Ky është rrugëtimi i Jakup Krasniqit.

Nga klasa në burg.

Nga burgu në rezistencë.

Nga rezistenca në UÇK.

Nga UÇK-ja në Rambuje.

Nga Rambujeja në institucionet e Republikës.

Nga lufta për shtetin, në drejtimin e shtetit.

Nuk janë shumë njerëz që mund ta tregojnë historinë e Kosovës përmes jetës së tyre.

Jakup Krasniqi mundet.

Ishte mësues kur Kosovës i duhej dije.

Është ende mësues në kuptimin e një jete që dëshmon se historia nuk mësohet vetëm nga librat.

Ishte i burgosur politik kur liria paguhej me vite të jetës.

Është kujtesa e asaj kohe.

Ishte UÇK kur Kosovës i duhej forcë.

Është pjesë e UÇK-së në kujtesën historike të Kosovës.

Ishte në Rambuje kur Kosovës i duhej diplomaci.

Është pjesë e historisë së asaj diplomacie.

Ishte kryetar Kuvendi kur Kosovës i duhej shtet.

Është pjesë e historisë së Republikës.

Sot, Jakup Krasniqi ndodhet përsëri në burg, i dënuar me 25 vjet burgim.

Mësuesi. I burgosuri politik. Zëdhënësi i UÇK-së. Njeriu i Rambujesë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Njeriu që mori pjesë në ndërtimin e Republikës.

Ky aktgjykim do ta ketë rrugën e vet juridike. Historia do ta gjykojë edhe atë.

Por historia e Kosovës ka rrugën e vet.

Dhe historia e Kosovës nuk fillon në Hagë.

Ajo kalon nëpër shkollën shqipe. Nëpër burgjet jugosllave. Nëpër Drenicë. Nëpër UÇK. Nëpër Rambuje. Nëpër çlirimin e vitit 1999. Nëpër shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Nëpër institucionet e Republikës.

Në të gjitha këto etapa gjendet emri i Jakup Krasniqit.

Prandaj, kur themi Jakup Krasniqi, nuk flasim vetëm për një njeri.

Flasim për një pjesë të Kosovës.

Ai ishte UÇK.

Ai është UÇK në kujtesën e Kosovës.

Ai ishte në ndërtimin e Republikës.

Ai është pjesë e Republikës dhe e historisë së saj.

Në këtë kuptim simbolik, Jakup Krasniqi është Kosova vetë: Kosova e mësuesit, Kosova e të burgosurit politik, Kosova e luftëtarit, Kosova e diplomatit, Kosova e shtetndërtuesit.

Dhe pikërisht për këtë arsye:

Historia e çlirimit të Kosovës do të ishte e paplotë pa Jakup Krasniqin.

Sepse disa njerëz vetëm kalojnë nëpër histori.

Të tjerët mbeten brenda saj.

Jakup Krasniqi është brenda historisë së Kosovës.

Filed Under: Emigracion

Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx

September 27, 2026 by s p

Keze Kozeta Zylo/

Një ditë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme për komunitetin shqiptar në Amerikë!

Këtë fundjavë u shënua një tjetër hap i bukur për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezi i ri. Të premten në Staten Island dhe Brooklyn, ndërsa të shtunën në Bronx, dyert u hapën për shkollat shqipe, duke nisur vitin e ri akademik dhe duke sjellë së bashku fëmijë, prindër, mësues dhe gjithë ata që besojnë se gjuha jonë është një nga thesaret më të çmuara që mund t’u lëmë fëmijëve tanë. Të shohësh fëmijët të ulen në bangat e shkollave shqipe “Alba Life” për të mësuar shqip është më shumë se një moment i bukur. Është një mrekulli. Është dashuri për rrënjët, respekt për të parët tanë dhe një premtim se gjuha shqipe do të vazhdojë të jetojë edhe në brezat që rriten larg atdheut.

Çdo fjalë shqip që mësojnë këta fëmijë është një urë që i lidh me Shqipërinë, Kosovën, trojet shqiptare dhe me historinë e familjeve të tyre. Mirënjohje të veçantë për mësueset Entela, Elona dhe Gresila në Staten Island; Fatlinda dhe Eriselda në Brooklyn; Helena, Migena dhe Anisa në Bronx; si dhe për të gjithë prindërit, organizatorët dhe ata që me përkushtim po bëjnë të mundur që fëmijët shqiptarë në Amerikë të mos e harrojnë gjuhën e nënës.

Mësueset profesioniste i përgatisin nxënësit e tyre me plot vullnet, përkushtim dhe atdhetari, duke sjellë një program të detajuar e të konsoliduar gjatë 20 viteve të “Alba Life”, e cila është bërë promotore dhe një institucion shumë i rëndësishëm kombëtar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Krenare që “Alba Life” është bërë frymëzim! Sfidat ndër vite kanë qenë të mëdha dhe në shumë drejtime, por me profesionalizëm, përkushtim dhe atdhetarizëm ia kemi dalë. Në këtë vjeshtë të bukur, që sapo ka filluar, ne nisëm vitin akademik 2026–2027 me mësues, nxënës, prindër dhe gjyshër të Shkollës Shqipe “Alba Life”, “Ambasadori i Kombit”, pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të shkollave shqipe në diasporë dhe e Familjes së Madhe “Alba Life”.

Ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, na mëson se: “Gjuha është shenja e kombësisë.”

Kjo thënie jehon fuqishëm në mjediset e shkollave shqipe, ku fëmijët mësojnë të flasin, të shkruajnë dhe të ndihen krenarë për rrënjët e tyre shqiptare. Nxënësit mësojnë histori, kulturë dhe tradita kombëtare, ndërsa mësuesit dhe prindërit punojnë së bashku për të mbajtur të gjallë frymën shqiptare në zemër të Amerikës.

Të jesh para nxënësve nuk është thjesht të jesh mësues. Është të mbjellësh fjalë që një ditë do të bëhen kujtime, dije dhe dashuri për gjuhën shqipe.

Çdo buzëqeshje e tyre, çdo dorë e ngritur, çdo fjalë shqip që mësojnë dhe çdo hap i vogël përpara na mbush zemrën me gëzim e krenari. Në sytë e tyre shohim të ardhmen, ndërsa në gjuhën që u mësojmë ruajmë një pjesë të shpirtit dhe identitetit tonë.

Sa bekim të jesh përpara tyre dhe të kesh mundësinë t’u përcjellësh dashurinë për shqipen, për kulturën dhe për rrënjët tona!

Të mësosh shqip është të ruash identitetin. Të mësosh shqip është të ruash kujtesën. Të mësosh shqip është të mbash gjallë një komb. Së shpejti do të hapen dyert edhe në Queens, Albany dhe Online. Qoftë ky vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë, të bukur dhe të suksesshëm! Nuk ka mrekulli më të madhe sesa t’u mësosh fëmijëve gjuhën shqipe. Është një gëzim i madh të shohësh brezin e ri të mësojë gjuhën e nënës, të njohë rrënjët dhe të ruajë identitetin shqiptar. Udha e re për këtë vit akademik sapo nisi dhe, natyrisht, mësueset do ta bëjnë gjithçka Dritë, ashtu siç thotë Naim Frashëri: “Dhe Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë.” Gjuha jonë është ashti i kombit. Gjuha jonë është krenaria jonë! Urime, Familja e Madhe “Alba Life” qe mbrohet nga 7 Kala! Suksese në vitin akademik 2026–2027!

Filed Under: Emigracion

PËRTEJ ATLANTIKUT, PËR LIRINË E KOSOVËS

September 27, 2026 by s p

Perparim Rama/

Kosova u detyrohet përjetësisht luftëtarëve të saj përtej Atlantikut dhe gjithë diasporës shqiptaro-amerikane. Ata përfaqësojnë një brez shqiptaro-amerikanësh që, në një prej orëve më të rënda të Kosovës, e kuptuan lirinë jo si një ideal të largët, por si përgjegjësi personale.

Nga përtej Atlantikut erdhën gra e burra që mund të vazhdonin jetën e tyre në paqe dhe siguri. Por kur atdheu i të parëve të tyre po luftonte për ekzistencë ata zgjodhën të ktheheshin. Disa me armë, të tjerë me organizim, diplomaci, ndihmë financiare e humanitare.

Një diasporë e tërë u bë pjesë e përpjekjes së Kosovës për liri.

Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi janë ndër emrat që e mishërojnë fuqishëm këtë histori. Tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, tri jetë të lidhura mes Amerikës dhe Kosovës, që në momentin vendimtar zgjodhën t’i dalin zot atdheut dhe u sakrifikuan për të.

Së bashku me Kryetarin e Lezhës, Pjerin Ndreu, dhe Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, bëmë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi, duke u përulur me nderim dhe mirënjohje para sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës. 🇽🇰🇺🇸

I përjetshëm kujtimi për ju.

Filed Under: Emigracion

Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”

September 26, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

​Më 16 prill 1911, gazeta më prestigjioze amerikane, The New York Times, i kushtoi një hapësirë qendrore në faqet e saj “Lajmeve me kabllo dhe pa tela” asaj që po ndodhte në skutat e Ballkanit: Kryengritjes Shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ky artikull mbetet një dëshmi e rëndësishme se si rezistenca shqiptare për liri po tërhiqte vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar, vetëm një vit përpara shpalljes së Pavarësisë.

I. ​Një Princ në krye të “Rebelëve”.

​Në qendër të ilustrimeve spikat portreti i Albert Gjikës (i njohur edhe si Princi Alghero Ghika), i cili e prezantonte veten si pasardhës i drejtpërdrejtë i familjes princërore Gjika dhe si trashëgimtar i mbretërve antikë, veçanërisht i Pirros së Epirit.

​Edhe pse figura e Gjikës shihej shpesh me skepticizëm nga kancelaritë evropiane, për mediat e kohës ai përfaqësonte fytyrën diplomatike të lëvizjes. Përpjekja e tij për të lidhur luftën e shqiptarëve me rrënjët antike ishte një strategji e qartë për të fituar mbështetjen e Perëndimit, duke e portretizuar Shqipërinë jo si një provincë të harruar osmane, por si një komb me histori të lavdishme që meritonte vetëvendosjen.

II. ​Portreti i luftëtarit dhe harta e rezistencës.

​Krahas portretit të Gjikës, gazeta pasqyron dy malësorë shqiptarë me veshje tradicionale, të cilët simbolizojnë forcën reale goditëse në terren. Ata përfaqësojnë “rebelët” e pamposhtur të Malësisë, të cilët gazeta i krahason me “Highlanders” e Skocisë për nga trimëria dhe kodi i tyre i nderit.

​Harta që shoqëron artikullin është një dokument gjeopolitik me rëndësi të veçantë. Ajo shënon zonat e nxehta të konfliktit, ku emra qytetesh si Prishtina, Prizreni, Shkupi, Mitrovica dhe Gjakova rrethohen si vatra të kryengritjes. Kjo vërteton se lëvizja e vitit 1911 kishte një shtrirje mbarëkombëtare, duke përfshirë Vilajetin e Kosovës si shtyllën kurrizore të rezistencës kundër regjimit të “Turqve të Rinj”.

III. ​Shkaqet e revoltës: Taksa, armë dhe identitet.

​Teksti i gazetës analizon me mprehtësi shkaqet e këtij shpërthimi popullor. Sipas raportimeve të kohës, shqiptarët u ngritën në armë si reagim ndaj politikave centralizuese të Stambollit, të cilat synonin:

– Çarmatimin e popullsisë, një akt që prekte nderin dhe sigurinë e malësorëve.

– ​Imponimin e taksave të reja dhe rekrutimin e detyrueshëm ushtarak.

– ​Shtypjen e autonomisë kulturore dhe gjuhësore.

​Gazeta përmend gjithashtu brutalitetin e gjeneralit osman Shefqet Turgut Pasha, i cili u dërgua për të shuar revoltën me “zjarr dhe hekur”, duke rritur akoma më shumë urrejtjen ndaj sundimit të huaj.

​Përfundim: Një komb drejt agimit të ri.

​Ky publikim i vitit 1911 tregon se çështja shqiptare nuk ishte më një “problem i brendshëm” i Turqisë, por një temë e rëndësishme e politikës botërore. Fakti që kjo faqe gjendet krah lajmeve për huanë e madhe të Kinës apo zhvillimet teknologjike në Gjermani, tregon se bota po priste me interes se çfarë do të ndodhte me këtë popull të lashtë në brigjet e Adriatikut. Historia tregoi se kjo kryengritje ishte vetëm uvertyra e asaj që do të ndodhte në Vlorë në nëntorin e vitit pasardhës.

Filed Under: Emigracion

KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

September 25, 2026 by s p

Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqoptarëve të Amerikës(ALBTVUSA)/

Kërkesa për një prani më të fuqishme të shtetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht për hapjen e një Konsullate Shqiptare në Michigan, nuk është ide apo meritë e një individi të vetëm. Ajo ka qenë prej shumë vitesh një dëshirë dhe nevojë e shprehur nga shumë bashkatdhetarë, drejtues komunitarë, institucione fetare, shoqata, media, biznesmenë, intelektualë dhe aktivistë shqiptaro-amerikanë. Unë, përmes punës sime si gazetar në ALBTVUSA, kam pasur mundësinë dhe privilegjin që këtë zë të diasporës t’ua përcjell drejtpërdrejt autoriteteve më të larta të Shqipërisë.

Në intervistat që kam zhvilluar ndër vite me Presidentin Alfred Moisiu, me Sali Berishën, Presidentin Rexhep Mejdani,Presidentin Bamir Topi, Presidentin Bujar Nishani, me Edi Ramën dhe me shumë politikanë e drejtues të tjerë shqiptarë, kam ngritur vazhdimisht një çështje që e konsideroj thelbësore: shteti shqiptar duhet të jetë shumë më pranë diasporës së tij në Amerikë.

Kam shprehur prej kohësh edhe një koncept më të gjerë: duke parë peshën që kanë Shtetet e Bashkuara për interesat kombëtare shqiptare dhe potencialin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptaro-amerikane, shteti shqiptar duhet ta konsiderojë Amerikën si një nga qendrat kryesore të veprimtarisë së tij diplomatike dhe institucionale jashtë Shqipërisë. Në vitin 2013, në prag të zgjedhjeve parlamentare, gjatë intervistës sime me Edi Ramën, ngrita konkretisht nevojën për përmirësimin e përfaqësimit diplomatik, shtimin e personelit dhe shërbimeve, forcimin e kontakteve me diasporën dhe hapjen e një Konsullate Shqiptare në Michigan.

Por do të ishte e padrejtë që sot kjo histori të tregohej vetëm nga këndvështrimi i atyre intervistave.

Në një fazë të mëvonshme, organizata “BESO TE DIASPORA” e mori këtë kërkesë dhe e çoi shumë më përpara, duke i dhënë formë të organizuar, dokumentare dhe institucionale. Djemtë dhe aktivistët e BESO TE DIASPORA, siç kam dijeni nga puna e tyre, u angazhuan për një periudhë të gjatë, afërsisht një vit, duke kontaktuar komunitetin dhe duke mbledhur mbështetjen e institucioneve fetare, shoqatave, organizatave, bizneseve, mediave, aktivistëve dhe qytetarëve pa dallime.

Më 11 shtator 2026, organizata i drejtoi Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkesën zyrtare për hapjen e një konsullate me shërbim të plotë në zonën metropolitane të Detroitit. Materiali i publikuar përfshinte kërkesën, deklarata mbështetëse nga institucione e organizata dhe nënshkrimet e peticionit; vetë pjesa me kërkesën, deklaratat dhe bizneset mbështetëse përshkruhet si një dokument prej 44 faqesh. Kopje iu dërguan gjithashtu Presidencës, Kryeministrisë, Ambasadës shqiptare në Washington dhe Komisionit parlamentar përkatës.

Prandaj, kontributi i BESO TE DIASPORA duhet njohur dhe dokumentuar. Ata nuk u mjaftuan me një deklaratë apo me një postim në rrjetet sociale; e kthyen një kërkesë të kahershme të komunitetit në një dosje të organizuar dhe ia paraqitën institucioneve shqiptare.

Vetëm pak ditë më pas, më 20 shtator 2026, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri publik angazhimin se Shqipëria do të hapë së shpejti Konsullatën e Përgjithshme në Detroit. Sipas Ministrisë, ajo synon të ofrojë shërbime më të mira konsullore, më shumë mbështetje për komunitetin dhe të forcojë marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Megjithatë, këtu ka një fakt që nuk duhet kaluar në heshtje.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë për këtë vendim nuk përmendet kërkesa e BESO TE DIASPORA dhe as puna që organizata kishte bërë për përgatitjen dhe dorëzimin e saj. Nuk mund të dimë arsyen e kësaj mungese, por për hir të së vërtetës dhe të dokumentimit të historisë së komunitetit, puna e këtyre njerëzve meriton të njihet. Një institucion mund ta marrë vendimin përfundimtar, por kjo nuk e zhbën punën e atyre që për muaj të tërë mobilizuan komunitetin dhe e çuan kërkesën deri në dyert e institucioneve shqiptare.

Për dekada diaspora ka dëgjuar shumë fjalë të mira për rolin e saj. Ka pasur edhe hapa e iniciativa konkrete nga shteti shqiptar. Por për shumë prej nesh mbetet pyetja nëse fjalët do të shoqërohen me institucione të qëndrueshme dhe shërbime konkrete aty ku jetojnë shqiptarët. Prandaj sot, pas deklaratës së ministrit, pyetja nuk është më vetëm: “A na duhet një konsullatë?” Kjo përgjigje është dhënë prej kohësh nga komuniteti. Pyetja tani është: Kur do të hapet realisht Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në Detroit?

A do të ketë një datë konkrete? A do të ketë personelin dhe kompetencat e nevojshme? A do të jetë një institucion funksional dhe i përhershëm në shërbim të shqiptarëve? Le të shpresojmë që këtë herë premtimi të bëhet vepër. Dhe nëse Konsullata Shqiptare në Detroit hap dyert, merita nuk duhet t’i atribuohet vetëm një personi, një organizate apo një qeverie. Ajo do të jetë rezultat i një kërkese të mbajtur gjallë prej vitesh nga diaspora, i zërit të shumë bashkatdhetarëve dhe, në fazën më të fundit, edhe i punës së organizuar e këmbëngulëse të “BESO TE DIASPORA”. Sepse historia duhet treguar e plotë: diaspora e kërkoi, shumë njerëz e mbështetën, ALBTVUSA e përcolli ndër vite te drejtuesit e shtetit, BESO TE DIASPORA e institucionalizoi kërkesën dhe tani shteti shqiptar ka premtuar ta realizojë. Tani presim veprën.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 209
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT