• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët në mbështetje të “Lëvizjes Xhonturke” për shpalljen e Kushtetutës në vitin 1908 në Perandorinë Osmane

April 23, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Paulin MARKU/

Në fillim të shek. XX Perandoria Osmane gjendej e trazuar nga faktor të jashtëm dhe të brendshëm. Sundimi i sulltanit Abdyl Hamiti II kishte rritur pakënaqësi në popull për mënyrën se si po drejtonte Perandorinë dhe ishte kundërshtuar nga popujt me kombësi si ato turke, arabe, shqiptare, kurde e armene. Abdyl Hamiti II ishte i ndërgjegjshëm për humbjet që po pësonte Perandoria Osmane, ku sipas tij nuk ishte shkaku kryesor vetëm politika e brendshme me kundërshtarë Turqit e Rinj, por ishte edhe për pasojë  të shfrytëzimit politiko-ekonomik të Fuqive Evropiane.

 Kushtetuta Osmane e vitit 1876 ishte një burim frymëzimi për Komitetin “Bashkim e Përparim”. Lëvizja xhonturke ishte kundërshtari kryesor ndaj sundimit të sulltanit dhe synonte me çdo kusht për shpalljen e Kushtetutës, e cila kishte mbetur në sirtarin perandorak, së bashku me legjislacionin përkatës, ku përfshihej shpallja e zgjedhjeve, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre me votë në popull, për në parlamentin e Stambollit. Xhonturqit fillimisht synonin miratimin e Legjislacionit, pastaj të hidheshin në fushatë zgjedhore, të merrnin shumicën për në parlament, në mënyrë që të kishin të drejtë të formonin qeverinë parlamentare kushtetuese. Ardhja e tyre në qeveri dhe kapja e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare, iu jepte mundësi për të kontrolluar Portën e Lartë, dhe në rastin e volitshëm të kërkonin dhe abdikimin nga froni perandorak të Abdyl Hamitit. 

Lëvizja xhonturke fillimisht organizohej në organizata të fshehta, nën emërtimin “Bashkim e Përparim” dhe operonin jashtë Stambollit. Komiteti synonte që të përfshinte të gjitha lëvizjet, klubet e organizatat anti-Hamiti an nën një kupolë të vetme me moto të përbashkët “barazi për të gjithë popujt e perandorisë Osmane; vendosjen e paqes dhe rendit publik si dhe shpalljen e Kushtetutës”. Lëvizja “Bashkim e Përparim” e shtriu veprimtarinë në krahina të ndryshme perandorake, përfshirë dhe viset shqiptare. Xhonturqit krijonin lidhje me komitetet revolucionare shqiptare dhe përhapnin propagandën e tyre nëpërmjet anëtarëve xhonturq, oficerëve të huaj e shqiptar si dhe në radhët e ushtarëve të huaj e shqiptarë. Shqiptarët kishin ngritur krye që herët me anë të protestave dhe lëvizjeve të armatosura kundër regjimit perandorak, për të fituar të drejtat e tyre. Ata kishin shfaqur kundërshtitë e tyre nëpër qytete të ndryshme shqiptare si në Strugë, Shkup, Manastir, Prizren, Ferizaj Mitrovicë, Shkodër, etj., por kërkesat e tyre ishin refuzuar apo shtyrë për një moment tjetër, pa gjetur zgjidhje. Gjendja në Perandorinë Osmane u tensionua në verën e vitit 1908, pasi ekspeditat ndëshkimore kishte mungesa të madhe të trupave ushtarake dhe disa prej tyre nuk i zbatonin urdhrat e sulltanit për të shtypur lëvizjet kundër regjimit të Sulltanit. Rebelimet që shpërthyen në korrik të vitit 1908, në Manastir, Serez, Shkup, Ferizaj, etj., udhëhiqeshin nga oficerë, të organizuar nga Turqit e Rinj . 

Në këtë situatë të tensionuar, Komiteti “Bashkim e Përparim” përpiloi kërkesën për Shpalljen e Kushtetutës, më pas u nënshkrua nga 180 firma dhe e dërguan me telegram për në Stamboll, adresuar për Jilldizit (Pallati i sulltanit), Vezirit të Madh (Kryeministrit) dhe Meshihatit (Selisë së kryesisë fetare myslimane në Perandorinë Osmane). Po ashtu pranë Portës së Lartë mbërritën telegrame nga vilajetet e provincat e Kosovës, Selanikut, Manastirit, etj., të cilët kishin të njëjtën kërkesë. Por Sulltani hezitonte në shpalljen e Kushtetutës pasi ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej nga ky akt, nga ana tjetër, Ai ishte i detyruar të vepronte sa më parë pasi kërcënimet në drejtim të Stambollit ishin serioze. I gjendur para një zgjidhje të detyruar dhe imediate, Abdyl Hamiti II thirri në mbledhje Vezirin e Madh (Kryeministrin) dhe ministrat përkatës para se të shpallte Kushtetutën. Sulltani mori vendim të ndërrojë kabinetin qeverisës së bashku me njeriun e tij të besueshëm, Vezirin e Madh, Mehmet Ferid pasha (Vlora) shqiptar. Ai mbante postin e Vezirit të Madhe prej datës 15 janarit 1903 deri më 22 korrik 1908 kur sulltani e shkarkoi për rrjedhojë të trazirave. Shkak tjetër që shkaktoi pakënaqësi tek sulltani ishte  mbështetja e shqiptarëve në krah të xhonturqve dhe letra që ata i dërguan Pallatit Mbretëror për se mbështesni shpalljen e Kushtetutës. Zëvendësimi i Mehmet Ferid pashë (Vlorës)  me Seit Pashën dhe ndryshimet e tjera në kabinetin e qeverisë, justifikoheshin për dy arsyet kryesore: së pari, sulltani të mos humbiste ndikimin e tij në popujt e ndryshëm të Perandorisë, së dyti, si ndëshkim ndaj Mehmet Ferid Pashës për shkak se nuk arriti të kishte nën kontroll situatën si dhe të mbante bashkëkombësit shqiptarë besnikë ndaj sulltanit. Por sipas vlerësimit të studiuesit Sulejman Kylçe, shkaku i shkarkimit të Ferid Pashë Vlorës ishte se ai përkrahte shpalljen e kushtetutës. Pas ndryshimit të kabinetit qeverisës, Abdyl Hamiti II shpalli Kushtetutën me të gjitha aktet ligjore perandorake, përfshirë hapjen e parlamentit osman në Stamboll me përfaqësues nga të gjitha krahinat perandorake, si dhe krijimin e qeverisë parlamentare. Akti i Shpalljes së Kushtetutës u publikua me njoftimin zyrtar në gazetat e Stambollit. 

Në përfundim mund të pohohet se, zbatimi i Kushtetutës se mbetur në sirtarin për 32 vite, solli ndryshime të mëdha në sferën e politikës së brendshme shumë partiake në Perandorinë Osmane dhe ky Akt i rëndësishme u mirëprit nga turqit dhe nga popujt me kombësi të ndryshme, përfshirë dhe shqiptarët, pasi u arrit hapja e sistemit zgjedhor gjithëpërfshirës parlamentar, ku përfaqësuesit e tyre, mund të zgjedhin dhe të zgjedhshin për në parlamentin e Stambollit, si dhe ngritjen e një qeverie parlamentare në Perandorinë Osmane. 

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Paulin Marku, Levizja Xhonturke, shqiptaret

NE BOSTON, NDAHET NGA JETA FREDERIK GJERASI, PËRKTHYESI I DELEGACIONIT SHQIPTAR NË MBLEDHJEN E 81 PARTIVE

April 22, 2020 by dgreca

  • Në vitin 1974 Frederik Gjerasi u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan.

Nga Fuat Memelli/


Pas një sëmundje të rëndë, të dielën më 19 prill, ndrroi jetë në Boston, në moshën 86 vjeçare, Frederik Gjerasi, një nga figurat e shquara të intelektualëve shqiptarë. Ndarja e tij nga jeta, la në pikëllim bashkëshorten Doloresa, djemtë Agronin dhe Pirron, nipërit dhe mbesën, vëllezrit, motrat, të afërmit si dhe shokët e miqtë e tij të shumtë.

Lindi më 10 shtator të vitit 1933 në Elbasan, në një familje patriote e arsimdashëse. Ai kaloi vite të fëmijërisë në Shmil të Elbasanit ku i ati ishte mësuesi i parë i fshatit dhe krahinës. Frederiku mbaroi me medalje Shkollën e Mesme Pedagogjike të Elbasanit dhe më pas studjoi për ekonomi politike në Universitetin “Shevçenko” të Kievit dhe në Universitetin “Lomonosov” të Moskës ku  u diplomua në vitin1957. Gjatë viteve studentore ai punoi si spiker në Radio “Moska” dhe më pas në disa prej dokumentarëve të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ në vitet ’60. E folura dhe diksioni i tij i veçantë e kumbues, do të kujtohen gjithmonë me nostalgji nga dëgjuesit e kohës.
Mbas kthimit në Atdhe, Frederiku shërbeu me përkushtim në detyra të rëndësishme të jetës sociale e politike të atyre viteve. si në aparatin e Komitetit Qëndror, shef katedre në Shkollën e Partisë,etj. 

Ai ishte përkthyes i delegacionit shqiptar kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në nëntor të vitit 1960, ku Shqipëria u shkëput nga kampi socialist – një nga momentet kyçe të historisë shqiptare të pasluftes. Frederiku është autor i librit “Drama Shqiptaro-Ruse” botuar në vitin 2016 në të cilin ai përcjell me vërtetësi përjetimet e tij personale prej protagonisti me dritëhijet dhe ulje-ngritjet e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Frederiku punoi si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës duke merituar titullin “Docent” për librat e tij në fushën e ekonomisë politike. Në vitin 1974, pas debateve me Fiqrete Shehun për një botim të tij, u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan. Aty punoi ekonomist për mëse 8 vjet, duke fituar respektin dhe dashurinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit. Më pas punoi në Institutin e Metalurgjisë dhe së fundi në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,si shef i katedrës së filozofisë deri në vitin 1991 kur u shkëput përfundimisht nga kariera profesionale. 

Në periudhën e pluralizmit, nuk u përfshi në asnjërën nga partitë politike. Siç shprehet ai në libër, “më ishte neveritur nënshtrimi ndaj gjykimit kolektiv në organizatat e partisë, doja të jetoja i lirë”. Në plan të parë tani dilte familja, farefisi, shokët që vërtet e deshën në kohë të vështira.
Që prej vitit 2004 jetoi me gruan dhe djemtë e tij në Amerikë, ku mori pjesë aktive në veprimtaritë e shqiptarëve, ndiqte nga afër televizionin shqiptar, si dhe lexonte rregullisht shtypin e huaj në bibliotekën e Bostonit. Zërin e tij të ëmbël e dëgjuan edhe shqiptarët e Bostonit në një mbrëmje poetike, ku ai recitoi plot pasion poezi të Migjenit dhe të Kadaresë. Një gëzim të veçantë ndjeu ai kur djali i tij Agroni, para dy vjetësh hapi në Boston Qendrën Kulturore për të Moshuarit “Vatra”, e para qendër shqiptare e këtij lloji në Amerikë, një strehë e ngrohtë për pensionistët shqiptarë.

Të shumta ishin ngushëllimet kur morën vesh ndarjen e Frederikut nga jeta. 

Artan Simeqi, një nga miqtë e familjes, ndër të tjera shkruante,”Frederik Gjerasi ishte nga ata persona për të cilët nuk mund të thuhen vetëm pak fjalë. Ai besonte në idetë e tij, ide për të cilat edhe u dënua. Gëzimin dhe optimizmin për jetën, nuk e humbi deri ditën e fundit. Do ta mbajmë mend qëndrimin e tij dinjitoz, mirësinë e tij, dashurinë për familjen, për miqtë dhe shokët”. 

Kujtime të bukura ka shkruar për të jatin, djali i tij Agron Gjerasi. Ato përbëjnë një shkrim më vete, por po shkëputim vetëm disa nga cilësitë e tij të permendura në këtë shkrim, ”Familja, shëndeti dhe mbarëvajtja e saj, ishin të parat në listën e prioriteteve të tij. Kishte një shpirt bujar dhe I pëlqente më shumë të jepte se të merrte. Pëlqente barazinë mes njerëzve dhe këtij ideali i kushtoi jetën. Kishte dëshirë të pinte një gotë të vogël dhe të këndonte me shokët. Ishin të lindur pasioni dhe talenti I tij për spiker.Vlerësonte njëlloj si shoqërinë intelektuale, ashtu edhe atë me njerëzit e thjeshtë. Dinte të mbante veten edhe në ditët më të vështira”.

Frederikut i qëlloi të ndahet nga jeta në kohë të vështirë të Covid-19 dhe nuk iu bënë dot nderimet që meritonte. Shokët dhe miqtë e tij, nuk mundën t’i vendosin një buqetë apo kurorë me lule, por buqeta dhe kurora më e bukur është emri që la pas në kujtesën e njerëzve. 

Ai u përcoll në banesën e fundit nga familjarët e tij si dhe kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolini.  Lamtumirë Frederik Gjerasi! Të qoftë dheu i lehtë!

Filed Under: Histori Tagged With: Frederik Gjerasi, Fuat Memelli, u nda aga Jeta

Nga “dom Pali” te”Frat Engjëlli”- Kur Kinematografia Komuniste Sulmonte Klerin Katolik

April 16, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA/

Pas ardhjes në pushtet, komunistët shënjuan klerin fetar me qëllim nënshtrimin e tij dhe më pas eleminimin gradual. Regjimi komunist bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Në projektin ateist të partisë-shtet, ideologjia fetare nuk mund të mbijetonte në një sistem ku parimi bazë i funskionimit të shtetit ishte ideologjia marksiste-leniniste. Për shkak të nivelit të lartë të formimit intelektual të klerikëve dhe ndikimit që kishin në popull, kryesisht në veriun e Shqipërisë, regjimi komunist vë në qendër të sulmeve klerikët katolik. Propaganda shtetërore ateiste përdorej për të glorifikuar arritjet e regjimit që po instalohej dhunshëm në Shqipëri dhe për të përligjur politikat bolshevike në çdo sektor të organizimit dhe veprimtarisë shoqërore në shtetin diktatorial. Pas gjyqeve publike farsë në salla e kinematë e qyteteve ku kleri linçohej e akuzohej pa prova e fakte, pasi i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi, pasi u konsfiskoi pronat, mediat, shkollat e shtypshkronjat, nevojitej linçimi propagandistik nëpërmjet artit, letërsisë e kinematografisë. Propaganda kundër klerit kaloi tashmë nga veprimet fizike dhe ligjore në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, në shfaqje teatrale, skenike dhe kinematografike me qëllim bindjen e masave punonjëse për domosdoshmërinë e eleminimit të fesë. Komunistët, në kuadër të realizimit të “njeriu të ri” komunist dhe shoqërisë ateiste, nuk e pranonin dot zotin, pasi në projektin e tyre ideologjik, zoti po zëvendësohej me liderin e partisë shtet, diktatorin Hoxha. Cdo përpjekje për opozitë apo qëndrim kundër raprezaljeve shtetërore ndaj klerit, likujdohej me plumba.

Figura e klerikut katolik poshtërohet në kinematografinë shqiptare të kohës duke e nxjerrë si nëvojë jetike eleminimin që komunistët i bënë klerit dhe instucioneve fetare. Në filmin “Shembja e idhujve” prodhim i vitit 1977 nga “Shqipëria e re”, prifti i fshatit Kalcë, Kelmend, Malësi e Madhe, Frat Engjëlli paraqitet si zhvatës i pasurisë së fshatarëve, si ngatërrestar, si bashkëpunëtor i fashizmit, si mbështetës i politikës së Mbretit Zog, si parapërgatitës e mbështetës i pushtimit italian të Shqipërisë, fetarizimin e arsimit publik, pengues i zhvillimit arsimor e kulturor të vendit etj. Sa më shumë që të poshtërohej figura e klerikut në kinematografi aq më shumë krijohej ideja e komunistëve në masat punonjëse se eleminimi i fesë kishte qenë një domosdoshmëri jetike për regjimin e ri. Në filmin “Komisari i Dritës” i prodhuar nga “Shqipëria e re” më 1966 vë në qëndër Dom Palin një klerik katolik në malësinë e Mirditës i cili sipas propagandës ateiste pengonte zhvillimin komunist të Shqipërisë së asaj kohe duke bashkëpunuar me bajraktarët e zonës kundër vendosjes së regjikmit diktatorial. Dom Pali paraqitet në film si imoral, refraktar, nxitës i kryengritjeve kundër regjimit komunist, kundërshtar i thekur i regjimit, mbështetës i fashizmit, nxitës i vëllavrasjeve në malësi, mbajtjen e shoqërisë në prapambetje etj. Përveç kinematografisë që dha një ndihmëse të jashtëzakonshme në luftën e shtetit komunist ndaj fesë, në shërbim të aksionit ideologjik u vunë edhe letërsia e teatri, ku dramat dhe shfaqjet e ndryshme teatrale shënjestronin klerin dhe institucionet fetare si tradhtar dhe armiq të botëkuptimit materialist, bolshevik e marksist-leninist. Kinematografia në shërbim të propagandës ateiste duke ironizuar e sulmuar klerikët dhe institucionet fetare u dha një ndihmesë të çmuar komunistëve shqiptar në ndërtimin e njeriut dhe shtetit pa Zot. 

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura komuniste, Sokol Paja

SUEDEZI

April 4, 2020 by dgreca

Nga Pëllumb Lamaj/*

Ishim kthyer nga galeria dhe të vënë në rresht para mencës sipas brigadave,prisnim të merrnim supën.Të burgosurit me urrdhër të policit nisën njeri pas tjetrit të ngjisnin shkallët për tek menca e ndërkohë u dëgjua britma e policit që ja bëri me shenjë të kthehej prapë në rresht një të burgosuri rreth të dyzetave, me një gavetë alumini në dorë, futur i gjithi nën një kapotë të vjetër e që peshonte jo më shumë se dyzet kile.

Është Danja – më tha me zë të ulët bashkëvuajtësi që qëndronte prapa meje – Suedezi siç e quajnë këtu me shaka.

E pashë në sy pa kuptuar aspak seç ç’fshihej pas asaj nofke.

Ka dhe të tjerë – vazhdoi bashkëvuajtësi. Kipe Kanadaja,Agron Amerika,Spahinjtë e Belgjikës, Astrit Francezi,Xhon Australiani e me rradhë …

Ndërkohë u dëgjua britma e policit të niseshim për në mencë.

Pasi të hamë supën do të tregoj historinë e Suedezit siç ma ka treguar,- më tha bashkëvuajtësi.

Ngjitëm shkallët,hymë në mencë,morëm supën dhe pasi mbaruam,zbritëm shkallët që të çonin drejtë banjove,lamë gavetat e lugët dhe zumë një qoshe të lirë e u ulëm.Bashkëvuajtësi drrodhi një cigare për veten e një për mua dhe pasi e ndezi ,e thithi fort,lëshoi një shtëllungë të gjatë tymi e psherëtiu ;

Mirë ne të zinjtë që s’na lënë ta shikojmë as në televizor atë botë,po ky mavria ç’pati që vajti në parajsë e u kthye këtu në ferr – e nisi të tund disa herë kokën.

Ndoshta është nga ata të tyre që i dërgon shteti – i thashë – se të rrezikosh jetën të marrësh atë vendim,të kalosh kufirin ku pak njerëz e kanë fat,të prekësh lirinë, të shikosh botën e lirë e të kthehësh,diçka nuk shkon….

Ja ç’më ka treguar një natë kur punonim në galeri – nisi t’me tregoi historine e suedizit, bashkëvuajtësi im:

  • Më kishin caktuar si topograf në zonën e kufirit e një ditë mu mbush mendja t’ja mbathja.Mora dhe një mikun tim Petritin që e kemi këtu dhe atë më tha duke qeshur, e pasi kaluam kufirin më në fund arritëm në Suedi. Gjatë gjithë kohës atje ,asnjëherë nuk u ndjeva i qetë dhe një ditë prej ditësh iu drejtova ambasadës shqiptare në Stokholm.Ua thashë arësyen përse kisha vajtur. Doja të kthehesha një orë e më parë në atdhe.Në fillim sekretari ambasadës më tha që hajde njëherë tjetër.Shkova përsëri e ai ma shtyu takimin.Më në fund kur pa këmbënguljen time,më futi brenda dhe pasi më dëgjoi deri në fund, më tha të shkoja pas një jave të merrja letrat.Ashtu bëra ditën e caktuar shkova morra letrat dhe pasi bëra gati valixhen me disa plaçka ,me tren përshkova Europën e mbrita më në fund në Beograd.Porosita hotel,bleva dhe një biletë avioni e pas dy ditësh,një mëngjes të bukur pasi bleva dy tre pako cigare marlboro e ca çokollata e dy tre banane ti kisha për rrugë,me një taksi u nisa drejt aeroportit.
    Rruges shofëri vuri muzikë shqip e unë instiktivisht i thashë;

Qenkeni shqiptar – po -më tha shoferi duke buzëqeshur.
Po ju zotëri nga vini ?

Nga Suedia – i thashë.

Me punë – pyeti shoferi ?

Jo – i thashë – jam arratisur para ca kohësh e tani po kthehem.

Shoferi në çast ndali makinën,më pa me keqardhje dhe me dhimbshuri m’u drejtua:

-Ku shkon, mor i zi, do të të fusin në burg e do të dërgojnë në Spaç gjithë jetën të nxjerrësh mineral më thonj. Unë e di ç’bëhet atje.Më ka treguar një i arratisur shqiptar para disa kohesh.

Mua s’më erdhi aspak mirë që ai më foli në këtë mënyrë dhe i thashë;

-Do të kthehem në atdheun tim.Tani jepi makinës.

Ai tundi për pak çaste kokën dhe i dha makinës me shpejtësi.
Arritëm në aeroport dhe i zgjata lekët.Ai tundi kokën në shenjë mospranimi dhe pastaj thyeu heshtjen;

Mos mor i zi,mos,ku po shkon,do më kujtosh,edhe këto bananet , çokollatat, cigaret e valixhen kanë për ti marrë.

Unë dola nga makina e u futa ne aeroport.Pas pak kohe u dëgjua zëri që lajmëronte linjën e Tiranës e në rresht me disa persona të kollarisur hipëm avionin e më në fund mbritëm në Rinas.Ishte pas dite dhe kish filluar të binte një shi i holl. Zbritëm shkallët e avionit një nga një .Hodha vështrimin majtas e djathtas dhe vura re që përball meje u nisën dy persona që qëndronin pranë një gazi 69.

Ramadan. M ? – më pyeti njeri prej tyre .
Po – i thashë.
Këtej – ma bëri me shenjë për nga gazi 69.

Vura re që të tjerët u nisën drejt godinës së aeroportit.
Diçka nuk shkon- thashë më vete.

Me valixhen në njerën dorë dhe trastën në dorën tjetër u nisa drejtë gazit 69 ku qëndronte një grua që herë më shikonte vëngër mua e herë valixhen.

Njeri prej tyre mori valixhen dhe trastën dhe i vuri prapa makinës e unë në mes tyre e gruaja para, u nisëm drejt Tiranës.Tirana më zgjoi kujtimet e moshës së universitetit e i zhytur në këto kujtime,mbritëm para një godine të madhe .Zbritëm,u futëm në një korridor të gjatë dhe njeri prej shoqëruesve pasi trokiti në një derë ,e hapi dhe ma bëri me shenjë të futem. U futem brenda e nderkohe para meje qëndronte një burr i gjatë me uniformë ushtarake e pasi më pa vëngër për pak çaste,hapi sirtarin e tavolinës,nxorri një palë hekura në formë fluture dhe mu drejtua ;

Në emer te popullit je i arrestuar per trradheti te lart ndaj atdheut dhe bertiti ;

Ktheji duart prapa ! 

Në çast ndjeva ftohtësirën e hekurave që më shtërngonin duart dhe i shoqëruar nga dy policë që u futën në dhomë,u nisëm drejt një korridori të errët dhe u gjendëm përpara një portë të madhe hekuri brenda secilës ,prisnin dy policë të tjerë.Përshkuam korridorin e errët për pak metra dhe njeri polic hapi një derë me një lloz hekuri dhe tjetri më shtyu brenda nga supet duke mbyllur derën me zhurrmë.
Një dhomë e vogël e errët ,me mure të pistë e më njolla gjaku e pështymë,dy batanije të vjetra të grisura e me erë myku,një pagure alumini që kundërmonte erë shurrë, do të ishte mikpritja e kthimit në atdhe. Në ato çaste dramatike u ndjeva krejtësisht i humbur .Pas pak e mblodha veten dhe nisa të lëviz lart e poshtë qelisë e më në fund s’durova dot dhe i rash fort derës.Polici hapi sportelin e vogël dhe bërtiti ;

Ç’dreqin ke që i bie derës apo do që të të vë hekurat e të të lidh këmbë e kokë.

Në çast u drrodha nga frika dhe i thashë ;

Të lutem kam dy pako me cigare mi sill po munde.

Ai më pa me habi,tundi kokën e pastaj më tha ;
Hajde pykë ,hajde,po a e di se ku je ? dhe përplasi me forcë sportelin.

Atë natë e kalova pothuajse pa gjumë ashtu ulur mbi bataniet e grisura që kundërmonin erë myku. Të nesërmen policët më shoqëruan me duar të lidhura në një zyrë që më vonë do ta mësoja se ishte dhoma e hetuesisë.Brenda priste një djalosh i kostumosur që mu prezantua si hetuesi im.

Po unë s’kam bërë gjë i thashë – bëra gabim që u arratisa e me vetëdije u ktheva përsëri.

Ç’farë ? – ulëriti si bish hetuesi – gabim ?

Ti ke kryer krimin më të lart,tradhëti ndaj atdheut – dhe iu drejtua policëve.

Merreni,qetheni e hiqjani këto rroba borgjezi !

Të lutem – i thashë pas pak.Më jepni të paktën pakot me cigare.

Ai jua bëri me shenjë policëve dhe ata më kapën prej krahu,më futën në një dhomë të vogël,më hoqën rrobat personale dhe më dhanë një kostum kaf doku të pistë ta vishja e pastaj direkt e në qeli.

Cigaret e mia – i bërtita policit . 

Ai tundi kokën ,qeshi me të madhe e mbylli derën e qelisë.

Nisa të endem lart e poshtë qelisë e pas pak u hap sporteli e polici më zgjati një cigare partizani dhe një shuk letre me flakë që mbante në dorën tjetër.

Hajde shpejtë se mbete dhe pa të – më bërtiti .

Ndeza cigaren dhe nisa të vija vërdallë qelisë e në çast nisën të me binin si daulle mbi kokë fjalët e sinqerta e vllazërore të shqiptarit të Kosovës kur më thoshte rrugës për në aeroport;

I shikon këto cigare,banane, çokollata,edhe këto kanë për të ti marrë o qyqar …… 

Më në fund kisha mbritur në atdhe !,,,

DITARI I BURGUT Spaç 1979

Filed Under: Histori, LETERSI Tagged With: Ditari i Burgut

PLOJA E TIVARIT DHE DREJTËSIA E MUNGUAR E SHQIPËRISË

April 4, 2020 by dgreca

“Çdo krim i pandëshkuar pjell një familje”- Herbert Spenser (1827 – 1903), filozof e sociolog anglez/

Shkruan: Eugjen Merlika-Milano/

            “- Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë! Prej të gjithëve filloi të ndigjohej vetëm kjo fjalë qi kalonte…Kalonte në humnerë…Ato ushtojshin veshët tonë njisoj si ato krismat e nji çekani qi rreh gozhdat e  arkivolit në bregun e vorrit.

  • Prej kah vini ju?
  • Prej Kosove.
  • Tash nji javë dit ecim pa pushim, pa bukë! Kemi kalue gjithato male…male.

Këtu ishte vetëm nji vargan i gjatë, i gjatë, pa mbarim i atyne skeletësh të djelmoçave të rinj kosovarë, qi të rrethuem nga dhuna ecshin drejt kujt…? Ishim në mitologji apo  në realitet? 

Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh më vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vramë të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem më trego: ç’farë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”

Ky episod i marrë nga vepra monumentale e Atë Zef Pllumit “Rrno për me tregue” na fut në mjedisin tragjik të një ngjarjeje historike të llahtarshme, të zhvilluar plot 75 vite më parë në Tivarin shqiptar të ish Jugosllavisë. Është fjala për plojën e Tivarit, një nga bëmat më kriminale të ushtrisë jugosllave me miratimin, në dukje të heshtur, por me bashkëpunimin e hapur të qeverisë komuniste shqiptare. Studjuesi e historiani Uran Butka në veprën e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e Shtetit shqiptar” ka nxjerrë në dritë dokumentë që vërtetojnë plotësisht bashkëpunimin mes brigadave të V e të VI të komanduara nga Gjin Marku dhe Rrahman Parllaku me komisar të përgjithshëm Ramiz Alinë me shtabin e UNJ. Të gjithë të rekrutuarit e të dorëzuarit kosovarë në besën e këtyre reparteve shqiptare, u dorëzuan me një urdhër të prerë e me pak fjalë të Enver Hoxhës: “Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Sërbisë”. Madje ai sjell për vërtetim të tezës së tij mbi përgjegjësinë në krimin e kryer nga repartet malazeze e serbe të udhëheqësve shqiptarë edhe një dokument të ministrisë së Brëndëshme shqiptare, në të cilin shkruhet: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Në fakt dokumenti i shkruajtur më vonë, kur u dënua Koçi Xoxe, harron se n’atë kohë ploje të kosovarëve ministër ishte Haxhi Lleshi, një i njohur i vjetër i serbëve e që më vonë u bë kryetar i shtetit shqiptar, por pranon fatin e vrasjes në tokën shqiptare të 1000 djemve kosovarë.

Pyetja pa përgjigje e Atë Zef Pllumit vazhdon të godasë  si çekiç mbi ndërgjegjet e vrara të shqiptarëve për shtatëdhjetëepesë  vite me rradhë, në të cilat institucionet e krimit, mbasi kishin bërë theror çështjen kombëtare në altarin e internacionalizmit stalinist, do t’i mbanin të fshehura atyre të vërtetat mbi ndodhitë rrënqethëse n’atë trevë të lashtë të truallit shqiptar që ishte Kosova. Kosova, Dardania e lashtë, një nga krahinat më të zhvilluara e më liridashëse të Ilirisë, që kishte shkruar historinë e saj shumë qindvjetorë më parë, kur sllavët ishin ende fise endacake që vërtiteshin stepave pa fund të Eurazisë, u nda prej trungut të Arbërit nga shpata e të Mëdhenjve të Evropës më 1913.

Kosova e Haxhi Zekës dhe Ymer Prizrendit, e Nexhip Dragës dhe Isa Buletinit, e Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, e Hoxhë Kadriut dhe Sulejman Vokshit e sa e sa burrave të tjerë të mënçur, trima e të besës që flijuan në altarin e Kombit shqiptar gjithshka, dijet dhe aftësitë, mundin dhe pasurinë, ëndërrat, idealet e jetët, u gjend përsëri e tradhëtuar në aktin e fundit të tragjedisë së madhe evropjane, kësaj rradhe prej vetë shqiptarëve, a më mirë të themi, nga një pjesë e tyre.

Nëse më 1913 u flijuam si Komb me ndarjen dyshë nga vendime që ishin përmbi fuqitë tona, më 1945 u vetëflijuam n’emër të një ideologjie që provoi katërcipërisht se ishte antikombëtare, antipopullore, regresive, duke pranuar me vullnet të plotë diktatin serb. Kështu Kosova, e bashkuar me Shqipërinë, në pak vite të luftës, nga njerëz që çuditërisht ende sot etiketohen si “tradhëtarë”, ra përsëri nën thundrën serbe. Mijëra kosovarë vriteshin si bagëtitë nën etiketën e “kundërevolucionarëve”, në një kohë kur në Shqipëri deklarohej me pompozitet nga diktatori: ”Pa Jugosllavinë e marshallit Tito Shqipëria nuk mund të jetojë asnjë ditë.” Qindra mijra kosovarë shpërnguleshin me dhunë nga trojet e tyre, por “Dheu Amë” i mbyllur hermetikisht në një sprovë frymëmarrëse, ishte refraktar ndaj gjysmës tjetër të tij. Pa dyshim mund të themi se diktatura e Enver Hoxhës ishte bashkëpuntore në këtë rrënim të gjysmës tjetër të Kombit. Këtë e vërtetojnë, veç të tjerash, dënimet që gjyqet shqiptare jepnin për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me ndarjen e Kosovës, duke marrë nofkat “shovinist” e “shqiptaromadh”, së bashku me dënime të gjata privim lirije e pune të detyruar. Sikur të shkruhej një histori e veçantë e krimeve kontinentale të shekullit të shkuar, mjaft i pasur në të tillë, një kapitull të posaçëm do t’a meritonte krimi komunist në Shqipëri e Kosovë. 

Ne sot përkulemi me nderim para kujtimit të  viktimave të pafajshme të këtyre krimeve, në këtë 75 vjetor të masakrës së Tivarit. Ne sot përkujtojmë katër mijë djelmoça të Kosovës martire, të vrarë pabesisht në lule të moshës nga serbo-malazezët me miratimin e “udhëheqësve” të Shqipërisë së re, katër mijë shami të zeza mbi kryet e nënave kosovare e po aq plagë të hapura mbi trupin e Shqipërisë. Historia na kishte mësuar se plumbat duhej t’i prisnim vetëm nga “bajlozët “ e huaj, por kjo gjysëm qindvjete na tregoi se mund të na i jepnin edhe tonët, e ato ishin më të hidhur mbasi shtiheshin në emër të popullit e të lirisë së tij. Ç’kob për një popull që ishte edukuar të respektonte dhe armikun në shtëpinë e vet, që pabesinë nuk e përdorte as karshi tij. Ç’gjëmë e llahtarëshme për mijra nëna, motra, gra e të fejuara, për mijëra Ajkuna që nuk mundën as të vajtojnë mbi qivurët e bijve, vëllezërve, burrave që toka i mori në gjirin e saj të gjithë bashkë, të zhveshur e të uritur. Nga dolën këta shqiptarë që, pa ju dridhur qerpiku, urdhëruan kasaphana të tilla njerëzore? 

Sot, në sajë të atyre studjuesve të ndershëm që gërmojnë në arkivat ata kanë emrat e mbiemrat e tyre, e për një absurditet logjik e një ironi të hidhur të historisë sonë janë emra e mbiemra “herojsh” të kombit, “udhëheqësish” të tij për gati gjysmë shekulli, figurash që vazhdojnë ende të nderohen në Shqipërinë e shekullit 21. Ata nuk njohën dhënie llogarie për krimet e tyre, madje nuk patën kurrë brejtje ndërgjegjeje, nuk patën një gjyq ndërkombëtar si kriminelët e nazifashizmit, por jetuan edhe një shekull duke mbrojtur pa pushim bëmat e tyre kriminale, madje duke lënë edhe mbas vdekjes “veprat” e tyre të shkruara në historinë mjerane të këtij populli.

Toka Arbërore kishte ruajtur për qindvjetin e njëzetë, mbas Krishtit, të villte gjithë vrerin e grumbulluar në mijëvjeçarë e t’a trupëzonte në krijesa të pagëzuara prej Luciferrit, t’afta vetëm për të mbjellë zi, vdekje, shkatërrim. E kuqja e gjakut qe ngjyra e tyre e preferuar, sikurse drapëri simbol i emblemës së tyre. Një dyshe tjetër më e përsosur, për t’i përfaqësuar, nuk mund të gjindej. Drapëri, i huajtur nga Moska e largët, korrte si kallinjtë e grurit ëndrrat për jetën të shumicës së shqiptarëve e mijëra syresh ju shkurtonte dhe vetë jetën, duke lënë në pikëllim e helm një numur të pafund prindësh, grashë e fëmijësh, që do të rriteshin duke mbajtur në ballë etiketën e “armikut të klasës”.

Sot shpirtërat e atyre viktimave, ashtu si jetët e gjymtuara të familjarëve të tyre, në një kor të përbashkët na dërgojnë një mesazh të fuqishëm e të qartë: “Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të jetë normale nëse bart me vehte krimin e pandëshkuar, asnjëherë dhe askund nuk mund të vihen në të njëjtin rrafsh xhelati dhe viktima.”

“ Duke heshtur mbi vesin, duke e fshehur në trup që të mos duket, ne e mbjellim dhe në t’ardhmen ai do të mbijë i shumzuar për mijë. Duke mos ndëshkuar, duke mos qortuar as dhe të poshtrit, nuk mjaftohemi të mbrojmë pleqërinë e tyre shterpë por brezave të rinj ju heqim nga poshtë çdo themel drejtësie…Të rinjtë mësojnë se një veprim i poshtër nuk ndëshkohet kurrë mbi tokë, përkundrazi sjell gjithmonë mirëqënie.

“Nuk do të jetë mikpritës një vend i tillë, të tremb të jetosh në të.”

Me këto konsiderata të Aleksandër Sollzhenicinit, autorit të ndritur të veprave mbi kasaphanën sovjetike, e cila shërbeu si model imitimi për xhihadistët shqiptarë, që tingëllojnë aktuale edhe në Shqipërinë e sotme, për më tepër kur kujtohen ngjarjet e përbindëshme të tre çerek shekulli më parë besoj se është rasti të ndalemi në një minutë heshtjeje pikëllimi për jetët rinore të djemve kosovarë, të këputura në lulen e moshës, por edhe në dukurinë e kobshme të mungesës së drejtësisë, të pandëshkueshmërisë së çfardo krimi të vërtetë, një gjëndje e pazakontë që po na shoqëron prej  tre çerek shekulli. E ndoshta është rasti përsëri t’i bëjmë  vetes sot po të njëjtën pyetje që i drejtonte Perëndisë Atë Zef Pllumi kur mori lajmin e llahtarshëm të vrasjeve barbare të Tivarit: “O Zot po t’lutem më trego: çfarë mëkati ka ba ky popull që meriton nji dënim kaqë të randë?”                         2 Prill 2020               

Filed Under: Histori Tagged With: Ploja e masakres, Tivar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 255
  • 256
  • 257
  • 258
  • 259
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT