• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË JESH NJERI

April 9, 2016 by dgreca

Tregim i jetuar/

Nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/*

Sa më shumë njeriut i shtohen vitet mbi shpinën e tij, aq më shumë e kthen kokën pas nga udha që ka përshkruar në jetë…  Ndërmjet shumë ngjarjeve të jetës më ka mbetur në kujtesë ajo me doktor Isufin, mësimi madh që mora prej tij: Ndofta s`mund të ndalojmë njerëzit të bëjnë keq, por mirësinë tonë e kemi ne vet në dorë…

Ishte e diel dhe vendosa të shkoj për një vizitë te doktor Isuf Hysenbegasi. Me doktorin njiheshim familjarisht, pasi babai kishte vuajtur burgun me të. Sa herë që ne kishim ndonjë nevojë mjeksore shkonim tek ai, i cili na priste me  buzëqeshje. Edhe sot e kujtoj buzëqeshjen e tij dhe, të them të drejtën, gjysmën e sëmundjes ai njeri ta hiqte me atë buzëqeshje. Babai na tregonte se doktori, kushedi sa jetë kishte shpëtuar në burg. I pa lodhur, i gatshëm në çdo kohë të shërbente, fjalë ëmbel, të jepte besim se do shëroheshe shpejt.

Kur doli nga burgu kërkoi të vinte në Vlorë, por kurrë nuk i harroi ish të burgosurit. Me plot të drejtë ata thoshin: Doktor Isufi është yni…

Derën ma hapi e shoqja.

  • Urdhëro brenda, më tha ajo, doktori ka dalë, po besoj do të kthehet shpejt.

U ula në një karrike dhe po prisja. Doktori nuk vonoi. Nuk kishim mbaruar përshëndetjet e rastit dhe ai nuk ishte ulur akoma, kur trokiti dera dhe pa pritur, dera u hap dhe u duk një grua duke qarë.

  • Ç`far ke? e pyeti doktori.
  • Të lutem doktor më shpëto burrin, e kam shumë sëmure, nuk përmendet, të lutem më ndihmo.
  • Po ku e ke burrin?
  • Është në shtëpi, këtu afër.

Doktori nuk priti më gjatë, mori çantën dhe u nis pas asaj gruaje.

– Ti djali Muhametit, më tha mua, më prit sa të kthehem.

–  Jo doktor, unë do vij me ty, i thashë dhe i mora çantën nga dora.

I sëmuri jetonte në një sipërfaqe të bollshme, në katin e dytë të një pallati aty afër. Derën na e hapi një djalë i ri, i cili na shoqëroi tek i sëmuri.

I sëmuri ishte bërë ujë në djersë. Doktori i vuri dorën në ball dhe pasi e kontrolloi, i bëri një gjilpërë, pastaj, mori një peshqir, e lagu me ujë të ftohtë dhe filloi ta fërkojë shpejt.

  • Sa kohë ka sëmurë? pyeti doktori.
  • Sot është dita e tret, tha djali.
  • Shumë gabim, tha doktori, duhej të kërkonit ndihmë që ditën e parë.

Pastaj doktori shkroi recetën dhe pyeti për emërin e të sëmurit:

– Jani Gjembi, tha djali.

– Ushtarak ka qene ?

– Po, tha i biri,  po tani eshtë në pension.

– Merre  recetën dhe ktheu shpejt, urdhëroi doktori.

Djali nuk po nisej, mbante recetën në dorë dhe shikonte nga e ëma. Doktori e kuptojë hallin e djalit, futi dorën në xhep dhe i dha atij 150 lekë. Ndërsa djali doli nga shtëpia doktori hodhi syte nga i sëmuri dhe e kqyri atë me vëmëndje. Po, tha me zë, se luan topi, ai është, pastaj u ul në një karrike i bërë dyllë i verdhë. U çudita nga ajo shprehje pa kuptim e doktorit iu afrova, e kapa për dore dhe e pyeta:

  • Doktor ç`farë ke?

Ma bëri me dorë të mos e shqetësoja. Unë qëndroja në këmbë përpara tij pa ditur se si të veproja…

Sapo mbriti djali me ilaçe, doktori hapi një peniciline ja bëri të sëmurit dhe priti sa teperatura filloi t`i bjerë. Befas i sëmuri lëvizi pak, hapi syte dhe pa me habi doktorin.

– Ku jam këtu, tha, akoma te qelia shtat jemi? S`kemi mbaruar akoma?

Mbylli prap sytë dhe heshti. Doktorit ju rënqeth trupi. Sytë iu mbushën me lotë. Donte vetëm të ikte sa më parë. Mblodhi shpejt çfarë kishte nxjerrë nga çanta, i futi brenda dhe ma dha mua. Kurrë nuk e kisha parë në atë gjendje, dukej shumë i lodhur.

  • Hajde, më tha mua, të ikim shpejt. U kthye nga ata dhe u tha:
  • Mos harroni, në çdo katër orë, nga dy kokërra, mos u bëni merak, do të bëhet mirë.

Sapo hymë në shtëpi doktori m`u drejtua mua në mënyrë urdhërore:

  • Ulu aty, ti djali Muhametit.

I tha së shoqes t`i bënte një kafe. U shtri mirë në kolltuk dhe dukej se ishte akoma shumë i shqetësuar. E vuri kafen në buzë dhe e gjerbi pak gjatë. Hodhi sytë nga unë, dhe më pa me vrejtje. Une fillova te shqetsohem.

  • Doktor, je mirë? e pyeta.
  • Po behem mire, o djali Muhametit, më tha, dhe piu prap kafe.

I habitur, e lash në qetësinë e tij. Befas ai fillojë të fliste, por dukej sikur më shumë fliste me veten e tij.

Dhe tani do të tregoj gjithë historinë, pse u shqetësova kaq shumë sonte. Ai që vizituam, ishte hetusi im. Më shumë se një vit ai s`ka lënë torturë pa më bërë, në qelinë numur shtat, ku më mbante të lidhur. Ti, këtu do i lesh kockat, më thoshte. Prandaj kur hapi sytë dhe më pa mua mendoi se ishte duke më rrahur te qelia me numur shtat.

O Zot ç`farë më ka bërë, mua ajo mostër. Një ditë më lidhi te tubi nevojtores. Shpesh pasi lodhej vetë merte dhe shokë që ta ndihmonin. Edhe ata më rrihnin, pastaj iknin duke qeshur. Në këto tortura kam vuajtur më shumë se një vit dhe çdo ditë nuk harronte të me thoshte:

– Këtu do t`i lesh kockat. Nuk do të dalësh i gjallë.

– Dhe si munde doktor t`i bëje asaj egërsire atë shërbim? i thash unë.

Doktori më nguli sytë e menduar, nuk foli, më vështroi gjatë, pastaj tundi kokën dhe më tha:

– Nëse edhe ne veprojmë si ata, ku ndryshojmë prej tyre?

Edhe kësaj radhe ai njeri nuk iu shmang detyrës, ashtu siç kishte vepruar dhe veproi gjithë jetën e tij, në çdo situatë. Më ishin mbushur sytë me lot nga ato që po dëgjoja nga ai njeri.

M`u kujtua edhe vetja, kur ishja në qeli, megjith se femij, hetuesi im nuk pyeste, por bënte detyrën e tij çnjerzore.

U ngrita në këmbë dhe e përqafova fort doktorin, sepse nga ai mësova se si duhet të jesh njeri. Ashtu me sytë të mbushur me lot hapa derën dhe ika.

Ajo natë do të mbetej për mua e pa harruar, për gjithë jetën, për të pa harruarin, doktor Isuf  Hysenbegasi.

* Ish i perndjekur Politik. Autori është Dekoruar me medaljen e artë “Naim  Frasheri”

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha Gjonzeneli-Tragjasi, TË JESH NJERI

TRILUSSA”POLITIKË”

April 9, 2016 by dgreca

TRILUSSA 1871-1950/

NE FOTO: MONUMENTI I TRILUSËS/

Trilussa, pseudonimi anagramatik  Carlo Alberto Camillos Mariano Salustri (Romë, 26 tetor, 1871 – Romë, 21 dhjetor 1950), ishte një poet, shkrimtar dhe gazetar italian, i njohur veçanërisht për krijimet e tija në dialektin romak./

 POLITIKË/

Në botën e mendimit ka një vakum të madh:

Babai im është një demokrat i krishter,

dhe meqë është nëpunës në Vatikan,

çdo mbrëmje këndon rozarion;

 

Xhixhi, më i moshuari nga ne tre vëllezërit,

është socialist revolucionar ;

unë, përkundrazi, jam monarkist,

në contrast me Ludovikun që është republikan.

 

Para se të darkojmë, grindemi shpesh

për arsye të këtyre parimeve të bekuara:

dikush do këtu e dikush do atje …

Duket si një kongres!

 

Ndërpresim zemërimin për hir të Zotit!

Por sapo nëna na thotë, makaronat, gati,

ne dakordësohemi të gjithë

me programin.

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: perktheu Faslli Haliti, TRILUSSA 1871-1950

FASLLI HALITI SJELL NOBELISTIN E TRETE-NOBEL 1904

April 7, 2016 by dgreca

NOBELISTI  III  1904/    

Etienne Frederic Mistral 1830 – 1914/

 Etienne Frederic Mistral (Maillane, 8 shtator 1830 – Maillane, 25 mars 1914) ishte nje shkrimtar dhe poet i gjuhës franceze Occitane, iu dha në vitin 1904 Çmimin Nobel për Letërsi.

______________________________________________

MOTIVACIONI:

«Si njohje e origjinalitetit të qartë dhe të frymëzimit të vërtetë të krijimtarisë së tij poetike, që reflekton shkëlqyeshëm  peizazhet natyrore dhe frymën amtare të popullit të tij, gjithashtu dhe, punës së tij të rëndësishme si filolog provansal»

______________________________________________

 PROVIDENCA

Shiko lulet e gatiçeve. Janë flokë bore

me push të qartë. Dhe mjafton vetëm

një erë tepër e lehtë t’i prekë

që të shkrira ato të përhumben mbi tokë.

Por pambukun e shpërndarë gjithanej

nga zogjtë

e mblidhin menjëherë.

Shiko: ka një fole

nën atë ind:

fole trishtili e kadifejtë,

e butë, e bardhë.  Së pari thur indin mirë

dhe pastaj ai vesh të vegjlit e tij

me pelush… O dorë e bekuar,

që për çdo harabel

Bën një fole…

Atëherë, plaku endej ngadalë

me murgeshën gjatë përrenjëve,

duke medituar gjatë për perëndinë.

dhe thoshte me admirim të thellë:

«Ç’harmoni ka në veprat hyjnore!»

«Ç’largpamësi dhe ç’mrekulli»

Thoshte plaku  me admirim të thellë.

«Shiko ato mizat që sapo lindën

enden mizëri në ajrin e qetë.

Brenda një rreze dielli,

dhe sonte, mbase do të kthehen në hiç.

Pra për një ekzistencë kaq kalimtare,

jepu Providencë, atyre të gjitha të mirat!.

Në galetat e gjejnë ato ushqimin

që iu pëlqenë më shumë; jetojnë në diell;

kanë krahëzit për të ndjekur galetat,

dhe mbi malet e mbi pllaja mbartin të vegjlit;

në sytë e vegjël të tyre gjithë krijimi

pasqyrohet si një det i pafundmë.»

 

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, NOBELISTI III 1904/ Etienne Frederic Mistral

LETERSI- NOBELISTI I DYTE-Bjørnstjerne Martinus Bjørnson

April 4, 2016 by dgreca

NOBELISTI  II  1903/Bjørnstjerne Martinus Bjørnson- 1832 – 1910/

   NOBEL 1903/

 Shkrimtari, poeti, piktori, përkthyesi Faslli Haliti, po përgatitit ciklin e plotë të prezantimit të Nobelistëve të Letërsisë për lexuesit e Diellit.Në numrin e djeshëm online ai na njohu me poetin Francez RENÉ FRANCOIS-  1839-1907, i cili ishte Nobelisti i parë i shpallë në vitin 1901.Në edicionin e sotëm ai Ju njeh me Bjørnson,shkrimtar norvegjez, Nobelist i dytë, i shpallë në  vitit 1903.

Bjørnstjerne Martinus Bjørnson (Kvikne, 8 dhjetor 1832 – Paris, 26 prill 1910) ka qenë  një poet, dramaturg dhe shkrimtar norvegjez. Në rrafshin artistik  kontribuoi, bashkë me Henrik Ibsen, në lindjen e drammaturgjisë moderne norvegjeze e skandinave. Madhështia e tij u vulos me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1903

MOTIVACIONI:«Një haraç për poetikën e tij fisnike, madhështore e të gjithanshme, me të cilën ai është krejt i ndryshëm për qartësinë e frymëzimit të tij dhe pastërtinë e rrallë të shpirtit të tij»/

VELA TË MËDHA NË DETIN E VERIUT*/

Vela të mëdha në Detin e Veriut,

lart mbi malin Skandsem atë mëngjes

Erling Skjalgson sytë nga Dielli drejton

duke vështruar detin drejt Danimarkës;

«Nuk po vjen Olav Trygvason?»

Pesëdhjetë e gjashtë Drakarë

djegur nga dielli

presin të nisen drejt Danimarkës

me vela të ulura poshtë.

Akoma një murmurimë:

“Ku është drakari më i gjatë?

Nuk po vjen Olav Trygvason? “.

 

Por, kur lind dielli

dhe ngrihet mbi det

mërmërima bëhet stuhi:

“Ku është drakari më i gjatë?

Nuk po vjen Olav Trygvason? “.

 

Ngadalë, ngadalë, në këtë çast

të gjithë të habitur ndiejnë

nga fundi i detit

një gurgullimë, një mërmërimë:

“Drakari më i gjatë u mposhtë!

Ra Olav Trygvason “.

 

Që nga ajo ditë, për shekuj e shekuj

anijet norvegjeze shoqërohen netëve

të mbuluara me dritë hëne nga vajtimi;

«Anija më e gjatë u shpartallua!

Ra Olav Trygvason “.

*Olav Tryggvason (960-1000 ) ishte mbreti i Norvegjisë 995 -1000  dhe pati një rol kyç në konvertimin e vikingëve të krishterë. Bjornson shkroi këtë tekst, i frymëzuar nga “Saga e Olav Tryggvason” (pjesë e “Heimskringlas”)  kompozuar në fund të shekullit të dymbëdhjetë nga poeti Islandez Snorre Sturlason, (1178 – 1241). Teksti përshkruan pas betejën e Svolderit  (në vitin 1000), kur mbreti u mund dhe u vra në betejën e madhe detare të Svolder në Baltikut mbi Drakkaren e tij «Ormen Lange» «Gjarpër i gjatë», sipas sagës, më shumë se 50 metra. Në breg, norvegjezët pyesin njëri-tjetrit në mënyrë të përsëritur «Pse nuk kthehet Olav Trygvason?»

Përktheu: Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: -Bjørnstjerne Martinus Bjørnson, Faslli Haliti, NOBELISTI I DYTE

LETËRSI- DY PËRKTHIME NGA AGIM XH. DESHNICA

April 4, 2016 by dgreca

TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI/

Autor: Xhon Dison ( John Dyson.)/

– Mirëse erdhët në Zambez! – i përshëndeti Pol Templeri gjashtë turistët, që do të shoqëronte me kanoe e kajak nëpër lumin e madh afrikan. Teksa lundrat bënin përpara drejt Ujëvarës së zhurmshme Viktoria, grupi shpresonte të shihte nga afër elefantët, krokodilët dhe hipopotamët. Qe një ditë e bukur marsi me qiell të kaltër. Puhiza e freskët e erës frynte lehtë e lehtë. Në vozitje e sipër, drejtuesi njëzetë e shtatë-vjeçar i lundrave Templer, i argëtonte udhëtarët me ndodhi gazmore, por edhe tronditëse nëpër lumenj, dhe më në fund shtonte këshilla e njoftime.

– Zambezin zakonisht e quajnë “Rrjedha mbretërore”. Puna jonë është të vozisim, kurse ju të rrini ndenjur e të pushoni rehat.

Ndërsa vendoste revolverin e fishekët në brez, ai u foli shkurt edhe për rreziqet e mundshme gjatë lundrimit:- Lumi është plot me krokodilë, ndaj mos e zgjatni dorën në ujë! Se krokodilit i duket si peshk, ose si lule e kroksit, që janë dy nga ushqimet e tij më të kërkuara. Rreziku tjetër vjen nga hipopotami! Ai, kryesisht, jeton në brigjet e lumenjve, zona që ne i njohim mirë dhe mund t’i mënjanojmë, por nganjëherë atij i kërcet damari i lig, dhe papritur sulet dhe përplaset me lundrën.

Tek fliste, Templeri buzëqeshte me turistët, që dihasnin me dridhmë nga ato rrëfime të frikshme.

– Përplasja mund t’ju vërvisë drejt e në ujë! Dëgjoni ç’ju them? Nëse ndodh kështu, mos u rrëmbeni nga paniku dhe mos e humbni toruan nëpër valë! Hipopotamit mund t’i shmangesh më lehtë se kreokodilit!

Në ekuipazh, përveç tij, bënin pjesë MakNamara, tridhjetë e një vjeç, që shoqëronte grupin në Kajak. Ben Sinbadi, njëzetë e katër vjeç, vozitësi i kanoes së dytë dhe Evans Namasango, vozitës në kanoen e tretë, një tip gazmor, njëzetë e dy -vjeçar, i cili pak kohë më parë kishte dhënë provimet për ndihmësudhërrëfyes. Templeri qysh në fillim ia çmoi vetitë e mira dhe punën, ndaj kujdesej për të, thuajse, çdo ditë.

Ai i ndau turistët dy nga dy. Në lundrën e vet mbajti Johem Shtahmanin me bashkëshorten Gundi nga rrethinat e Bremenit të Gjermanisë. Në kanoen e Sinbadit la Muriel Fisherin me të fejuarën, Pierre Langarde. Ndërsa Natali Grasota dhe Mark Skorupka, lundruan me Namasangon. Katër nga turistët ishin punonjës të kompanisë Air France.

*     *     *

Templerit i qeshën sytë, kur flotilja e vogël hyri në rrjedhën e shtruar të Zambezit. Ai qe rritur në savane e, sidomos, në bazat e largëta ushtarake. I ati kishte shërbyer me gradën e kapitenit në ishkoloninë Britanike në Rodezinë e jugut, e njohur tashmë me emrin Zimbabve.

Me ato shpatulla të fuqishme prej notari a mbrojtësi të regbisë, Templeri ishte i pajisur me dhuntitë e një atleti të shkathët. Në kohën kur punonte në Izrael, iu shkrep të kalonte me traktor përmes një fushe të minuar në Jordani, për të blerë birrë. Por, kjo shaka i kushtoi shtrenjtë, e dëbuan nga Izreli.

I kthyer në Zimbabve, tek pushonte me shokët e vet në breg të liqenit Kariba, atypari kaluan disa lundra ekspedite. “Kjo është udha, që duhet të ndjek!” – tha ai me vete.

Me vullnet e vendosmëri për tre muaj, kreu me sukses kursin njëvjeçar për drejtësi, qitje dhe histori natyre. Pas provimeve të vështira, mori dëshminë e udhërrëfyesit për në lumenj.

Mbi tetëmbëdhjetë muaj ai punoi si mbikqyrës në lundrimet e largëta me kanoe, duke udhëhequr turistët në afërsi të zonave me kafshë të egra. Ndërkohë, kujdesej edhe për jetën e tyre. Njëherë i ktheu mbrapsht disa vizitorë japonezë, që po shkonin si pa të keq drejt luanëve, duke shkrepur aparatet fotografikë. Në ato vise gjallon edhe hipopotami, një nga kafshët më të rrezikshme të Afrikës. Dy dhëmbët e poshtëm të hipopotamit mashkull, mbi njëzet centimetra të gjatë, shtrihen jashtë, si shufrat e pirunit të ngarkim-shkarkimit, ndërsa dy dhëmbët e qenit ulen nga lart – poshtë në nofull, përkundrejt dy të tjerëve, që çohen përpjetë si thikat e makinës grirëse të ushqimeve.

Shpesh herë hipopotami përplaset me kanoet dhe i hedh në lumë udhëtarët. Para dy vitesh nga kafshimi i tij një udhërrëfyes humbi njërën këmbë. Gjashtë muaj më parë nga përplasja në fundin e kanoes, Templeri dhe dy udhëtarët fluturuan në lumë. Po i njëjti hipopotam, iu qep lundrave të tjera e i goditi.

Nga lundërtarët, që vinin përkundrejt, merrte njoftime për zona të rrezikshme, të cilave duhej t’u rrinte larg. Ndërsa tani Templeri me flotiljen po kalonte përmes ishujve shkëmborë të një zone të re, të panjohur ndonjëherë. Në kohën, kur kanoeja e Templerit po rrëshqiste ngadalë në rrjedhën e lumit, në largësi nga bregu sa gjatësia e lopatës, tridhjetë metra më tej u duk kopeja e hipopotamëve. Mbi lëkurën e errët një lëng i kuqëremtë që i mbron nga rrezet e diellit, jep përshtypjen, sikur kafshëve u kullojnë shtatë palë djersë.

Me zë të ulët Templeri shpjegoi se hipopotami nga toka në shpatulla është mbi një metër e gjysmë i lartë, kurse nga noçka në bisht, mbi katër metër i gjatë. “Aq sa BMV-ja ime!”, – mendoi Shtahmani.

– Nisemi! – tha Templeri dhe voziti më tutje. Tek po kalonte një hipopotam femër, që prehej mbi ujë me dymbëdhjetë viça pas, dielli po varej pas majave të drurëve.

Templeri tha se pas dyzet minutash, tërë grupi, duhej të zbriste menjëherë në breg, prej nga turistët do të ktheheshin mbrapsht, me kamion për në hotele.

Fundi i kajakut të MakNamarës takoi buzën e shkëmbit, ku një prej rrjedhave të lumit derdhej te një pellg i gjerë afro gjashtëdhjetë metra. Sinbadi me Templerin vozisnin në rrjedhë tjetër, të ndjekur nga Namasango. Templeri u jepte zemër e i udhëzonte t’u shmangeshin hipopotamëve të fshehur nën ujë. Papritur, u dëgjua diçka e ngjashme me bubullimën. Bam! Një hipopotam mashkull u përplas me kanoen e Namasangos. Pupa e saj u ngrit në ajër, thuajse një metër lart, ndërsa drejtuesi u rrotullua e u flak jashtë. Templeri ktheu kokën dhe e pa pjesën e pasme të kanoes mbi shpatullat e hipopotamit të tërbuar, që hapi gojën e llahtarshme dhe u zhyt befas nën ujë. Teksa udhëtarët, Grasota e Skorupka, po bënin çmos të nivelonin kanoen, Namasango, duke gulçuar, mezi po mbushej me frymë.

Templeri voziti mbrapsht drejt tij.

– Prit! – bërtiti ai.

Të mbetur pa rema, Grasota e Skorupka, punonin çmendurisht, duke rrahur me duar ujin, për ta larguar kanoen nga zona e hipopotamit. Në atë kohë Sinbadi i dha kanoes drejt ujërave të cekta. Disa metra më tej, udhëtarët e tij, Fisher dhe Langarde, u hodhën mbi sipërfaqen e një toke shkëmbore.

Ndërkaq, Namasango u kap me duar në njërin krah te kanoeja e Templerit. Ky vuri re se ajo po anohej e mund të përmbysej.

– Shko prapa! – i tha dhe voziti dalëngadalë afër tij.

“Hipopotami nuk kthehet më këtu!”, – tha me vete. Shtahmani u përkul në krahun e djathtë, për të ruajtur ekuilibrin e kanoes, ndërsa Templeri në të majtë, i nderur jashtë, i zgjati dorën Namasangos për ta rrokur. Në çastin kur gishtat e tyre ishin fare afër, papritur hipopotami me gojën hapur, brofi mbi ujë ndërmjet tyre si kamionçinë me motor pa kapak. Stërkala uji dhe ulërima si krisma topi shpërthyen nga gryka e frikshme ngjyrë rozë e portokalli e bishës. Për një hop ajo ia përfshiu me gojë duart Templerit dhe e tërhoqi pas vetes. Me dhëmbët mizorë e kafshoi në sup, në bel e në shpinë, pastaj u zhduk sërish nën ujë. Aq shpejt ndodhi ajo përplasje e beftë, saqë kanoeja për disa çaste qëndroi drejt, para se të humbiste drejtpeshimin, të binte ngadalë, dhe Shtahmanin ta hidhte në lumë.

Hipopotami, duke e tërhequr Templerin me peshë nëntëdhjetë kile, tre pashë nën ujë, nisi të luante me të, si macja me miun. Me fytyrën përmbys në gojën e hipopotamit, ai s’po merrte vesh se në ç’vend ndodhej. “Ku jam këtu!?” – habitej Templeri. Pas pak, gjoksi i tij u çlirua nga shtrëngimi. Sapo hipopotami hapi nofullat, Templerit iu lirua njëri krah dhe lëvizi përqark. Duke i dhënë trupit mbrapsht, u përpoq të shkëputej dhe të mbahej diku. Zgjati gishtat dhe kapi bishtin e ashpër e të fortë të hipopotamit. U pushtua nga njëfarë shprese. Iu bë sikur po e shihte veten si në film. Kur iu lirua edhe krahu tjetër, iu shtuan shpresat për shpëtim. Hipopotami, që e kishte gërvishtur me dhëmbë në faqe dhe në zverk, papritur e lëshoi. Në çast Templeri u sul përpjetë dritës dhe doli në sipërfaqen e lumit. Të parën gjë që vuri re, ishte gjendja e Namasangos, i cili duke gulçuar, mbahej me vështirësi mbi ujë.

– Noto, Evans! – i thirri. – Hë, edhe pak, se ja, arritëm!

Por ai, me sa shihej, e kishte humbur gjykimin, ndaj Templeri e tërhoqi prej jake drejt bregut. Befas ndjeu të therura në këmbë nga një peshë e rëndë. “Mos u kthye hipopotami prapë?” – tha me vete në çast. Dhe ndjeu se ai kësaj here ishte tërbuar. E mbërtheu me dhëmbët e mprehtë nga poshtë. Templeri hoqi dorën nga jaka e Namasangos, me shpresë se ai do të dilte vetë në breg. Në ato çaste i ra ndër mend se hipopotamët mbajnë frymë nën ujë gjashtë minuta, kurse njeriu tre ose katër. Në kulmin e dëshpërimit, e grushtoi dhe ia tërhoqi bishtin. Këmbët iu liruan, por njëra dorë i ngeci në gojën e hipopotamit. Megjithatë, nuk u ndal. Mblodhi tërë fuqitë dhe e goditi me shqelma ku mundi, në kokë, në sy, nën bark e në vithe. Ndërkohë, shfrynte: “Hiqmu qafe, shtazë e mallkuar!” Befas iu shkëput, e kur MakNamara e pa mbi ujë, e ngau kajakun drejt tij.

– Noto në krahun tim! – i thirri.

Por hipopotami mbërriti i pari dhe u preu udhën. Me nofullat e llahtarshme e mbërtheu Templerin dhe e mbajti përgjysmë mbi ujë, kokën e shpatullat në një anë, këmbët në anën tjetër. Krahu i majtë i Templerit mori të çara si me gërshërë nga dy dhëmbët e mprehtë të hipopotamit, teksa dy të tjerët e shpuan në gjoks. Sakaq ndjeu dhimbje të forta në brinjë. Në furi e sipër bisha e vërviste sipër ujit sa andej – këtej. Herë e zhyste dhe herë e nxirrte jashtë. Templeri vërtitej djathtas e majtas, poshtë e lart. Me dorën e lirë u përpoq të kapte revolverin, por më kot! Ai i kishte humbur. S’merrte dot frymë. Mendja po i turbullohej. “Nuk mundem më!” – pëshpëriti si në jerm. Megjithatë, vazhdoi të luftonte, duke e grushtuar lëkurën e fortë të shtazës.

Befas hipopotami u dorëzua para atij njeriu të paepur. E shtyu nën ujë dhe u largua duke shfryrë. Templeri brofi lart për në kajakun e MakNamarës.

– Më nxirr këtej! – i foli me gjysmë zëri dhe u kap në litarin e kajakut.

Sapo hynë në ujërat e cekta, e para gjë që i shkoi ndër mend Templerit, ishte shpëtimi njerëzve.

– Duhet t’i nxjerrim të gjithë në breg! – tha me pak zë. – Ku është Evansi?

Fisheri dhe Langarderi e kishin parë në rrjedhën e poshtme të lumit, teksa lëvizi duart mbi kokë dhe pastaj u zhduk në thellësi.

Templerin e mposhtën dhimbjet.

– Ah, ç’e papritur e tmerrshme! S’gjej fjalë ta tregoj! – tha duke rënkuar dhe u kërrus mbi ujë.

MakNamara pa tmerrin nën veshjen e shqyer të Templerit. Krahu i djathtë i qe ndarë në dy pjesë. Nga gjoksi, shpina e pulpa e këmbës së majtë i rridhte gjak. Përmes një vrime i dukej cipa e mushkërive.

Çanta e ndihmës së shpejtë dhe radiomarrësja ishin zhdukur në lumë, kur kanoeja u përmbys pas mësymjes së hipopotamit. Pra, jeta e Templerit ishte në rrezik. MakNamara grisi menjëherë qesen e ushqimeve dhe sajoi disa rripa. Me to ia mbuloi vrimën në kraharor dhe ia lidhi plagët nga rridhte gjak. Në atë gjendje MakNamara dhe Sinbadi e mbartën me kajak. Për gjashtë minuta dolën në breg. Në qytezën më të afërt nuk gjetën asnjë kirurg. Së andejmi, me një furgon të ndihmës së shpejtë, brenda tri orësh, në mes të natës, mbërritën në Balauej. Kirurgu ortoped Bekitheba Nkabe, rreth të dyzetave, i njoftuar qysh më parë, priste në spital. Përveç mjekimeve në kokë, në gjoks e në shpinë, doktor Nkabe ia preu krahun e djathtë. Operacioni zgjati shtatë orë.

Pas dy ditë kërkimesh, trupin e Evans Namasangos e gjetën në fund të ujërave.

Deri më sot, në tërë lumin e madh Zambezi, askush s’është përballur me aq guxim e vendosmëri me hipopotamin e tërbuar, si Pol Templeri. Pas dorëheqjes nga puna e udhërrëfyesit, ai i la lundrat e lumenjtë dhe u kthye në Savane. Atje shërbeu në ekspeditat, që përshkonin Zimbaven, Namibinë e Bostvanën.

Sado që u përpoqën gjahtarët profesionistë ta bindnin administratën e Parkut kombëtar dhe të kafshëve të egra, që ta vrisnin hipopotamin e tërbuar, nuk ia arritën. Ai ndodhet ende atje, në lumë, dhe pret të tjera viktima!

***

TRIMËRIA E LEPURIT VESHGJATË/

Autor: D. Mamin -Sibirjak/

Në një pyll të dendur me lisa e shkurre lindi një lepurush veshgjatë, syshtrembër e bishtshkurtër. Sapo doli nga strofkulla për herë të parë, në ato orë mëngjesi, e gjer në mbrëmje, ai u tremb e u tremb sa gjaku desh i ngriu. Kështu një ditë, dy, një javë, dymbëdhjetë muaj… I gjori lepurush! Dhe e gjithë kjo ndodhi, nga tërë ç’pa e dëgjoi përqark. Nga gurët përtokë e nga drurët, që ngriheshin përpjetë. Kërciste një degëz e thatë, fërfërinin gjethet nga era, brofte lart në majën e lisit një zog, binte një top bore përdhe, zemra e lepurushit në gji dridhej e përpëlitej!

Hë, hë, lepurushi u rrit e, së fundi, u mërzit aq fort nga ajo gjendje, sa befas nuk pati më frikë nga asgjë dhe nga askush.

– S’ia kam frikën kujt! – thërriste nëpër pyll. – Ta dini mirë, se asgjë s’më tremb! Asnjë s’ma del për guxim e trimëri!

Me të dëgjuar ato thirrje lepujt e moshuar, të rinj e të reja dhe plot nëna me lepurushët, u mblodhën te sheshi në mes të pyllit. U habitën e nuk po u zinin besë veshëve nga ato që thoshte lepuri syshtrëmbër e bishtshkurtër. Deri atëherë s’ishte parë e as dëgjuar që një lepur të mos trembej nga askush.

– Hej, Veshgjatë, as nga ujku nuk ke frikë ti?

– Jo! As nga dhelpra, nga ariu e nga kushdo qoftë!

Me ato fjalë të gjithë sa qenë, i madh e i vogël, u zbavitën si asnjëherë tjetër. Të rejat kukurisën, duke e mbyllur gojën me putrat e para. Gratë e mira qeshën me gjithë shpirt. Madje, edhe pleqtë, që kishin shpëtuar për një qime nga kthetrat e dhëmbët e ujkut, vunë buzën në gaz.

“Sa lepur qesharak!” – dëgjoheshin zëra nëpër sheshin me hije.

Të gjithë u pushtuan nga një gazmend i papritur. S’mbeti asnjë nga lepujt pa u gajasur. Filluan të luanin laradasha, të hidheshin përpjetë, të bridhnin e të ndiqnin njëri – tjetrin si të marrë.

– Ç’ta zgjas me ju! – bërtiti lepuri i trimëruar. – Dëgjoni, pra! Po më ra ujku në putra, pa një pa dy, do ta shqyej në vend!

Plasi gazi përsëri.

– Ha, ha, ha! Çfarë karagjozi! Pa shih, ç’budalla! – thërrisnin lepujt me sa u hante fyti.

Ndërkaq, ujku i uritur sillej nëpër pyll. Ec e ec dhe mendonte:

“Ah, sikur të kapja dot qoftë edhe një lepur sot! Do ta gëlltisja në çast gjithë lezet!”

Kur, befas, diku pranë dëgjoi se një tufë e tërë lepujsh bërtisnin dhe qeshnin me të madhe. Ndaloi, nuhati ajrin, eci vjedhurazi ngadalë – ngadalë përmes shkurreve dhe mbërriti fare afër sheshit, ku lepujt vazhdonin të luanin, të qeshnin e të talleshin me mburravecin veshgjatë e syshtrembër, që thërriste më fort se ata.

“Eh, vëllaçko, prit edhe pak, se në dhëmbët e mia do ta mbyllësh atë gojë llafazane!” – mendoi ujku dhe hodhi sytë të shihte, teksa tërë ajo zhurmë gazmore u ndërpre, kur mburraveci i ngritur mbi këmbët e mbrapme, thirri:

– Dëgjoni, o frikacakë! Tani do t’ju tregoj diçka për të qeshur! Unë… Unë…Unë… Në atë çast gjuha i ngriu. Kishte pikasur me dridhmë sytë e ujkut, që e vështronin drejt dhe s’po mbushej dot me frymë.

Pas pak, ndodhi diçka e papritur. Lepuri mburravec kërceu lart dhe ra si top mbi ballin e gjerë të ujkut. U rrokullis mbi shpinën e tij, u rrotullua rreth vetes në ajër, mandej u përplas në tokë. U ngrit dhe ia dha vrapit me sa mundi. Vrapo e vrapo! Të gjorit lepur i dukej se ujku po e ndiqte këmba – këmbës, për ta kapur me dhëmbët e mprehtë. Së fundi, i lodhur tek s’mban më, iu prenë gjunjët, mbylli sytë dhe u rrëzua pa ndjenja te një gropë nën shkurre. Kurse ujku në atë kohë po vraponte në drejtim të kundërt. Në çastet kur lepuri i pati rënë përsipër, ai kishte pandehur se dikush e qëlloi fort. Ndaj, i tmerruar, ia mbathi nga sytë – këmbët. Pasi u largua shumë, u ndal e i zemërruar siç qe, tha me vete të shkonte nëpër pyje të tjerë, me shpresë se mund të gjente lepuj, ndryshe nga ato soje shtazësh të çuditshme, që luanin, qeshnin dhe qëllonin me gurë, apo plumba!

…U desh një kohë e gjatë që lepujt të mblidhnin veten. Disa qenë fshehur brenda zgavrave të drurëve, disa nën shkurre, të tjerët në hendeqe mbuluar me bar. Më në fund, u mërzitën tek rrinin të fshehur dhe filluan një nga një të nxirrnin veshët jashtë e të përgjonin me kujdes. Pastaj dolën dhe kërkuan njëri – tjetrin.

– A pa, pa, sa u trembëm! E patë si ia punoi ujkut lepuri ynë guximtar? – tha më i zgjuari. – Po të mos qe ai, asnjë nga ne s’do të mbetej gjallë!

Lepujt në shenjë miratimi tundën veshët.

– Po tani ku është ai? – pyeti një lepur i moshuar. – Mos vallë e ka ngrënë ndonjë ujk tjetër?

– Ç’thua ashtu, xhaxha!? – thirrën shumë të tjerë dhe nisën ta kërkonin nëpër pyll. Ec e ec! S’ka! Ec e ec! S’ka!

– Ja, ja, tek po fle! – bërtitën tre lepuj të rinj.

Pas atij tmerri, lepuri i patrembur ishte zhdukur nëpër shkurre dhe qe shtrirë pa frymë te një gropë. Dukej sikur flinte. Teksa qëndronte pa lëvizur, dëgjoi tek i thoshnin:

– Të lumtë! Çohu, o shpëtimtari ynë!

Lepuri kapsallti sytë, u ngrit, u shtriq disa herë dhe doli nga gropa.

– Faleminderit, vëlla! – brohoritën lepujt rreth tij.

– Ah, frikacakë! Pse, ç’ menduat ju!? Ende s’e ditkeni, se kush jam!? – ua ktheu lepuri me mburrje.

Më i zgjuari e mori fjalën pësëri:

– Me shkathtësinë dhe guximin tënd, o trim, e tmerrove ujkun e lig!

Qysh nga ajo ditë, edhe Veshgjati syshtrembër e bishtshkurtër, nisi të besonte vërtet, se nuk i trembej kujt dhe se ndërmjet shumë të tjerëve ishte ai, vetëm ai, që e kishte tmerruar ujkun e uritur!

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: DY PËRKTHIME, NË LUMIN ZAMBEZI, NGA AGIM XH. DESHNICA, TËRBIM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 269
  • 270
  • 271
  • 272
  • 273
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT