• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Odisea e një fisi

April 24, 2016 by dgreca

Nga  Reshat  Kripa/*

Ato ishin dhjetë. Tetë prej tyre kishin të njejtin mbiemër ‘’Ndreu‘’, mbiemër i njohur në gjithë Shqipërinë. Diktatura i shpërnguli nga veriu në jug. i vrau, i burgosi, i internoi me qëllim që t’i çfarroste. Shifrat janë rrënqethëse. Vetëm pjestarët e familjeve që banojnë në Vlorë (familje të tjera jetojnë në vise të ndryshme të vendit ) kanë bërë 156 vjet burg, 650 vjet internim dhe tre të pushkatuar Ganiun, Avdiun dhe Sabriun.

Ato ishin bijat dhe nuset  e djemve të tyre  që u futën në grevë urije për të protestuar kundër shkaktarëve të gjëmës së madhe që mbuloi gjithë atdheun.

Kush ishin ato?

Vali nuk e prishi traditën familjare. i biri Eduardi pjesmarrës i grevës së urisë të studentëve. i vellaj Qazimi në grevën e urisë të të përndjekurve politikë të Tiranës. Vazhdimësi vetmohimi. Emineja 53 vjecare protestonte për të shoqin Avniun e gjymtuar që rregjimi nuk e la të plotësonte dëshirën e tij për t’u bërë shkrimtar dhe për të cilën kishte aq shumë prirje. Hyrija, Afërdita, Qerimeja dhe Pjereta që fatin e tyre e lidhën me atë të këtij fisi të dënuar. Ato nuk donin që fëmijtë e tyre të kishin fatin e baballarëve Pullumbit, Azizit, Lutfiut dhe Memduit . .Monda me Mozën që me vetmohimin e tyre kërkonin të drejtën e barazisë për veten dhe baballarët e tyre  te shumëvuajtur Rexhepit dhe Baftjarit. .Me to ishte bashkuar natyrshëm edhe Shpresa që sapo ishte kthyer nga Berati ku kishte shkuar për të kërkuar eshtrat e të atit, Ramadan Zdravës, vdekur në qelitë e errëta të sigurimit. E fundit ishte Etleva e vogël 18 vjecare, bija e Etem Brahimit të drobitur nga vitet e burgut

I kam njohur këta njerëz 35 vjet më parë. Më bashkoi me ta idea e përbashket, vuajtjet e përbashkëta. Ishin ato vite kur njerëzit  na shihnin me frikë, bile disa me mosperfillje. Oh ironi! Sa të varfër shpirtrat e tyre!

Nuk dua të shkoj larg në pemën gjenealogjike të ketij fisi. Po e filloj nga shekulli ynë. Gjyshi i tyre Elez Isuf Ndreu, luftëtar i shquar kundër turqve, armik i betuar i serbëve, besnik i parimeve republikane bie në dhjetor 1924 në mbrojtje të lëvizjes fanoliste.

Viti 1946. Atë që nuk e bënë dot serbët, e bëri rregjimi i Enver Hoxhës. i burgosën, i vranë, kullat u a dogjën, tokat dhe bagëtitë ua morrën, i shpërngulën forcërisht me gra dhe fëmijë në zonat e jugut të Shqipërisë. I gjatë dhe interesant itinerari që përshkuan. Filloi në Sllovë, vendlindja e tyre për të vazhduar në Strugë, Ohër, Qaf-Thanë, Elbasan, Berat, Kucovë, Lushnje, Fier, Tepelenë, Vlorë për të përfunduar në Lubonjë. Them interesant se duket e çuditëshme që për të ardhur nga Dibra në Vlorë duhej kaluar nëpër Jugosllavi. Me këtë veprim diktatori donte t’u tregonte padronëve të tij jugosllavë se ai po realizonte atë që ata nuk kishin mundur ta bënin, zhdukjen e këtij fisi të madh. Ai  po u jepte atyre shpërblimin për ndihmën e dhënë kur e vendosën në krye të pushtetit.                                                                                                                                                                     Viti 1949. në bangon e të akuzuarve 13 pjestarë të këtij fisi, 11 prej të cilëve vëllezër, bijtë e Cen Elezit. Dëshmitar i akuzës në gjyq, presidenti i ardhshëm i Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi. Thonë se edhe sot kur bie për të fjetur i dalin para syve seancat e këtij gjyqi. Atëhere ai dëshmonte:

– Këta janë të gjithë reaksionarë, që nga më i vogli dhe deri te më i madhi. Kështu kanë qenë edhe baballarët edhe gjyshllarët e tyre.

Ndërsa    Xhelali,     zotërues    i    anglishtes,    italishtes, gjermanishtes,     turqishtes    dhe rusishtes, që më vonë do të shkruante dy drama në vargje, tre romane, dy monografi për jetën e dibranëve, si dhe mjaft poezi, të cilat nuk mundën asnjëherë të shohin dritën e botimit, u përgjigj me krenarinë e dibranit:

– Nëqoftëse kapemi prej baballarësh, ju jeni i biri i Halit Lleshit, personit me gjak të zi serbi, qi për nandë vjet rrjesht ka luftue kundër Dibrës, përkrah forcave serbe që kërkonin me vendosë kufinin në krahun e djathtë të lumit Drin.

Dëshmitari i rremë nuk gjente dot fjalë për t’u përgjigjur.

Sa  vuajtje  rënduan  mbi  shpatullat  e  këtyre  njerëzve!

Kudo që shkonin ndjenin pas vehtes diskriminimin e tmerrshëm. I diskriminonte shteti me anën e agjentëve të sigurimit, i diskriminonin edhe servilët hipokritë të rregjimit. Po t’i pyesësh ata të flasin me neveri për mësues Enverin që u thoshte vazhdimisht fëmijve të tyre se do t’u  shtypte  kokën. Por  si  krye  shembull  të terrorit ata të tregojnë kampin e tmerrshëm të Turanit në Tepelenë.

– Mathauzeni dhe kampet e tjera naziste nuk ishin gjë para tij.- tregon Azizi i menduar.- Ende i kam parasysh lotët e nënave të pafuqishme përpara fëmijve që u vdisnin para syve për një kafshatë buke. Kujtoj Kec Grimcin që i ngrirë plotësisht në momentin e fundit përmblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u tha familjarëve te tij

– Mos harroni racionin tim të bukës!

Azizi hesht. Më lutet që këto të mos i botoj, pasi ndoshta ndonjë ditë do të ulet t’i shkruajë më me hollësi. Por unë po i shkruaj. Ato janë gjëra që nuk duhen harruar.

Dëgjoj fjalët e tij dhe para syve më dalin Haliti, Fuati, Islami, Irfani dhe të tjerë burra të këtij fisi që sot nuk jetojnë më. Më del Bexheti të cilit do i shkonte shumë për shtat malsori që Migjeni do ta quante:

 

  ‘’ Një copë mali e vendosun mbi dy kambë të forta.’’

 

E pra sot kjo’’copë mali’’ mezi qëndron në këmbë. Pesha e rëndë e këtyre viteve i ka dhënë frutet e saj. Megjithatë një gjë nuk ka mundur të mposhtë, forcën shpirtërore dhe besimin e tij.

– Kam një deshirë të madhe – thotë ai – dua që vajza e ime Brunilda të studiojë jashtë shtetit.

Brunilda është nxënëse e vitit të fundit të shkollës së mesme. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Njeh mirë italishten dhe vazhdon të studiojë frëngjishten.

A do të plotësohet dëshira e Bexhetit? Apo do të vazhdojnë të mbajnë ende mbi supe peshën e rëndë të diktaturës? Kush do të vërë dorë për ta?

Presidenti, Parlamenti, Qeveria heshtin. Ata vetëm premtojnë. Sa do të vazhdojë kështu? Kjo pyetje kërkon pergjigje.                                                                                Vlorë, më 28 tetor 1991

*Marre nga libri: “Një tregim për mikun tim”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nga Reshat Kripa, Odisea e një fisi

LILI

April 23, 2016 by dgreca

Tregim nga Ilir LEVONJA/

Lili/

Lili është një vajzë pesë vjeçe. Prindërit e sjellin përditë tek gjyshja që me natë. Punojnë larg dhe me orë të gjata. Gjyshja e ka shtëpinë në një lagje të re, faqes së kodrës, ku dikur ndodhej një fermë agrumesh dhe vreshtarie. Tani e shkuara është coptuar në kopshtije. Tek-tuk gjallon ndonjë pemë ulliri, më shumë për dekor. Kurse vreshtave u humbi gjithçka.

Lili mërzitet pasi e kalon ditën vetëm. Në shtëpinë përballë, jeton një moshatar i saj. Pak është takuar me ‘të. E quajnë Endri. Po gjyshja nuk shkon mirë me fqinjin. Kështu Lili e ka të ndaluar të kërkojë të luaj me djalin moshatar.

Dimrit bën si bën. Natyra pa shumë gjallëri, pa zogj e ngjyra, sikur nuk e tërheqin përjashta. I buhaviten duart nga të ftohtit.

Ndërsa tani është pranverë. Kopshti ka plot bar të njomë. Kanë çelur zymbylët dhe kaçet gjithandej. Megjithatë gjyshja nuk e lë.

Një mëngjesi poshtë në kopësht u dëgjua një kërkëllitje sikur të rrëzoheshin një mal me dërrasa. Pastaj plot cicërima të tjera dhe ca flatra shpezësh. Lili iu avit dritares duke u ngritur në majë të gishtave. Në fillim u hutua pasi për shkak të diellit, aty përball në xhamin me vraga plahuri, iu shfaqën dy sy të kthjellët. E vështronin ngultas. Kaq të kthjellët ishin sa trishtimi që kishin brenda, pikohej të harku i buzëve të vogla. Flokët e verdhë patën krijuar tek-tuk ca cullufe kryeneçe. Por shpejt u kujtua se kukulla përballë nuk ishte tjetër kush por ajo.

-Hë, haje tani, mjaft u bëre çupë e keqe. Nëna të ka xhan fort ti e di. Por përjashta nuk të lë të dalësh. Ka rrugeçër rruga. Sikur të ma marrin vajzën mua. Ë? Si t’ia bëj nëna pastaj pa mbeskën e saj të bukur e sy shkruar?

Lilit i hipi në kokë. Nuk e hapi gojën. Madje në heshtje mori një vendim. Hataja të bëhej nuk kishte për të ngrënë një lugë nga çfarë i gatoi gjyshja. Pastaj këto përrallat me ta marrur e me të shitur. Kush do ta merrte? Në atë rrugë flinte gjithçkaja dhe nuk pipëtinte veç asgjëja. Qe vetëm  Endri. Por gjyshes i qe shkrepur në kokë që ata most ë shoqëroheshin bashkë. Dhe me sa kishte kuptuar nga bisedat e gjyshes me prindërit dhe dajen e saj, shkurt nuk i pëlqente familja. Ajo thoshte se ishin soj nga ata që shisnin me tezga në rrugë. Por që u kishin rënë për pjesë. Ndaj një e më dy ngushëllohej duke thënë se, vetëm fqinjin nuk e zgjedh dot njeriu.

-Po lëre moj mama gocën të lozi përjashta, -tha daja teksa po dilte.

-Rri urtë se e di unë atë punë, – ia ktheu ajo.

-Epo mërzitet, fëmijë është, -tha ai.

-Ja ka plot lodra ajo. Televizorin po e ka, – tha gjyshja.

-Po çtelevizor moj. Vi unë e zë e shoh lajmet. Iki unë e zë ti me telenovelat. Pikë e zezë, – tha daja dhe doli.

Por gjyshja as që vrau shumë. U ngrit e shkoi të përgatiste banjon pasi ishte djersitur gjithë natën. Kështu do bënte mire t’i hidhte trupit ca ujë.

Lilit i pikoi. Tani që doli edhe daja i humbi shpresat fare. Shikoi kopshtin plot diell. Ulliri i ngjan një kaçubeje të këndshme përrallash. Ka shumë zgërbonja nga ku futen e dalin zogj. Vajza dalloi një zog midis zogjve. I shkathët,  e çukiste trungun duke i ardhur përqark si një gaztor në botën e filmave.

-Shiko se do lahem pak nëna. Se mos më del nga shtëpia ë?. Hë të keqen.! Kush e duron tët ëmë pastaj. Ma morën gocën, ma hëngrën gocën….

Lili u squll pas perdes. Vendi ku fut qukapiku qe një gojëz e vogël. Zogu ndenji për pak brenda, pastaj doli sërish. Çukiste, nxirrte diçka me sqep, futej brenda. Pastaj prapë të njëjtën gjë. Lili mendoi se duhej të ishin zogjtë e tij. U bë kaq kureshtare sa frymëfikur, zbriti shkallët dhe doli pupël e lehtë përjashta e drejt e në kopësht. Qukapiku flatroi diku më sipër ku koloviteshin ca zogj të tjerë. Çoir ajrit ca piskama. Lilit aq i bënte. Futi dorën por në vend të zogjve zuri me majë të gishtave dy thingla si rrumbullake. Duhet ishin vezët. Me frikën se  mos i krakeshin në dorë, u përpoq t’i nxirrte. Donte të shikonte se si ishin vezët e qukapikut. I ndjente, ua kuptoi formën. Por donte të shikonte ngjyrën. Zogu rrapallitej sipër kokës. Flatronte gjethet me krahë, ndalonte për pak në një gjymtyrë dege. Më pas i vërsulej trungut me kërkërrre të mëdha. Lilin e zuri paniku. Nuk po e nxirrte dot dorën. Nga ana tjetër nuk e shtrëngonte dot. Se ndofta ashtu mund edhe ta nxirrte. Por i trembej krakjes së vezës. Donte vetëm sa t’i shikonte.

Sakaq e thirri gjyshja nga dritarja.

-Lili, ku je moj korbë?

Vajza i la vezët, por prapë nuk e nxorri dot dorën. I dhembi në anët. Diku u gërvish. Vrimëza e zgërbonjëzës qe gjithë ngleçka.  U hutua…

Gjyshja  erdhi gjithë tërsëllimë. I shkuli veshin.

-Si të thashë të dalësh, ë?

Mirëpo në çastin që e tërhoqi, Lili u step mbrapa. Zuri të qajë me të madhe. Gjyshja vetëm atëhere e kuptoi se vajzës i kishte ngecur dora brenda në folenë e qukapikut. Madje që gërvishur.  I kishte dale pak gjak. U alarmua. I ra qielli mbi kokë.

-Prit të marr ca ujë e sapun. Oh, jo.

Sillej vërdallë. Vajza ulërinte. Nga jashtë u dëgjuan të thirruara.. Erdhi njëri fqinj. Erdhi tjetri… e kështu bënë disa. Ndërkohë një burrëplak u nis të thërriste infermieren e lagjes. Erdhi dhe ajo. Lili qante.

Ranë në hall, një tufë gjyshe e gjyshër. Infermerja. Dikur u afrua edhe Endri.

-Po ti këtu?

Djali i fqinjit mblodhi supet.

Gratë bën si bën dhe e qetësuan vajzën. Por prapë dorën nuk po dinin si t’ia nxirrnin.

-Sikur ta tërheqim njëherësh?

-Qyqja t’i këpusim krahun?!

-Je në terezi, pesë vjeçe fëmijë!

-Bobo erdhi dreka, ç’më gjeti mua të zezën. Kush e duron time bijë.

-Kur vine ata?

-Nga darka!

-Deri në darkë e kemi sharruar këtë ulli njëzet herë ne.

-Sharrojmë?

-Në mos e sharrojmë, ja një sopatë kësaj bujashke dhe kaq.

-O bo bo, sopatë…hata e madhe. Po pse moj të keqen nëna nuk rrije dot brenda me televizorin ë? Shikoje kukullat, luaje syllambylla. Bëje shtëpi, ashtu si ne. Nuk e di lojën me shtëpi ti. Ta mësoja unë ty ?

Ndërkohë Endri u afrua. I vuri dorën në kokë Lilit. Ajo e pa me dashuri.

-Po ti, – kërceu gjyshja.

-Lëre, – i tha infermerja dhe i doli përpara gruas.

Plaku sapo erdhi me sopatën e madhe. Dihaste. Dy gratë e tjera i kërkuan të mos ngutej. Ndofta fëmijët e gjenin gojën përmes njëri-tjetrit. Nganjëherë ata janë më të mençur se ne të mëdhenjtë. Kështu i tha njëra nga ato, burrit me sopatë në dorë.

-Lili qyç e paçe kul e fute? – foli Endri.

-E pata paçe e bëla guçe! – ia ktheu Lili.

-Bëje plapë paçe qyç e paçe dhe xile jaçe, – i tha Endri.

Dhe Lili fësht, e nxorri dorën.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: LILI, Tregim nga Ilir LEVONJA

Gabriel Garsia Markez-DO T’U JEPJA VLERË GJËRAVE…

April 23, 2016 by dgreca

Gabriel García Márquez – 1927- 2014./

 Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez, i njohur Edhe ju Gabo), shkrimtar i njohur kolumbian. Lindi më 6 mars 1927 ne Arakataka, një fshat i Vogel pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Vdiq, më 17 prill 2014./

DO  T’U JEPJA  VLERË GJËRAVE…/

 Do t’iu jepja vlerë gjërave jo për aq sa vlejnë/

por për domethënien e tyre./

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë./

Di se për çdo minutë që mbyllim sytë

humbim 60 sekonda dritë çokollate.

 

Po të më jepte një copëz jete, Perëndia,

i veshur me rroba të thjeshta, do të shtrihesha në diell

dhe do të lija lakuriq në diell, jo vetëm trupin tim

por edhe shpirti im.

Perëndia ime, po të kisha zemër, do të shkruaja urrejtjen time mbi akull

dhe do të prisja që të ngrihej dielli.

Do të pikturoja yjet me një ëndërr të Van Gogut.

me një poemë të Benedetit, një këngë të Serrait

kjo do të ishte serenata ime hënës.

 

Do të njomja me lotët e mi trëndafilat

Për të ndjerë dhimbjen e gjembave

dhe puthjen portokalli të petaleve.

 

Perëndia ime, po të kisha ende një copë jetë

nuk do të lija të kalonte as edhe vetëm një ditë

pa u thënë njerëzve se unë i dua, i dua njerëzit.

 

Do të bindja çdo burrë dhe çdo grua

të cilët janë favorite e mi

dhe do të jetoja i dashuruar me  dashurinë.

 

Dhe do t’iu dërgoja njerëzve se sa shumë gabojnë

kur mendojnë të ndalen së dashuruari mes tyre

kur plaken  pa e ditur se ata po plaken

kur ndalen së dashuruari mes tyre.

 

Do t’i japja krahët çdo fëmije

por do ta lija që të mësonte, të fluturonte vetë.

 

Pleqve do t’u mësoja se vdekja

nuk vjen me moshën, por me harresën.

 

Kam mësuar shumë gjëra nga ju, nga njerëzit …

Kam mësuar se të gjithë, në botë,

duan të jetojnë në majë të malit

pa e ditur se lumturia e vërtetë

qendron në atë se si ngjitet shpati.

 

Kam mësuar se kur një i porsalindur kap,

për herë të parë, me dorën e tij të vogël,

gishtin e babait, do ta mbajë të burgosur përgjithmonë.

 

Kam mësuar se një njeri

ka të drejtë të shohë një tjetër njeri

nga lart poshtë, vetëm kur e ndihmon të ngrihet.

 

Janë të shumta gjërat që kam mundur të mësoj nga ju

por s’do të më duhen me të vërtetë shumë më shumë

sepse kur ata do të shohin në këtë valixhen time,

fatkeqësisht unë do të jem duke vdekur.

 Përktheu: Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Gabriel García Márquez, perktheu

ANTON CEFA- Në kërkim të Fjalës së Urtë

April 23, 2016 by dgreca

ANTON CEFA/

Në kërkim të  Fjalës së  Urtë/

Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë,

U ngjall apo s’u ngjall

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma të fismin

E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

 A thue nga alkimi e kohës së pakohhë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

***

Ju orakuj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se frut i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej

Shporrnju u tham, si Edgard Poe  dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: ANTON CEFA- Në kërkim, të Fjalës së Urtë

LETERSI-Rudyard Kipling, NOBELISTI V 1907

April 19, 2016 by dgreca

NOBELISTI  V  1907/

RUDYARD KIPLING  1865 – 1936/

 Rudyard Kipling (Bombay sotMumbai, 30 dhjetor 1865 – Londër, 18 janar 1936), shkrimtar anglez

Në fëmijëri e mësoi gjuhën hinduse, vazhdoi shkollën ushtarake në Devonshire, ndërsa më 1882, u kthye në Indi dhe punoi si gazetar.

Në vitin 1907 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi.

 MOTIVACIONI:

«Duke pasur parasysh fuqinë e vëzhgimit, origjinalitetin e imagjinatës, fuqinë e ideve dhe talentin e shquar për transmetimin  të cilat karakterizojnë krijimet e këtij »

______________________________________________

      NËSE …

Nëse do t’arrish të mos hutohesh, kur të gjithë 

rreth teje hutohen, duke ta hedhin fajin ty;

nëse do t’arrish të kesh besim te vetja, kur të gjithëte vetja dyshojnë,

dhe duke llogaritur edhe dyshimin e tyre;

nëse ti do t’arrish të presësh pa u lodhur nga pritja,

nëse ti i përgojuar, s’do të humbësh kohë me përgojime,

apo nëse i urryer, ti nuk do të merresh me urrejtje,

pa kërkuar të dukesh shumë i mirë, apo tepër i urtë;

 

nëse ti do t’arrish të ëndërrosh, pa e bërë ëndrrën padronen tënde;

nëse ti do të arrish të mendosh, pa e bërë mendim qëllim.

Nëse ti do t’arrish të përballesh me suksesin dhe dështimin

duke i trajtuar këta dy mashtrues njëlloj,

në se ti do t’arrish të dëgjosh të vërtetën të deformuar

nga mashtrues që dan të të fusin në kurth si një naiv,

apo të shohësh tëshemben  gjërat për të cilat ti jep jetën

dhe të kërrusësh shpinën për t’i mbledhur ato me mjete të përshtatshme;

 

nëse do t’arrish të mbledhësh të gjitha fitimet e tua

dhe t’i rriskosh ato vetëm duke hedhur zarin,

të humbësh dhe të fillosh përsëri, krejt nga fillimi

pa marr kurrë frymë dhe mos thuaj asgjë për humbjet;

nëse ti do t’arrish të shtrëngosh zemrën, nervat dhe muskujt,

megjithëse i rraskapitur  për ca kohë, për t’u shërbyer qëllimeve të tua,

dhe të mbahesh fort, kur asgjë s’mbetet më tek ty

përveç vullnetit që thotë: «mbahu fort!»;

 

nëse  do të arrish të flasësh me turmat duke ruajtur virtytet e tua,

ose  të shetisësh me Mbretin dhe të mos e humbësh e tua të zakonshme;

nëse as armiqtë apo miqtë e shtrenjtë s’do t’arrijnë të të godasin

nëse të gjithë kanë rëndësi për ty, por askush tepër;

nëse ti do t’arrishd të përjetosh minutën e pamëshirshme

dhe t’i japësh vlerë secilit nga të gjashtëdhjetë sekondave

atëherë bota do të jetë jotja, me gjithçka që ajo përmban,

dhe- ajo çka vlen më tepër, ti do të jesh Njeri, biri im!

 

 

 

 

Ati që këshillon dhe biri që dëgjon

 

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: NOBELISTI V 1907, Rudyard Kipling

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • 271
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT