• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në prag të miratimit të ligjit mbi “Reformën në Drejtësi”

May 3, 2016 by dgreca

Fragment nga romani “Në kerkim të lirisë”/

Nga Reshat  Kripa/

Tashmë   pushteti   kishte   kaluar  në  duart  e  së majtës. Ajo e kishte fituar atë me forcën e  armëve, si dikur pesëdhjetetre vjet më parë

Natyrisht, në këto kushte,  ajo e ndjente për detyrë të shpërblente ata që e kishin ndihmuar të vijnë në pushtet. Kështu Bilalin e emëruan drejtor të një instituti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Drinin e dërguan si diplomat diku në një shtet të lindjes, ndërsa Fatlumi na doli si një analist dhe komentator politik i përsosur, që jepte mendime në çdo organ shtypi dhe ekran televizioni, si specialist i të gjitha fushave të jetës së përditshme.

Në këto  kushte  ishte  e  pamundur  që  shoqata  të zhvillonte  më tej veprimtarinë e saj. Ndaj Fatosi qëndronte pothuajse vetëm duke menduar për mënxyrën që kishte kllaposur vendin. Nga detyra e drejtorit e kishin shkarkuar dhe tani jetonte vetëm me pensionin e tij. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe Hektori  me Dianën.

Me   këto   mendime   rrinte   pranë    ekranit    të televizionit dhe shikonte pa e patur mendjen aty. Po jepeshin lajmet kryesore të ditës. U zgjua papritmas nga haluçinacionet   ku   jetonte   nga  zëri  i  spikeres  që  bëri  njoftimin.

Sot, në mbrëmje  u  vra  nga  persona  të  paditur, pranë   selisë   së   partisë   së    tij, udhëheqës  i   lëvizjes studentore të viteve 90-të (spikerja përmendi emrin e tij), së bashku me shoqëruesin e vet, ndërsa shoqëruesi tjetër mbeti i plagosur rëndë (edhe në  këtë  rast  spikerja përmendi emrat e tyre).  Policia është  vënë  në ndjekje  të vrasësve.

Fatosit iu duk sikur  një  bombë  kishte  shpërthyer në këmbët e tij. Udhëheqësi i studentëve ishte bërë një figurë e njohur në politikën shqiptare. Dy herë më parë u kishte shpëtuar atentateve të kryera dhe pas çdo here    gjëmonte      më     fort    zëri    i    tij    në     mbrojtje     të deokracisë  që  tashmë ishte përdhunuar.

Ai e njihte edhe shoqëruesin e udhëheqësit. Ai ishte biri i një ish të burgosuri politikë, një burrë mjaft serioz dhe korrekt. Ai e dinte se ata i vrau dora e zezë e krimit, dora e pasardhësve të atyre që kishin vrarë dhe burgosur prindërit e tyre, dora e ish-Sigurimit të Shtetit e rivendosur përsëri në pushtet, ndonëse me emër tjetër, atë të partisë socialiste, të asaj partie që  gatoi tmerret e vitit 1997 dhe uzurpoi pushtetin, duke përmbysur me forcë fitoret demokratike të arritura deri atëherë në vend.

Dy ditë tmerri dhe terrori vijuan këtë ngjarje të tmerrshme. Dy ditë të zeza për popullin shqiptar. Ishte vrasja e shekullit. Partia Demokratike i demaskoi menjëherë vrasësit, por organet qeveritare e bënë veshin e shurdhër, se ishin vetë ata që e kishin përgatitur këtë komplot.

Fatosi e shikonte udhëheqësin madhështor në krye të studentëve të Tiranës, për të rrëzuar sistemin e urryer që sundoi për gati një gjysmë shekulli në vendin tonë E shikonte në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997, si një pishtar që ndriçonte për të ndritur rrugën e demokracisë. Por me një madhështi më të madhe e shikonte pas ngjarjeve tragjike të atij viti të zymtë. E shikonte madhështor të endej nga një qytet në tjetrin për t’i treguar njerëzve se vazhdonte të jetonte dhe të luftonte për rivendosjen e demokracisë së përdhunuar. Një gjë e tillë nuk kishte se si të mos binte në sy të kriminelëve që i ngritën disa kurthe dhe prita. Fatosi kujtonte ngjarjet e Tropojës, Milotit dhe sidomos atë të parlamentit, ku plumbat e një vegle qorre të Sigurimit e plagosën rëndë, por  që për fatin e tij nuk mundën t’ia merrnin jetën. Ai kishte parasysh figurën e tij heroike në parlamentin shqiptar, pas daljes nga spitali, me duart e kryqëzuara lart ku, pa iu dridhur qerpiku, u çirrte maskën  mafiozëve, autorëve kryesorë të masakrës së vitit 1997. Ndaj e vranë. E vranë pabesisht ashtu siç ishin mësuar prej kohësh, ashtu siç kishin vrarë prej kohësh.

Së bashku me të vranë edhe besnikun e tij. Ai ra për të mbrojtur mikun. Ranë që të dy njëri pranë tjetrit, të lidhur pazgjidhshmërisht edhe në vdekje. Familjes së shoqëruesit, një familjeje fisnike nga veriu i vendit, nuk i kishin mjaftuar përndjekjet e të atit, një malësori të urtë dhe të ndershëm. Nuk i kishin mjaftuar kaq vite vuajtjesh të pashembullta nën regjimin diktatorial ku, me gjithë varfërinë e tejskajshme, asnjë herë nuk e kishte ulur kokën, por kishte qëndruar gjithmonë ashtu siç i ka hije një malësori dhe familjeje krenare. Ajo duhej goditur atje ku i dhimbte më tepër. Dhe ky ishte biri i tij i mirë, i urtë dhe besnik deri në vdekje. Kjo ishte tradita e trashëguar nga prindërit dhe krahina e tij e nderuar. Dhe ai diti t’i ruajë ato me nder. Ai u vra se i përkiste një familjeje tradicionalisht të lidhur me  Mbretin  Zog  dhe  Partinë  Lëvizja  e Legalitetit.

Dita   e   nesërme.   Kryeqyteti   zjente.   Revolta popullore për vrasjen mizore shfaqej nëpërmjet manifestimit paqësor të popullit, nëpër rrugët e kryeqytetit.  Me këtë manifestim ata donin që t’i jepej fund njëherë e mirë vrasjeve barbare që kishin filluar në vendin tonë, nën ombrellën qeveritare. Manifestuesit as nuk dogjën dhe as nuk vranë, as hapën depot e armatimit dhe as rrëmbyen armët, siç kishin vepruar komunistët një vit më parë.   Megjithatë u vranë. U vranë se ishin demokratë. U vranë se ishin të përndjekur politikë nga diktatura. Në këtë manifestim paqësor, krahas dhjetra të plagosurve, qëllohet për vdekje Lulzimi, biri i nacionalistit të njohur Saimirit, një oficer i lartë që kish mbaruar studimet e larta në Torino të Italisë, vrarë edhe ky në ditët e zeza të nëntorit të vitit 1944. Vrasja e Lulzimit u krye me snajper nga godina e Kryeministrisë. Ishte një vrasje e paramenduar. Pasi kishin vrarë disa nga krerët e asaj organizate atdhetare, që për parullë kishte: “Puna jonë në robëri është Lufta. Lufta jonë në liri është Puna”, filluan   të   vrasin   edhe   bijtë   e   tyre.

Kaloi dhe një ditë  tjetër.  Zhvillohej  ceremonia  e varrimit të martirëve. Pas mbarimit të mitingut të përmortshëm, turma drejtohet me arkivolët drejt Kryeministrisë, shkaktares së kësaj masakre. Përsëri krisma. Në rrugë kundër popullsisë shfaqen edhe tanket. Popullsisë nuk i mbetet tjetër veçse të ngrihet në revoltë. Por thirrja e burrave të urtë të kombit, që nuk donin më të derdhej gjak, që donin që gjithçka të zgjidhej me ndihmën e arsyes, e qetësoi turmën e irrituar.

Mbrëmja e asaj dite. Ora 20.oo. Genti,  i këputur nga lodhja e asaj dite të përgjakur, po kthehej në  shtëpi. Jo  më   shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Rendit, tre plumba kriminelësh e qëlluan. Ai  u  rrëzua për tokë. Ishte vetëm. Askush nuk guxoi t’i afrohej. Ndoshta e lanë ashtu  qëllimisht  për  gati njëzet minuta. Pastaj e  shpunë  në  spital  ku  ndërroi  jetë.  Pesëdhjetëvjet më parë i kishin vrarë edhe të atin. Gjakpirësit siç duket nuk ishin ngopur me gjakun e tij  por kërkonin edhe atë të të birit.

Në morg me Gentin, ishte dhe një kufomë tjetër. Ajo mundi të identifikohej vetëm pas dy ditësh nga e motra. Ishte Aliu nga Macukulli, një i përndjekur politikë nga regjimi i Enver Hoxhës. Kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të zhvillohej pas një jave.  Por nuk mund të mos merrte pjesë në varrimin e martirëve. Dhe u   vra. Në  Macukull  këngët  e  dasmës  u  përzjenë  me  vajin  e  vdekjes.

Kështu ranë martirët e atyre  ditëve  të  tmerrshme. Ata ranë për t’u përjetësuar në këngët dhe historitë e këtij kombi. Ata do të mbeten gjithmonë të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Por kjo nuk mjafton. Gjaku i tyre kërkon drejtësi. Vrasësit dhe urdhëruesit enden të lirë rrugëve të vendit. Disa prej tyre mund të jenë në organet legjislative apo të drejtësisë. Ka ardhur koha e vënies  në vend   të  drejtësisë  së  vërtetë.  Dhe  Fatosit i dukej  sikur dëgjonte thirrjen e tyre:

– Duam drejtësi!

Këto mendonte  Fatosi në ato çaste. Para syve i doli një ngjarje që  i  kishte  ndodhur  në  vitin  e  parë   të fitores së demokracisë:

Po nxitonte për të shkuar  në  zyrë. Papritmas i kishte dalë para toger Ademi, ish-operativi i sigurimit që kishte pasur në kampin e punës së detyruar. Qëndroi dhe po e vështronte. Ai, me një buzëqeshje të shtirë, i zgjati dorën. Fatosi ndjeu neveri për atë dorë të përgjakur         

– Ç’kërkoni? – i tha  ftohtë.

– Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj ai duke parë qëndrimin e tij. – Ishte i sistemit  që na bëri të tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.

Fatosi nuk po e dëgjonte. Para syve i dilte një skenë mizore që lidhej drejtpërdrejt me të dhe të cilën nuk mund ta harronte kurrë. Ndaj pendimi i tij ishte  falso dhe ai nuk mund ta besonte. 

Ishin në kampin e Bulqizës. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishin kthyer nga puna të rraskapitur dhe prisnin t’u sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanin shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i  sëmurë,  zoti  toger! –  u  pergjigj  djaloshi me gjysmë zëri.

            Nuk e la të mbaronte fjalën. E  rrëmbeu  me  forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku të mundte me kamxhikun që mbante në duar. Pastaj, duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamxhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëherë dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanoneve. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Binte borë. Fatosi dhe shokët e tij dëgjonin rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishin në gjendje ta ndihmonin. Tërë atë natë nuk mbyllën sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Diku afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë.   Nuk   i   kishte  mbushur  ende  te  shtatëmbëdhjetë vjetët.

-Shpormu nga sytë! – thirri Fatosi sapo kaloi vegimi që iu shfaq.  Por krimineli  e  kishte  kuptuar  me kohë  dhe ishte zhdukur. Fatosi ndjeu  një   tronditje   të thellë  brenda vehtes

Në atë kohë iu kujtua një film gjerman  që  kishte parë në fëmini. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kishte kryer eksperimente nga më të përbindëshmet për torturimin dhe  shfarosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe atë, si  shumë të tjerë, e kishin çuar në bankën e të akuzuarve.

Kishin kaluar vite që atëherë. I kishte harruar pothuajse të gjitha skenat e  filmit. Vetëm njëra i kujtohej, finalja e tij. Mjeku i kapur me të  dy  duart  pas hekurave të burgut  thërriste:

            – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa   në   sfond   prapa  tij,  si  përgënjeshtrim, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

 

Duke kujtuar këtë  Fatosit iu duk sikur i përjetonte ende ato ditë dhe thirri me zë të lartë:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Njerëzit rreth e rrotull qëndruan dhe po e vështronin. Ai, i zhytur në  ëndërrimet  e  tij, duke  mos  e kuptuar se ku ndodhej, u kthye drejt tyre dhe vazhdoi:

– Po. Janë hetuesit dhe  ish-punonjësit  e  Sigurimit të Shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirtë që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijëra të vrarë e të vdekur nëpër burgje, të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerëz të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen?

Dikush nga turma bëri një shenjë që  tregonte  se ligjëruesi nuk  duhej  të  ishte  mirë  nga mendtë. Ridvani, që u ndodh aty pranë, e kapi për krahu dhe e tërhoqi. Fatosi u përmend.

– Thashë ndonjë gjë? – pyeti.

– Jo, jo, – u përgjigj ai, – ejani të shkojmë.

U nisën. Kur mbërritën në shtëpi, Ridvani e pyeti:

– Përse shpërtheve ashtu?

– Mora vesh lajmin mbi vrasjet e kryera në Tiranë dhe m’u kujtua se disa vite më parë kisha takuar ish-operativin tim të Sigurimit. Ai ishte munduar të më kërkonte ndjesë. Atëherë m’u kujtua një ngjarje e dhimbshme që zor se mund të harrohet. Para syve më doli fytyra e shtatëmbëdhjetëvjeçarit që i mbylli sytë i lidhur në shtyllën   e   telefonit,  në   atë  natë  të  acartë  dimri,  në  kampin e Bulqizës. M’u veshën sytë. M’u duk vetja sikur isha ende në kamp. Harrova që  isha  në  rrugë.  Nuk munda të duroja më dhe shpërtheva.

– Por koha e atyre tashmë ka perënduar.

– Jo, i dashur mik, ata jane gjallë. Sot  janë  një  lloj  tjetër vrasësish,  më  të  rrezikshëm  dhe  më

kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonëse janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në partitë politike, në shoqatat, madje edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht, duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve.

– A ka mundësi?

– Po, ata i gjen kudo duke u ngjirur dhe  thërritur si mjeku gjerman: “Jemi te pafajshëm! Jemi të pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur”! Sikur  të mos kishin qenë  këta njerëz të pamoral  që e mbajtën gjallë atë sistem i cili nuk do të qëndronte dot më këmbë për gati një gjysmë shekulli.

– Po përfundimi?

– Nuk e di. Kush   pra   qenka   fajtori   për   gjithë   këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona?

Ridvani nuk  u  përgjigj. Nuk  ishte  në  gjendje  të gjente fjalë për t’u  përgjigjur.  Qëndroi  edhe  pak  dhe pastaj u largua.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Reformën në Drejtësi”, ne prag, reshat kripa, të ligjit mbi, të miratimit

Dalan Luzaj, “Nderi i qytetit të Vlorës”

May 1, 2016 by dgreca

Sic e njoftoi redaksine e Diellit gazetari Duro Mustafaj, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka shpallë poetin Dalan  Luzaj, me banim ne Chikago, SHBA,  “Nderi i qytetit të Vlorës”, për kontribut në  fushën e krijimtarisë letrare. Dalan Luzaj u lind në Vlorë ne vitin 1944. Babai Isufi qe një nga krerët e organizatës së Ballit Kombëtar Shqiptar. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet Isuf Luzaj u largua nga Shqipëria dhe në vend të tij familja u ndoq dhe u persekutua…

Per kenaqesi te lexuesit po publikojme dy poezi nga Dalan Luzaj:

1- Nje Nene

Sa lot kish derdhur ne vetmi,
sa “ah”! tek zoti pat derguar,
kete vec shpirti i saj e di
dhe zoti lart n’e paste degjuar.

Gjithcka qe prekte behej lot
dhe loti ndriste syte e tretur;
ah, mrekullite qe kish kjo bote,
kaq mizorisht ia pati fshehur.

Gjithe zine e mbledhur neper jete
a thua vdekja do t’ia trese?
E luti vdekjen “eja shpejt”-
dhe vdekja s’mund te mos e merrte.

2- Drita

Drite quhej nena ime,
E mjera drite nuk pa kurre,
helmin qe la pas,
s’e ka as gjarperi nen gure.

Lodhje. Plage. Trishtim.
Te njohu emrin qe le pas,
te njohu brenga e shpirtit tim.
me ligje vdekja qan mbi ty;
tani je larg, moj e shkrete,
mbi ballin tend,
hedh hijen nje selvi.
Nene e braktisur… Pese femije…
Dheu s’te tret,
nga dheu me ben drite.

3- Fjala

Ne qafen e holle te fjales
nje zilke e ngjyrosur troket;
fryn ere neper vite,
zilken as shpata se pret.

4- Shpella

Asnje rreze djelli nuk le te hyje brenda;
bragtisur ne shpella: myshk lageshti;
ne barkun e erret bluan njolla te renda,
komite, pirate, vrau ne tradheti.

Vjega erresiren pjell e rrit,
buzeplasur a e pa goje,veten fsheh;
kur tinez hyn e hap hone ne shpirt,
Tomorri ne prag, ti s’e sheh.

4- Naim Frasheri/

Nga burimi i lajthishtës
tej në Frashër mbi Përmet
mjalti i gjuhës valë-valë
Nëpër faqe,
nëpër fletë

S`mbeti mal pa hyrë në penë
s`mbeti fjalë pa hyrë në varg;
syve hyn e del Atdheu,
. ja Tomorri

Fjalë-fryma që po flasim
Shoshi shekujt madhështori
Shqip –
. Naimit i përkasim !

Gjuha shqipe hodhi shtat
skaj më skaj blerimi i dheut;
dy herë kombi bëri lart,
ndriti pallë e Skëndëbeut.

Nëpër shekuj rrjedh burimi,
nga lajthishta mbi Përmet
maje malesh flet Naimi
Gjuhën shqipe: AMANET…

5- Më fal poezi

U nisa drejt teje në agimin e jetës,

Si fëmijë i larë e i ndërruar.
Ecja shpresat ushqeja: një ditë do të mbërrija tek ti.
Cikloni i tmerrshëm ma mjegulloj rrugën.
Më fal, poezi

 

Filed Under: Komunitet, LETERSI Tagged With: "Nderi i qytetit të Vlorës", Dalan Luzaj

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike të Diellit

April 30, 2016 by dgreca

Alfons Grishaj/

 Ndjesë Pastë/

-Ndjesë pastë…, qe i mirë ./

Sa i dashtun  dhe i vshtirë./

Qen bir qeni, – një nga fundi./

Plaka e krrusun ,- hë, zullumi!…/

 

Tek dera  një “burri i madh”/

Gjyslykë ngjesh, gojës një shall./

Çdo i pranishëm  kundroi,/

Nuk pa , nëse qeshi a vajtoi…/

 

Hapën rrugën në xhenaze,

Neraxhesës me  avaze ,

Në dorë i vyshkur karafil

Përkul’ në vesh i thot’: “debil”!

 

Ra përsipër rrasa e vorrit

Nga një sy dy lot prej zorit,

U çliru njaj  kallaballëk

Shpirti tij shkoi  porsi melek.

 

Tuj fluturu  për në hava :

“Gabriel, ma  ndaj kyt  dava…

Thu kam kenë dhe unë si kta ?

Nuk jam un’, por ata me u qa”!

 

Të madhe qeshi Gabrieli…

“Krejt i afërt asht  exheli,

Fjalët boshe kot së koti

Mos gjyko , se i gjykon Zoti”!…

 

Besimtari

 Tastieret  rruaza në qafë,

Lirat e Turkut, kryq e hënë,

L’kurën e palltos nga xhirafë,

Kapelë lëkure nga ujk rënë.

 

Këpucët vesh’ prej papirusi,

Çorape teli, çakshir argjile,

Kuti duhanit me myshk pusi,

Qaforen gëzofi prej një skile.

 

Ai, ekscentriku i vetëtimës

Fjaloset me  erën e  tërbuar,

Mprehur brisk përmes mjaullimës,

Brenda breshërit të gjymtuar.

 

Fuqia e shpirtit kur është i lirë

Si ajri i pranishëm gjithkund,

As breshër, as kohë e nxirë,

Asgjë s’e ndal, askush s’e mund.

 

Rrënjët  krejt çakshirë  argjile.

Qëmot’ këpucë papirusi.

Yll’ e kryq stoli vigjilje,

Simbol i frymës nga Jezusi!…

Se atëherë o mik’, …

 Gëzohu kur dielli  lind në agim

Për ditën e re plot dritë e jetë.

Kundrimi e luleve   galdim,

Aromat  shijoji i(e)qetë.

 

Duaje xixëllonjën që ndrit në terr,

Mushkonjën që të pickon drejt  në vesh.

Në vuajtje   harro satana e ferr ,

Në kup të qiellit gëzo e qesh!

 

Kupën e verës mik(e) amshuar…

Pije me fund , të mbush me lumturi,

Armikun e mposhtur e të rrënuar

E sheh  me paqe  e dhembshuri!

 

Me  dashuri  natyrën e përsosur

Në paqe vishe  me kënaqësi,

Mendo dhe për jetën e pasosur…

Se atëherë o mik’, ke lindur  sëri!

Vashës -Grua

 Në prarimin e mrekullisë qiellore

Ku mblidhen gjitha andjet dhe ndjesitë,

Skulpturë e gjallë  një mijë kolore

Mjeshtërinë e vet gdhendën perënditë…

 

Porsi dikur , kuror dafinash  Rozafat,

Shëmbëlltyrë  Morsinie e Kostandini,*

Mbi kullën e shekujve dashuri ,  o fat !

Lavdi yjeve ! Se  bën roje , Kerubimi*…

*- Kostandini e Morsinia. Një histori  e Skenderbeut…

Kostandini ishte vëllau binjak i Ballaban Pashës. Shpesh herë Turqit , e ngatërronin Konstandinin me Ballabanin , dhe ushtria e Kastriotit , e ngatërronte Ballaban Pashën me Konstandinin.

Morsinia dhe Konstandini , u martuan në kështjellën Rozafat,  nën kurorat e dafinave . Sipas legjendës, Skënderbeu u kujdes për martesën e tyre…

*Kerubimi(Cherubim) = Engjëll . Roje i dritës dhe i yjeve.Pamja  e tij përbëhet prej katër fytyrash : Një fytyrë burri, kau , luani dhe ëngjëlli.

– Shënimet e mia.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Kater poezi, ne sofren e Diellit

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË

April 28, 2016 by dgreca

LETËR NGA VARSHAVA-TË TJERËT PËR NE/

MAZLLUM SANEJA – RRËFIMET E POETIT TË PAEPUR/

– Në Varshavë të Polonisë, në ambientin e Amfiteatrit të Lidhjes të Shkrimtarëve të Polonisë u bë përurimi i librit me poezi të zgjedhura ‘LISTY DO EWY'(‘LETRA EVËS’) i poetit dhe  përkthyesit të mirënjohur Mazllum Saneja, përkthyer në polonisht nga Mazllum Saneja dhe Ewa Śmietańska, të cilën vepër e botoi Shtëpia e njohur Botuese polake ‘Komograf’ Varshavë,  tetor 2015.

Këto ditë, pikërisht më 27 prill, në Varshavë, u bë përurimi i librit me poezi të zgjedhura ‘Letra Evës’ i poetit dhe përkthyesit të njohur Mazllum Saneja. Për veprën e poetit u mbajt një kumtesë të cilën e paraqiti poeti, romancieri dhe kritiku i njohur polak në botë, Andrzej Zaniewski. Për veprën poetike të Mazllum Sanejës folën kritikët e njohur polak Aldona Borowicz, Jan Kwestarz, dhe Stanislaw Grabowski .

“Biografitë e poetëve kanë nganjëherë fuqinë  e poezisë, shpesh shndërrohen në poezi, poema, rrëfime epike, nganjëherë në dimensione të miteve, të gojëdhënave apo të legjendave antike…’ kështu e filloi kumtesën e vet referuesi kryesor i përurimit

të librit të Mazllum Sanejës, kritiku letrar Andrzej Zaniewski, për të vazhduar më pas se ‘Mazllum Saneja shkruan në gjuhën shqipe, në një gjuhë që përbën grupin e veçantë në mes të gjuhëve indoevropiane dhe, nuk ngjason me asnje gjuhë tjetër. Po, Mazllum Saneja shkruan edhe në gjuhën polake, të cilën e mësoi si autodidakt, ku më vonë ndjek kurset e gjuhës polake në Universitetet e varshavës, Vrocllavit dhe të Krakovit. Sot Mazllum Saneja është emigrant në atdheun e tij të dytë – Poloni, i cili si një poet i shkëlqyer, ousider përshkon botën e vet – botën tonë, qarkullon në mes të Prishtinës, Gjakovbës dhe Varshavës e Krakovikt, duke u përpjekur të na bind  se vlen të ëndërrosh, të lektisësh, të mbrosh  të drejtat tua moralëe, të luftosh për vlerat universale përtej kohore, të drejtat njerëzore për liri, besim, mëvetësi, besnikëri, t’i qëndrosh besnik idealëve tua karshi vetvetes dhe botës. Konceptet sot të zmbrapsura, të harruara dhe të flakura mënjanë çfarë janë  – dinjiteti, nderi, ambicja, respekti, krenaria, virtyti, lavdia, ndërgjegjja – gjithnjë për të janë më rëndësore,të gjalla, vendimtare në çdo hap, mbi vendimet e marra shpeshherë edhe karshi vdekjes, dëshpërimit, dhembjes, vuajtjes, hidhërimit.

*         *        *

asnjë pikë loti

për mua

jeta e njeriut

qenka vetëm një udhëtim i pambarim

ndiej

madje edhe vdekjen

do ta kem të vetmuar

të shkruaj ty

që të mbahesh

si trime

(Të shkruaj Ty)

Duke i rrëfyer Evës, mikes besnike, poeti shfryn tërë dufin e mllefin, tërë vuajtjen e dhembjen,sepse vetëm Asaj i rrëfen sekretet e shpirtit të vet të sfilitur, sepse vetëm Ajo e kupton thellësisht tipin e personalitetit të tij të ndërlikuar, ia kupton çdo gjest, shprehjen e fytyrës, mënyrën e të folurit, të shkruarit, mënyrën e të veshurit e të ecurit. Letrat e poetit Mazllum Saneja do t’i mbaj gjatë në kujtesën time porsi sonetet e Petrarkës, ‘Letrat e Elzës’ të Aragonit, rrëfimet tronditëse të Paul Eluard-it, frayat subtile të poetit të madh spanjoll Federico Garcia Lorces.

Rrëfimet poetike të Mazllum Sanejës nuk janë rrëfime të një dashurie rinore, po janë rrëfime të një dashurie të pjekur, të vetëdishme. Mazllumi është gjithnjë në klërkim të së vërtetës për vetveten. Ai ndjen nevojën e rrëfimit, të pëshpëritjes, të përshkrimit të ndjenjave të veta. Ai jeton në bredhëritje në mes të vendeve, të cilat e kanë zgjedhur. Apo ndoshta  ndërmjet atdheve, në të cilat është i diktuar përmes fatit, situatës dhe gjithashtu përmes mbrojtjes së dashurisë. Për një moment mendohem se mos poeti i revoltuar nga realiteti i pasigurt dhe i ankthshëm këtu do të braktis vendbanimin e qiraxhiut të pakënaqur në një vend tjetër, sepse tash një kohë të gjatë e ka molisur ai fati emigrantit të zhgënjyer në vetminë e trishtë të mërgimit, duke dëgjuar nganjëherë ato fjalë të tmerrshme : këtu je i tepërt, i padëshirueshëm, ekziston në fusha të huaja të shahut,. Ky model i jetës së hidhur gjithnjë i ka intriguar dhe tërhequr botën e njerëzve të pangopur dhe përbuzës, duke vëzhguar me ironi dhe arrogancë botën e … vegjëlisë  :

2.

*          *         *

Nga çdo anë shoh tortura

rreth e përqark shtëpisë sonë

se ujqërit monstrumë sa vijnë e shumëzohen

(Ngritja e mendjes)

Monstrumë të tillë – demonë – hiena, i njohim, i dimë nga përdishmëria e realitetit tonë polak. Aji Indiferenca – Përqeshja – Inati – Mosdashja – Ironia – Përbuzja – Poshtërimi.

Ndjeshmëria e madhe e poetit dhe përkthyesit brilant të poezisë çfarë ësht Mazllum saneja i cili gjithnjë në situata të vështira jetësore është gjendur para shumë provave dhe sfidave të llojllojshme, para miqësive të zhgënjyera dhe grackave të fshehura e të kurdisura,premtimeve të genjeshtërta, e kushedi para sa e sa sjelëljeve poshtëruese dhe të prapëta,të cilkat poeti i mbarti në shpirtin e tij të vrarë me një stoicizëm.

Tronditës është ai besimi dhe karakteri i tij, i pathyeshëm në fuqinë e fjalës, që është më e fuqishme  se muret, grilat, burgjet, terrori, shfarosja. Dhe me fjalën poetike Mazllumi shkruan dhe lëron vargun poetik me një mjeshtëri të rrallë. Me forcën biblike të profetëve, duke shkuar gjithnjë i vetmuar fillikat në grumbull njerëzish – tingëllojnë strofat e kësajpoezie, të destinuara për të gjithë ata që kanë mbijetuar ose mbijetojnë sikur autori.

Dhe dashuria, një dashuri e thellë e një njeriu me përvojë dhe të thekur – e kredhur  në zhgënjime , është e përshkuar  me plot frikë, shqetësime, çaste pasigurie, dhe si e tillë duhet të jetë. Eva, heroina lirike e ‘Letrave’ e shikon poetin e vet rebel, me një ndjeshmëri dhe mirëkuptim. Ajo dëshiron të jetë[ njëkohësisht grua e vërtetë, mike besnike në përditshmërinë monotone, m,brohtëse, një engjëll-mbrojtës.

‘Letra Evës’ janë një dëshmi e hidhur e kohës, reflektim i dilemave tona qytetëruese, të goditura  e të ngjeshura, me ndjenjën e vërtetë e të madhe njerëzore.

Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike Mazllum Saneja  na përkujton Federico Garcia Lorcen dhe Rafael Albertin. Në letrat e tij poeti damkos, stigmatizon turpin e botës së përdhosur çfarë jane luftrat, uria , dëshpërimi, spastrimet etnike, indiferenca dhe mospërfillja e të pasurve karshi të varfërve. Poezia e Mazllum Sanejës, ndonëse i kushtohet dashurisë, mbart në vetvete dhe këto damka. Poeti i revoltuar dhe i mbyllur në vetvete, nganjëherë i inatosur dhe i zemëruar vështron kohën si një materie e veçantë eksplozive, kupton kërcënimet e kufijve të lënduar dhe të brishtë, në të cilat ne veprojmë me guxim dhe indiferencë,po më shumë në mënyrë absurde. Së këtejmi, duhet t’i dorëzohemi dashurisë, që të kuptojmë më mirë botën, që të mos i frikësohemi, që të mos ikim në panik, po të mbetemi…

*            *               *

emri yt

vaj dëllinje

i derdhur

kopsht i  dendësuar

lumë i rrëmbyer

burim drite

e bukur

si Jerusalemi

të shkruaj ty

mikja ime

Dhe, nuk bën asessi të lë në harresë pa theksuar rolin e rëndësishëm të redaktorit Ewa  Śmietańska , e cila bashkë me autorin Mazllum Saneja ka bërë me një mjeshtëri të përkryer përkthimin e teksteve subtile dhe shumështresëse, që ndërlidh dhe afron në mes vete njerëzit dhe popujt…” tha duke e përfunduar kumtesën ,kritiku i njohur letrar Andrzej Zaniewski.

Ndërkaq, kritiku tjetër letrar Aldona Borowicz, duke folur për veprën poetike ‘Letra Evës’të Mazllum Sanejës theksoi se, “optika e vështrimit poetik është e gjërë në shtruarjën e problemeve jetësore jo vetëm të poetit. Duke i shkruar letrat për Evën poeti rrëfen për të papriturat e jetës dhe botës përreth dhe, lirisht mund të themi se kjo poezi është dhe një diagnozë e hidhur për botën në fillim të mijëvjeçarit të ri”

3.

“Mazllum Sanejen – poetin dhe përkthyesin e njohur emigrant  mund ta krahasojmë me shkëmbin e vetmuar në oqeanin njerëzor’ kështu e nisi fjalën e tij një tjetër kritik letrar Jan Kwestarz.Brenda botës së tij ekziston një femër si një engjëll-mbrojtës, ku i drejtohet poeti dhe,i shkruan letra, ndonëse nuk dimë , se a thua vallë i dërgon këto letra, apo-jo?

Duke i lexuar me vëmendje këto letra si lirika subtile të një cilësie të lartë, gjithnjë më shkon mendja tek poeti i rraskapitur nga sprovat e jetës së vështirë , që vetëm dashuria dhe besnikëria e gruas së dashur i lejon atij, poetit të mbijetoi çastet më të hidhura dhe më të vështira në jetë” .

Për veprën poetike të Mazllum Sanejes fjalën e mori edhe poeti dhe kritiku letrar Stanislaw Grabowski, ku në mes tjerash tha se “Në këtë vëllim poetik fjalë kyqe çfarë janë:

dhembja, trishtimi, dëshpërimi, ethet, vuajtja, uria, mërgimi, bredhëritjet, frika, vetmia,shqetësimi – diktojnë imazhe të vijëzuara, të cilat nukm mujnd t’i fshehish për një ditë pune,të cilat i gjejmë nëpër gazetat dhe mediat e përditshme brenda të ashtuquajturës politike  e madhe. Sot, kur fjala dhe zëri i poetit po humbet në një skaj të botës si një klithmë e mbytur, ku vendin e tij e ka zëvendësuar bota virtuale dhe e pandjeshme einternetit, që gjithnjë më tepër  po i gremis vlerat me humane dhe më sublime njerëzore.

Gjithnje para nesh shtrohet pyetja: a thua në botën apokaliptike, jo të krijuar përmes poetit, që ndodh realisht pa pjesëmarrjen e tij, vallë a ka ndonjë shpresë për ne, atëherë ku mund ta kërkojmë? Në vëllimin poetik ‘Letra Evës’ të Mazllum Sanejes shpresa është vetë dashuria, e cila na trimëron dhe na mban gjallë në jetë, megjithë  sëkëllditë dhe vuajtjet e përditshme,  e gjejmë elementin poetik të të kërkuarit -të kërkuarit e shpresës, ringjalljes së jetës, besimit dhe ngritjes të sistemit të vlerave njerëzore”

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: – RRËFIMET E POETIT TË PAEPUR, Mazllum Saneja, Varshave

NJERIU QË HUMBI GRUAN NË AMERIKË

April 26, 2016 by dgreca

Nga Agim Xh. Deshnica/

Treni E-3/

Berti, mësues nga Tirana, u njoh me Elsën në Korçë, në një mbledhje kushtuar shkrimtarit Foqion Postoli. Në çastin kur e pa, ai u mahnit nga pamja që ajo kishte, nga sytë e saj, nga flokët e derdhur mbi supe dhe mënyra si fliste, por, mbi të gjitha, nga urtësia që e dallonte. Nuk thonë më kot: “Ja korçare, ja hiç fare!” – mendoi.

Elsa qe lindur dhe rritur në lagjen me rrugica, afër qendrës së qytetit romantik, ku, sipas romanit “Çupat e Vançit”, gratë nën harqet e portave, me fshesë në dorë, merrnin në gojë gjithë dynjanë. Por Elsa qe krejt ndryshe, e mençur, e sjellshme dhe mësuese me kulturë. Gjyshi i saj para lufte, pati qenë tregtar i njohur me tre dyqane, njëri me orendi shtëpiake, tjetri me basme, i treti me këpucë për burra e gra. Mbi portat e hekurta të dyqaneve, lexohej: “Gaqo T. Dreni dhe djemtë.”

Vite më vonë, kur u hapën kufijtë, ata të dy, krahpërkrah, morën rrugën drejt Sofjes me autobusin turk ”Izmir-4”. Por, ndërsa po udhëtonin me trenin E-3, Sofje-Bukuresht, papritur vargu i gjatë i vagonave u ndal në stacionin e qytetit Ruse plot me turq, pranë urës mbi lumin Danub. Berti, pa e zgjatur, nxitoi për te dyqanet pranë platformës së hekurudhës. Teksa po mundohej më kot të merrej vesh rusisht me dy shitëse turke për vodkë polake, treni pa u ndjerë u nis dhe ia mori gruan.

“Më la! – mendoi i turbulluar – Si i bëhet tani? Ku ta gjej Elsën?”

Nga ky ankth, i doli gjumi. I gëzuar si fëmijë vuri re, se ndodhej në shtrat. Hodhi sytë përqark. Jashtë pesë dritareve, dielli i tetorit si në korrik, i zbardhte edhe më grilat e brishta plastike. Në tavan rrathët e ngjashëm me pjata porcelani, të kapura zinxhir, tregonin se ndodhej në vilën e drunjtë A-3, në Medford mbi Boston. Elsa flinte e nuk ndihej…

Tiranë – Milano – Boston

E vërteta është pak si ndryshe. Pas kthimit nga Bukureshti, Berti dhe Elsa u larguan nga atdheu në fillim të tetorit, kur mijëvjeçari i dytë po i qasej fundit. Nga Rinasi u ngjitën në qiell mbi Adriatik, me ajrorin e kompanisë Al Italia. Pas dy orësh, zbritën në aeroportin e Milanos. Nga lart shikonin vetëm çati, rrugë e pemë. Të ngujuar për orë të tëra brenda nëpër salla dhe korridore, qytetin e artit e soditën disa herë, në fotografitë me ngjyra të varura nëpër mure. Pra, u desh të prisnin gjatë, deri sa, më në fund, me ajrorin e madh Boing fluturuan mbi Atlantik. Në qiell shijuan ushqime të lehta e pije me ngjyra në pjata e gota plastike, të servirura nga stjuardesa përherë të qeshura, por jo aq të bukura, siç tregojnë reklamat. Hanin e pinin udhëtarët tanë, tok me të tjerët, si në restorantin e hotel Drinit. Lexuan revista në italisht, ndërsa filmin në televizor nuk po e kuptonin. Hera – herës, hidhnin sytë jashtë dritares, nga dukeshin nën re si në hartë, Italia, Franca, Spanja, Portogalia, detet si liqene dhe vargmale. Lëvizja e ajrorit tregohej edhe në tabelat elektronike të vendosura lart. Tej mbi oqean, ku thuhet se ndahet dita me natën, befas dritaret u mbyllën. Ata së bashku me udhëtarët e tjerë, pasi kishin hequr brezat e sigurisë, kthyhen vështrimin në ekranin e televizorit. Tani siguria shprehej tek besimi ndaj Zotit, dashuria për jetën, tek fluturimi i qetë i ajrorit Boing, tek mendja, sytë dhe duart e aviatorëve. Mbresa, që nuk shuhen, të linte zëri aq i ngrohtë i kapitenit në radio, i cili njoftonte se ajrori po i afrohej tokës amerikane. Ja, tek u shfaq Bostoni, midis drurëve dhe ujërave! Zbritja e avionit në pistë u bë e butë. Shpërthyen duartrokitjet përgëzuese të pasagjerëve të çliruar. Më tej u dukën portat, që hapeshin e mbylleshin vetë, korridoret me hapësira të plota, shkallët rrëshqitëse, sallat e gjera dhe doganierët.

Pas kontrollit dhe vulosjes së pasaportave, ata të dy u takuan përmallshëm me birin e tyre. Në rrugë hasën me sherifin e “steit polis”, dhe morën qortime për veturën e parkuar gabim. Djali i doli atij përpara dhe i foli me një anglishte të pastër:

– Më falni, sër! Jam nga Shqipëria, ndërsa këta janë prindët e mi. Kemi shumë vjet pa u parë. Jemi paksa të hutuar.

Oficeri i gjatë, elegant, me kapele republikane, pa të porsaardhurit, u mendua për një çast dhe i nderoi:

– Uellkom in Amerika!

Berti dhe Elsa, të lodhur e me çanta ndër duar, tundën kokën dhe buzëqeshën. Kur hipën në veturë, e mblodhën veten e u gëzuan.

Përshtypjet e para ishin rrugët e gjera e të pastra, automobilët e shumtë, ndërtesat e larta pranë oqeanit, kulla e xhamitë ngjyrë blu Xho Henkok dhe pak më larg Prudenshëlli madhështor, gjelbërimi, lumenjtë dhe urat… Vendi, ku do të banonin, me emrin Medford, në atë muzg me perëndim të purpurtë “uajlld uestern”, u kujtonte Mangalemin e Goricën e Beratit.

Qysh atëherë, kaloi një vit i mbushur me habi të këndshme, jo si ato të Kristofor Kolombit dhe në kohëra të tjera. Pra, Berti dhe Elsa nuk patën fatin t’i zbulonin të parët indigjenët e kulturës së lashtë inkase, me kalorësit trima mbi kuaj të shpejtë, me sokëllima, pupla, harqe, shigjeta e tenda me majë. Ata zbuluan një popull tjetër, me kombësi e raca nga më të ndryshmet, me kapele dhe bluxhinse ala-amerikane, ndër vetura, autobusë e trena të zhurmshëm, që nxitonin në autostrada, mbi ura, nëpër tunele, nën ujë e nën qiellgërvishtëset e reja. Vështronin shpesh hapësirat e kaltra dhe gjurmët e bardha, që linin pas ajrorët e mëdhenj të kompanive Panamerikan, Kanada Erë, Lufthansa, Al-Italia, Sviseri etj. Shikonin hera – herës në ëndërr Tiranën, sheshin me shatërvane dhe zgjoheshin…

B-K. Marti dhe Hejmarketi

Hejmarketi është qendra kryesore, më e lashta e Bostonit, ku, përbri

kishave e ndërtesave të larta, ngrihet kulla e orës së qytetit, e ngjashme pak me Sahatin e Tiranës. Ajo kullë shërben edhe si hotel për turistët. Në parkun e gjelbërt, shtatoret e bronzta të guvernatorëve të vjetër heshtin nën hije, mbi plaforma mermeri, a rrafsh me tokën, apo ulur në frona pushimi. Të shtunave këtu vërshojnë turistë të shumtë. I sheh tek ulen pranë tyre dhe fotografohen me ta. Pastaj, njëri pas tjetrit, ecin më tej drejt përmendores “Holokaust”, me shtatë kulla të larta të krijuara me tuba hekuri dhe të veshura me xhama të trashë, ku janë gdhendur kumte dëshmitarësh dhe numrat që mbanin viktimat në kampet Majdenek, Ausviç, Sabibor, Belzek, Kelmno, etj.

Në sheshin ngjitur dëgjohen kitarat spanjolle, fyejt e ëmbël bolivianë dhe bubullimat e tamburëve afrikanë. Në stadiumin e vogël në trajtë gjysmë rrethi, matanë rrugës kryesore, nga kombësi të ndryshme jepen shfaqje me këngë e valle. Në anën veriore ngjitet Hanovër Strit, një rrugë e pastër, që përshkon tejpërtej zonën North End, me lokale të shumta, ku të zë veshi të folura italisht, këngë napoletane dhe violina milaneze.

Në pazarin e zhurmshëm si gjithë pazaret, tregtarë bullafiqë, kryesisht me prejardhje latine, bërtasin sa u nxjerr fyti: “Dallar beg! bak e beg, dallar, dallar!”, ndryshe nga sjellja e urtë e shitësve në supermarketet marramendëse, si Stop end Shop, Uoll Grin, Failins, Bixhejs, Target, Best Baj, Homdipod, Big, Kej Marti, etj.

Një të shtunë, aty nga mesdita, Berti me kapele “Boston”, Elsa me çantë në sup, me autobusin 90, mbërritën në Esembli Skuer (Sheshin e Mbledhjeve”), në B-K. Marti. Ky dyqan i madh ndodhet mbi Boston, në zonën e Samervillit. Aty shiten mallra gjithëfarësh, ushqime e pije, veshmbathje e mobilje, pajisje sportive, mjete shkollore, si edhe aparate elektronikë.

Elsa pa u thelluar shumë, tha:

– Mbarojmë punë këtu, pastaj me autobusin 92, shkojmë për pazar në Hejmarket!

– Si të thuash ti, ashtu do të bëj edhe unë. Ti na solle këtu, ti do të urdhërosh! Boll urdhërova në Shqipëri…

Portat kryesore kanë të shkruar in, (hyrje), diçka e ngjashme me shqipen veriore “in mrèn”, dhe exit (dalje). Me këtë shenjë Bertit i pëlqente të sajonte në shqip: “Ik!” Ndërmjet dy portave, brenda qëndron në këmbë një burrë i moshuar, i shkurtër, i shëndoshë e faqesimite, me kapele “Patriot”. Herë pas here, ai u hedh një sy të shpejtë faturave. Kur porta exit lëshon tingullin ring-ring, blerësit kthehen të shqetësuar. Njeriu me kapele, duke buzëqeshur, e zgjidh çështjen aty për aty. Si duket, arkëtarja s’ka shuar sinjalin e mbrojtjes nga vjedhësit.

Bertit, kur e vizitoi së pari atë, iu kujtua një dyqan ushqimesh me vetëshërbim, që u hap në Tiranë, në rrugën e Kavajës. Me shportë në dorë atje, merrje lirshëm nga raftet mallrat ushqimore. Pasi mbaroje punë, duhej t’i afroheshe arkëtares nëpër një kalim të ngushtë. Porta nuk kishte as ring-ring, as pi – pi – pi. Por, pa kaluar shumë kohë, dyqani i vetëshërbimit i Tiranës u mbyll. Ç’kishte ndodhur? U përfol se ai pati dalë me humbje për shkak të mungesës së sinjalit lajmërues.

Kur hyn në B-K.Marti, duhet të vësh syze dielli për shkak të neonëve me shkëlqim të fortë. Të verbon pastërtia e bardhësia e dyshemesë, e rruginave me rafte e varëse të ngarkura me mallra. Palé, dëgjon edhe muzikë klasike të qetë apo moderne. Mallrat e zgjedhura i vendos në karrocë dore metalike, ku mund të hipësh fëmijët, po edhe të mbështetesh vetë. Ka edhe mjete me motor elektrik, me të cilët bredh rreth e rrotull tok me sendet e blera. Vetëm kur do të paguash, çmallesh me radhët tona, përjashto ata që paguajnë me kartë bankare në makinat elektronike, që flasin si njerëz, madje në fund të thonë: “Thenk ju for shoping!” Edhe këtu nuk mungon parulla me dy krahë a reklama “Baj uan, get uan fri!”, (Bli një me pare, tjetrën e ke të lirë!), e ngjashme me reklamën e vjetër në pazaret e Elbasanit, të Tiranës e të Shkodrës: “Sot me pare, nesër pa pare!”

Sapo hyri, Elsa u nda e humbi në pyllin e dendur me fustane, bluza, këmisha, funde, bizhame, çorape, etj. Berti ia mbajti për në repartin e elektronikës.

“Oh, çfarë nuk paska këtu! – fliste me vete. – Radio, manjetofonë, televizorë, kamera, kompjuter, printera, aparate fotografikë, Sharp, Filips, Soni, Leksmark, Kodak, etj. Njëri më i mirë se tjetri!”

Iu kujtua dita kur për herë të parë bleu me autorizim televizorin bardhë e zi, Samsung, montuar në Durrës me pjesë të importuara nga Koreja. Iu deshën atëherë të merrte borxh 4200 lekë të reja, gjë që do të thoshte të dimëronte si ariu në strofkull, plot gjashtë muaj. Televizori kishte vetëm katër kanale, nga të cilët punonte vetëm një, ai i Tiranës. Kurse këtu një televizor me ngjyra Filips apo Soni blihej me punën e një a dy ditëve të zakonshme. Kurse programeve nuk u gjendej as maja, as fundi!

Shoferja e autobuzit 92

Berti i hutuar pas mallrave dhe kujtimeve, nuk vuri re se koha po rrëshqiste. Deshi t’u hidhte një sy mobiljeve, por ndërroi mendje. Duhej të shkonin në Hejmarket. Ndaj i ra tërthorë dyqanit të madh dhe vuri re i habitur se qe ngatërruar nëpër veshjet e brendshme të grave, prandaj u tërhoq djathtas dhe doli tek ishte nisur, përballë televizorëve viganë me ngjyra, ku përplaseshin si bizontë, lojtarët e fuqishëm me kaska të futbollit amerikan. Iu bë sikur ishte ulur te shkallët me stola të butë, në stadiumin shumëngjyrësh në Park-uej.

– Ju lutem, ku është dalja? – pyeti një vajzë flokëverdhë me uniformë të kuqe.

– Shkoni drejt dhe merrni djathtas! – iu përgjigj ajo.

– Thenk ju!

Berti eci shpejt e shpejt në atë drejtim, duke parë për bri rreshtat e rrobave të grave. Siç dukej, Elsa kishte humbur në atë pyll me veshje si Liza në botën e çudirave. Ndërkohë, ai u gjend para portës exit. Elsën nuk e shihte gjëkundi. Hodhi sytë në rruginat e drejta, por më kot! Brodhi brenda e përqark portave, thuajse një orë, për ta gjetur e përsëri nuk ia zunë sytë. I nevrikosur, doli në rrugë. Eci poshtë e lart nëpër trotuar dhe, së fundi, hyri në kabinën e pritjes pranë tabelës “stop”, ku në minuta të përpikta kohe ndaleshin autobusët 90 e 92. Atje ishin ulur katër plaka amerikane me flokë të verdhë bukle-bukle e me veshje vajzash. Në qafë mbanin rruaza bardhë e blu, ndërsa në gishtat e duarve – unaza floriri me diamante. Flisnin pa pushim, duke ndërprerë njëra – tjetrën. Berti kapte tek – tuk ndonjë fjalë të tyre nga ajo bisedë e shpejtë. Por, ja, tek u shfaq në kthesë një autobus! Para “stopit”, pa e fikur motorin, ndaloi. U hap porta e parë.

– Bas najni tu! (Autobuzi 92!) – thirri shoferja.

Berti kishte vënë re, se në Amerikë autobusët drejtoheshin nga burra e nga gra të moshave të ndryshme. Ashtu siç janë në botë gjithë njerëzit, edhe ndër shoferët me uniforma blu, disa qenë të qeshur, disa hijerëndë e pa fjalë, disa të hollë, disa të trashë, të gjatë e të shkurtër, të rruar, por edhe me mjekër e mustaqe, madje edhe pleq, por të shkathët. Thuhej se ditëve të shtuna e të diela, punonin si shoferë edhe studentë, a nëpunës e punëtorë të pajisur me patenta, që i kishin fituar në shkolla automjetesh të rënda.

Njëherë në Nju Jork, pasi kishte ecur në këmbë nëpër rrugën e drejtë numër 10, te një “stop” Berti hipi në autobusin e linjës Bronz-Manhaten. Zuri vend në ndenjësen pranë shoferit, vrau mendjen, lidhi disa fjalë anglisht e i tha:

– Unë kërkoj treni Boston.

– Nga jeni ju?

– Albania.

– Vërtet? Jua gjej unë stacionin.

– Po ju lindur këtu? – e pyeti Berti shoferin.

– Jes! Në Nju Jork. Banoj në Broduej. Dikur kam qenë kampion në boks.

– Boks! A, a, veri gud sport!

– Jes! – qeshi ish kampioni.

– Edhe unë boksier! – ia kthehu Berti.

– Ou! Gud men!

Shoferi nisi t’i tregonte vendet që përshkonte autobusi.

Berti dëgjonte, por shumë fjalë s’i merrte vesh. Hera – herës tundte kokën kot së koti.

– Të pëlqen Amerika?

– Jes! Veri najs! (Po, është shumë e bukur.)

Autobusi 92 shkon drejt Hejmarketit

 

Ndërkaq, plakat hipën ngadalë në autobusin 92 dhe zunë vend në krahun pranë shoferes. Berti i hodhi një sy nga larg supermarketit dhe hipi. Iu afrua shoferes. Ishte e re, flokëverdhë, e qeshur dhe e hijëshme.

– Iskjuz mi! – nisi t’i fliste me një anglishte të çalë. – Unë humbi grua. Mund zbriti dhe shofi prapë dera dyqani?

Shoferja qeshi. Në kor qeshën edhe plakat.

– Okej!

Berti kërceu poshtë dhe u fut te in-i, pa nga larg sallat pa mbarim, dhe doli shpejt nëpër exit.

“Nuk është gjë! – tha me vete. – S’ka Elsë këtu!”

U kthye me nxitim. Hipi përsëri në autobus, hodhi 15 centë te arka dhe u ul përballë plakave. Për të larguar mërzinë, vendosi të vazhdonte shakanë e nisur.

– Grua nuk gjetur! Humbi grua ime!

Katër femrat e plakura me bukle kukurisën, teksa atobusi bëri përpara. Rrugës, grupi katërsh i grave të moshuara nisi një bashkëfjalim gazmor me shoferen. Asnjëra nuk e pyeti Bertin nga ishte, ç’punë bënte e ku banonte. Fjalët e tyre, siç kuptohej, qenë aq të këndshme sa për pak shoferja desh e kaloi një udhëkryq, kur në semafor ishte ndezur drita e kuqe. Frenimi qe i fortë. Udhëtaret, ndonëse u epën përpara, arritën të mbaheshin për bukuri.

Fjalët u prenë. Dëgjohej vetëm motori i fuqishëm, kur makina e gjatë çante drejt qendrës së qytetit…

Berti u hodh e tha:

– Unë humbi grua ime, po unë tjetër gjej!…

Kaq u desh. Biseda u ringjall më e fuqishme me hahaha e hihihi!

Në një “stop” hipën dy gra të kolme, rreth të dyzetave me tipare sllavesh, pa shumë ondulacione. Paguan dhe u ulën përbri Bertit, të vetmit burrë në autobus, me kapele blu “Boston.” Nga pamja ai i mori për ruse.

– Vi ruskie? – i pyeti.

– Da! S’ Maskvi.

Në atë kohë ndërhynë plakat me të qeshur dhe u treguan ruseve se zotnisë i kishte humbur gruaja në supermarket.

Ruset ua kthyen me një anglishte të bukur. Dhe, sakaq, të shtata gratë ia plasën gazit. Një nga moskovitet iu drejtua Bertit në anglisht:

– No problem, çenxh dhe uajf! (S’ka rëndësi, zëvendësoje gruan!)

– Jes! Oçen harasho! – iu përgjigj Berti në dy gjuhë, duke e vështruar rusen drejt në sy, midis të qeshurave si në pijetore.

Më tej, në çdo “stop” zbriste nga një plakë duke qeshur. Në ndalesën e parafundit u larguan edhe ruset. Asnjëra nuk e përshëndeti Bertin, veç shoferen.

Autobusi 92, i mbushur me udhëtarë të tjerë, ndiqte udhën e zakonshme. Shoferja shtrëngonte timonin dhe shihte me kujdes sinjalet. Pra, shakaja kishte marrë fund. Po shqiptari me kapele amerikane “Boston”, dukej se diçka bluante me mend.

Ja, edhe rruga e gjerë! Vetura tutje – tëhu! Kulla e orës së qytetit! Ndërtesat e larta dhe pazari i madh!

Pranë tabelës “stop” autobusi i shpejtë ndaloi.

– Hejmarket! – lajmëroi shoferja.

Berti u ngrit dhe eci drejt daljes, duke u mbajtur nëpër tubat e emaluar. Para se të vinte këmbët në shkallët e autobusit, i foli shoferes flokëverdhë afër veshit, me anglishten e vet:

– Unë ndërroi grua…gjeji tjetër…si ju!…

Shoferja qeshi dhe u duk se u përmend befas.

– Oh, maj gad!…- thirri.

Berti kërceu në trotuar dhe ngriti dorën. Shoferja e çiltër ia tundi kokën si me qortim. Autobusi u nis me zhurmë.

Takimi me shoferen

Berti brodhi rreth e qark nëpër pazar, mbushi qeset plot me fruta e zarzavate dhe u kthye në shtëpi. Elsën e gjeti në kuzhinë, tek mundohej më kot të hiqte nga një shishe qelqi tapën e sertë. Filloi sakaq në mes tyre një fjalëkëmbim paksa i zhurmshëm:

– Ç’u bëre, ku humbe, ku e ke mendjen?! Plasa duke të kërkuar!

– Po ti? Mbete rrugëve! U harrove pas fustaneve të grave!

Berti mbahej si burrë dhe bënte sikur nuk dëgjonte se çfarë sajonte e shoqja. Kur gjakrat u ftohën pak, e pyeti:

– Na paske blerë edhe ujë mineral, hë!? Nuk të mjaftojnë bidonat që ke në frigorifer!?

– Hapi sytë, shikoje mirë!

– Ou! Qenka vodkë polake!

– E mora për ty!

– Polakët vdesin për atë të shkretë pije….

– Edhe ti! Mbete duke belbëzuar natën në gjumë: “Votka polake, votka polake!”

– Eh, mirë! Mos u merr me ëndrra, po ma lër mua ta nxjerr atë tapën! Nuk është punë për gra ajo! Largohu, shko laj pjatat!

Pas tri javësh, Berti dhe Elsa do të shkonin prapë në Hejmarket. Rastisën shoferen bionde simpatike me autobusin 92. Ndërsa kalonin përbri saj, Berti iu afrua dhe i tha:

– Mem! Aj faund maj uajf! (Zonjush! E gjeta gruan!)

Ajo hodhi sytë drejt tyre, u kujtua dhe ia ktheu buzagaz:

– Sikur në gjithë Bostonin të kërkoni, nuk mund të gjeni tjetër si ledin tuaj!

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, GRUAN NË AMERIKË, NJERIU QË HUMBI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT