• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Martin Shkrelin të gjithë e urrejnë dhe asnjë se kupton

February 10, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi/
A është shqiptari më i pasur, një djall apo engjëll? A ka ai një zgjuarsi gjeniu, apo megalomaninë e një “ self made man” të llastuar i shoqërisë së sotme? A po luan ai në fillin e perit të një ekuilibristi apo të Ujku të Wall Streetit? Pse ndryshe nga çdo CEO i fushës ai kërkon të shfaqet me shumë sesa të fshihet?
Thjesht paranojë, apo një lojë me e thellë?
Këto janë pyetje që edhe pse disa herë hapur, disa herë fshehur, siç pohon shtypi amerikan për figurën ekscentrike, të këtij biznesmeni shqiptaro- amerikan, duhen bërë për ta kuptuar fenomenin “Shkreli”. Të cilin mediat shqiptare që s’lenë dukuri dhe akte “të ulëta”të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, pa pasqyruar, pasi i vunë në kryetituj me “copy- paste “ epitetin “ shqiptari më urryer”, këtij biznesmeni 30 –vjeçar shqiptar, që s’ka bërë as gjë të keqe për vendin e vet, dhe madje e kanë lënë në skaj të vëmendjes mediatike, si një diçka që na turpëron, që na ndot si komb, por s’mënojnë të botojnë edhe librat e killerit shqiptar në shërbim të mafiozit Xhon Gotti.
Në çdo veprim të një individi i arsyeshëm ka një motiv. A është Martin Shkreli një mazohist apo “një hero” në luftën kundër “ Big farma”? Apo lufton ai me mullinjtë e erës…
Kështu edhe unë i përfshirë në një beriha mediatik, s’e pata analizuar më thellë këtë fenomen, por disa komente në shtypin Amerikan më vunë në mendime, sidomos kur pashë se për ilaçin që më duhet ta përdor çdo ditë për diabetin, sigurimet paguanin 400 dollarë në muaj, dhe madje po njëjti ilaç veç dhjetë herë më i përqendruar inshurancat nuk e mbulonin dot pagesën, pse kushtonte super shtrenjtë? Atëherë fillova të interesohem më shumë për të. Sidomos, kur të enjten në mëngjes, personi “më i urryer në Amerikë” arriti në Kapitol Hill, për një ballafaqim të shkurtër, por të paharrueshëm me institucionin më të akuzuar në Amerikë, Kongresin e SHBA, për të cilin amerikanët thonë se e urrejnë shumë, por duket jo dhe aq mjaftueshëm sa për ta ndryshuar. Dhe ky person ishte Martin Shkreli, një shqiptaro-amerikan, drejtor ekzekutiv i një kompanie farmaceutike që i pëlqen të luajë zuzarin, nëse do, i cili vendos vetë, nëse do të jetë i kënaqur, apo i zemëruar me Kongresin e SHBA në përputhje me rrethanat. Donald Trump me të drejtë mund të quhet një personazh polarizues, por pse të mos jetë edhe Shkreli, i cili, edhe pse duket se nuk ka aq fansa të çmuar për të balancuar kritikat e tij të panumërta, mund edhe t’i sigurojë ata. Ai e ka kuptuar parimin e sotëm të massmedias , se “Mjafton të flasë media, qoftë edhe keq për ty, dhe kjo është mirë”.
Shkreli arriti famën, kur kompania e tij, Turing Pharmaceuticals, bleu një medikament të quajtur Daraprim, i cili përdoret për të trajtuar toxoplasmosis, një sëmundje që mund të jetë fatale për pacientët me H.I.V., dhe kur pas blerjes të së drejtave të medikamentit, Turing e ngriti çmimin e tij nga më pak se njëzet dollarë për tabletë, në shtatëqind e pesëdhjetë dollarë.(?!)
Kjo ishte shumë e lartë, edhe sipas gjykimit të shumë njerëzve që e njohin mirë këtë fushë të industrinë, dhe për shumë të tjerë. Ekspertët e quajtën këtë një rritje “të
pajustifikueshme”, ndërsa ata që diskutojnë mbi situatën në internet për këtë, përdorin gjuhë më pak të kontrolluar në rrjetet sociale duke e sharë atë siç i thonë me libër shtëpie.
Shkreli në fillim tha se do ta ulte çmimin, por kjo s’i qetësoi dot kritikët e vet. (Pasuan shkrime dhe tituj. “Martin Shkreli dhe pse uli çmimin e ilaçit është ende një qelbësirë”). Pastaj ai tha se nuk do ta ulte, gjë që rriti sërish zemërimin -tek njerëzit që e quajtën atë “bro pharma”, personifikimi i një drejtuesi të industrinë mjekësore të zhgaravitur keq.
Por Shkreli në intervista, dhe më shpesh në videot on line të transmetuara nga guva e tij të errët, duket një njeri i zgjuar gjithë mend, një tru disi i vështirë për t’u kuptuar, një villain apo si një gjeni i së keqes. Ai flet me madhështi për planet e tij dhe nuk mërzitet së fshehuri përbuzjen për të gjithë ata që se kuptojnë, sepse çmimet më të larta dhe fitimet më të larta, mund të jetë një ndihmë për zhvillimin e industrisë dhe për pacientët, për shkak se të ardhurat e tyre mund të financojnë hulumtimet shtesë dhe zhvillimin e barnave të reja”, shkruante gazeta “New Yorker”.
Më pas, në dhjetor, ai u akuzua për shtatë akuza për mashtrim, lidhur me një hedge fond që kishte bashkëthemeluar, dhe nga i cili ai dha dorëheqjen më vonë madje edhe si C.E.O. i Turing. Por, deri atëherë, “poshtërsitë e tij” kishin marrë një kthesë të çuditshme. u zbulua se ai kishte paguar dy milionë dollarë për një, një-farë albumi të padëgjuar nga kush, nga grupi Wu-Tang Clan, dhe më pas nisi një grindje me reperin më të madh të klanit, Ghostface Killah i cili e akuzon Shkrelin duke kërkuar këtij të fundit 2 million dollarë kompensim. Eshtë e qartë se ai kërkon vëmendje, edhe pse nuk ishte gjithmonë e qartë se çfarë ai donte të bënte me atë vëmendje. Por duke parasysh seç ndodhi të enjten kur Komiteti Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare vendosi t’i jepte atij një mësim, por i dha Shkrelit nga na tjetër, më shume vëmendje mediatike.
Seancat e Kongresit gjithmonë përfshijnë një farë mase një lojë teatri. Por “shfaqja Shkreli”, shkruan New Yorker megjithatë, “s’ ishte gjë tjetër veçse teatër, madje një formë tepër sureale e tij”.
Në seancën dëgjimore Trey Gowdy, një republikan nga Karolina e Jugut, mori një rol udhëheqës. Ai i tha Shkrelit: “Keni një mundësi e madhe, në qoftë se ju doni t’i edukoni anëtarët e Kongresit në lidhje me çmimet e ilaçit, dhe të na sqaroni atë që ju e keni quajtur rasti ‘i akuzave fiktive’ kundër jush.” ?
Shkreli vazhdonte të mos i përgjigjej pyetjeve të komisionit, kështu Gowdy provoi një qasje të ndryshme. “Ne mund të flasim edhe për blerjen e një-sigle të Wu-Tang Clan? A është ky një emër albumit-apo një emër grupi? ”
Në këtë pikë, avokati Shkrelit, Benjamin Brafman, u përkul përpara, nga një karrige pas klientit të tij dhe i pëshpëriti diçka në vesh. Shkreli e dëgjoi, pastaj përsëriti tw njetë përgjigje që ai kishte dhënë gjithë mëngjesin: ” Sipas këshillës së avokatit, kërkoj zbatimin e privilegjit tim të Amendamentit të Pestë, kundër vetë-inkriminimit dhe me respekt refuzoj t’i përgjigjem pyetjes suaj”
Gowdy më pas iu kthye kryetarit të komisionit, Jason Chaffetz, një republikani nga Utah. “Zoti. Kryetar, “tha Gowdy, i mbushur me zemërim:” Unë jam i habitur se një bisedë në lidhje me një albumet që ai ka blerë mund t’i nënshtrohet inkriminimit.” Marrja në pyetje vazhdoi në këtë mënyrë, dhe Shkreli ndonjëherë duke trokitur gishtërinjtë, ndonjëherë duke qeshur, dhe nganjëherë duke rrudhur vetullat, sikur ai nuk mund të besonte se ata ishin duke u marrë me të për një diçka qesharake. Avokati Brafmani më vonë shpjegoi se klienti i tij po vuante nga “lodhja nervore”, por vetë Shkreli paraqiti një gjendje të kthjellët mendore më vonë, kur reagoi nëpërmjet Twitter-it:
“Vështirë ta pranoj se këta debila përfaqësojnë popullin dhe qeverinë tonë”,
Askush, dhe aq më pak Shkreli, nuk duhet të jetë i habitur nga performanca e së enjtes që frymëzoi një raund të ri të shfaqjes “Shkreli”. Ndoshta pjesëmarrësi më i etur i saj ishte Jake Tapper, nga CNN-i, i cili kritikoi ” nënqeshjen e vetëkënaqur” të Shkrelit dhe shtoi disa komente të dhunshme e të menjëhershme: “Jam i sigurt se ka shumë individë të sëmurë atje, të cilët mund të dëshirojnë t’ia ngrinë buzëqeshjen në buzë Shkrelit, duke i dhënë fund të biznesit të tij me një lopatë dhè.”
Por a ishte performanca Shkrelit një fakt më i dënueshëm se sa ajo e ligjvënësve? Elijah Cummings, nga Maryland, është demokrati më i lartë në atë komision, ai e përdori kohën e tij thjesht për të lëshuar një sharje. “Dikush ka paguar për këto barna, tatimpaguesit do të duhet të paguajnë disa prej tyre,” tha ai. “Ata janë zgjedhësit tanë.”
Në fakt, është e vështirë të kuptohet se saktësisht se kush është duke paguar për Daraprim-in. Shkreli dhe Turing kanë pohuar se spitalet dhe kompanitë e sigurimeve do të paguajnë, ndërkohë që pacientët, të cilët nuk mund ta përballojnë atë ilaç do të kenë zbritje, ose do ta marrin falas. Madje Nancy Retzlaf, zyrtarja më e lartë e shitjeve e Turing, i tha komisionit në lidhje me përpjekjet e kompanisë së saj për t’ua dhënë ilaçin falas njerëzve që nuk mund ta përballonin çmimin. Marrëveshjen që ajo e përshkroi, dukej si një lojë fjalësh, një kombinim i çmimeve marramendëse të larta, bisedimeve misterioze të korporatave, dhe akteve të bamirëse, si ai i rastit në fjalë, nuk qe shumë më e ndryshëm nga pjesa tjetër e sistemit tonë mjekësor.
Madje Cummings veproi sikur Shkreli të ishte i vetmi person, që mund të parandalonte që një sistem rrënuar të ndreqej. “Unë e di që ju jeni duke qeshur, por unë jam shumë serioz, zotëri,” tha ai. “Nga mënyra si unë e shoh situatën , ju mund të hyni në histori si djalë i pangopur, drejtuesit i një kompanie barnash, ose ju mund ta ndryshoni sistemin, po, apo jo?”. Cummings ka qenë në Kongres qysh nga viti 1996, dhe ai është një besimtar i fortë i fuqinë së qeverisë për të përmirësuar industrinë farmaceutike nëpërmjet rregullave. E megjithatë, ai ishte duke iu lutur një ish-drejtori të një kompanie relativisht të vogël farmaceutike për të “ndryshuar të gjithë sistemin”? Kjo dukej si një akt abdikimi prej tij.
Komisioni i udhëhequr nga republikanët nuk ishte më mbresëlënës. Për të thënë se Turing kishte siguruar fitime panevojshme, komiteti paraqiti dokumente që tregonin se kompania kishte mbajtur një festë luksoze me shumë shpenzime, përfshirë edhe hedhje fishekzjarrësh, si edhe u kishte dhënë se disa prej drejtuesve të saj një rritje rroge me gjashtë shifra. Dhe më vonë ishte John Mica, një republikan nga Florida, i cili është zotuar ta “mbajë qeverinë sa më larg nga shtretërit e pacientëve të sëmurë që e mori fjalën. “Pavarësisht skepticizmit të tij për ndërhyrjen e qeverisë, ai shprehu alarmin pse disa çmime të ilaçeve kanë” arritur qiejt. “Edhe më shumë se kolegët e tij, ai dukej i befasuar prej mosbindjes të Shkrelit si dëshmitarit kyç, për të folur dhe se ai nuk mund ta kuptonte si mundej një qytetar i thjeshtë “të tregohej më aspak i respektueshëm ndaj qeverisë së tij dhe në një moment, ai kërcënoi se do të shikonte Shkrelin me përbuzje.
Saga Daraprim ka aq shumë të bëjë me mënyrën si vepron FDA (Administrata Federale e Ushqimeve dhe Drogave) sesa me vetë rastin Shkreli. P.sh. edhe pse patenta e këtij bari ka skaduar, në vitet pesëdhjetë, procesi i certifikimit si gjenerik nuk është kryer. Procesi i licensës për barnat gjenerikë nga ana e F.D.A. është mjaft i sikletshëm dhe për momentin, kushdo që e zotëron Daraprim ka një monopol virtual në Amerikë. (Përtej detit, ilaçi është shumë më lirë.)
Një nga dëshmitaret e së enjtes ishte Janet Woodcock, një zyrtare e F.D.A. përgjegjëse për vlerësimin e drogave. Mica e pyeti atë në lidhje me raportet se një numër barnash kohët e fundit kishin dyfishuar apo katërfishuar çmimet. Woodcock tha se : “Kongresi nuk i kishte dhënë me të vërtetë, ndonjë autoritet për caktimin e çmimeve, FDA-së kështu tha ajo ne nuk i kontrollojmë ato”. “Nëse Mica dëshiron të ulë çmimet e barit duke inkurajuar konkurrencën, atëherë ai duhet të përqendrohet në ndryshimin e procesit rregullator. Dhe ai duhet të jetë i vetëdijshëm se plani i tij do të kërkojë më shumë e jo më pak angazhim nga sipërmarrësit mjekësorë.
“Një nga gjërat më të çuditshme rreth argumentit anti-Shkreli është se që ai duhet të shfaqet i tronditur për faktin se një drejtues ekzekutiv i një biznesi mjekësor është i motivuar nga qëllimi i fitimit. Dhe një nga gjërat më të çuditshme në lidhje me vetë Shkrelin është se ai nuk duket se është i motivuar nga fitimi, të paktën, jo tërësisht.
Vjeshtën e kaluar, Derek Lowe, një kimist dhe bloger për shkencën, ka kritikuar planin e Shkrelit për të rritur çmimet, si një “ide e tmerrshme”, sepse një plan i tillë përbënte “një rrezik serioz për të gjithë kontrollin e strukturës së çmimeve të industrisë, pasi kërkonte më shumë kontroll, shqyrtime dhe rregullime të thella “. Ai madje i bëri thirrje industrisë farmaceutike ta denonconte Shkrelin për të mbrojtur modelin e saj të biznesit. Nga këndvështrim ekonomik. strategjia Shkreli duket e mundshme. Të paktën një person i afërt me Shkrelin tregoi se ata kanë rënë dakord. Në një nga dokumentet “demaskuese” të zbuluara nga komisioni, tregohej sesi një punonjës ekzekutiv i paidentifikuar, thoshte ai në e-mail dhe i lutej Shkrelit për të mos rritur çmimin e Daraprim përsëri, duke thënë se rrezikohej nga një tjetër stuhi mediake dhe se “Investitorëve thjesht nuk u pëlqejnë këto gjëra”,. Përgjigja e Shkrelit ishte gjakftohtë dhe jo angazhuese: “Ne mund të presim disa muaj me siguri.” Pat thënë ai. Kjo gjë duket si plan.
Po të ishte vërtet një drejtues ekzekutiv i pangopur do të mbante një profil shumë më të ulët sesa Shkreli: nuk do të bënte një rritje eksponenciale të çmimeve që të dilte në titujt e medias, vetëm të mërzitshme, por dhe të besueshme, pa intervista, pa tweets, dhe absolutisht pa ndonjë grindje me artistët e hip-hop-it. Një drejtues ekzekutiv i vërtetë, i pangopur do të qëndronte pak a shumë anonim, në hije. (Sa C.E.O.-ve të kompanive të tjera farmaceutike, ua dini emrin?)
Por Shkreli kështu duket se i ka bërë një shërbim dhe ka provuar, një pikëlidhje në mes parave dhe mjekësisë. Ju mund të mos bini dakord me vlerësimin e tij, por duhet të mendoni në mënyrë që të kuptoni shërbimin që ai na ka bërë duke treguar se çfarë është e ligjshme. Ai na ka ndihmuar të mendojmë se ne mund të dëshirojmë ta ndryshojmë, dhe të asaj që ne mund të kemi nevojë të mësojmë se si duhet të jetojmë.
Kjo ka frikësuar industrinë farmaceutike sa në twiteer dikush e pyeste Shkrelin, se CEO-ja i Biogen, George Scangos thotë se ju mund të keni çmime të shëndetshme të ilaçeve dhe të keni industri të shëndetshme ose ‘ të shkallmoni ‘ çmimet dhe ta dëmtoni industrinë”.
Të premten, vetë Martini mori në internet në webcast pyetje nga audienca. Ai i pyeste ata nëse njerëz të cilët ishin “të gatshëm ta urrenin mund të debatonin me të”. Dhe për rreth tetë orë, duke filluar rreth orës 9 të mëngjesit, ai u përgjigj pyetjeve të rreth 600 shikuesve në Spreecast, një platformë falas e transmetimit në Internet, duke ndërvepruar me ta, ai mbante veshur një T-shirt të gjelbër, ndërsa rrinte ulur në apartamentin e tij rrumpallë në New York. Në LiveStream e tij, Shkreli tha se kishte marrë pyetje nga audienca, por kishte refuzuar të përgjigjej para Kongresit, sepse ai konsideronte se anëtarët e Kongresit e kishin thirrur atë në mënyrë jo etike, pasi ata nuk ishin të interesuar të dëgjonin përgjigjet e tij, por vetëm të nxirrnin në pah se ai ishte i motivuar thjesht nga interesi vetjak për pasuri. Në këtë video-stream, Shkreli u përpoq t’i nxirrte në pah praktikat e tij të caktimit e çmimeve me një dritë më pozitive. Në përgjigje të një pyetësi nga Afrika se çka e detyroi atë ta bënte ilaçi i tij më të shtrenjtë, Shkreli tha se ai do jepte falas për Afrikën një tjetër ilaç jetëshpëtues, që është në pritje të miratimit FDA. Më pas, ai pohoi se krijimi i një ilaçi shpëton jetë, dhe kjo tregon se “ai është duke bërë disi punën e Zotit këtu”.
Hetuesit federalë ndoshta, tani do të jenë duke parë këtë stream tani dhe duke regjistruar dhe hetuar çdo fjalë të tij. Por le të kalojmë në politikë tani. Shumica e kandidatëve presidenciale pretendojnë se i përbuzin politikanët në Uashington, por, të enjten, Shkreli e vuri përbuzjen në praktikë, dhe ndihmoi për ta ilustruar atë. Por pse ai tregohet i sinqertë edhe kur sinqeriteti nuk paguan(?) A mund të ketë ndonjë dyshim nëse Hillary Clinton, pas paraqitjes së saj të fundit para Gowdy dhe disa nga kolegët e tij, do të kishte dashur që të dërgonte një mesazh, si ai Shkrelit që vjeshtën e kaluar. Trump ka thënë se Shkreli “i duket si një çun i llastuar”; por në fakt, ai është i biri i një portieri ndërtese, i lindur nga prindër emigrantë nga Shqipëria. Dhe shikojeni atë tani! Vërtet, ai ka disa padi për t’u shqetësuar. Por ai është një njeri i famshëm i ngritur me forcat e veta, në sajë të një plani biznesi, që e bën të vështirë për ne që t’i injorojmë inkoherencat dhe mosefikasitetin e industrisë sonë mjekësore. Ai që duket, sikur rrotullon sytë para anëtarëve të Kongresit, bën biseda me gjithë mend të thella me komentues të rastit në internet, dhe, ndryshe, nga shumica e figurave tona publike, ai kurrë nuk ka mësuar artin e të lënit pas dore apo atë kacavjerrjes të shkallëve sociale. Ai është një mishërim i Endrrës Amerikane, American Dream, një kujtim i vrazhdë e shpirtit të lirë që e ka bërë këtë vend të madh dhe të jashtëzakonshëm. Ndoshta duhet thënë “Shkreli për President! Nëse të gjithë kandidatët presidencialë në fushatën e në New Hampshire bënin thirrje kundër qeverisjes në Washington, duke e akuzuar si përgjegjëse për vështirësitë ekonomike të tyre. Zgjedhësit duke u shprehur kundër dërgimit në Uashington të atyre që pretendojnë se i urrejnë, duhet të mendojnë se më tepër se gjithë fjalimet false të kandidatëve, akti i Shkrelit, përqeshja që ai i bëri Kongresit, dëshmon se një ditë ai mund të bëhet më i dashur sesa i urryer.
Pse çka Trump-i më shumë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe asnjë, Martin Shkrelin të gjithë e urrejnë, Rafael Floqi, se kupton

Ambasadori Amerikan Delawie:Kosova është “në zgrip”

February 9, 2016 by dgreca

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, thotë se Kosova është “në zgrip” për shkak të bllokadës politike që e ka kapluar vendin tash e gjashtë muaj.
Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, përshëndeti iniciativën e Presidentes për t’i takuar liderët politikë të vendit në një tavolinë, por tha se është i zhgënjyer nga fjalori i përdorur pas takimit.
“Duhet të them se kam qenë i zhgënjyer nga disa reagime që i kam dëgjuar për takimin e djeshëm. Është e rëndësishme për njerëzit që ta kuptojnë që qytetarët i punësojnë politikanët që të marrin vendime. Disa nga ato vendime janë kundërthënëse, por përdorimi i fjalëve si ‘tradhti’ dhe ‘diktaturë’ për t’i karakterizuar vendimet që i marrin politikanët derisa janë duke e bërë punën e tyre vërtetë e bëjnë dialogun më të rëndë dhe demokracinë më të vështirë, si dhe e bën më të vështirë arritjen e zhvillimit demokratik të Kosovës që të gjithë duam ta shohim”, tha ambasadori amerikan.
Duke e mbështetur iniciativën e Presidentes në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje politike përmes dialogut, Delawie tha se pret nga liderët politikë “angazhime të mëtutjeshme” për ta gjetur një zgjidhje.
“Në këtë moment mendoj se Kosova është në zgrip. Progresi është i mundshëm, por nuk është i sigurt. Ende mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe atë punë duhet ta bëjë një Kuvend që funksionon, qoftë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian, qoftë përmes bashkëpunimit me ShBA-të në Sfidat e Mileniumit dhe në shumë çështje tjera në agjendë për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Por së pari, diplomati amerikan dëshiron të shohë fund të bllokadës politike.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që bllokada politike të zgjidhet. Dua që Kuvendi të funksionojë, dua që deputetët të jenë në gjendje ta bëjnë punën që punëdhënësit e tyre, qytetarët e Kosovës, po i paguajnë për ta bërë. Sigurisht që i përkrahu përpjekjet e Presidentes për ta përdorur dialogun për të sjellë një zgjidhje për bllokadën politike”, tha ai.
Ambasadori amerikan nuk pranoi të komentojë për çështjen e votimit të Presidentit, pikë te e cila politika kosovare pritet të vijë brenda javëve.
“I përket Kuvendit të vendosë për Presidentin e ri. E kuptoj si funksionojnë ligjet, por kjo nuk është puna ime”, tha ambasadori Delawie.
*Sqarim se çfarë do të thotë fjala “zgrip” që e ka përdorur ambasadori amerikan:
ZGRIP m.
1. Buza e një gremine, e një shkëmbi të thepisur etj.; skaji i një sendi, ana, buza. Zgripi i shkëmbit (i greminës, i humnerës). Zgripi i pullazit (i shkallëve, i pusit, i varrit). Zgripi i lumit. U ul në zgrip. U kacavar në zgrip të shkëmbit. U tërhoq në zgrip të rrugës. E mbushi deri në zgrip.
2. fig. Pika e fundit, fundi, mbarimi i diçkaje. Është në zgrip të jetës. E çoi punën deri në zgrip. Pakicë; shtrëngicë, kursim. E ka me zgrip diçka e ka me pakicë. Ha (prish, shpenzon) me zgrip ha pak e me kursim të madh. Jeton me zgrip jeton me pak gjë, në shtrëngicë e me kursim të madh.
* Është me (në) zgrip
a) nuk është i sigurt; është i vështirë dhe i ngatërruar për t’u bërë;
b) mezi qëndron më këmbë, mezi mbahet diçka, është gjysmake;
c) ka vajtur deri në buzë, deri atje sa s’mban më. E ka me (në) zgrip është i pavendosur për diçka, e ka me mëdyshje, lëkundet midis «po»-së dhe «jo»-së. Është në zgrip (në buzë, në grykë) të varrit shih te VARR,~I.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Amerikan Delawie:Kosova, është “në zgrip”

Eunukët shqiptarë në mbrojtje të Jugosllavisë e Turqisë

February 9, 2016 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ*/
Kur hordhitë serbe bënë krime të shëmtuara në Kosovë e në territoret etnike pas tërheqjes së ushtrisë turke, shqiptarët e harruam gjenocidin anadollak. Turku mizor papritmas u bë turk i mirë. Por me turkun e mirë kohë të gjatë askush nga shqiptarët nuk u mor. As turku nuk u mor më shqiptarët, ua la në duar serbëve, më të cilët zhvillonte marrëdhënie të shkëlqyeshme. Dashuria ndaj turkut shpërtheu befas në dhjetëvjetëshin e fundit më depërtimin e frymës islamike. Eunukët shqiptarë, përnjëherë e rikujtuan dashurinë për Turqinë islamike. Deri dje nuk u bëhej vonë as për turkun, as për islamin, sepse e shqyenin gurmazin më lëvdatat për Jugosllavinë. Pjesa dërmuese e këtyre eunukëve shqiptarë janë gjysmë analfabetë. Ka edhe ndonjë intelektual eunuk, që u shërben me servilizëm.
Kur e mori frerin e udhëheqjes së Jugosllavisë Milosheviçi, i cili nisi më dhunën që nuk mbahej në mend në tridhjetë vjeteshin e fundit, shqiptarët e Kosovës e të territoreve etnike e harruan gjenocidin e ushtrisë jugosllave. Grupe të tëra nisën ta vajtonin kohën “e artë” të Jugosllavisë. Në këtë vajtim eunukësh harruan se Josip Brozi, vrau 50.000 shqiptarë të Kosovës e të territoreve etnike, shpërnguli në Turqi, në marrëveshje më shtetin turk mbi 250.000 shqiptarë dhe burgosi mijëra bashkëkombës tanë. Ky terror vazhdoi me intensitet deri me 1966, kur nga presioni ndërkombëtar iu lirua laku shqiptarëve. Tito, për krime e ngarkoi ministrin e vet të brendshëm A. Rankoviqin. Prapë 50.000 shqiptarët që i vrau për katër vjet (1945- 48), nuk i përmendi. Në vlerësimet e mëvonshme shqiptarët e vrarë u cilësuan armiq të Jugosllavisë. Dënimi politik i torturave të Rankoviqit u bë me 1967. Atë nuk e ekzekutuan, as nuk e burgosën, megjithëse akuzohej për qindra shqiptarë të vrarë e mijëra të torturuar. Rankoviqin e pensionuan.
Por ra zemërimi i propagandës jugosllave mbi te, Tito doli i larë. Në sytë e shqiptareve, prapë me procesin e shpërlarës së trurit, Tito mbeti shpëtimtarë. Dhe shqiptarët eunuk nisën ta shajnë e ta dënojnë vetëm dhunën e Rankoviqit, por nuk e thanë asnjë fjalë të keqe kundër Titos. Ai për një pjesë të shqiptarëve me tru të shpërlarë mbeti biri më i madh i shekullit XX.
Është e habitshme që këtë dozë dashurie servile e dëgjon edhe sot e kësaj dite në Kosovë, e në territoret etnike, por edhe në Shqipëri: Tito i mirë, Miloshevqi i keq, Jugosllavia shtet i të barabartëve, Serbia burg i shqiptarëve. Ndërkaq, Jugosllavia ishte Serbi e zgjeruar, e mbështjellë më demagogjinë e vëllazërim-bashkimit. Serbia edhe më tutje mbetet burg i shqiptarëve: komunat e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës janë nën terror, ndërsa janë territore shqiptare. Serbia nuk ka ndryshuar. Mbase një pjesë e këtij shkulmi të vonuar të nostalgjisë për Jugosllavinë është pasojë e qeverisjes së keqe në Kosovën e pavarur, kur erdhën në krye të shtetit njerëz pa kulturë, pa arsimim e më të kaluar baritore, por eunukët nuk e bëjnë vetëm për këtë arsye. Nostalgjikët jugosllav sikur i vajtojnë privilegjet e tyre personale e grupore pa u brengosur se si jetuan pjesa dërmuese e bashkëkombësve. Këtë dashuri ndaj Jugosllavisë nuk e thonë publikisht, nuk e deklamojnë sikurse bënin dikur, por e thonë kurdo që u vjen rasti në biseda të përditshme.
Në Shqipëri po ashtu një pjesë e qarqeve intelektuale e artistike asnjëherë nuk ngurruan e nuk ngurrojnë ta lavdërojnë kohën e Titos. Natyrisht edhe në Tiranë, sikurse në Prishtinë, lobi serb është shumë i fuqishëm, në mediet elektronike e të partitë. Duke i dëgjuar apo duke debatuar me ta të mbërthen dëshpërimi. Athua nuk e njihnin pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi? Nuk duan ta njohin kohën e vuajtjeve të bashkëkombësve të tyre? Apo aq u bën, mjafton që ata e patën mall Jugosllavinë, ndërsa ai mall nuk iu hoq as sot e kësaj dite, megjithëse Jugosllavia vdiq.
Brezi i vjetër i nipërve të Enver Hoxhës, mund të kuptohej pse kanë nostalgji për Jugosllavinë dhe pse nuk i urrejnë serbët (komunizmi i mësoi se nuk duhet të urrejnë popujt, por qeverisjen e keqe), por është e pakuptueshme prej nga nostalgjia e brezit të ri për Jugosllavinë e servilizmi për serbët. Njëfarë Rigels Halili, i prezantuar kulturolog në “Radion Evropa e lirë”, në frymën e eunukut servil e mbron Jugosllavinë, e shtrembëron shëmtueshëm historinë e Kosovës e të territoreve etnike shqiptare, e kritikon nacionalizmin e Ismail Kadaresë, i cili në vitet e tetëdhjetë doli i vetmi shkrimtar në mbrojtje të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duke u përpjekur t’u futet nën sqetull serbëve, R. Halili në mënyrë cinike përpiqet të na tregoj se ne nuk paskemi qenë të okupuar, por të barabartë në Jugosllavi. Dhe pastaj fillon elozhet për Jugosllavinë e për serbët. Në Shqipëri i duam serbët, në Kosovë i urrejnë, u lëpihet serbëve, ky eunuk nga Shqipëria. Turpin e bashkëkombësve të vet të cilët e ftuan në Tiranë këngëtarin shovinist G. Bregoviq, (i ka kënduar himn ushtrisë së Milosheviqit), apo Z. Çoliqin përpiqet ti nxjerr pozitive. Ish bashkiakun e Tiranës, E. Ramën e nxjerr dashamirë të serbëve që ia dha Bregoviqit çelësin e Tiranës, në vend që kryeministri i tashëm t’ia jepte çelësin e shtëpisë së vet. Meqë ky far Halili është i tredhur në tru, nuk e di, as nuk do ta dijë se jugosllavët vranë 50.000 shqiptarë të Kosovës për katër vjet. Apo aq i bënë? Opinionet e tij për Jugosllavinë “e popujve të barabartë” janë opinione të njëjta më ato të Enver Hoxhës, i cili pati komplekse të paskajshme inferioriteti ndaj jugosllavëve. Nipi i Enverit nuk dallon nga gjyshi.
Eunukët shqiptarë e mbrojnë me ngulmë Jugosllavinë e Turqinë, duke shkelur mbi interesat e kombit e shtetit të tyre. Janë qindra, mbase mijëra të tillë që s’prajnë si urith natën e ditën. Rrëmojnë themelet e shtetit e të kombit të tyre për interes të shteteve, të cilat rendojnë aq shumë mbi kombin tonë.
*Falenderojme autorin per bashkepunim me Diellin

Filed Under: Opinion Tagged With: Eunukët shqiptarë në mbrojtje të, Gani Mehmeti, Jugosllavisë e Turqisë

Lamtumirë prej botës shpërndarë

February 9, 2016 by dgreca

…. Nexhmije Hoxha tha se Enveri i saj i bëri vrasjet në emër të shtetit. Nga që ishte burrë shteti. Por bilancet e shtetit janë çfarë thamë mësipër. E njëjta histori …, nuk ka punë, nuk ka treg, nuk ka shtet. Megjithatë Nexhmija tha se Enveri bëri punën si shtetar. Dhe rezultatet e shtetit të saj ishin…, 85% e shtetarëve shqyen kufijtë e maleve.
Opinion Nga Ilir Levonja-Florida/
A ishte dominante në shtyp intervista e Nexhmije Hoxhës? Kjo është çështja në botën virtuale shqiptare. Dhe ka një lloj ngutje, një lloj kërshërie mikluese, ku të vihen në dukje një lloj triumfi i të ashtuquajturës nana Shqipëri. Megjithëse në lamtumirën e saj kjo nanë, veç foli si shtetare. Asesi si nanë.
Megjithatë bota ime shqiptare kështu qënka. Gjithmonë bumin apo gjëmimin mediatik e bëjnë nga mosha shtatëdhjetëvjeçare e sipër. Referohuni po deshe edhe memories. Shërret për të drejtën e njërit apo tjetrit. Kështu qënka e shkruar. Ndërsa gjaku virtual, rinia, ha fara luledielli bulevardeve. Ose trotuareve të provincës. Gjuajnë me romuze njëri-tjetrin. Bëjnë plane për të ikur. Nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk të përkrah shteti. Nuk bëhet më këtu. Ky vend ka mbaruar. Duhet lekë të gjesh një vend pune. Duhen kaq milionë. Duhen lekë të blesh diplomën. Duhen lekë të marrësh një vertetim. Një çertifikatë. Duhen lekë të marrësh një vendim gjykate. Duhen para të hapësh një biznes. Punon tek tjetri, por nuk ke asgjë të siguruar. Dhe me të drejtë mbajnë sytë nga emigrantët. Por po ua them unë, se edhe këta, janë një botë mashtrimi më vete. Tjetër hiqen e tjetër janë. Dhe prapë bëjnë nga marrëzitë më të çuditshme, më aventureske si e si të ndihmojnë të afërmit e tyre. Kam dëgjuar e parë kaq shumë histori, sa, edhe kjo është një temë tjetër. Që ndofta në një të ardhme do rrëfej me pjesë. Por e vërteta është e hidhur. Deri në sakrfica absurde. Si e si që të tregojnë se janë të zotët. Si e si tu mburren shoqi-shoqit se bëjnë për të afërmit e tyre. Në fakt janë deri çmenduri të botës së boshe të shfrymit shqiptar. Që tjetër është, tjetër hiqet dhe tjetër bën. Kam parë muhaxhirë që rrojnë vet si eremitë, si e si vajza me dhëndrrin të rrojë në luks në mes të Tiranës. Kam parë e dëgjuar shumë. Ashtu sikur dëgjojë refrenin e mësipërm nga, vendi mëmë…, nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk bëhet më këtu. Duhet kaq para për një vend pune. Këto e të tjera janë shprehjet që vinë si dush fytyrës. Dhe ti gufosesh. Nuk ke se çfarë të thuash.
Megjithatë, çdo kohë ka bilancet e veta. Përshembull Nexhmije Hoxha tha se Enveri i saj i bëri vrasjet në emër të shtetit. Nga që ishte burrë shteti. Por bilancet e shtetit janë çfarë thamë mësipër. E njëjta histori …, nuk ka punë, nuk ka treg, nuk ka shtet. Megjithatë Nexhmija tha se Enveri bëri punën si shtetar. Dhe rezultatet e shtetit të saj ishin…, 85% e shtetarëve shqyen kufijtë e maleve. Duke lënë kockat borës dhe rrëpirave, burgjeve të Greqisë. Ndërkohë edhe ata që jetojnë akoma atje, edhe pse qytetarë të devotshëm, janë të tunduar nga operacionet fshesa. Shtetarët e saj thyen dyert e ambasadave, rrëmbyen zgërvallat e industrisë dhe transportit socialist e iu vërsulën detit. Duke mbushur Adriatikun me trupa, duke i siguruar Italisë e më tutje, mish për seks, drogë, mafie etj. Por edhe shenjtorë si punëtorë e familjarë të mirë, edhe intelektualë e artistë profesionistë të klasit të parë. Pasi nuk kanë se çfarë i duhen shtetit të saj. Pa le t’i kthemi bilancit të burgosurve, atyre që ajo nuk do t’i lëndojë plagët nga shteti i saj. Kështu tha ajo, ndaj nuk foli për burgun e saj. A e dinë shqiptarët se vetëm për të drejtën e fjalës, për pikëpamje të kundërt politike, janë dënuar 35 mijë njerëz. I bie më shumë se një qytet. Sa gra janë vrarë, sa burra, sa njerëz në përgjithësi janë poshtëruar…?
Megjithatë bota virtuale vazhdon. Nexhmija më e klikuara. Në fakt paneli i shtadhjetë, tetëdhjetë vjeçarëve. Tashmë u thye rekordi. E theu Nexhmija me rastin e 95 vjetorit të saj.
Shqipëri vendi im, mos u merr me fjalët e shtetatëreve por me bilancin e punës së tyre.
Dhe deri sot ai është i qartë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë apo nëdhjetëvjeçarët bëjnë bumin mediatik. Dhe rinia ha fara luledielli totuareve nëpër qytete. Lamtumirë nuk është fjala e duhur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonaj, Lamtumire, Nexhmija

Dështimet politike te Kosovës,fryt i politikës përcarëse brendashqiptare

February 7, 2016 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/
Kohëve të fundit jemi dëshmitar se proceset politike ndërshqiptare, kanë marrë një kahje të një gremine politike që nuk po kanë të ndalur. Refuzimi i Kosovës për antarësim në UNESKO, fitorja e Serbisë kundër Kosovës në Keshillin e Evropës për një votë madje në munges edhe te dy deputeteve shqiptare Ermira Mehmeti dhe Valentina Leskaj tregon qartë se politika shqiptare është e qakorduar ne kahje të ndryshme dhe aspak e kordinuar në mes vete për qështje madhore të kombit shqiptar. Madje këta politikan fatkeqsisht janë në gjendje që edhe shtetin ta shkatrrojnë vetëm e vetëm të ruajnë pushtetin.
Vlimet e mbrendshme politike ndërshqiptare po japin rezultatët negative në aspektin ndërkombëtar. Madje kët munges të vetdijës politike ndërshqiptare po e shfrytzojnë më shumë sukses armiqt tanë shekullor. Shqiptarët po tregohen shumë të pa interesuar që ta mbrojnë vendin e tyre. Diplomacia shqiptare dhe bashkpunimi diplomatik ndërshqiptar është për momentin në një huti te plotë politike, çdo gjë pritet e gatshme që të iu vie sikurse „hutit në fole“, dhe duhet të kenë parasysh politikanët tanë se çdo gjellë që pregatitët nga kuzhinat e ndryshme nuk janë gjithmonë të shishme, sepse mund të ndodhë që kuzhinjeri të jetë person i cili qëllimisht i hedhë krip shumë gjellës për ta prishur ushqimin. Por si duket politikanët shqiptarë janë bërë imun ndaj gjellerave të ndryshme, madje ata hanë çdo gjë që i servohet vetëm e vetëm që ata ta ruajnë karrikën e tyre. Karrika mbi të gjitha thërrasin politikanët tonë shqiptarë dhe harrojnë apo nuk janë të vetdishëm për pasojat që do t‘i kenë gjeneratat e ardhme.
Pasi që jam rritur në odën e burrave dhe shpesh herë në këto oda kishte thenje të menqura. Njëra ndër to është edhe kjo „Pasi që nje person me emrin Tuc kishte qenë shumë problematik, një plak i menqur i kishte thënë: Or Tuc mos mbledh therra në rrugë, sepse nëse nuk të hyn ty kanë me i hi djalit tënd apo djalit të djalit tënd.” Politikanët tanë të vetmën punë që din ta bëjnë mirë është ajo që të mbledhin therra në rrugë dhe të bëjnë kurthe politike kundër njëri – tjetrit. Kjo është metodë politike lindore dhe jo përendimore. Fatkeqësisht politika jonë shqiptare në të gjitha trojet etnike shqiptare po funksionon me metoda politike lindore edhe pse gojën e kanë plot perëndim.
Krizat politike po thellohen njëra pas tjetrës dhe nuk janë në gjendje politikanët tanë asnjë punë ta kryejn vetë pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje tani ka filluar edhe më rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Pazaret politike për zgjedhjen e të parit të Shtetit kanë filluar. Kosova për momentin është në një fazë të disfavorshme në aspektin politik në botë. Zgjedhja e një Presidenti me të kaluar kriminale apo destruktive do të thotë edhe një izolim shtesë pesë vjeçar për Kosovën. Shpeshëherë kam vënë re se politikanët tanë kur kanë ndonjë takim me diplomatët përendimorë flasin për tolerancën ndërfetare , thua ta merrë mendja se vërtetë në Kosov paska tolerancë fetare. Por unë e them të kundërten. Sistemi politik në Kosovë është i ndërtuar nga koncepti Erdoganist i politikës dhe ky koncept lindorë ka përjashtuar komplet shqiptarët katolikë nga pjesmarrja në jetën politike të Kosovës.
Meqë jam historian dhe flas me fakte atëherë po i jap faktet e pakontestushme. Fillimisht shkojmë tek tre funksionet më të larta të Republikës së Kosovës : Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeminstri i Kosovës, asnjëri preji tyre nuk janë shqiptarë katolik, vazhdojmë me tutje tek Qeveria e duetit Isa Mustafa dhe Hashim Thaqi , edhe pse kjo Qeveri ka një përbërje shumë të gjërë, dhe në mesin e saj ke diverzitete mishmashesh politike, por as për ilaq nuk e ke një Ministër Shqiptar Katolik, madje edhe njëri që ishte kandidat seriozë për Ministër u blloku në mënyrë cezariane. Përveq Qeverisë shkojmë tutje tek Diplomacia e Kosovës.
Asnjë Ambasador i Kosovës në Evropë dhë në botë nuk është shqiptar katolikë, madje më erdhi rënd kur një mik i imi gjerman më tha këto fjalë. Kot zoti Oroshi t‘i e mbron Tolerancën fetare në Kosovë, ma thuaj një emër të një Ambasadori shqiptar katolik në botë, apo një emër të një Ministri në Qeverinë e Kosovës. Mbeta pa tekst se nuk kisha përgjigje sepse këtë ma kishin pamundësuar vëllëzerit e mi të besimit islam me ndërtimin e një koncepti lindor të Politikës në Kosovë duke përjashtuar heshturazi dhe pa bërë zë vëllëzërit e tyre shqiptarët katolik nga çdo funksion politik në Kosovë.Ky fakt më rendoj shumë ndjenjat e shpirtit tim se pse nuk më është mundësuar nga vëllezërit e mi shqiptarë të besimit islam t‘i jap përgjigje mikut tim gjerman që është pjesë e politikës gjermane.
Për ta bllokuar këtë sistem lindor të orjentimit politikë të Kosovës kam një kërkesë direkte tek partitë politike shqiptare në Kosovë, pozitë dhe opozitë. Tani e keni rastin ta tregoni tolerancën fetare në vepër. Mblidhuni pozitë dhe opozitë dhe zgjidheni një shqiptarë katolikë për President të Kosovës. Jam i bindur plotësisht se intelektualë dhe atdhetarë shqiptarë katolik keni sa të doni në mesin tuaj, i cili me përkushtim do të kryente detyrën e Presidentit të Kosovës, dhe do të ishte një rrezatim i ngrohtë i prezentimit të Kosovës ne Evropë dhë në Amerikë. Në këtë aspekt Kosova do të kishte një përparësi politike karshi Serbisë, në shumë aspekte. Edhe mua përsonalisht do të më jepni mundësi edhe pse me vonesë t‘i pergjigjesha mikut tim gjerman dhe ti thosha” Po në Kosovë funksionon toleranca fetare ndërshqiptare sepse edhe pse shumica derrmuese në Kosovë i takon besimit islam ‚Presidentin e Kosovës e kemi shqiptarë katolik.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Dështimet, Mr.sc.Nue Oroshi, politike te Kosovës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 601
  • 602
  • 603
  • 604
  • 605
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT