• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË FTUAR NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT

July 18, 2013 by dgreca

Të ftuar në këtë publikim të Sofrës poetike të Diellit janë: Julia GJIKA- Massachusetts, Vullnet MATO, Shqipëri, Gani Qarri-Zvicër/

 

JULIA GJIKA/

MUZGU THEPISET/

Qielli zbras me shtamba shiun e dëndur./

Brenda meje, curg rjedh një tjetër shi trishtimi./

Muzgu thepiset./

E harruar, si një spirancë e vjetër buzë detit,/

mes tokës e qiellit, diku buzë ujrave frymoj/

duke pritur diten e re, qe vjen monotone/

si ajo qe dje shkoi./

Bota hesht rreth meje, përvidhet./

Varg valësh përparojnë, tërhiqen.

Pastaj marin vrull të paparë, përparojnë

për t’u ngritur lart dallgë perceshkumë.

Lëkundem mes tokës dhe dallgësh, me sy nga qielli.

Zogjve të detit u kam lënë supin tim.

Të shplodhen në këtë braktisjen time.

Takohem kështu me mirënjohjen,

që ecën në kah të kundërt me botën e shurdhër.

Muzgu thepiset.

Tingulli që përhap sqepi i zogut të shpresës, më përmend

se në këtë gjithësi ka njerës,

që si kulprat e egra, i ngjiten trungut të shëndetshëm të pemës,

për t’i marë frymën.

Sopata e druvarit nuk arin dot në kohën e duhur.

Nuk gjej dot me mendjen time arsyen, pse?

Borxh të kërkoj një tjetër mendje, nuk më përgjigjet.

Kaq e errët errësira që ndehet para meje!

Dhe duket kaq e qetë.

Ka qenë errësirë për kohë të gjatë

dhe nuk e paskam vënë re.

Cudi si errësira është kaq e qetë,

ndërsa mendja zhurmon, bluan, bluan si një mulli.

Përpiqem t’a thyej, por është kaq e madhe.

Nuk mund të nxjer zë, më duket se do të më trembë zëri im.

Fjalët më mbeten në grykë,

të burgosura, nuk kanë fuqi të luftojnë për të drejtën e tyre.

Sa shumë hije lëvizin përreth.

Zgjaten në forma të papara,

afër kaq afër, para fytyrës, me ngjiten në lëkurë,

ashtu si kulprat e egra që u përdridhen trungut të pemës,

më marin frymën.

Muzgu është thepisur.

Po shkon mesnata. Edhe pak do të agojë. Shiu ka pushuar.

Ditë e re zgjohet, me nuanca të reja shumë ngjyrëshe

sekondë pas sekonde, njëra tjetrën do të mohojnë.

Ashtu si bejnë gratë kur ndrojnë ngjyrat e shalleve

për të qënë në harmoni të reme me stinën .

 

***

Vullnet Mato/

 

O NËNA IME, MOJ !…/

(Elegji në përvjetorin kur mbylli sytë)/

 

Kam ardhur sot të thërres: O nëna ime, moj!…

Siç thërrisja kur ishe gjallë te pragu i portës.

Të derdh petale malli mbi mermerin ku lotoj,

siç lotoje, kur kthehesha nga largësitë e botës.

 

Te kjo varrezë e pikëlluar, buzë detit me valë,

ku mbylle sytë e prehesh, si në sënduk nusërie,

më vetëtiu kujtesën, ajo ditë kur kishe dalë,

më prisje te porti, të kthehesha me anije…

 

Më kish zënë deti dhe ti faqet ngjyrë vrer,

më puthje si nizamin e kthyer nga Qabeja.

Ndonëse kishe nën pupla pesë zogj të tjerë,

të digjej shpirti për zogun e ikur nga foleja.

 

Doje kurdoherë të na kishe të gjithë pranë,

dhe s’na lije kurrë të na rrëmbenin zënkat.

Na thoshe,“Sa herë grindet vëllai me vëllanë,

nënës suaj i shkulen copa nga zemra”…

 

Na ushqeje urtësi dhe në pjatën e racionuar,

me atë barazi, që s’na lije fjalë për të thënë.

Ah, sa të ëmbla dilnin nga buzët fjalët e tua,

kur me to dhe të uritur, na bëje të ngrënë.

 

Ti mbretëroje deri ku zienin sherret e mëhallës,

dhe me zërin tënd u vije kapakun e pajtimit.

Më duket sikur dhe këtu afër, ku grinden dallgët,

dëgjoj zërin tënd, që u lutet të zbutin zemërimin.

 

Fjalët e tua ishin më të buta nga çdo butësi,

por me një fortësi magjike, aq të fuqishme,

sa matrapiku që thyen gurët e malit përbri,

s’do i thyente dot si ti, hallet tona të përditshme.

 

Na mëkove, si çdo nënë me qumësht perëndie,

por dhe me oksigjeni e mirësisë që kishe në gji.

Ndjesitë na i thure me frymë dhembshurie,

sikur ishe motra e vogël e shenjtores Mari!…

 

Oh, ajo dorë e shenjtë, kur më lëmoje kokën!

Ndjeja sikur gishtat e tu, më bëheshin flatra

dhe ëndërroja të fluturoja në të gjithë botën,

të sillja atë begati që s’të erdhi kurrë te vatra.

Të ndriste dielli fytyrën, kur vija nga mërgimi,

dhe të breronte shiu, sa herë ndaheshim bashkë.

Tek më përcillje, në çastet kur afrohej largimi,

puthje xhamin e ftohtë të autobusit nga jashtë.

 

Sikur të isha bërë miliarderi më i pasur i botës,

dhe paraja të kish fuqi të çonte njeriun nga varri,

do falja të gjitha miliardat, si kokrrën e mollës,

të ndizej prapë ai syri yt me vezullim margaritari.

 

Por meqë jeta dhurohet veç një herë për çdo njeri,

dhe unë dhuratën tënde gjer në fund po e harxhoj,

do vij të trokas sërish, te porta e qiellit, ku je ti,

të thërres me zërin e shpirtit: O nëna ime, moj!…

***

 

GANI QARRI/

TË FITOJË SHQIPËRIA /

Shqipëri o Nënë e madhe
Paske pasur shumë Hambare
Të kullosnin grek e sulltana
dhe do nga djemët, që lindi nëna

Eh, sa të kullosnin osmanlia
dridhej populli nga uria
hanin grekët e romakët
të pacipët matrazapët

se që i ngrisnin turinjët
meshtarët, priftërinjët
helmuesit, gjarpërinjët
të ndëshkonin me tatim e fe
të rrëzuan për dhe

Shqiptari nuk pranoj kurrë robërim
Por i duhej prirës dhe kushtrim

E fati qëlloj me ne
ishte një prijës i zjarrt për Atdhe
I madhi Skënderbe
kokat turqëve ua pati pre

Pas tij prinë djalë pas djali
pushtuesëve kurrë luftën súa ndali
deri te Ismail Qemali
Për bashkim luftën se ndali

Pas këtyre sakrifica e vlerash
lindi një shtet bunkerash
i veshur me petk të varfërimit
me ide të carit e Stalinit

Lavde thurnin nga nëntoka
Shqipërinë e ndanë në copa
e kurthe i bënin vëllaut
për hirrë të grekut e shkjaut
Kështu lëngoj Shqipëri nënë shkreta
deri në vitet e 90-ta,
të ngrirë nga ndarjet, skamja e uria
thanë po vjen demokracia
U hodhën në këmbë shumë sorollap
me gënjeshtra mbi popullin bënë jotak
thonin jemi demokratë

Premtuan parajsë, vend pa të meta
nuk kishin ndryshuar, veç ndërronin xhaketa
ato xhaketat me yll, në dry i kishin mbyllë
vishnin xhaketa të kuqe, rrinin nëpër kolltuqe
populli i uritur, disa refugjatë, tjeret në burgje

Betoheshin do të ndërtojmë Shqipërinë
e së bënin as ndonjë uzinë
popullit nuk i ndaleshin haraqet
krerët vazhdonin mandatet
Shaheshin në parlament e kuvend
popullit i shitshin mend
rraheshin si kalamajt
të ndarë në të djathtë e të majtë

Eh Shqipëri, nënë Shqipëria
populli vuan, e gëzon paria
thuaj djemave, prekne kokën
kush gënjen, mos i jep votën

Njëqind vjet, shtet po kremtohesh
mbete e vockël, nuk po shtohesh
nëse don të ndritësh e të rritesh
zgjidh më të mirët, bijët e shqipes

Veq kërkoj, se shumë i ke
Si ka ditë me lindë ky dhe
si të madhin Kadare
Ke do të mira, që gufon trolli
mund i gjenë te Devolli
që si trembi as Anadolli
shumë të tjerë sikur Agolli

burra të shejtë, koka intelektuali
ka Shqipëria djalë pas djali
janë të rrebtë sikur shkëndija
me ta do fitojë Shqipëria

LAMTUMIRË NËNË

Lamtumirë nënë
po iku, unë biri yt
sa më vjen rëndë
Po shpirti më ka ardhë në fyt

Lamtumirë vëllezër
e të dashur miq
për hirrë të kafshatës
duhet të ikim të ligj

Idashuri atdhe
kurrë nuk të kthyam shpinën
Ishim përbetuar ne
të ndjekim katilen

Të zinjët e ullirit e hoqëm
e kurrë nuk u ngopëm
Qëndruam në skamje e uri
vetëm për pak Liri.

Gjaku i të rënëve gufoj
ja lirinë ua pruna
asgjë nuk ndryshoj
na mungon buka e puna
shpirti na ka ardhë te hunda

nuk na ndihmoj shkolla,as grykëholla
sdi çka po ndodhë
nga skamja jemi lodhë

Digjemi si urnë
për një vend punë
për një kafshatë
ikim refugjatë

Eh, jemi të fortë si lisa
kalojmë kufij pa viza
me ne tregëtojnë sllav e rumun
nuk na duan askund

Jemi një grumbull Rini
botën e kemi marrë në sy
shkojmë, s´dijmë nga jemi nisur
na shpërndau, kjo varfëri e krisur

Edhe sa kohë
edhe sa vjet?
I duhen shqiptarit
të mos braktisë vendin e vet!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, Gani Qarri, Julia Gjika, ne sofren poetike, Vullnet Mato

I FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, VULLNET MATO

July 11, 2013 by dgreca

ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!/

Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,/

për dhjetë vjet./

Qielli më dërgonte shi./

Toka më dhuronte lot./

Mes shtatë sqepave të zogjve,/

gojëhapur ditë e net,/

buka e nënës nuk arriti/

të më ushqente dot…/

Fillova të vizatoj njerëz,/

për të nxjerrë ndonjë kaush.

Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,

mos qoftë askush!..

Mora malet,

derisa më pranoi një ahishte në pyje,

nga ku gjethet vjeshtore

çonin fjalët e mia të mallit.

Aty u vëllazërova me çdo dru

që më bënte hije,

pasi lash pranë detit vëllezërit

dhe psherëtimat e zallit.

Letrat e nënës i bënte era gjethe

brigjeve me gëmush.

Me pasionin tim në punë të rënda,

mos qoftë askush!..

Djalërinë ma burrëroi

një Elenë e Trojës korçare,

në luftën për shkakun e dy feve

tona të ndryshme.

Ashtu, si Paridi, bir mbreti,

pasi e rrëmbeva për fare,

durova, si bir deti, dallgë

presionesh të stuhishme.

Elenën e desha si lisi,

pjergullën e vet me rrush.

Me pasionin tim në dashuri,

mos qoftë askush!…

Shfletova stivat e dispensave

nga të gjithë shekujt letrar.

Dhe u fala viteve,

gjumin bashkë me flokët e dendur.

Pas dy diplomave,

sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.

Derisa u ula në karrige druri,

mes njerëzve të mençur.

Librat e mi kishin dallgë Joni,

gjethe ahu dhe dushk.

Me pasionin tim në krijimtari,

mos qoftë askush!…

Gjurmët e mia nisën zanafillën

nga mali jugor në Finiq,

dhe shkuan deri te pllangat e akujve

në Alpet verior.

Nuk besoj të ketë ngrënë njeri

në jetë aq shumë fiq,

sa kam jetuar ngjarje

dhe kam njohur tipa njerëzor.

Fjalët e zemrës më kanë mbetur

në çdo mal dhe fushë.

Me pasionin tim përkushtuar miqve,

mos qoftë askush.

Fytyra që më qëndisi nëna me merak,

si të parin e djemve,

kam arsye të shpresoj se do mbetet

në vegime internetike.

Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore

në degët e këtyre pemëve,

besoj do gjejnë dhe imazhin tim

në bërthamat elektronike.

Tani rend rrafshinave të kompjuterit,

derisa të vdes plakush.

Me pasionin tim në fraza dhe metafora,

mos qoftë askush!…

 

GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA

 

Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,

sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,

fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira,

të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy.

Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit

të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh.

Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit,

ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh

Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë,

kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla.

Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark,

dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja.

Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë,

kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri.

Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr,

beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar

dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.

Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar,

dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë.

Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin,

por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin,

sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë,

tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë…

 

FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK

 

Veshët ndjehen organi

më fatkeq i trupit të njeriut

dhe shpesh mallkojnë

qenien e tyre thuajse pa fat,

që s’janë njësoj si goja,

si sytë e mbrojtur vetiu,

krijuar nga zanafilla

për t’u mbyllur me kapak.

Megjithëse, veshët

kanë shansin e parë organik,

të kapin fjalët më të ëmbla

kushtuar dashurisë,

t’ia çojnë sinjalet trurit,

që urdhëron receptorët erotik,

të magjepsen ndjenjat

me emocionet e lumturisë.

Kur ai, ose ajo thotë:

O shpirti im, sa fort të dua!

veshët bëhen si fije peri,

në përgjim të pëshpërimës

ta shpien te zemra

me gjëmim të shumëfishuar,

siç bëjnë veshët e maleve

me jehonën e oshtimës.

Sidomos kur dashuria

rënkon me ofshama kënaqësie,

veshët dehen në ekstazën

e frymëmarrjes së rëndë,

njësoj sikur thithin me ëndje

notat e një melodie,

me valë drithëruese

nga më e këndshmja këngë…

Pastaj, teksa buçasin

dy zanoret e para të foshnjës,

kur pas nëntë muajve natë,

agon nga barku i nënës,

veshët tendosen si dy krahët

e zgjatur të shqiponjës,

që presin një top drite

rënë nga vezullimi i hënës.

Por fatkeqësinë e vërtetë

të qenies së tyre pa kapak,

veshët e ndjejnë, kur

gojëfëlliquri lëshon breshëri,

fjalorin e tij vulgar

me banalitet shëmtarak,

dhe ata nuk mbyllen dot

automatikisht kurrsesi.

Ashtu siç janë të detyruar

të lejojnë dialogun e sherrit,

të depërtojë përmes tyre,

nga fillimi, në çastin e fundit,

kur njëri ikën i dëshpëruar,

tjetri stepet prej tmerrit,

apo nga krisma përmbyllëse

e gjakderdhjes së plumbit…

Në këto raste, sytë ulin qepenat

të mbyllet pamja përqark.

Goja kyç dyert të mos dalin

fjalët e rrezikshme kuturu.

Ah, sikur të kishin

dhe veshët të tillë kapakë,

të shmangte njeriu i gjorë

hyrjen e provokimit fatal në tru!…

 

BASHKË NË ÇDO ORBITË

 

Nëse disa ditë s’të vjen

mesazh në celular,

dije se jam kthyer

në këngë bilbili.

Hap dritaren të dëgjosh

në pemët vërdallë,

zërin tim të blertë

me fëshfërima pylli!

Nëse disa ditë nuk lexon,

emrin tim të shkruar,

diku mbi vargje,

apo në rreshtat e krijimit,

shiko mes dy malesh,

ku dielli ka ndriçuar

shkronjën e parë “V”

me rrezet e agimit.

Nëse disa ditë nuk shfaqem

te muri në internet,

dije se jam kthyer

në valë elektronike.

Hap monitorin e shpirtit

të më kesh aty ku je vet,

të përqafohemi sërish,

si nëpër netët magjike.

Pra, dije se nuk shkëputem

dot nga tërheqja jote

nga vlaga fuqidhënëse

që më japin buzët e tua.

Edhe sikur të na ndajnë

nga vërtitja e kësaj bote,

në dy hapësira planetësh,

unë prapë ty do të dua.

Oh, qofsha në gravitet

të përjetshëm me ty,

që të desha me të tëra

grimcat e shpirtit njerëzor!

Dhe paçim në tërheqjen

magnetike atë megafuqi,

që mban të pashkëputur

orbitat e dy trupave qiellor!…

 

PUTHJET NËPËR ËNDRRA

 

Kur adoleshencës

po i shkoja në skaj,

bota më thërriste

horizonteve tutje.

Vajzat më dukeshin

mrekullia e saj,

dhe netëve me to

ëndërroja puthje.

Gjatë asaj kohe

putha vajza dhe nuse,

nga më të bukurat

që kishte bota filmike.

Në perde kinemaje

putha artistet ruse:

Zvjetllanën, Ljudmillën,

Tatjanën magjike.

Putha Luçien, Nailen,

Pagarushën, Anitën,

me zërat drithmëtar

të zogëzave të pyllit.

Putha aktore Tinkën,

Violetën, Margaritën,

që më luanin brenda

skenës së shpirtit.

Po kur putha të parën

bukuroshe në realitet,

m’u duk se kish te buzët

gjysma hëne në vezullim.

Shkrepi një vetëtimë,

sikur putheshin retë

dhe u dehëm sqep më sqep

si dy fajkonj në fluturim…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, Me pasionin tim, mos qofte askush, ne sofren e Diellit, Vullnet Mato

LIBRI “HERBARE NJEREZORE” I SHKRIMTARIT VULLNET MATO, NJË EKSPOZITË NDJENJASH, PLOT NGJYRA

May 23, 2013 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku/

Kam gëzimin dhe kënaqësinë e veçantë të jem lexuesja e parë e këtij libri të ri të mrekullueshem të shkrimtarit Vullnet Mato. Nje ekspozite ndjenjash plot ngjyra shpalosen ne këtë  përmbledhje me tridhjetë  tregime. Pllakata të arta mesazhesh, të ekspozuar si në një galeri artesh ku pasqyrohet përvoja e thellë e njohjes së jetes njerëzore. Çdo tregim shfaq një botë universlale më vete. Çdo personazh shfaqet me frymen e tij individuale, duke kaluar para një ekrani grafik me frymën dhe karakterin e tij te veçante, duke qenë rob ose hero i mendimeve të tij, i patosit, i çiltërsisë, i dashurisë njerëzore, duke sjellë grimca, origjinale nga ngjarjet madhore të jetës.Damarët dhe indet e mendimeve, shtrihen në shumë segmente rrugësh dhe hapesira të jetës, duke shpalosur edhe fatet e dhjetëra personazheve që gelojne brenda ketij libri te shkruar me nivel mjaft të lartë artistik, nga ky autor i mirënjohur i letrave shqipe.
Jeta ka ligjet e saj të patolerushme, të cilat, nëse nuk zbatohen, fati i njeriut është tragjik. Në tregimin “Dashuri brenda varrit” fjalet e gruas se viktimes, janë si bisturi në plagët e hapura të një rrethi të tërë familjar. Autori shpalos idenë, se zgjedhja e njeriut për të bashkëjetuar, bëhet vetëm një herë dhe kjo para martesës. Kush nuk di të zgjedhë në atë kohë atë që i duhet, pas martesës zgjedh ose shkatërrimin e familjes, ose vdekjen… Ose siç cilësohet nga fjalet e nënës “..Martesa duhet të kuptohet si e shenjtë!” Një ngjarje e zymtë kjo, e cila ka përbrenda thellësi dhe peshë të madhe mendimi që të impresionon.
Dora e prozatorit Mato nuk denon, por lë të kuptohet nga vetë ne lexuesit. Se mungesa e ndjenjes së dashuri, është mungesa e një ushqimi shpirtëror që nuk mund të zëvendesohet me asgjë, por që edhe paga e zhgënjimit prej saj, është tragjedia. Mendja impulsive e njeriut, shpesh është tepër e ndjeshme…me një kthesë 360 gradë. 
Tek “Shëmtaraku Misterioz” fjalët e Shanies: “Mua, moj motër, nuk më duhet bukuria që kam vetë, më duhet burrëria, mençuria dhe besnikëria, në atë masë, që e ka Fatmiri, por sidomos shpirti i tij i bukur e fisnik me të cilin ndjehem fare mirë.“ Deklarata e saj është si uji i freskët që spërkat me ndjesi karakteret njerezore, për të fituar edukimin, rritjen dhe ushqimin e filozofisë së vetë jetës.
Stili i fuqishëm individual i këtij krijuesi është unik. Ai luan me harpen emocionale në harmoni me personazhet e tij, duke krijuar nje akord magjepsës, që të lë shijen e një muzikaliteti prej dore të artë. Drita vibruese e shpirtit të tij të talentuar depërton brenda psikologjisë së shpirtrave, duke u bërë një edukator i tërthortë i tyre. Dora e këtij krijuesi është si vetëtima, që shkruan në të gjithë hapsirën e horizontit dhe ndriçon universin njerëzor. Një zbulesë e rëndësishme në tregimin “Dashuri Mizore” është zhgënjimi në dashuri, si rezultat i mosedukimit femëror dhe hapave të hedhura keq në fillimet e jetës së një vajze. Akti që zgjodhi personazh kryesor, ishte të vuante në një jetë të rrenuar shpirtërisht, pa dritën e dashurisë së vertetë. 
Tregimet e shkrimtarit të afirmuar në këte gjini, Vullnet Mato, kanë nje paisje elektrike të padukshme, që rrezatojnë dritë mbi shpirtin e errët, mbi sytë e realitetit dhe në vetë jetën e secilit nga ne. Ato të bëjnë hërë të mendohesh thellë, herë të tronditesh dhe herë të buzëqeshesh me veten. 
Në mbyllje të këtyre reshtave, që më nxiten leximet e tregimeve të tij, dua të them se dora e këtij gjeniu, ka shkëlqyer prej vitesh në letërsinë shqiptare, me burimin e pashtershëm të talentit të tij të spikatur. Urime këtij meteori vezullues shqiptar, që mund të konkurojë edhe pena botërore në yjesitë letrare.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Vjollca Tiku Pasku, Vullnet Mato

30 Tregime nga shkrimtari Vullnet Mato

May 22, 2013 by dgreca

Shkrimtari Vullnet Mato sapo ka botuar librin me tregime”Herbare Njerezore”. Libri përmban 30 tregime të shkruar nga autori kohët e fundit. Urime shkrimtarit!

Sipas njoftimit të ardhur nga Tirana libri është vënë në qarkullim në libraritë kryesore të  kryeqytetit si:”Agolli”, Adrion”, “Albania” etj. Ne i kërkuam shkrimtarit Mato që të përzgjidhte një nga të tridhjetë tregimet për lexuesit e Diellit dhe ai na e plotësoi kërkesën. Ndiqeni:

 SHPULLA E ËMBËL/

Tregim nga Vullnet MATO*/

Sapo dola në korridor, nga dera e klasës së katërt A, ku kisha mbaruar orën e mësimdhënies, më shkuan sytë befas te vendpushimi para kabinetit të biologjisë. Aty në gjysmerrësirë, Ermali i së katërtës B, tentoi atë çast të puthte me zor, Luljetën dhe ajo e goditi me shpullë rrëmbimthi. Kjo sjellje e pazakonshme e tij, më la pak sekonda të menduar, madje edhe të tronditur. Sepse ai nxënës ishte krijesa ime model, me të cilën kisha punuar veçmas katër vjet radhazi, për ta formuar si njeri dinjitoz, nga i cili mund të merrnin shembull të gjithë të tjerët.

E thirra Ermalin te shkallët, ku u nis të vraponte dhe i thashë, në fund të orëve të vinte patjetër të më takonte te kabineti im i letërsisë. Ai e kuptoi plotësisht që e kisha parë veprimin e tij të mbrapsht me shoqen e klasës dhe u skuq, aq sa nuk e deshi veten që kishte rënë padashur në lakun e syve të mi.

Qysh në ditët e para të ardhjes së tij nga fshati i largët malor, unë e kisha zgjedhur atë djalë të zgjuar, trupvogël, si një brumë njerëzor të pastër, për t’i dhënë formën e një njeriu me intelekt të zhvilluar, me kulturë të bollshme letrare dhe me edukatë të spikatur qytetare. Duke i ushqyer dijet e tij sistematikisht, me libra nga biblioteka ime, duke e mbajtur pranë më këshilla, deri edhe duke i dhuruar këpucët e mia të tepërta për këmbët e veshura keq. Më pas e kisha bërë “koleg” për matematikën, ku ai shkëlqente, t’u shpjegonte problemat e vështira nxënësve të klasës sime në kujdestari, gjatë orëve të studimit. Në fund të fundit, të gjitha këto i bëja, edhe për të matur veten time, se deri ku mund të arrinin aftësitë dhe mundësitë e mia njeri-formuese, si mësues me përvojë njëzetvjeçare. Por gjesti i tij i sotëm më la paksa të zhgënjyer për këtë segment të karakterit të tij të panjohur prej meje. Sepse në drejtime të tjera, ai shquhej për mirë dhe ishte bërë nxënës i dhjetës absolute në të gjitha lëndët.

U ndjeva mjaft i befasuar prej tij, jo se unë isha aq strikt e pedant, sa të mos merrja parasysh, se ai djalë, që tashmë kishte marrë pamje burrërore, me pushin e zi në mjekër dhe me shtatin e hedhur djaloshar, nuk do të lakmonte vajzat, madje edhe t’i puthte ato. Por kurrsesi pa dëshirën e tyre, të bëhej një dhunues, si ai që më kishin zënë sytë pak më parë.

Në fund të orës së gjashtë Ermali më priste kokulur te banka e parë, përballë katedrës dhe u ngrit në këmbë, sapo hyra në klasë. I thashë të ulej dhe mora karrigen time u ula përballë tij. Dukej paksa i turpëruar, por pa ndryshuar ngjyrën në atë fytyrën e njohur mirë prej meje, ku si në një ekran të ndritshëm, lexoja sesi ravijëzoheshin në ngjyra dhe shprehje të mimikës, gjithë ndjenjat e tij. Më erdhi ndërmend ajo fytyra e skuqur shumë nga turpi dhe pendimi, kur e kisha qëlluar me shpullë, si të parin dhe të fundit rast në jetën time prej mësuesi. Për shkak se kishte thyer xhamin e dritares së kabinetit të letërsisë, të kompletuar me paratë e rrogës sime, për mungesë fondesh nga drejtoria e shkollës. Mjedis, ku kisha krijuar të gjitha kushtet për të studiuar pasditeve klasa ime në kujdestari me konviktorë të ardhur nga fshatrat. Ai jo vetëm më kërkoi falje të sinqertë, për atë dëmtim pa dashje, por edhe me pendim të thellë, më qëndroi më afër se kurrë, me një dashuri, sikur të isha prindi i tij i vërtetë.

Në rastin e pazakontë të sotëm, si fillim i hodha vetëm një vështrim serioz të pjerrtë. Por ende pa arritur të hap gojën i pari, për ta akuzuar për sjelljen e tij të padenjë, ai me nuhatjen e mprehtë ku rrihte çekani i bisedës, nxitoi të më thotë:

-Më keni thënë prej kohësh, profesor, se sinqeriteti është e vetmja dhuratë që mund t’i falim njëri-tjetrit dhe unë e kam pasur këtë, si të vetmin postulat në të gjitha komunikimet e mia me ju…

-Këtë e kam konstatuar me kohë, – e ndërpreva kënaqësish që ma kujtoi atë kërkesë, – Prandaj dhe duhet të më flasësh sa më sinqerisht sot, pse ke filluar të bësh akte të tilla rrugaçërie me vajzat e klasës? Aq më keq, me Luljetën, me atë vajzë të urtë e të ndershme që nuk i pranon nga askush këto lloj sjelljesh?

Kur dëgjoi fjalën ”E ndershme” ai formoi në fytyrë një nënqeshje të lehtë paksa ironike.

– Më keni kapur mat, profesor, dhe ju lutem të më falni, por jam i detyruar të flas fare hapur, se nuk kam si të shpjegohem ndryshe. Unë Luljetën e kam dashur dhe kam shkuar me të…

Shqeva sytë mbi fytyrën e tij aq të qetë, sikur të kishte thënë thjeshtë, kam pirë një kafe me atë vajzë.

-Si the, more, si the, ma thuaj edhe një herë?

-Kam pasur marrëdhënie intime me dëshirën e saj…

Deri në ato çaste, dija se Luljeta ishte vetëm shembulli më i qartë, që na jep natyra me përsosjen e bukurisë femërore në moshën e adoleshencës, kur ajo piqet si e tillë. Madje me një pamje aq ekspresive, ajo vajzë fshatare, edhe me një fustan të thjeshtë, tregonte hire vajzërore, me të cilat mund t’i prishte mendjen çdo djali. Dhe padashur m’u kujtua, viti i parë, kur me një mikun tim që i binte organos, organizoja mbrëmje argëtimi me klasën time në kujdestari, për t’i qytetëruar fëmijët fshatarë, Luljeta e turpëruar, i hiqte duart nga supi i djalit, me të cilin kërkoja të mësonte vallëzimin në çift. Si ishte munduar tani, ajo vajzë me këtë djalë që kisha para syve, kishin shkuar deri në ekstremin fundor të formimit qytetar?!…

-Shkova me Luljetën, pas një mbrëmjeje që bëmë deri vonë në konvikt, dhe ajo ma kërkoi vetë. Duke më treguar edhe mendimin e shoqeve të saj, se ajo lloj ndershmërie, për të cilën flitej shumë, ishte vetëm një xham akulli që duhej thyer, për të mos penguar dukjen e anës femërore të një vajze. Dhe unë, që e kisha vuajtur shumë shpirtërisht thyerjen e xhamit të kabinetit, u stepa në fillim. Por duke kuptuar dëshirën dhe vendosmërinë e saj, nuk mund të mos i përgjigjesha me dashurinë time. Pastaj kur mbaruam, ajo më tha papritur, duke u përkulur për të veshur të brendshmet:

– Nuk të vij më. Kjo që bëra me ty sonte do të jetë e para dhe e fundit herë…

– Pse? – e pyeta i çuditur në kulm.

– Nuk më pëlqen ta bëj më këtë gjë.

– Po pse më erdhe, kur s’të pëlqente?

– Meqë e kishin bërë shoqet e ngushta, u bëra kurioze…

Atëherë u mendova pak, si mund ta bindja që të mos hiqte dorë prej meje.

– Do vish se s’bën, se ti më do mua!- i thashë duke qenë i sigurt për këtë.

– Nuk të dua kushedi se çfarë, kisha vetëm simpati për ty dhe kaq.

Më erdhi shumë inat nga ato fjalë, që nuk i prisja kurrsesi prej saj dhe u tregova egoist:

– Do më vish, se po nuk më erdhe, këtë që bëra sonte me ty, do ua tregoj të gjithë shokëve të klasës!…

Ajo ngriu pak sekonda, duke më vështruar me habi, pastaj tha me një zemërim tepër të madh:

-Po më hape namin, do u them edhe unë të tëra shoqeve, që t’u thonë pastaj edhe djemve të tyre, se ti e kishe sa çunat e kopshtit të kalamajve…

U tërbova, o profesor, nga ato fjalë të tmerrshme të dala nga goja e saj dhe menjëherë ia futa me shpullë turinjve. Ajo më vështroi me sy të shqyer dhe pasi u bë spec e kuqe në fytyrë, iku me vrap. Tani jo vetëm nuk më flet fare me gojë, po edhe ikën sa më larg nga unë. Po me thënë të drejtën, profesor, tani sepse kam filluar ta dua më shumë dhe i penduar për shpullën e asaj nate, që ishte një aksident i imi, desha ta afroj me puthjen që pikasët ju. Por mesa duket, ajo sot mori hakën. Dhe qoftë ashtu siç e kuptova unë, një shpullë e ëmbël, vetëm sa për hakmarrje…

E dëgjova Ermalin duke mbajtur frymën pezull nga habia dhe nuk gjeta frymë tjetër për të ndërhyrë me këshilla të panevojshme në intimitetet e moshës së tyre. Duke menduar se me ndryshimet e reja, që po u bënte koncepteve rinore faktori i jashtëm formues, me gjithë mjetet e fuqishme të kohës, unë kisha dalë jashtë lojës. Aq më tepër, atë çast ndjeva tamam, se tashmë, pak para mbarimit të shkollës së mesme dhe marrjes së dëftesës së pjekurisë, ata ishin bërë vetëveprues, sipas botëkuptimit të tyre për jetën dhe unë gjendesha veçse në pozicionin e një spektatori. Megjithatë, edhe disa kohë më pas, më mbeti një pikëçuditje e madhe në mes të trurit, si ai huri i vetëm i një gardhi të rrëzuar, nga i cili, qengjat e dikurshëm kishin fluturuar.

*Tregimi është marrë nga libri “Herbare njerëzore” të shkrimtarit Vullnet Mato, I sapo botuar në Tiranë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 30 tregime, Herbare Njerezore, nga shkrimtari, Vullnet Mato

NJE ZE I VECANTE NE LETRAT SHQIPE

January 18, 2013 by dgreca

INTERVISTE ME SHKRIMTARIN VULLNET MATO/ -Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës./

NGA RAJMONDA MOISIU/

“Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet …../

 Peripecite e hapësirave të largëta janë pjesë e natyrës njerëzore, gati në mënyrë të përafërt me trurin e krijuesit, nga e cila lind një poezi, prozë apo edhe një refleksion i çastit. Fakti që një krijues i hedh në letër, tregon pasionin, aftësinë për të vazhduar me fisnikërinë e një profesioni, kuptimi i të cilit është integriteti i asaj ç’ka të shtyn të shkruash. Në rastin konkret shkrimtari Vullnet Mato, për herë të parë botoi një poemë, të redaktuar nga i ndjeri Vath Koreshi, që e bëri të ndjehej si Juri Gagarini, që në ato ditë po i vinte botës përqark me raketë, duke përfytyruar ato hapësira të largëta të rrugës krijuese për t’u bërë shkrimtar. Pas saj vjen romani “Ujësinor”, duke na treguar detajet e rrugës së jetës. Fjalën njerëzore dhe edukuese të prindërve, mendimin se njeriu i mirë është thesar dhe virtyt ta fitosh, botimin i poemës dhe i romanit, profesioni e tij të mësuesisë, pasionin për të shkruar, si një vorbullë magjike që e tërheq, ai i sheh si përvoja të vyera, të cilat i kanë dhënë mundësinë për të promovuar karrierën e tij si shkrimtar. Në galaktikën e tij krijuese letrare numërohen plot tetembedhjete vepra. Ndërmjet të cilave shquhen romani “Damkosja e Engjëjve”, “Vajza e Kyçur”, “Marrëzia e madhe”, “Matura e paharruar”etj. I cilësuar dhe vlerësuar nga kritika e kohës si një shkrimtar cilësor që dallon me mjeshtërinë e penës së tij: “Është mjeshtëria e Matos që depërton deri thellë ngulmave vjetroshe të shkulë çibanë dhe mërzitma. Jeta e njeriut e deliri i tij, në sfilitën letrare të Bernard Show-t dhe të Matos gatuhet i tillë” (F.Terziu). Tani kontrastin e fortë të personalitetit të njeriut në dy kohë ai e shikon sa të rëndësishëm aq edhe me pozitivitet për ta krijuar. Shkrimtari dhe poeti Vullnet Mato, një nga zërat më të njohur në letrat shqipe, një njeri modest dhe shumë i sinqertë, na tregon për audiencën e lexuesve detaje të rëndësishmete jetes dhe krijimtwrise letrare, disa herë duke përdorur sqimën e batutës inteligjente, paksa sarkastike, por shumë popullore, këndshëm dhe me një emocion të papërshkruar.
-Keni lindur duke qeshur apo duke qarë dhe pse?
-Duhet të kem lindur duke qeshur, sepse ndjehem gjithmonë me humor të mirë. Ndoshta e kam kompensim për të mos i ndjerë vuajtjet e fatit, nga fëmijëria deri në vitet ’90, kur ngriu lufta klasore. 
-Ku keni lindur? Jeni nga ku lindët, apo nga ku banoni? Po fëmijët tuaj nga e konsiderojnë veten dhe pse?
-U mbolla në Sarandë, lidha kokrra në Librazhd dhe do korrem në Tiranë. Fëmijët deklarohen sarandiotë, megjithëse Sarandën e kanë pare me sy në moshë madhore. U pëlqen shumë Saranda me det dhe me njerëz të qetë.
-Kush jua ka vënë emrin? Cili është mesazhi i emrit? Do donit ta ndryshoni?
-Emrin ma ka vënë gjyshi Xhaferr Mato. Me dëshirën, për të trashëguar vullnet të fortë, siç ka ndodhur. Djali i madh emigrant ka dashur ta ndërroj në Vasil, për të marrë pension në Greqi. Por unë preferoj të vuaj me pensionin e vogël shqiptar, duke menduar se vuajtjet në atdhe e fisnikërojnë shqiptarin.
-Ku e kaluat fëmijërinë?Cili është kujtimi më i bukur dhe më i shëmtuar?
-Fëmijërinë e kalova në Sarandë. Kujtimi më i bukur është kur nxora nga deti koshin prej teli me 12 peshq dhe gëzova nënën me vëllezërit e uritur. Kujtimi më i shëmtuar është, dënimi me vdekje, duke na hoqën triskat e bukës, se nëna me shtatë fëmijë nuk pranoi ta ndante babanë e burgosur për agjitacion dhe propagandë.
-Çfarë mbani mend se keni mësuar për herë të parë nga nëna, apo nga babai? Po nga mësuesi? Po nga shoqëria? Po në moshën e parë dhe të dytë?
-Nga nëna kam mësuar të bëhem memec para fjalëve politike, për të shpëtuar nga burgu. Nga mësuesi kam mësuar se në Australi ka më shumë lepuj se njerëz. Nga shoqëria kam mësuar se në botë ka më shumë hajdutë dhe kriminelë, prej të cilëve duhet ruajtur. Në moshën madhore kam kuptuar se një njeri i mirë është një thesar, të cilin duhet ta fitoj.
-Kush ka ndikuar më shumë në formimin tuaj, nëna apo babai, apo shkolla e shoqëria?
-Në edukimin tim ka ndikuar shpirtmadhësia e nënës, dhe intelekti i babait. Në formimin tim kanë ndikuar disa mijëra libra të lexuar. Shkolla dhe shoqëria kanë ndikuar pak. Më tepër kam ndikuar vetë mbi to, me profesionet dhe marifetet për të bërë ca gjëra që nuk i bënin të tjerët.

-Po në shkollë, cila ka qenë lënda që u ka pëlqyer më shumë?
-Më ka pëlqyer më shumë letërsia, psikologjia dhe astronomia. 
-Cilat fenomene ndikuan në formimin Tuaj si shkrimtar e poet? 
-E fillova me hartimet që lexonte mësuesi i shtatëvjeçares para klasës. Vijova me disa vjershëza, të cilat, si ato çupërlinat fanatike, nuk dolën nga dhomat e trurit për t’i parë djemuria. Pastaj u pllenova nga jeta ime me peripeci nëpër hapësira të largëta, ku në mënyrë të përafërt, truri i krijuesit mbetet shtatzënë. Dhe linda një poemë. Kur i ndjeri redaktor Vath Koreshi e lexoi dhe tha se do ta botonte menjëherë të nesërmen në një faqe të gazetës “Zëri i Rinisë”, dola në bulevardin kryesor të Tiranës, dhe ndjehesha si Juri Gagarini, që ato ditë po i sillej tokës përqark me raketë. Më pas botova romanin për sharrëtarët “Ujësinor” që u shtyp dhe priti tre muaj i paketuar, derisa nuk pati ndonjë vërejtje nga disa dhjetëra zyra të larta partiake e shtetërore, ku e çuan për verifikim. 
– Më tej krijimtaria u diktua nga nevoja, koha apo dëshira për një të tillë?
-Syri i eprorëve diktatorial zbutej disi para atij që kishte fituar besimin e botimit. Ndonëse pati edhe ndonjë kapter ushtrie që më mori inat pikërisht për këtë fakt e tha: ”Sa di ti, më di mushka mua!” Por kryesisht pasioni ishte vorbulla magjike që më rrëmbeu e s’më lëshon, derisa të më çojë në thellësitë përfundimtare të jetës. Tani kur më pyesin, sa fëmijë ke? U them 19 dhe të gjithë të gjallë. 3 m’i ka bërë gruaja dhe 16 i kam lindur vetë. 
-Si e keni krijuar familjen, me mblesëri, me rekomandim, apo me dashuri, apo u ka martuar shoqëria, partia policia dhe si ka qenë jeta juaj familjare?
-Jam martuar me dashuri të penguar, duke e rrëmbyer gruan si hajdut klasik. Partia dhe policia më kanë hedhur baltë, që të mos më afrohej grua nga sfera komuniste. Pastaj jetën familjare ma ka bërë gruaja të shkëlqyer, edhe kur kemi pasur në pjatë dy gisht bukë e një copë presh. 
-Ç’është dashuria për Ju? Cilat janë dashuritë Tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit e krijimtarisë Tuaj, si relikte të çmuara? Kur një njeri e ndjen se ka të tilla?
-Dashuria e vërtetë është si zanë, shumë flasin por pak e kanë parë dhe ajo të vjen një herë në jetë. Të tjerat më pas janë dashuri, po nuk ngjajnë me të, sepse janë iluzionet e saj. Unë kam rënë kokë e këmbë në dashuri qysh në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç me vajzën që grabita. Tani më duket sikur kam lindur i martuar. Në krijimtarinë time dashuria është majaja që mpiks veprën. Ka në të ndjesi të ëmbla dhe pak humor. Sepse e tillë është vet ajo. Në kuptimin më të gjerë, njeriu në çdo paraqitje të tij, duhet të jetë vetëm fytyra e dashurisë. Ai që nuk ndjen dashuri për askënd, ka shpirt krimineli. 
-Ç’punë të mira keni bërë? Po të liga, me dashje apo pa dashje?
-Kam bërë ca libra që m’i kanë pëlqyer, dhe ndonjë punë të “ligë” me konsensus.
-Pse nuk u bëtë jurist, mjek, apo inxhinier dhe pse u bëre mësues?
-U bëra ai që jam, se nuk do desha të bëhem si askush tjetër nga ana profesionale. Kam pasur parim të lakmoj ato profesione që nuk arrihen lehtë.
-Kur dhe ku e keni marrë rrogën e parë, si ju duk e si ju duket paraja?
-Jeta ka provuar se pas nënës dhe babait legal, vjen baba “Leku” i adoptuar, me të cilin kam ruajtur vazhdimësinë time jetësore, të gruas dhe të fëmijëve të mi. Rrogën e parë e kam marrë duke bërë e shitur krehra alumini për çmorritje. Pastaj si operator kinemaje.
-Ç’mendim keni për moralin, apo ai ka dalë jashtë mode? Cili është emëruesi i përbashkët që mban familjen tuaj të rregullt, të mirë?
-Morali ka vlerë vetëm kur e ke vetë. Kur ua rekomandon të tjerëve bëhesh Ufo.
-Po për karakterin çfarë opinioni keni? Jeni i ngadaltë, i nxituar, i qetë, nevrik, indiferent apo aktiv në jetë e shoqëri?
-I kam të gjitha cilësitë e karakterit, i qetë, i nxituar, nevrik, indiferent dhe aktiv, në rastet kur duhet me qenë patjetër një i tillë, për të mos qenë budalla.
-Ç’është familja për ju? Dhe kë doni më shumë nga pjesëtarët?
-Familja për mua është parajsa tokësore. Nipat, Rei dhe Agi, janë engjëjt e saj. Shoqëria dhe miqësia janë purgatori i përzier me të mirë dhe gjysmë të mirë. Ferri është mjedisi me njerëz të liq.
-Cili është opinioni juaj për shoqërinë e miqësinë dje dhe sot?
-Shoqëria e djeshme kishte më shumë servilë dhe miqësia qe më tepër një ombrellë biografike. Sot raportet kanë ndryshuar, me domosdoshmërinë për një shoqëri dhe miqësi të ndërsjellë pa paragjykime. Miq e shoke dashamires si në internet, rrallë kam pasur.
-Cili është koncepti juaj për kombin, pushtetin, partitë, dhe për demokracinë në vendin tonë?
-Kombi është për mua mitra nga kam dalë dhe guri i varrit ku do futem. Pushtetin historikisht e kanë marrë në dorë maskarenjtë dhe të paaftët. Partitë janë prostituta, për të shkuar me to kodoshët e politikës. Sa më pak të kishim, aq më i ndershëm do të ishte vendi ynë. Demokracia është një bukuroshe, së cilës ende nuk ia kemi parë mirë sytë.
-Kush u pëlqen më shumë liria, puna, apo qejfi?
-Më pëlqen liria brenda kufijve të mi, drejtësia e fituar me hak, puna që më jep kënaqësi dhe argetimi pas një pune të lodhshme.
-A e ndjeni veten të lirë e të qetë në punë, në jetë, në shoqëri e miqësi?
-Ndjehem i dëshiruar për lirinë me caqe, për qetësinë në lagje, për jetën në paqe dhe për shoqërinë e miqësinë intelektuale.
-Keni inat? Mbani mëri? Grindeni me shokët? Me gruan? Me komshinjtë?
-Kam inat dhe mbaj mëri me një spiun. Shokëve grindavec u shmangem me marifet. Me gruan jam brenda një rropullie, si stomaku me zorrët, që merren vesh pa e nxjerrë sherrin përjashta. Me komshinjtë, veç përshëndetjeve, urimeve dhe rasteve njerëzore, nuk shkëmbej fjalë të tepërta.
-Cilët janë miqtë tuaj më të mirë, të cilës moshë, dje dhe sot?
-Miqtë e mi më të mirë janë ata që më ndjejnë se më kanë mik. Dhe lexuesit kudo qofshin, të çdo moshe dhe të çdo kohe. Te miqtë dhe mikeshat e përveçme për talentin dhe mençurinë, bëni pjesë në rreshtat e pare ju, zonja Raimonda. 
-A gatuan, çfarë gatuan vetë? Ushqimi i preferuar? Pija që u pëlqen?
-Gatuaj ca gjëra që më ka mësuar gruaja, kur ikën te njerëzit e saj në Korçë. Ushqimi im i preferuar janë barishtet, që, ndryshe nga kafshët, i dua të ziera. Më pëlqen pak raki pa hile nga ajo e Fterrës.
-Çfarë të gëzon, çfarë të mërzit a të bezdis?

-Më gëzon shëndeti i mirë, më mërzit gripi, më bezdisin llafazanët.
-Cilat janë raportet tuaja me shefin, ju pëlqejnë shefat, pse po pse jo?
-Kam shërbyer në disa punë, ku përgjithësisht, shef i punës sime, kam qenë vet. Shefat e mëdhenj i kam dashur pak, më kanë dashur më tepër se bëja punën.
-Krijon apo shuan konfliktet me shoqërinë, me kolegët, apo drejtuesit në punë?
-Konfliktet kanë qenë si meteorët, që janë djegur në atmosferën përqark, pa arritur deri te sipërfaqja ime, sepse jam rrotulluar në orbitat larg tyre.
-Kursen? Ke huqe? Qeras apo të qerasin më shumë?
-Si pensionist nuk kam ç’kursej, se harxhimi dhe çmimet janë mbi sasinë e lëmoshës shtetërore që më jepet. Kali i kuq e ka ndonjë huq. Qeras ata që më qerasin, për të mos mbetur borxhli.
-A lexoni dhe çfarë preferoni? 
-Lexoj siç ha bukë i urituri. Kam intuitë për të zgjedhur ato libra që duhen lexuar.
-Kë ndiqni më shumë, lajmet, apo emisionet artistike?
-Ndjek lajmet flesh, pa komentet lesh e li. Ndjek të gjitha emisionet artistike që meritojnë të më cungojnë gjumin e shtrenjtë.
-Cili është momenti më i bukur i jetës suaj, po më i hidhuri?
-Momenti më i bukur është kur notoj në det dhe së fundi kur bashkëfshatarët e mi të prirë nga djaloshi Besmir Zani ma gdhendën emrin në shkemb… Më i hidhuri është kur s’kam para në xhep. 
-Ambicia juaj për para, pushtet, qejf, apo ?
-Nuk kam pasur ambicie për para. Ambicien për pushtet e urrej si vet pushtetin, që të shumtën e herës na ka shtypur. Qejfin e quaj dhuratë qiellore, si kohën me diell. Kam ambicie vetëm me ata që u hipin raketave për në kozmos.
-Cilat këngë ju pëlqejnë më shumë, llojet, këngëtarët?
-Mund të duket e çuditshme, por më pëlqejnë të gjithë tingujt muzikor që nxjerr njeriu i globit. Më ka mahnitur kënga kineze “Fshatarja e bukur” dhe një këngë dasme eskimeze. Vdes për çiftelinë e Veriut dhe fyejt e barinjve të Jugut. Tallavaja më hedh përpjetë. Opera më lulëzon mendimet për madhështinë e botës njerëzore. Më pëlqejnë këngëtaret e veshura. Ato lakuriq më duket sikur janë larg këngës dhe fare pranë seksit.
-Cili shkrimtar e artist ju pëlqen dhe pse?
-Më pëlqejnë shumë shkrimtarë dhe artistë. Por njësoj si me lulet e një kopshti, nuk mund të them cila është më e bukur.
-Çfarë iu ka mbetur peng që dëshironi ta hidhni ne letër?
Kontrasti i fortë i personalitetit të njeriut në dy kohët e jetuara.
– Çfarë po shkruani aktualisht? Planet e së ardhmes?
-Po përgatis një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga të gjithë vëllimet e botuar, duke i shtuar dhe shumë poezi të viteve të fundit. Gjithashtu jam duke shkruar një roman me temë aktuale për dinjitetin njerëzor.

– Ç’mendim keni për kritikën e mirëfilltë letrare?
-Në përjetimin tim të realizmit socialist, kritika ishte një shkop, i cili nga njëra anë kishte një topuz me thumba të mprehtë për të talentuarit dhe nga ana tjetër, një furçe me fije mëndafshi për mediokrit e indoktrinuar. Sot kritika letrare ka shkuar për pushime të gjata në ishuj e Paqësorit. Unë ndjeva kohët e fundit për herë të parë kritikën e vërtetë shkencore për prozën time, në shkrimin e akademikut Fatmir Terziu te fjala e Lirë e Londrës.
-Ku do të dëshiroje të jetoje, në Shqipëri, në Francë, në Amerikë apo?
-Do dëshiroja të jetoja në verë në Sarandë dhe në dimër në Tiranë. Jam një pemë që nuk mund të aklimatizohem në Francë, në Amerikë, apo gjetkë. Sepse do të thahesha shpejt për t’u kthyer në Shqipëri si trung i ambalazhuar.
-Çfarë mesazhi do u përcillni lexuesve tanë dhe çfarë do u këshilloni?
-Mesazhi që u përcjell lexuesve, shokëve dhe miqve nga përvoja ime është: Punoni sikur do jetoni njëmijë vjet dhe mundohuni të jetoni sikur pas një viti vjen apokalipsi. Mos u falni politikanëve dashuri dhe duartrokitje që nuk ua kthejnë kurrë. Mos kujtoni se ka idhuj dhe supernjerëz aq të mëdhenj sa t’u përuleni, përderisa ashtu si ju, të gjithë shkojnë në wc. Duajini fëmijët shumë, por mos i urreni aq shumë duke i përkëdhelur shumë. Mundësisht i puthni në gjumë. Ju përqafoj juve dhe te gjithë lexuesit dashamires në bote.

Intervistoi RAIMONDA MOISIU

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Interviste, Rajmonda Moisiu, Vullnet Mato

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT