• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GURËZI NDERON MARTIRËT

August 13, 2021 by s p

Nga Gjok Bici

Kisha e Zojës së Këshillit të  Mirë në Gurëz ka përjetuar një përsekutim të gjatë në periudhën  e regjimit komunist. Priftërijtë që shërbyen në këtë kishë qenë personalitete të njohur në shërbim  të komunitetit katolik  në famullinë tonë e në rang kombëtar.

Për këtë veprimtari  të  spikatur ata nuk i shpetuan  vëmëndjes  së  rregjimit  të  kohës duke i burgosur, internuar e pushkatuar. I kam  njohur personalisht të gjithë priftërinjtë e murgeshat që shërbyen në Gurëz apo morën  rrugën  e meshtarisë  nga  Kisha  e Gurzit. I pranishëm  në  gjygjin  e Dom Shtjefën Kurtit (i Lum ), kujtoj komunikimin e gjygjtarit me  dom Shtjefnin ”I pandehur, ne  i mbyllëm kishat, e do ti shëmbin ato, çka thua, pse nuk po të ndihmon zoti që ti predikon? Përgjigjja e dom Shtjfnit: Zotni gjygjtar, për një gja jam shumë i sigurtë se këtu do ngrihet një kishë e re shumë ma e bukur se  kjo që do shëmbni ju. E kam përmëndur shpesh parashikimin e dom Shtjefnit ,.Në  Gurëz  eshtë  ngritur  nje kishe  madheshtore. Dom Shtjefnit iu ba gjygj publik në Gurëz, në  kishën që kishtë ndërtuar vetë, me ndihmën e bashkëpunimin e Gurzakëve. Ai deklaroi se ka luftuar e do luftojë sa të jetojë për fenë e Krishtit e për këtë u dënua me pushkatim. Dashtë zoti të gjënden eshtrat e tij e të ketë një varr ku të afermit e miqt e tij të luten e të vëndosin lule. Dom  Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Prek Preka, shugurohen priftërinj me 2 shkurt 1946 nga Imzot Vinçens Prenushi (i lum). Dom Zefi e Dom Marku si rrallë kush kanë fate të përbashkëta. Punuan bashkë në Tiranë, Shkodër, pasuan njëri- jetrin  në Zhejë  e Mërqi. I përzunë nga  kishat  që shërbenin në një datë. Dom Markut i mbyllin  kishën  në Gurëz, me 12 shkurt 1967, e dom  Zefit në Mërqi të Lezhës. Arrestohen  në  një  ditë, korrik 1968, hetohen  nga  i  njëjti hetues, u  bahet gjygj  publik në Shkodër, dënohen nga i njëti gjygjtar me pushkatim, pushkatohen nga i  njëjti vrasës, mbulohen të dy bashkë në një gropë rrëzë një kanali në Dobraç të Shkodrës. U rivorrosën me një ceremoni kishtare ne vitin 1993, në kriptën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe dom Preka. Arrestohet e dërgohet në burg në Krujë. Të djelën  e larit me 29.04.1977 e dërgojnë të mbushë me ujë një gropë gëlqerje , e ”aksidentalisht ” gjëndet  i  mbytur në gropën e gëlqeres. Pasi shërbeu për shumë vitë si prift i Gurzit, dom Anton Doçi , prifti i specializuar për gjuhësi, e përballoi me shumë vështirsi jetën në Gurëz, pasi ishte ndërprerë çdo mundësi ndihme nga besimtarët. Arrestohet e dënohet me shumë vite burg, të  cilat  nuk i mbaroi se vdiq në burg. Edhe për seminaristët Gjergj Bici  e Ndoc Vata fatet qenë të njëjta. Arrestohen të dy në Janar 1946, e nuk arijnë të shugurohen priftërinj. Dënohen, fillimisht me pushkatim, por u falet e jeta e bajnë nga 18 vite burg. Gjergji pasi punon si marangoz, arrestohet  e denohet përsëri  me 10  vjet burg  për  agjitacion  e propogandë. Vdes  në  internim  ne Fishtë të  rrethit  Shkodrës. Ndwrsa Ndoci punon si puntor krahu deri sa vdes në vitin 2004. Me vendim të qeverisë shqiptare në janar 1946 mbyllen të gjitha kuvendet e murgeshave në Shqipëri. Kthehen në familjet e tyne Motër Marta Miri, Moter Drane Vushaj, Motër Gjule Maçaj, Motër Mrike Metaj. Motër Age Uci, kishte studjuar ne Breshja të  Italisë e shërbente atje. Mbyllja   kufijve e la në Itali. Ka shërbyer, ka vdekur  e është vorrosur në Breshia. Pllaka përkujtimore  u  realizua me pagesat e të afërmëve të martirëve. Dua të falënderoj të gjithë ata që banë të  mundur  realizimin e montimin e sajë. Falënderoj Nanën Gjenerale të Motraave Baziliane, Motër Elenën (Lulashi), Klaudet e Lek Bici, Prof Angjelin Shtjefni, kryetar i shoqatës së Intelektualëve Katolikë të Shqipërisë, mik i Dom Zef  Bicit, Zotni Nikolin Kurti, Zotni Lodovik Doçi, Zotni Gjergj Luli, Zotni Nikoll Bici, për shumë shërbime të bame. Falenderoj At Pasqualen, Motër  Emën, Pnëtorët që e montuan. Firmën ”Gjeçi” për shkrimin, vëndosja e kësaj pllake  përkujtimore, ishte një detyrim moral që banorët e famullisë së Gurzit, kishin për këta priftërinj e murgesha që shërbyen në Gurëz, u lindën e filluan rrugën e meshtarisë prej kësaj kishe të bekueme. Ky përshkrim i shkurtër i jetës së këtyre martirëve, është një grimcë e aktivitetit tyre fetar e atdhetar, që në kushte shumë të vështira, të ndjekur në çdo hap nga ish-sigurimi i shtetit, u banë luftëtarë të pamposhtur për Fenë e Krishtit e Atdheun e tyre të dashtun. Do kujtohen gjithmonë nga populli i Gurzit.

Filed Under: Histori Tagged With: Gjok Bici, Nikolin Kurti

TË DREJTAT E NJERIUT NË LIGJIN ISLAM

August 13, 2021 by s p

Nga Sokol Paja/

Imam Dr. Bekim Hasani, imami i komunitetit shqiptar në Melburn të Australisë rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Neë York, mbi përmbajtjen e librit të tij “Parimet e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut në të Drejtën Islame” Barazia, Liria, Drejtësia dhe e Drejta në Ligjin Islam vijnë të shpjeguara me detaje nga koncepti i të drejtave të njeriut në Islam, libër nga cili do të përfitojnë besimtarët dhe jo vetëm për të njohur e kuptuar më shumë Islamin si fe dhe kulturë. Imam Dr. Bekim Hasani shprehet se sipas Islamit, Zoti  krijoi njerëzimin në formën më të drejtë dhe më të përsosur në këtë botë. Njerëzimi është dalluar nga qeniet e tjera të gjalla duke qenë i pajisur me mendje dhe intelekt. Zoti e nderoi njerëzimin me shumë gjëra dhe i lartësoi ata/ne mbi çdo krijesë tjetër.

Në një rrëfim dhënë Editorit të “Diellit” Sokol Paja, Imam Dr. Bekim Hasani shprehet se përmbajtja e Librit “Parimet e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut në të Drejtën Islame” ndahet në kapitullin: Të drejtat e njeriut para Islamit ku përfshihen: 1. Koncepti i të drejtave të njeriut, 2. Të drejtat e njeriut në qytetërimet e lashta, 3. Të drejtat e njeriut dhe qytetërimi islam, 4. Të drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerëzor. Në kapitullin : Drejtësia në Ligjin Islam përfshihen: 1. Të drejtat individuale në ligjin islam, 2. Të drejtat shoqërore në ligjin islam, 3. Përgjegjësia e përbashkët në ligjin islam. Në kapitullin: Barazia në Ligjin Islam përfshihen: 1. Barazia në shkaktimin e dënimeve, 2. Barazia në ndëshkim, 3. Barazia në gjykim, 4. Barazia në të drejtat civile. Në kapitullin Liria në Ligjin Islampërfshihen: 1. Domethënia dhe rëndësia e lirisë, 2. Liria e mendimit dhe e shprehjes, 3. Koncepti i lirisë nga pikëpamja politike, 4. Liria fetare. Imam Dr. Bekim Hasani shprehet se Zoti në Kuran thotë: “Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, ibegatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam. (El-Isra: 70). Ky nder i dhënë nga Zoti është baza dhe burimi i të drejtave të njeriut në Islam. Njerëzimit i jepet ky nder nga momenti i krijimit deri në momentin e vdekjes dhe varrimit. Këto të drejta kanë qenë në fuqi që nga krijimi i njeriut të parë, Ademit, dhe plotësohen me shpalljen e Kuranit të Dërguarittë fundit të njerëzimit, Profetin Muhamed (a.s.). Burimet që vërtetojnë ekzistencën e të drejtave të njeriut në Islam janë: Kurani dhe Suneti profetik. Këto të drejta në Islam sipas Imam Dr. Bekim Hasanit janë të plota dhe të pandryshueshme dhe nuk pranojnë asnjë mangësi apo dështim. Ato janë në përputhje dhe harmoni me jetën dhe shoqërinë njerëzore. Meqenëse këto të drejta burojnë nga Kurani dhe Suneti i Profetit, këto të drejta do të vazhdojnë deri në Ditën e Ringjalljes. Myslimani është i detyruar t’i respektojë këto të drejta, siç kërkohet nga çdo shoqëri apo vend mysliman. Fatkeqësisht, shumica e vendeve islame, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, injorojnë përgjegjësinë e tyre në ruajtjen e të drejtave të njeriut, sipas mësimeve të Islamit. Në këtë libër, thotë Imam Dr. Bekim Hasani përpiqem të detajoj evolucionin e të drejtave të njeriut gjatë gjithë historisë njerëzore, historia e të drejtave të njeriut në Islam dhe përgjegjësitë e myslimanëve, në mënyrë që të sigurohet që të gjithë njerëzimit t’i jepen këto të drejta. Në lidhje me librin e Imam Hasanit,  Dr. RatebJneid, President i AFIC nga ‘Federata Australiane e Këshillave Islamikë (AFIC) ka deklaruar se është krenare të mbështesë librin e Dr. Bekim Hasani; ky është një libër shtesë i mirëpritur në bazën e njohurive të lexuesve anglezë”. ‘Këshilli Koordinues Islamik i Viktorisë (IÇV) është shprehur rreth librit të Imam Hasanit se: “mbështet me krenari punën e madhe të prodhuar në këtë libër nga Dr Bekim Hasani dhe i nxit myslimanët dhe jomyslimanët të lexojnë dhe kuptojnë rëndësinë e të drejtave të njeriut, e cila është vendosur në mësimet e Islamit, dhe se si Islami i vendosi këto të drejta që nga mesazhi i parë në Kuranin Famëlartë” -Mohamed Koyu, Ushtrues detyre i Shefit të Operacioneve dhe Cilësisë i IÇV. NaimTernava, Myftiu i Kosovës ka deklaruar se: “Ky libër jep një shpjegim gjithëpërfshirës të të drejtave të njeriut në Islam dhe do të përfitojë si komunitetet myslimane ashtu edhe ato jo-myslimane në perëndim për të kuptuar Islamin”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Bekim Hasani, Ligji islam, Sokol Paja

Jam kritik, por assesi kundëramerikan

August 13, 2021 by s p

DR. ARIAN STAROVA*

ARIAN STAROVA

Që prej 19 majit, kur Sekretari i Shtetit Blinken vendosi që Presidentit Berisha t’i hiqet mundësia për të marrë vizë hyrjeje për në SHBA, debati politik publik në lidhje me të ka vazhduar i dendur dhe i ashpër, duke mos dhënë asnjë shenjë fashitjeje. Ai ka vazhduar sa në median e shkruar dhe atë audiovizive, aq edhe në rrjetet sociale. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, madje është shumë mirë.

Natyrisht, unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë debat, përderisa merrem me politikë, por edhe për shkak të kryerjes së studimeve në shkencat politike.

Ajo çka më mërzit dhe dëshpëron (shpeshherë deri në zhgënjim) është logjika e të arsyetuarit e shumë artikullshkruesve, ose shkruesve të rrjeteve sociale, të cilët janë bërë pjesë e këtij debati. [Sa pak qenkan tridhjetë vjet demokraci për kultivimin e mendjeve të hapura e joparagjykuese! Sa vjet të tjera të vështira do të duhet të kalojnë për të shënuar suksese edhe në fushën e mendjes! Megjithatë, si optimist i pazbutshëm, besoj se embrionet e një mendjeje të re tashmë ekzistojnë dhe po përhapen me shpejtësi ndër brezin e ri, para së gjithave dhe këtë e shohim si kudo edhe në media].

Kështu pra, të nderuar lexues, kam vërejtur ndër të tjera se një pjesë e autorëve të shkrimeve që mbështetin vendimin “Blinken” e quajnë çdo qëndrim tjetër, i cili është kritik, ose kundërshtues i tij, si të gabuar dhe shumë të gabuar. Pra, sipas logjikës së tyre, vendimi “Blinken” është i pakritikueshëm, thjesht sepse lidhet me SHBA-në. Dhe përsëri, sipas logjikës së tyre, SHBA nuk gabon asnjëherë. Pra, sipas kësaj logjike, ajo çka thuhet ose bëhet nga një aktor i rëndësishëm shtetëror është gjithnjë e pagabueshme.

Edhe po të lemë mënjanë faktin që një pjesë e këtyre shkruesve nuk e bëjnë këtë gjë me mendjen e vet (por si detyrë të urdhëruar nga “bosi politik”), përsëri mbetet varfëria e skajshme e logjikës së përdorur. Në kohën e sotme, një nga aftësitë kryesore që synohet t’u mësohet studentëve të shoqërive demokratike (dhe një prej kritereve vlerësues të arsimit modern) është aftësia për të qenë kritik, sepse asgjë e kësaj bote nuk është e përsosur dhe e pakritikueshme. Edhe vetë shoqëria pluraliste demokratike mbështetet mbi një themel të tillë, mbi larminë e mendimeve që ndryshojnë prej njeri-tjetrit dhe e kundërshtojnë njeri-tjetrin.

Shkruesit në fjalë shkojnë edhe më tej, i cilësojnë të gjithë kritikët si kundëramerikanë, duke bërë arsyetimin tjetër logjik të pasaktë, duke e shndërruar kritikën për diçka të veçantë të një objekti në kritikë për të gjithë atë objekt. Pa dashur, këta i “hedhin dru edhe një zjarri” ku “gatuhet” një konflikt i rremë ndërmjet pro-amerikanëve dhe kundër-amerikanëve në Shqipëri. Para së gjithash, kjo është qesharake të mendohet për shqiptarët, por në kushtet e ripërtëritjes së vrullshme të konkurrencës gjeopolitike, ky “zjarr” mund t’u shërbejë aktorëve gjeopolitikë që kërkojnë të ushtrojnë ndikim në Shqipëri.

Kam vërejtur edhe diçka tjetër në shkrimet që mbështetin vendimin “Blinken” apo shkrimet kundër-Berishë. Ata kritikojnë kundërpërgjigjen e Presidentit Berisha nëpërmjet institucioneve të drejtësisë dhe çdo gjë tjetër që ai thotë dhe bën kundër këtij vendimi. Si është e mundur që këta njerëz nuk e kuptojnë se njeriu ka dinjitet dhe duhet të gëzojë lirinë për të mbrojtur të vërtetën e tij?

Le të vijmë tani në thelbin e problemit.

Po e marrim të nënkuptuar idenë se Departamenti i Shtetit ka burime të afta dhe të shumta informacioni, që i shërbejnë si themel për të marrë një vendim. Pra, në rastin tonë, edhe për vendimin “Blinken” mbi Presidentin Berisha. Po e pranojmë (në dobi të analizës) edhe rregullin sipas të cilit këto burime informacioni nuk bëhen publike.

Atëherë pyetja shtrohet: si do ta kërkojë njeriu ta gjejë dhe ta mbrojë të vërtetën e tij, nëse e ndjen se ajo është shtrembëruar? A duhet të nënkuptojë kjo (siç thonë shkruesit arsyetimcekët) se Presidenti Berisha nuk ka asgjë se çfarë të bëjë, porse vetëm duhet të heshtë? Kjo ide mund të jetë pranuar në raste të tjera, por Presidenti Berisha është një politikan me personalitet të fuqishëm, ndryshme prej shumë të tjerëve dhe as nuk i shkon ndërmend të heshtë kur bëhet fjalë për të vërtetën. Prandaj ai, në vend që të heshtë (meqë Departamenti i Shtetit nuk gabon) dhe të “kafshojë gjuhën” duke pranuar një vlerësim negativ të cilin nuk e meriton, është duke bërë këtë çka po bën tani duke e futur veten në një “betejë” të vështirë, por jo me SHBA-në, por për të vërtetën.

Tani, po përpiqem ta analizoj duke hyrë më drejtpërdrejt në thelbin e debatit, duke shtruar përsëri disa pyetje, fillimisht.

E përse nuk mund të kritikohet edhe vendimi “Blinken”?! Cila është e keqja e kësaj kritike?! Në fund të fundit, çdo kritikë e argumentuar a nuk ndihmon për saktësimin dhe përmirësimin e gjërave?! A nuk duhet që një mendje e hapur t’u përmbahet vetëm fakteve dhe arsyetimeve të saktë, pavarësisht nëse ato mund të vijnë në kundërshtim me një autoritet çfarëdo?! A nuk na paska mjaftuar ne shqiptarëve e gjithë koha nën komunizëm kur partia jepte udhëzime për gjithçka si në kushtet e një kalifati komunist të përfytyruar, ku e vërteta vinte vetëm prej mendjes së elitës së lartë komuniste dhe drejtonte të gjitha anët e jetës shoqërore deri edhe vetë shkencën, që për nga natyra e saj, nuk pranon asnjë autoritet tjetër përveç së vërtetës?!

Pyetja fare konkrete që vjen tani është: a mund të ketë gabuar Departamenti i Shtetit për rastin e Presidentit Berisha?

Parimisht, po, kurse për rastin në fjalë (për Presidentin Berisha) nuk e dimë, sepse nuk kemi parë asnjë provë, ose fakt. Nëse do të shikonim provat, do të shpreheshim më saktë, por këmbëngulja e vetë Presidentit Berisha parakupton se është gabuar. Si mund të ketë ndodhur kjo gjë? Përsëri dhe të paktën për mua, pa fakte asgjë nuk mund të thuhet.

Diçka megjithatë është krejtësisht e qartë. Vendimi “Blinken” është mbështetur në informacione që parakuptohen si të sakta, kurse Presidenti Berisha ka vënë në dyshim pikërisht saktësinë e informacionit përkatës. Rrjedhimisht, nëse bëhet fjalë për dy shoqëri demokratike, atëherë sqarimi i informacioneve mbi të cilat është mbështetur ai vendim do të duhej të ishte detyrim moral kundrejt publikut shqiptar, i cili në shumicë dërrmuese e vështron SHBA-në si “Earthly God”.

Duam nuk duam, tani në fund vjen edhe një pyetje tjetër: nëse rrethanat e përcaktimit të një politikani të rëndësishëm si “i pazgjedhshëm për të marrë vizë hyrjeje amerikane” (si Presidenti Berisha) qenkan të tilla (edhe të diskutueshme), atëherë përse vazhdon kjo praktikë e Departamentit të Shtetit, e vlerësimit moral të politikanëve të caktuar, pa dhënë shpjegime? Ndoshta, kjo praktikë mund të ishte shumë e dobishme nëse vinte pas kryerjes së proceseve përkatëse të drejtësisë ligjore. Megjithatë, ashtu siç është tani, kjo praktikë edhe nëse mund të ketë ndonjë dobi, çmimi shoqëror i saj duket tepër i lartë, i paguar me imazh publik të SHBA-së. [Këtu nënkuptoj se është diçka e mirënjohur se të paktën 40% e shqiptarëve e vlerësojnë lart Presidentin Berisha dhe mbi të gjitha, si të pakorruptueshëm].

Po e mbyll këtë shkrim duke përsëritur çka kam thënë edhe më parë në një bisedë televizive: “Do të guxoja me shumë modesti t’i këshilloj Departamentit të Shtetit ta rishikojë, ose heqë këtë praktikë të padobishme dhe jodemokratike të përcaktimit si ‘të pazgjedhshëm për marrje vize amerikane’ të individëve të caktuar. Një praktikë e tillë e dëmton imazhin e SHBA-së, por ndikon për keq edhe në mendësinë e shumë shqiptarëve. Ne shqiptarët kemi përvojë prej së kaluarës sonë nën rrëgjimin totalitar se të vërtetat e detyruara në kushte padije nuk zënë asnjëherë rrënjë në mendjet e njerëzve, madje më shumë dëmtojnë.

Dhe ndërkohë që debati mbi vendimin “Blinken” vazhdon, shumë dhe më shumë shqiptarët po vazhdojnë të habiten me heshtjen amerikane mbi “bëmat superkorruptive” të qeverisë së “kryerilindasit” Rama.

Pra, siç e shikoni, unë jam kritik, por assesi nuk jam kundëramerikan dhe dëshiroj shumë t’i shërbej idealit të demokracisë amerikane!

*President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë

Filed Under: Komente Tagged With: Arian Starova, Berisha

ÇMALLJE

August 13, 2021 by s p

Nga Hazir Mehmeti /

Çmallje me vepra në  sallën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani“ në Prishtinë, e pritur dy vjet. Ata që ishin edhe herëve tjera ndjenë peshën e kohës me gjithë valët e saj, kokëfortësinë e saj në ecje. Vapë! Hyrje dalje në kërkim të freskisë së ngulfatur në gushtin e rrezeve nuk ndalej. As klimrregullatori! Ballinat e veprave mbi tryezën përballë publikut shtoheshin të përcjella me rrëzime e shtyrje majtas djathtas. Rendi e YNË e donte! Kryetari i ardhur nga Parisi i kulturës dhe bukurisë, me Zemër Dardani foli me gjuhën e Rilindësve në porosinë jetike: Letrat shqipe, historia, kultura, gjeografia dhe matematika e Atdheut kërkohet të jenë në shkrimet tuaja! E çka tjetër! Mos ndërro Temë! Është e tëra freski Moteve Shqiptare, pa pasur nevojë për ajrin e ndotur epidemie, më shumë se aq, mbi epideminë shpirtërore e mbjell nga dogma e dogmatët. Shërbesa e huaj gërryen, gërryen! Hija e Gërmadhës në emër të Zotit, sfidon mbi nëntëdhjetë e nëntë plisat e Pjetër Bogdanit! Vapë e hije! Hije e vapë! Mërgimtaret me trastën e mbushur mall në shpirte e shkronja qëndrojnë, nuk heshtin.

 Jemi dheu, 

Jemi djerësa, 

Jemi guri, 

gjaku i këtij dheu! 

Dje, Sot, Nesër! 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani, Hazir Mehmeti, Letersi

Diskursi demografik / Regjistrimi i popullsisë duhet të mbahet me elementët e identitetit

August 13, 2021 by s p

Vetëm ata të cilët kanë manipuluar në të kalurën me statistikat reale të popullsisë sidomos me strukturën kombëtare të saj, iu pengon realiteti demografik në Mal të Zi, duke harruar se koha e manipulimeve nuk mund të jetë e përhershme, e sidomos tash kur këtu ka ndodhur rotacioni i pushtetit, që ofron mundësi reale të prezantimit të elementëve të identitetit të popullsisë si në vend dhe në botën e jashtme

Nga Nail  Draga

Çështja e regjistrimit të popullsisë në çdo vend paraqet moment të veçantë jo vetëm statistikor por edhe  shoqëror, sepse ofrohen të dhëna më interes të përgjithshëm për planifikimin dhe  zhvillimin e vendit. Pra, kemi të bëjmë me një çështje serioze me peshë shtetërore, ku formohen ekipe të veçanta që merrën me këtë proces statistikor.

Por, procesi i regjistrimit të popullsisë varët shumë nga rrethanat shoqëroe e politike në mjedisin përkatës. Në veçanti ka të bëjë me mjediset heterogjene në aspektin kombëtar, të cilat nuk janë të konsoliduara në sajë të raportëve shoqërore. Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti me Malin e Zi, duke qenë ndër vendet me multinacionale në Europën Juglindore. Në këtë aspekt  këtu nuk mund të anashkalohet qasja  politike e cila është dominuese në këtë çëshje demografike. Dhe një dukuri e tillë është e pranishme nga viti 1990 e më miratimin  e pluralizmit, ku çështjet demografike morën përmasa politike, që u dëshmu edhe në regjistrimet e popullsisë.

Në sajë të përvojës së mëhershme regjistrimi  i popullsisë është mbajtur çdo dhjetë vjet, duke mbetur aksiomë edhe për kohën e pluralizmit. Por, në rrethana të reja në pluralizëm, kemi përjashtime që dëshmohet me regjistrimin e vitit 2001. Ishte ky vit me turbulenca politike në Mal të Zi, ku nga një situatë e tillë nuk u mbajt regjistrimi i regullt por është shtyer për vitin 2002, ndërsa më së fundi u realizu  në vitin 2003.

Pasi regjistrimi vijues i popullsisë u mbajt në vitin 2011, sipas  praktikës regjistrimi i radhës duhet të mbahet në vitin 2021. Por, në sajë të disa pengesave teknike, siç është mosmiratimi i ligjit për regjsitrimin e popullsisë dhe miratimit të buxhetit për vitin 2021, u vendos që regjistrimi i popullsisë të mos mbahet në muajin prill të këtij viti, por ai të shtyhet për fund të vitit.

Pasi ditë më parë, ndonëse me vonesë  u miratu buxheti për këtë vit, nuk ka pengesa subjektive për ta realizuar regjistrimin e popullsisë, andaj janë gjasat reale të mbahet deri në fund të vitit. Por, duke marrë parasysh se regjistrimi i popullsisë këtu ka peshë të veçantë politike, se kur realisht do të mbahet do të varët  nga partitë politike, përkatësisht shumica parlamentare në Mal të Zi.

Regjistrimi duhet të jetë i kompletuar

Më herët kemi pasur rast të dëgjojmë nga individë apo subjekte të ndryshme  të shoqërisë civile, që në regjistrimin e popullsisë të mos evidentohen elementët identitare. Fjala është për strukturën kombëtare, gjuhësore dhe fetare të popullsisë si elemente identitare për çdo individ apo popull si kudo në botën e qytetëruar. Ishte ky paralajmërim absurd dhe konfuz i cili nuk është pritur mirë nga partitë politike si dhe opinioni i gjerë, sepse çdo individ ka emrin e mbiemrin, gjuhën dhe fenë e vet.

Nuk ka dilemë se çdo mohim i tyre elementëve paraqet diskriminim individual dhe kolektiv dhe si i tillë i është i pa pranueshëm. Propozuesit e tillë  kanë dështuar sepse pjesëtarët e popujve në Mal të Zi, deri më tash janë regjistruar të kompletuar me strukturat e tyre. Ndërsa është  çështë tjetër sa kanë qenë të sakta të dhënat nga regjistrimet e popullsisë, duke ditur se në monizëm janë bërë manipulime të ndryshme të kësaj natyre.

Regjistrimisi proces statistikor

Nëse analizojmë në detaje regjistrimet e popullsisë(1948-1991) sipas përkatësisë kombëtare, gjuhësore e fetare vërehen ndryshime të theksuara, duke kriuar dyshime në realitetin në terren. Në këtë aspekt kanë qenë të diskriminuar serbët, popullsia me përkatësi të fesë islame së cilës i është mohuar përkatësia kombëtare, ndërsa emërtimi boshnjake është definuar nga viti 1993. Po ashtu në këtë aspekt në pozitë të pavolitshme kanë qenë edhe shqiptarët, sepse statsitika shtetërore i ka evidentuar sipas dëshirës së tyre e jo sa realisht kanë qenë në terren.

Pikërisht, në lidhje me këtë çështje nëse analizojmë të dhënat në regjistrimet e popullsisë në kohën e monizmit, popullsia serbe është paraqitur në mënyrë simbolike, që nuk ka treguar realitetin demografik në aspektin nacional. Por, në këtë aspekt për serbët u bë kthesë e madhe në regjistrimin e vitit 2003 e 2011, duke dëshmuar se  regjistrimet e mëhershme kanë qenë të programuara me qellime të caktuara nga ana e pushtetit. Sepse nuk mund të quhet ndryshe e dhëna se serb në aspektin kombëtar në vitin 1948 janë deklaruar 1.78%, ndërsa malazez 90.67%, ndërsa në vitin 2003, serb janë deklaruar 31.99%, ndërsa malazez   43.16%. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar realitetin demografik në Mal të Zi, sepse për këtë periudhë kohore(1948-2003), numri i serbëve është rritur për 30.21%, ndërsa i malazezëve ka rënë për 47.51%, që është dëshmi transparente e manipulimit të pushtetit me strukturën nacionale të popullsisë në këtë mjedis.

Në këtë aspekt nuk kanë bërë përjashtim as shqiptarët, boshnjakët e kroatët. Andaj në rrethana të reja shoqërore e politike regjistrimin e ardhshëm të popullsisë duhet trajtuar si proces statistikor e jo manipulues. Vetëm me një qasje të tillë do të kemi një realitet objektiv  demografik, duke e paraqitur strukturën reale në këtë mjedis multinacional si nder më të veçantit në regjion.

Diaspora ka identitetin e vet

Sipas informacionëve të cilat disponojmë  në regjistrimin e popullsisë i cili do të zhvillohet në fund të këtij viti, sikurse në vitin 2011  diaspora do të regjistrohet vetëm në aspektin numërik, do të thot  pa përkatësinë nacionale, gjuhës amtare dhe ate konfesionale që është paradoks i llojit të vet, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet.

Por, pas rotacionit të pushtetit të ndodhur me 30 gusht 2020, shpresojmë se në këtë aspekt duhet të ndodhin ndryshime cilësore ku nuk duhet të përjashtohet as diaspora, sepse ajo është pjesë e pandarë e popullsisë në vend, ndonëse janë me dekada në botën e jashtme. Mohimi i të drejtës për tu regjistruar në këtë proces statistikor dëshmon se shteti nuk i trajton të gjithë qytetarët përkatësisht shtetasit e vet të barabartë. Në këtë aspekt dallohen vendet më popullsi heterogjene nacionale, ku shëmbull tipik është Mali i Zi.  Por, kësaj here besojmë se do të angazhohen jo vetëm partite politike por edhe nga shoqëria civile, që defekti I vitit 2011  të eliminohet, në favor te të gjithëve në përgjithësi e diasporës në veçanti.

Sepse nuk ka diasporë pa identitet kombëtar, gjuhësor e fetar, pavarësisht se ku punojnë e jetojnë. E kundërta ndodhë vetëm të ata popuj me kompleksin e tyre të cilët e kanë të rrezikuar identitetin e tyre nacional dhe gjuhësor. Nga ana tjetër shqiptarët në ketë aspekt kanë qenë të përmbajtur nga fakti së janë të vetmit që nuk i përkasin korpusit të popujve sllavë, dhe së nuk i kemi komplekset e atyre popujve në Mal të Zi.

Në lidhje me këtë çështje mbetet të presim reagimin nga Monstat–i i cili do të merret me regjistrimin e popullsisë, në muajt në vijim, kur do të kemi mundësi të kemi kopjen e fletëregjistrimin e popullsisë, ku do të evidentohet edhe diaspora. Vetëm atëherë duhet të kemi mundësi të japim vërejtjet në lidhje me çështjet kontestuese, ku diaspora mbetën çështje e cila kërkon zgjidhje e jo të mohohet sikurse në regjistrimin e fundit të popullsisë(2011). Sepse mohimi i të drejtës së diasporës bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe standartët demokratike, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet nacional, gjuhësor dhe konfesional. Kujtojmë me këtë rast se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2003, janë evidentuar 52511 banorësh nga Mali i Zi në botën e jashtme, apo 7.8% e popullsisë së përgjithshme.

Një e treta e diasporës është shqiptare                     

Nuk ka dilemë se një të dhënë të tillë duhet analizuar më tërë spektrin e vet  nacional, gjuhësor dhe konfesional, sepse atëherë do të kemi mundësi të japim disa përfundime. Kështu nëse analizojmë këtë numër sipas strukturës nacionale të popullsisë del qartë së në botën e jashtme janë 16519 pjesëtarë të kombësisë shqiptare, nga del së çdo i treti shqiptarë është në botën e jashtme. E dhëna së shqiptarët paraqesin  1/3 e diasporës së përgjithshme te Malit të Zi, është diçka e jashtëzakonshme kur dihet së shqiptarët në vitin 2003 kanë  marrë pjesë më 7.09% në kuadrin e popullsisë të përgjithshme.

Ndërsa pjesa tjetër e diasporës nga Mali i Zi i takon pjesëtarëve të popullit boshnjak, e më së paku atij malazez apo serb, duke dëshmuar në mënyrë transparente gjendjen faktike të diasporës  ku  popujt të cilët janë numërikisht më të pakët përbëjnë pjesën më të madhe të diasporës nga Mali i Zi. Pikërisht një e dhënë e tillë dëshmon qartë statusin e tyre social dhe politik të popujve përkatës në Mal të Zi. Sepse nuk ka mundësi të shpjegohet ndryshe që pjesëtarët e popujve numërikisht më të pakët janë pjesëtarët më të mëdhënj të diasporës.

Për ndryshime duhet vullnet  politik

Andaj duke marrë parasysh këto të dhëna mendoj së hartuesit e pyetjeve në fletëregjistrimin e popullsisë në vitin 2011, kanë vendosur me qellim  eliminimin e deklarimit te diasporës  sipas përkatësisë nacionale, gjuhës amtare e asaj konfesionale. Pikërisht  nga një veprim i tillë del qartë qellimi, më çka dëshmohet së ky regjistrim i popullsisë është politizuar në përmasa të jashtëzakonshme nga Monstat-i në Mal të Zi.

Përfundimisht nëse ekziston vullneti politik, defektet nga regjistrimi i diasporës mund dhe duhet të përmirësohen në regjistrimin e popullsisë  që parashihet të mbahet në fund të këtij viti, duke dëshmuar profesionalizëm në respektin ndaj diasporës e cila është ndërgjegja kombëtare e çdo vendi.

Shpërndarjaterritoriale e popullsisënë Mal të Zi sipas përkatësisë kombëtare(2003)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Shqiptaret ne Mal te Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3197
  • 3198
  • 3199
  • 3200
  • 3201
  • …
  • 3229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!
  • BALLKANI, PËRTEJ FUÇISË SË BARUTIT
  • Kuvendi i Kosovës kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Speciale që dënoi luftëtarët e lirisë
  • SHKOLLA SHQIPE “VATRA” TE VATRA TAMPA BAY FLORIDA
  • AFC, Mirela Nurce and Lushnja Hospital – Where Fashion Meets Compassion
  • Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut
  • “Children of the Eagle” tani edhe në Queens!
  • Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx
  • DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT