• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ismail Qemal Vlora në Staten Island, Amerikë – Takim pune për ditën historike 3 Qershor

May 31, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e Nino’s Restaurant në Staten Island u mblodh grupi organizativ i punës për vendosjen e emrit të një rruge në Staten Island me emrin e Atit të Pavarësisë Ismail Qemali.

Dy inisiatorët kryesor të kësaj rruge z. Naser Nika dhe Dr. Bari Ceka doktori i 27 mijë pacientëve na ftuan si grup organizativ për të diskutuar për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Në këtë mbledhje ishin të ftuar gjithashtu dhe anëtarë të Komunitetit në Staten Island që duan të ndihmojnë për këtë ngjarje të madhe.

Nderonte me pjesëmarrjen e tij z. David Carr Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe njëkohësisht ndihmoi me ligj në Bashkinë e Nju Jorkut për vendosjen e emrit të madh Ismail Qemal Vlora.

Z. Qemal Zylo foli në emër të grupit të punës për përgatitjen e programit dhe të ceremonisë zyrtare që do të bëhet ditën e shtunë. Diskutantët si Dr. Bari Ceka, Naser Nika i cili e drejtonte mbledhjen, z. Shpëtim Qorraj, z. Dash Miftari kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dibra” etj u interesuan në detaje për aktivitetin dhe problemet e ndryshme që mund të dalin deri në këtë aktivitet. Sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti dhe moderatori, artisti plot të ardhme Bledar Maqellara falënderuan të pranishmit dhe folën me optimizëm se ky aktivitet do të jetë me profesionalizëm dhe kulturë.

Dr. Bari Ceka, z. David Carr, Dëshira Ahmeti, etj ftuan të gjithë shqiptarët para kamerave që të marrin pjesë masivisht në këtë ditë të dielltë në Staten Island, pasi në këtë qytet magjik do të vendoset emri i Atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali.

Kur dëgjoja këta atdhetarë që ftonin shqiptarët të vinin në këtë ceremoni, në kokë më endeshin fjalët e Ismail Qemalit në Ditën e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor, 1912 i cili ka thënë: “Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lire”.

Doemos dhe ne të gjithë do të gëzohemi dhe lumturohemi ditën e shtunë, ditën e Ismail Bej Vlorës.

Ju mirëpresim, më 3 Qershor, ora 11 paradite në Staten Island!

30 Maj, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Fe e re

May 31, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

John Dewey (1859-1952) filozof, psikolog; Walt Whitman (1819-1892) poet, eseist. Të dy shpresonin për një “demokraci” tërësisht laike që zëvendëson fenë konvencionale: Whitman dhe Dewey ishin ndër profetët e një feje qytetare.

Në të kaluarën, shumica e historive që i kanë nxitur kombet në projekte të vetë-përmirësimit kanë qenë histori për detyrime ndaj një ose më shumë perëndive. Për pjesën më të madhe të historisë evropiane dhe amerikane, kombet kanë pyetur veten se si duken në sytë e Zotit. Ekstrakti amerikan ka qenë zakonisht një besim në favorin e veçantë hyjnor, si në shkrimet e Joseph Smith dhe Billy Graham.

Dewey dhe Whitman donin që amerikanët të vazhdonin ta mendonin veten si të jashtëzakonshëm, por të dy donin të hiqnin dorë nga çdo referencë ndaj favorit ose zemërimit hyjnor. Ata shpresonin të ndanin vëllazërinë dhe dashamirësinë e nxitur nga shkrimet e shenjta nga idetë e prejardhjes së mbinatyrshme, pavdekësisë. Ata donin që amerikanët të krenoheshin me atë që Amerika mund të bënte nga vetja, në vend që të bindej ndaj çdo autoriteti – madje edhe autoriteti i Zoti.

“Mos u bëni kurioz për Zotin,

sepse unë që jam kurioz për secilin

nuk jam kurioz për Zotin”, shkruante Witman.

Amerikanët, shpresonte ai, do të shpenzonin energjinë që kishin shoqëritë e kaluara njerëzore, për të zbuluar dëshirat e Zotit për të zbuluar dëshirat e njëri-tjetrit. Amerikanët do të jenë kureshtarë për çdo amerikan tjetër, por jo për çdo gjë që pretendon autoritet mbi Amerikën.

Të dy Dewey dhe Whitman shpresonin që Amerika do të ishte vendi ku një fe e dashurisë do të zëvendësonte përfundimisht një fe të frikës. Ata ëndërronin që amerikanët do të thyenin lidhjen tradicionale midis impulsit fetar, impulsit për të qëndruar në frikë nga diçka më e madhe se vetja dhe nevojës infantile për siguri, shpresës fëminore për t’i shpëtuar kohës dhe rastësisë, për të ruajtur të parën dhe për të hedhur poshtë të dytën. Ata donin të vendosnin shpresën për një Amerikë pa kasta në vendin e zënë tradicionalisht nga njohja e vullnetit të Zotit. Ata donin që ajo Amerikë utopike të zëvendësonte Zotin si objektin e pakushtëzuar të dëshirës. lufta që drejtësia sociale të jetë parimi gjallërues i vendit, shpirti i kombit.

Rilindasit e shekullit 19-të shpresuan ta fusnin këtë ndjejnē në Shqipëri. Por thirrja “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk zuri vend. Dëshira e tyre mbeti Utopi. U përpoqën komunistët për ta zevendēsuar; feja e tyre u kthye në ‘izma’, u provua, u përhap në gjysmën e botë, dhe dështoi. Globalizmi shpreson, por jo nëse jeta qëndron e mbyllur në kufijtë e kësaj bote, thënë thjesht, nëse nuk zbulohet ndonjē planet tjetër me jetë si e jona. Është frika nga jashtë, qe mbledh njerëzit brenda, thuhet.

Photo: https://www.poetryfoundation.org/poets/walt-whitman

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi

Poezi nga Marjeta CANAJ – Bukuritë e vendit tim

May 31, 2023 by s p

O i madhi Skenderbe

Arbër

mencuria dhe shpata jote,

e lartësoi këtë emër në Europë,

lavdia, fama, guximi jot

drodhi osmanët,

Epirin bëri të rrojë,

bashkove princat në kuvend,

pranë flamurit kuq e zi,

je Krenaria për ç’do shqipëtar,

o heroi ynë i madh,

o i madhi SKENDËRBE….

Këtë tokë mbrojte

lirinë aq të çmuar,

të gjitha shpatat i bashkove,

të gjithë trimat bashkë i bëre,

shpirtin e çdo Shqiptari

TI veç një e bëre,

o heroi ynë i madh,

o i madhi SKENDËRBE….

Gjithë botës i tregove

kush ishin Shqipëtarët,

e munde armikun

epërsi nuk i le,

Strateg i mbrojtjes

me shpirt luftarak,

o heroi ynë i madh,

o i madhi SKENDËRBE……

Sa vite e shekuj kaluan,

dashurinë për TY

ky popull kurrë se shuan,

se ky popull të lindi

dhe në zemër të mban,

çdo kohë flet për TY

gjithë bota flet për TY,

këngë pa fund të thur

buste, monumente,

O forcë vigane

flamur frymëzimi,

o heroi ynë i madh,

o i madhi SKENDËRBE…

Grushte mjerimi

Unë Luli i vocër u rrita

ashtu këmbëzbathur i rreckosur

e sytë e zbehtë nga uria,

i lejova të më vjedhin

poshtërrojnë

e t’më shtypin vazhdimisht,

i lejova mbi mua

eksperimente të bënin,

i lejova turp për varfërinë tē kisha

varfërinë që se shmangu askush,

askush që nuk donte

që sytë unë ti hapja

por në errësirën injorante të më linin,

nuk donin zërri im të ngrihej

e kokën lart ta çoja….

O sa ligje bënë që vetë të sundonin

e kokën të ma shtypnin,

sa shumë ëndërrova

ç’do gjë do ndryshonte,

sa shumë dritë

vetes me gënjeshtra i dhashë….

Shkëlqejnë në fushata zotërinjtë,

fjalime pa fund

veç për ne i mbajnë,

e sa fjalë të bukura

për ti besuar thonë,

fjalë që si mbajtën

dekata me rradhë…

Dhe unë i zbehti me sytë

që veç shpresën kërkojnë,

me buzët që dridhen

dhe diçka duan të thonë,

me trupin lakuriq

ku zhelet e grisura

të ftohtin depërtojnë,

e buzët e çara nga etja

t’nxime, t’mykura

ku vashëza si puthi jo kurrë,

rri e shikoj, rri e dëgjoj

e shembem përtokë

nga eshtrat e vrara…

E grushtin e mbledh

ta ngre nuk mundem dot vallë,

rri e pres grushte

me grushtin tim të bashkohen,

e nga terri ku ndodhem

mallkime pa fund

e shkreptima të zjarrta

mbi ta unë i derdh,

i derdh mbi bastardët

që veç në mjerim ndër vite më lanë,

veç dhimbje, errësirrë

kujtime nga kjo jetë jo s’kam…..

E gotat përplasen

pas çdo fjalimi të bukur,

e ne të neveritshmit

rrimë e i shikojmë

e duart përplasim,

e hallet na mbysin

e dhunohemi papushim,

se s’dimë të bëhemi bashkë,

nuk dimë ferrat me rrënjë

veç bashkë ti shkulim

e t’zot vehtes bëhemi,

por lutemi e lutemi

e mbi supe peshën e qiellit,

peshën e ferrit

dhunshëm veç mbajmë….

Po kthehem

Vendi im,

pjesë e jotja jam

sado larg të iki,

hapin tim në gurët e tua

dua ta dëgjoj,

me sytë e tu shikoj botën,

nga toka jote

një grusht dhe kam marrë

e fëmijëve u’a besoj

gjakut tënd o toka ime…..

kjo zemër do veç dritë

se errësirën po jeton,

të huaj jemi kur vijmë

të vërteta ëndrrat

dëshirat ti bëjmë,

shpresat që ndizen në ç’do zemër

pranë e bashkë ti bëjmë,

sa shpirtra të vrarë

të urryer të përçmuar nga mediokrët

rrugën morën……

Po kthehem toka ime,

po kthehem atje

ku dritën e parë pashë,

ku fjalët e para formova

ku buzëqesha, dashurova

ku mësova të bukurën gjuhë

ku vallëzova e shoqëri krijova…

nuk shuhet dashuria

për ty toka ime,

rrugë të gjata bëjmë

se zemra për ty veç qan,

se jetojmē kudo

me lëndimin e dashurinë

për ty toka ime….

Atdheu im

Atdheu im

sa mall nga larg për ty toka ime,

toka ime

që sa larg po pranë të kam ç’do çast,

u linda tek ty nga këto male

ku rrjedh uji i bekuar,

ku dielli ngroh fushat e mbjella

e kodrat me ullishte,

aty ku deti bashkohet me qiellin

me kaltërsinë e tij,

aty ku është gjeneza

e të parëve tanë…

Fortesa që i ke rrezistuar

sa e sa sulmeve

larg teje jemi

por jo kurrë e braktisur nga ne,

ne jetojmë me emrin, historinë,

krenarinë, fisnikërinë tënde,

nuk lodhemi kurrë

emrin tënd lart ta ngremë…

Nuk të kanë munguar

ndër shekuj bijtë e tu,

këndojnë dallgët, këndojnë sazet,

oshëtima e maleve për ty,

këndojmë dhe ne kaq larg

por zemrën pranë për Ty,

e ëmbla, fisnikja

krenaria jonë…SHQIPËRI!!…

Sa njerëz të mëdhenj

nga gjiri jot kanë dalë,

të përkasin TY

se emrin tënd kudo thonë,

nuk lodhen ata kurrë

së punuari për ty,

me veprat e tyre

emrin lart ta ngrenë….

Drithërrohet trupi

kur flamurin lart e mbajnë,

shpirti zjarr u ndizet

për ty SHQIPËRI….

sakrificë e gjatë

larg teje…VENDI im

Bukurit e vendit tim

Ohh, sa bukuri kjo ditë,

rrezet e para ranë mbi trupin tim,

krojet e gurta

ndriçojnë nga ky shkëlqim,

dhe udhëtarët kaluar mbi shtigje,

veç ëndërrojnë,

ku tingujt e lahutës

çiftelia ia mban…

Këngën ia nisin zogjtë,

nga pemët e larta,

të dashuruarit e vetmuar,

ëndrrat iu zgjohen,

dhe e vetmuar, eci e eci,

krahët hap, e kokën lart

drejt qiellin ngre,

për këto bukuri hyjnore,

që veç këto troje kanë….

Vrapoj lule të mbledh,

e kurora shumngjyrëshe

me to të bëj,

vrapoj ku pemët

një e nga një me duar ti prek,

vrapoj drejt burimit

me pastërtinë e kristaltë,

vrapoj ti ngjitem shkëmbit

malit përpjetë,

vrapoj në rrjedhën e lumit shekullor,

zot i paepur, zot i vendit,

vrapoj e vrapoj

e frymën dot se mbaj….

Dhe në prag të çdo shtëpie,

takoj njerëz me dritë e shpresë,

gratë ja ashtu duke nxituar,

me shaminë rrotull kokës,

shpejt e shpejt të mirpresin,

me gjithçka të mirë që kanë…

E duan këtë tokë,

këtë pus e këto vreshta,

i duan këto male

me burimet e kullotat,

i duan këto pyje

me lumenj e ujvara,

e duan këtë natyrë

me lule shumngjyrëshe,

e duan këtë ajër

që thithin ç’do mëngjes…

Të fortë si stralli

malet, janë burrat,

e kumborët e bagëtive

kumbojnë tej në kodër,

e llullën tymosin

me vështrimin larg,

nuk i mposht dot jo

dritë në sytë e tyre….

Dhe vajzat me fustane

me lule shumngjyrëshe,

të shkathëta, si flutra

flutorojnë ato,

dritë përçojnë kudo

gëzim në hapsirë,

e mbrëmjeve magjike

vallen seç e marrin,

si flutura lëvizin

kokën drejt e mbajnë….

Ti mundesh o njeri

Në mundsh

një jete që po shuhet

ti jetë ti japësh,

një dore

që përpara teje shtrihet

ta mbushës,

një syri që loton

veç gëzim ti japësh,

një hapi të ngadaltë

ta bësh të nxitoj,

një shikimi të venitur

më shumë ta ndriçosh,

një dore të rrudhosur

sa më shumë ta shtrëngosh,

trishtimin pesimizmin

në forcë ti ta kthesh,

urrejtjen, dhunën

në të bukurën dashuri…

Në mundsh

rrëzimin e shokut

në rringritje ta kthesh,

humbjen e kujtesës në rrizgjim,

të rrezikosh lumit ti hidhesh

të mbyturin ta shpëtosh,

të vrarin nga dhimbja

forcë ti japësh,

ku qielli për njeriun

është errësuar

rreze drite ta bësh,

njeriut të përbuzur

veç krenari ti japësh….

Në mundsh

syve të përvuajtur të fëmijëve

ti kthesh në shkëlqim,

ku veç të ëndërojnë

të ardhmen pa dallime,

pa shkatërime, ambicie

kurthe e urrejtje,

pa dhunë e përçarje

por vetëm forcë, dashuri…

Të ëndërrojnë të ardhmen

vetëm me buzëqeshje,

me shumë harmoni

me shumë përqafime

e shtrëngime duarsh,

me sy që ndriçojnë

me njeri tjetrin pranë,

pranë aty të gjithë

pranë për njeri tjetrin,

TI MUNDESH O NJERI….

Në mundsh…..

Në mundsh

këto male të larta ti ngjitesh

dhe lodhje mos të kesh,

këta lumenj të bekuar

jo KURRË mos ti prekësh

por veç të kristalta ti lësh,

këto shpate malesh

mos ti ç’veshës

por me peme ti mbulosh,

këto kulla të moçme

ti ruash

dhe botës t’ua tregosh,

këto fusha me lulet shumngjyrëshe

ku parajsa e dashurisë lulëzon

ti prekësh

këmbët e tua ti përshkojnë…

Në mundsh

këtë gjuhë të moçme

ta duash, ta rruash

dhe brezave tua përçosh,

ninullat më të bukura

fëmijës t’ia këndosh,

iso polifoninë ta rruash

brezave t’ua trashëgosh,

vallet popullore kërcej bukur

gjithë bota ti shikoj,

fustanellën, xhubletën, tirqet

e jelekët me fijet e arta

ti mbrosh

e të rrinjve tua veshës,

çiftelinë, lahutën, fyellin, kavalli,

surla, gajdes bukur ti ti biesh,

vashëzat bukurroshe

veshjet e lashta

o sa bukuri të vishen…..

Në mundsh kujdes për këto kulla,

amfiteatre e muze

urat e lashta ti ruash

identitetin e historitë e tyre të tregosh,

detin e kaltër bekim për ne

pastër ta mbash e veç ta mbrosh,

gatimet e gjyshërve aq të mira

ku ç’do krahinë mburret

brezave t’ua mësosh,

t’ua mësojmë bashkë

t’ua përcjellim bashkë

bashkë ç’do gjë të vyer

të VYER të kësaj toke,

TI MUNDESH O NJERI……

Filed Under: Analiza

Shqip për të huajt në Prishtinë

May 31, 2023 by s p

Prishtina Language Center e cila gjendet në qendër të Prishtinës, ofron një program të larmishën të gjuhëve të huaja; duke filluar me shqipen, anglishten, gjermanishten, frengjishten, kroatishten e sipas kërkesave, edhe të tjera.

Numri më i madh i të interesuarve drejtohen për gjuhën shqipe.

Shqipja është gjuha që mesohet ose përvetësohet afërsisht nga 100 studentë gjatë një viti, gjë që e çon numrin në mbi 1000 studentë që nga viti (2012) kur kemi hyrë në treg.

Mbi njëmijë persona, ku mbi gjysma e tyre, për herë të parë, i kanë dëgjuar tingujt e gjuhës sonë. E kanë parë se si tingëllon, flitet dhe si bisedohet në gjuhën shqipe; si në gjuhën standarde, ashtu edhe ne dialekt. Ka të tillë që nga kurreshtja, e disa nga dëshira, kanë përfunduar duke e studiuar atë në vendin tonë ose në departamentet e ndryshme në vendet e tyre (është e ditur që shqipja është gjuhë me zgjedhje në shumë departamente të universiteteve të ndryshme në botë).

Arsyet e të mësuarit të gjuhës shqipe në Prishtinë janë nga më të ndryshmet, ashtu siç janë edhe grupmoshat dhe shtetësitë e tyre.

Interesim jashtzakonisht të madh, çdo vit e më shumë, po shprehin familjarët të cilët jetojnë në diasporë. Dëshira dhe krenaria për gjuhën, po i bën ata që mos të kursejnë asgjë, vetëm e vetëm që fëmijët e tyre të jenë në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën dhe kulturën tonë.

Prishtina Language Center, me shkollen verore po synon t’u ofrojmë të gjithë të interesuarve njohjen ose përmirësimin e gjuhës shqipe.

Programi do të fillojë me mësimin dhe përmirësimin e gjuhës, përmes formave më kreative të edukimit, duke përfshirë edhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë shkollës, qëndrime në parqet e qytetit, njohje dhe shoqërim me njëri-tjetrin, vizitë vendeve turistike të Prishtinës, ushqime tradicionale, muzikë dhe vallëzim.

Programin me detaje më të hollësishme, do t’ua dërgojmë të gjithë të interesuarve që do t’na kontaktojnë përmes email adresës ose numrit kontaktues.

Email: prishtinalanguagecenter@hotmail.com

Filed Under: Fejton

TENSIONET NË VERI, OSE PARADHOMA E NJË PROTEKTORATI TË RI!

May 31, 2023 by s p

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare. Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim. Kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare.

Nga Mehmet PRISHTINA

Situata në veri të Kosovës, që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 23 prill, e deri sot, ka kaluar nëpër një spirale ngjarjesh e turbulencash nga më të ndryshmet, ku erdhi në shprehje sërish antagonizmi në mes të prirjes për ta shtri sovranitetin shtetëror edhe në këtë pjesë të vendit tonë dhe kundërshtimi i dhunshëm i serbëve që të mos njihet procesi zgjedhor, i cili nxori fitues kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore. Në vend se ky proces zgjedhor të prodhojë efekte vendimarrëse për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të vendit, ndodhi e kundërta.

Ndodhi ultimatum i politikanit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili, me direktiva të Beogradit, kërkoi që të largohen njësitë speciale nga ajo pjesë e vendit tonë dhe kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave (dy prej tyre) t’i lirojnë objektet komunale.

Trajtat e dhunshme të këtij ultimatumi rezultuan madje me mbi njëzetë ushtarë të KFOR-it të plagosur në Zveçan, disa prej të cilëve me lëndime të rënda. Serbët agresivë, shumica prej të cilëve të importuar nga Serbia, sulmuan ushtarët e KFOR-it të cilët ishin vendosur në mes të policisisë së Kosovës dhe protestuesve serbë. Ishte ky një mision i vështirë për një ushtri shumëkombëshe e cila në Kosovë ka mandat të siguroj paqe për të gjithë.

Por, kur janë në pyetje raportet shqiptaro-serbe, paqja ende është një nocion i paperceptueshëm. Në vend se të gjithë, pa dallim etnie e feje, t’i gëzojnë frytet politike nga bilanci zgjedhor, në veri të vendit tonë po ndodhë diversioni mbi këtë proces. Kjo për shkakun se rregullat nuk i caktojnë votuesit, kushdo qofshin ata, por i cakton Beogradi dhe i miraton, fatkeqsisht, në heshtje një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Presidenti Vuçiq i ndodhur në mengelen e trazirave dhe pakënaqësive kolektive në Serbi, ka zgjedhur t’i ikë presionit të brendshëm duke e përdorur sërish Kosovën si balon që vazhdon të fryhet me propagandë dhe shantazh. Në vend se t’iu japë përgjigje shumë çështjeve të mprehta që kanë ngritur protestuesit serbë në Serbi, Vuçiqi parapëlqen të dislokohet bashkë me një pjesë të ushtrisë së tij afër kufijve të Kosovës. Duke qenë afër Kosovës, Vuçiqi mendon se do të largohet paksa nga telashet që po ia shkaktojnë qytetarët e vendit të tij, të cilëve nuk po iu intereson Kosova por siguria dhe perspektiva e tyre.

Vuçiqi vazhdon me logjikën e instalimit të psikozës kolektive nacionaliste mbi Kosovën që “sërish duhet rikthyer”, ku serbët, të paktën një pjesë e verbër e tyre, si konsumues të kësaj psikoze vazhdojnë të besojnë se kjo një ditë mund të ndodhë, prandaj ata pranojnë urdhëra nga Vuçiqi që të shkojnë në veri të Kosovës dhe të plagosin ushtarë të KFOR-it. Kjo pjesë e serbëve, është një turmë e painformuar, sepse kokat e tyre janë të mbushura me indoktrinim anti-Kosovë, pikërisht siç e përshkruan edhe Bardhyl Mahmuti në librin e tij “Eskadronët e vdekjes”, ku masakrat mbi shqiptarët ishin kryer nga serbët të cilët fillimisht ishin informuar gabimisht se shqiptarët kishin vra fëmijë, gra e pleqë serbë nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës. Katarsa shpirtërore që ndodhë te këta serbë është e vonshme, por opinioni publik e kupton se inxhinjeringu i urrejtjes kundër shqiptarëve ishte përpunuar fillimisht si një laborator që prodhon dezinformata. Sepse vetëm duke qenë të informuar gabimisht mbi sitiuatën në Kosovë, siç e ka përshkruar bukur B. Mahmuti në librin e tij, ushtarët dhe policët serbë, një pjesë e tyre, përveç se me armë konvencionale, ishin armatosur edhe me urrejtje të skajshme ndaj shqiptarëve, sepse ndryshe s’ka si të shpjegohet motivi i tyre për të vra shqiptarë, madje foshnje të posalindura dhe gra shtatzëna.

Një skenar i ngjashëm, por me trajta tjera, po provohet të reprizohet sërish në Kosovë. Propaganda e Vuçiqit nuk pushon së prodhuari armiqë të jashtëm të popullit serb, ndërkohë që problemet e brendshme kanë prekur majën e aizbergut. Të gjithë diktatorët përdorin metodat e njejta. Ata janë të prirur ta defokusojnë vëmendjen e popullatës vendore me ngjarje që i paketojnë si kauza kombëtare, e që në fakt janë perde tymi për të penguar shikimin e qartë mbi situatën që zhvillohet në oborrin e shtëpisë.

Tani për tani Vuçiqi e ka zgjedhur Kosovën të jetë një perde tymi për të kamufluar realitetin në Serbi, i cili nuk është aspak në favor të tij. Por, kjo taktikë e Vuçiqit fatkeqësisht nuk po lexohet drejt nga diplomatët e huaj dhe për pasojë kemi një situatë absurde ku Kosova si vend i pavarur po e pëson më së shumti.

Këtë situatë më së miri ndoshta e ka deshifruar, Janus Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington. Ai ka reaguar ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili dënoi ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.

Ai tha se mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin. Është koha për të mbështetur një revolucion demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet evropian , shkroi Bugajski në Twitter.

Në të njëjtat valë ishte edhe Daniel Serwer nga universiteti Johns Hopkins në Washington DC, sipas të cilit presidenti serb Vuçiq ka dëshmuar në dy mënyra se i kontrollon serbët në veri të lumit Ibër. Së pari, zgjedhjet e 23 prillit ishin paqësore. Kjo nuk do të ishte e mundur pa urdhrin e tij. Merreni si konfirmim që Beogradi historikisht ka urdhëruar të gjitha trazirat atje. Së dyti, shumica dërrmuese e serbëve nuk votuan. Këtë e ka urdhëruar edhe Vuçiqi. Zemërimi i Vuçiqit ka për qëllim të maskojë faktin se ai do të vazhdojë të qeverisë de facto katër komunat veriore, me shumicë serbe nga Beogradi, duke përdorur rrjetin e tij të oficerëve të sigurimit dhe kriminelëve të organizuar, konstaton Serwer.

Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, ka pyetur nëse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka dënuar dhunën e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.

“E ka denoncuar Sekretari Blinken akoma dhunën e djeshme ndaj KFOR-it?. Ende po pyesni se në cilën anë dëshironi të jeni?”, ka shkruar Serwer.

Ky reagim i Serwer vjen pasi sekretari Blinken e ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi kjo e fundit ka vendosur që me forca policore t’i asistojë kryetarët e rinj që të hyjnë në objektet komunale.

Skenarët destabilizues të Vuçiqit kanë filluar të lexohen edhe nga vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nuk mendojnë si ai. Njëri prej tyre, Boban Bogdanoviç, në një paraqitje në Euronews Albania, komentoi protestat në Serbi dhe situatën në veri të Kosovës. Ai tha se edhe pse ishte një kohë me shi, në rrugët e Beogradit u mblodhën rreth 300 mijë njerëz në protestën “Serbia kundër dhunës”. Ai nënvizoi se këto protesta mund të sjellin dhe fundin politik të presidentit Vuçiç, të cilin e cilësoi si burimin e dhunës në të gjithë Ballkanin. Bogdanoviç e fajësoi Vuçiçin dhe për situatën në veri të Kosovës dhe shprehi frikën për përshkallëzimin e përplasjes së armatosur mes bandave serbe dhe autoriteteve të Republikës së Kosovës. Pas Millosheviçit erdhi Vuçiçi në Serbi dhe ai është burimi i dhunës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ai është arsyeja pse nuk ka paqe në Serbi, ai është arsyeja pse nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një kohë shumë shumë e keqe, një kohë e tmerrshme pasi situarta mund të përshkallëzohet në Kosovë. Nuk dua të besoj që kriminelët nga veriu i Kosovës, Radojçiq dhe strukturat e tij kriminale mund të përshkallëzojnë përplasjet me armë. Kjo nuk është e mirë për marrëdhëniet tona dhe për rajonin, tha Bogdanoviç per Euronews Albania.

Në anën tjetër diplomacia amerikane, përmes përfaqësuesve të saj në rajon, ka shprehur pakënaqësi të hapur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar, siç thonë ata, me dhunë pushtetin në katër komunat veriore.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një takim me disa gazetarë në Prishtinë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – kanë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai e citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, shtoi ai.

Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të martën ka thënë se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri të vendit, si hap i parë i shtensionimit. Njëkohësisht, ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.

Por si duket, jo të gjithë politikanët në Washington janë të kënaqur me këto qëndrime të diplomacisë amerikane mbi Kosovën. Kongresmeni amerikan, Richie Torres, ka mbetur i zhgënjyer nga Sekretari i Shtetit të tij, Antony Blinken, i cili dënoi veprimin e institucioneve të Kosovës për ngjarjet e djeshme në Veri. Torres tha se Kosova është aleat i SHBA-së dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë kur kjo iu desh SHBA-së.

“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u pranoi në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai, duke rishpërndarë deklaratën e Blinkenit.

Edhe Alicia Kearns, kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Ajo, me anë të një cicërime në Twitter, ka thënë Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri, si dhe i ka sugjeruar të gjithë që të lexojnë një artikull të Nju York Times të publikuar ditë më parë lidhur me këtë çështje. “Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pasi hyrja në zyra të komunave e kryetarëve të rinj u kundërshtua nga serbët lokalë. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, tha Kurti.

Për të dalë nga kjo situate e tensionuar, u zhvillua edhe një takim në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier. Ky i fundit pas takimit deklaroi se folën për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Ai tha se nuk mund të deklarojë se ka një marrëveshje me Kurtin se si duhet të ndodhë çtensionimi i situatës, megjithatë tregon kërkesën që ia kanë bërë Kurtit.

“Kemi marrëveshje se deeskalimi duhet të ndodhë, por nuk e di se a mund të them se ka marrëveshjes se si duhet të ndodhë ai. Çfarë mund të them është se çfarë SHBA-ja po kërkon është ajo se ne besojmë se nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të punojnë çdo ditë nga ato objekte [komuna]. Në fakt, ne rekomandojmë që për një afat të shkurtër, kjo të mos ndodhë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Zhvillimet në veri të Kosovës nuk kanë mundur të mos jenë edhe pjesë e vëmendjes së Kremlinit. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti. Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane. Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.

Opinioni publik në Kosovë ende e ka të paqartë se si është e mundur që zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, madje edhe diplomatëve të BE-së dhe Washingtonit, i plotësuan të gjitha standardet demokratike. Në kët frymë ishte edhe deklarata e Emisarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se administrata amerikane do t’i njoh rezultatet e atyre zgjedhjeve.

Nëse është kështu, atëherë si është e mundur që kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime të mos mund të hyjnë në zyrat e tyre, të cilët do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësinë e tyre etnike e fetare.

Këtë pyetje e bën çdo qytetar i Kosovës, sidomos ata që votuan më 23 prill në katër komunat veriore, ndërkohë që ata që nuk votuan, ishin të detyruar të bojkotojnë procesin zgjedhor. Këtë e bënë pa vullnetin e tyre, sepse regjimi i Beogradit po punon fort që Kosovën ta paraqes si një “vilajet i errët” ku nuk ka jetë për serbët. Kjo propagandë e artikuluar përmes mediave të kontrolluara nga Vuçiqi, ka publikuar më shumë se 3 000 tituj me përmbajtje luftëxitëse kundër Kosovës në këto dhjetë vitet e fundit.

Serbia edhe mediatikisht, edhe ushtarakisht nuk po rresht së prodhuari psikozë luftarake ndaj Kosovës. Për rrjedhojë Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, ditëve të fundit ka shpërnda “zarfa të kaltër” , për të ashtuquajturën “ushtrim të rregullt ushtarak”, dedikuar pjesës rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këtë njoftim e ka konfirmuar edhe Instituti “Octopus”, sipas të cilit “propaganda i ka shërbyer si armë e fuqishme Hitlerit për strategjinë ekspansioniste ushtarake. Në anën tjetër, mediat e kontrolluara ruse, me vite të tëra propaganduan kundër Ukrainës, deri në agresionin ushtarak”.

Nëse e zbërthejmë nëntekstin e këtij njoftimi të Instituti “Octopus”, nuk e kemi shumë vështirë ta kuptojmë edhe strategjinë e Vuçiqit, i cili duke i gënjyer dhe dezinformuar ndjekësit e tij me lloj lloj paragjykimesh kundër shqiptarëve dhe Kosovës, po mundohet ta mbaj gjallë alibinë e tij kundër shtetësisë së Kosovës.

Sipas Instituti “Oktopus”, kjo bëhet edhe më shqetësuese, duke marrë parasysh që si rusët, ashtu edhe vëllezërit e tyre serbë, në prag të rrezikimit të pushtetit, nisin konflikte të reja. “Historia është mësuese e mirë e praktikës”, përfundon njoftimi.

Tensionet në veri të Kosovës mund t’i shërbejnë më së tepërmi presidentit serb Vuçiq, po jo edhe interesave të Kosovës. Prandaj kreu politik dhe shtetëror i Kosovës duhet ta lexojë ndryshe situatën, duke mos iu dhënë adute shtesë nacionalistëve serbë të paraqiten si viktimë në gjithë këtë skenar ngjarjesh të rrezikshme të dizajnuara në Beograd.

Presidenti serb do të donte të vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës, në mënyrë që vëmendja e mediave botërore të defoksuohet nga protesttat masive të qytetarëve serbë. Madje edhe dorëheqja e presidentit serb, Aleksander Vucic, nga pozita e kryetarit të partisë, nuk ka mbetur pa u komentuar nga mediat prestigjioze botërore. Duke i dhënë hapësirë këtij njoftimi, agjensia amerikane e lajmeve Associated Press ka shkruar për një lëvizje të tillë të Vuçiqit, si një taktikë për të krijuar një lëvizje më të gjerë politike për shkak se po përballet me një valë protestash anti-qeveritare. Mediumi amerikan ka vënë në dukje se Aleksander Vuçiqi shpesh është kritikuar që po vazhdon të mbajë dy pozita, atë të presdientit dhe të kryetarit të partisë. Sipas analistëve, kjo është një përpjekje e presidentit të Serbisë për të rigrupuar sa më shumë njerëz pas një dekade pushtet dhe pas presionit publik gjithmonë e më shumë në rritje. Associated Press përmend protestat masive që po organizohen pas dy ngjarejve tragjike, dhe përmenden gjithashtu edhe akuzat e protestuesve drejt qeverisë për krijimin e një atmosfere me gjuhë urrjetjeje kundër kundërshtarëve politikë dhe fushatat e pamëshirshme propagandistike në mediat kryesore serbe.

Ndërkohë për dorëheqjen partiake të presidentit të Serbisë ka shkruar edhe agjensia franceze e lajmeve Frans Press, duke thënë se mitingu i organizuar të premten ngjante me një fushatë elektorale. France Press raportoi deklaratën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CESID), Bojan Klaçar, i cili ka thënë se krijimi i një lëvizje të re politikë është “një mënyrë për të kapërcyer krizat që potencialisht mund të shpërthejnë brenda SNS”. Sipas tij, Vuçiq dëshiron të sigurojë një mandat tjetër politik duke krijuar një lëvizje të re.

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare.

Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim dhe kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare.

Sa më poroze të jetë kjo shoqërie me qëndrime të paharmonizuara, aq më të lehta do të bëhen skenarët për ta bërë Kosovën shtet sa më jofunskional.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1847
  • 1848
  • 1849
  • 1850
  • 1851
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT