• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BESOJMË ZOTIN POR S’NJOHIM DJALLIN…

May 20, 2016 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI*/

‘Ne besojmë te Zoti por s’ njohim djallin që klith, ulërin me tërbim dhe lëviz gurë, flak shkëmbinj, shkul rrënjët e pemëve që ngjajnë si eshtra të mamuthëve. Mes fërshëllimës së papërmbajtur të tajfunit u ndje një zë që bërtiti:

-Përse kërkoni të njihni djallin, sa vlerë ka!?

– Kërkoni vlera te djalli!? Ishte një klithmë.  Ulërimë.  Jehonë e thellë torturuese, lodhëse. Ndoshta grumbuj zërash dhe zhurmash në një që më pas ushtoi:

– Mos harro, je akoma buzëqumësht. Je ende bythë pambuk.  Aha! Kundështon, thua s’ do jesh përherë kështu. Pyet djallin ai e di. Jo? Atehere mësyj në mundsh dhe tërhiqu. Dredho si nuselale dhe pështy si zvaranik. Si psherëtin, s’të pëlqen? Uh! Sigurisht që duhet të psherëtish sepse nuk dihet se kush është në realitet: Djalli apo Zoti. Fërshëllima apo klithma. Zëri apo jehona. Gjëmimi apo shkatërrimi. Hesht dhe dëgjo! Qumështorët e vjellin  shpejt qumështin e tepërt, kur e papritura ngre kurthe, merr jetë. Krijo njohje, mos i vë rëndësi kohës që duhet të shpenzosh.  Vrojtimi është hap vendimtar. Dihet që rekruti  në luftë ha plumbin që në shkrehjen e parë, ngaqë nuk di dhe nuk njeh gjë.

-Më pyet përsëri që njeh Zotin, beson te ai dhe urren Djallin? Koqoshët dhe mistrecët argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi, një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s’të lë kurrë në baltë. Servilizmi mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi  u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët.

Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S’ka servilizëm, s’ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Më pyet për Zotin dhe mendjet e ditura?! S’dihet, ku janë, mbasi mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura bëjnë pallë mbi dhe…

Ndoshta Zoti dhe Djalli janë fasadë, diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë. Ti grindeh dhe më thua: Jo, asnjë nga këto. Rrjedhje e zakonshme dhe asgjë më shumë. Të gjithë lumenjtë e rruzullit rrjedhin në një drejtim. Në derdhje. Në njësim, në avullim, derdhje përsëri. Një cikël i pandërprerë, i vazhdueshëm, i pafund.

Sidoqoftë, për Zotin dhe Djallin s’më the?

Oh ju lutem, jeta është marramendje dhe asgjë më shumë. Dhe thuaj, shyqyr që gjithçka është e shkurtër siç është rrjedhja e ujit, avullimi, jeta. Gjatësia është çmenduri. Më dëgjon? A nuk ka dhe këtu servilizëm apo hipokrizi?! Medet, nuk  dihet kush është fajtori apo i pafajshmi. 

Eja… të shkojmë. Se sheh, erën e marrë. Duhet mësuar prej idiotëve. Ata nuk meditojnë. Ata janë realisht komodë. Ata vlerësojnë jetën e vërtetë mondane, sepse s’kanë se çfarë të thonë. Ata janë më të lumturit e botës. Më të pafajshmit. Më të dëlirët. Më të sharët. Më trutharët. Ata nuk qederosen. Ata nuk kuptojnë. Sa mirë. Gjithsesi bota do të ishte ndryshe.

Ndalu ç’thua, mbron të metët? Po maskarenjtë, vrasësit ku janë? Jo. Si jo? Atëherë tregona ku ekziston ndryshimi midis Zoti dhe  djallit, të marrëve dhe të mençurve?

 O Zot çfarë erë! I shkuli të gjitha pemët. Çfarë  bën, sërish po mendon. Flaki tej mendimet. Oh! Nuk sheh që ata qeshin.  Si guxoni të qeshni?! Mosni. Ju lutem heshtni. Nuk doni?!  Qeshura është ngjitësja më e shpëlarë. Nëse doni qëlloni mbi të qeshurën marroqe, bëjeni, veçse do rrahni ujë në havan.

Të gjithë në jemi pjesë e së qeshurës. Nuk besoni, s’ka gjë do të besoni me vonë. Shkoni tutje ju zëra apo çfarë. Nuk dihet nga jeni dhe nga vini. Më thua t’i lë erërat të gjëmojnë? Mirë po i lë, Mos harro është koha e erërave të forta që mbështjellin globin, përfshijnë dhe shtrëngojnë zemrat e nënave…

Është thënë dhe thuhet se besohet te Zoti kur tek të gjithë ka bërë fole djalli. Mjaft nuk mundem më… Kot mundohem të mbush mendjen dhe bëj apologji kur s’ ka vend për të… shko fli.Të bëj gjumin e madh?! Jo, thashë vetëm fli, se sheh, përjashta nata ka hedhur kapotën e rëndë…’

Ai la lapsin mbi fletën e zhubrosur e të mbushur nga shkrimi i pjerrët e i rëndë. I dhembnin sytë, padita e kishte lodhur. 

E mbërtheu frika se mos verbohej…”

* Marre nga VETMIA E ZËRAVE, roman, fragment.

Filed Under: LETERSI Tagged With: " Vetmia e zerave"), Kristaq Turtulli

BANORI I VARKES SE NOES

May 18, 2016 by dgreca

(Mendime për jetën dhe veprimtarinë letrare të shkrimtarit dhe poetit pukjan TON ZMALI)/

Nga Nikoll Nika Micigan – USA /*

Ton Zmali ka lindur në Kokdodë të rrethit të Pukës në vitin 1950. Shkollen 7 vjeçare e mbaroi afer fshatit të tij, në Bugjon në vitin 1965. Në Shqipëri në vitin 1960 u muar vendim qe të bahet arsimi 7 vjeçar i detyruar në të gjithë vendin. Kështu që po të marrim vetem zonën e Iballes në vitin 1962 u hapen shkollat 7 vjecare në Dardhë, Arst-Miliska, Bugjon, Mertur e Berishë. Po për mungesa kuadri shumë fshatra kishin një shkollë të përbashket. Kështu Fierza, Bugjoni dhe Kokdoda kishin një shkollë 7 vjeçare e kjo ishte ngritur në Rapsaj të Gralishtit midis Fierzes e Bugjonit ku vinin edhe femijët e Kokdodës.
Unë u emrova në ketë shkollë drejtor në vitin 1963 ku mesonte edhe nxenësi Ton Zmali. Tonit i duhej më shumë se një orë të vinte çdo ditë nga shtëpia në shkollë. I duhej të kalonte krepa, rrepira, dy lumenj e shumë disheza e malore.
Për hirë të së vertetës atëhere shkolla mbante lidhje të ngushta me familjet e nxenësve. Mesuesit shkonin nëpër familjet e nxenësve dhe bisedonin për çdo problem që mund të ndihmohen nxenesit. Ndaj edhe unë isha i njohur me prindërit e Tonit shumë mire. Babaj i Tonit, Mark Kol Zmali, një burrë shumë i nderuar jo vetem në fshat po në gjithë zonen, kishte fjalë pak. Ai me thoshte: ” Drejtor unë nuk dua dhe nuk prandoj që femia im të sjellë asnjë shqetësim në shkollë !”. Dhe kishte një aresye të fort që ngulte këmbë në këtë drejtim.
Sistemi diktatorjal,komunist sic quhet, nuk përputhej kategorikisht me biografinë e Tonit. Xhaxhaj i tij ishte vrarë në Tepelenë në vitin 1943 nga forcat partizane ndërsa daja i Tonit ishte denuar me burg politik për agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor. E në këto kushte çdo familje e kishte shumë të veshtirë të përballonte trysninë, presionin apo çekiçin e diktaturës tek koka. Dhe fjalet e pakta e të shkurtëra të babajt të Tonit unë i kuptoja shumë mirë.
Toni dallohei shumë lehtë midis nxenësve të tjerë nga urtësia, e mospërzjerja në asnjë problem që të binte në sy. Sepse zbatonte me përpikmeri porositë e prinderve.
Krejt ndryshe ishte Toni në klasë. i shkelqyer në mesime, i përpiktë në çdo detyrë që i ngarkonte mesuesi. Kur i jepeshin poezi për t’i mesuar përmendesh, ai i recitonte më mirë se asnjë në klasë që e detyronte mesuesin të mendonte për të si një talent i veçantë.
Kur Toni mbaroi shkollen 7 vjeçare, shokët e shoqet e klasës shkuan në shkolla të mesme, ndersa ai nuk e pati ketë fat. Biografia e familjes nuk e lejonte. Kujtoj se në një mbledhje me drejtorët e shkollave, Zef Delia, zv.shef i aresimit në Pukë, bashkëfshatar i Tonit duke më pyetur për nxenësit e fshatit Kokdodë folem edhe për ketë nxenës si një nder më të mirët. Pas një viti Zefi e gjeti menyrën për ta derguar në shkollën e mesme pedagogjike në Shkoder. Këtu hapet drita jeshile, sic I thonë fjalës, për poetin e ardhshem. E mbaroi shembullor shkollen dhe u emrue mesues gjuhe e leximi në fshatin Mertur, ku sherbeu tre vjet. Toni ishte 19 vjeç.
Merturi u ba vatra e parë ku Toni filloi rrugën e tij letrare. Me nje laps e bllok të berë vetë në gjep hidhte rrjeshta çdo ditë deri sa përfundoi me dorshkrim romanin “Kulla e peshqve”. Ky dorshkrim i parë përfundoi me dhembje, pasi jo vetem që nuk gjeti driten e botimit po edhe i humbi. Po Toni tashmë ishte bërë “i eger” dhe nuk dorzohej. Vendimet që i merrte do t’i çonte deri në fund pa medyshje… Dhe përfundoi vellimin poetik “Mushtzemre” Dhe prap deshtim, pasi nuk gjente dot driten e botimit. E si për “inate” ai shtonte vendosmerinë. Filloi të punojë në shumë drejtime, poezi, pjesë dramatike dhe i vinte në skenë në kushtet e fshatit.
Dhe rastis që në Mertur të vijë Ded Gjergji, një idealist vizionar i madh për t’u takuar me popullin, ateherë funksionar i lartë partie në rreth dhe thuajse bashkëfshatar i Tonit. U mahnit nga shfaqja artistike e organizuar nga shkolla e fshati nën drejtimin e Tonit. Në bisedë e sipër Deda e pyeti përse nuk shkonte për aktor?.. Po Toni me atë kulturën e tij arësimore e familjare ia shpjegoi biografinë. Po Ded Gjergji nuk e harroi… E dergon Tonin në konkursin rajonal të aktorëve në Shkoder ku e fitoi atë dhe dy të tjerë në Tiranë në teori dhe praktikë. E pra Ton Zmali në vitin 1971 gjendet në Akademinë e Arteve të Bukura. Dhe nuk e diskutoi përfundimin shkelqyeshem të saj. Me këto aftesi e talent mund të ishte shumë mire një aktor në Teatrin Popullor në Tiranë, Tvsh, kinostudio ku u emruan shumë nga bashkëstudentët e tij, në Shkoder apo kudo tjeter. Po vendimi i Partisë për të kontribue atje nga ku ka shkue në shkollë e etj…Ton Zmali emrohet drejtues i shtepisë kulturës në Iballe ku sherbeu për 10 vite. Vite shumë intensive pune. Atje vuri në skenë dramen “Baca i Gjetajve”, “Kulla e Hutajve”, dramen “Sokolesha e Aprripes” e shumë e shumë të tjera aktivitete e veprimtari. Njohja gjatë shkollës me minoritaren Eleni Guzhuna, bijen e nji oficeri që jetonte në Lushnje vazhdonte. Martohen dhe pas shumë veshtirësish Toni transferohet në Lushnje dhe emrohet me kulturen në fshatin Ballagat, një fshat kodrinor i zonës së Darsisë siper qytetit.
Krijimtaria e Tonit nuk njihte nderprerje. Toni gjeti një drite të vogel jeshile botimi te gazeta Drita e revista Nentori, dhe skenarët dramatizuese që transmetoheshin në radio tirana. Po përseri thuajse me pikatore. Shkrimtarja Diana Çuli i jep shumë kurajo, besim si dhe ndihmë duke i botue poezitë e para.
Ndryshimi i sistemit në Shqipëri nga diktatura në demokraci edhe pse sipas modelit patjeter që solli ndryshime edhe në jetën e Tonit. Por ajo që u bë pjesë e dhimbjes së tij ishte detyrimi për t’u emigrue nga papunësia dhe shpresat për një jetë me të mirë. Kështu në vitin 1993 emigron në Athinë ku vazhdon të jetë edhe tani.
Krijimtaria e Tonit tani ka marr përmasa të medha. Ai ka botuar vellimin poetik ‘Lulet e ksenit”, “Dashuri te pashijuara” dhe “Honeve te askundit”, si dhe në prozën e gjatë trininë e kundraromanit ku përmblidhen, “Engjuj pa qiell”, “Jeta e vjellagjolasve” dhe “Oazi qe mund shkretetinat”.. Studimi “Kritiku i balonistave dhe i mohuesve kasapë të letersisë” kushtuar veprës së të madhit Gjergj Fishta përben një kontribut të veçantë të këtij poeti.
Toni misheron disa veçori shumë fantastike të të qenit shkrimtar e poet. Unë do të ndalem pak tek një poezi e tij: Varka Qiellore e Noes”. Me ata pak rrjeshta të kësaj poezie shof Tonin e gjallë…. Një njeri në fund të detit gjatë sistemit të diktatures komuniste, duke lundruar në një varkë pa shpresë vite të tëra. Po me besim, guxim, vendosmeri të patundshme dhe me ndihmen e lundruesve zemermirë arrin të dalë nga fundi i detit dhe të ankorohet në qafen e majes së malit e cila ka pushtue qiellin. Dhe kje përben tiparin e paepur të malsorit për të arritur atë që endrron e i përkushtohet. Kjo varkë jeton brënda njeriut si Oazi që mund shkretinat e jetës…
Sot unë e shoh Tonin mbi malet e larta të Çllumit të Merturit, mbi Kunoren e Dardhes, mbi majen e Hekurave apo Terbunin e Pukes duke fluturuar plot krahë në hapsiren e pafundme të letersisë bashkohore. Dhe fluturimin e ban, sic thotë edhe komentuesi e përkthyesi i veprave të tij, pa brez shpetimi. Sepse Toni i ka marrë me vete të gjitha mjetet që i duhen për të kryer fluturimin. Ai ka misheruar folklorin dhe traditat e popullit të krahines nga ka dalë. I ka përpunuar dhe i ka ngjitë në lartësi të atyre majave ku ai kryen fluturimin. Dashuria për malet, luginat, rrugët, lumenjtë e çdo gjë qe zbukurojnë vendlindjen e tij e shoqerojnë në çdo krijim.
Kur lexon poezinë “Bjeshkeve” e kupton atë mesëmiri:
O bjeshkë
Një qylym rudine falmani për shtrojë
Një mriz hije ahu për argëtim
Në simfonitë e zgjimit bashkoni zogjt kangtar
Engjujt fluturues të shpirtit tim
Dhe në fund e mbyll me betim para bjeshkeve…
Gjithë pagjumësitë tuaja
Janë engjujt e shpirtit tim

Kur shkonte nga Merturi për në Kokdodë rruga kalonte nëpër një fshat me emrin Qyqesh. Fjala Qyqesh vjen nga shpendi Qyqe. Dhe Toni këtyre bjeshkeve të Qyqeshit magjepës u thur një poezi nga ma të bukurat. Ajo titullohet “Atje ku qeshin qyqet”. Në këtë poezi Toni pjerrtesinë e rrugës e kthen në shkallë të mermerta, yjet në qiell në abazhure të kaltert, dhe vetë bahet bashkudhëtar i qiellit. Shkembejt i mveshë me shtellunga reshë të qendisur nga vetullat e ylberit. Bimet e lulet vaditen nga kulloshtra e borës, dikund me tej mbi briret e kaprollit zogjtë ngrenë foletë ndersa pak me larg tek kroi vashat fshehin syrin nën shami. Kështu bjeshket e Qyqeshit, një nga zonat e vendlindjes Tonit shndrrohen në një muze të gjallë parajse jetike. Dhe brenda gjithë kësaj bukurie të magjive toksore e hyjnore qyqet qeshin…

I dashur Ton!
Keto mendime që po i hedh në leter janë shenja respekti për aftesitë tua të veçanta krijuese në fushen e letersisë. Por ajo që mua me shtyn pa pushim në brendësinë fantastike të jetës tende janë peripecitë e vështirsitë që ke kaluar gjatë sistemit të diktaturës dhe në mergim…
Unë deri tashti pata parasysh një ish nxenës tani në moshë 65 vjeçare ndersa unë 78 vjeç. Sikur të më jepej edhe një herë mundësia të bahesha 10 vjeç, zgjedhje ime në botën e lirë për të ardhur këtu ku jam do të ishte vetëm modeli yt i mveshur me atë dashuri, guxim, vendosmeri, shpresë, besim dhe përkushtim që ke ardhur deri këtu ku je sot. Ti nuk duhet të pranosh të vdesesh kurrë!…

Përshendetje!

NIKOLL NIKA MICIGAN – USA
10 maj 2016

* Ne Foto: Ton Zmali, poet, emigrant ne Greqi

Filed Under: LETERSI Tagged With: BANORI, I VARKES SE NOES, Nikoll Nika, Ton Zmali

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike”Shqiptari-Malkoc*”

May 16, 2016 by dgreca

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike”Shqiptari-Malkoc*”

Nga Alfons Grishaj/

 Shqiptari-Malkoc*/

 “Ou”* dhe “Genusus”* , Zotat tanë të parë/

Lindur prej “Kaos”* tutje  në mitologji,/

Të vërtet’n  qiellore  askush nuk ka të ngjarë/

As “Zeau”, “Mikon”, shpirt’ nuk është mitografi.*/

Rreken Grekët : “Illirus ndryshoi Pellazgjinë,/

Popullin e egër e shaloi  Dardanus !”*/

Vitet nuk përkojnë  me njoft “zotërinë”/

Se janë aq larg sa Toka me Neptunus!

 

Hesiodi*, emëroi Përenditë në skriptum,

Si Ovidi i Romës , fuqi i dha Jupiterit,*

Por Rozafa më e vjetër se Koloseum,

Që therorin antic  ia dhuroi nderit!

 

“Zotat” e huaj , deshën të na bëhen Zota,

Përplasur në qiell e  djallos në tokë.

Prej Kaosit lindur kaos në vite bota,

Këmbë e krah prerë , na lanë me dy kokë!

 

Gjithë jetën kemi ecur gjëmb mbi gjëmb,

Malet populluam  për  traditë e nderë,

Kockat “Arrnaut Kalldrëm”*gjëmë nën dhëmb!

Vozgat e gjakut rrokullis  derë më derë.

 

Ca shitën shkabën  dhe u bënë pashallarë…

Kllefin e shpatës stolisë me gurë e serm,

Qeleshen ndërruan me pupla  çallmarë

Haremit të dushmanit  trullos në jerm .

 

Qytetari u bë  malkoc, shkëmbi u bë be!

Që dheu i të parëve  mos mu da ndër Turq,

As një pëllëmb tokë ndër të huaj e Shkje !

Me i mbrojtë me shpata, pushkë e sfurq.

Na  rrëzuan, na dogjën, sërish si Anteu shqim

Prej thirrjes të parëve që qenë  Perëndi.

Malesh, qumshtin e Zanave patëm ushqim.

Prandaj mbete shqiponjë , o e shtrenjta Shqipëri!

 

Kam shpresë tek Zoti,  që flet shqip si ne,

Si Krishti ngriti  amshimin e shenjtërisë

Ashtu malkoci ka me mbetë mbi dhe,

Flamuri dhe gjaku i shqiptarisë !

***

Referime dhe shënime:

*Malkoc = Njeri që jeton ndër male . Koc i fortë si prej shkëmbi.  Më vonë kjo fjalë u zëvendësua me malësorë , ku shpjegimi i parë në “Fjalorin Shqip”,  nuk përkon me shpjegimin e dytë  po në atë  fjalorë:

Malok = 1. Malësorë 2. mospërf . Njeri i pagdhendur i trashë , torollak , njeri i paqytetëruar. Ironia e kohës komuniste… Gjuht’trutharët e gjuhës së njësuar . Tani pinjollët e komunizmit , i quajnë malësorët “Shpellarë!…”, Ata…, bash ata…, tallen   pikërisht me  trimat e shqipes  që ruajtën doket e zakonet dhe trojet shqiptare…

*Mitografi= Pamje  mitologjike, të gdhendura ose të pikturuara…

*“OU”=Zoti i Ilirëve i cili martua me Genusus.

*“Genusus”= Zoti-zonjë ,prej  nga filloi dhe  jeta  e njeriut në tokë. “Ou” dhe  Genusus patën   fëmijë:

Zeau (Zoti i inteligjencës) ,Mikon (Zoti i miqësisë) , Karrotos (Zoti i luftës), Rodon (Zoti i deteve) Broket (Zoti i fatit dhe  ushqimit) , Shkumbe (Zoti-zonjë i e bukurisë dhe dashurisë. Marrë nga “ The Ilyrians” , me autor   Aleksandër Stipçevic, botuar në 1977 .

*“Chaos”  = Rrëmuja para fillimit të jetës në tokë,  marrë nga BULFINCH’S MYTHOLOGY .

*Illirus dhe Dardanus , që sipas “Mitologjisë Greke” (ishin dy vëllezër të lindur nga Cadmus dhe Harmonia sipas Herodotit,  Cadmus ,   ka lindur  2000 vjet  para Krishtit…),  krijuan Illirukumin dhe Dardaninë, Por kjo bie poshtë në mënyrë kategorike, duke pasur parasysh, se Iliria përmendet rreth shekulli IV  përpara Krishtit me Mbretin Bardhyl. Dardania njihet në shekullin  I  para Krishtit…Matematika është e thjështë…

Sipas Johann Georg Von Hahn (Studiues dhe linguist),  shpiegon se fjala Dardan , mund ta ketë prejardhjen nga  pema e dardhës …Dardhë , Dard’han…Po sipas etimologjisë shqipe , Dardania vjen nga kombinimi i fjales Iliro-shqiptare Dardhë. Pra , komentet  e tjera,  janë pa vlerë…

*Jupiteri= Zeus, sipas BULFINCH’S MYTHOLOGY , botuar 2014.

*Hesiodi, Poet Grek që ka jetuar rreth viteve 700  BCE, të cilit , iu referuan shumë autorë    të mëvonshëm rreth Mitologjisë Greke…

*“Arrnaut Kalldrem”= Rrugë prej guri, e ndërtuar  prej mjeshtrave shqiptarë .  Këngë që këndohet dhe sot e kësaj dite në  Stamboll, ku kam patur rastin ta dëgjoj vetë  gjatë vizitës në Turqi…

Shënimet e mia.

Miçhigan me, 15, 05 , 2016

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: "Shqiptari-Malkoc*", Alfons Grishaj në Sofrën Poetike

Dy Tregime Nga Një Ditar i HUMBUR

May 15, 2016 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/

1- BABAI, NENA DHE SHEFQETELA/

Babai, dikur mësues i nderuar dhe patriot i Pavarsisë, mori pjesë si udhëheqës në Luftën e Vlorës dhe në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes. Pas katër vitesh, nisijeta eëndrrave dhekalvari i vuajtjeve. Në dhjetorin e shqetësuar, u arratis duke u fshehur nëpër shpella. Dhe shpëtoi paq, megjithëse ndiqej këmba -këmbës, duke u hedhur nga një mal në tjetrin, në borë e akull, ku arinjtë grindeshin me sokëllima e gurë. Në tetor, me ndihmën e ca miqve në mal, kaloi kufirin me Greqinë në krahun e Folorinës dhe doli në Selanik.

Nëna jonë rridhte nga një familje e pasur shqiptare, me banim në Katerinën e bukur me pyje e toka pjellore. Im atë, në prag të luftës, nuk e dëgjoi lutjen e nënës për t’u larguar nga Greqia në Turqi, tek jetonin vëllezërit e saj me gjendje të mirë. Ai nuk iu përgjigj as ftesës së At Fan Nolit, për të vajtur në Boston. S’e linte tëqetë malli për vendlidjen.  Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, u kthye me gjithë familjen në atdhepër të provuar sërish shijen e hidhur të  lirisë së munguar edhe në moshë të thyer.

Tre vjet më vonë, doli partizan në malet e Shpatit. Në mbarim të majit, edhe familja e mbetur pa asnjë të ardhur e la qytetin dhe pas një shtegtimi të lodhshëm, mbërriti në fshatin  malor me emrin e një shenjtori ortodoks, ku jetonin barinj të fesë islame. Në atë fshat të fshehur në pyll, partizanët e armatosur e kalonin kohën për bukuri me qitje kundër gurëve. Disa jepnin shfaqje teatrale, në një skenë rrafsh me tokën midis trungjeve të pyllit, pastaj ua merrnin këngëve partizane. Ndërkohë rojat mbi një bregore vrojtonin me dylbi zallin poshtë në Devoll. Babai, aty dhe në fshatra fqinj, grumbullonte ushqime për spitalin e batalionin partizan. Në vend të kapeles, mbante një shall lidhur rreth kokës si komitët e dhjetorit. S’e duronte dot yllin në ballë. Nëna lante deri vonë çarçafët e spitalit, në çesmën e vetmuar nën fshat. Unë, atëherë afro dhjetë vjeç, me drutë e thata, mbaja zjarrin të ndezur nën kazan ebëja roje, duke u dridhur nga errësira, nga të ftohtit dhe nga ulurimat e ujqve. Një ditë, herët në mëngjes u dha alarmi, se po vinin gjermanët. Partizanët ikën maleve, kurse ne, ime ëmë, daja, i sëmurë rëndë nga diabeti dhe tre fëmijët, mbetëm nën kujdesin e kryeplakut të njohur për urti e besë. Pas një jave me ndihmën e njerëzve të tij, mblodhëm plaçkat e me tre kuaj të pestë, përreth një vit e gjysëm, shtegtuam si muhaxhirët, nga mali në mal e lumë më lumë, në shi e borë, nga njëri fshat në tjetrin, duke gjetur strehë nëpër shtëpitë e miqve të babait, në Gostimë, Sulovë e Dumre. Herë me bukë e herë pa bukë. Tek po kalonim lumin Devoll, njëri nga kuajt u tremb dhe e mori nënën me vete nëpër valët e tërbuara. Dy fshatarë u vërvitën në ujë, e kapën për freri kalin e hutuar dhe e nxorën matanë lumit. Nëna mbante nën velenxën e kuqe, mbështjellë me çarçaf të bardhë, një radio “Philips” dhebrenda jastëkëve – dy kobure, të lëna nga shtabi i arratisur. Teksa po arrinim në qytet, një skuadrilje avionësh gjuajtës anglezë kaloi fare ulët mbi kokat tona dhe mitraloi disa makina, që lëviznin xhades. Të tmerruar, të vegjël e të mëdhenj, i lamë kafshët dhe u fshehëm të strukur pranë trungjeve,nën degët e  ullinjëve.

Tre vjet pas luftës, babanë e burgosën dhe e mbajtën të mbyllur në qeli, se kundërshtoi vrasjet e patriotëve dhe pabesinë ndaj Kosovës. E varën krahësh në mur. Çimenton e dyshemesë mezi sa e prekte me majat e këmbëve. E lanë pa bukë. I jepnin veç dy lugë supë të zezë e të ftohtë dhe pak ujë. Edhe atë pak ushqim që ia dërgonim ua jepnin ta hanin policëve.  Qelia e errët ndodhej në Tiranë, afër Shallvares. Nëna ime dhe ne tre fëmijët mbetëm sërish si peshku pa ujë. Motra, si më e madhe, e la shkollën. Gjeti punë vetëm në ndërtim. Furnizonte me lopatë betonierat. Një ditë me urdhër nga Komiteti Ekzekutiv, një oficer me punë në Degën  brendëshme, mesa më kujtohet, me emrin Jani, u strehua me gruan në dy dhoma tona. Ne, u mblodhëm në një dhomë. Pas një jave plasën zënkat ndërmjet nënës e oficerit për kuzhinën e banjën.  Një të djelë zenka arriti kulmin. Këtë herë oficeri nisi me kërcënime:

-Reaksionare! Edhe ty burgu të pret!

Por nëna trime i tha:

-E ç’burrë je ti, që grindesh kështu, çdo ditë!

-Balliste!- klithi i nxirrë në fytyrë oficeri.

Një ditë papritur na flakën jashtë nga shtëpia e na nxorrën në rrugë me të gjitha plaçkat. Por me ndihmën e një këshilltari  shkodran, na vendosën në një banesë të braktisur, në katin e katërt të një pallati oficerësh, me tavane, si kube bunkerësh e dritaresi frëngji lufte, ku pa dashur mund të përplasje kokën. Plaçkat e lehta i mbartëm vetë, të rëndat na i solli një hamall i dehur hallexhi, pa na marrë asnjë lek. Pas çdo hapi që hidhte, nëpër shkallë, rënkonte e thoshte:

-Ah, unë i shkreti – fukara! Po edhe ju – fukarenj tok me mua!

Babai, më në fund, doli nga qelia. Dhe, si iu bë gjyqi, u lirua edhe nga burgu. Ia hodhën fajin Koçit. Veç, nuk e kthyen më në punë. Iu desh të kërkonte ndihmë për punë nga të afërmit e miqtë. Ishte koha e triskave, kur njerëzit ishin ndarë në klasa si boksierët: i rëndë, i lehtë dhe ordiner.

Një ditë në kuzhinën e ngrohur nga stufa e vjetër italiane  e markës “Bechi”, nëna, si përherë shtëpiake, që fliste gjysmë turçe e gjysmë libovitçen të përzierë me greqishten, pyeti:

-Ç’do të thotë ordiner?

Iu përgjigj babai:

-Ordiner i thonë njeriut, që jeton kot në këtë botë.

Një ditë ata të Frontit e kërkuan nënën në mbledhje. Kryetarja, një grua e bëshme bionde, që nëna e thërriste libovitçe sipas mbiemri të burrit, Shefqetëla, u ngrit e i tha:

– Ti, shoqe, aty, pse nuk asiston në konferencat tona?

Nëna, që ishte me shkollë turke, ia ktheu me shqipen e saj:

-Unë, moj bijë, nuk e kaptoj latinçen mirë. Ju molloisni më shumë latinçe se shqip!

-Jo! S’është e vërtetë! Ti, shoqe, nuk vjen këtu, se je e pakënaqur nga pushteti popullor; se një nip ballist e ke në burg. Kujton se nuk e dimë!? Ne të gjitha i dimë!

Nëna u ngrit vrik në këmbë e ia ktheu:

-Ç’thua, moj zonjë! Se mos vetëm ai është në burg! Gjisma e popullit në burg është!

Pas një jave, përsëri, ponga “ i flamosuri Komitet”, siç e quante nëna, e lamë, edhe atë banesë me kube. Na strehuan në dy kthina fare të vogla te një hotel i shtetzuar, i mbajtur mos më keq, me koridor e banjë të përbashkët me fqinjët, natë ditë në terr e pa ujë afër Burgut të vjetër. Befas në mesnatë zgjoheshim nga britma e rojave: ndal!!

Kaluan disa vite. Nipi doli nga burgu, kurse Shefqetëla, s’u muar vesh nga ç’shkak, u internua me familjen diku në Myzeqe. Ishin kohë të vështira. Ata, që përdorën pushtetin si shpatë dhe kishin në duar fatin e njerëzve të ndershëm, më së fundi therën njëri – tjetrin.

2-ORA ZENITH

Ndërsa po kaloja i hutuar përmes një dyqani të madh me orë të mbyllura brenda xhameve, m’u kujtuan orët e viteve të shkuar. Qysh në fëmijëri dhe më vonë, në shkollë, kisha dëgjuar tregime nga më tërheqësit për matjen e kohës. Mjetin për këtë qëllim, njëri e quante orë me rërë, apo orë dielli, tjetri – orë dore, sahat xhepi, apo qostek me kurdisje. Në ditët tona kanë marrë dhenë orët e dorës me zë njeriu për ata, që nuk shikojnë mirë, orët që ushqehen me rreze drite, orët e murit me zogj e dollapët e drunjtë me xhama të sahatit me laviers. Thonë se ka patur edhe orë mjeshtrash të mëdhenj, ku dëgjoheshin hymne korale për mbretër e princa me figura grash e burrash në skena, që hapeshin e mbylleshin. Edhe mjaft qytete hijeshohen nga kullat e larta të sahatëve, si Big-Bengu i Londrës, 96 metra i lartë, Kulla vigane shumëkatëshe e Bostonit, që shërben si sahat dhe hotel. Në sheshin San Marko të Venecies, mbi një kullë, në orë të caktuara, dy shtatore burrash të fuqishëm godasin me çekanë një kambanë bronzi. Edhe sot, nëpër fshatrat tona kohën e gjejnë me afërsi me hijen e pipës mbi shuplakën e dorës, apo me një shufër druri a hekuri mbi tokë. Dëgjohen edhe zëra, se dielli është ngjitur dy pashë apo një hosten mbi Sopot! Ndërsa ora e gjallë, këndesi, zgjon gjumashët, ashtu si në rubairat e Khajamit:

“A e di përse këndesi po këndon

 Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?

 Që shkoi një ditë po të lajmëron

 Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron!

 Zgjohu! Mëngjesi me shigjetë e grisi

 Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,

 Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi

 Çdo majë mali e pallati e lisi! ”

Në kohët e reja, orët elektronike janë vendosur në kompjutera e në celularë, disa me vlerë janë ndrydhur në muzeume, shumë të tjera presin të shiten, ose janë harruar nëpër sirtare, ose janë hedhur në kosha plehrash. Çmimet e tyre janë nga më të larmishmet. Orët e shtrenjta hyjnë në sferën e stolive. Kur i sheh çmimet e tyre, të dhembin sytë dhe koka. Të lirat u shërbejnë qytetarëve për të vajtur në punë pa vonesë, për takime në kafe, ndërsa orët e shtrenjta – për të udhëtuar në vende të largët. Orët e lira i quajnë edhe roskop. Ora të gëzon, por edhe të tmerron. Orët në botë kanë emra sipas gjuhëve: shqip atyre u thonë – orë, anglisht – clock, frëngjisht – horologe, italisht – oro’logio, turqisht – sahat, rusisht ças, etj, etj. Shpikësit e panjohur të orëve u bënë shkak për ndërtime punishtesh e fabrikash dhe për një varg dyqanesh me fitime për tregtarët, sidomos për sahatçinjtë.

Bota e orëve apo e sahatëve Omega, pas luftës te ne qe harruar. Në pazar na mjaftonte Kulla e Sahatit. Veçse, herë pas here akrepat, ndalonin. Kambana pushonte. Flitej se njerëz të caktuar me detyrat e sigurisë qytetare ndaj rreziqeve, sidomos natën, merreshin me çrregullimin e kohës së ndonjë kryengritjeje të mundshme nga armiqtë e popullit, që flinte. Mbase edhe mungesa e orëve në dyqane dhe e telefonave në shtëpitë e qytetarëve, lidhej me parandalimin e ndonjë plani kundër pushtetit popullor. Akrepët frenonin në pikat e zeza të fushës së bardhë te Sahati, posi një tren i prishur në shinat e hekurudhës. Kur ata nisnin të lëviznin, do të thoshte se rreziku qe larguar. Gjithsesi, kambana nuk ndihej me tingëllimin e fortë “dang!” në orën e plotë, “trang!” në gjysmën e orës dhe “tring!” në çdo pesëmbëdhjetë minuta.Pra, për kohën tingëllojnë miliona zile e kambana në tërë skajet e rruzullit tokësor.

Ishte ditë e diel. Për të vrarë kohën, hapa e mbylla disa dosje të pluhurosura. Në njërën prej tyre gjeta një tregim të harruar. Në atë letër të zverdhur nga koha munda të lexoja këto rreshta për orën Zenith të babait:

“Kur punoja me shifra në një ndërmarrje ndërtimi në rrethinat e qytetit, isha fare i qetë për kohën. Për t’u nisur në punë, më zgjonte babai pensionist, pasi hapte kapakun e sahatit të xhepit të markës Zenith, nga vitet e marmalatës, të makaronave dhe vino Chiantit. Ora me fosfor e tryezës e po asaj kohe, e markës Veglia, nuk punonte më. Dikur zilja e saj binte fort tri herë në mëngjes. E treta binte pa pushim, deri sa zgjonte edhe komshinjtë. Tashmë në atë orë relike ndrinin vetëm numrat e akrepat me fosfor, ndërsa zilja e çtingëlluar, sa ta prekje pak, binte kot më kot. E mbanim si stoli mbi komodinë.

Kur punoja deri pas mesnate, harrohesha midis letrave dhe s’më shkonte ndër mend të pyesja se sa ishte ora, sepse si shumë të tjerë duhej të mbushja formularët e pafund për zyrtarët e lartë, të cilët në ato orë flinin rehat në vilat e partisë. As në sheshin e ndërmarrjes, apo në zyrat e drejtorisë, nuk shihej e as dëgjohej ndonjë orë. Ato dukeshin në çastin e përurimit, por pasi prisheshin, “mbeteshin në tako” e s’merrej më njeri me to. Ai mjet aq i nevojshëm ishte mall jashtë liste dhe i rastit nga importi. Orët e markave Gub e Zenith madje edhe Pobjeda ishin me çmime më të lartë se paga mujore e një nëpunësi, palé e punëtorit. Për çdo rast në shtëpi na ndihmonte ora Zenith e babait. Befas një nipçe, duke luajtur na e prishi Zenithin. Qysh atë ditë për të vajtur në punë më zgjonte babai, kur shkonte në radhën e kosit, sipas marrëveshjes me një komshi, i cili trokiste në portën tonë herët në mëngjes.

Për fat të mirë, teksa kalova bregut të Himarës te një dyqan i harruar në Dhërmi, gjeta disa orë gjermane të markës Umf – Ruhla, të tipit roskop, të trashë sa një kokërr qepe, me çmime pothuaj falas. Pa e zgjatur, bleva një prej tyre. Kështu, me orën në dorë, u ktheva në shtëpi plot gëzim. Pra, shqetësimi, për t’u nisur në punë mori fund. Shpëtova dhe nga trokitja e komshiut në portë, nganjëherë në mes të natës. Por, një ditë, kur asfaltohej rruga pranë drejtorisë, u afrova të shihja ziftin në kazan. Për dreq, ora ime gjermane m’u shkëput nga rripi e ra brenda në llumin e zi. Një punëtor nxitoi me lopatën në dorë, e futi në fuçi, e gjeti dhe e nxori jashtë. Një mekanik i moshuar, mjeshtër për gjithcka, e mori orën dhe e zhyti në një enë me benzinë. Umf – Ruhla u pastrua për bukuri dhe nisi rrahjet: tik- tak, tik-tak, tik-tak! Qysh nga ai çast, ata që mburreshin me orët Zenith e Gub, kur më ndeshnin udhës, më thoshnin me buzën në gaz: “Të lutem, sa është ora ekzakt?…”

Tregimi vazhdonte më tej, por qe e pamundur të lexohej. E pashë me vend ta plotësoja sipas kujtimeve dhe t’ua tregoja miqve të mi.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, Dy Tregime, Nga Një Ditar i HUMBUR

ISMAIL KADARE NDEROHET ME FLAMURIN KOMBETAR

May 13, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani çmon me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” shkrimtarin e shquar Ismail Kadare: Në një sistem tiranik, i pangjashëm me të tjerët në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, ju ruajtët dhuntinë e shkrimit dhe zgjeruat hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne!/

13 maj 2016

Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani mori sot pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë” organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me rastin e 80-vjetorit të shkrimtarit të shquar, të njohur anembanë globit për krijimtarinë e tij letrare të përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Në prani të  Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Prof. Muzafer Korkuti dhe anëtarëve të Akademive të Kosovës dhe Maqedonisë, të Ambasadorëve dhe përfaqësueseve të Trupit Diplomatik, studiuesve, përkthyesve, akademikëve, intelektualëve, artistëve, studentëve, dhe miqve të shkrimtarit nga mbarë bota, Kreu i Shtetit nderoi shkrimtarin e shquar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bujar Nishani:

“I nderuar Mjeshtër, Ismail Kadare!
E nderuara zonja Kadare!
Zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë,
Shkëlqesi Ambasadorë të pranishëm në sallë,
Të nderuar akademikë,
Zonja dhe zotërinj!

Së pari dëshiroj të shpreh gjithë kënaqësinë time personale për mundësinë që m’u dha për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme shkencore, akademike dhe nderuese! E konsideroj privilegj personal dhe institucional që të jem së bashku me ju për të sjelljë në vëmendje jo vetëm të identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe të identitetit të kulturës botërore, veprën e shquar të Ismail Kadare.

Natyrisht që vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Është përtej kombit shqiptar. Ajo është vlerë e kulturës botërore. Ashtu si edhe vetë mjeshtri Kadare nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Ai tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Por natyrisht që ne shqiptarëve në radhë të parë na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar. Jemi mbledhur të nderojmë sot në mënyrë simbolike kontributet e paçmuara të shkrimtarit Ismail Kadare në letërsinë dhe në gjuhën shqipe, në kulturën dhe mendimin shqiptar.

Po e theksoj: kontribute të paçmuara, sepse nuk ka mirënjohje që të jetë e mjaftueshme për t’i njohur Ismail Kadaresë gjithë meritat e tij krijuese dhe qytetare, si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën dhe si aktor për ta bërë vetë Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë tonë, më të denjë, më të vlerësuar dhe më të qytetëruar anembanë botës.

Të flasësh për Ismail Kadarenë duket e lehtë por është dhe e vështirë!

E lehtë se ke pambarimisht për të thënë, e vështirë, sepse për të janë shprehur zërat më të artikuluar të Evropës dhe botës duke e konsideruar një klasik të gjallë, si njërin prej mësuesve të mëdhenj të  civilizimit perëndimor dhe humanizmit, si  njërin  prej gjenive më të ndritur të letrave në çdo kohë.

Unë jam njëri prej lexuesve të Ismail Kadaresë, i çdo gjëje që ai ka shkruar, jam një shqiptar që ka jetuar diktaturën dhe lirinë me librat e tij si referencë dhe mund të them me fjalë zemre se çfarë ishte, çfarë është e çfarë do të jetë për ne ai dhe vepra e tij!

Në këtë pikë ndihem i pakompleksuar.

Në një sistem tiranik, i pa të ngjashëm me të tjerë në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, Ismail Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit dhe zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne!

Po, vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues.

Tek lexoje romanet e ndryshëm ndieje se ai në çdo rresht e kishte mundur banalitetin e së keqes, ndieje në çdo rresht disidencën estetike për të kulmuar me atë politike tek ‘Pallati i Ëndrrave’, ndoshta vepra më e guximshme dhe më e arrirë që dilte nga Ferri i përbotshëm Komunist në Shqipërinë e asaj kohe.

Çdo njëri prej jush besoj bie në një mendje me mua në pohimin se Kadare me intuitë shekspiriane dhe kurajë të pazakontë përkufizoi krimin, përgjakjen dhe frikën, këtë perpetum mobile të çdo tiranie duke universalizuar ndodhitë shqiptare me të cilat ai udhëtoi nëpërmjet qindra e qindra botimesh në 45 gjuhë të botës.

Kadareja krijoi qytetet si kujtesë e si mungesë, qytetet e pushtetit të rinisë e të lirisë, Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Pekinin, Stambollin, Parisin e të tjerë duke alternuar historinë me letërsinë si përsëritëse të njëra-tjetrës,  duke i dhënë mundësinë të dytës të parodizojë të parën si funksion alegorik, si procedim kundërveprues ndaj censurës. Në mijëra kilometra shtrihet peizazhi i tij artistik, në mijëra vjet thellësi zbret hulumtimi i tij nga mitet e gjenezës deri në aktualitet.

Izolimi komunist humbi betejën themelore me veprën e Kadaresë.

Ai bëri letërsi të madhe evropiane në Shqipëri kur ajo anatemohej si e keqja absolute.

Ai e mbajti shpirtërisht Shqipërinë në Evropë duke i plotësuar këtë nevojë jetike.

Ne u kapëm tek kjo spirancë kur thërrisnim në vitet 1990-të ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’

Jo rastësisht studentët në sheshe dolën edhe me portretin e shkrimtarit.

Atë që nisën Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi e të tjerë gjatë zymnajës drithëruese otomane e përfundoi Ismail Kadareja.

Gjuha ju bashkua familjes natyrale, kultura trungut, kombi kontinentit teksa të tria bashkë tek Ismail Kadareja gjetën ideologun e përjetshëm të identitetit të tyre, të identitetit evropian të shqiptarëve, pa ndoshta, pa sikur, pa mëdyshje, si e vërteta jonë e madhe,  ikja prej së cilës do të ishte fatale.

Të gjitha këto i thonë shqiptarët e Shqipërisë nga Veriu në Jug, të cilët kërkuan dhe ja dolën të kenë lirinë të frymëzuar edhe nga vepra juaj kampione e saj, e thonë ata të Kosovës të cilët e kanë ndier praninë tuaj këmbëngulëse  në epokën më të rënde kur vetë ekzistenca u vihej në diskutim, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Preshevës e Bujanovcit, të Diasporës së vjetër e asaj të re po e po, në përpjekjet për të mbetur vetvetja teksa kërkonin standarde demokratike  dhe integrim me emrin tuaj si mbështetje.

Zonja dhe zotërinj,

Kadareja është një shkrimtar që arriti të shkruante letërsi evropiane duke mbijetuar në një regjim të vdekur.

‘Ideja se ne do mundnim të përgatisnim ndonjë copëz ushqimi shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na ka mbushur me gëzim’, është shprehur ai me fisnikëri në ceremoninë e pranimit të çmimit të lartë ‘Njeriu Ndërkombëtar i Librit’.

Dhe është e vërtetë se ky ushqim shpirtëror modest ka qenë një lloj racioni mbijetese për popullin shqiptar në atë kohë burgu, kur popullsia ushqehej vetëm me tallonë dhe me pikatore arti dhe letërsie të vërtetë mbresëlënëse.

Unë nuk do t’u shtoja dhe as t’u hiqja asgjë fjalëve të tij në atë ceremoni: ‘Nëse një ditë, duke kapërcyer natën e diktaturës, kjo bukë burgu arriti në qytetet e lira të Perëndimit; nëse këtë bukë burgu njerëzit e lirë e kanë shijuar; nëse kjo bukë ishte po aq e ngrënshme për njerëzit e lirë të një bote të lirë, për një shkrimtar shqiptar nuk mund të kishte vlerësim më lavdërues.’

I nderuar Zoti Kadare,
Të nderuar miq të Kadaresë, veprës së tij e të gjithë shqiptarëve!

Gjatë këtyre viteve si President i Republikës, ndër takime me homologë e personalitete të të gjitha fushave kam konstatuar se ne megjithëse jemi një vend jo i madh na njihet kontributi si shqiptarë në përmasat themelore të civilizimit evropian!

Në atë të rezistencës për mostjetërsim, mishëruar në figurën e Gjergjit Skënderbe, në atë shpirtërore mbështjellë me mantelin e shenjtores Nënë Terezë, në atë të doktrinave paqësore me Presidentin mitik Ibrahim Rugova dhe në atë të kulturës, e cila shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare e konsideron si njërën prej mendjeve më përfaqësuese të Evropës qysh kur Homeri filloi të rrëfente historitë dhe lavditë e saj.

Duke përfunduar me lejoni t’i bëj homazh paraardhësit të hershëm të Ismail Kadaresë, Pjetër Bogdanit, të huazoj vargjet e tij për të thënë se letërsia shqipe falë Ismail Kadaresë ngjan kudo e kurdo ‘veshur me diell dhe mbathur me hënë’!

‘Dekorata e Flamurit Kombëtar për ju sot mbase është i vonuar, fshehur hallesh, kontradiktash e rrëmujash shqiptare aq të kritikuara nga ju tek ‘Mosmarrëveshja’, por jemi të vetëdijshëm se çfarëdo e me sado dëshirë t’ju japin institucionet shqiptare është pak përballë përjetësisë që na keni falur me veprën tuaj madhështore, jo veç ne, por edhe trashëgimisë  shpirtërore të mbarë botës.

Në ditët e sotme, vepra juaj në gjuhë të huaj e tejkalon dy deri në tri herë listën e titujve të saj botuar në shqip.

Ju jeni një fenomen i letërsisë evropiane dhe i kulturës botërore.

Shqipëria jonë, Shqipëria juaj, duke ju nderuar sot, ndihet më mirë, ndihet më e vlerësuar, ndihet më pranë prirjeve më të përparuara të zhvillimit të mendimit njerëzor.

Me Dekoratën e lartë që po ju akordohet, unë, sot, në cilësinë e Presidentit të Republikës, dhe jam i bindur që flas edhe në emër të të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, thjesht e njohim, e pranojmë, e vlerësojmë dhe e bëjmë publik këtë realitet të patjetërsueshëm.

Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Flamuri Kombetar, Ismail Kadare, nderohet nga Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT