• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hendeku i pabarazisë sociale dhe sfida joreale e Obamës

January 30, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

UASHINGTON – Fjalimi i gjashtë i presidentit Obama mbi gjendjen e vendit (State of the Union) kishte në qendër të vëmendjes shumë çështje, por më shumë se çdo gjë, dallohej ajo e uljes të hendekut të thellë në mes të ambicieve të tij politike dhe të mjeteve që ai ka në dorë për t’i arritur ato.

Presidenti Obama e kishte bërë të qartë ambicien e tij qysh muajin e kaluar, kur ai iu referua ekzistencës “së një hendeku pabarazie të rrezikshme dhe mungesës së rritjes së pasurimit të klasës së mesme në Shtetet e Bashkuara”, duke e përcaktuar atë si ” sfidën kryesore të kohës sonë”. Qëllimi i tij thelbësor, siç ai e pat bërë të ditur dhe në fjalimet dhe intervistat e tij, ishte kundërshtimi i prirjes sipas së cilës, të ardhurat për shumicën e amerikanëve kanë mbetur ne vend qysh nga fundi i viteve 70-të, ndërsa të ardhurat për të pasurit janë rritur.

Kjo, siç u pa dhe gjatë fjalimit, synonte ta bindte publikun për çështjen e realizimit të sfidës kryesore të tij sociale. Ndaj dhe në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit, State of the Union, Presidenti i dha meritën popullit amerikan për forcimin ekonomik të vendit dhe siç pritej, u përqendrua në çështjet ekonomike, duke bërë thirrje që 2014 të ishte “një vit i veprimit.”

“Sonte, kjo dhomë flet me një zë për popullin që ne përfaqësojmë, ju, qytetarët tanë jeni ata të cilët e bëni të fortë vendin tonë.” tha zoti Obama i cili në pjesën më të madhe të fjalimit u përqendrua në ekonominë dhe çështjet me të cilat përballet klasa e mesme, duke u përpjekur t’i siguronte votuesit se gjërat po përmirësohen.

Deri tani, amerikanët kanë shfaqur dyshime të konsiderueshme në lidhje me hendekun e pabarazisë së të ardhurave. Sondazhet nga disa organizata serioze tregojnë se: nga njëra anë, shumica e amerikanëve, 60 % e tyre sipas një sondazhi të fundit të Pew Research Center, thonë se besojnë që  “sistemi ekonomik në këtë vend është i padrejtë dhe në favor të të pasurve. ” Ndërsa një shumicë e konsiderueshme është dakord se hendeku në mes të pasurve dhe të gjithë të tjerëve ishte rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Nga ana tjetër, sipas një sondazhi publik të Wall St Journal / NBC, të martën, thuhet se vetëm 45 % syresh, besojnë se ” reduktimi i pabarazisë në mes të ardhurave të të pasurve dhe të varfërve ” duhet të jetë një nga ” përparësitë absolute” që Kongresi dhe presidenti do të duhet ta adresojnë këtë vit. Por amerikanët në përgjithësi kanë më shumë gjasa për t’iu përgjigjur pozitivisht një pyetje për uljen e varfërisë dhe për përmirësimin e pagave për klasën e mesme, sesa një pyetjeje për konceptin abstrakt të ” reduktuarit të hendekut të pabarazisë së të ardhurave.”

Tani që ekonomia është duke treguar shenja përmirësimi dhe për të pakësuar shqetësimin publik për deficitet buxhetore, Obama po ve edhe një herë bast, se votuesit do të jenë të gatshëm të mendojnë edhe për prioritetet afatgjata.

“Për herë të parë në më shumë se një dekadë, udhëheqësit e biznesit në mbarë botën kanë deklaruar se Kina nuk është më vendi numër një në botë për investime, tani Amerika është në vendin e parë në botë për investime.” tha Presidenti duke shtuar se megjithatë, se përparimi nuk po vjen me shpejtësinë e duhur.

Një pjesë e zgjidhjes së tij ishin propozimet për të rritjen e pagës minimale, zgjerimin e mundësive për arsimim dhe reformën e imigracionit. Por në përgjigjen Republikane, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers i kritikoi këto politika të Presidentit Obama, duke thënë se “Tani për tani, politikat e Presidentit janë duke ia vështirësuar jetën e njerëzve.”

Edhe pse fjalimi mbi gjendjen e vendit nuk jep shumë mundësi për të zhvendosur opinionin publik në favor të Presidentit, kur dhe mbështetja për punën e tij me ekonominë ka rënë, ai shërben për t’i mobilizuar demokratët me çështjet që Presidenti po vë në dukje. Kjo mund të jetë vendimtare në një vit zgjedhor në të cilin kontrolli demokratik i Senatit, është i rrezikuar nga disa gara në shtete të ndryshme që janë fort kontestuese.

Por vetë fakti, që mbetja pezull e rritjes së pagave dhe hendeku i pabarazisë së të ardhurave janë përkeqësuar për gati katër dekada, si përgjatë kryesimit të katër presidentëve republikanë ashtu dhe të tre presidentëve demokratë, tregon vështirësinë e detyrës që Obama ka marrë përsipër, sidomos për të arritur këtë gjatë këtij mandati kur ai i ka opsionet mjaft të kufizuara.

Një nga pikat kryesore e fjalës së tij ishte shpallja e një urdhri ekzekutiv për të rritur pagën minimale për kompanitë që bëjnë biznes me qeverinë. Urdhri ilustron me së miri se ç’ lloj veprimi ekzekutiv Obama ka në plan të ndërmarrë  këtë vit, si nga mënyrat për të ecur përpara me agjendën e tij, pavarësisht nga pengesat e opozitës republikane në Kongres. Presidenti e bëri të qartë se ai do të merrte të gjitha ato vendime ekzekutive që ia lejonte ligji, aty ku nuk ishte e nevojshme marrja e miratimit prej Kongresit, për arritjen synimeve të agjendës së vet të majtë.

Një urdhër i tillë është ai që do të rrisë pagat për vitet e ardhshme për një numër të papërcaktuar të punëtorëve me paga të ulëta, ndoshta disa qindra mijë, duke përfshirë edhe pastruesit e ndërtesave federale dhe shërbyesit e kamerierët në kafeteritë e tyre. Por ky veprim do të mbajë të paprekur pagën e miliona punëtorëve të tjerë me paga të ulëta, punët e së cilëve nuk janë të lidhura me kontratat federale. Rritja e pagës minimale për një grup më të madh punonjësish me paga minimale do të kërkonte mjaft kohë dhe punë dhe miratimin e Kongresit për të vepruar. Nga ana tjetër shume shtete kanë ligje të ndryshme dhe vlera të ndryshme të pagës minimale.

Rritja e pagës minimale për punonjësit federalë edhe nëse, siç mendon Obama , do të induktonte rritje të pagës minimale në treg edhe për punonjësit e tjerë,  në anën tjetër për paradoks nuk do të shkurtonte hendekun në fjalë. Pasi pronarët e bizneseve të vogla, le të themi të fastfood-eve dhe restoranteve, nuk kanë ndonjë kundërshtim në thelb për rritjen e pagës minimale të punonjësve , pasi ata rritjen do t’ia kalonin si barrë klientëve, duke bërë rritjen e çmimeve të produkteve që  do të ulte  vlerën reale të rritjes të pagës minimale.

Disa demokratë shpresojnë se presioni politik i këtij viti zgjedhor, do të bëjë që udhëheqësit republikanë të bashkohen me një projekt për rritjen e pagave minimale, edhe pse të dy Kryetarët republikanë John A. Boehner nga Ohajo në Dhomën e Përfaqësuesve dhe udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConnell nga Kentaki e kundërshtuan këtë ide të martën. Edhe në qoftë se Kongresi do të kalonte ligjin për rritjen për 10,10 $ në orë për punonjësit federalë me pagë minimale, gjë që administrata e ka mbështetur, kjo do të ndikonte drejtpërdrejt vetëm në rreth 6 % të punëtoreve me pagese me orë. Edhe ekonomistët dashamirës të administratës pohojnë se mbështetja për qeverinë do të rritet, por megjithatë ata pranojnë se kjo, në vetvete, nuk do të kthehet ne prirje drejt uljes të një pabarazie më të madhe.

E njëjta gjë vlen edhe për çështje të tjera që Obama theksoi, të cilat republikanët ka të ngjarë të vazhdojnë t’i kundërshtojnë, ku përfshihet zgjatja e kohës së përfitimeve të papunësisë për ata që kanë qenë pa punë për më shumë se 26 javë, zgjerimi i financimeve të arsimit parashkollor të kopshteve si dhe më shumë fonde në infrastrukturë për riparimin e rrugëve dhe urave.

Por sigurisht, kjo nuk mund të bëhet me urdhrin e peshkut, dhe asgjë nuk do ta çonte nivelin e hendekut të pabarazisë përsëri aty ku ka qenë dekada më parë. Kjo është e vështirë edhe me një Kongres bashkëpunues dhe jo më me një Kongres bllokues si ky që ka para Obama.

Problemi themelor është se me gjitha vëmendjen për të dhënat e arritjeve ekonomike të presidentëve, ekonomia vepron me ligjet e veta, dhe ata kanë mundësi shumë të kufizuara për t’i dhënë formë mënyrës se si vepron ajo, sidomos kur bëhet fjalë për një afat të shkurtër. Programet si ai i zgjerimit të arsimit parashkollor mund të japin përfitimet ekonomike që Obama dhe aleatët e tij shpresojnë vetëm atëherë kur nxënësit e sotëm kopshtit të jenë në moshë për gjendje pune.

Por e vetmja politikë rezultative që do të bënte të avanconte edhe qëllimi i mirë i Obamës për rritjen e të ardhurave për punëtorët amerikanë, ishte ajo që ishte e pakapshme gjatë gjithë qëndrimit të tij si president, kapërcimi i krizës dhe rritja e fuqishme ekonomike. Ky është mësimi i fundviteve të 90-ta, kur tregu i punës iu dha punonjësve më shumë pushtet në marrëveshjet me bosët e tyre, gjë që çoi në shkurtimin e diferencës në mes të pasurve dhe të varfërve dhe që bëri të rritej e pasurohej shumica e punonjësve dhe të forcohej klasa e mesme, baza e ekonomisë amerikane. Dhe besoj se edhe Obama  tashmë e ka kuptuar se është më e vështirë për një President, sesa për Bob the Builder të shpallë “Yes, we can!.”

Filed Under: Featured Tagged With: fjalimi i Obames, pabarazia sociale, Rafael Floqi, sfida jo reale Obames

Si luftuan shqiptarët e Amerikës për të penguar dënimin e çamëve ne Turqi

December 8, 2013 by dgreca

Vatra në luftë me inxhinierinë demografike të Greqisë/

Nga Rafael Floqi/

Politika e sotme greke nuk del dot mbi mitin e ngritur se dëbimi i popullsisë çame ka ndodhur si rezultat i bashkëpunimit të çamëve me pushtuesit italiano-gjerman, por me një tendencë dhe një qëndrim të vjetër të politikës greke që pas 1912, që synonte eliminim e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një politikë e ngulitur greke në periudhën në mes dy luftërave.

Nga ana tjetër, historiografia e mirëfilltë greke, nuk fut kokën në rërë dhe mbrohet me një argument “nonsens”, si ai i ministrit të jashtëm Venizellos , se Greqia “Problemin çam” nuk e njeh, por e bazuar ne fakte, e ka hedhur poshtë, qoftë si hipotezë idenë e vërtetë “anti-konvencionale “për historiografinë greke “, siç bën Lambros Baltsiotis në “Gazetën Evropiane të Studimeve Turke”, kur shkruan më 2011 se, “Dëbimi i çamëve myslimanë nga Epiri Perëndimor gjatë pjesës së të fundit të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945 nga forcat guerile e EDES , që i rezistonin pushtimin italo –gjerman, ka ndodhur, në kundërshtim me opinionin konvencional grek se ajo jo vetëm ishte si një rezultat i bashkëpunimit të çamëve me forcat e pushtimit, por shihet më tepër si rrjedhojë e politikës shtetërore greke, një politikë e cila ishte ngulitur në ideologjinë mbizotëruese nacionaliste të periudhës midis dy luftërave”.

Ai argumenton se “pas shkëmbimeve të para greko-turke dhe greko- bullgare të popullsive më 1912, dëbimi i çamëve myslimanë ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar të drejtën e tij të pretenduar për të larguar “jo ” grekët nga territori i tij .” Ai shton  se “Brenda parametrave të këtij kuadri ideologjik, legjislativ dhe praktikisht si brenda dhe jashtë vendit, dukshmëria (prania) e çamëve myslimanë duhej të pakësohej . Objektivi ishte minimizimi i pranisë fizike e tyre nëpërmjet reduktimit të numrit të tyre dhe të zvogëlimin e dallimeve të tyre si një grup i veçantë fetar dhe gjuhësor”.

Në këtë kohë sipas studiuesit Hajredin Isufi si pasojë “ evidente të situatës së re politike, ekonomike, sociale dhe administrative që u krijua në Çamëri pas aneksimit të saj nga qeveria greke (1912-1913), ishte fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që i mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara si Haxhi Murati, Mesut Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve te Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Në vitin 1918 në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare dhe Shoqata Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA si dhe Shoqëria “Vatra”. Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformën politike në organe të rëndësishme, në gazetën “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” qe dilnin në SHBA”.

Por me gjithë divergjencat me Partinë Kombëtare, në faqet e “Diellit gjithnjë ka qenë e pranishme çështja e Çamërisë, sidomos në vitet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre ne vitet 1923-25. Aty pavarësisht largësisë është pasqyruar, me shqetësim situata dhe vuajtjet e popullsisë, qëndrimi i qeverisë shqiptare ai i qeverisë greke.  Por mbi të gjitha aktivizimi i drejtpërdrejtë i Vatrës dhe drejtuesve të saj si në Lidhjen e Kombeve ashtu me miqtë e Shqipërisë në Londër, si kol. Audrey Herbert madje deri edhe tek qeveria Italiane e Musolinit.

Por si ishte situata në terren duket në një letër të botuar nga shoqata Çamëria me qendër në Werchester në qershor të vitit 1923 në artikullin “ Çamëria shkon jetën më të keqe” ku shkruhej:

“Letrat qe kemi marrë që pas luftës se Anadollit dhe gjer pak jave të shkuara nga Konispoli, veçanërisht një letër që muarmë nga një bashkëkrahinas, i cili në letrën e tij prej tetë faqesh, na pikturon gjendjen në Chamëri si shumë të keqe, si dhe letrat e para, po, e fundit jep tërë hollësitë e ngjarjeve, mbi kurris të nënave, motravet edhe vëllazërvet t’anë në Cha­mëri. Në Chameri refugjatët e Anadollit kapërcejnë numurin e të zotërve të shtëpive, ku guverna revollucionare e Greqisë i ka shpënë të rrojnë me ta, pa marrë ndër sy se shtëpia s’i arrin të zotit të rrojë me fëmijët. Ç’ ngjet? I zoti shtrëngohet t’ iki. Shtëpia dhe malli i zaptohet. Në këtë mes duhet të kuptohet se tëra sa veprohen—vjedhjet, grabitjet, rrahjet, vrasjet, burgu për të pandehurin e pafajshëm dhe çnderimet—, vepërohen në syt’ e autoriteteve qeveritare.(Lexoje të plotë në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: e Amerikes, kunder denimit, Rafael Floqi, si luftuan shqiptaret, te cameve ne Turqi

Fantazma e Enverit

December 6, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

Në foton e botuar e të përzgjedhur me kujdes nga kryeministri Rama në Facebook që të dukej diku për mbi kokën e tij, si një aureolë e që në pamje të parë të krijonte përshtypjen e një montazhi, dukej si një fantazmë vetë portreti i madh i Enver Hoxhës.  Jo më kot manifesti i Partisë Komuniste fillon me një fantazmë mendova.

Por kur pashë se të  ftuar dhe lejuar nga protokolli i shtetit ishin një dorë komunistësh që manifestonin me Enverin, madje dhe me yllin bolshevik e drapërin e çekanin, kjo vërtet i kapërcente kufijtë e vetëm një provokimi.

Nuk besoj që as Rama dhe as Meta kanë dëshirë të ngjallin Enverin. Megjithatë ai ishte i pranishëm aty. Po të mos deshin ata ai nuk do të ishte. Pasi ky është një demonstrim i paligjshëm.  Dhe jo vetëm ishte. por Rama kishte dëshirë që të ishte.  Çfarë letër lakmuesi ishte portreti? Pse po përdorej?. A ishte postimi i këtyre fotove një provokim i Ramës për popullin, apo me tepër provokim për demokratët për qëndrimin e tyre për 29 Nëntorin? A synoi Rama të bënte atë që thotë Berisha në Facebook. Burrë i mirëfilltë shteti dhe jo kulim, siç thonë shkodranët, është ai që di të bashkojë popullin dhe jo ta përçajë popullin e vet.  dhe kjo vlen për Ramën dhe për Berishën.

Dhe Facebooku, që është bërë për t’u marrë seriozisht dhe jo seriozisht sot është mejdani i trimave te Rilindjes dhe të Anti-Rilindjes. Berisha thotë se vendosja e fotos së ceremonisë në Facebook nga kryeministri Rama, ishte një provokacion I rëndë dhe të papërgjegjshëm. Dhe këtu ai ka të drejtë . “Me pas, vazhdon Berisha, Edi Rama, për të dëshmuar autorësinë e këtij skenari, zgjodhi me kujdes dhe vendosi ne Facebook fotot e ceremonisë ku spikatnin portretet të atit të tij shpirtëror(propagandë bajate). Me këtë provokacion të rëndë, të papërgjegjshëm, jo thjesht nostalgjik por më shumë simbolik, Rama – Meta ekzekutuan për së dyti të rënët dhe heronjtë tanë”. Por ku gabon Berisha . Unë nuk mendoj se ku ishte një provokim i Ramës për popullin me gjithë rezonancën qe ka, po për Berishën dhe të tijtë.  Përgjigja e Ramës në Parlament është vërtet sa për të qarë dhe aq për të qeshur. Përdorimi apo përtallja me moshën dhe uturakët është një reagim diversiv i atij që është kapur në faj.

Dihotomia historike “28- 29” që tani është shndërruar në një paradoks jo historik, me gjithë simbolikën dhe arsyen pro jugosllave të caktimit të Enver Hoxhës gjatë luftës. Vetë fakti që kjo datë ka vazhduar gjithë keta vjet t’i ndajë socialistët nga demokratet, vjen nga shkaku i një mungesës së një katharsisi të shoqërisë shqiptare. Gjatë gjithë tranzicionit PD-ja ka bërë sikur ka luftuar enverizmin dhe PS-ja sikur nuk e ka dashur enverizmin. Dhe kjo është bërë jo pa qëllim.

Por shfaqja e tanishme e fantazmës së Enver Hoxhës tregon edhe një herë se shoqëria shqiptare nuk ka arritur emancipimit as të atij gjermanit, babai i të cilit kishte qenë pjesëmarrës në Masakrën e Borovës që erdhi në Shqipëri i padetyruar nga askush, e u kërkoi ndjesë në emër të humanizmit, shqiptarëve  të Borovës. Sa kohë do të nevojitet që shoqëria shqiptare ta bëjë këtë katarsis. Pak kush apo askush, prej ish-komunistëve shqiptarë që kanë mbetur gjallë dhe të atyre që u shërbyen, edhe tani që duken qartë krimet e luftës apo pasluftës nuk ka bërë ndonjë Mea culpa, për të qetësuar shpirtin.  Në Shqipëri përpjekjet e demokratëve për dekomunistifikimin e vendit kanë qenë sa për motive politike, apo sa për fasade. Dhe deklaratat e zëdhënëses bukuroshe të PD-së s’prekin  as nënqeshjen e Ramës e jo më ta bëjë atë të kërkojë ndjesë. Ky është antikomunizëm me gjoja. Kjo është luftë me Facebook. Një luftë bajate që duhet të ishte mbyllur me kohë. Fajtor për këtë është Berisha, vetë ai që akuzohet nga pyetja. Pse në Shqipëri nuk ndodhi lustracioni dhe dekomunistifikimi i mirëfilltë, pavarësisht se “kur u largua gjermani i fundit”.  Nga ana tjetër, “Për cilët “dëshmorë’ e ka fjalën Rama dhe Meta?

Politika shqiptare të korrigjojë “shënjestrën” dhe të kërkojnë falje për llafologjinë boshe që përsërisin çdo 29 nëntor, si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Ballkan dhe Evropë. Në një kohë që e gjithë Evropa ka fshirë nga kalendari i festimeve 9 Majin, ditën e pushtimit të Berlinit nga Ushtria e Kuqe”. Atëherë për çfarë feste bëhet fjalë dhe për çfarë vajton pushteti aktual shqiptar bashkë me opozitën e Sali Berishës, kur Shqipëria ka deklaruar se kërkon t’i bashkohet parimeve dhe idealeve perëndimore të BE-së.

Kjo është njëra anë. siç është dhe ana tjetër. E atyre që besuan tek ndershmëria e Luftës Nacional Çlirimtare, pavarësisht krimeve të Enver Hoxhës ndaj të tijve. Sa vetë nga ata dëshmorë janë vrarë nga partizanët me plumb pas shpine? Kush nuk është i bindur për këtë të shikojë dokumentet Pleniumin e Beratit të PKSH-së. Shumica e atyre dëshmorëve kanë pasur idealin më të pastër për liri. Ata nuk janë fajtorë për atë çka bëri Enveri më tej. Dhe për këtë sqaroj se vetë jam nipi i një dëshmori nga ata që ngriti Vlorën më këmbë më 1939, dhe humbi jetën në kampet e shfarrosjes naziste, por që arriti ta merrte këtë titull vetëm pas demokracisë, edhe pse me një familje të lidhur me Luftën. Mendoj se duhet që Lufta e II Botërore në Shqipëri, të shihet me dokumente dhe paanshmëri politike. Dhe kjo lipset të bëhet nga historianë të painfektuar nga çfarëdo ideologjie.

Kjo nuk mund të arrihet vetëm me vetkorrigjim të historianëve, pasi rrënjet ideologjike janë të ngulituara. Ja një shembull. Gjatë simpoziumit të fundit për “Hotin në rrjedhat e shekujve” në Michigan një historian që vetëm emrin e Stalinit nuk e kishte si pjesë të emrin e vet, kritikonte si gjoja shoqërisht një historiane të re që ndriçonte me fakte rolin e komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë në Mal të Zi.

“Historiani” përpiqej që të kritikonte fjalorin e koleges së re të painfektuar nga metodologjia dhe dogmat e vjetra, kur thoshte se komunistët shqiptarë “toleruan” krimet ndaj popullsisë shqiptare të Malësisë. Një vërejtje si duket me takt por që fshinte një mendësi komuniste.  Nga kjo ngjarje m’u forcua besimi se pa një katarsis të historianëve nuk ka si të ketë një katarsist të historisë. Ndersa një tjetër historian, një xhaketë e kthyer, nuk la llaf pa thënë kundër një historiani tjetër që e pat kritikuar diku një punim të tij për dëmet naziste gjatë luftës dhe i kishte kërkuar për të qenë i paanshëm të jepte edhe dëmet e partizanëve. “Thuaj se ka bërë një shkrim të poshtër”, më thoshte. Fakti që Historia e Luftës së II Botërore në Shqipëri është e përçudur në masën më montruoze  e tregon shifra e fryrë e gjoja 28 000 dëshmorëve  kur sipas Ne Arkivin Qendror Shtetëror ku nuk mungojnë edhe pasqyrat përmbledhëse për të rënëve në luftë me të cilat kanë qenë njohur edhe organet më të larta të partisë-shtet. Nga një dokument të vitit 1946 del se numri i të vrarëve në luftë ka qenë 2.519 vetë.  AQSH, Fondi 14/AP STR, viti 1946, dosja 40, faqe 159.) dokument i Arkivit të ish- KQ te Partisë se Punës.

Ndaj figurën përbindëshe të Enver Hoxhës nuk e bën më të drejtë e më të pastër lufta , pavarësisht se luftoi në krah të kualicionit fitues. Se Enver Hoxha nuk e meriton të jetë mes dëshmorëve. Ai vërtet luftoi fashistët dhe kjo është pozitive, por ai i punoi popullit të vet poshtërsi, që nuk do të guxonte t’ia bënte atij as pushtuesi më zemërzi, cinik e i pafytyrë.  Prandaj Enver Hoxha ka mbetur dhe do të vazhojë të jetë etaloni, me të cilin do të matet shkalla e ligësisë së çdo tirani, dhe turpi i Shqipërisë dhe këtë nuk ka natë të bardhë që ta zbardhë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: fantazma e Enverit, Rafael Floqi

OTTO WITTE, ISH -MBRETI I SHQIPËRISË ?

August 14, 2013 by dgreca

Rrena edhe në gurin e varrit /

Nga Rafael Floqi/ Michigan/

Shqiptarët më 1913 kërkonin të kishin një sundimtar islam të nipin e sulltanit Halim Eddine  dhe kur të dy austriakët, Otto Witte dhe Max Hoffmann erdhën në Shqipëri të maskuar si Halim Eddine dhe adjutanti i tij  u pritën si prijësit e rinj. Kurorëzimi ishte madhështor. 48 orë pasi të dy cubat zbarkuan  në Shqipëri u arratisën me thesarin e shtetit pasi i shpallën luftë Malit të Zi dhe  kaluan dy net të shkëlqyera në harem, duke qesëndisur tërë konsujt. Me sa duket, shumë njerëz e hëngrën historinë, duke përfshirë edhe revistën “ Time Magazine”, e cila e raportoi historinë e Ottos si të vërtetë, kur ai vdiq në vitin 1958.

Data 13 gusht, kujton një personazh interesant të gjithë historisë evropiane, i panjohur në Shqipëri por që lidhet me Shqipërinë, një akrobat me një shtëllungë-mustaqe me emrin Otto Witte, për të cilin kjo datë ka pasur domethënie të veçantë. 13 gushti i vitit 1913, ishte dita në të cilën Herr Witte pohonte se kishte pas qenë kurorëzuar “Mbret i Shqipërisë”.
I lindur në vitin 1872, Otto Witte kishte punuar gjithë jetën e tij si interpretues në cirk dhe thuhej se kishte bërë shfaqen e tij të parë në moshën tetë vjeçe. Në kohën e tij të lirë ai ishte i njohur si një përrallëtar e trillues me aventura, ku ai falë aftësisë së tij si magjistar –shaman  ishte bërë kryetari i fisit i një tribuje  pigme nga Afrika dhe se si, ai një herë u përpoq të arratisej me vajzën e perandorit së Etiopisë. Megjithatë, rrëfimet për përvojën e tij në Shqipëri në 1913 ishin nga më këmbëngulëset nga tregimet e tij.
Atë vit, më 1913,  sipas rrëfimeve të tij, ai ishte duke punuar në Budapest, kur një mik i tregoi  një artikull në lidhje me Shqipërinë, e cila po shkëputej nga Perandoria Osmane. Artikulli përmendte se një grup shqiptarësh ishin në kërkim të një princi mysliman me emrin Halim Eddine, të cilit ata dëshironin t’i jepnin kurorën mbretit. Në gazetë ishte dhe një fotografi e Halim Eddines, i cili ngjasonte dukshëm me pamjen e Ottos.
Plani shpejt mori formë. Otto Witte do të udhëtonte për në Shqipëri së bashku me kolegun e tij të  cirkut, gëlltitësin e shpatave Max Schlepsig dhe aty Otto do të shtirej si Halim Eddine-ja dhe do të bëhej mbret. Dhe sipas Witte, ky plan kishte pasur sukses.

Kjo histori duket se është e sajuar, por Otto Witte insistonte gjithmonë që t’i adresoheshin si ‘Ish-mbreti i Shqipërisë’ dhe kjo ishte arsyeja, pse policia në Berlin e kishte lejuar atë, që t’i përfshinte këto fjalë në kartën e tij zyrtare të identitetit. Ai thoshte se pasi u kurorëzua më 13 gusht, ai mbretëroi për pesë ditë, gjatë së cilave ai dëfreu në harem, shtiu në dorë pasuritë e thesarit mbretëror dhe i shpalli luftë Malit të Zi. Por ai u arratis nga pallati vetëm pak  kohë para se dinakëria e tij  të zbulohej.

Kjo mund të jetë krejtësisht sajesë, por gjatë gjurmimeve në internet ndeshëm këtë dëshmi në biografinë e diplomatit dhe ushtarakut austro hungarez Alfred Rappaport, i cili kishte qenë  shef i përkohshëm ndërmjet konsullatave të Maqedonisë, në Shkup dhe Cetinjë  dhe si konsull shëtitës  nëpër vendet e Ballkanit jugor, sidomos Shqipëri. Në ministri më vonë ai ishte shefi i departamentit për Shqipërinë dhe zëvendësi i shefit të departamentit oriental.

Në vitin 1912 kur Ismail Qemal Beu shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, fuqitë e mëdha u bënë papritmas shumë të interesuara për të. Austro-Hungaria shpresonte të siguronte një influencë të madhe mbi shtetin e ri dhe kërkonte që të dërgonte instruktorë për këmbësorinë, ndërsa Italia u përpoq të bënte të njëjtën gjë.  Edhe diplomatët britanikë gjithashtu dërguan instruktorë. Një major italian u dërgua në Shqipëri dhe menjëherë u bë një qytetar i saj. Drejtimi i xhandarmërisë ishte nën kujdesin e oficerëve holandezë. Kontaktet bënë të  të mundur që Austro-Hungaria të merrte megjithatë kontrollin përfundimtar të zhvillimit të artilerisë, disa instruktorë u dërguan nga  Shqipëria blerë disa topa malorë nga fabrika “Skoda”. Shqiptarët kërkonin të kishin një sundimtar islam të nipin e sulltanit Halim Eddine  dhe kur të dy burrat, Otto Witte dhe Max Hoffmann erdhën në Shqipëri të maskuar si Halim Eddine dhe adjutanti i tij dhe u pritën si prijësit e rinj. Kurorëzimi ishte madhështor, diplomatët e të gjitha fuqive të mëdha ishin të pranishëm me një përjashtim, të përfaqësuesit të Austro-Hungarisë! Rappaport ishte i vetmi që i zbuloi ata para të tjerëve, pasi kishte dërguar udhëzimet e tij në kohë. 48 orë pasi të dy cubat zbarkuan  në Shqipëri duke u arratisur me thesarin e shtetit,  pasi i shpallën luftë Malit të Zi dhe kaluan dy net të shkëlqyera në harem, qesëndisën tërë shoqërinë diplomatike atje! Alfred Rappaport, ndërkohë promovohet si Konsull General  dhe merr kryqin kalorës e Rendit të Leopoldit më 30 dhjetor 1913.
Pas kësaj fatkeqësie diplomatike fuqitë e mëdha ranë dakord që të ishte  Princi Vilhelm Wied që do të emërohej i “Mbret” ose sovran të Shqipërisë. Dhe mbretërimi i tij zgjati nga marsi deri në shtator 1914.  Shih http://www.austro-hungarian-army.co.uk/biog/Rappaport.htm

Ata që qenë të pabindur për vërtetësinë e pretendimeve Witte ndaj mbretërisë shqiptare kanë theksuar se nuk ka as më të voglën gjurmë e ndonjë dëshmi historike lokale për ta mbështetur atë, pasi as vendi ku ka ndodhur nuk thuhet, por dikush në perëndim mund ta kuptonte se shqiptarët heshtën të turpëruar nga një mashtrim kaq i madh. Ata gjithashtu mund të pyesin, në qoftë se historia ishte e sajuar, pse Otto Witte insistonte  gjithmonë që t’i adresoheshin si ‘ish- mbreti i Shqipërisë’ dhe pse policia në Berlin e pat lejuar atë që ta përfshinte këtë titull në kartën e identitetit të tij zyrtar.
Madje edhe varri i tij në varrezat Ohlsdorf në Hamburg është i stolisur, me epitafin, me “Ehem  Konig V. Albanien “(shkurt për Ehemaliger von Albanien Konig  – Ish- Mbreti i Shqipërisë).
Kjo histori e pothuajse e harruar e Otto Witte, gjithashtu duhet të shihet në lidhje dhe me mashtrimin tjetër të kontestuar në mënyrë të njëjtë se gjoja, ishte ofruar Froni i Shqipërisë rreth vitit 1920 lojtarit të madh të kriketit në Angli, CB.  Por fakti që Witte këmbëngulte që t’i adresoheshin me  “Madhëria juaj”, dhe refuzonte  të pranonte postën që nuk i është adresuar atij si mbret, ka bërë , me sa duket që shumë njerëz ta hanë historinë, duke përfshirë, me sa duket, dhe revistën “ Time Magazine”, e cila e raportoi historinë e Ottos si të vërtetë, kur ai vdiq në vitin 1958.  Shih http://timemarcheson.wordpress.com/2012/08/13/1913-king-otto-of-albania-or-not-almanac-of-absurdities-flashback-8-13-2012/

Shumica e pjesëve të këtij sajimit të tij janë të paqena. Nuk ka pasur asnjë Halim Eddine, dhe djali i Sulltan Abdul Hamid II, Burhan Eddine të cilit i ishte ofruar froni  nuk erdhi asnjëherë, në Shqipëri. Por ai mund të ketë qenë modeli për këtë histori të sajuar. Fillimisht Otto pretendoi se kjo kuturisje kishte ndodhur në shkurt 1913, kur Shqipëria ishte ende nën pushtimin serb, pastaj ai e ndryshoi datën në gusht të 1913-tës.

Si çdo mashtrim qe qëndron me mirë i bazuar në gjysme të vërteta data 13 gusht 1913 që vërtet Otto mund ta ketë lexuar në ndonjë gazetë ajo është data se kur “Kongresi xhonturk më 13 Gusht 1913 vendosi që të çonte në Shqipëri si Princ te vendit, ministrin Osman të  luftës, Izet Pashën – qe ishte me origjine shqiptare. Por përpara dërgimit te tij në Shqipëri, ne vend u dërgua Beqir Gebrene Aga që do binte dakord me liderët shqiptarë për planin në fjalë dhe për dërgimin e armatimeve dhe ushtarëve shqiptarë nga Turqia për reprezaljen e përgjithshme kundër pushtimit pan ortodoks Ballkanik. Esat Pashë Toptani, Ismail Bej Qemali dhe shume udhëheqës të tjerë shqiptarë të kësaj kohe ranë dakord me planin e Beqirit.

Përpjekja për të siguruar administrimin e fatit te popullit shqiptar nga shqiptarët (myslimanë që përbënin shumicën) u pa edhe në bashkëpunimin që Ismail Qemali dhe kampi Esadist i Durrësit i ofruan Beqir Gebrenesë, për të sjellë në Shqipëri Izet Pashën si princ te vendit. Nga propagandistët më të zjarrte shqiptarë qe deshën te shihnin ne Shqipëri ardhjen e një princi mysliman me origjinë shqiptare, ishin njerëz si: Dervish Bej Biçaku, Kadri Bej Peqini, Faik Konica etj.” Ata mendonin se kërkesa qe Shqipëria te udhëhiqej nga një princ mysliman ishte një kërkesë jetike e popullit shqiptar, i cili e kishte pare tashme sesi ishte fati i kom patriotëve te tyre qe kishin rene nen sundimin e mbretërive kristjane të Ballkanit. Por Austro– Hungaria dhe Italia, qe tashme kishin marre ne duart e tyre frerët e Shqipërisë nuk i përfillwn kërkesat e shqiptarwve. Ne te kundërt, fuqitë ne fjale parapanë këta princa te mundshëm që mund te instaloheshin ne Shqipëri për te trashëguar vendin: princ Gjika i Rumanisë, duka Ferdinand i Montespierit, princi Karl von Urach, princi Maurice von Schaumburg-Lippe, konti i Torinos, princi Artur i Connaugh-it.

Por le të kthehemi tek mbreti ynë. Ka shumë të ngjarë Otto të ketë vuajtur nga pseudologia fantastica pasi , për shembull, ai deklaronte se kishte themeluar një parti politike në Gjermani dhe se ai thoshte se ishte një kandidat për presidencën gjermane në vitin 1925, duke fituar 25.000 në 230.000 vota në raundin e parë, por dha dorëheqjen në favor të Paul von Hindenburg. Të dhënat e votimit nuk e mbështesin fare këtë.

Njohja e Shqipërisë në atë kohë ishte vogël ( dhe ka pasur mjaft aventurierë pretendentë për fronin e Shqipërisë disa me kontribute si : Alejandro Castriotta apo konti Gjika, etj. dhe interesi për Shqipërinë ishte e madh në botën gjermanisht-folëse, sepse Fuqitë e Mëdha kishin zgjedhur një princ gjerman për t’u ulur mbi fronin e Shqipërisë, Wilhelm Wied-in të cilit iu ofrua posti në vitin 1913 dhe sundoi për gjashtë muaj në vitin 1914.

Ngjashmëria në emrin mes Wied dhe Witte mund ta ketë frymëzuar Witte për të sajuar këtë histori me dokrra hini. Historia Otto Witte u përshtat nga Harry Turtledove për romanin e tij fantastik  “Në çdo inç një mbret”. Historia e Witte mbart një ngjashmëri të fortë me romanin më të shitur me aventura “ I burgosuri i Zendas” (1894), nga i cili u përshtat si film që u shfaq në vitin 1913. Koncepti qendror i romanit është sesi Zenda një njeri i thjeshtë, merret gabimisht si mbret dhe më pas i zë vendin mbretit. http://en.wikipedia.org/wiki/Otto_Witte

Gazeta dhe revista të ndryshme perëndimore e morën historinë e Ottos si fakt duke e përsëritur atë, duke përfshirë revistën prestigjioze “Time”, e cila botoi një artikull në lidhje me këto gjepura në vitin 1958. Nuk është e rastit që në biografinë e diplomatit austro hungarez Alfred Rappaport përmendet si ndodhi kjo pallavër.

Pseudologia Fantastica, mitomania, apo gënjeshtra patologjike përcaktohet si “falsifikim tërësisht disproporcional pa asnjë bazë reale evidente me pikëpamje, që mund të jenë të gjëra e shumë e komplikuara, dhe të manifestuara gjatë një periudhe të gjatë prej disa vitesh apo gjatë gjithë  jetës, por në këtë rast u përcoll edhe pas saj, në varr. Individët e prekur mund të jenë të vetëdijshëm se ata janë duke gënjyer, ose mund të besojnë se ata janë duke thënë të vërtetën, duke qenë në dijeni se ata janë të lidhur pas fantazive. Witte e kishte besuar gjer në fund rrenën e vet dhe provë për këtë është data e tij e vdekjes, e regjistruar në gur varrin e tij: 13 Gusht 1958, saktësisht 45 vjet pas “kurorëzimit” të tij.

Pse ta zgjidhte atë ditë për të vdekur, apo mos e ka sajuar dhe atë?

Filed Under: Histori Tagged With: i Shqiperise, ish mbret, Otto Whitte, Rafael Floqi

Ministri emigracioni? Çne, dhe pse?

August 1, 2013 by dgreca

Nga Rafael FLOQI */

Diaspora e Amerikës si në kohën e Nolit e Konicës, ashtu edhe sot ka  zbatuar instinktivisht domethënien e fjalës së Xhon.F. Kenedit se “nuk  ka rëndësi çka bën atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun”.  Ajo si gjithnjë do të vazhdojë ta kryejë këtë rol. Por ka ardhur koha të themi se diaspora jo vetëm ndihmon, jo vetëm mbush buxhetin me remitancat,  por ka dhe nevojë edhe për ndihmë, çka është përgjigja e politikës  shqiptare.
“Ministri emigracioni? Çne?” – u përgjigj kryeministri i ardhshëm   Edi Rama gjatë paraqitjes së kabinetit qeveritar, ku binte në sy mungesa e një ministrie të tillë. Madje, ai tha se nuk e ka premtuar asnjëherë  krijimin e një ministrie të tillë dhe me stilin “të fala Sandrit” u  përgjigj dy ditë pasi qe kthyer nga Selaniku se “nuk e di të kem bërë  ndonjë premtim elektoral për ministri emigracioni, mos e ngatërroni me  partinë e çamëve”.
Edhe pse nuk ishte shumë e gjetur përqasja që kryeministri ardhshëm i bëri çështjes së emigrantëve me partinë e çamëve, e sigurt është se  qindra mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë mijëra probleme që  presin zgjidhje. Mashtrimi elektoral i Ramës këtu u shfaq ashiqare kur  nga një kërkim i thjeshtë “Gazeta shqiptare” konstatoi se në një  intervistë për “Plus Gazeta Athina” më datën 15.02. 2013 Edi Rama pati  thënë: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për  emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur  prej emigracionit si dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe  konsullata”. Gazeta në fjalë botohet në Athinë për shqiptarët e Greqisë, por Rama ndoshta s’e di se gjendej edhe në Tiranë.
Kur u interesojnë autobusët e emigracionit për të marrë votat,  politikanët i bëjnë qefin atij me deklarata boshe, si të drejtë votimi  apo ministri, po kur vjen puna për qeverisje, e harrojnë një të tretën e kombit shqiptar. Diaspora shqiptare edhe për faktin se është e ndarë si pasojë e ardhjes nga pjesë të ndryshme të trungut shqiptar dhe në kohë  të ndryshme ka bërë më shumë punë për çështjen kombëtare sesa të gjitha  qeveritë apo firmat e PR-së, që kushtojnë miliona. Ato i kanë gjetur  lidhjet me Toni Blerin para Ramës dhe e kanë nderuar figurën e tij para  Ramës (kujtojmë mirënjohjen e KKSHA, duart e Shpresës vitin e kaluar).
Siç duket, shteti shqiptar, si ai i demokratëve, ashtu dhe ai i  socialistëve tani dhe nesër do të mbeten larg diasporës, pasi nuk i  duhet ajo për të siguruar pushtetin, edhe pse ajo është lobuesi më i  mirë i interesave kombëtare. Kjo shpjegon faktin pse Berisha kujtohet në zgrip të jetës së tij si kryeministër të miratojë ligjin e shtetësisë  shqiptare. Megjithatë, ai bëri një ligj si kofini pas të vjeli, edhe pse u kritikua, Shqipëria ishte e fundit nga vendet e rajonit që e bënte  këtë, dhe pse  është e rrethuar vetëm me troje shqiptare.
Po të ndalemi te qeveria. Nevoja e bashkëpunimit me diasporën është  imperative. Për çfarë duhet një ministër i bashkëpunimit me parlamentin  kur bashkëpunimi sigurohej nga ministrat deputetë dhe në vend të një  ministri pa portofol të kishte një ministri emigracioni me portofol?  Fondet mund t’i grumbullonte vetë diaspora si kontribut anëtarësimi.
Zyra e diasporës pranë MPJ-së në gjendjen aktuale ka vetëm pesë  nëpunës që regjistrojnë aktivitetet që bën diaspora, kryesisht të vjela  nga komunikimet me ambasadat, që i rrëfehen ministrit të Jashtëm ato sa  për protokoll dhe i futin letrat në dosje dhe kaq (?!). Kjo është një  punë krejtësisht e kotë, pasi me një kërkim në “Google” mund të shohësh  të gjithë shtypin dhe medien e diasporës si në SHBA, Greqi, Itali,  Angli, Zvicër apo Gjermani. Nga ana tjetër, a mund ta bëjë një ambasador  apo një personel ambasade i limituar, me fonde të limituara, lidhjen e  qenësishme me diasporën, që të mbajë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë  masë të madhe shqiptarësh? Besoj se jo. Një herë në konfidencë një  ambasador yni në një vend të madh mik më thoshte se kapte telefonin dhe  fliste me një zë femre, duke imituar një sekretare që s’e kishte, sa  herë kishte telefonata, pasi nuk është normale në diplomaci që  ambasadori të përgjigjej drejtpërdrejt në telefon. Sot, sipas shifrave  jo fort të sakta, jashtë Shqipërisë ka mbi 1milion e 300 mijë shqiptarë  nga Shqipëria, po dhe duke llogaritur edhe diasporën e vjetër dhe atë të trojeve shqiptare  mbi 3 milionë shqiptarë.
Disa ditë më parë miku im Artur Vrekaj, kryetar i shoqatës atdhetare  kulturore “Kombi” në Worcester, Masaçusets (SHBA) i drejtohej me një  letër të hapur kryeministrit të ardhshëm, z. Rama, duke i parashtruar  domosdoshmërinë e një ministrie diaspore dhe koordinimin e saj me  ministrinë e diasporës në Kosovë, duke shtruar pyetjen: “Pse u duhet  Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë Ministria e  Diasporës?”, duke u përgjigjur po  vetë me të drejtë: “Mbi të gjitha për hartimin dhe vënien në funksion të një strategjie kombëtare për  vëmendjen që duhet t’i kushtojmë diasporës si pjesë vitale dhe integrale e kombit shqiptar. Ministria e diasporës do të na ndihmojë edhe për  bashkërendim dhe udhëheqje të punës atdhetare e kulturore.” Kështu e  kupton diaspora këtë domosdoshmëri.
Por ja që politikanëve shqiptarë u intereson më shumë pushteti i vet  dhe nuk e mendojnë diasporën si pjesë vitale dhe integrale e kombit  shqiptar. Këtë po e ilustroj me dy fakte nga dy krahët e politikës  shqiptare. Para dokohe drejtuesi i lëvizjes “Atdheu na Bashkon”,  patrioti Gjon Lulgjuraj, gjatë një pritje me Kryeministrin Berisha, ku  ai në emër të lëvizjes po i parashtronte atij gjendjen e malësorëve të  Malësisë së Madhe në Tuz, Berisha shihte vazhdimisht orën. “E kuptova, –  thotë Lulgjuraj, – se atij nuk i interesonte shume ajo çka ne po i  paraqitim dhe ishte koha për t’u ngritur.”Një rast tjetër që flet për  përkushtimin e liderit të opozitës ndaj dsporës është fakti se, edhe pse Rama ka ardhur të takojë disa herë të vëllain e vet, që është emigrant  në Miçigan, nuk ka gjetur aspak kohë për të takuar diasporën e këtushme, që është më shumë se 120 000  frymë. I pyetur për këtë nga “ALBTVUSA”  Rama u përgjigj se këto ishin thjesht vizita private.
Për të qenë më konkret se si duhet vepruar me diasporën, po përmend  masat e marra nga shteti kroat mbi diasporën e vet, e cila përbën mbi 4  milion  vetë. Këto masa janë në shenjë respekti për kontributin e saj në luftën për pavarësinë e Kroacisë. Kështu qysh në vitin 1991 Kroacia  miratoi masat e mëposhtme. Këto masa gjatë kohës kanë pasur ndryshimet  të domosdoshme, por thelbi i këtyre kërkesave mbetet. Ato drejtime duhet dhe mund të jenë rrugët për një kohezion dhe lidhje më të mirë të  Shqipërisë me diasporën e saj, të re të vjetër, të Shqipërisë dhe  trojeve tona.
Në fund të luftës në vitin 1995 u bë një çështje e pranuar gjerësisht se Republika e saponjohur e Kroacisë i kishte një borxh të madh   diasporës së saj dhe ajo kishte për t’ia shpaguar. Këto ishin disa prej  masave që u miratuan në atë kontekst politik, nga të cilat mund të  merret shembull:
Së pari, ligji i shtetësisë
Në vitin 1991 u miratua një ligj që u jepte shtetësi kroate të gjithë kroatëve dhe pasardhësve të tyre, pavarësisht se ku jetonin. Nëpërmjet  neneve 11 dhe 16 të ligjit kushdo që mund të provonte origjinën kroate i jepej dyshtetësia dhe një pasaportë. Edhe pse nuk ka statistika  zyrtare, sipas disa vlerësimeve thuhet se deri në 1,15 milionë njerëz  (në një popullsi prej rreth 4,4 milionë qytetarësh) e fitoi shtetësinë  kroate në këtë mënyrë.
Së dyti, e drejta e votës
Qytetarëve kroatë jashtë vendit iu dha e drejta për të votuar (duke  përfshirë edhe nënshtetasit e rinj  të përmendur më lart), duke i  caktuar një zonë të dedikuar zgjedhore (njësinë 11). Fillimisht rreth  10% e ulëseve në Sabor në (Dhomën e Deputetëve) ishin të rezervuar për  këtë zonë zgjedhore. Pas debateve të nxehta midis HDZ-së dhe partive  opozitare përqindja fikse u ndryshua në një përqindje të ndryshueshme,  llogaritur mbi bazën e votuesve.
Së treti, një ministri e veçantë në qeveri
Në fillim  në vitin 1991 u krijua një ministri jetëshkurtër për  emigrimin (Ministarstvo za iseljeništvo), pastaj në vitin 1997 me  Ministrinë për Kthim dhe Imigracion (Ministarstvo povratka i  useljenišla), kështu deri në vitin 1999 kroatëve jashtë vendit iu dha  status special burokratik dhe simbolik. Duke pasur parasysh marrëdhënien e gjatë mes Jugosllavisë dhe më vonë (Kroacisë) dhe diasporës këto  ndryshime shënuan një evolucion progresiv, duke siguruar  statusin  politik për diasporën.
Shembulli kroat, pra, ofron një përshkrim empirik në lidhje me  mënyrat në të cilat formacionet transnacionale të identitetit kombëtar  janë gjithnjë e duke u riformatuar ose janë duke riformatuar vetveten si diaspora. Roli i shtetit amë në integrimin dhe mosintegrimin e tyre  është mjaft domethënës në kushtet e kozmopolitizmit të sotëm. Duhet bërë e qartë dhe ndryshimi mes emigracionit dhe diasporës. Diaspora si  institucion social kolektiv do dhe ruan identitetin e saj kombëtar për  të mos u bërë “gjak i shprishur” dhe emigracioni është më i prirur drejt integrimit në vendin ku ndodhen dhe drejt asimilimit. Tani që po  shkohet më shumë nga kombi e shtetit monolit në shoqëritë  multikulturore, gjuha e “diasporës” evokon lidhjet transnacionale, prish identitete kulturore diskrete dhe i fuqizon ose i vartëson grupet e  quajtura diaspora me shtetet në të cilat ata jetojnë. Lidhja kulturore  dhe gjuhësore është elementi bazë që lidh diasporën me vendlindjen,  ashtu si Salman Rushdie në “Imaginary Homelands (atdhetë imagjinarë, ese dhe kritika,1981-1991 ) shkruante: “Ndonjëherë ne ndihemi se i  ngërthejmë të dyja kulturat ashtu  sikur ulemi njëkohësisht në dy stola, por shpesh ndodh që shkasim në mes dhe rrëzohemi.” Sot diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është në mes së parës dhe  së dytës, integrimit dhe ruajtjes së identitetit. Ndaj aspekti kulturor i ndihmës nga kombi amë, sidomos për diasporën e re, është një kusht sine qua non dhe është detyrë e politikanëve shqiptarë me ministri apo pa ministri  diaspore qoftë ta japin këtë ndihmë. Të mos na harrojnë që të mos i  harrojmë.
*Autori është kryeredaktor i TV të shqiptarëve të  Amerikës me qendër në Miçigan.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Minsitri i emigrcionit, pse, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Themeluese e “Artistè Foundation” në Kanada, Arta Rexhepi: “Dokumentimi i luftës së Kosovës është përgjegjësi historike”
  • “Jemi që pa ardhur deti”
  • Logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend
  • “Udhëtim pa mbarim”
  • Shqipëria duhet të rindërtohet nga themelet
  • Nga piramidat te betoni…
  • QUEEN TEUTA QUARTET BRINGS THE SOUNDS OF ALBANIA TO TRIBECA PERFORMING ARTS CENTER THIS FALL
  • Misionarët amerikanë në Shqipëri – dëshmitarë të tragjedisë në 1913-14
  • Heronj dhe mesazhe nga Muri i Berlinit!
  • Kufijtë kushtetues të dialogut Kosovë–Serbi
  • Vatra e Dielli, mirënjohje e respekt për kontributin publicistik, gjuhësor e poetik të ish editorit të Diellit Anton Çefa
  • NJË JETË NË SHËRBIM TË REVISTËS JETA KATOLIKE SHQIPTARE
  • Prof. as. dr. Albert Riska, in memoriam…
  • DY ETNOGRAFË FRANCEZË NË MALET SHQIPTARE
  • FRANCESCO CRISPI – KRYEMINISTRI ARBËRESH I ITALISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT