• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Stoicizmi për të mbrojtur dashurinë e vertetë është virtyt!

August 18, 2017 by dgreca

2 libri mondesKëndvështrim letrar rreth romanit “…s’i them askujt” të autores Raimonda Moisiu/
1 Zhulieta CinaNga Zhuljeta Grabocka Çina/Shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu vjen kësaj here me gjininë e romanit për të dhënë një mesazh të fuqishëm ripërtëritës e hyjnor. Me një përvojë të spikatur krijuese, poetike, prozë e publiçistike autorja e sheh veten gjithnjë si misionare e veprimtare e emancipimit shpirtëror femëror. Pas romanit “ Pafajsia e Evës”, dhe dy librave me tregime të titulluar: “ Duke kërkuar Adrianën” dhe “Gjëmimi i moshave”, -ajo sjell për lexuesit romanin e dytë me titull joshës “….s’i them askujt…”.

I gjithë repertori tematik, që ajo na ka servirur me veprat e shumta të botuara, janë një thirrje shërruese ndaj fateve njerëzore në një kohë të trazuar si kjo që po jetojmë. Tek fati i femrës ajo shikon të mishërohet edhe vizioni për jetën. Lufta e saj sakrifikuese në emër të vlerave dhe rruga që duhet të bëjë, për t’i fituar duke luftuar në përditshmëri është një mision në zhvillim e aktual.

Romani “…s’i them askujt” është një himn për jetën edhe dashurinë e vërtetë. Dashuria si ndjenjë e përjetim është i kudo ndodhur edhe universial në të gjitha vëllimet poetike të Rajmonda Moisiut. Nëpër vëllime, ky motiv zbërthehet nëpërmjet një dialogimi sa të sinqertë e integrues plot ngjyra edhe njerëzor. Por fabula e fatit të gruas në këtë roman vjen e kushtëzuar e merr jetë nëpërmjet një subjekti të skalitur mes marrëdhënieve të personazheve mbresëlënës, që zbërthehen në situata jetësore nën kontekstin e një mentaliteti dhe psikologjie që vet emancipohet në luftë për t’u realizuar si një përsonazh sa më njerëzor. Gjithçka i nënshtrohet logjikës së një kulture, të një qyteti të nënkuptuar, siç është Korça, që e ka tejkaluar prej kohësh zvetnimin shpirtëror të mblesërive “ të karnavaleve” të Spiro Çomorës. Përshkrimet në roman përndriten në shpirtin e pastër të tharmit të serenatave e të njerëzve të thjeshtë e të ndjeshëm ndaj së mirës e së bukurës. Atuorja ka ditur të realizojë tablo e marrëdhënie familjare të goditura e përfaqësuese.

Dashuria si ndjenjë e themeli i familjes trajtohet jo vetëm në përjetimet femërore të Jolës, Klarës, Anës, por tek çdo njeri e ambjent familjar që rrit dhe edukon vazhdimësinë e brezave. Protagonistët e romanit kërkojnë e përjetojnë dramën e tyre individuale por vlerësojnë dashurinë e vërtetë për ta ruajtur prej thyerjeve të brishta të kohë pas kohshme. Edhe personazhin burrëror prozatorja e trajton larg ndëshkimit maskilist. Stoicizmi për të ruajtur dashurinë e vërtetë është virtyt. Çdo krisje në marrëdhëniet e çiftit nuk e zhvlerëson atë margaritar që rruhet në kuarcin e zemrës. Romani është një thirrje e zërit femëror të ripërtëritjes nën frytin e dashurisë. Mungesa e një fëmije në jetën e një çifti le vend për t’u diskutuar. Besoj, se ky është një diskutim, që libri e le të hapur: – Është apo jo shkak ndarjeje, ky fakt në jetën e një çfti?! Autorja i jep një zgjidhje brenda një ekulibri shpirtëror të një femre të pavarur siç është Jola!

Romani është një ftesë për lexim, për t’u larguar nga kotësia e orëve të telenovelave, që pasqyrojnë një jetë vanitoze me konflikte të stisura. Struktura e romanit është e studiuar edhe funksionale. Narracioni rrjedh nëpërmjet një gjuhe lakonike e të pasur. Romani shtron çështje filozofike e sociale të shprehura mes meditimesh e trajtesa deri diku shteruese eseistike! Kjo vepër është një vlerë e shtuar jo vetëm në krijimtarinë e autores por edhe në letërsinë mbarë shqiptare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Raimonda Moisiu, s’i them askujt”, Zhuljeta Grabocka Cina

Francesk Radi-Këngë që le jehonë përjetësie….

April 17, 2017 by dgreca

Esse-In Memoriam of Francesk Radi/
1 Fracesk Radinga Raimonda MOISIU/

 Francesk Radi ishte njeri i përzëmërt, fisnik dhe tejet modest, talent me shpirtin e lirë të një artisti të shkëlqyer,  gjithmonë në kërkim të së bukurës, nën fuqinë e  tingujve të  kitarës në shtegëtimin pafund të pasionit dashuror  të refleksioneve muzikore dhe artit për muzikën.

Artisti, i cili  theu tabutë e kohës së realizmit socialist  që jetonim, dhe këndoi me shpirtin e lirizmit të tij  dhe ëndrrave të trazuara, mëkatare  e rebele, artisti antikomformist me përplasjen dhe botëkuptimin e botës shpirtërore,  të pasur e ndjesore, me moralin dhe mjerimin e shoqërisë brenda asaj  bote që na rrethonte. Për Frankon, muzika ishte e vetmja fuqi talenti,  shpirti dhe delikatese, sikundër janë përgjithësisht artistët e mirëfilltë, me madhështinë e një vitaliteti, përkushtimi e vullneti të hekurt, artisti që shkriu shpirtin dhe dëshirën, pasionin dhe dashurinë për artin, kulturën e muzikën, vetëm për një duartrokitje, për pak buzëqeshje dhe dinjitet, përballë misterit të rregjimit të kohës, për të bërë  historinë. Dhe ia doli! Franko bëri historinë!

Francesk Radi, që në moshë të re shpërtheu duke kompozuar me tinguj kitare,  në kërkim të identitetit unik të tij, dhe befas “bëri jehonë” në vitet ‘70-ë të shekullit të kaluar me vidioklipet e dy këngëve “Adresa”, dhe “Bicikleta”, aty ku edhe nisi rrugëtimi virtuoz i krijimtarisë  artistike dhe muzikore e tij.  Muzika, ndjenja, stili dhe moda e ritmit muzikor  të kompozuara prej Francesk Radi-it, dallohej lehtë për vizionin se cfarë është muzika që del nga një shpirti dhe mendim i lirë i artistit, për të jetuar në harmoni me natyrën e njerëzit, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore. 

Francesk Radi, një muzikant i apasionuar, i talentuar dhe plot frymëzim ka hulumtuar  zhanre të ndryshme në fushën e muzikës,  duke përfshirë bashkimin e elementeve të ndryshme të  ritmeve të muzikës së ndaluar dhe persekutimit shpirtëror, social e kulturor të kohës,  nëpërmjet baladave  romantike e lirike, të ëmbla dhe sentimantale, Brenda tyre ka shumë ndjenjë e melodi harmonike e melankolike, trishtim, dhimbje e dashuri: “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”,  “Kemi dasëm “o”…”, ritmet

e elementeve të  hard-rock, te “ Rroku i burgut”,  të kombinuar me shpirtin e lirë e të trazuar  të një  “Zemër e lodhur”,  “Ky fat na ra..”, etj. Melodia e tyre kapej shumë shpejt nga publiku, fërshëllehej dhe këndohej nga rinia dhe  kanë mbetur në kujtesën e publikut. Këngët e Frankos, e këtij artisti modest e të mrekullueshëm,  patën një arritje të suksesshme personale dhe kulturore për mijra  fansat  e tij, dhe e kanë kapërcyer me kohë, të paturit e një ndikimi të madh mbi to.  Këngët e tij të para; “Adresa”, dhe “Bicikleta”, arritën kulmin duke u shëndrruar në hit i madh i kohës kur u kompozuan, në cdo notë e tinguj kitare,  antitezë e fortë me  artin e muzikës që kërkohej nga konflikti i luftës së klasave.

Sot për sot, Francesk Radi mbetet një nga artistët dhe këngëtarët më  të rëndësishëm dhe me emër, dhe shumë i dashur, i cili fitoi popullaritet në lartësitë e lavdisë e përjetësisë  me këngët e tij më të mira  ndër vite, që  kanë  pushtuar zemrat dhe kanë  emocionuar  mijra herë,  artdashësit dhe fansat e tij, vecmas me timbrin e zërit të tij të spikatur. Me portetin e një artisti, stilin e tij të veshjes dhe  flokëve të gjata, modën që spikati në rininë e tij, ritmet e muzikës së ndaluar, Franko  sfidoi imazhin e një artisti  që kërkohej nga rregjimi komunist i kohës, edhe kur e cuan në barakën prej druri në Fushë-Arrës, por si një qytetar i rrallë, bashkëshort e baba i mrekullueshëm, artist i pakrahasueshëm, ikonë e artit muzikor ndër vite, ky Celentano shqiptar, nuk u ndal kurrë për të  realizuar pasionin e tij për muzikën. Një nga fotoportretet e fiksuara nga aparati i ekspertit dhe studiuesit të njohur të fotografisë, Qerim Vrionit,-e tregon artistin Francesk Radi në shtator të viti 2009-ë. Gjatë atij takimi artistësh, studiuesi i shquar shqiptaro-amerikan, Qerim Vrioni, i bëri një fotografi këtij artisti të madh, në studion e tij, portret, i cili është nga më të mirët e portretit të Francesk Radit. Më duhet të sjell në vëmendje se në ekranin e kompjuterit të artistit, është portreti i Bethovenit, analogji e ndjeshme tejet njerëzore dhe e spikatur  në formë e në funksion me portretin e Frankos sonë.

Me mëncuri, dashuri, modesti  dhe krenari, vital e unik, Francesk Radi  vazhdoi të kompozonte  duke adaptuar vlerat më të mira muzikore dhe të krenarisë së tij, me vlerat më të mira të lahutës, ciftelisë dhe krenarisë malësore, sfidoi frikën dhe arriti triumfin mbi të, duke  mbetur përjetësisht një vlerë e traditës, historisë dhe trashëgimisë kulturore e muzikore.

Pra pak kohësh u shua kantautori, kompozitori, kitaristi i famshëm dhe këngëtari i njohur Francesk Radi, frymëzimi i kohës së rinisë të brezit tonë dhe brezat që vijnë, i cili me këngët e tij, la  jehonë përjetësie. Humbëm një Artist të madh, një aset të cmuar, vlerë njohëse dhe emër i vlerësuar, një artist që dha aq shumë nga forca e talentit  muzikor dhe mëncurisë së artistit, në fushën e muzikës, artit e kulturës shqiptare.

Francesk Radi i përkët elitës së shquar e brezit të artë të artistëve shqiptarë, një ikonë e paharruar.

Pushofsh në Paqen e Amëshuar, Franko!

Raimonda MOISIU

Flaming Island

Jacksonville, Florida

Prill 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: -Këngë që le, Francesk Radi, jehonë përjetësie, Raimonda Moisiu

Vangjel Simaku, historiani erudit, artist dhe vizionar

March 6, 2017 by dgreca

1Miku i MondesShkruar nga Raimonda MOISIU/

Lajmi  i dhimbshëm dhe  i pabesueshëm, pikëllim i thellë tronditi në dt.4 Mars 2017, qytetin e dijes, kulturës, historisë dhe serenatave, Korcën, bashkëqytetarët korcarë dhe voskopojarë: Shuhet krejt papritur, profesori i letërsisë, historiani erudit dhe enciklopedik, njeriu i përkryer, Vangjel Simaku.

Arësimi në Korcë e ndjen thellë këtë dhimbje e pikëllim për  humbjen e  mësonjësit, dijetarit  dhe arësimdashësit shëmbullor, Vangjush Simaku sikundër e thërrisnin korcarët.  Është dhimbje  e pallogaritshme, humbja e një  kolegu të përkushtuar, miku të  mirë, familjari shembullor. I diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Vangjushi ishte i pranishëm në shtypin shqiptar me shkrime historike për Voskopojën dhe njerëzit e shquar voskopojarë ndër kohëra e vite, për  kontributin dhe veprat e tyre që ata lanë pas, letërsi, esse, kritika letrare, poezi, editorialë dhe opinione sociale – politike dhe historike. Në ngushëllimin e tij, një nga bashkëpunëtorët dhe kushëriri i tij, shkrimtari Nikolla Simaku shprehet:

“Kishim shumë punë për të bërë së bashku dhe më duket  sikur më le në  mes të rrugës. Dhimbja  është  e madhe për këdo, por  jo në  moshën tënde, kur kishe kaq vrull, kaq guxim për atë që doje, si dhe kaq projekte në  kokën tënde. Kisha nevojë për  ty, për dijen tënde të gjithanëshme, për intelektin tënd dhe guximin për të foluar atë që të këshillonte ndërgjegja e jote. Në  thelb ti ishe artist, ishe vizionar. Mund të rreshtoj shumë cilësi të tuat, ti ke lënë  trashëgimi kulturore, të spikatura nga ana intelektuale, por, më në fund shumë dhimbje tek familja, tek të afërmit e tu, tek bashkëpunëtorët  e tu, tek njerëzit, që janë  në gjendje të  vlerësojnë njeriun per bukurinë e mendjes, pasionin dhe vrullin jetësor që të  karakterizonte. Ike pa na ” pyetur” duke na lënë tepër të  zhgënjyer në rrugën që të gjithë do ta ndjekim: Vdekjen. Po pse kaq shpejt? I dashur dhe i respektuar nga gjithë fisi i Simakëve, kudo që  janë kudo që jetojnë: Lamtumirë!  Të qoftë dheu i lehtë.” Ndër të  tjera Vangjushi ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kulturore-Shkencore “TEMPULLI” qysh prej themelimit, intelektual aktiv dhe një  prej  bashkëpunëtorëve të përkushtuar dhe profesionalë  për  vijimësinë dhe rritjen e cilësisë së Revistës. Por vdekja  e papritur   e rrëmbeu Vangjushin, duke lënë në  mes shumë pasione e angazhime  intelektuale, studimore, letrare, historike,  por mbi të gjitha, i ndërpreu jetën atij në një moshë relativisht të re. Me profesorin e letërsisë dhe enciklopedikun vizionar historik , me lidhte miqësia  jo vetëm si kolegë që vinim të dy nga arësimi dhe vendlindja jonë Korca, por ne ishim në kontakt të vazhdueshëm  duke shkëmbyer  shpesh mendime për temat historike,  vecmas të Korcës dhe Voskopojës, nga ku ai kishte edhe rrënjët e inteligjencës vllahe, duke i botuar ato në gazeta Dielli, SHBA, Tirana Observer dhe gazeta DITA. Një miqësi prej dekadash që kishte në thelb promovimin e vlerave të elitës,inteligjencës  dhe qytetarisë korcare. Fjalët janë  pak dhe  nuk mund të  përshkruajnë dhimbjen dhe trishtimin që la pas ikja e Vangjushit, njeriu i dashuruar me fjalën letërsinë, historinë, mirësinë, progresin për  jetën. Vangjush Simaku ky dijetar enciklopedik historik, artist dhe vizionar shkroi me shumë dashuri e saktësi për qytetin e tij të bukur Korcën, për Voskopojën  e lashtë evidentuar me mjeshtëri. Ikja e tij u përcoll me shumë dhimbje e  trishtim në  gjithë qytetin e Korcës e kudo ku ai kish miq e kolegë, edhe te  patriotët e tij korcarë kudo ku ndodhen që nga Amerika, Tirana , Kosova, Maqedonia, Vjena e tërë Europa dhe deri në Australinë e largët. Dhimbje  e madhe për  humbjen e  profesorit të nderuar të letërsisë, drejtorit të gjimnazit historik “Themistokli Gërmenji”, të historianit dinjitoz dhe poetit të dhimbjes e traditës. Vangjel Simaku do të kujtohet  gjithmonë me shumë  respekt dhe vlerësime pa fund, për dritën që la pas me veprat dhe shkrimet e tij,

 

Filed Under: ESSE Tagged With: artist dhe vizionar, historiani erudit, Raimonda Moisiu, Vangjel SIMAKU

MESAZHE NGA SHQIPTARO-AMERIKANET PER SHUARJEN E PATRIARKUT TE LETRAVE SHQIPE, DRITERO AGOLLI

February 6, 2017 by dgreca

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe personalitete nga bota shqiptare në Amerikë, përcjellin mesazhe ngushëllimi, për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Penës  dhe Patriarkut të Letërsisë Shqipe-Dritero AGOLLI.

Ka gjëra në jetë që ndodhin krejt papritur dhe ndryshojnë rrjedhën e jetës mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, na krijohet ndjesia e një realiteti, i cili kërkon të ekuilibrojmë përpos gjendjes  shpirtërore  edhe përjetimin  e  dhimbjes, pikëllimit, humbjen e njerësve më të dashur, të familjes e shoqërisë. E pra vijnë ato caste në jetë  që të prishin paqen shpirtërore! Lajmin e trishtë se u shua Patriarku Devolli, Patriarku i Letërsisë Shqipe, Dritero Agolli erdhi edhe këtu në Amerikën e largët.  Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë shprehën ngushëllimet e sinqerta dhe të ngrohta për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Penës Shqiptare, Dritero Agolli.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, shkrimtarja dhe publicistja, Raimonda Moisiu,  shprehu  ngushëllimet e sinqerta, trishtimin dhe dashurinë, për ikjen nga jeta të shkrimtarit të shquar, Dritero Agolli: “Kombi e Atdheu, komuniteti i letrave shqipe këtej e përtej Atlantikut, të gjithë së bashku, humbëm një shkrimtar të papërsëritshëm dhe të pazvendësueshëm, burrin devolli të mëncur dhe plot urtësi, njeriu i  virtyteve  njerëzore, qytetare e intelektuale, artdashës i cmuar, mahnitës dhe popullor në stilin e tij poetik dhe  rrëfimtar terrifik, i cili ligjëroi dhe shkroi aq  ndjeshëm e bukur, në prozë, poezi, dhe publicistikë,  për tabanin popullor, tokën dhe baltën devollite të vendlindjes, që e lindi dhe rriti, tokën e shenjtë të atdheut, të cilat mbetën  frymëzim, muzë e jetë, deri në ashtin e frymës së fundit.  Dritero Agolli është  shkrimtari i shquar dhe  Bardi i poezisë shqipe,  Mjeshtër i Penës dhe i Rrëfenjës, i cili me talentin e forcën letrare artistike e filozofike, sillte karaktere realistikë me një sens të mprehtë të  jetës e mbijetesës, depërtonte brenda së bukurës e njerëzores, dhimbjes e dashurisë, jetës e vdekjes, duke i transformuar ato, në një subjekt drite e shprese, mes artistikes e filozofisë së jetës e për jetën. Besnik i idealeve të tij  në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, si shkrimtar që  u përket dy epokave të letërsisë shqipe ai asnjëherë nuk e mohoj veprën e tij,  duke mbetur kështu  autor i shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë ballkanike dhe unike europiane. Aty ku ka jetë ka edhe vdekje! Edhe pse një sentëncë e njohur kjo, për Patriarkun devolli të letrave shqipe, ai përsëri gjente forcë e dashuri, të ngushëllonte veten, ne, njerëzit që e donin dhe e rrethonin, duke mendur gjithmonë se jeta dhe drita e trashëgimisë që shpirti krijues lë pas, vazhdojnë përjetësisht pas vdekjes. Ai ishte dhe mbetet Bardi i Poezisë dhe Mjeshtër i Rrëfimit, i vlerësuar nga koha e historia, teksa ne ende vazhdojmë dhe i dëgjojmë poezitë, rrëfenjat, tregimet e shkrimet e tij, sepse vepra e Dritëroit të Madh, vazhdon të jetojë përmes atyre rrëfimeve dhe vargjeve poetike, tabanit popullor, artit e ideve. Ai është i pavdekshëm, si është magjia e ndjesisë dhe thellësia e mendimit, i sigurtë e guximtar për vlerën e tij, ai vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës shqiptare. Shkrimtari i Madh Dritero Agolli, modest përtej modestisë, popullor dhe i dashur për këdo, sa ishte gjallë kurrë nuk rendi pas famës, por ai e arriti atë parakohe me veprat e tij, ndikimin e thellë të atyre veprave në shoqëri, art kulturë dhe historinë e një kombi. Në emrin tim personal e të familjes sime, në emrin e SHSHSHA-së që unë kryesoj shpreh ngushëllimet  familjes së shkrimtarit të Shquar Dritero Agolli dhe komunitetit të letrave shqipe kudo në botën shqiptare! Prehu në Paqen e Amëshuar Mjeshtër i Penës! Të qoftë Dheu i Atdheut dhe i Devollit i lehtë! I përjetshëm Kujtimi dhe Drita e Veprës që ju latë pas!
Amen!- mbyll mesazhin e ngushëllimit, znj.Moisiu.

Ndërsa President Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poeti dhe publicisti nga Lugina e Preshevës, Adnan Mehmeti në mesazhin e ngushëllimit në emrin e tij , të familjes dhe SHSHSHA-së, shprehet: “Shumica e anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë e kemi takuar dhe vizituar personalisht. Gjithmonë  kemi mbajtuar lidhje të  ngushta me të nëpërmjet veprës së tij shkruar ndër vite, deri në ditën e fundit të jetës së tij. Dritero Agolli jetoi gjithë jetën në Shqipëri, por ne u lidhëm shpirtërisht me të, duke botuar, lexuar dhe vlerësuar nga krijimtaria e tij e pasur letrare në botimet e shoqatës sonë. Dritëroi është një humbje shumë e madhe për gjithë popullin shqiptar, por vargjet e tij janë pasuria më e madhe të cilën la përjetësisht në duart e cdo secilit nga ne. Ngushëllime familjes dhe letrave shqipe për këtë njeri të madh, që na la pas një vepër të madhe plot dashuri, art, kulturë dhe histori. U Prehtë Shpirti i tij  në Paqe!

Një mesazh tejet prekës dhe ngushëllues  për ndarjen nga jeta të Driteroit të Madh, ka përcjellë edhe  Sekretarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, shkrimtarja, poetja dhe studiuesja, dr. Yllka Filipi: “A thua u shua në heshtje Krijuesi?  Në vazhdën e natyrshme të ikjeve përtej, Dritero Agolli ende dremit, ndjek erërat e trazuara, retë e stuhitë, keqardhjet, ekzaltimet, profecitë mes gjëmimit dhe pikëllimit të pandashëm të jetës, përkrah Naimit, Cajupit, Mjedës, Nolit, Migjenit, Poradecit, Kutelit,  aty ku gjallohet edhe pas vdekjes. Vepra e tij është dëshmi e jetëshkrimit shpirtëror, gulcim dhe ankth i shqiptarit nëpër kohëra, në detin e trazuar të historisë   së kombit. Semantika e vdekjes së Agollit është thjesht ikje pa bujë në iluminat, drejt shkëndijave të dritës që përcjell vepra e pasur që na la trashëgimi. Un-i i tij poetik është figura e dyzuar e krijuesit dhe e shqiptarit të vërtetë. Sipas Sharl Bodler “Poeti gëzon privilegjin e pakrahasueshëm të jetë vetja dhe të tjerët, si të dojë.” Udhë të mbarë drejt qiellit të dritës Dritero! Në rafte a në ëndrra trandu prapë, si një blerim, a një shkrepëse, a një Mall! Trupi t’u lodh, por shpirti t’u bë fjalë dhe jehonë.”

Studiuesi Thanas L. Gjika shkruan: Më 4 shkurt 2017 u nda nga jeta poeti i talentuar Dritëro Agolli. Die u përcoll me madhështi në banesën e fundit me respekte të mëdha, për të shkruan e folën personalitete nga më të shquarit e kulturës dhe të pushtetit. E qanë si të ishte krijuesi dhe intelektuali model që duhet të ndjekin shqiptarët. Partitë politike si Partia Socialiste dhe nëna e saj PPSh-ja i kanë dashur dhe i duan ushtarët e talentuar, sepse ata vlejnë sa për mijëra ushtarë të thjeshtë. Mirëpo pikërisht tek dashuria, kujdesi dhe privilegjet që u japin partitë politike krijuesve të talentuar qëndron fatkeqësia e tyre, sepse aty është burimi i së keqes, kapja e tyre, korruptimi, skllavërimi ndaj politikës së këtyre partive. Skllavërim i cili shpie në ngjizjen e pjesës së sëmurë të jetës dhe të veprës së tyre.

Në krijimtarinë letrare të Dritëroit, pjesa e hartuar gjatë diktaturës komuniste sipas parimeve të realizmit socialist dhe ajo e krijuar gjatë tranzicionit si jorgan për të mbuluar gabimet e krimet e PPSh-së e PS-së, përbën pjesën kanceroze të veprës së tij. Kjo pjesë e veprës së tij do të vijë duke u pastruar nga botimi në botim derisa të arrihet një koleksion vlerash të vërteta artistike që u përkasin të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të këtyre dy partive.

Privilegjet që u jepte partia shtet dhe lajkat që u bënin kalemxhinjtë e saj krijuesve të talentuar si poetëve Ismail Kadare, Dritëro Agolli, etj; regjisorit Viktor Gjika, piktorit Zef Shoshi, skulptorëve Kristqa Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Sali Shijaku, etj, shumë kompozitorëve etj; përbënin pëlhurën e merimagës me të cilën partia i kapte si me kthetra për të mos i lëshuar kurrë këta bij të talentuar, që ajo i shfrytëzoi për të përjetësuar e glorifikuar sundimin e saj. Ashtu si përfundoi me turp sundimi i partisë shtet, ashtu po lihet e do të lihet mënjanë nga dita në ditë, si vepër e turpshme, qesharake dhe e dëmshme edhe vepra e këtyre krijuesve e hartuar sipas parimeve partiake të realizmit socialist. Për fatin tonë të mirë këta krijues u përpoqën që krahas kësaj lloj krijimtarie të hartonin edhe vepra thjesht realiste. E këtu është pjesa e shëndoshë e veprës së tyre, të cilën e duam e do ta duam sepse ajo u përket të gjitha shtresave të popullit tonë dhe të gjitha kohëve.

Të tillë krijues janë talente të shquar, por jo Njerëz të Mëdhenj, sepse Njeriu i Madh ndihmon me çdo sakrificë popullin e vet dhe popujt e botës të shkojnë drejt lirisë, kurse ata me pjesën e sëmurë të veprës së tyre i shërbyen partisë shtet për skllavërimin e popullit shqiptar…

Ndërsa publicisti Dalip Greca, Editori i gazetës historike më shumë se një shekullore e shqiptarëve të Amerikës, gazetes Dielli, e cila me 15 Shkrurt feston pervjetorin e 108 te botimit, në mesazhin e tij shkruan: “Shuarja e Dritëro Agollit është një lajm i trishtë për shumicën e shqipatrëve. Në opinionin tim, Agolli ishte dhe mbetet një përfaqësues dinjitoz i Letërsisë Shqiptare. Shqipëria humbi poetin e shquar, lirikun e ëmbël, tregimtarin e rrallë, romancierin brilant, publicistin që guxoi, humbëm përkthyesin, kolosin e madh të letrave shqipe, po ashtu edhe personalitetin  politik, që edhe pse me bindje të majta, i parapriu ndryshimeve dhe u përpoq të zgjoi nga gjumi militantët e partisë ku bënte pjesë dhe te gjithe shqiptaret. Si romancier në mendjen tim Agolli mbetet i papërsëritshëm me “Shkëlqimi dhe Rënia e shokut Zylo”, romani i përkthyer në shumë prej vendeve të Evropës, qe erdhi ne kohen e duhur. Agolli nuk mund të shihet”bardh e zi” si këngëtar i oborrit, pavarësisht se ishte në Krye të Lidhjes së Shkrimatrëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Shumë nga krijuesit me hapësira të kufizuara në kohën e diktaturës e kanë ndjerë mbështetjen e Dritëro Agollit. Nuk mund t’i kërkohet Agollit pse nuk dha mesazhe lirie në kohët e vështira, ndryshe ai s’do të ishte në krye të shkrimtarëve, por do të ishte në burg duke vuajtur si i ndjeri Pjetër Arbnori, apo shkrimtari i burgosur Visar Zhiti, dhe gjithë të shquarit e Letrave shqipe, që iu vunë prangat. Mesazhet që u dhanë me rastin e shuarjes së Tij nga Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, ish Kryeministri Berisha, kreu i Opozitës Lulzim Basha, e të tjerë, tregon vlerat reale Kombëtare të Dritëro Agollit, i cili nuk i perkiste vetem pozites se sotme. Shpirti në Paqe Mjeshtrit të Penës!

Ja si shkruan në mesazhin e saj të ngushëllimit, prozatorja dhe analistja mediatike, Marjana Zeneli Bulku: Letërsia shqiptare humbi një  pelegrin që përshkroi tëj përtej problematikën shqiptare dhe tranzicionet e saj, duke mbetur gjithmonë mjeshtër i fjalës dhe i mendimit. Fenomeni letrar agollian post 90-s,  është një dëshmi e qartë,  se antikonformizmi është promotorr i zhvillimit dhe progresit në art dhe pikërisht kjo e ridimensionoi edhe njëherë veprën e Dritero Agollit duke e renditur atë në kryeveprat e letërsisë sonë dhe duke i ruajtur asaj shkëlqim të përhershëm.

Nëkryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, romancieri dhe publicisti, Vlash Fili, shpreh trishtimin dhe ngushëllimin e tij për humbjen e kolosit të letrave shqipe: “Përpos ngushëllimeve dhe trishtimit, zgjedh lavdinë e veprës së tij që na la pas, përjetë, për gjeneratat e kombit. U prehsh në paqe, me dashurin dhe respektin e gjithë shqiptarve kudo që ndodhen.”

Poetja e shquar e dhimbjes dhe e dashurisë, Iliriana Sulkuqi, mike e hershme e familjes Agolli dhe gjeniut të letrave shqipe, Dritero Agolli, me lot ndër sy shpreh ngushëllimin e saj poetik, ashtu sikundër dinë të “ qajnë”, poetët vetëm poetikisht:

“Lamtumirë Pelegrini Dritëro!… Dhèu të qoftë i lehtë! Fjala të peshoftë sa Dhèu i Globit! Ti,i shtrenjti ynë, Dritëro more sot e përgjithmonë, nga “balta” jote, që magjishëm e ktheve në pasuri kulturore, Çmimin “Nobel”, më të merituar se Çmimi “Nobel” që jepet nga komisione… Sërish do të jesh Pelegrin…, vetëm se ke ndërruar “adresën”…, atje ku të presin të malluar miqtë e tu Fjalës… Lamtumirë, pa lot, sepse kam CD -në me zërin tënd në poezitë e Tua! Pa lot, sepse kam shumë dhurata –libra, stilolaps,fotografi (nga Ju dhe me JU), që më bëjnë të besoj se frymon… Faleminderit, që na dhe në pëllëmbë të dorës çelësat që hapin dyert e Fjalës dhe Njeriut! Dhèu të qoftë i lehtë! Fjala të peshoftë sa Dhèu i Globit! [Ngushëllime Devollinjtë e Dritëroit dhe të tim eti (im atë, nga Zagradeci i Devollit, ose Buzë Uji)! Ngushëllime “ Nëna Shqipëri” e Dritëroit! Ngushëllime Poetë, miq të përhershëm të njeri-tjetrit, kudo që jetoni dhe u ka ngrirë lapsi! Dëgjofshi dhe jetofshi me lajme të gëzuara! Iliriana Sulkuqi, Brooklyn, 4 shkurt, 2017.”

“Është një humbje e madhe për letërsinë shqiptare. Është një humbje e madhe për korpusin e intelektualëve. Është një humbje e madhe për mendimin politik të së majtës shqiptare. Shoqëria civile humbi një autoritet të madh të fjalës së lire. Atdhetarët e vërtetë nuk do të kenë më një flamurtar të mëncur të mendimit përparimtar shqiptar. U prehsh në paqe e qetësi të përherëshme Dritero. Do të kujtohesh për mirë edhe në vitin 3017, ndoshta edhe 4017,-shkruan në mesazhin ngushëllues, publicisti dhe analisti, Asllan Bushati, që është njëkohësisht dhe Nën/Kryetar I Federatës Panshqiptare Vatra të Nolit e Konicës, në Amerikë.

“Ngushëllime familjes Agolli si edhe familjes së madhe shqiptare  të letrave shqipe për këtë humbje të kolosit të letrave. Driteroi i madh dritëroi me vargjet e tij dhe skaliti përmendoren e pavdeksisë dhe të tillë do ta njohin brezat. U prehte në paqe, shpirti i tij! -përcjell mesazhin e tij ngushëllues, poeti dhe shkrimtari, Mëhill Velaj.

Edhe aneëtarë të tjerë, të SHSHSHA-së, shkrimtarë, poetë dhe krijuesë që jetojnë e krijojnë në Amerikë, shprehën trishtimin dhe vlerësimet e tyre nëpërmjet rrjteve sociale dhe mediave online.

Dritërimi i Driteroit të Madh, kujtimi i ndritur i veprës së tij, do të mbeten përgjithmonë në zemrën, mendjen dhe historinë e kombit.

PERGATITI:RAIMONDA MOISIU/SHBA/

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Raimonda Moisiu, SMesazhe per Dritero Agolli

Pse dhe si u realizua filmi-aksion“Drejt Fundit”

February 2, 2017 by dgreca

Drilon Hoxha për Diellin: Ju rrëfej  si e shkrova dhe e realizova filmin aksion “Drejt Fundit”/

1 aktori

– Intervistë ekskluzive me regjisorin dhe aktorin e ri e të talentuar, Drilon Hoxha- Bisedoi:Raimonda MOISIU/

16467182_10211928684631683_320656284_n

Pasioni, Dëshira dhe Dashuria për kinematografinë, djaloshin nga Berati antik dhe mijëravjeçar, e kanë shoqëruar që në fëmijëri. Drilon Hoxha është një aktor i ri dhe i talentuar shqiptar. Ai ka lindur në Berat më  16-ë Qershor 1991, dhe më pas familja e tij zhvendoset në Tiranë.  . Mbas mbarimit të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, në Tiranë, për pikturë vazhdon Institutin e Lartë të Arteve, dhe diplomohet për regjizurë dhe aktrim. Në moshën 17-ë  vjeçare, pikërisht në vitin 2008-ë, konkuron për herë të parë në shfaqjen televizive, “Ti vlen”, ku u vlerësua nga juria për talentin e tij, si “Imitues”, plot sarkazëm dhe humor. Aktori i ri premtues në talent, vazhdoi këtë garë deri në gjysmëfinale. Disa vjet më pas, në moshën 19 vjeçare mori pjesë  në spektaklin “Albania Got Talent”, përsëri si imitues,

1 ok Aktori

imitim i fortë që e shoqëroi derisa arriti në finale.  Po atë vit aktori i ri i talentuar Drilon Hoxha, u përzgjodh në një nga shfaqjet më të mira të humorit “Portokallisë”, duke imituar shkëlqyeshëm, “personazhin kryesor”, atë – të liderit demokrat Sali Berisha. Ai qëndroi aty, për një sëzon të plotë. Ndërkohë, pasioni dhe dëshira e tij ishte për role në filma dhe roli i tij i parë si aktor në film është në komedinë e filmit “Çimi”, dhe  premiera e atij filmi u çfaq më 9 gusht 2013-ë. Dy vjet më vonë në  22 Tetor, 2015-ë, regjisori dhe aktori shqiptar,  Drilon Hoxha vjen me filmin e parë në zhanrin AKSION, në Shqipëri, i titulluar “Drejt Fundit”, kësaj here si regjisor, skenarist dhe aktor, në rolin kryesor. Pra  viti 2015-ë shënon hapjen e prodhimit të tij të filmit aksion “D.H. Production”. Në këtë bisedë tejet interesante e mbresëlënëse, Driloni rrëfen pasionin e tij për artin dhe filmin në tërësi, si i lindi idea për të shkruar skenarin e filmit “Drejt Fundit”, dhe përse. Gjithashtu ai shpalos në këtë bisedë edhe ambicjet dhe projektet në të ardhmen. Për të mësuar më shumë ndiqni bisedën.

1-raimondaok

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Përgëzime dhe urime për përzgjedhjen e filmit “Drejt fundit”, në zhanrin aksion dhe faktit si filmi ka pasur sukses dhe keni marrë vlerësime e komente pozitive.  Besoj se duhet të jeni shumë i kënaqur për këtë arritje të suksesshme…

-Së pari iu falenderoj. Sigurisht që ndjehem mirë aq më tepër kur vë re se  puna ime vlerësohet dhe lexoj komente pozitive si nga dashamirës të filmit po ashtu edhe nga kritika e kohës. Shpresoj që  ky të  mos jetë as  suksesi i parë, as i fundit.

-Ç’mund të na thoni, se çfarë nënkupton për ju të jesh regjisori i filmit aksion “Drejt fundit”? Çfarë iu inspiroi të bënit këtë film? Pse ky titull?

-Të jesh regjizor dhe protagonist në të njëjtën kohë nuk është diçka e thjeshtë, por është pasion, përkushtim dhe mund e djersë. Gjithashtu mendoj se vullneti dhe dëshira janë çelësi kryesor për të realizuar atë që dëshiron, në rastin konkret, filmin, dhe arritjen e një  suksesi të kënaqshëm e të mirëfilltë. Filmin e titulluam  “Drejt fundit” pasi vetë personazhi po shkonte drejt një fundi, drejt një rruge pa krye e pa kthim. Personazhi Çimi duket sikur e kërkon në çdo moment fundin e gjithçkaje që e rrethon.

– Fabula e skenarit të filmit është bazuar në ngjarje reale apo është “thriller”?  Pra, ju punuat në bazë të ndonjë dorëshkrimi apo…? Kush e shkroi skenarin?

Skenari është përzgjedhur e shkruar  nga unë. Nuk mund të them se është bazuar në një ngjarje reale, por mund të them me plot gojë,  se shumë histori si këto na rrethojnë çdo ditë  në Shqipëri  dhe përvojat jetësore që hasim çdo ditë në të përditshmen njerëzore, të cilat unë i përmblodha në një minutazh prej dy orësh.

– Në këtë film ju keni angazhuar, figura të mirënjohura të artit, këtu e kam fjalën për Silvana Braçen, një nga shoë-girl” shqiptare, më të admiruarat e të kërkuarat në shfaqjet televizive, aktorë të njohur e të rinj, njerës realë dhe të thjeshtë. Ju i zgjodhët  ata para apo pasi  shkruat skenarin?

-Sigurisht që  pasi mbaruam skenarin në versionin final, jemi munduar të përshtatim çdo personazh, duke filluar qa  nga aparenca, pamja  e deri në  karakteristika më të imta,  për të përcjellë emocionin e duhur. Figurat e njohura të ekranit do t’i jepnin filmit një veçanti akoma më të madhe.

-Dhe më pas si regjisor i filmit –ju- si një artist që jeni, – i cili merr një dramë të dhimbëshme sociale  të fuqishme në lidhje me jetën sociale-ekonomike-politike  në të përditshmen njerëzore, mes  krimit e ndëshkimit!  Si ia keni dalë ta bëni këtë?

-Unë mendoj nëse ia arriin të futësh  keto tre elementë në një dramë, atëhere ke arritur të  përcjellësh jo vetëm emocionin e duhur por ngjarjen si reale së bashku me mesazhin, që si shoqëri duhet të jemi të sinqertë ta pranojmë, qoftë i lumtur qoftë i trishtë.

-Keni xhiruar në mënyrë kronologjike?

-Po është mmëse e vërtetë që xhirimet kanë zgjatur rreth dy vjet. Një  film aksion kërkon shumë punë, pasion e spontanitet, përkushtim e inteligjencë..

– Ishte vështirë të xhiroje në vend të tilla larg me reliev të thyer, skutave të krimit, në Tiranë,  apo edhe afër? Përveç kushteve atmosferike të motit, si diell, shi, borë, etj, cilat ishin vështirësitë e tjera?

-Përveç kushteve atmosferike nuk besoj se kemi hasur ndonjë vështirësi tjetër.

– Unë do të doja të përmendja, si keni punuar me muzikën e filmit. Çfarë është më e rëndësishmja e muzikës dhe tingujve natyrorë për ju? Cilat ju preferoni?

-Filmi shumicën e kohës ka një instrumemnal, i cili i përshtatet aksionit,  por sigurisht që në momentet e dramës, ajo muzikë duket sikur kthehet në dhimbje të madhe shpirtërore. Muzika është çelësi kryesor i përcjelljes së një emocioni. Instrumentali muzikor  i filmit është realizuar nga Ervin Gonxhi,  ndërsa dublimin Edlir Begolli.

-Cilat janë sfidat më të mëdha që ju keni hasur në realizimin e këtij filmi? Ç’mund të na thoni në lidhje me stafin tuaj? Me cilët keni punuar më ngushtë në këtë film?

-Stafi ka pasur shumë bashkëpunim.Të gjithë realizonin detyrën përkatëse që u takonte. Jam munduar të punoj me çdo aktor, në mënyrë, që ta trajtonin personazhin, në mënyrën e duhur dhe me artikulimin e qartë të fjalëve.

– Si është pritur filmi deri më tani? Çfarë lloj mbështetje keni marrë deri më tani?

-Roli kryesor në premirën “ Drejt fundit”, ” është luajtur nga ju,  si iu bën kjo të ndjeheni?

-Është pritur goxha mirë, brenda dy javëve kemi marrë  dy  milion klikime në Youtube. Çdo ditë  marr urime pa fund. Ndjehem mjaft mire, që filmi është pëlqyer nga të gjithë.

-Çfarë mendoni për pikat më të forta që ju kini paraqitur në karrierën tuaj si regjisor? Po dobësitë?

-Për pikën e dobët nuk mund të kem një përgjigje se jam ende në kërkim të saj, por është edhe audienca e filmit që vlerëson  dobësitë. Ndërsa pika e fortë e një filmi është si puna e “një trainer I mirë duket nga lojtarët e dobët, se me lojtarët e fortë dihet që ecën dhe korr fryte të këndshme e të realizueshme, pra  besoj është e kuptueshme pika e fort.

– Cili është roli juaj më i preferuar në karrierën tuaj si aktor ? Po si skenarist dhe regjisor nga e merrni frymëzimin për të shkruar një skenar filmi?

-Roli im i preferuar deri më tani është Çimi, pasi është një personazh me  ndërthurje të ndryshme karakteresh,  rol epik e historik,  të cilin e bën mjaft të veçantë. Për sa i përket skenarit më pëlqen të shkruaj gjëra interesante dhe që mbajnë në aknth një publik të tërë.

-Ç’mund të na tregosh rreth vetes dhe rreth lidhjeve tuaja, vini nga ndonjë familje artistësh?

-Unë kam lindur në Berat dhe jam rritur në Tiranë. Biles origjina ime reflektohet edhe në të folurën time me dialektin dhe aksentin beratas, të cilit për hir të së vërtetës unë i qëndroj besnik në rolin e Çimit në film, me seriozitetin dhe humorin e tij. Kjo për ta bërë filmin sa më  real dhe të ndjeshëm. Nuk është se vij nga një familje artistë, megjithëse  se artin etë trashëguar nga brezat  më  parë të qytetit antik e i lashtë, 2500 vjeçar i Beratit.

-Mund të na tregoni pak më shumë për karrierën –dhe cili është background-i tuaj akademik?

-Karriera ime ka filluar në  Spektakëlin Televiziv  “Ti vlen”, duke pasuar  në një tjetër Spektakël “Albania Got Talent”, dhe si aktor i Portokallisë,  për një periudhë kohe,  jo shumë të gjatë. Pasioni dhe dëshira për kinematografinë më kanë  shoqëruar gjithmonë,  derisa më në fund arrita projektin tim 100 % “Produkt Drilon Hoxha”.

-Çfarë projektesh kini aktualisht?

-Kemi nisur një projekt të ri, një film tjetër shqiptar të titulluar “Jeto ndryshe” realizuar nga D.H:Production, me producent Dashnor Asllani. Jemi në bashkëpunim me kolegë nga Kosova  dhe Maqedonia. Do xhirojmë në shumë vende jashtë Shqipërisë, aktualisht përfunduam xhirimet në Kosovë.

-Urime e Suksese!

-Ju faleminderit!

Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: “Drejt Fundit”, Drilon Hoxha, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT