• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTËPIA E ËNDRRAVE

February 26, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/

Qielli i mbuluar nga retë ndehej si në një agoni të rëndë. Vranësira e zezë e kishte zaptuar tërësisht dhe dita ishte kredhur në një muzg të zymtë. Megjithëse ishte pranverë, dukej sikur të ishte palca e dimrit. Heshtja e thellë mbizotëronte në të gjithë natyrën.

Dy emigrantët bashkëshortë, së bashku me tre fëmijët po ktheheshin përfundimisht në vendlindje e tyre në Shqipëri të detyruar nga kriza greke. Gruaja mundohej të qetësonte vajzën e vogël katërvjeçare. Ndërsa dy djemtë, njëri shtatë dhe tjetri nëntëvjeçar, flinin kruspull me njëri-tjetrin në sediljen e pasme të makinës. Shqetësimi i trishtuar endej në sytë e bashkëshortëve. Nuk ishte aq për stuhinë, që po i zinte në mes të rrugës, se sa për merakun, se si do të përballonin jetën, të cilën duhej ta nisnin sërish nga e para. Të dy djemtë duhej të fillonin shkollën në gjuhën shqipe edhe një herë nga klasa e parë. Kishin menduar të merrnin një dyqan me qira. Por si do t’u ecte puna vallë?… Kjo pyetje i mundonte të dy njëkohësisht dhe mendimet e tyre ishin si retë që vargëzoheshin lyer me ngjyrën e errësirës..

-Këto re si turbullira e kafes, nga na u qepën pas sot!…- u dëgjua zëri i Fatmirit.

-Koha bën punën e saj, o burrë, – i tha Mina.

-Po ku e gjeti pikërisht në këtë ditën e sotme! – përsëriti ai.

Vajza e vogël nisi të grindej dhe e ëma po mundohej ta qetësonte. Ah, sikur dielli altruist t’i shpërndante këto re dhe tu uronte mirëseardhjen. Po edhe dielli, siç dukej ishte fshehur për shumë kohë nga retë. Mina qetësoi vajzën dhe u mbështet te sedilja. Për një moment mbylli sytë e lodhur dhe e kaploi gjumi…Një melodi si tinguj funebër, dukej sikur i vinte nga thellësia e shpirtit dhe zhurmonte  në të gjithë qenien e saj. E ndjeu veten si e veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve, duke ecur në një rrugë, ku këmbët i zhyteshin herë pas here në baltë. Nga pas e ndiqnin zogj të dobët, me lëkura të holla sa u mbulonin skeletin, dhe e gjithë natyra përreth dukej gri. Pemët gjysmë të rëna, dukeshin sikur dimri do i hante me gjithë eshtrat e mbetura të natyrës. I ftohtit e bënte të dridhej. Papritur në rrënjën e një peme të djegur, pa një plakë me flokë të thinjur, që mbante në dorë një gotë qumësht. Ajo i tha: “Pije bijë, të kesh fuqi për të vazhduar udhën, ke udhë të vështirë për të bërë!” Kur Mina zgjati dorën, gota ra dhe u thye nga një gur me majë të mprehtë dhe qumështi i derdhur u nxi nga balta. U zgjua befas e trembur nga dremitja. Zhurmën e krismës së qelqit e kishte akoma në timpanin e veshi. Lëvizi të shpihej dhe rregulloi pozicionin e vajzës.

Sakaq ia behu stuhia. Shiu zuri të binte me forcë, sikur donte ta hidhte makinën që ecte përpara si ndonjë kleçkë. Një vetëtimë dogji ajrin dhe frika ndaj saj formoi një fotofobi në sytë dhe zemrat e tyre. Vetëtima mizore, me zhurmën e frikshme, dukej sikur donte t’i kthente andej nga erdhën, për të mos vazhduar më tej… apo ndoshta zemra e kësaj stuhie, ndonëse e frikshme, mund të fshihte një mesazh, një dhembshuri nëpërmjet të folurës me britma bubullime? Të pestë ishin të shqetësuar derisa të mbërrinin në shtëpi. Ndoshta fatet janë të shkruara në qiell, dhe po ashtu qielli dërgonte sinjalet në format e veta.

Në mbrëmje ata arritën në qytetin e tyre. Kishin marrë më parë një shtëpi me qira, dhe këtej e tutje, ajo do t’i strehonte brenda jetët e tyre.

Ditët në vazhdim vijuan me marrjen me qira të një dyqani dhe nisën për të sistemuar aty raftet e duke vendosur ushqimet. Mina ishte mësuar në Greqi me një jetë të lodhshme plot sakrifica, duke punuar orë pa orë në pastrimin e shtëpive të ndryshme. Këtu ajo do te merrej me shitjen, kurse Fatmiri do të bënte gjithmonë më furnizimin me artikuj të ndryshëm. Dalëngadalë puna filloi të ecte. Pra, jeta me nismën e tyre private, po merrte drejtimin e saj.

Kaluan dy vjet. Fatmiri dhe Mina blenë truall për të ndërtuar një shtëpi. Shumën për ndërtim menduan ta merrnin kredi në bankë, por më parë duhej leja e ndërtimit, që kredia të ishte e volitshme, me pak rrethana lehtësuese. Pikërisht këtu filluan ecejaket e ditës për fatmirin. Qëndrimi i ftohtë i zyrtares me pretekstin se “janë bllokuar lejet” ishte njësoj sikur t’i binte mbi kokë pesha e gjithë njerëzve të qytetit. E ç’kërkonte ai, në fund të fundit, vetëm të bënte një shtëpi në mënyrë ligjore. Një ditë takoi rastësisht, Enon, shokun e viteve të rinisë. Pasi i tregoi hallin, mori prej tij premtimin se do ta ndihmonte. Ditën tjetër ata shkuan së bashku në bashki. Eno diçka i tha zyrtares së ftohtë dhe u ngjitën në katin e dytë, pikërisht te drejtuesja kryesore. Atë e quanin zonja Deni, një grua e vjetër, e shëndoshë, me sy tinëzarë, të ethshëm për të hedhur grepin e peshkimit. Kuptohej se e gjithë qenia e saj ishte shdërruar në një specie, që priste baticën e ardhjes së peshqve, për t’i sjellë të ardhura për një jetë luksoze në vitet e mbetura të jetës. Në pallton e shtrenjtë që kish veshur, rrotullohej një shall i bërë nga bisht dhelpre. “Ah kjo dhelpër deti!”- mendoi papritur Fatmiri.

-Përshëndetje, Deni! – i tha Eno.

-Si je Eno? – u dëgjua ajo duke rrotulluar sytë mbi Fatmirin.

-Unë mirë, Fatmiri është shoku im,- e prezantoi Eno -Të lutem ndihmoje, pa dyshim që do ta kesh kafen tënde…

-Përshëndetje, zonja Deni, – i tha Fatmiri,- nëse mund të më ndihmoni do t’u jem mirënjohës…

-Do të ndihmoj patjetër, si për Enon… Por s’varet vetëm nga unë. Janë edhe njerëz të padukshëm mbas meje…

-Si bëhet, të më dali leja e ndërtimit? -pyeti Fatmiri me padurim.

-Si fillim nevojiten treqind mijë lekë të reja, pastaj do të them edhe për nevojat në vazhdim… Unë nuk marr asgjë. Dua vetëm, që për ndërtimin e shtëpisë, të marrësh firmën e burrit tim. Pas mbarimit të shtëpisë, do kesh edhe hipotekën në dorë.

Fatmiri përtypi pështymën e mbledhur në fyt dhe tha:

– Mirë, paratë do i keni në mëngjes… –  i doli nga buza me gjysmë zëri dhe ata dolën bashkë me shokun.

– Po nuk e vajose rrotën e fatit me vaj, ajo nuk ecën këtu në Shqipëri…- i tha Eno.

– Faleminderit, Eno, – do shihemi… ia ktheu Fatmiri pa e zgjatur.

Fatmiri vazhdoi rrugën për të bërë furnizimin e dyqanit. Ato treqind mijë lekë të reja ishin të vetmet që u kishin mbetur nga kursimet e viteve të punës në emigracion… Por çdo bëhej vallë më tutje, si do të lëkundej lavjerrësi i fatit?… Ai mendoi se njeriu lodhet dhe plaket më shpejt nga të menduarit, se sa nga ritmet biologjike. Duhej të gjente para të tjera borxh, për të vazhduar më tej. ”Niset njeriu të ndërtojë një shtëpi ligjore, tu lërë një çati fëmijëve të tij, por kjo ose bëhej e pamundur, ose duhej të hidhte vallen, sipas dirigjimit të hijenave nëpër zyra. që ushqeheshin vetëm me para… Këmbët i hiqte zvarrë duke vështruar përtokë dhe ndonëse pranvera sapo kishte hyrë, Fatmirit i dukeshin sikur edhe pemët rrinin të përkulura me kurriz, duke peshuar se “a duhej të çelnin”. Sikur lulet e pemëve të ishin perla dhe krahët e zogjve, copëza drite ylberi, të gjithë do të përpiqeshin t’i rrëmbenin. Sa e varfër do të ishte kjo botë e zhveshur tërësisht. Ato para që i kishin mbledhur me rruazat e djersës së tyre, nga mundi dhe sakrifica e përditshme, tani ishin një dorë ryshfeti për lejen e ndërtimit.

Bisedoi me të shoqen dhe të dy ranë dakord që t’ia jepnin lekët zonjës Deni të nesërmen. Njëkohësisht do të bisedonin me motrën dhe vëllanë e Minës, nëse kishte mundësi ti ndihmonte me para borxh. Motra dhe vëllai i Minës u treguan të gatshëm me ato mundësi të pakta që kishin ta ndihmonin Minën e tyre. Fatmiri dhe Mina e kishin ëndërruar gjithë jetën një shtëpi të tillë dhe e kishin përfytyruar mes tyre deri në detajet më të imta….Si në një pasqyrë ku shikon imazhin tënd, ballin, hundët,buzët, po ashtu ata shikonin, një formë të thjeshtë, dyert e bardha, verandën, kopshtin përpara me llojet më bukura të luleve, trëndafilat në vazot e mëdha qeramike, por mbi të gjitha përfytyronin një shtëpi që do ta gëzonin pasardhësit e tyre… Por, ah, sa e vështirë ishte deri në realizim. Në shtetin fqinjë, ku kishin jetuar vite me radhë, zyrtarët i përmbaheshin rigorozisht ligjit. Këtu në zemrën e vendlindjes, arteriet kryesore ishin të pushtuara nga korrupsioni. Ky korrupsion kishte fytyra, emra, dhe ligji interpretohej në varësi të letrës së çmuar që mbante emrin “para”…Brenda mureve të zyrës shtetërore, të gjithë sa vinin, të tallazitur nga jeta, pranonin kushtet, që djersa e tyre mos të shembej të nesërmen.

Tre muaj pas dhënies së bakshisheve pa fund, më në fund ata morën lejen e ndërtimit. Tani do të ishin të plotësuar me dokumenta, për t’iu drejtuar bankës, e cila pas firmosjes së letrave, aprovoi marrjen e kredisë. Pas tre muajve të tjerë, me kërkesa pa fund, shuma e përcaktuar nga bashkëshortët, kaloi në firmën e burrit të zonjës Deni, pra, të zotit Hilmi Hoxha. Një stërhell i gjatë, i thatë, me sy të vegjël, me lëvizje të ngadalta si gjarpri kur zvarritet. Ndonjëherë mendimi që krijon për tjetrin në vështrimin e parë, të mbetet deri në fund, sepse imazhi i krijuar është rezultat i refleksit që krijon energjia e tij. Megjithëse ai bënte një jetë materialisht të mirë, shpirti i dukej si i prejardhur nga një jovertebror. Këtë përshtypje kishte Fatmiri kur e takoi për herë të parë zotin Hilmi….Ai ndjeu sikur të kishte pranë një gjarpër-njeri që mundohej të tregohej i njerëzishëm. Sado Hilmiu rrekej të buzëqeshte, ai përsëri ngërdheshej dhe bëhej më i shëmtuar me mollëzat që i rrudhoseshin në gropat e fytyrës. Koka e tij tullace, dukej si e një dordoleci që kishin harruar ti vinin paruke.

Hilmiu e siguroi që punimet do i fillonin të nesërmen, sipas projektit që kishin bërë. Fatmirit i erdhi një valë e ngrohtë në zemër. Më në fund ëndrra do bëhej realitet i prekshëm. Ethet e emocioneve e kishin pushtuar të gjithin. Ditët derdimene tani duhej të kalonin shpejt… Kjo ëndërr i kishte zaptuar trurin. Flinte dhe zgjohej me të vetmen figurë shtëpie të vizatuar në tru. Kush ka jetuar me qira, e di që imazhi i ëndrrës është pikërisht një shtëpi. Shkonte çdo ditë për të parë punimet, çdo tullë që vihej, çdo brez muri dhe shtëpia dalëngadalë po merrte formë.

Por një ditë, kur shtëpia ende s’kishte mbaruar, Hilmiu e mori në telefon Fatmirin të takoheshin tek shtëpia e re. Të nesërmen në mëngjes pasi u përshëndetën Hilmiu i tha:

-Siç e shikon, ka dalë shumë e bukur, tamam sipas projektit. Deri këtu erdhëm me shumën e bankës. Janë akoma dyert, dritaret, punët hidraulike, elektriket dhe pllakat për të bërë… Këtu ke fletët e llogarive, sa janë derdhur bashkë me koston e tyre…

Fatmiri nuk mund t’u besonte veshëve. Ato fjalë të thëna aq thjeshtë, patën fuqi të tronditnin keqas ëndrrën e tij.

– Si është e mundur? – shfryu Fatmiri… -Unë nuk e mora të gjithë shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Afërsisht dy milionë i mbajti banka për shpenzimet e saj. Tani u dashkan edhe rreth tetë milionë lekë të vjetra të mbarojë!… – Ndërkohë ai mendoi me habi të pazakonshme, si ishte e mundur, që disa njerëz me atë ftohtësinë e tyre të akullt, ta kalbin botën e ta bëjnë jetën për të hedhur në kosh . A nuk e dinte ky njeri se kjo shtëpi ishte jeta e tij. Dhe iu kthye tjetrit përsëri:

– Unë nuk besoj kurrsesi, që 28 milionë lekë mos të dalin për një shtëpi 100 metra katror…

-Ke preventivin dhe fletët e llogarive në dorë… – ia ktheu Hilmiu krejt indiferent.

Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe ndjeu nevojën t’i shkrehej atij si pistoletë, por e përmbajti veten.

– Edhe unë, në ndërtim kam punuar, nuk erdha nga pylli… – i tha me zemërim dhe shikoi sërish letrën e llogarive… –Hë, një rrjetë teli njëqindmijë lekë të vjetra, u bë një milion… Edhe materialet, i paske vënë dyfish, hekurin nga 6,1 ka vajtur me 7,5. E kështu ndoshta nuk do të dalin as tridhjetë milion të tjera.. Unë do të marr një inxhinier ndërtimi t’i bëjë saktë llogaritë, dhe atëherë do flasim ndryshe…

Stërhelli i gjatë u zbeh dhe i tha me nxitim:

– Unë jam inxhinier ndërtimi dhe kjo shtëpi kaq ka kushtuar, por nuk përjashtohen gabimet, t’i po më akuzon? – u shkreh ai dhe i doli përpara ta ndalonte të ikte.

– Ti e di që jam zhytur i tëri në kredi e borxhe, – i tha Fatmiri me mllef të rëndë.

-Veç atij gabimi të zeros, të gjitha janë në rregull. -ngulmoi në fjalët e tij Hilmiu.

– Do flas me bankën, të kalojë edhe dymilionshin që është mbajtur, por llogaria e thjeshtë është se për një shtëpi të ndërtuar me firmë po shkon 300 mijë për metër katror zotëri…

-Mos do t’i vë unë paratë nga xhepi im?! – i tha Hilmiu i nxehur

– Unë kam ardhur përditë në ketë shtëpi, kam shënuar dhe numëruar çdo material, llogarinë do e bëj me një inxhinier ndërtimi, më hap rrugën! – i shfryu Fatmiri dhe e shtyu fort me dorë.

Oborri i shtëpisë me copa tullash dhe dërrasa me gozhdë të hedhura pa kujdes, bëri që Hilmiu të pengohet në një dërrasë, dhe të bjerë mbrapsht duke e përplasur kokën në një tullë të thyer.

Fatmiri i tronditur, rendi në çast dhe shkundi, por ai nuk përgjigjej…

– O Zot më ndihmo…Hilmi, përgjigju! – bërtiste duke u dridhur. Pastaj me mundim e vuri trupin e tij në makinë dhe rendi drejtë spitalit.

Aty iu përgjigj disa pyetjeve të mjekut, dhe pastaj ai e pyeti gjithë ankth:

-Doktor ka vdekur?…

-Jo u përgjigj mjeku, – është në koma, por nuk dimë nëse do zgjohet apo jo…

Oh tmerr i vërtetë. Kurrë nuk kishte menduar, se qoftë edhe një aksident pa dashje nga dora e tij, mund t’i merrte jetën tjetrit… Si erdhi ky çast memec, kjo ditë e nëmur,që tronditi shpirtin e tij. I dëshpëruar thellësisht, për herë të parë në jetë mendoi: “A ia vlen të jetosh, i privuar nga ëndrra, nga familja, nga liria e varfër”. Kurrë nuk i shkonte mendja se mund të vriste një njeri… Dhimbja e tij u rrit si një gjembaç, që me degët shpuese theu dritat më të bukura të ëndrrës së tij. Dhe tani i zhytur në errësirë priste vendimin ”çdo të ndodhte?”

Brenda disa orësh Fatmiri ishte shndërruar krejtësisht në një kufomë që shpirti e kishte braktisur plotësisht

Pas shpjegimeve të Fatmirit, mjekët njoftuan policinë dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor, deri në përgatitjen e paraqitjes penale…

E gjithë familja iu bë gardh, që ai mos të binte në depresion. Eno, shoku i tij e ndihmoi dhe solli avokatin më të mire, me shpenzimet e veta. Kurse Zonja Deni, bëri çmos që ai të dënohej me burgim të përjetshëm, ndonëse rrethanat lehtësuese ishin në favor të të tij.

Megjithatë Fatmiri u dënua trembëdhjetë vjet heqje lirie. Tani i rënë krejt moralisht ai po hante lotët e dëshpërimit. Kishte jetuar ndershmërisht në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë sherre, as t’i binte njeriu në qafë, ndërsa tani, burgim për vrasje pa dashje. Ai u mbyll brenda fortifikatës së heshtjes së pafuqishme, duke kujtuar ditën e parë të kthimit në atdhe… Ndoshta ishte thjesht një paralajmërim fati… Donte të ulërinte, sikur ta thyente qiellin dhe ta kthente mbrapsht kohën me ujëvarat e hidhërimit… E gjithë kjo periudhë trembëdhjetëvjeçare ishte një rrjedhje e hidhur.

Mina shiti makinën për të larë borxhet dhe për të rregulluar disi një dhomë të shtëpisë së pambaruar. Ajo punoi në dyqan e vetme, me ndihmën e pakët të fëmijëve të vegjël. Shpesh për të furnizuar dyqanin, ajo bashkë me fëmijët i merrnin produktet nga magazinat e ndryshme dhe i mbanin me krahë deri te dyqani. Por pesha më e madhe ishte përgjegjësia që kishte për ta, në mungesë të Fatmirit. I duhej të ishte edhe nënë edhe baba. Mes mundimesh dhe sakrificash të mëdha, me të ardhurat e vogla të dyqanit, ajo pagoi këstet mujorë të bankës dhe rregulloi disi shtëpinë.

Ndërkohë Fatmiri i kërkoi djalit të motrës së Minës që studionte për inxhinieri ndërtimi, t’i dërgonte librat e tij dhe të gjithë kohën e kaloi duke studiuar. Ishte vetëm dyzetë vjeç kur u fut në burg, dhe doli prej andej pesëdhjetenjë. Dy vjet iu ulën në kuadrin e një ligji për rehabilitimin e të dënuarve me sjellje të mirë.

Daljen e tij nga burgu e pritën të gjithë me lotë që nuk shternin. Kur iu afrua shtëpisë, ai po e përkëdhelte me sy njësoj siç përqafoi fëmijët. Dhe pasi vështroi gruan e tij me sytë e dashurisë dhe mirënjohjes, tha me vete: ”Vërtet unë isha fatkeq në këtë jetë, por jam me fat që kam një grua të mirë dhe fëmijë të mbarë…”

 

Filed Under: Featured Tagged With: SHTËPIA E ËNDRRAVE, Tregim, Vjollca Tiku Pasku

Bluza me zinxhir

January 24, 2014 by dgreca

Tregim nga Viron KONA/

Isha nxënës në klasën e katërt atëherë, kur babai im rrobaqepës, më qepi një bluzë kadife të çelur, e cila hapej gjer në fund të gjoksit me një zinxhir në ngjyrë floriri. Kur po bëhesha gati të shkoja në shkollë, bëja ç`bëja dhe shihesha në pasqyrë. Ajo bluzë më shkonte shumë dhe më zbukuronte pamjen e fytyrës. Po më pëlqente vetja, madje po kuptoja se isha simpatik. Ndërkaq, provova të ngre përpjetë flokët përpara ballit dhe m`u duk se ashtu më shkonin më shumë.

-Ti paske humbur për këtë bluzë, sa të shkuaka! – më tha nëna dhe më mbajti një çast të përqafuar pas vetes.

Sapo shkova në shkollë, bluza ime kadife ra menjëherë në sy të shokëve dhe veçanërisht të vajzave të klasës, disa prej të cilave më hidhnin ca vështrime ndryshe nga herrët e tjera. Ndihesha i lumtur dhe, me mendje falënderoja babanë për atë dhuratë të bukur që më kishte bërë. Madje, kohë pas kohe, kur mësimi ende nuk kishte filluar, ngrihesha gjoja të pyesja shokë të klasës për zgjidhjen e ushtrimit të ditës, ndërsa tërhiqja vështrimet e të tjerëve te bluza ime e bukur. Përpjekja ime për t`u dukur, ra në sy të klasës.

-S`u mbajtka njëri sot! – tha Tori, njëri prej shokëve. Të tjerët bënë buzën në gaz me dashamirësi.

Orën e tretë kishim Dituri me mësues Xenin, një mësues me një zë të butë e thuajse femëror. Kur ishte i qetë dhe ne paraqiteshim si nxënës të urtë, ai sillej me shumë dashamirësi, por, sapo ndonjëri e tepronte me ndonjë prapësi, apo vinte i papërgatitur në mësim, ai zemërohej, madje nxehej e, ndonjëherë bëhej xhind, thuajse tjetërsohej.

Mbaroi gjysma e parë e orës. Mësues Xeni kishte kontrolluar detyrat, kishte ngritur tre nxënës në tabelë, ndërsa disa të tjerëve u kishte dhënë detyra në klasë. Pastaj, ai nisi të shpjegonte mësimin e ri. Në atë pjesë të orës, çdo mësues, kërkon vëmendje dhe përqendrim të nxënësve, sepse, siç thoshte edhe mësues Xeni, kuptimi i mirë i mësimit në klasë, ishte më shumë se gjysma e punës.

Ndërkohë që, mësues Xeni shpjegonte në dërrasën e  zezë, unë se si lëviza zinxhirin e  bluzës që ta hapja dhe ta mbyllja, pa qëllim, thjesht për qejf, por, kur po e ngrija sipër, ai kushedi pse ngeci. E provova ta ulë gjer në fund dhe ai u ul. E ngrita, por ai arriti gjer në gjysmë. Koka e tij e verdhë nuk ngrihej më sipër. Kjo gjë më shqetësoj dhe, një copë herë nisa të merresha me zinxhirin. Mungesa ime e vëmendjes ndaj mësimit, ra në sy jo vetëm të shokëve të klasës, por edhe të mësues Xenit.

-Këtu mendjen, kokëlakër! – më tërhoqi vërejtje ai, duke vazhduar të shkruaj në tabelë. Në të vërtetë, fjala fyese kokëlakër nuk bëri aq shumë përshtypje në klasë, sepse, mësues Xeni, e kishte zakon që kur donte të të qortonte, përdorte fjalë fyese të bashkëngjitura që kishin rrënjë fjalën kokë. Llojet e përdorimit të tyre shprehnin edhe tri gradë të zemërimit të tij: Në gradën e parë të zemërimit, ai i bashkëngjiste rrënjës kokë, emra zarzavatesh: kokëlakër, kokëqepë, kokë presh, kokë spec djegës…Në gradën e dytë, bashkëngjiste emra kafshësh: kokëderr, kokëlopë, kokëdhi, kokëbuall, kokëmushkë.. Kurse, kur zemërimi i tij arrinte kulmin, domethënë gradën e tretë, ai përdorte fjalë me emra zvarranikësh: kokë gjarpër, kokë  krokodil, kokë bretkosë, kokë zhapik, kokë hardhucë prehistorike…

Disa çaste e ndala veprimin për zhbllokimin e zinxhirit.

-Mos u merr më me zinxhirin se do ta prishësh më keq. Ta rregullon babai kur të kthehesh në shtëpi, – më pëshpëriti   Vasoja, shoku im i bankës.

Por, pak minuta më pas, ngaqë nuk po e largoja dot mendjen nga zinxhiri i prishur, ia fillova përsëri ul e ngri, ulë e ngri. Gër – vër, gër – vër. Zinxhiri, ashtu si edhe në fillim, veçse arrinte të mbyllej gjer në mes dhe nuk ngjitej më sipër. U harrova pas tij dhe  isha skuqur e djersitur i tëri nga sikleti, kur, befas, ndjeva një dorë, që ma kapi bluzën fort afër zinxhirit dhe ma tërhoqi disa herë, duke më thirrur me zë të lartë, të ashpër, qortues e fyes:

-Të thashë, këtu mendjen, more kokëbuall!

Klasa mbajti me zor të qeshurën, kurse unë u ndjeva keq përpara shokëve dhe mësuesit, jo vetëm se ai kishte arritur në gradën e dytë të zemërimit, por, edhe sepse zinxhiri me siguri që ishte prishur më keq dhe s`do të kishte usta që ta ndreqte. U bëra pikë e vrer, por pak sekonda më vonë, vura re se, për shkak të asaj tërheqje që i kishte bërë bluzës sime dora e fortë e mësuesit, kishte ndodhur çudia: zinxhiri ishte rregulluar. Kishte ndodhur ajo që na ndodhte shpesh herë në shtëpi kur nuk ndizej radioja ose televizori bardhë e zi që kishim atëherë. “Bamp”, – e godiste babai im radion dhe zëri i vinte si me magji. “Bramp”, godiste ai prapa televizorit dhe në vend të mizave, figura shfaqej e qartë në ekran. Edhe zinxhiri i bluzës sime të re, pas asaj tërheqjeje me forcë, u rregullua plotësisht, koka e tij e verdhë, ngrihej dhe ulej lirshëm dhe pa u sforcuar. Bluza ime, tashmë dukej për bukuri. Me atë lëvizje të nervozuar, mësuesi im, Xeni, ma rregulloi zinxhirin, gjë që më gëzoi pa masë dhe bëri që të harroja fjalët fyese ”Kokëlakër” dhe “Kokëbuall”, që ai përdori ndaj meje në zemërim e sipër.

Kur mbaroi ora e mësimit dhe kishim pushimin e gjatë, dola me nxitim te dera e klasës dhe, sapo mësues Xeni u shfaq në derë me regjistër në dorë, unë i thashë:

-Të falënderoj shumë mësues që ma rregullove zinxhirin e bluzës!

Për habinë time, ai kushedi pse u zbeh i tëri në fytyrë, madje u zverdhë dhe buzët po i dridheshin nga një zemërim që sa vinte e rritej. Me sa dukej m`i mori si tallje apo ironi ato fjalë dhe m`u kthye me duf:

-Do ta mbyllësh gojën ti kokëmushkë, apo si e ke hallin!

-Unë vetëm po ju falënderoj mësues, sepse juve me të vërtetë ma rregulluat zinxhirin e bluzës sime të re.

Atëherë ai ma kapi përsëri bluzën më njërën dorë, ma tërhoqi si të ishte një leckë dhe më bërtiti përsëri në fytyrë.

-Me mua po kërkon të tallesh ti, kokë krokodil!

-Po jo mësues, jo, vetëm po ju falënderoj, – përsërita me zë të mekur.

-Ik, qërohu nga sytë e mi dhe mos më zërë rrugën, o kokë hardhucë prehistorike, – më bërtiti përsëri ai, duke përdorur kësaj here fjalën fyese më të rëndë të gradës së tretë. Dhe, ashtu, i bërë xhind nga zemërimi, u largua duke përplasur këmbët nëpër shkallë.

Më keqkuptoi thashë me vete dhe doja t`i shkoja pas e ta sqaroja  se nuk ia kisha me të keq. Ai, me dashje apo pa dashje, zinxhirin ma  rregulloi dhe, nuk ishte i nevojshëm përdorimi në një kohë aq të shkurtër, i tërë atyre fjalëve fyese ndaj meje.

Shoku im i mirë, Vasoja, që më ndiqte hap pas hapi mos bëja ndonjë budallallëk, më tha me zë të butë.

-Mos e zgjatë më, ka rëndësi që zinxhiri i bluzës që ti e ke me merak dhe që të shkon shumë, u rregullua. Me kohë, edhe mësuesi do të sqarohet se ti vërtetë do që ta falënderosh dhe jo ta fyesh. Sot, përderisa ai përdori fjalën kokë hardhucë prehistorike, që shprehë gradën e tretë të zemërimit, mirë është të mos i dalësh përpara syve. Veç kësaj, t`i duhej t`i kërkoje të falur, sepse sot vërtetë që nuk e kishe mendjen në mësim.

Vasoja kishte të drejtë dhe unë e lashë me aq. Nuk e zgjata më.

Kur shkova në shtëpi, teksa po haja drekë, babai më pyeti se si kisha kaluar atë ditë. Druaja t`i thosha se, ngaqë më ishte prishur zinxhiri i bluzës, nuk e kisha pasur mendjen në mësim dhe mësuesi më kishte tërhequr vëmendjen, por më erdhi më për mbarë  t`i them atë që m`u duk se ishte  më interesante. I tregova për zinxhirin që më ishte bllokuar dhe se mësuesi me një lëvizje të dorës e kishte rregulluar menjëherë.

Babait iu bë qejfi.

-Kam thënë unë, – iu kthye ai mamasë, – Xeni, është mësues dhe njëri i mirë. Edhe i ati kështu ka qenë, njeri që i tërë qyteti e respektonte sepse u vinte në ndihmë njerëzve.

Ditën tjetër, ishte takimi mujor me prindërit dhe në shkollë shkoi babai. Në ato takime, mësuesi, pasi fliste në përgjithësi, u jepte secilit prej prindërve notat e fëmijës së tij, duke i dhënë sipas rastit edhe këshilla të veçanta.

Kur po ndaheshin, babai i shtrëngoi dorën përzemërsisht mësues Xenit dhe i tha:

-Të falënderoj mësues Xeni, je me të vërtetë një mësues i përgatitur dhe nxënësit të duan. Lëndën e shpjegon mirë, por ke edhe merak që t`i mësosh fëmijët tanë. – Babai heshti një çast dhe vijoi buzagaz: – Veç këtyre, unë gjej rastin që edhe të të falënderoj, sepse ti  u tregove aq i vëmendshëm saqë, i rregullove edhe zinxhirin e bluzës  tim biri.

Mësues Xeni, sa dëgjoi të përmendej zinxhiri, tërhoqi me ngut dorën e tij nga dora e babait tim, gjaku i kërceu në kokë dhe iu kthye babait  me zemërim:

-Po kërkon  të tallesh me mua?

-Të lutem, unë po të falënderoj, – i tha babai  tepër i habitur nga ndryshimi i papritur i mësuesit.

-Falënderim i bukur! – ironizoi mësues Xeni dhe u largua tërë nerv sikur ta kishte pickuar ndonjë grerëz.

-Po ky, ç`pati, çfarë fjale të keqe i thashë!? – ia bëri babai i habitur tej mase. Bëri t`i shkonte pas, e të sqarohej, por dikush aty pranë e këshilloi ta linte me  aq sepse mësues Xeni atë ditë dukej tepër i lodhur.

Babai u kthye në shtëpi i mërzitur.

-Nuk e di pse më keqkuptoi !? – iu ankua ai mamasë sime.

-Eh, lëre me kaq! Edhe ai ka hallet e tij, – i tha mamaja ime  e urtë e gjithnjë paqësore,  duke vënë tiganin në zjarr.

Gjatë asaj nate babait i doli gjumi disa herë, ngaqë i shkonte mendja te reagimi i mësuesit, i cili, kushedi pse, kishte mbetur i fyer pas fjalëve falënderuese që i kishte thënë.

Të nesërmen, babai kërkoi ta takonte mësues Xenin, por ai i dërgoi lajm se ishte i zënë dhe se nuk kishte kohë ta priste. “Njëherë tjetër”, – kishte thënë ai. Duke dalë nga shkolla, babai kishte takuar rastësisht drejtorin, me të cilin njihej prej kohësh.

Drejtori e takoi me respekt dhe, aty, babai i tha se kishte shkuar t`i shprehte falënderime për mësues Xenin, i cili sillej mirë me nxënësit, i mësonte dhe kujdesej për ta. – “Madje, – kishte shtuar babai, – mësues Xeni, duke qenë i vëmendshëm, i rregulloi djalit tim zinxhirin  e bluzës. -Ndërkaq, – kishte vazhduar babai, – të më fali mësues Xeni, se, ne prindërit, e teprojmë nganjëherë në komunikim dhe, për këtë shkak mund të lindin edhe keqkuptime që s`janë për t`u zënë në gojë…”

Drejtori e kishte dëgjuar me respekt, e kishte falënderuar që i kishte folur mirë për mësuesit dhe, pas këtij takimi, babai ishte larguar i qetësuar.

Në mbledhjen e Këshillit të Mësuesve, drejtori, krahas vërejtjeve e kritikave për ndonjë orë mësimore të kontrolluar prej tij, bëri edhe disa vlerësime. Midis të tjerave, ai vlerësoi kujdesin e mësues Xenit me nxënësit, tha se, edhe nga prindërit kishte opinione të mira për atë mësues dhe, midis të tjerave, ai kishte përmendur edhe rastin e rregullimit të zinxhirit të bluzës.

-Këtë, ma tha vetë prindi i nxënësit, i cili m`u lut që ta falënderoja mësues Xenin në mënyrë të veçantë, – u shprehë drejtori.

Mësuesit e tjerë kishin kthyer kokën nga Xeni me vështrime dashamirëse dhe përgëzuese, por, ky, duke i befasuar të gjithë, ishte ngritur me zemërim dhe i ishte vërsulur drejtorit, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë.

-Drejtor, më mirë merrni masë disiplinore dhe mbani qëndrim ndaj meje sesa të më tallni e të më fyeni këtu në prani të kolektivit. Unë nuk merrem me rregullime bluzash e zinxhirësh, por me lëndën e diturisë, – dhe, duke thënë këto fjalë ai ishte ulur, duke u dridhur i tëri  nga zemërimi.

-Më fal nëse të fyeva padashur mësues Xeni, por unë veçse po e vlerësoj zellin tënd për t`u përkujdesur për nxënësit, – i tha butë drejtori.

-Faleminderit, por, nuk më duhet dhe nuk më intereson ky lloj vlerësimi!

Të nesërmen sapo hyri  në mësim, mësues Xeni hodhi regjistrin mbi tavolinë, erdhi me hap të shpejt drejt e tek unë dhe, pasi më kapi fort te bluza ku ndodhej zinxhiri, e tundi fortë disa herë. Zinxhiri kërciti, doli nga vendi dhe mbeti i varur mbi bluzë.

Teksa mësuesi im largohej duke nënqeshur drejt tavolinës, zinxhiri i verdhë që lëkundej mbi bluzën time, tashmë, kushedi pse po më dukej  si koka e një hardhuce. Ndjeja dëshirën t`i kërkoja të falur mësuesit, t`i thosha se, me naivitetin tim fëmijëror kisha ngatërruar e bërë lëmsh gjithçka, por edhe t`i shpjegoja se, midis babait tim dhe atij, kishte ndodhur thjesht një keqkuptim, ku shkaku isha unë, por, në ato çaste po më pengonin lotët që ishin gati të më shpërthenin dhe “koka e asaj hardhuce”, që vazhdonte të lëkundej më mënyrë të shëmtuar mbi bluzën time të bukur.(Ne Foto:Viron Kona)

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bluza me zinxhir, Tregim, Viron Kona

Selfoja me një sy

January 20, 2014 by dgreca

   Tregim nga  Përparim  Hysi/

Që kish një sy, dukej që  atje tej. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti se atë e gjeje kudo: sidomos në ziafete apo  në mbledhje. E pamundur që të mos binte në sy. Një e dy dhe, kur ishte puna për ta ndezur pak atmosferën, brrof ia bënte nga vëndi ku qe ulur dhe mu në mes ziafetit ( gostisë, de!), ia thoshte:

… Gjon  Banushi me një çetë/ sikur zbriti që nga retë/ … dhe hajde të mbaronte. Kur soste këtë palorecitim – se të tillë e quante- tak dhe kthehej andej nga kryesorët ( zakonisht ndonjë i ardhur nga komiteti i partisë a ekzekutiv dhe, në mungesë të tyre, kryetari i kooperativës a sekretari i byrosë) dhe, pasi priste duartrokitjet si shpërblim për aktin me vlerë (evokonte kohën e luftës kundër nazi-fashistëve, or tunjatjeta,dhe nuk qe pak), ndjehej sikur kish zënë qiellin e shtatë. Që bënte kështu dhe i binte bories  me një vrimë përherë, kishte arsye të mëdha. Këto “arsyet” tregoheshin dy llojësh nga ata që e njihnin këtë Selfon me një sy.  Ca thoshin se njëri sy ia kishin nxjerë, kur Maloja, një vërsnik i tij ia kishte mbajtur me një dardhë nga ato korrikset se ky ia kishte rrëmbyer me forcë. Të  tjerët i bënin “iso” asaj  ngjarjes që tregonte Selfoja! Kish qenë  si korrier me këtë çetën  e këtij Gjon  Banushit, të cilit dhe i thurte bejte. Epo Gjon  Banushi ato kohë rronte dhe qe oficer madhor në ministrinë e mbrëndshme. Unë e njoha këtë Gjon Banushin si komandant burgu në Talë të Lezhës, kur qeshë ushtar në Shëngjin. Qeshë emëruar mësues në këtë fshatin e Selfos dhe, tek dëgjova së pari recitimin e tij, tak dhe bëra lidhjen. Gjon Banushi qe kolonel asi kohe dhe të burgosurit e Talës, përgjithësisht, flisnin mirë për të. Duket qe dorë e fortë dhe kish arritur t’u jepte të burgosurve  edhe leje për në familje. Po qe si qe kolonel Gjoni, ky fakt nuk kish të bënte me këtë Selfon. Ky qe i një  “sëre” tjetër, po t’i besojmë atij Malos që i  kish nxjerë synë Selfos në adoleshencë. Se puna e solli që, për djall, unë të njoh dhe Malon.

*    *   *

“Invalid” ky, Selfoja, i plotësonte kushtet për të qenë komunist. Dhe po si “invalid”, në kooperativë trajtohej pak si veçan. Një tip furnitori që kish një “status” pak të zgjedhur.
Prej natyre, të ngjitej si të qe zamkë dhe kish fituar famë vetëm si e si të fuste në lakun që donte. Kryetari ia njihte “huqet” dhe sikur i kish dhënë kartabiankë që, kur kërkonte diçka që i bëhej mirë kooperativës, pa një e pa dy: t’i jepej. Selfoja, e merrte atë “diçkanë” dhe e çonte atje ku duhej. Për ashtu, nuk ia hante qeni shkopin. Dorëzohej gruri dhe ja tek e shihje Selfon mu përpara kabinës së shoferit se qe ngarkuar ai për ta dorëzuar. Shikonte që duheshin edhe ca kuintalë që kooperativa të realizonte  planin. Selfoja ia kish marrë dorën. NJë qingj të therur në thes dhe drejt e në shtëpi të drejtorit të grumbullimit. I shkathët nga goja, thoshte: – Ka mbreti bythë , jepi të hajë se do të dhjesi!!! Një qingj në atë kohë, kur Artisti i Madh Skënder Sallaku, e ironizonte me qesh e ngjesh: lexon mish e gjen  kasap!, për drejtorin e grumbullimit qe hapur porta e  Edenit. Drejtori, mbasi merrte “vergjinë”, esëll pa dalë nga shtëpia, vinte drejt  tek makazinieri:- Ndoni, “ndihmoje” pak atë Selfon se është miku im! Epo kaq, se Selfoja vërtet që kish një sy, po për këto punë shikonte sa për dy. Po sikur dhe Ndonin nuk e linte thatë, jo. Po sipas sërës: drejtorit një qingj, Ndonit një bibë. Se do lagur mjekrra që të rruhet,- thoshte. Dhe realizohej plani. Kot ishte ferma. Tek dorëzonte planin, e dinte vet Ndoni si  i mbushte defterët. Selfoja po kthehej shend e verë nga pazari. Ku i gjendej shoku Selfos! Tha një ditë kryetari për Selfon ( po e tha në mexhlis, ama) :- Një sy ka Selfoja, po punën e bën sikur ka katër palë sy.

*   *   *

Ua mori dorën këtyre punëve dhe u bë profesionist. E “helmova” dhe filanin,- tregonte. Ky, filani, na punonte në komitet të partisë.

– Po si ndodhi?- pyeta me kërshëri unë që,tash, qeshë miqësuar  me Selfon.

– Aha,- tha,- është mesele gjatë, po, kur të kthehem nga qytetit, do të tregoj.

Tek po hipte në makinën e kooperativës, e pashë që shkëmbeu ca “batuta” me një nga brigadierët:

– Janë 25 kg apo jo? Se kaq i kam thënë asaj të cilësisë unë.

– Nuk e luan topi.

Selfoja më përshëndeti triumfues dhe, tek mbylli derën  e kabinës, më shkeli synë me intimitet. Ngrita dorën  si shënjë përshëndetjeje dhe, tek pashë brigadierin në këmbë, e pyes:

– Makina qe ngarkuar me pambuk, ç’qe ai lllafi për 25 kg?

-25 kg fasule për ta nxjerrë pambukun e brigadës si cilësi e parë. Se vajë në lakra bie, apo jo?

Po ku mbahej Selfoja për këto punë. Kur u kthye nga qyteti, e prita dhe, pasi porosita nga një dopio ( me meze,sigurisht), prita atë rrëfimin se si e kish helmuar njërin që në gjithë aparatin e komitetit të partisë, mbahej më i ndershmi. Po ku të linte Selfoja për të qenë i ndershëm. I shkova në shtëpi, – më tregoi ai,- dhe gjeta të shoqen. Kisha porositur në “Dalan” të Karavastasë nja dy peshq sa një sheleg. Futur në trastë ata dhe, kur i nxora nga trasta dhe ia vura mu mbi tavolinën e kuzhinës, asaj iu hodhën sytë përpjetë. Sa u gëzua,aq dhe u habit. “Bibë” qyteti që nuk kish parë të tillë peshk, aq më shumë që aso kohe në Shqipëri  shitej nga  ia peshku kallkan ardhur nga Bullgaria,- thonë. T’ju bëjnë mirë,- e urova,- se lekët ia marr shokut Koço! Kështu i thashë asaj “bibës” unë, po nuk ishte fjalë për lekë. Ia lashë atje mbi tavolinë dhe ika.
Kur, mbas nja dy ditësh, ballë për ballë me këtë, Koçon.

*   *   *

Përqafohemi (të dy e kishim me hile: se ku donte njeri ky, Koçoja?, po dhe unë nuke doja, po më lipsej,or mik) dhe, sikur të na kishte grirë malli për njëri-tjetirn, shtrëngo e përqafohu e lëre mos e nga.

-Ore Selfo, rrofsh për atë peshkun që kishe sjellë tek unë, por mbeta pa të dhënë lekët.

-Shoku Koço, pse për kasap apo për peshkatar më merr mua, unë t’i solla se të vlerësoj si mik dhe aq. Pashë që u lëpi nga kënaqësia, por bëra sikur nuk e vura re.

– Se mos ke ndonjë hall?- më pyeti.

– Asnjë hall,- i thashë. Të të bëjnë mirë e mos ma zërë në gojë.

U ndamë dhe, këtë herë, më  shtrëngoi më shumë.

-Pse nuk ia the hallin?- pyeta unë.

– Qenke teveqel,- ma preu ai. Nuk paske dhënë ndonnjëherë rushfet. Vëre vath në vesh nga unë:- Jepe peshqeshin sot dhe prite ta “vjelësh” mot.

Atë ditë u ndamë si miq dhe, tek llogarisja se ende nuk ishin mbaruar dy “shelegët” e dalanit të Karavastasë nga shoku Koço, bëra këmbë e drejt e në zyrë. Sa më pa, ma shtrëngoi dorën fort dhe unë, pa ia lëshuar dorën ( sikur po më këputej shpirti për të) i them:- Sot kam ardhur për një hall. Dhe papritur të ma lëshonte dorën, i them:- Kam vajzën dua ta dërgoj për infermiere, por thonë që duhet nga qyteti.

-Lëma mua emrin dhe ik i qetë. Kështu, të keqen Selfoja tyja,e mbolla dje, po e ha sot. Ja, iku Këzja ime për infermiere në Korçë. Kështu që të rrojë shoku Koço! Duke rrufitur mezenë që po sosej, po zbrazte thasët e ryshfetit dhe Selfoja me një sy. Bërë “profesionist në këtë “zeje” të vjetër dhe aq aktual tërë kohës, Selfoja një ditë e pësoi.
Se gjithmonë në këto punët e ryshefteve ( në gjuhën e drejtësisë quhet mit marrje a mitdhënie), e pësojnë peshqit e vegjël. Të mëdhenjtë e çajnë rrrjetën. Kështu ndodhi dhe me Selfon me një sy. Kjo ndodhi një mëngjes kur Selfoja, me atë thesin në kurriz, si pa gjë të keq, po trokiste në derën e drejtorit të  grumbullimit. Këtij ,drejtorit, i kish dali nami për këtë punë dhe po e ruanin që ta zinin me presh në dorë. Duket drejtori nuk qe pa miq. Miku e informoi:- Të kanë vënë në shënjestër, dikush po të suverjon se nesër do të  vizitojë dikush me thes në kurriz. Sikterise publikisht dhe ke për të larë faqen si komunist. Tek  Selfoja priste të hapej dera mirëseardhëse si gjithmonë, kur dëgjon të bërtitura:- Maskara! Do të kompromentosh një  kuadër dhe komunist. Pse ç’më di mua, shok si vetja, ore qorr që dua që të ta nxjerrë dhe syrin tjetër, por ç’t’i bëj partisë ku aderoj, se e dija vet se si do të zija me shqelma mu këtu para pallatit e në sy të njerëzve. Selfos vërtet sikur i doli  dhe syri tjetër nga ç’dëgjoi me veshë. I zbriti shkallët më shumë i vdekur se i gjallë dhe mezi sosi tek makina për t’u kthyer në fshat.

Pa sosur në fshat, mbrriti korrieri  nga komiteti i partisë dhe organizata e partisë u mblodh urgjent. Selfon me një sy e përjashtuan nga partia dhe drejtori si komunist i ndershëm u pranua si anëtar i byrosë në rreth.

Se qe i p a k o m p r o m e n t u e s h ë m…

Pas një jave, sado që qe “invalid” i luftës,Selfoja iu dha gjyqit dhe u dënua për “mitdhënie” në burgun ku komandant qe Gjon Banushi,- thanë. Unë nuk kam asgjë as me GJon Banushin, por as me Selfon. As  do kisha shkruar sikur mos ky “ryshfeti” apo “mitdhënia” të jetë shtuar shumë në ditët tona. E keqja është se, përsëri, kur denocohen e hanë vetëm “Selfot”, kurse ata “shelegët” e Karavastasë e çajnë rrjetën dhe rrojnë e bëjnë pallë dhe mbajnë leksione antikorrupison. Deri kur kështu ma?- do pyeste Migjeni që është gjithmonë aktual…

 Tiranë, 20 janar  2014

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: perparim Hysi, Tregim

ARKIVOLI

January 13, 2014 by dgreca

tregim nga Hazir Mehmeti/

Gjëmimi i motit dridhi Luginën e Dushkajes. Edhe pse e rrethuar me kodra të thepisura, nuk ishte e vështirë të dallohej nga vinte.

-E hairit qoftë,- pëshpëriti Lam Burrguri i gërrmysur në kthinën nën themelet e mullirit. Sa herë që gjëmimi dëgjohej nga verilindja, nuk pritej mirë. Kjo ishte provuar disa herë.  Ia lëshoi një sy mazerës, mbështolli fishekët me lecka çorapësh të vjetra dhe doli nga bunkeri nën rropatjet e çakalles, e cila ftonte kokrrat e misrit më radhë në mesvrimën e gurit të rrumbullakët që sillej pambarim, duke e hedhur fije mielli të bardhë në miellnik.

Çatia nga bungu me dërrasat e gjëra sipër të lyera me baltëbyku nuk dallohej nga bardhësia e paskajit. Lami nuk vinte shpesh aty, mullisi, Gurini, një burrë në moshë, kujdesej për çdo gjë natë e ditë.  E donte zanatin e tij dhe ishte i respektuar nga i gjithë rrethi. Ai i njihte të gjithë drithëprurësit, bremet e thasët e tyre. I njihte edhe llojet e arnave të thasëve  dhe dinte gati saktësisht sa peshonte, pa e varur në kandar. Ai e njihte mirë edhe të zotin e mullirit, e kursente atë nga shumë punë rreth vadës, ndërrimit të cyfunëve, pykave, cokatjen e gurëve sipas drithërave e shumë punë tjera që kërkonte mulliri. Nevoja për gurët e misrit ishte e madhe shpesh duhej udhëtuar gjerë në guroren e Boletinit disa ditë për t’i  sjellë.

Kulla e Lam Burrgurit  ishte tre çerek larg, pas Kodrës së Kalasë në rrafshnaltë, ku erërat shkundnin frutat para kohe.  Rruga gjarpërore lart deri pranë kalasë nuk kalohej lehtë me qerrën e drunjtë, ngarkuar me breme drithi e rrallëherë ndonjë thes të dhintë me zastork, i cili peshonte me dhjetëra okë. Kur kjo ndodhte vendi për t’u ulur ngelte vetëm në bishtin e drunjtë zvarrës, i cili mbante drejtpeshimin sikur një bisht ketri në kërcimin e tij.

Djali i Lamit, Jaha, e kishte provuar thumbimin e gjarprit të rrasës, duke ndjekur pas qerren e rënduar, derisa kalonte Përroin e Mullirit. Pak sa nuk e kishte shuar, por gjysma e shputës e mbetur një guxhum pa gishta e përcolli si shenjë në jetën e rëndë të njeriut të gjymtuar.
Ara buzë lumit, mulliri në mes, lisat e gjatë përreth e bënin luginën e lakmuar. Mbi të gjitha pjellshmëria e saj, uji i përroit, i cili lagte të mbjellat e punuara me kujdes kur vapa digjte. Lugina e Dushkajës ishte nyje kaluese mes rrafshlartës dhe ultësirës,  e cila zgjatej në pakufi deri në Fushën e Mëllenjave ku ngjarjet ndaheshin në epoka.
Gurini, i zbehur në fytyrë,  u ngjit në ballin e Kodrës së Kalasë, palosi gurët njërin mbi tjetrin në gurapesh mbi të cilën vuri një postiqe të zezë. Lajmi për Komitet e Maleve ishte i ngutshëm.
-Ç’kemi Gurin, çka na polli tani, – pyeti Lami kureshtar, i cili kishte munguar disa ditë. Lufta e  Çetës së Komitëve të rrafshlartës në Grykën e Përroit të Keq, ku xhandarmëria kërkonte grabitjen e tokave për kolonët serbë e malazez, kishte zgjatur këtë herë më shumë.
…Xhandarët e Kralit,- e filloi bisedën Gurini, kaluan këndej me armatim, ishin shumë dhe me qerre e kuaj.  Mixha Prekë solli dy breme misër t’i bluaj, kur erdhi t’i marr me gomarin e tij ishte prishur në fytyrë, ishte bërë dhe. Kur e pyeta, u afrua afër dhe në vesh më pëshpëriti i frikësuar.

-Në besë po të tregoj dhe kjo të mbetet këtu mes nesh, përndryshe mua do më vrasin, shtëpinë do ma kallin me gjënë e gjallë.

-Fol,- i thash se nuk do ta di askush tjetër, dhe ai vazhdoi: Dje erdhën tre xhandarë në oborrin tim, ishin lagur nga shiu si pulat e nukta. Në kasollen skaj mali e ndeza një zjarr, u ngrohen dhe kërkuan raki. Pasi e paguan trefish ua solla.  Qejfli filluan të flasin mbi planet e Kralit. Ai paska sjellë në Rrafshin e Kosovës kolonë serbë e malazez, që t’i vendos në tokat e shqiptarëve, kurse shqiptarët do dëbohen për Turqi.
-Kjo nuk është diçka e re Gurin, komita po lufton  gjithandej vendit kundër këtyre planeve ogurzeza,- ndërhyri Lami i inatosur duke shkundur cigaren në rrasën e gurtë.

-Njëri nga ata, vazhdoi Gurini, tha se dhjetë kolonë do të vinin këto ditë të vendosen në Luginën e Dushkajës.
-Çka?,- i inatosur kërceu nga vendi Lam Burrguri. Kjo nuk do të ndodh, ose do lahet lugina me gjak.

– Ata e dinë se lugina ishte e mbrojtur, vazhdoi Gurini,  por kishin përgatitur kurthe të rrezikshme për ta gllabëruar tokën bashkë me mullirin. Shputanët Leshtak do vërsulen me tapi nga Aga i Vushtrrisë që ta dëshmojnë zotërimin e arave dhe mullirit. Ata janë këtu sipër vetëm një çerek ore larg, janë shumë dhe të uritur për tokë. Si argument i tyre do të jetë kumbaria me kralin qysh nga gjyshi i tyre  Gushkali.

Nga gryka lindore e luginës u dëgjua trokitje kuajsh e qerresh të shoqëruara me të qeshura e këngë që nuk kuptoheshin. Të dy burrat vrapuan nën muret e mullirit, morën pushkët dhe zunë pozicione. Zhurma e qerreve dhe troku i kuajve xhadesë së gurtë dëgjoheshin gjithnjë e më shumë, derisa u duk koka e oficerit që lëkundej në hapat e kalit. Lami mori në shënjestër, por akoma ishte shumë larg. Pas tij pasuan ushtarë me shajkat e tyre, shinjellë të gjatë deri në fund këmbëve, qerre të mbushura me burra, gra e fëmijë, kazanë, koftorë, kusia, sita, shosha, terplota, tërfurq, grabuja e vegla tjera që nuk dalloheshin,  krijuan pamje të errët në kthesën e parë mbi urën e gurtë. Qerret e fundit ishin të mbushura me dhenë, dhi, derra, pula, rosa, pata e çka jo tjetër. Trupi zvarritës i kuçedrës  lakohej xhadesë zigzage drejtë mureve të kalasë me flamuj në shtiza që luhateshin porsi thimthi helmues para kafshimit. Kuçedra serbe  kërkonte gllabërimin e Luginës së Dushkajës, tokën pjellore të saj bashkë me mullirin ujëplotë dimër e verë.

Krisma e pushkës së Lam Burrgurit mori dhënë. Koloni mbeti varur në dorëzat e parmendës, në nisjen e brazdës së parë. Freskia e luginës  mori erë baruti. “Më mirë të vdes unë e të shpëton kulla”-mendoi Lami me përvojën e tij kaçake. I vetëdijshëm se armiqtë e shumtë do ia kallnin kullën me gjithë familje, zbriti nga thepi, ia lidhi varrën, e mori në shpinë zaptuesin ta dërgoj poshtë luginës nga kishte ardhur.

Të alarmuar kolonët e gjetën të plagosurin në krahët e Lamit. Lugina u mbush me kukama e vaje të panjohura deri më tani.  Sëpata, kmesa e tfurqë u drejtuan mbi gjoksin e trimit.  I plagosuri mbahej akoma dhe iu drejtua djemve me frymën e fundit: Ky ma shpëtoj jetën duke me ndihmuar. Lëshojeni!

Sapo nisi Lami shtegun e Kodrës së Kalasë,  Komandanti i doli para, e mori ngrykë, pas tij shokët e çetës.

-U tregove strateg, na kurseve fyshekë për komandarë-  i tha Kryetrimi i Çetave Kaçake, duke qeshur.

Në gjithë vendin lufta e çetave për liri tmerroi armiqtë. Kulla e Lam Burrgurit ishte në shënjestër të djajve.  Mëngjesi i ditës së premte u gdhi me hije hienash në uniforma rreth mureve të saj. Çdo qëndresë do thoshte shuarje e të gjithëve.

-Po ti si qëllove në kullë?- i tha nipit të tij Bardhit, Lam Burrguri në qelinë e burgut famëkeq brenda mureve të Manastirit ku pushtuesit kishin folenë. Ah, “i ligu as dynjanë as ahiretin” fshau Lami. Si nuk tregoi Koti  të vërtetën kur e dinte se ti je mysafir nga Albaniku, ndoshta do të  lironin.

-Bardhi drodhi skajet e mustaqeve të zezë dhe ia krisi këngës sa gjëmoi e gjithë lugina.
            Pa ngadalë o shkau i shkinës

            sa t’ia fus fyshekt martinës…
Jehona e këngës u shpërnda Luginës së Llaushës, duke hapur frenxhitë e kullave hijerënda. Zanat e malit hapën krahët në dashurinë e pritur e të mbytur në lot.

Gardianët e tmerruar vrapuan si bishat mbi trupin e trimit. Që të dy u lajmëruan nga kryexhandari se tri ditë nuk do pranojnë ushqim. “Do ngordhni si qetë në çeli”- u tha ai duke u zgërdhi.
Z… nga fshati rrëzë Bjeshkëqyqes sillte ushqim për trimat. Në hyrje të manastirit afrohej ngadalë. “O Zot, sa e rëndë hija e mureve të gurta erë myshku”- sa nuk pëshpëriti me zë. Pasi kaloi dy kthina të mbushura përplot sheshla druri, dërrasa arkëmortesh, copa drush arriti në shkallët e podrumit skajet të cilit shtriheshin sikur një oktapod nëntokës së mbushur me të burgosur shqiptarë.  Dalja nga skëterra e mistershme përfundonte me kthinën e arkivoleve, të cilët bashkë me trupat pa jetë të shqiptarëve humbeshin pa shenjë pa dok.
Hija e rojës gjarpëronte fytyrave të zbehta në pritje të vdekjes. Mes krismave mbi dërrasat e arkivolit, Z.. dëgjoj pëshpëritje në shqip. “Vëlla, dua besën tënde, dje kam punuar dy arkivole”… Vëlla, dua besën tënde, dje kam punuar dy arkivole, mos sill bukë. Mos sill bukë kot”.

Me shikim nga duart që punonin lodhshëm qëlloi fuqishëm mbi gozhdën e ngulur si shprehje e revoltës së tij i burgosuri arkivolpunues në pritjen e arkivolit të fundit.

Shqiponjat mbi Bjeshkë dridhen krahët, duke lëshuar jehonën e hakmarrjes. Liria e kërkonte.

 

Drenicë, janar 2014

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arkivoli, Hazir Mehmeti, Tregim

KURSI I KËMBËPËRTHYERJES

January 7, 2014 by dgreca

Tregim nga Kujtim Dashi/

Në zemër të kryeqytetit, ndanë buleverdit “Dëshmorët e Kombit”, njëqind e pesë metra larg portës veriore të Kryeministrisë, shtatë-tetë metra larg një porte tjetër, asaj të rezidencës të delegacionit të Këshillit të Europës, nën hijen e njërës prej dy kullave binjake, në një lulishte të lënë krejt pasdore, ku dikur gjallonte bar “Amerika”, pas busteve të vëllezërve Frashëri romët ditë për ditë ngrejnë një si biçim kampingu. Brenda këtij kampingu funksionon “Kursi i këmbëpërthyerjes”, i paliçencuar ende, por që përgatitë ditë për ditë praktikantë të rinj. Ata, pas një kursi, ndoshta, nga më kohëshkurtit në botë, vetëkthehen në ulokë, me ç’rast fitojnë të drejtën të lypin të hipur mbi karrocat e paraplegjikëve, që kushedi ku në ç’rrangullishte i kanë psonisur a lypur borxh.
– Më ngjoni këtu, e mos m’i hallakatni sytë poshtë e përpjetë, se vallahi, asht ba jeta e vshtirë…Kafshatë e zorshme! Hë, pra, më ngjoni më vmëndje, se për të mirën tuj e kam, vallahi! Jena ba shumë! Po secili do me hangër e ka riskun e vet! Aiii, s’di me folë shumë, por po e kapa ndonji që s’e ka vmëndjen, ktuna, kam me ja përdredh kokën si t’zogut të pulës! Ngjoni ktu, pra. Kama e majtë, kush munet edhe të djathtën, përdridhet fort e futet poshtë kamës së djathtë a të majtë, e manga e pantallonave varet si zhangël, si loqet e plakut. Pse qeshni, ë? S’i keni parë nonjëherë n’ksollat tueja, a?! Mun ta futësh edhe poshtë kamës, me medemek të preme. Të dhemb? Të mpihet? Nuk e duron? Po punë e madhe fort! Do të rrish pa hangër? Atëherë mos e përthyj. Vdis urie! Jena ba shumë! Papunësi e madhe! S’na kush më në tefter! Besa, ma shumë janë të bardhë se sa na. Ka zdrypë teposhtë maloku i pafalë. Shihni si janë mushë rrugët plot e për plot! Tash po ia kërkojmë kockat atij gaxhait të madh, që as emrin po kanë frygë me ia përmenë ma. Hë, pra, për Enverin e kam llafin, ç’kini që hutoheni. Për sy të ballit s’kishte me na lanë kshtu as dhe një ditë…Ça demukracie asht kjo me të lanë pa punë e pa hangër?! S’po ka punë për profesora, pa lë për ne që s’kemi asnjë klasë shkollë. E shihni atë profesorin që shet libra në trotuar? Në Moskë ka ba studimet e tash në pleqni, i gjori, del e shet libra, në vend që të ngrohet me plakën te zjarri…Gjithë halli, a më ngjoni, asht me iu dhimb tjetrit sa ma shumë ktuna para semaforit! Mos mendoni se janë shumë një minutë, dy minuta, sa del e kuqja, shejtanja, e hyn frap jeshilja, e mira, shpresa…I duhet vu fytyrës një maskë! Çfarë thom edhe unë kështu! Po ne kena vetë fytyrën tonë si maskë! Maska e dreqit, e skamjes, e fukarallikut! Hajde, kush do ta provojë i pari? Hajde ti çuni i Zanit, se jeni kalamaj ma shumë, e Zanin e shkretë e mbyti krejt rakia, helmi…
Nga grumbulli i romëve ngrihet ngadalë, me përtesë e me droje një fëmijë zhelan, me një fytyrë të zbehtë e të palarë, me sy të pangopur me gjumë, të trembur e të lodhur. Kapërcen thesin e parë me kanoçe të shtypura, të dytin dhe del para kursantëve të tjerë, që e shohin me zili.
– Ec ktu, se s’të hamë. Çohu ti Ardit prej karrocës se s’e kemi xhezlong me ba qejf tina. Hajde, çou shtyp matanë kanoçet, që kanë sjellë çunat, në daç me hanger ndonjë gja sot. Shih sa je ba sa nji magjar! Dhe, shuajeni zjarrin. Me shurrë, e me ç’ka të mundeni. Nuk kam hall tjetër, po mos të na digjen këta komshinjtë tonë, mos na digjet Europa, që na sheh përditë, pra se s’kanë ku me hy pastaj këta politikanjtë tanë, që nga mëngjesi në darkë, bajnë dùa me hy në të…Hajde, hip ti çuni i Zanit. Ashtu, edhe pak. Mos ke frikë se të mbaj una. Ashtu de, mos ma mbaj trupin drejt me tangërllik si kapadai, se kështu nuk i hyn në sy askujt. Kujtojnë se po ban lojë, se po i rrenë, ditën për diell. Kurrkujt, vallahi, nuk i dhimsemi. Duhet me iu dhims gurit e drurit që të fitojmë nonjë gja. Shih, shih, qenka i fortë, dreqi! Ç’ke ashtu që mezi merr frymë: a je asmatik a të ka marrë uria? Askush s’e ka msue kaq mirë e shpejt sa tina! Ashtu, shumë mirë. E ngjo këtu, ti çuni i Zanit. Ça t’fitosh ktuna ke me i pru, lekë më lekë. Dakort? E di unë, çfarë të jap, pastaj. Se mos ia jep Zanit lekët, mor qyq, se i ban, naaa, raki ai. Nanës çoja të gjitha, mirë? E shkreta, ka tetë gojë me ushqye përditë. Hajde, nisu tash shpejt e te semafori! E mos u muno me ma hedh mu, se një sy e kam ktuna e nji te ti. A m’ngjon apo jo?! Ne magjypët nuk vjedhim, ne lypim.
Nga grumbulli amorf i kursantëve ngrihen turravrap dy fëmijë dhe e ndihmojnë djalin e Zanit të dalë në ditën e parë të punës si ulok dhjetëvjeçar. E ngrejnë peshë karrocën, djali nga njëra rrotë e vajza nga rrota tjetër dhe e hypin në trotuar. Pastaj, nga aty e zbresin poshtë në bulevard, si të hedhin një kaike në kanionin e rrëmbyer të makinave.
– Ec, vetë tani, të keqen motra!-i thotë vajza si t’i japë bekimin e prindërve, që s’kanë mundësi të marrin pjesë në këtë ditë të shënuar, kur i biri vetulokohet për të fituar ndonjë gjë dhe i jep një të shtyrë karrocës, e cila futet në mes të makinave të ndaluara para semaforit.-Paç këmbën e mbarë!-ia bëri zhelani tjetër, duke i shkelur syrin, si për ta nxitur që të flakë tej ndrojtjen, ngathtësinë, se për krenari, atë asqë e kanë njohur ndonjëherë.-Ruaju, të keqen motra, se mos të shtypin makinat!-i bërtet nga trotuari vajza teksa sheh djalin e Zanit, që manovron me shpejtësi dhe iu afrohet me të shpejtë te dritarja shoferëve të makinave, që frenojnë njëra pas tjetrës. Sytë i ka ngulur te semafori. Dreq sa shpejt ndërron e kuqja me jeshilen!-mendon alarmueshëm dhe turret turravrap për te shoferi tjetër me shpresë se do të jetë, në mos më i mëshirshëm, të paktën më pak cinik, më i sjellshëm se ai i mëparshmi. Me ngut fshin pështymën që i ka hedhur pamëshirë në fytyrë shoferi i benzit të zi, fytyrën prej banditi të të cilit e ka fiksuar mirë në kujtesë.-Pas teje, e kam rradhën unë!
Me një sy te kursanti tjetër, që është ulur te karroca e paraplegjikëve për të bërë njëherësh teorinë e praktikën e këmbëpërthyerjes e një sy te djali i Zanit, që fluturonte hareshëm sa te njëra makinë te tjetra, duke iu gëzuar lëmoshave të njerëzve, që begenisin t’i hedhin një sy botës së semaforëve, drejtuesi i kursit, Meti rinisi mësimin:
– Hë, pra, ku e lamë? Qe, pra, edhe djali i Zanit, jo i partizanit si jeni msue ju tuj e pa në televizor, po i Zan gjynahnaqarit të shkretë, po e fiton nonjë lekë. Shih, shih, qenka i shkathtë, dreqi! Eh, çfarë të bën kafshata e gojës? A kishte hangër gja? Si, mor, si një misër të pjekur që nga dreka e djeshme? Pse nuk më thatë të dilte dikush tjetër në kamë të tij? E kush do hipë tash në karrocë? Eja ti goca e Selimit. Ju jeni të bardhë, po jeni ma të shkunun se ne. A iu bie nonjë lekë baba prej Greqiet, apo iu ka harru krejt? Ashtu, ë? Sa vjet moj që s’bëhet i gjallë? Pesë vjet?! Vagabondi! Ndoshta, ka marrë nonjë tjetër atje. A, noshta, kalbet në nonjë burg…Kush dreqi po din…
Syri tjetër i Metit ka dalluar në të qindat e sekondës se si djali i Zanit nga nxitimi ka rrëshqitur poshtë rrotave të një makine të madhe që transportonte tulla dhe ajo e ka marrë ysh përpara si të ishte një qeskë plastmasi me plehra të hedhura diku në mes të rrugës. Makinat ndaluan rrufeshëm njëra pas tjetrës dhe prej tyre dalin me të shpejtë shoferë, udhëtarë. Kalimtarë të rastit nga të dy trotuaret kanë vënë ulërimën dhe derdhën në rrugë, kush mundi. Një gruaje i bie të fikët dhe rrëzohet shakull përtokë. Meti si shqiponjë fluturon e, duke ulëritur si i marrë “Djali, more, më iku, djali!” për disa sekonda, gjendet mu aty ku ka ndodhë mënxyra. Karroca ishte shtypur, ishte bërë si kanoçe dhe, bashkë me të pa asnjë dyshim, të njëjtin fat kishte pësuar edhe djali i Zanit. Ai me një shikim të lamtumirtë vështroi Metin dhe në atë gjendje si është, i zgjati grushtin e vogël të shtrënguar fort, brenda të cilit kishte futur lekët që kishte fituar në minutat e para të punës së tij, si ulok.
-Naanëëës, Met, naaaanëëëës…,-shqiptoi djali i Zanit dhe humbi ndjenjat.
_________
Nga vëllimi me tregime e novela (pjesa e parë e triptikut) “Në muajin e nëntë…”, Botimet “OMBRA GVG”, Tiranë, 2006.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kujtim Dashi, Kursi i kembethyerjes, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT