Ajo vajze iku e pafajshme nga kjo bote, ndersa vrasësi shëtit i lirë, ndoshta ndihet edhe krenar, pse kjo vajzë ishte aq e pambrojtur e bëri një vepër të tillë…./
Shkruan:Saranda R.Shala/
Të jetosh në një vend ku diskriminimi, pargjykimi gjinor ka më shumë vlerë se jeta e njeriut,nuk është fare e lehtë.
Sikur të vdesë një djalë i ri, qoftë prej exheli, s’ndihet zëri, tjetra po të vdesë nje vajzë e re, gojët e liga nuk rrinë rehat, thonë dhe dhjetëmijë fjalë mbrapa. Fjalë nga më të ndryshme, vënë diagnoza që mendja njerëzore nuk e nxë. Një vajzë 23-vjeçare u vra,e ky nuk është vetëm një rast i femrës shqiptare ku paragjykimi nuk ka të ndalur.Në se dje i ka ndodhur kjo një vajze të re nga Deçani, nesër mund t’u ndodh motrave tuaja.Ata kriminelë që bëjnë vepra tilla, duhet sa më shpejt të marrin denimin e merituar. Të paragjykosh një vepër të tillë kriminale, vetëm se është femër, nuk është aspak e hijshme, e drejtë dhe e moralshme, sido që të ketë qenë problem, edhe sikur ajo vajzë mund të ketë bërë ndonjë mëkat. Sot jetojmë në kohë tjetër, ku liria nuk privohet, ku dashuria është e lire, ku mentaliteti i njerëzve është krejt ndryshe. Këta njerëzit duhet ta kuptojnë.
Tek shihja atë nënë që mundohej të ngrinte vdekjen e vajzës së vet, mua me preku thellë në zemer. Kjo nënë, në vend që të vajtonte të bijën që ndërroi jetë në mënyrë të dhunshme nga njerëz kriminelë, thoshte: “ Jam krenare që vdiq faqebardhë”. Në vend të lotëve të dhembjes, ajo mundohej të ngrinte lart moralin e vajzës së saj të pafajshme. Po njerëzit vazhdojnë të flasin e të flasin. A do të flisnin këta njerëz, nëse në familjen e tyre do kishte rënë një kob i tillë? Patjetër që jo, por do të rrinin në hallin e tyre. Atëhere, pse flasin? Që këtu kemi të bëjmë me njerëz që kënaqin gojët e tyre me fatkeqësinë e tjetrit.
Këto gjëra duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë. Ndërsa vrasësi shëtit i lirë, ndoshta ndihet edhe krenar, pse kjo vajzë ishte aq e pambrojtur e bëri një vepër të tillë. Nëse do të ishte ndryshe, ajo tani do të ishte gjallë, ndaj dhe nëna e saj ndjen krenari për vajzën e vet, edhe pse ajo nuk jeton më. Sa kuptimplote gjejnë fjalët e Migjenit të madh në situara të ndryshme: “Deri kur kështu ma”.
Këto rreshta të shkruara po me aq dhembje, le të jenë një apel për të gjithë ata që paragjykojnë femrën, por një apel më i fuqishëm për drejtësinë, e cila kriminelave të tillë, t’u jape vendimin e merituar.
Kohë për reflektime pa paragjykime
DEKADA MONARKIKE, SHTETI I SË DREJTËS KARTOLINË NË DITËLINDJEN E AHMET ZOGUT/
Nga Azgan HAKLAJ/
120 vjet më parë lindi Ahmet Zogu. 87 vjet më parë Shqipëria do të shpallej Mbretni Kushtetuese. Në shumë kujtesa të shqipëtarëve, padrejtësisht kjo risi e madhe historiko-politike vjen dhe sot e deformuar falë propagandës komuniste mbi Mbretërinë dhe Mbretin. Pikëpamjet e mia, formimi dhe bindja republikane nuk më pengojnë sot ta shoh këtë ngjarje realisht me rëndësinë e saj shumëplanëshe. Po ashtu, personaliteti i Mbretit Zog vlen për mua dhe për këdo që mendon shqiptarisht të marrë vendin e parë që i takon në historinë e Shtetit dhe të Shqipërisë. Në këtë trajtesë honorifike unë do të nënvizoj ndryshimin e madh progresist që solli Mbretria e Mbretit Zog në planin politik, social, ekonomik në marrëdhëniet dhe relacionet ndërkombëtare. Analistë e politologë të huaj dhe vendas kanë sjellë me akte në kujtesën e historisë risinë që solli instalimi i Monarkisë.
Pavarësisht mashtrimit fatal që i është bërë për pesë dekada autoritetit dhe rëndësisë së Mbretit Zog dhe Mbretërisë, ata arritën në mbijetesë deri më sot, duke sfiduar fashizmin, nazizmin dhe komunizmin. Edhe në momentet më tragjikomike që prodhonte diktatura ata që përjetuan Mbretërinë me 10 vjetët e saj kurrë nuk nguruan të na lënë për mirë shprehjet e njohura: “Si koha e Zogut”, “Si paraja e Zogut”, “Si Qetësia dhe Rendi Publik i Zogut”, “Si pashaporta e Zogut”.
Është vërtet e çuditshme që edhe sot, kur duhet qetësi, maturi e realizëm në gjykimin e historisë sonë, rëndomë nëpër analiza, tekste shkollore, komente televizive, sheh, dëgjon dhe lexon mediokër të indroktinuar që si 30 vite më parë i mëshojnë slloganeve enveriste mbi Mbretërinë Shqiptare. Shumë pak historianë, specialist të mirëfilltë të analitikës e politikës flasin për ndërtimin dhe funksionimin e Shtetit nën Monarki, për Kushtetuten progresiste të vitit 1928, për Kodin Civil dhe Penal, për teknikat dhe realizimet progresiste që për kohën ishin hapat me rëndësi historike për vendin.
Prapëseprapë, le t’ua lëmë historianëve të pa indoktrinuar analizën në të ardhme. Ajo do të ndodhë, sepse në histori është e zorshme të hysh, por po aq e zorshme është që dikush të mund të largojë me dhunë të çdo lloj prej saj.
Siç e thashë në fillim, unë nuk do t’iu qasem aspekteve shumë të veçantë që përcolli Mbretëria.
Gjithsesi, janë tre momente që dua ti theksoj në këtë shkrim që përkon me një jubile mjaft të veçantë të këtij sistemi që në vend të Mesjetës dhe Monokracisë solli Rilindjen dhe Demokracinë.
Shqipëria dhe vet Ahmet Zogu, delegatë në Shpalljen e Pavarësisë së saj më 1912 dhe me kontribut të jashtëzakonshëm në Kongresin e Lushnjes që, çertifikoi Shtetin Shqiptar jo vetëm synuan, por u bënë pengesa themelore e shtrirjes së bolshevizmit në Shqipëri e më gjërë. Kemi parasysh se në Shqipërinë e atyre viteve jetonin e sponsorizoheshin pro-bolshevikët e vitit 1924, të cilët patën arritur që për gjashtë muaj të mbanin në këmbë një Grusht Shteti. Instalimi i Mbretërisë u dha fund njëherë e mirë ëndrrave të tyre. Qysh në vitin 1925 Internacionalja Komuniste në Moskë nxirrte si konkluzion shprehjen e mëposhtme dhe e vinte në gojën e Gjergji Dimitrovit: ”Hyri Zogu në Tiranë (1924) dhe iu preh hovi lëvizjes komunste në Ballkan“. Pra, jo vetëm Monarkia, por dhe monarku 34 vjeçar Zogu do të njiheshin përbotshëm si armiq të komunizmit.
Së dyti, me vendosjen dhe njohjen ndërkombëtare të Mbretit e Mbretërisë iu ndalovi shoviniste sllavëve e grekëve që sistematikisht nuk i kishin reshur orekset dhe tentativat aneksioniste në Veri dhe Jug të Shqipërisë . Jo vetëm ka, por jo pa sens Zogu e shpalli veten më 1 shtator 1928 Mbret të shqipëtarëve duke lënë hapur çështjen shqiptare dhe kujdesin paternalist për trojet e stërgjyshërve të lëna padrejtësisht jashtë kufijve shtetërorë .
Së treti, me gjithë pushtimin italo-fashiste të vendit dhe largimit nga pushteti të Mbretit dhe Mbretërisë me dhunë, për asnjë çast nuk pushoi kontributi nacional i tyre në të mirë të vendit dhe të kombit. Ndonëse nuk përmendet aspak siç duhet në histori, në Luftën Antifashiste, kontributi i mbretërorëve materialisht e politikisht qe shtysë thelbësore në lidhjen me aleatët e mëdhenj duke na rradhitur pas Rëniës së Berlinit .
Këto tre aspekte që përmenda vetëm shkarazi meritojnë, besoj, trajtime më të detajuara për të hedhur dritë mbi rëndësinë që pati për kohën instalimi i sistemit mbretëror.
Sot në këto momente përkujtimi, shumëkush, forcë apo individ politik në këtë vend ka shumë ç’të reflektojë sesi ndërtohet dhe funksionon shteti i të drejtës. Mbretëria shqiptare, pavarësisht nga kahjet politike që përfaqësohojmë duhet të shihet me realizëm jo vetëm se është pjesë integrale e historisë sonë, por sepse përfaqëson një kontribut parësor në ndërtimin, konsolidimin e shtetit dhe ruajtjen e integritetit e sovranitetit në kohë të zorshme ata, që si unë nuk përjetuan fizikisht dekatën e Mbretërisë për t’u ushqyer me të vërtetën le tu referohen jo monarkistëve, por vet sentencave që armiqtë e dikurshëm të monarkisë, si Noli dhe Konica dhanë në qetësi për të.
Le të shërbejnë këto përkujtime jo vetëm si festa partiake por, së pari si reflektim nacional. Sot më shumë se kurrë na lipsen reflektime pa paragjykime.
Ndjesa nuk ju mjafton zoti Kryeministër!
Nga Elida Buçpapaj/
Zoti kryeministër, në vend se të vinit në vend kërkesën legjitime të Prof. Sami Repishtit, ju shkuat në Shkodër e kërkuat ndjesë për dekoratën dhënë persekutorit të diktaturës.
Kur Prof. Sami Repishti, i mbijetuari i Holokaustit komunist i kërkoi ministres tuaj që të japë dorëheqjen, sepse nuk meriton të jetë ministre e NATO-s, ju nga ana juaj u mjaftuat me një ndjesë, kur persekutori i dekoruar prej Mimi Kodhelit veç At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit kishte torturuar edhe 92 viktima të tjera.
Kryeministri i vendit në vend që të reagonte energjikisht, flakë për flakë, mori rolin e protektorit të Mimi Kodhelit dhe, në vend që ta merrnit në telefon urgjentisht vartësen tuaj të kahmotëshme e t’i kërkonit të dorëhiqej, ju reaguat me sulm ndaj kundërshtarit tuaj, dhe nga Shkodra ju thatë: „Po, ne e dekoruam kriminelin, por Sali Berisha e ka privilegjuar me rrogën e veteranit.“
A nuk jeni anët e së njëjtës monedhë! Ju përdorët sulmin, sipas së njohurës – die beste Verteidigung ist der Angriff – se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por gaboheni, fajet e Sali Berishës nuk ju shfajësojnë ju.
Sepse PS e ka rehabilituar nomenklaturën kriminale të diktaturës dhe këto dekorime janë në vazhdën e rehabilitimeve. Në 1997 Nexhmija Hoxha ishte në burg, Ramiz Alija ishte në burg, Manush Myftiu ishte në burg. PS i liroi dhe për çdo ditë të burgut të tyre ata u zhdëmtuan. Pra PS i nxori të pafajshëm. Si mendoni ju zoti kryeministër, a ishin të pafajshëm ?
Andaj ndjesa juaj nuk është mjaft. Ndjesa juaj është shplarje goje.
Kjo ndjesë ju vë në një pozitë shumë të vështirë përpara viktimave dhe martirëve të diktaturës e Prof.Sami Repishti që është një martir i gjallë.
Krimet e diktaturës komuniste nuk mund të harrohen kurrë. Kot lodhen historianët e regjimit komunist ta fshehin të vërtetën. Do të vijë një ditë shumë shpejt kur Shqipëria me një klasë politike të përgjegjëshme, jo si kjo që vetëm leh natë e ditë në Parlament, do të denoncojë genocidin e regjimit komunist të periudhës prej 1944-1992. Shqiptarët si komb kanë përjetuar tre lloj genocidesh, por genocidi komunist është më makabri, sepse shqiptari torturoi, persekutoi, internoi e vrau shqiptarin.
Ju nuk keni se përse të bëheni protektori i një ministre, e cila është kthyer në vegël qorre të atyre që i përpiluan ato lista. Një ministre e NATO-s nuk mund ta mbajë mirë edhe me persekutorët e viktimave të regjimit komunist edhe me homologët e saj të Aleancës Verio-Atlantike, sepse standartet janë të përcaktuara.
Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton. Ju pas kësaj ndjese hipokrite nuk mund të dilni i palagur. Nuk e kaloni dot lumin zoti Kryeministër me këtë ndjesë. Sepse nuk është ndjesë. Është tallje.
Ju zoti kryeministër nuk e keni provuar kurrë ferrin e diktaturës, ju ka ecur fati. Keni studjuar ku keni dashur, keni zgjedhur vendin e punës sipas qejfit tuaj, po këto privilegje mos harroni jua siguronte regjimi. Ju në asnjë çast të jetës tuaj nuk keni qenë viktimë e monstrës kriminale, ju nuk e keni provuar të jesh adoleshent dhe diktatura të të burgoste prindërit , se çfarë ferri vinte pas kësaj, ju nuk keni provuar burgun, si Visar Zhiti apo Fatos Lubonja, që ju i njihni mirë; por kjo s’do të thotë se ju nuk duhet të keni sensibilitetin e mjaftueshëm që të futeni në lëkurën e viktimave, të të njohurve tuaj apo të atyre djemve të rinj, të edukuar në Perëndim, shokët e qelive të At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit që diktatura i torturoi barbarisht dhe pastaj i vrau. Po ju kujtoj Qemal Draçinin, një njëzet vjeçar brilant, që piu DDT – helmin në burg me qëllimin që t’i jepte fund torturave të këtyre kriminelëve që morën dekorata nga një Ministre e NATO-s. Një farsë e vërtetë. Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton.
Është tallje ndaj viktimave, është provokim ndaj shoqërisë dhe Perëndimit dhe Perëndimi nuk ha bar.
Me të njëjtin stil si Mimi Kodheli, ministri juaj i jashtëm, Ditmir Bushati, i biri i një ish-eksponenti të diktaturës, jo vetëm që bën emërime nepotike nën hundën tuaj, por posa ka emëruar ambasador të jashtëzakonshëm e fuqiplotë në Izrael, të birin e Nimet Canit dhe të dhëndërin e ish-byroistes Lenka Çuko, që ka një pasuri prej 1.2 milionë Euro, ndërsa mesatarja e pensionit e gjysmë milioni pensionistësh që kanë punuar 45 vite rresht është vetëm 110 $ në muaj!
Cili do të jetë reagimi juaj ? Ju do të thoni se edhe Berisha i caktonte diplomatët nepotikë me vkm. Po nuk është kjo përgjigjia e duhur. Riciklimi i gabimeve dhe fajeve.
Ju jeni kryeministër i Shqipërisë dhe tregojeni se nuk jeni as protektor i Mimi Kodhelit, as bodyguard i Ditmir Bushatit e dhëndurit të Lenka Çukos dhe as riciklues i kundërshtarit tuaj.
Duhet vizion tjetër Jozi
Opinion nga lir Levonja-Florida/
A t’i them dy fjalë Jozi. Pasi më është ngulur në kokë një gjë, që… Vendi ynë do ndreqet kur demokrati të merret me demokratin. Dhe socialisti me socialistin. Sidomos kur jemi në pushtet. Përshembull këtë duhet të bëjnë socialistët tani me shtetarët e tyre. Sidomos kur kemi qënë gjatë në pushtet. Dhe ti shyqyr të madhit, nuk ke qëndruar pak. Nga 1996 e këtej. Dhe je akoma aty. Përse e them këtë. Thjesht për të ndryshuar tashmë atë konceptin mbi perceptimin që kemi për njëri-tjetrin. Demokrati karshi demokratit. Dhe demokrati karshi socialistit dhe anasjelltas. Kaq vite demokraci, kaq shumë jemi marrë me njëri-tjetrin sa produkti i urrejtjes sonë ka pjellur me shumicë politikanë të dështuar. Kam parë demokratë provincash me lista parazgjedhore gati. Ashtu siç kam parë socialistë po provincash me lista prerje kokash në administratë. Ashtu siç kam parë barkaliqër të përjetshëm administrash. Të cilët kurrë nuk u hyri gjëmbi në këmbë. Edhe pse në pushtet ishte Enveri.Po kështu dhe kur erdhi Saliu, Nano, ti e me radhë.
Herën e fundit që të dëgjova, qe ajo para pak ditëve. Kur për inat të Taulant Ballës u tregove shqiptarëve për të qindën herë persekutimin tënd, dhjetat, dhe çfarë të them. Respekt për vuajtjet e tua. E sidomos të prindërve. Të familjes tënde. Por nuk bëhet më kështu. Vuajtja nuk është meritë. As dekoratë. Vuajtja është fatkeqësi që të bie për pjesë nga dështakë dhe manjakë regjimesh. Dhe që të mos përsëriten ato. Të mos përsëritet denigrimi, degdisja, përbuzja, racizmi dhe lufta e klasave. Duhet të qeverisin ndryshe. Për hatër të meritës jo të vujatjes. Faza e parë e demokracisë ishin vuajtjet. Faza e dytë ndërtimi i shtetit të së drejtës mbi bazën e ligjit. Mbi të parën ne ishim shumë bujar karshi njëri-tjetrit. Në dy raste me drama të mëdha shekullore. Atë pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Kur bëm me shumicë qeverisës të të gjitha niveleve nën emrin e shtëpisë bazë. Dhe pas rënies së socializmit. Po ashtu nën emrin e të persekutuarit, të të përndjekurit bëm shumë administratorë, shtetarë. Madje me shumicë, edhe nga rraca e persekutorëve. Madje edhe krushqi. Megjithëse nga foltoret flasim dhe tregojmë me gisht armiqë, persekutorë, sharlatanë.
Fazën e dytë ne dështuam. Nuk e bëm dot shtetin asnjëherë ligjor. Por ca vite të demokratëve dhe ca vite të socialistëve. Ndaj sot është demode të ankohesh më për persekutim. Sidomos pas 8 vitesh qeverisje. Ne dështuam, pasi nuk i hapëm dosjet. Thënë kjo me qindra herë. Në katërvjeçarin e dytë si demokratë, iu gëzuam pushtetit në një aleancë të brishtë. Aspak natyrale. Madje edhe pse goditjet i merrnin brinjëve. Po prej saj. Më shumë na dhëmbi karrika se sa përsosja e shtetit. Po dështojmë duke thënë se na manipuluan zgjedhjet. Kur ishim ne organizatorët. Po vazhdojmë të dështojmë pasi qëllimin e madh, po e minimizojmë në djegie bunkerësh. Qëllimin e madh po minimizojmë tek ankesat personale të një kohe. E cila duam apo nuk duam ne, jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Eshtë kjo arsyeja që nuk ka ndjesë publike ndaj vuajtjeve të familjes tënde. Ashtu sikur është po kjo arsyeja që kurrë edhe si shtet ne nuk morën një herë vendimet e duhura. Në drejtim të ligjbërjes. Të bërjes së shtetit. Nuk mbrohen kauzat e një populli me shokët e djalit apo të vajzës. Përpjekja për reforma të thella. Përpjekja për të pastruar administratën nga ata që tregon me gisht një ambasador i huaj. Ne dështuam, pasi thelluam dasimin dhe luftën klasore. Madje tipare të qarta të saj, gëlojnë edhe mes demokratëve. Ka aty një kulturë gati absurde të vetflijimit për të qënë në rresht. Që je demokrat apo nuk je, sapo thua diçka ndryshe njëshit. Nuk je demokrat kur të mbron ty në luftën absurde me një absurd si Taulant Balla. Nuk është kjo meritë të të mbash ligjëvënese, qoftë ty. Qoftë deri te vet Sali Berisha etj. Ka një kohë pensionimi për çdo qënie njerëzore, aktive. Dhe më vjen keq se ty të ka rënë për pjesë disi më shpejt. Demokratët sot i ngjajnë vëllezërve që shihen në gjyq. Ka një kulturë të dëmëshme sidomos kur e mendon veteveten si vlerë e pazëvendësueshme. Kanjë kulturë të penguese që i kthehesh kryetarit, kur e kupton që nuk merr një vend në strategjitë e reja. Ka një kulturë dështuese e thirrjeve duam babën. Alla Nano kur u thoshte pesë socialistëve të dehur nga ekstravaganca e tij. Se e di që po më luteni, kthehu baba. Na shpëto. Qoftë ti, por deri edhe tek Sali Berisha. Tashmë i përkisni historisë, me të mirat dhe të këqijat. Dhe si histori duhet të mblidheni në stendat e një muze. Në historinë e brishtë të një partije pluraliste. Që në historinë e Shqipërisë nuk është e para.
Duhet një vizion tjetër tashmë Jozefinë. Punuan mjaft për ty demokratët. Një vizion i ri, gjak i ri…
Pse e lëmë Gonxhen e përjetshme të shqiptarëve “në harresë”?!
Nga Enver Bytyçi/
Nene Tereza, Gonxhja e perjetshme e shqiptareve, do te jete perfundimisht e shenjteruar. Nese popuj te tjere do ta kishin rrit nje vajze e ta benin 18 vjeç, sa ishte Gonxhja e shqiptareve kur iku nga trevat shqiptare per ne boten e lire, e nese keta popuj do te kishin arritur ta kishin nje shenjtore e bamirese si Nena Tereza, do te kishin mundur te ishin me te perkdhelurit ne bote. Ne shqiptaret e kemi Nene Terezen. Ajo na ka bere drite ne te gjalle e na ndriçon edhe sot pas vdekjes. Me shenjterimin e saj ne kemi privilegjin te jemi bekuar prej Zotit! Por ne nuk jemi mirenjohes. Prandaj nuk arrijme qe ikonat boterore me rrenje shqiptare t’i bejme frymezim per suksesin tone! Aq e vertete eshte kjo sa me duket se Nene Tereza eshte shfaq me permasat e hyjnise, qellimisht qe ta mbroje kombin shqiptar prej vete shqiptareve!!! Çfare do te kishte ndodhur mbreme ne Beograd, ne Shkup, ne Podgorice, ne Athine a diku tjeter, nese do te vinte lajmi i shenjterimit te nje bije te ketyre popujve ne permasat e nene Terezes? Secili mund ta imagjinoje. Ndersa tek ne heshtje, heshtje prej shtetit, heshtje prej politikes, heshtje prej organizatave jo qeveritare, heshtje prej kishes, heshtje prej xhamise, heshtje prej akademise. Te gjithe heshtin dhe gati, gati bejne te paditurin. Ky eshte tmerr! Si nuk mesuam te shfrytezojme asetet qe na i jep Zoti per te miren e kombit tone, te imazhit tone, te nderit tone, te dinjitetit tone, te integritetit tone! I gezohemi nje ndeshjeje te humbur furbolli me shume se shenjterimit te Nene Terezes! Dhe e bejme boten te jete e dyshimte: Vertete i perket apo jo Nene Tereza shqiptareve?!
- « Previous Page
- 1
- …
- 617
- 618
- 619
- 620
- 621
- …
- 867
- Next Page »