• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALËSI E MADHE, O NDERI I KOMBIT

November 14, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka vendosur të dekorojë Malësinë e Madhe me titullin ”Nderi i Kombit”. Pritet që Presidenti Nishani të zhvillojë cermoninë e dorëzimit të titullit, “Nderi i Kombit” Malësisë së Madhe më 25 Nëntor, pak ditë para Festës së Madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën trevat e Malësisë së Madhe , kësaj kalaje të patundur të Arbërit ndër shekuj — kanë dhënë një kontribut të çmueshëm dhe historik.   Është e drejtë historike dhe morale që Presidenti Nishani njeh meritën dhe kontributin e malësorëve, të cilët me ndihmën e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, dhe patriotëve të tjerë, përpiluan memorandumin me 12 pika, të ashtuquajturin ”Libër i Kuq”, e i cili përfshinte kërkesat e të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera, për vet administrim, me gjuhë, buxhet dhe guvernator të vetin.   Memorandumi, që në atë kohë bëri jehonë të madhe anë e mbanë Evropës, përfaqësonte kërkesat e të gjithë shqiptarëve.   Në një gazetë  të kohës Kolnische Zeitung, cituar në librin Kosova të Jusuf  Buzhovit në artikullin, ‘’Shqiptarët dhe Evropa’’  thuhet se ‘’Malësorët e fiseve shqiptare të Grudës, Hotit, Kastratit, Kucit dhe të Shkrelit nuk i lëshojnë armët prej dore dhe më me dëshirë vdesin për çështjen e tyre të shëjntë se sa të jetojnë në robëri.’’

Sipas revistës Leka të vitit 1937, nënshkruesit malësorë të këtij memorandumi ishin: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.

Këta ishin prijësit heroikë të malësorëve trima, këtyre rojtarëve të fateve të kombit shqiptar ndër shekuj, që sipas Ismail Qemalit ”ishin pushkë të ngrehura të Shqipërisë”, të cilëve gjatë asaj periudhe kritike për shpëtimin e kombit shqiptar nga copëtimi, iu bashkangjitën në Podgoricë edhe mendjendriturit e atëhershëm të kombit shqiptar, Ismail Qemali, Ekrem Vlora, Luigj Gurakuqi, Fadil Pashë Toptani, Pandeli Cale, Qazim Kokoshi, Hamit Bej Toptani, Risto Siliqi, Xhemal Kondi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi e të tjerë.   Ishte ndoshta hera e parë, ç’prej Lidhjes së Prizrenit, që kryengritja e malësorve kishte përkrahjen e të gjithëve, gjë që i jepte asaj edhe një frymë pjekurie kombëtare që do ta çonte Shqipërinë në pavarësinë e saj.   Më 24 Mars 1911, malësorët trima, me kryengritjen e tyre hodhën hapin vendimtar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, megjithëse e copëtuar, e pasuar nga kryengritja e Kosovës më 1912, e prirë nga Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, duke kurorëzuar kështu një mori kryengritjesh të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tij  kundër robërisë shekullore otomane.

Si një mërgimtar me origjinë nga ato treva, falenderoj Presidentin e Republikës  për akordimin e titullit ”Nderi i Kombit”, Malësisë së Madhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ditë të shënjtë të kombit shqiptar.   Ky përvjetor, le të festohet në trekëndshin shqiptar: Tiranë-Prishtinë-Shkup, si një festë mbarë-kombëtare në të gjitha trevat, përfshirë edhe Malësinë e Madhe, duke shënuar një moment historik të kombit, kur shqiptarët janë më të lirë se asnjëherë tjetër në historinë e tyre, kurë me fatin e tyre nuk luan më as sllavi as greku e as edhe Evropa shtrigë — dhe kur kombi shqiptar është duke luajtur rolin që i përket atij për ruajtjen e paqës dhe të stabilitetit në Balkan, ndërkohë qe ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar, që Shqipëria e natyrshme të jetë pjesë e pandarë e botës përendimore ështe në prag të realizimit.

Le të shpresojmë qe brezat e sotëm shqiptarë të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin malësorët tanë, e që janë besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë të përmblidhej udhëzimi i drejtë për një jetesë të ndershme e të kënaqshme për të gjithë kombin.   Me gjith lirinë që gëzojnë sot shqiptarët   pas aq shumë vjetë mohim lirie dhe nepërkëmbje të të drejtave bazë të tyre — së bashku të gjithë festojmë këte ditë shënjte — të mirëfilltë se liria dhe shpëtimi i vërtetë i kombit vjen nga njohja e vlerave të këtij trinomi dhe të traditës frytdhënse të historisë tonë kombëtare, të pastruara nga ideologjitë dhe influencat e huaja.

Duke uruar Malësinë e Madhe për nderimin që i bën Kombi në këtë përvjetor, dhe të gjithë shqiptarët për këtë jubile historik, shpresoj dhe lutem  që liria që gëzojnë sot shqiptarët, të çojë në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike si dhe në një diskurs më të denjë politik dhe në një jetë më të lumtur dhe më të begatshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Frank shkreli, malesia e Madhe, nder I Kombit

Monsey man killed on NYS Thruway

November 14, 2012 by dgreca

(11/12/12) NANUET – One man died and another was injured after an early morning crash on the New York State Thruway.

State police say Nicholas Kcira, 28, of Monsey, was driving a Honda in a southbound lane just after 3 a.m. today when he lost control, and hit a guardrail near exit 14. They say when he got out of his car to check the damage, his car was struck by another vehicle. The car smashed into Kcira, sending him flying over the guardrail and on to the northbound side of I-87. He was pronounced dead at the scene. The driver of the second car was not seriously injured.

Investigators say weather may have played a role because there was heavy fog at the time of the accident.(News 12)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Nicholas Kcira

GORDON, JEHONË APELIT TË ZONJËS KLINTON PËR UDHËHEQËSIT POLITIK SHQIPTARË

November 14, 2012 by dgreca

Washingtoni mesazhe politikës. Në interes të kombit shqiptar votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht

/NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

 Washingtoni mesazhe të qarta që duhen përmbushur sot ose nëse jo ata do të firmosin vetëlargimin e tyre nga politika. Në interes të kombit shqiptar është votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht.

Ndërsa në Tiranë ka arritur kulmi i euforisë i festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë, nga Washington D.C. vjen një apel i drejtpërdrejtë për kryeministrin dhe liderin e opozitës nga Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon, i cili në një diskutimi në organizatën e Atlantikut të Veriut, nxori në pah qëndrimin Amerikan për Ballkanin gjatë vizitës së Zonjës Clinton në rajon.

Të gjithë ne që dëgjuam fjalën e zonjës Clinton në Parlament, e aq më tepër deputetët dhe krerët e institucioneve që ishin aty të pranishëm, konstatuam thirrjen konkrete nga ana e Sekretares Amerikane të Shtetit që ajo i bëri politikës sa i përket bashkëpunimit për hir të interesave kombëtare, përballjes me korrupsionin, i cili përbën kërcënim ndaj pavarësisë, zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në fjalën e saj Zonja Clinton parashtroi një seri pyetjesh të cilat vinin në dukje problemet që ka politika shqiptare me veten e saj. Këto pyetje Zonja Clinton nuk ia parashtroi popullit shqiptar, por direkt politikës: „A do të lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit? A do të kryeni reformat që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët? A do ta luftoni korrupsionin që iu vjen për shtat një pakice në kurriz të shumicës? A do të vazhdoni të bëni punën e madhe që kërkohet për të hyrë në Bashkimin Europian, duke pranuar që ai ofron një rrugë të paqes dhe përparimit afatgjatë për qytetarët tuaj?“ Këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje.

Ndërsa vizita e Zonjës Clinton u përdor nga maxhoranca si trofe e fitoreve të saj, sapo Sekretarja e Shtetit la aeroportin e Rinasit, në parlamentin e Shqipërisë nisi refreni i vjetër si sulmeve dhe kundërsulmeve të pacipa, gjë që të jep të kuptosh se retorika e klasës politike gjatë vizitës të Hilly Clinton në Tiranë kishte qenë vetëm shtirje dhe hipokrizi.

Sepse nëse do të isha unë kryeministër i Shqipërisë apo lider i opozitës të Shqipërisë, apo deputet i parlamentit të Shqipërisë, do të shpallja botërisht se për hir të interesave madhore të kombit, unë do të sakrifikoja interesin partiak dhe personal dhe në datën më të parë në parlamentin e Shqipërisë do t’i kërkoja deputetëve të krahut politik që të votojnë pa asnjë koment ligjet e kërkuara nga BE, të cilat e afrojnë Shqipërinë pranë statusit.

Popullit shqiptar nuk i interesojnë fare pazarllëqet partiake apo etja e tërbuar për pushtet për të marrë apo mbajtur pushtetin politik. Në interes të kombit shqiptar është votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht. 

Kjo është detyra e kryeministrit të Shqipërisë, e liderit të opozitës dhe e deputetëve të parlamentit shqiptar. Të votojnë detyrimin ligjor si përmbushje e përgjegjshmërisë ndaj Sovranit dhe integrimit europian. Aq më tepër kur këtë kërkesë na e bëjnë edhe aleatët tanë jetikë. Pa Wilsonin nuk do të kishte 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Pa Amerikën nuk do të kishte Shqipëri në NATO dhe Kosovë të pavarur.

Në fjalën e saj, Zonja Clinton vuri në pah tolerancën e shqiptarëve ndaj besimeve fetare, si unike dhe shembull, që të mësojnë nga kjo tolerancë edhe kryeministri e lideri i opozitës që të tolerojnë për hir të interesave kombëtare, për hir të ardhmërisë së fëmijëve tanë. 

Kjo ishte detyrë imediate shtëpie për politikën nga Washingtoni, të cilën krerët e politikës shqiptare po e shpërfillin, kur e kanë shumë të lehtë për ta përmbushur, mjafton që të mos fokusohen në interesat personale, por në ato të Shqiptarëve. „Qeveria e popullit, nga populli, për popullin“. Kështu thoshte Linkolni. Nuk thoshte kurrsesi „Qeveria e pakicës, nga pakica për pakicën“. Siç thonë për veten e tyre krerët e politikës në Tiranë.

Në këtë situatë, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon i rikujtoi Tiranës zyrtare apelin e Sekretares Amerikane të Shtetit, duke nënvizuar se “Investitorët e huaj, do të vazhdojnë t’i anashkalojnë vendet që janë të pllakosura nga korrupsioni, nepotizmi, struktura të dobëta shtetërore dhe paqëndrueshmëria politike”. 

 “Zonja Clinton e bëri të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik, ndërsa e vuri theksin tek nevoja për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në zgjedhjet e vitit 2013”, tha Diplomati amerikan, i cili duke iu bërë jehonë këshillave të zonjës Clinton, theksoi se Sekretarja Amerikane e Shtetit iu bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të bashkëpunojnë pavarësisht nga përkatësia partiake dhe të marrin hapa të shpejtë për të miratuar reforma e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Veçanërisht, tha ai, udhëheqësit e Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme duke miratuar reforma në drejtësi dhe administratë dhe të rishikojnë rregullat procedurale të parlamentit. Qeveria duhet gjithashtu të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.” 

Po ashtu, nga Tirana Ambasadori i BE Sequi deklaroi se nuk ka më kohë dhe se duhet të plotësohen 3 kushtet për statusin, ndërsa Ambasadori Arvizu, duke mos pranuar të komentonte propozimin e kreut të PS-së për tryezë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Fierit, solli edhe njëherë në vëmendje mesazhin që përcolli në Tiranë Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton:
“SHBA besojnë që Shqipëria është vërtetet në një udhëkryq kritik. Qeveria amerikane nxit Shqipërinë që të vazhdojë përpara me reformat. Axhenda përfshin shumë elementë, por 2 janë të rëndësishëm. E para janë çështjet e rëndësishme ligjore dhe elementi i dytë, që është edhe më i rëndësishëm, është krijimi i një rekordi i luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së një qeverisje më të mirë. Një nga mangësitë këtu është komunikimi i dobët mes drejtuesve politikë. Komunikimi duhet të përmirësohet. Kemi kaq shumë gjëra përpara dhe mendoj se çelësi do të ishte përmirësimi i dialogut mes tyre,”- u shpreh ambasadori Arvizu.

Tirana zyrtare, maxhoranca dhe opozita kanë marrë mesazhe shumë të qarta nga Washingtoni, të cilat duhet t’i përmbushin pikë për pikë, pa komente dhe pa zvarritje. 

Ose sot, ose kurrë. Nëse jo, ata do të vetëfirmosin largimin e tyre nga politika. Pa kushte.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: elida bicpapaj, Gordon, mesazh, politikes shqiptare

MOSMARREVESHJA E KADARESE ME POPULLIN E TIJ

November 14, 2012 by dgreca

NGA AGRON GJEKMARKAJ/

Të shkruash për librat e Ismail Kadaresë është mundësi, tentacion vanitoz, por edhe risk mbytës njëkohësisht. Kur pretendon të bëhesh ndërmjetës mes tij e lexuesit, sapo ke kaluar ngushticën e Shilës e Karibdës. Më shumë se proza artistike janë esetë, të cilat shfaqen si sisteme të mbyllura të vetëmjaftueshme, intensive e munduese për një qasje recensionale.
Për ato asgjë nuk mund të thuash më mirë se autori, asgjë ndryshe nga autori, asgjë më pak se ai e asgjë më tepër. Rrezikon të ecësh nën tehun e teprimit dhe të mungesës. Mirëpo shija e udhëtimeve të tilla është ngasje unike, ia vlen të rrezikosh.
“Turk e trim” do të thoshin disa shqiptarë, duke gjykuar përmasat e sfidës. Provokative kjo “fjalë e urtë”, shenjë e “tjetërsimit” dhe “flirtit”, po a nuk thotë Kadare “nëse donim ta kishim bashkë perandorinë, duhej të jetonim e vdisnim si turq”; Tashmë jashtë perandorie falë Zotit vende-vende nostalgjia për trimërinë turke të unifikuar na ka mbetur! Kjo nostalgji në të gjitha format e shfaqjes së saj nxit “Mosmarrëveshjen” e Ismail Kadaresë me popullin e tij.
Përtej figurës, “Mosmarrëveshja”, libri i fundit i sapodalë nga shtypi (në variantin përfundimtar), paraqitet si një analizë në diakroninë dhe sinkroninë e transformimit antropologjik në amzën e këtij kombi gjatë një pushtimi pesëshekullor, plus diktaturën 50-vjeçare e tranzicionin 22-vjeçar. Një libër që e strukturon realitetin, duke reflektuar mbi të. Ky libër me një gjykim të ndërtuar mbi krahasimin shqyrton raportet e shqiptarit me veten dhe me të tjerët, me Shqipërinë dhe Kosovën, me flamurin dhe themeluesit, me mitet dhe çmitizuesit, me renegatet dhe shenjtorët, me diktatorin dhe diktaturën, me mbretin dhe mbretërinë, me Geraldinën dhe Sofinë, me identitetin e fetë, me gjuhën dhe agresorët e saj, me robërinë dhe lirinë, me krishterimin e islamin, me konvertimin dhe qëndresën, me sllavët e grekët, me italianët e gjermanët, por mbi të gjitha me pushtuesin otoman dje dhe neootomanizmin sot, me shqiptarët dhe Europën përgjithmonë, mes të cilëve qëndron “Dosja Kastrioti”.
Po si dalin shqiptarët nga kjo analizë që vetëm Ismail Kadare ka tagrin dhe fuqinë për ta bërë?! Leximi na zbulon se “Shqipëria sasinë e rimohuesve e ka tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej”. Identitetet e lëvizshme të përcaktuara nga mohimi e rimohimi janë përvijuar shpesh në historinë tonë, thelbin e të cilave shkrimtari e përmbledh edhe kështu “Jep kryqin, të marrësh grada dhe poste. Mbaj kryqin, jep gjuhën shqipe. Mbaj kishën, jep Kastriotin. Merr tituj, jep emrin shqiptar. Mbaj armën, jep kryqin. Dhe kryesorja: që të jesh turk, do të përfitosh si i tillë, por ndërkaq, si i tillë, si i pabesë do të ndëshkohesh”.
Shqipëria e Ismail Kadaresë në këtë “Mosmarrëveshje” nuk ngjason me asnjë Shqipëri tjetër, të rrëfyer nga historianë apo albanologë, nga shqiptarë apo të huaj. Temë e një karriere të sprovuar apo e një doktorate të lartë për kombin e ka quajtur një tjetër shkrimtar shqiptar.
“Mosmarrëveshja” është akti më i madh i dashurisë që shkrimtari me famë të përbotshme i blaton vendit të vet, por njëkohësisht është një shpallje lufte me artileri të rëndë, me zjarrin e së cilës duhet të bëjnë llogaritë përgjithmonë ata që në gjak kanë flirtin, tjetërsimin, nostalgjinë për pushtuesin dhe urrejtjen për Gjergjin Skënderbe, i cili do të krahasohet nga Kadare me Krishtin njësoj pa varr, i ngjitur në qiell në amshim, në përjetësi, ndaj i patakueshëm nga toka.
Gjergji hero i qytetërimit europian, i mbrojtur nga Europa si i tillë, Gjergji hero kombëtar i shqiptarëve i vënë në diskutim prej vetë shqiptarëve. Nënë Tereza gjithashtu, Ismail Qemali po aq. Te kjo përputhje dhe mospërputhje konsumohet “Mosmarrëveshja”. Por shkrimtari nuk lodhet së përsërituri se “Dosja Kastrioti” është thagma e Shqipërisë europiane, shpirti, identiteti i qytetërimit perëndimor në këtë vend dhe ndaj rimohuesit me një tjetër identitet, qerosë apo me mjekra, me gjuhë kozmopolitizmi apo mbllaçitje revanie plot gulçe e rënkim prej shekujsh, i mëshojnë mallkimit të luftës kundër padishahut.
Kadare shfaqet si racionalizues i historisë, por edhe paralajmërues për të ardhmen, njësi kohore nga anon kahu i këtij libri, kur thotë “se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”. Kundër tij kishin punuar “burgjet, jataganët, daullet, lajkat, zërat e zvargur të hoxhallarëve nga minaret”.
Nga ana tjetër, për herë të parë në këtë “sprovë” gjejmë një formë te re konfigurimi të krenarisë kombëtare nëpërmjet pohimit se shqiptarët nuk janë ai populli paqësor e qyqar që ka marrë shpulla nga gjithkush ndër shekuj. Jo, përkundrazi, edhe ata kanë ushtruar dhunë ndaj të tjerëve e për këtë duhet të ndihen po aq krenarë ose fajtorë si gjithë popujt europianë që në origjinë e kanë këtë fenomen. Portreti i viktimës ngjall mëshirë momentale, por jo konsideratë afatgjatë.
Kadare pothuaj i vetëm në këtë pikëpamje hedh poshtë me forcë tezën që konvertimi në islamizëm i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi sllav. Tezë kjo sipas tij justifikuese për të përligjur flirtin. Vazhdimësinë historike të katolikëve në Shqipëri e Kosovë Kadare nuk e sheh si sasi numerike, por si qytetërim dhe njësi përbashkuese me Europën, me efekte të drejtpërdrejta mbi gjuhën dhe alfabetin.
Kadare, pasi ka evidentuar cenet, nuk është kursyer në ekspozimin e virtyteve si prani ekuilibruese, të cilat nuk janë një e dhënë e përjetshme në qoftë se nuk kultivohen.
Sot, magjepsjen ndaj Europës dhe harmoninë fetare e konstaton te shumica e shqiptarëve, i bindur që kombi paraqitet mbi besimet, e këtu Kadarenë e gjejmë në hullinë e Rilindjes Kombëtare si përmbyllës i epërm i saj, por edhe zëdhënës të mendimit laiko-liberal.
Zanafillën e diktaturës ose krimin themelues e gjen te historia tragjike e Ramize Gjebresë. Po aty zbulon simptomat e mohimit të Kosovës, mbi betejat e së cilës vetëm ndalet gjatë, kund me pesimizëm, kund me shpresë, kund me pezëm e kund pa e fshehur kënaqësinë.
Na feks mendimi që te fati i Kastriotit nën presionin e “dergjjes otomane” dhe me një Shqipëri që dergjet në portat e Europës për “tri ligje dhe një kryetar qarku”, Kadare “Mbreti i letërsisë shqipe”, nëse do të përdornim përcaktimin e një politikani të lartë shqiptar, sheh të ngjashmin fat të tij mes “moshash” e “shtresash” në një të ardhme të mesme. Mos ndoshta do të mbetet ai më shumë shkrimtar i Francës apo Europës sesa i Shqipërisë? Vallë mes kësaj të fundit dhe kontinentit do të kemi “Dosjen Kadare” një ditë? Mos transformimi i poezisë së Naimit “Fati ynë u ngrit prej gropës/Si i vdekuri nga varri/Mori udhën e Europës/ Duke rendur si i marri?/ është autoreferencial?”
Mbase janë vetëm një lajthitje e jona këto pyetje “marazi”, ashtu si yshtja e pacak për të folur mbi këtë libër të vështirë në këtë prag panairi, ngjarje kjo që do të vërtitet rreth “Mosmarrëveshjes”.
Ecëm mes mungesës dhe teprimit e të dyja nxorën krye, thamë më pak se autori, pa stilin dhe solemnitetin e tij, e përsëritëm atë, me të vetmen shpresë që së paku do të bëhemi lajmës të librit të librave mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Për lajmësin ka gjithmonë besë…!(kortezi Panorama)

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Agron Gjekmarkaj, Ismail Kadare

GËZUAR SHQIPËRI, 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE!

November 14, 2012 by dgreca

Ismail Qemali Arkitekt i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Të gjithë shqiptarët në fillim të shekullit XX, shpresonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte e Pavarur, pas 5 shekuj robëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njeriu që e njihte mirë Turqinë dhe politikën e saj.

Ismail Qemali si diplomat, i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës. *Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe;*shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve;*kushtet fiziko- gjeogrfike, (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. *Bashkëjetesa e tri besimeve fetare ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë *çështjen kombëtare, që evitoi *përçarjet mes shqiptarëve. *Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi* Autonominë e Shqipërisë.

Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet,*Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon *Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë *Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të P. Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai i shfrytëzoi për çështjen kombëtare. *Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë të pësonte disfatë. *Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Veçse kjo *analizë social-politike e I. Qemalit, i ngjante projektit të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë nga shekujt. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare. *Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. *Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës,*Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: “Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha.” *Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.

Ardhjen e turqëve të rinj ai e quan *anarki të rëndë që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa *komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. *Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.”*Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.”- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte *mbështetja e Fuqive të Mëdha evropiane. Menjëherë nisi *maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku *çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku *shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri- Itali për influencën e secilës në Shqipëri. Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. *Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, “Albania”. Botimi i gazetës së tij (I.Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me *mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me maturi. *Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I.Qemali.

Në çastin fatlum, këtij burri të mençur iu desh të *shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Ndaj për I. Qemalin *shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.

*Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi: *Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe *kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. *Arkitekti i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur, donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa:*1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; *2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. *3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip..*4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. *5- Të krijohej policia, postë telegrafa, *marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. *Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi *organizimin e shtetit me frymë europiane. Në Nicë të Francës *më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet:”Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

I. Qemali më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20 /XI /1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu  ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28 -XI- 1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër I.smail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet nga shpallja e pavarësisë së cunguar të shqiptarëve, dhe kombi ynë përsëri ka mjaft probleme , të cilat po ia lemë kohës t’i zgjidhë!

Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj :”Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet, Haxhiraj, pavaresi, Vilhelme, Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5702
  • 5703
  • 5704
  • 5705
  • 5706
  • …
  • 5723
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MIRËNJOHJE PËRJETË PËR SENATORIN BOB DOLE, MIKUN E MADH TË KOSOVËS E KOMBIT SHQIPTAR
  • “Dijetari i fshehtësive”, një film befasues për Hasan Tahsinin
  • VEPRA E AKADEMIKUT MARK TIRTA DO MBETET GJATË NË KUJTESËN E ATYRE QË E DUAN KULTURËN SHQIPTARE
  • Dr. Riza Sadiku dhe kontributi në dokumentimin e historisë kombëtare
  • Kur pushteti humb besimin e qytetarëve
  • Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes
  • NUMRI QË ASKUSH NUK E KA NUMËRUAR…
  • KUJTIM BUZA – NJERIU QË MA RRËFENTE SHKUPIN
  • Letter of Support for Prof. Dr. Bekim Sejdiu’s Nomination for President of the Republic of Kosovo
  • BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?
  • ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
  • Kur dija hesht, konformizmi flet…
  • Albanians for America Welcomes the SRBIJA Act and Calls for Accountability from Serbia
  • “Malësia – studime e hulumtime”
  • Ago AGAJ – Vlonjati që e mori Kosovën me vete deri në vdekje!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT